Fushata e sundimtarit Baba i Pushtimit në rojet etnike të Shqipërisë, nënshtrimi i rebelëve vendës dhe ndërtimi i fortesës së Elbasanit.
Në pranverën e vitit tetëqind e shtatëdhjetë (1466), kur në mes të kuvendit të lëndinës lauresha psalte me zë melodioz vargun: "E vështro në gjurmët e mëshirës së Zotit, si Ai i jep jetë tokës së vdekur (Kurani 30:50)", pas shpalljes së nisjes së luftës kundër Shqipërisë, çdo gazi ngjeshi me dëshirë shpatën. Flamujt-emblema të pushtimit - u vunë në lëvizje nga Edreneja.
Kur tendat e fushimit të Sulltanit shtrinë hijen e tyre mbi fushën e qytetit të Manastirit, aty rendën nga të gjitha anët luftëtarët - të prirë prej fitores - për t'iu bashkuar ushtrisë perandorake, si ca lumenj të mëdhenj që lëshohen në det dhe, si dallgët e detit që venë e përplasen, u derdhën mbi Shqipëri. Aradhe të tilla secila me një mijë luftëtarë. Ku secili nga këta guximtarë, sa një mijë heronj vlen. Kasneci i gjendjes bëri të mbërrijë në veshët e mëkatarëve të pafe jehona e kërcënimit: "O milingona! Futuni nëpër shtëpi që të mos ju shkelë Solomoni me trupat e tij! (Kurani 27:18)".
Të pafetë e mallkuar mbetën të hutuar e të çoroditur nga njoftimi i llahtarshëm i këtij sulmi të afërt dhe vajtën u strehuan nëpër malet e rrëpira e luginat e thella, duke bllokuar shtigjet. Bënë gjithë ç'mundën për t'u mbrojtur dhe kështu dëshmuan tërë kryeneçësinë e tyre për të rezistuar, duke këmbëngulur në prapësinë e tyre më të skajshme. Por luftëtarët e Sulltanit, të nxitur prej mendimit të shpërblesës hyjnore të luftës së shenjtë, si dhe të shpresës për të bërë plaçkë të madhe, përparuan në të atillë mënyrë sa që çdo mal i pakapërcyeshëm dhe çdo luginë e thellë u dukej rrafshinë e lehtë "ku nuk do të mund të shihje as ultësirë, as lartësi (Kurani 20:107)".
Me ndihmën e Zotit, më të Lartit pushtuan çdo strehë që mësynë dhe grabitën e plaçkitën kaq shumë pasuri të frymore e jofrymore, saqë djelmosha me tipare engjëllore dhe vasha me pamje hyrish, që vlenin tre a katër mijë aspra, krijesa të këndshme me tipare të tilla që mjaft që t’i shihje në fytyrë që të të ikte mendja, shiteshin veç për vetëm tre apo katërqind aspra. Të tilla hyri që kushdo që i sheh në tendë kujton se është përnjëmend në Parajsë. T'i shihje kur mbi gjoksin tim dergjej, do besoje se në një trup dy shpirtra qenë. Te tillë djelmosha që, për atë Zot, në thonë Se ka dhe më të bukur, gënjeshtra thonë.
Sakaq mëkëmbësit fisnikë, hodhën themelet e një fortese të qëndrueshme katërkëndëshe, siç qenë urdhëruar, dhe brenda një kohe të shkurtër e kryen ndërtimin. Katërkëndëshi në është thënë të jetë me ogurzeza formë, s'ka dyshim se do të ketë qene e tillë për të pafetë. Në pastë diçka që të përqaset me yllin e Shahut te gjithësisë, s' ka dyshim se kjo është më e mbara e formave.
Një kështjellë që s'mund te dallohet prej reve, kullë e saj është mur a re e zezë?
Ai vend ishte i rrethuar nga të gjitha anët me male të pakalueshme e gryka, por të pafetë që jetonin në ato lartësi s'bënin dot pa fushën ku rrjedh uji i bollshëm dhe ku tokat e bukës janë pjellore e të pasura. Meqë mes njerëzve u përhap fjala dhe zuri vend bindja se ishte një tokë pjellore, aty u dynd nga të katër anët ku ndodhej popullsia islame. Emrin ia vunë Elbasan, që i përshtatej natyrës së tij (Është fjala për një lojë të mundshme fjalësh mes emrit të fortesës dhe shprehjes “el basan”, që mund të përkthehet me shprehjen “të vësh dorën në zjarr”.
Ende sot ai vendi është kaq i lulëzuar saqë të kujton gjurmë e një udhëtimi në Shtëpinë e Parajsës dhe vazhdon akoma të rritet. U dyfishoftë rritja e tij. Pasi u krye ndërtimi i fortesës, Sulltani emëroi një komandant me nam dhe la aty roja të përkushtuar gjer në vdekje. Ajo iu bashkëngjit sanxhakut të Ohrit dhe iu besua sanxhakbeut të tij. Atëherë sulltan Mehmeti u kthye fitimtar e triumfues në Edrene, kryeqytet i Sulltanatit.