Fisnik ISMAJLI
Është e qartë se rritja e vazhdueshme e Lëvizjes Vetëvendosje! po i brengos krejt "lojtarët" (lexo: harrangopat) e pushteteve të 14 vjetëve të fundit, që e stërvodhën vendin pa e kursye për asnji ditë të vetme.
Prandej as nuk po publikohen sondazhet e shumëta që po bahen kohëve të fundit, prej sikletit kur po e shohin rritjen e përkrahjes për këtë lëvizje. Tash koxha do muej, nuk ka ditë që nuk na tregon dikush se iu kanë afrue njerëz që bajnë hulumtime, me pyetjen "Për kë kishe votue, po të ishin mbajtë zgjedhjet sot?", por rezultatet, pos nji rasti rishtaz, edhe ata shumë konfuz, nuk po i publikon askush.
Kjo e spjegon mirë panikun e të gjitha subjekteve të tjera, të cilat, ashtu qysh u banë bashkë me e ratifikue marrëveshjen për të cilën Kosova ka me pague shumë shtrenjtë, nëse nuk ndryshon spektri politik shumë shpejt, ashtu edhe po bahen bashkë duke sulmue LVV-në, për me e mbulue aktin e tyne turpënues.
Qytetari i Kosovës s'është budallë, por thjesht, mbas tanë atyne vuejtjeve shumëvjeçare nëpër të cilat ka kalue, prej gëzimit se ma në fund e fitoi lirinë, ia dha rastin disa subjekteve me e udhëheqë vendin, duke i tolerue, gjithmonë duke thanë "Ma mirë me tandin, se qysh ishim ma herët."
Por, 14 vjet hajni, rrena, dallavere, vrasje, shantazhe, haraçe e tmerri ma vonë, me kulmin e marrisë kur u ratifikue marrëveshja, qytetari po e sheh se ia ka lanë vendin në dorë njerëzve të gabuem. Atyne që u thirrën në emën të luftës edhe i keqpërdorën tanë ata dëshmorë e heronj, deri te Adem Jashari, edhe atyne që u thirrën në emën të paqes edhe e keqpërdorën kontributin e tanë atyne intelektualëve, deri te Ibrahim Rugova.
Çmimin ma të naltë që Vetëvendosja e paguen është për sinqeritetin e saj. Kur nji shumicë rrencash e uzurpon Kuvendin për 14 vjet, e vërteta është armiku i tyne më i madh, sepse s'donë me u dalë të zezat në pah, të cilat janë shumë, e qytetari tashmë i ka kuptue gati të gjitha, shumë prej tyne të ekspozueme nga vetë Vetëvendosja.
E sot, në nji moment kur rrenat nuk po iu ecin ma, nuk habitem kur i shoh të tana partitë duke e sulmue të vetmen trohë shprese që e ka ky vend.
Me vite janë mundue me na barazue me ta. S'kanë mujtë. Me vite janë mundue me na fëlliqë sikur ta. S'kanë mujtë. Me vite janë mundue me na përça. S'kanë mujtë. Iu ka mbetë vetëm me u ba tetanë bashkë edhe me na sulmue, por s'kanë me mujtë, se qytetari e pa që, herën e fundit kur ata u banë bashkë, e falën Kosovën.
Më në fund, po shihet qartë e bardha dhe e zeza, e mira dhe e keqja, rrena edhe e vërteta. E qytetari i Kosovës po i çelë sytë, në nji moment kur e keqja po e jep shqelmin e saj të fundit.