2013-07-06

Në Ulqin, organizohen “Ditët e filmit dokumentar e të shkurtër”




“Anija e ëmbël” e Daniele Vicarit do të hapë “Ditët e filmit dokumentar dhe të shkurtër shqiptar” në Ulqin. Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” do të organizojë gjatë ditëve 5-7 korrik në Molin e Madh në Ranë, Ulqin, një aktivitet kushtuar filmit të shkurtër dhe atij dokumentar. Ndryshe nga ç’ndodh në Tiranë e në bregdetin e Shqipërisë, ku institucionet kulturore kanë mbyllur dyert me kohë dhe aktivitetet private janë shumë të pakta, ulqinasit kanë menduar të pasurojnë kalendarin kulturor me projeksione filmash, por edhe debate mbi gjendjen e kinematografisë shqiptare sot. Sipas organizatorëve, kjo veprimtari, e cila zhvillohet për të parën herë në Ulqin, ka për qëllim prezantimin dhe afirmimin e produksioneve të fundit në këto zhanre të kinematografisë shqiptare. Gjatë tre netëve do të shfaqen 8 filma, pjesëmarrës në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, shumica e të cilëve fitues të çmimeve të ndryshme. Bëhet fjalë për filma me regji të Ilir Butkës, Mevlan Shanajt, Blerta Zeqirit etj. Ditën e parë të aktivitetit do të shfaqet filmi “La nave dolce” me regji të regjisorit italian, Daniele Vicari, por me bashkëprodhim shqiptar. Një film, i cili i kushtohet eksodit shqiptar të vitit 1991 dhe në veçanti anijes “Vlora” dhe që është vlerësuar me çmimin “Pasinetti” në edicionin e 69-të të Festivalit të Filmit në Venecia.
Daniele Vicari
Gjatë Ditëve të filmit dokumentar dhe të shkurtër shqiptar, do të marrin pjesë regjisorë, producentë dhe kritikë të filmit nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, të cilët do të diskutojnë mbi zhvillimet e filmit shqiptar dhe problemet e tij sot. Përpos rëndësisë si një ngjarje e veçantë kulturore, ky aktivitet vjen si “bonos” për pushuesit që frekuentojnë bregun e Ulqinit gjatë këtij sezoni veror. Sponsor kryesor i manifestimit “Ditët e filmit dokumentar dhe të shkurtër shqiptar” është Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, Organizata Turistike e Ulqinit etj
.

SI U BË NJË LEGJENDË E DREJTËSISË NJË NJERI I THJESHTË I LIGJIT



Nga regjisori Gore Verbinski, nga producenti Jerry Bruckheimer e nga skenaristët Justin Haythe, Ted Elliott e Terry Rossio dhe aktorin Johnny Depp, të gjithë bashkë grupi që ka realizuar sagën e suksesshme “Piratët e Karaibeve”, vjen një aventurë që ka për protagonist heroin e maskuar Lone Ranger. Një hero i njohur në mbarë Amerikën dhe me një histori gati 80 vjeçare në libra, radio, televizion dhe kinema. Teksani i perëndimit që lufton kundër çdo padrejtësie, i shoqëruar nga luftëtari Tonto (interpretuar nga Johnny Depp), një Indian i Amerikës, i aftë dhe lakonik që është krahu i tij i djathtë. Është pikërisht ai që tregon historinë e shndërrimit të John Reid (Armie Hammer), nga një njeri i thjeshtë i ligjit në një legjendë të drejtësisë duke udhëhequr kështu publikun në një udhëtim jashtë kontrollit, plot me befasi, humor të mprehtë.
“The Lone Ranger” filloi projeksionet amerikane më 3 korrik dhe njëherësh me to fillojnë edhe projeksionet shqiptare. “The Lone Ranger” lindi si një shou radiofonik në vitet 30 dhe më pas u kalua në një shou televiziv me aksion, duke siguruar shumë sukses në vitet 50. Lone Ranger është shfaqur për herë të parë në janar të vitin 1933, për WXYZ në Detroit, pra personazhi feston ditëlindjen e tij të 80-të këtë vit. Kështu ai lë pas Superman, që e ka bërë debutimin e tij në vitin 1938. Idea për krijimin e këtij personazhi i takon pronarit të radios, Trendle George dhe shkrimtarëve James Jewell dhe Fran Striker. Ata menduan që kaubojit t’i shtonin edhe elementë të Zorros dhe Robin Hood në histori. Fillimisht mendohej që Ranger të ishte një hero i shëndetshëm që nuk pi duhan apo alkool dhe nuk përdor dhunë, me qëllim krijimin e një roli model. Lone Raner, ishte filmi uestern i parë për televizion dhe u bë një nga hitet e kanalit ABC, në vitin 1949. Ky është versioni ikonik i filmit me aktorët Clayton Moore si Lone Ranger dhe Jay Silverheels si Tonto. Sezoni i parë kishte 78 episode ndërsa i dyti 52 episode dhe i fundit ishte e gjatë me 39 episode. Më pas filmi televiziv u ndërpre me qëllimi krijimin e një sage kinematografike me këtë subjekt.
Dy filma u prodhuan: “Ranger Lone” 1956 dhe 1958 u bë “Ranger Lone and the lost City of Gold”. E duke iu kthyer filmit të këtij viti, Verbinski dhe studio e përshkruajnë me imazhe të gjithë historinë e John që nga fillimi e deri si arriti të mbante maskën e shndërruar në një legjendë, gjenezën e aventurave me Tonton dhe përse u shndërrua në një hero të vetmuar. Struktura narrative është e sofistikuar por as komplekse dhe as e cekët, por shërben për të veshur me nostalgji të gjithë historinë, një nostalgji që publiku i rritur e lidh pazgjidhshmërisht me titullin. Buxheti i filmit të këtij viti, i kalon 250 milionë dollarët, shifër për të cilën projekti fillimisht u ndërpre. Xhirimet e filmit u bënë në gjashtë shtete amerikane; Utah, Colorado, New Mexico, Arizona, Texas, dhe California. Ndërsa muzika e filmit i është besuar njërit prej mjeshtrave të muzikës, Hans Zimmer
.

PAS “FALJA E GJAKUT”, SKENARISTI MURATAJ VJEN ME NJË FILM PËR BURRNESHAT


Skenaristi Andamion Murataj, fitues i “Ariut të Argjendtë” për filmin “Falja e gjakut”, është rikthyer sërish në veri të Shqipërisë për të shkruar një tjetër skenar filmi. “Burri i shtëpisë” (Man of the house) është filmi i ardhshëm i tij. Një rrëfim me tre personazhe, ku secili tregon një histori personale.
E përbashkëta e këtyre tri historive lidhet me aspekte të jetës së burrneshave shqiptare. Ndoshta për shumëkënd do të duket një tematikë tejet e konsumuar, por jo për skenaristin Murataj, i cili me këtë skenar është përzgjedhur si një nga dy filmat e një kompanie filmike në SHBA për projektin prestigjioz ‘Pugliaexperience 2013’. Ky projekt kinematografik mbahet në rajonin e Pulias në Itali për 3 javë, nga 17 qershori deri më 6 korrik. Kompanitë bashkëpunuese janë “Quinoxe Europe” me “Apulia Film Commission”, që operojnë sipas modelit të ‘Sundance Film Lab’ në Shtetet e Bashkuara, dhe që qëllim parësor kanë përzgjedhjen dhe zhvillimin e projekteve filmike të disa prej skenaristëve të rinj dhe më të suksesshëm në botë. Andamion Murataj është një prej fituesve mes 174 projekteve filmike që aplikuan për këtë program, ku 124 janë ndërkombëtarë (nga vende të ndryshme nga Europa, Amerika, Afrika dhe Azia), 50 janë projekte italiane. Ky projekt financohet nga Komuniteti Europian për të inkurajuar emra të njohur të kinematografisë botërore për të prodhuar filma që trajtojnë tema të mprehta sociale me ngjarje që zhvillohen në një vend europian.

SERBIA I KËRKON NDIHMË HASHIM THAÇIT PËR FILMIN ''CRNI MERCEDES''(MERCEDESI I ZI)

Aleksandar Vlajkoviç zëvendës drejtor në Ministrinë për Diasporë në qeverinë e Serbi ka kërkuar ndihmë nga Qeveria e Kosovës, për të realizuar një film i cili flet për një lidhje dashurie në trekëndëshin Serbi-Kosovë-Maqedoni. Në këtë film, një serb nga Beogradi gjatë luftës në Kosovë, dashurohet në një shqiptare dhe maqedonase. Policia serbe e vret serbin duke menduar se ai është një fshatarë shqiptar, ku kryhen krime kundër civilëve. Në anën tjetër një ushtarë i UÇK-së, e shpëton një ushtarë maqedonas i cili kishte rënë në lum dhe ishte ngrirë nga acari i dimrit, shkruajnë mediat serbe. Përkundër faktit se filmi nuk do të financohet nga institucionet e Qeverisë së Serbisë, Vlajkoviq, në një letër të datës 19 qershor 2013, të siguruar nga gazeta “Vesti”, e të cilën e nënshkroi si zyrtar shtetëror, përkatësisht në emër të Zyrës së Diasporës, ia ka drejtuar zëvendëskryeministrit të Kosovës, Sllobodan Petroviq. Duke i shprehur mirënjohje Petroviqit, pas takimit dhe bisedës së zhvilluar në lidhje me projektin, Vlajkoviq në letër ka shkruar se filmi është “jo vetëm vepër artistike, por edhe e rëndësisë politike.”


 “Projekti do të implementohet në bashkëpunim të kinematografëve të rajonit tonë. Filmi, siç e dini, është një medium shumë i fuqishëm, ndërsa filmi në fjalë do të kontribuojë në kuptimin më të mirë të popullit tonë dhe promovimit të kinematografisë së Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë. Jam i sigurt se do të marr mbështetje financiare prej Fondit të Filmit Evropian, dhe sigurisht faktorëve politik evropian”. Ai vazhdon të thotë se si një ish-drejtor gjeneral i “Avala Film”, gazetar me përvojë dhe si një redaktor i RTS-së, ka mbështetur iniciativën e miqve të tij – kineastë, të cilët ia kanë ofruar skenarin. Gjithashtu deklaron se filmi “do të ishte si rezultat i bashkëpunimit të ko-produksioneve të Kosovës, Maqedonisë dhe kinematografisë serbe” dhe se është thellësisht i bindur se kjo do të merrte “një mbështetje të gjerë ndërkombëtare.” Ai shtoi se ka “besim në mundësitë krijuese të autorit dhe vlerave artistike të filmit të ardhshëm “, i cili do të shfaqej “anembanë globit dhe do të korrte suksese të konsiderueshme”. Nëse ka interesim, shkruan më tej në letrën e Vlajkoviqit, “që ky projekt i përbashkët të realizohet,” ai “së bashku me pjesën e ekipit të autorëve do të vijë në Prishtinë”, ku do të dëgjojë “sugjerimet dhe të vë kontakte të drejtpërdrejta (jo zyrtare) me përfaqësuesit e kinematografisë së Kosovës dhe të arrijë marrëveshje për bashkëpunim”. Ai shtoi se autorët janë “ të gatshëm për sugjerime eventuale”. “Në mënyrën më të mirë ju lus që për këtë iniciativë ta njoftoni kryeministrin, Hashim Thaçi, sepse mbështetja e tij do të ishte e rëndësisë etike në këtë kohë dhe mund të jetë një garanci për realizimin e filmit. Në film, do të angazhoheshin autorët më të shquar të rajonit dhe ndonjë aktor i përmasave botërore, të tillë si Monica Bellucci, e cila është e preferuar në Kosovë,” thotë Vlajkoviq.

EULEX-I DHE KRIMET E LUFTËS



Nga Bernd Borchardt

T’i sqarojmë gjërat. Prokurorët e EULEX-it, si edhe të gjithë prokurorët e tjerë të Kosovës, nuk i ndjekin rastet duke u bazuar në politikë. Ata i ndjekin rastet duke u bazuar në dëshmi. Nganjëherë kjo është e mjaftueshme për t’i bindur gjyqtarët për fajësinë e një të pandehuri të caktuar; nganjëherë nuk është. Megjithatë, deri sa të shpallet aktgjykimi nga gjykata gjithmonë qëndron supozimi i pafajësisë.

T’i themi gjërat troç. Pjesa më e madhe e të dyshuarve për krime lufte të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës janë serbë të Kosovës, ose shtetas serbë. Por ata nuk janë më në Kosovë. Gjyqësori i Kosovës (përfshirë EULEX-in) mund të kryejë hetime kundër kryesve të pretenduar të krimeve, por ka juridiksion vetëm në Kosovë. Ne të gjithë veprojmë sipas ligjit të Kosovës, dhe ligji i Kosovës thotë që askush nuk mund të gjykohet në mungesë. Nëse kryesit e pretenduar të krimeve janë jashtë vendit, nuk mund të bëjmë shumë, vetëm mundemi t’i ndajmë informatat të cilat i kemi me shërbimet e ndjekjes penale në juridiksionet e tjera, dhe ne e bëjmë këtë.

Të hyjmë në temë. Pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës të dyshuar për krime lufte kanë kryer krime kundër bashkëkombësve shqiptarë të Kosovës. Këta kryes të veprave janë në Kosovë, brenda juridiksionit të Kosovës. Është parim kryesor i sundimit të ligjit që të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe askush nuk është mbi ligjin. Kjo ndodhë në gjithë rajonin: Prokurori serb për krime të luftës i gjykon serbët në Serbi, Dhoma e posaçme e Bosnjës për krime të luftës i gjykon boshnjakët në Bosnjë, Prokuroria kroate për krime të luftës i gjykon kroatët në Kroaci. Do të vijë dita kur një gjykatë e Kosovës do t’i gjykojë kosovarët në Kosovë pa mbështetjen ndërkombëtare.

Të flasim me shifra. EULEX-i i ka trashëguar 1200 raste të krimeve të luftës nga UNMIK-u. Ne i kemi mbyllur apo i kemi hedhur poshtë (për shkak të mungesës së dëshmive) 500 prej tyre. Ekzistojnë 300 lëndë të pazgjidhura tek prokurorët e Kosovës dhe ata të EULEX-it në kuadër të PSRK-së. Ekzistojnë 300 lëndë të pazgjidhura në Njësinë e PK-së dhe të EULEX-it për hetimin e krimeve të luftës. Ne i kemi shqyrtuar më shumë se 800,000 faqe lidhur me këto raste. Po ashtu i kemi iniciuar 51 raste të reja të krimeve të luftës, përfshirë hetimet e para që janë bërë ndonjëherë lidhur me rastet ku veprat e dhunës seksuale apo të dhunimit janë vlerësuar si krime të luftës. Prokurorët e Kosovës dhe të EULEX-it aktualisht janë duke i hetuar 100 raste të krimeve të luftës dhe janë duke u mbajtur 5 gjykime për krime të luftës.

Gjithsej i kemi gjykuar 15 raste të krimeve të luftës, sipas kornizës juridike të Kosovës. Vetëm më pak se gjysma e tyre (7) kanë përfshirë të pandehur me prejardhje etnike serbe dhe vetëm pak më shumë se gjysma e tyre (8) përfshinin të pandehur me prejardhje etnike shqiptare. I kemi edhe 13 urdhër arreste tjera kundër të pandehurve serbë, por ata janë jashtë juridiksionit juridik të Kosovës.

Janë 216 raste aktive lidhur me personat e pagjetur. Përmes operacioneve në terren dhe vlerësimit mjeko-ligjor, ne së bashku me kolegët tanë të Kosovës e kemi bërë të mundur kthimin e mbetjeve mortore të mbi 330 personave tek familjet e tyre. Kjo është me rëndësi të jashtëzakonshme për familjet dhe është nderim për mua që EULEX-i është në gjendje të jap kontribut në këtë aspekt.

Të flasim për ndërlikueshmërinë. Shumica prej këtyre rasteve janë gati 15 vjet të vjetra dhe nevojitet shumë kohë për t’i përgatitur ato. Procesi nga fillimi i hetimit e deri tek dënimi përfundimtar mund të zgjatë pesë vite. Shpesh mbeten shumë pak dëshmi materiale, edhe pse mjekësia ligjore kontribuon kur është e mundur. E vërteta është që shumica e rasteve të krimeve të luftës bazohen në dëshmi të dëshmitarëve. Kjo është e vërtetë në mbarë botën: dëshmia e dëshmitarit është kryesore për dënimet e suksesshme për krime të luftës. Por dëshmia e dëshmitarit është jashtëzakonisht e brishtë pasi që dëshmitarët kanë parë ngjarje traumatike. Kjo i bën ata jashtëzakonisht të cenueshëm ndaj kërcënimit, ose drejtpërdrejt përmes kontakteve private, ose tërthorazi, përmes deklaratave publike, në veçanti nga ata akterë që dinë më mirë. Shumica prej tyre rrinë të heshtur me vite, në veçanti gratë, të cilat kanë filluar t’i paraqesin përvojat e tyre të dhunimit si krim lufte. T’i mbështesim ato.

Të flasim për të vërtetën. E vërteta është që ndonjëherë krimet ndodhin në kontekst të luftës. E vërteta është që populli i Kosovës mund ta bëjë dallimin ndërmjet përpjekjes së vet dhe krimeve të luftës të cilat janë kryer në emrin e tij. E vërteta është që pikërisht populli i Kosovës jep informata të cilat ofrojnë bazë për dëshmi kundër bashkëqytetarëve të tyre kosovarë. Është e vërtetë që nganjëherë është vështirë të përballemi me të vërtetën. Megjithatë, po ashtu është e vërtetë që drejtësia duhet të realizohet, dhe duhet të përpiqemi që të realizohet, sidomos për secilën shoqëri që dëshiron ta kërkojë vendin e saj në komunitetin e popujve.

Të flasim për kujtimet. Unë vetë kam qenë dëshmitarë i ardhjes së njerëzve të dëshpëruar të Prishtinës në Bllace. Unë kam punuar në kampet e refugjatëve përreth Shkupit dhe Tetovës dhe i kam parë miqtë dhe të njohurit që dilnin zvarrë nga tendat e leckosura. Jam kthyer në Kosovë tri ditë pas përfundimit të luftës dhe i kam parë të gjitha fshatrat, qytetet dhe shtëpitë e shkatërruara. Është zhgënjyese dhe shumë frustruese që aq pak kryes të krimeve janë dënuar deri më tani. Por ky nuk është kurrfarë arsyetimi për t’i falur, injoruar apo harruar të tjerët që kanë kryer krime të luftës!

(Autori është: Bernd Borchardt, Shef i Misionit EULEX)

RADHA E EDIT


 Nga The Economist

Kryeministri tjetër i Shqipërisë do të jetë Edi Rama, lider i Partisë Socialiste. Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, koalicioni i tij duket se do marrë 84 nga 140 vende në parlament- një fitore dërrmuese. Rezultati i jep fund tetë viteve qeverisje nga Sali Berisha i Partisë Demokratike të qendrës së djathtë, por Berisha ka qenë vërdallë më shumë se kaq. Asnjë shqiptar nën 30 vjeç nuk mban mend ndonjë kohë tjetër kur ai nuk ka qenë një prezencë dominuese politike.
Rama është ish- kryebashkiak i kryeqytetit, Tiranë. Në zgjedhjet e vitit 2009 ai akuzoi demokratët se i kishin vjedhur fitoren. Në vitin 2011 ai pretendonte se kishte fituar një mandat të ri si kryebashkiak, por demokratët ia rrëmbyen fitoren nga duart duke shtuar votat e hedhura në kutitë e gabuara. Një protestë në janar të po atij viti, bëri që katër mbështetës të socialistëve të vriten nga forcat e sigurisë, që qëllonin nga zyra e kryeministrit. Berisha e akuzoi Ramën se kërkonte ta rrëzonte nga pushteti me forcë.
Gjatë viteve të fundit, nën zotin Berisha, nisën të ndërtohen rrugë dhe infrastrukturë e re në të gjithë Shqipërinë. Çiklistët kanë korsitë e tyre në Tiranë dhe përgjatë rrugëve të reja në qytete që më parë ishin të rrënuar si Shkodra në veri. Pas fundit të komunizmit, rrugët në Shqipëri u shpërbënë. Kur ishte kryebashkiak, Rama transformoi Tiranën, duke shkatërruar shumë ndërtesa të shëmtuara dhe pa leje dhe duke ngjyrosur blloqet e vjetra me ngjyra të shndritshme.
Megjithatë infrastruktura e përmirësuar nuk e shpëtoi dot zotin Berisha. Përveç lodhjes pas tetë vitesh, një seri skandalesh e zhbënë atë. Pak nga peshat e rënda dolën ndonjëherë para gjyqit. Një prej tyre që doli, ishte Ilir Meta, lideri i një grupi të vogël të shkëputur nga socialistët, që u bë aleat me Berishën në vitin 2009, duke i mundësuar atij formimin e qeverisë. Një video u transmetua, në të cilën Meta shfaqej duke diskutuar për një ryshfet dhe duke u krenuar për ndikimin që kishte mbi një zyrtar të lartë të drejtësisë. Ai u gjykua dhe u shpall i pafajshëm. Në prill ai e braktisi Berishën dhe formoi një aleancë të re me Ramën, duke tronditur shumë socialistë, që druheshin se kjo do ulte sulmet mbi qeverinë për korrupsion.
Detyra që ka përpara zoti Rama është shumë e madhe, për shkak se siç thotë vetë, ai ka trashëguar një sistem që është kaq i kalbur. Ai është i mbushur me të përzgjedhurit politikë të Berishës, të cilët, sipas Piro Mishës, një analist vendas, kanë kontroll total mbi gjyqësorin dhe administratën publike. Ndjekja e interesave partiake duke përdorur pushtetin e shtetit, këtë herë kishte shkuar në ekstrem, thotë Misha.
Zgjedhjet i hapin rrugën Shqipërisë për t’u bërë kandidat zyrtar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Aplikimet e mëparshme janë refuzuar. Megjithatë rritja ekonomike dhe punësimi janë akoma sfidat e mëdha, edhe pse më pak se në disa vende fqinje. Lista zgjedhore ka 3.3 milion emra, por censusi i vitit 2011 tregoi se në Shqipëri ka 2.8 milion njerëz. Diferenca është se më shumë se një milion shqiptarë jetojnë jashtë vendit, duke dërguar para në shtëpi dhe duke ndihmuar që të ulet papunësia- e cila, pavarësisht kësaj, akoma është në nivelin 12.8 përqind. Gjatë viteve të fundit remitancat kanë rënë, por Shqipëria mbetet i vetmi vend në Ballkan që nuk ka rënë në recesion. Por as kjo nuk e shpëtoi zotin Berisha.

MAKTHI “ARTISTIK” I KRYEMINISTRIT RAMA


 Nga Mustafa Nano

Dy gazetarë të portalit të njohur francez, Le Courrier des Balkans (që fokusohet te çështje të Ballkanit), Philippe Bertinchamps dhe Jean-Arnault Derens, kanë qenë në Shqipëri gjatë ditës së votimit. Në mbrëmje ata kanë mundur t’i marrin një intervistë Ramës që, ndonëse numërimi i votave ende nuk kish filluar, ish i sigurt në fitore. Dhe intervistën e kanë publikuar shpejt e shpejt në sajtin e tyre, nën titullin “Edi Rama, kryeministri dhe vdekja”. Vdekja? Po pse vdekja? Sepse në një moment të bisedës me gazetarët francezë, në fund të asaj bisede, Rama thotë diçka që atyre me të drejtë u ka bërë përshtypje. Ja ajo që Rama u ka thënë germë për germë: “Unë nuk u bëra Edi Rama nëpërmjet politikës. Unë isha Edi Rama përpara. Në qoftë se qëndroj [në politikë], është për të bërë diçka. Kam një problem me vdekjen. Vjen nga fakti që jam një artist. Kam një problem me vdekjen dhe me historinë. Dua të lë një emër. Nuk i çaj kryet për të tjerat. Bëj politikë për të luftuar idenë e vdekjes”.

Është përgjigje interesante, s’ke ç’thua. Një përgjigje që të mbetet në mendje. Rama nuk është se ua ka shtjelluar idenë e tij gazetarëve francezë. Bëhet fjalë për një bisedë krejt në të nxehtë, të bërë vetëm pak çaste pas mbylljes së kutive të votimit e para se të fillojë numërimi i votave, në një kohë që Rama ish i tendosur, i rraskapitur, i fikur. Por kjo që ka thënë nuk është një gjë që i ka shpëtuar. Nuk është se ia ka dhënë truri aty për aty si ide. E ka pasur të menduar.

Ma ka thënë dhe mua, në një rendezvous që kam pasur me të pas takimit të bujshëm e “historik” të Lalzit (është e fundit rendezvous që kam pasur me të). Nuk e mbaj mend si erdhi biseda, por nuk është e çuditshme që pas Lalzit (një dreq e di pse mendoj se takimi Rama-Meta ka qenë i njollosur apriori në rrugë toponimike. “Lalz”. Çfarë emri!) të flitej dhe mbi motivimet e dikujt për t’u marrë me politikë. Dhe Rama më foli për problemin që ai vetë ka me historinë. “Dua të lë një shenjë, një shenjë që të mbetet edhe kur unë nuk do të jem”, më tha pak a shumë. Dhe m’u duk se ma tha në mënyrën më naive të mundshme. Apo kështu më është dukur mua, ngaqë naiv jam vetë? S’kam ide. Për vdekjen nuk folëm, sidoqoftë. Këtë problemin që ai paska me vdekjen e mora vesh tani, nga intervista dhënë francezëve.

Ka ndonjë gjë të habitshme në këtë mes? Jo, asnjë. Secili prej nesh ka një problem me vdekjen. Secili prej nesh tërhiqet zvarrë në këtë jetë prej makthit të vdekjes, e prej dëshirës që na del nga rropullitë për të lënë një gjurmë që mbetet përjetësisht. Sipas meje, Berisha e ka më dramatik këtë makth. E dini pse e mendoj këtë? Sepse ai e fsheh faktin që e ka një problem me vdekjen. Në një intervistë që i kam marrë atij tri ditë para zgjedhjeve të vitit 2005, njëra prej pyetjeve (ishin 125 pyetje, për të cilat kërkoja përgjigje të shkurtra) ishte: Çfarë mendoni për vdekjen. Dhe përgjigjja e Berishës ishte trallisëse: Është gjëja që më preokupon më pak. Sipas meje, ai ka gënjyer. Dhe shyqyr që ka gënjyer. Përfytyroni sikur të jetë njimend e vërtetë se “vdekja është gjëja që e shqetëson më pak në këtë botë”. Brrrr!

Por le të kthehemi te Rama. Sipas meje, ka një problem te “problemi i Ramës me vdekjen e me historinë”. Ka një problem që nuk është më i Ramës. E them këtë, pasi kështu si e shtron Rama, i bie që gjithë frymëzimet, motivimet, zgjedhjet, skrupujt, vendimet, madje dhe idetë e idealet, ai i ka të ngritura mbi këtë problem të tijin. E prandaj problemi i Ramës është një problem i të gjithëve. Është i të gjithëve në kuptimin që ne nuk e dimë se kur mund ta quajë të zgjidhur Rama problemin e vet. Mund ta quante të zgjidhur kur fitoi për herë të parë kreun e bashkisë, por nuk ishte kështu dhe tentoi për herë të dytë. E fitoi dhe për herë të dytë, e mund ta quante fare mirë të zgjidhur, pasi la shenjë e bëri disa gjëra, por jo, tentoi për herë të tretë. Pastaj për herë të katërt, në një kohë që më anë tjetër pretendonte dhe karrigen e kryeministrit. Dhe ja ku jemi, u bë kryeministër, e dëshiron të bëjë disa gjëra, dëshiron të lërë shenja të tjera. Ka një problem te problemi i Ramës me vdekjen e me historinë, pasi ka rrezik që për njerëz me një problem të tillë të pazgjidhur e të pazgjidhshëm, mund të ndodhë që të mos kenë rëndësi ca gjëra të tjera, të cilat te një politikan shihen me kujdes prej të tjerëve, siç mund të jenë përunjësia, llogaridhënia, ndershmëria, morali e opinioni publik, meraku për interesin publik dhe atë kombëtar etj., etj.

Rama, ashtu si dhe të tjerë si ai që e kanë shumë problem këtë problem, kanë një mënyrë për të dalë “të nderum” nga kjo grackë. Le ta mbajnë, dhe le ta kenë me okë, ambicien e pasionin e tyre për të lënë shenjë e gjurmë në histori, por në të njëjtën kohë ata duhet të bëjnë çmos t’i mbushin mendjen vetes, se ka gjëra që janë më të rëndësishme në këtë botë, dhe se – për ata që janë politikanë – ambicia e pasioni duhen përmbushur në respekt të rregullave të lojës, sidomos në respekt të zgjedhjeve të ndershme e të lira, në respekt të bashkëpunëtorëve e kundërshtarëve, në respekt të ligjeve të shtetit, e ç’është më e rëndësishmja, në respekt të faktit që ka dhe të tjerë që kanë po këtë problem me vdekjen, me historinë, rrjedhimisht që kanë po këtë ambicie e pasion për të bërë gjëra e për të lënë gjurmë.

Duket sikur këtë harron Rama, kur thotë atë që u ka thënë gazetarëve francezë. E nëse e harron gjithë kohën, nëse sublimon vetëm këtë hall të vetin, mund të vijë një moment, kur dëshira e tij për të bërë disa gjëra e për të lënë shenjë në histori mund të gjykohet, prej atij vetë, më gjenuine, më domethënëse e më e rëndësishme sesa rregullat ‘budallaqe’ të një lojë demokratike, se interesi ‘abstrakt’ kombëtar e publik, se nevoja ‘e pakuptimtë’ e të tjerëve për të mos rënë dakord me të e për ta konkurruar, etj., etj.

Dhe kjo është rrethana, kur halli i tij mund të bëhet halli i të tërëve. Larg qoftë!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...