Skenaristi Andamion Murataj, fitues i “Ariut të Argjendtë” për filmin “Falja e gjakut”, është rikthyer sërish në veri të Shqipërisë për të shkruar një tjetër skenar filmi. “Burri i shtëpisë” (Man of the house) është filmi i ardhshëm i tij. Një rrëfim me tre personazhe, ku secili tregon një histori personale.
E përbashkëta e këtyre tri historive lidhet me aspekte të jetës së burrneshave shqiptare. Ndoshta për shumëkënd do të duket një tematikë tejet e konsumuar, por jo për skenaristin Murataj, i cili me këtë skenar është përzgjedhur si një nga dy filmat e një kompanie filmike në SHBA për projektin prestigjioz ‘Pugliaexperience 2013’. Ky projekt kinematografik mbahet në rajonin e Pulias në Itali për 3 javë, nga 17 qershori deri më 6 korrik. Kompanitë bashkëpunuese janë “Quinoxe Europe” me “Apulia Film Commission”, që operojnë sipas modelit të ‘Sundance Film Lab’ në Shtetet e Bashkuara, dhe që qëllim parësor kanë përzgjedhjen dhe zhvillimin e projekteve filmike të disa prej skenaristëve të rinj dhe më të suksesshëm në botë. Andamion Murataj është një prej fituesve mes 174 projekteve filmike që aplikuan për këtë program, ku 124 janë ndërkombëtarë (nga vende të ndryshme nga Europa, Amerika, Afrika dhe Azia), 50 janë projekte italiane. Ky projekt financohet nga Komuniteti Europian për të inkurajuar emra të njohur të kinematografisë botërore për të prodhuar filma që trajtojnë tema të mprehta sociale me ngjarje që zhvillohen në një vend europian.