2013-07-15

EULEX-i përfundon mandatin më 15 qershor të vitit 2014



Qeveria e Kosovës ka propozuar që mandati i EULEX-it të përfundojë më 15 qershor të vitit 2014. Plani për tranzicionin e misionit EULEX parasheh tri faza, ku faza e parë duhet të fillojë në shtator të këtij viti deri në mars të vitit që do të vijë, faza e dytë do të jetë nga marsi deri në shtator të vitit tjetër, dhe faza e fundit nga shtatori deri më 15 qershor të vitit 2014, kur parashihet edhe përfundimi i mandatit të EULEX-it në Kosovë, me përjashtim të Taks-forcës Speciale.

Kështu tha sot zëvendëskryeministri i Kosovës, Haredin Kuçi në mbledhjen e qeverisë, duke thënë se fillimi i këtij tranzicioni do të fillojë si letërkëmbim në mes të Presidentes së Kosovës dhe baroneshës Ketrin Eshton, si një marrëveshje institucionale, e cila më pas do të miratohet në Kuvendin e Kosovës. “Faza e parë duhet të fillojë në shtator të këtij viti deri në mars të vitit që do të vijë; faza e dytë do të jetë nga marsi deri në shtator të vitit tjetër; dhe faza e fundit nga shtatori deri më 15 qershor të vitit 2014, kur parashihet edhe përfundimi i mandatit të EULEX-it në Kosovë, me përjashtim të Task-forcës Speciale.

Kuçi tha se kanë negociuar edhe me EULEX-in për këtë çështje dhe është dakorduar që të bëhet një letërkëmbim ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Brukselit. Sipas tij, pastaj kjo letër të miratohet në Kuvendin e Kosovës si formë e marrëveshjeve bilaterale.

“Në letër nuk do të përfshihet Rezoluta 1244, ndërsa data e përfundimit të mandatit të EULEX-it është caktuar 15 Qershori i 2014-së”, tha ai. Kuçi ka deklaruar se emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it do të marrë edhe pëlqimin e Presidentit të Kosovës. Ndërsa personat zyrtarë të EULEX-it që mbajnë armë duhet të dërgojnë njoftimin edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Këto janë, sipas tij, disa nga kushtet që thuhen në letër. Kuçi ka thënë se letra si draft-final do të dërgohet në Bruksel dhe në shtator do të procedohet në Kuvendin e Kosovës për miratim bashkë me ndryshimet kushtetuese që duhet të bëhen.


EULEX-i, në Kosovë edhe në bazë të 1244-shit

Asgjë nuk pritet të ndryshojë në aranzhimet për punën e misionit të BE-së në fushën e rendit dhe ligjit në Kosovë, EULEX, pas së hënës kur Kosova dhe Grupi Punues Ndërkombëtar (ICG) do të shpallin përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Këtë e kanë thënë disa burime të BE-së në Bruksel, duke nënvizuar se “gjithçka do të vazhdohet sipas mekanizmave të deritashëm”.

Të njëjtat burime kanë thënë  se bazë e qëndrimit të EULEX-it në Kosovë do të jetë edhe më tej edhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa shkëmbimi i letrave mes presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe përfaqësuese së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, paraqet vetëm një bazë shtesë për këtë qëndrim.

EULEX-it i përfundon mandati në vitin 2014

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka ripërsëritur se me përmbylljen e pavarësisë mbikëqyrur, brenda këtij viti, mbaron edhe puna e ICO-së, ndërsa pas dy viteve edhe EULEX-it, në mënyrë që Kosova të mund të lëvizet me agjendën e integrimeve evropiane.

Këto komente, zëvendëskryeministri Kuçi i ka bërë gjatë raportimit para Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës.

Kuçi duke folur për procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë ka thënë se po vazhdojnë punët transformimin e kompetencave te institucionet e Kosovës.

Ndërsa faza e dytë, sipas tij, duhet të jetë e mbikëqyrjes pasi që është i bindur se, brenda këtij viti, pasi nuk është e mundur që e tëra të bartet te institucionet vendore.

Ai, në prezantimin e tij para Komisionit, ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka përpiluar një plan të brendshëm të veprimit, i cili i adreson sfidat e dala nga Raporti i fundit i Progresit dhe masat të cilat janë vlerësuar si hapa të nevojshëm për mënjanimin e sfidave. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë gjithashtu ka ndërmarrë edhe aktivitete të shumta, të cilat identifikohen në takimet e rregullta të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundim të Ligjit, takimet e rregullta me EULEX-in, KGjK-në, KP-në, ICO-në, Ambasadën Amerikane dhe të vendeve të tjera bashkëpunëtore.

Kuçi duket të jetë ndjerë i anashkaluar nga presidentja e Kosovës në përpilimin e listës së emrave të të burgosurve, të cilët, çdo vit, përfitojnë nga amnistia.

Ndërsa, deputetja nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani është interesuan për funksionimin e gjykatave në veri. Për këtë interesim të saj, ministri Kuçi ka thënë se mos funksionimi i gjykatave, në veçanti i Gjykatës së Qarkut në veri, Leposaviç, Zveçan e Zubin Potok ndikon edhe në shkeljen e lirive të njeriut pasi që ka njerëz në burgun e Mitrovicës që mbahen në paraburgim në mungesë të shqyrtimeve edhe më gjatë se sa parashihet me ligj.

“Këshilli Gjyqësor dhe prokuroria ka emëruar gjyqtaret kompetent për këtë dhe përfshihen edhe gjyqtaret serb në Kosovë. Pra janë të gatshëm personeli kurdo që të sigurohen kushtet e sigurisë”, ka thënë Kuçi i cili ka premtuar se do të angazhohet që sistemi të jetë unik në të gjithë Kosovën, të ketë ligje të aplikueshme dhe të njëjta në gjithë Kosovën, si dhe të ketë hierarki të emërimit të gjykatësve dhe prokuroreve nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës. Ndërsa, sa i përket ligji për dëshmitaret e mbrojtur, Kuçi ka thënë se do të hyjë në fuqi në shtator të këtij viti.


Përgjegjësitë e EULEX-it fillojnë të barten te kosovarët në qershor

Republika e Kosovës si partner i barabartë i BE-së u zotua përmes Zëvendëskryeministrit Kuçi dhe Ministrit Rexhepi, se është e gatshme t’i kryejë obligimet në përputhje me kriteret e BE-së.

Institucionet e Kosovës, pas transformimit të këtyre përgjegjësive do t’i marrin obligimet për secilin dikaster, duke përfshirë këtu drejtësinë, policinë dhe doganat.

Në takimin me përfaqësuesit e BE-së, Kosova edhe një herë shprehu konsideratën dhe u zotua që të angazhohet në fushën e rendit dhe ligjit t’i plotësojë të gjeturat nga Raporti i Progresit për këtë vit dhe të rrisë angazhimin për studimin e fizibilitetit që do të lansohet për herë të parë këtë vit nga BE-ja. Poashtu, edhe një herë përfaqësuesit e BE-së siguruan që liberalizimi i vizave dhe udhërrëfyesi për të do të jetë një prioritet i veçantë për ta dhe se po punohet me intensitet të madh për ta lansuar këtë sa më shpejtë.

U diskutua edhe për nevojën imediate për shtrirjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës dhe nevojën për një angazhim më të madh të misionit të EULEX-it në veri.

Përveç tjerash, u realizua edhe përcaktimi i detyrave për IBM (Menagjimin e Integruar të Kufinjve) dhe bashkëbiseduesit u pajtuan që të gjitha aktivitetet të koordinohen në Bordin e përbashkët për sundim të ligjit, me pjesëmarrjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, EULEX-it dhe Zyrës se BE-së, njofton MD-ja.


EULEX-i ruan neutralitetin ndaj statusit

Misioni i EULEX-it thotë se roli i këtij misioni ndaj statusit të Kosovës mbetet i pandryshuar. Kjo deklaratë vjen një ditë pasi shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, tha se EULEX-i më nuk ka status neutral, sepse siç tha ka filluar të zbatojë ligjet e Kosovës.

Zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeljeviç, tha se roli i këtij misioni mbetet i pandryshuar.

“Qëndrimi ynë në çështjen e statusit mbetet i pandryshuar. EULEX-i është mision teknik dhe jo politik dhe me vetë këtë nuk është përfshirë në çështjet e lidhura me statusin. Ne nuk kemi qëndrim lidhur me çështjet e statusit”, tha Gudeleviç. Ajo tha se çështjet që kanë të bëjnë me ligjet që i zbaton misioni i BE-së në Kosovë janë çështje për të cilët vendosin gjyqtarët e pavarur. “Pavarësia e gjyqësorit është e një rëndësie kyçe në çdo shoqëri demokratike. Më e rëndësishme është që të gjithë pavarësisht përkatësisë etnike të kenë qasje të lirë dhe fer në sundimin e ligjit”, tha ajo për mediet serbe.

Doganat, pjesërisht drejtësia, pa mbikëqyrje të EULEX-it

 Transferimi i kompetencave nga misioni i EUELX-it tek institucionet vendëse është radhitur si një ndër prioritetet e shumta të Ministrisë së Drejtësisë, që pritet të realizohet brenda këtij viti....

“Kemi paraparë tri faza që kanë të bëjnë në veçanti me policinë, me doganat dhe me drejtësinë. Sa u përket doganave, unë jam i bindur se do të pavarësohen qind për qind brenda këtij viti”, ka paralajmëruar Kuçi. Sipas tij, transferimi i kompetencave nga EUELX-i do të bëhet edhe tek institucionet e drejtësisë.

“Po ashtu, sa i përket drejtësisë, besoj se institucionet e drejtësisë në nivelin komunal dhe të qarkut do të pavarësohen në tërësi këtë vit dhe do të mbetet vetëm në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën e Apelit të Odës së veçantë”.

Kuçi është shprehur optimist se me kompetenca më të mëdha do të punojë edhe Policia e Kosovës.

“Jam shumë i bindur se EULEX-i do të tërhiqet nga Policia e Kosovës dhe do të vijë vetëm në Qendër me njësitë të specializuara të tyre. Kjo nënkupton që së paku gjysma e stafit të EULEX-it të shkoj brenda këtij viti”.

Ai ka shpjeguar se misioni i EULEX-it do të vazhdojë të ketë kompetenca për sa u përket krimeve të luftës.

“Në drejtësi aty ku ka kompetenca ekzekutive EULEX-i, me përjashtim të krimeve të luftës, duhet që t’i ndaj me ne”, ka deklaruar Kuçi.

“Në fazën e parë të jemi bashkëkryesues. Në fazën e dytë ne t’i marrim kompetencat e plota, ndërsa në fazën e tretë ata të jenë mbikëqyrës. Ky është një transicion që do të përcillet bash me transicionin e pavarësisë së mbikëqyrur”, është shprehur ministri Kuçi.

Ndërsa duke folur për procesin e liberalizimit të vizave ai është shprehur i bindur se ky proces do të fillojë më 19 janar, sikurse qe paralajmëruar, por e ka vlerësuar si proces të gjatë i cili varet nga puna e institucioneve të vendit.

I pari i Ministrisë së Drejtësisë, gjithashtu ka paralajmëruar se dikasteri të cilin e drejton ai do të jetë përgjegjës për sponsorizimin dhe ndryshimin e ligjeve bazike për Republikën e Kosovës, të cilat dalin si rezultat i strategjisë dalëse të misionit të EULEX-it.

MD-ja, sipas Kuçit, do të harmonizojë legjislacionin primar dhe atë sekondar që rrjedh nga përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

“Si rrjedhojë, Ministria e Drejtësisë do të hartojë e më pas Kuvendi i Kosovës do të duhet që të miratojë disa ndryshime të ligjeve bazë për të siguruar funksionimin e shtetit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur”, ka bërë me dije Kuçi. Veç tjerash, Ministria e Drejtësisë siç ka theksuar ministri Kuçi do të kujdeset që Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme, Kodi i Procedurës Penale dhe Ligji për Ekzekutimin e sanksioneve penale të përfundojnë së hartuari në 6-mujorin e parë të këtij viti. Derisa Kodi Civil, Ligji për Avokaturën Shtetërore dhe Ligji për themelimin e Akademisë së Drejtësisë, do të jenë prioritetet fondamentale në fushën e hartimit të legjislacionit për këtë vit, Kuçi ka folur edhe për funksionimin e plotë i Agjencisë së Administrimit të Pasurisë së Konfiskuar dhe të Sekuestruar. Kurse ka theksuar se do rritet numri e shqiptimit të masave dhe dënimeve alternative dhe inkurajimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve për shqiptimin e masave dhe dënimeve alternative. Ministri Kuçi ka paraqitur edhe shumë prioritete të Ministrisë së Drejtësie të cilat ai synon që t’i realizoj gjatë këtij viti.

Aktakuza kundër “Grupit të Drenicës”, në tetor

 Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe të tjerët e “Grupit të Drenicës”, të akuzuar për krime të luftës, pritet të akuzohen në fillim të muajit tetor, raporton gjerësisht Koha Ditore e së shtunës.

Burime nga procesi hetimor kanë bërë më dije se hetimet janë kah fundi dhe se provat e mbledhura deri më tash do të rezultojnë më ngritje të aktakuzës.

Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku do të merren në pyetje të mërkurën në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Këtë e kanë konfirmuar avokatët mbrojtës të tyre.

Fundin e hetimeve e kanë paralajmëruar edhe prokurori Maurizio Salustro, në kërkesën e fundit për vazhdimin e paraburgimit, si dhe Gjykata e Apelit në aktvendimin e 2 korrikut, me të cilin i hedhë poshtë ankesat e palës mbrojtëse kundër vazhdimit të paraburgimit.

“Eulex, kush i vrau 66 nxënës në Skenderaj”

Ashtu sikurse në pjesën e parë të testit të maturës, edhe sot nxënësit e tre gjimnazeve në Skenderaj para se të hynin në test kanë protestuar duke kërkuar liri për çlirimtarët e Zonës së Drenicës. Madje ata kanë kërkuar nga EULEX-i të dinë se kush ua vrave 38 mësues gjatë luftës.

“Eulex, kush i dogji shkollat tona”, “Eulex, kush i vrau 66 nxënës”, kanë qenë disa nga pyetjet që nxënësit i’a kanë shtruar Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovës –Eulex.
Shtyp mbi foto për përmasat origjinale

Emri: largea_protesta1371288888.jpg
Shikimet: 2
Madhësia: 46,2 KB
NNJ: 5104
Ata, pos parullave ku kanë kërkuar liri për “Grupin e Drenicës” kanë pasur parulla ku kanë kërkuar falje nga Ministria e Arsimit, për vonesën që do të paraqiten në test.

Protesta ka qenë e paralajmëruar. Maturantët e njërit nga gjimnazeve, kanë defiluar neper sheshin “Hamëz Jashari” për rreth 15 minuta me pllakata në duar.

“Protesta ka zgjatur 15 minuta. Pas kësaj maturantët e tri gjimnazet po e zhvillojnë normalisht testin e maturës”, tha zëdhënësi i Komunës së Skenderajt.

Ndryshe, maturantët e shkollave të Kosovës, sot i jan nënshtruar pjesës së dytë të testit të maturës shtetërore në lëndët profesionale, sipas profileve përkatëse. Testimi do të mbahet në 305 qendra, dhe do të zgjasë 180 minuta. Kurse, nxënësve iu lejohet që të kenë me vete vetëm laps grafit HB dhe një shishe ujë të pijes.

Bernd Borçard: EULEX-i vepron me Ligjet e Kosovës!

Borçard: EULEX-i vepron me Ligjet e Kosovës!

Shefi i EULEX-it, Bernd Borçard ka thënë prokurorët e EULEX-it nuk i ndjekin rastet duke u bazuar në politikë, por duke u bazuar në dëshmitë që kanë. Ai thotë se prokurorët e Kosovës dhe të EULEX-it, aktualisht janë duke i hetuar 100 raste të krimeve të luftës. Borçard thotë se shumica e krimeve në Kosovë janë bërë nga serbët të cilët për shkak se nuk janë në Kosovë nuk mund t’i hetojë.

Më poshtë mund të lexoni të plotë shkrimin autorial të shefit të EULEX-it, Bernd Borçard

T’i sqarojmë gjërat. Prokurorët e EULEX-it, si edhe të gjithë prokurorët e tjerë të Kosovës, nuk i ndjekin rastet duke u bazuar në politikë. Ata i ndjekin rastet duke u bazuar në dëshmi. Nganjëherë kjo është e mjaftueshme për t’i bindur gjyqtarët për fajësinë e një të pandehuri të caktuar; nganjëherë nuk është. Megjithatë, deri sa të shpallet aktgjykimi nga gjykata gjithmonë qëndron supozimi i pafajësisë.

T’i themi gjërat troç. Pjesa më e madhe e të dyshuarve për krime lufte të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës janë serbë të Kosovës, ose shtetas serbë. Por ata nuk janë më në Kosovë. Gjyqësori i Kosovës (përfshirë EULEX-in) mund të kryejë hetime kundër kryesve të pretenduar të krimeve, por ka juridiksion vetëm në Kosovë. Ne të gjithë veprojmë sipas ligjit të Kosovës, dhe ligji i Kosovës thotë që askush nuk mund të gjykohet në mungesë. Nëse kryesit e pretenduar të krimeve janë jashtë vendit, nuk mund të bëjmë shumë, vetëm mundemi t’i ndajmë informatat të cilat i kemi me shërbimet e ndjekjes penale në juridiksionet e tjera, dhe ne e bëjmë këtë.

Të hyjmë në temë. Pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës të dyshuar për krime lufte kanë kryer krime kundër bashkëkombësve shqiptarë të Kosovës. Këta kryes të veprave janë në Kosovë, brenda juridiksionit të Kosovës. Është parim kryesor i sundimit të ligjit që të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe askush nuk është mbi ligjin. Kjo ndodhë në gjithë rajonin: Prokurori serb për krime të luftës i gjykon serbët në Serbi, Dhoma e posaçme e Bosnjës për krime të luftës i gjykon boshnjakët në Bosnjë, Prokuroria kroate për krime të luftës i gjykon kroatët në Kroaci. Do të vijë dita kur një gjykatë e Kosovës do t’i gjykojë kosovarët në Kosovë pa mbështetjen ndërkombëtare.

Të flasim me shifra. EULEX-i i ka trashëguar 1200 raste të krimeve të luftës nga UNMIK-u. Ne i kemi mbyllur apo i kemi hedhur poshtë (për shkak të mungesës së dëshmive) 500 prej tyre. Ekzistojnë 300 lëndë të pazgjidhura tek prokurorët e Kosovës dhe ata të EULEX-it në kuadër të PSRK-së. Ekzistojnë 300 lëndë të pazgjidhura në Njësinë e PK-së dhe të EULEX-it për hetimin e krimeve të luftës. Ne i kemi shqyrtuar më shumë se 800,000 faqe lidhur me këto raste. Po ashtu i kemi iniciuar 51 raste të reja të krimeve të luftës, përfshirë hetimet e para që janë bërë ndonjëherë lidhur me rastet ku veprat e dhunës seksuale apo të dhunimit janë vlerësuar si krime të luftës. Prokurorët e Kosovës dhe të EULEX-it aktualisht janë duke i hetuar 100 raste të krimeve të luftës dhe janë duke u mbajtur 5 gjykime për krime të luftës. Gjithsej i kemi gjykuar 15 raste të krimeve të luftës, sipas kornizës juridike të Kosovës. Vetëm më pak se gjysma e tyre (7) kanë përfshirë të pandehur me prejardhje etnike serbe dhe vetëm pak më shumë se gjysma e tyre (8) përfshinin të pandehur me prejardhje etnike shqiptare. I kemi edhe 13 urdhër arreste tjera kundër të pandehurve serbë, por ata janë jashtë juridiksionit juridik të Kosovës.

Janë 216 raste aktive lidhur me personat e pagjetur. Përmes operacioneve në terren dhe vlerësimit mjeko-ligjor, ne së bashku me kolegët tanë të Kosovës e kemi bërë të mundur kthimin e mbetjeve mortore të mbi 330 personave tek familjet e tyre. Kjo është me rëndësi të jashtëzakonshme për familjet dhe është nderim për mua që EULEX-i është në gjendje të jap kontribut në këtë aspekt.

Të flasim për ndërlikueshmërinë. Shumica prej këtyre rasteve janë gati 15 vjet të vjetra dhe nevojitet shumë kohë për t’i përgatitur ato. Procesi nga fillimi i hetimit e deri tek dënimi përfundimtar mund të zgjatë pesë vite. Shpesh mbeten shumë pak dëshmi materiale, edhe pse mjekësia ligjore kontribuon kur është e mundur. E vërteta është që shumica e rasteve të krimeve të luftës bazohen në dëshmi të dëshmitarëve. Kjo është e vërtetë në mbarë botën: dëshmia e dëshmitarit është kryesore për dënimet e suksesshme për krime të luftës. Por dëshmia e dëshmitarit është jashtëzakonisht e brishtë pasi që dëshmitarët kanë parë ngjarje traumatike. Kjo i bën ata jashtëzakonisht të cenueshëm ndaj kërcënimit, ose drejtpërdrejt përmes kontakteve private, ose tërthorazi, përmes deklaratave publike, në veçanti nga ata akterë që dinë më mirë. Shumica prej tyre rrinë të heshtur me vite, në veçanti gratë, të cilat kanë filluar t’i paraqesin përvojat e tyre të dhunimit si krim lufte. T’i mbështesim ato.

Të flasim për të vërtetën. E vërteta është që ndonjëherë krimet ndodhin në kontekst të luftës. E vërteta është që populli i Kosovës mund ta bëjë dallimin ndërmjet përpjekjes së vet dhe krimeve të luftës të cilat janë kryer në emrin e tij. E vërteta është që pikërisht populli i Kosovës jep informata të cilat ofrojnë bazë për dëshmi kundër bashkëqytetarëve të tyre kosovarë. Është e vërtetë që nganjëherë është vështirë të përballemi me të vërtetën. Megjithatë, po ashtu është e vërtetë që drejtësia duhet të realizohet, dhe duhet të përpiqemi që të realizohet, sidomos për secilën shoqëri që dëshiron ta kërkojë vendin e saj në komunitetin e popujve.

Të flasim për kujtimet. Unë vetë kam qenë dëshmitarë i ardhjes së njerëzve të dëshpëruar të Prishtinës në Bllace. Unë kam punuar në kampet e refugjatëve përreth Shkupit dhe Tetovës dhe i kam parë miqtë dhe të njohurit që dilnin zvarrë nga tendat e leckosura. Jam kthyer në Kosovë tri ditë pas përfundimit të luftës dhe i kam parë të gjitha fshatrat, qytetet dhe shtëpitë e shkatërruara. Është zhgënjyese dhe shumë frustruese që aq pak kryes të krimeve janë dënuar deri më tani. Por ky nuk është kurrfarë arsyetimi për t’i falur, injoruar apo harruar të tjerët që kanë kryer krime të luftës!

Në fund, të flasim për drejtësinë: EULEX-i, nga ana e tij, do t’i vazhdojë – së bashku me partnerët e tij të Kosovës – përpjekjet për ofrimin e drejtësisë për ata që janë më të cenueshmit në këtë shoqëri; t’i sjellim kryesit e krimeve, kushdo qofshin ata, para drejtësisë. Sepse këtë e thotë ligji i Kosovës – dhe sepse kjo është gjëja e duhur që duhet të bëhet.

Letër e hapur Shefit të Misionit të EULEX-it, Bernd Borchardt


Berat Buzhala dhe Lutfi Haziri



Kur në vitin 1999 kosovarët e fituan lirinë, falë edhe humanizmit perëndimor, nuk ishin të rralla rastet kur ajo u keqpërdor në mënyra brutale. Shumica prej nesh edhe më tutje i kanë të freskëta në mendje pamjet e llahtarshme të të rinjve shqiptarë, ditën e 28 Nëntorit të vitit 1999, që i kishin linçuar disa të moshuar serbë në sheshin qendror të Prishtinës.

Po shfrynin mbi ta pasionet më të ulëta njerëzore. Drejtësia vendore dështoi të merret me këtë rast. Dështoi të merret edhe me shumë e shumë raste të tjera të dhunës që shumica shqiptare po ushtronte ndaj pakicës, sidomos asaj serbe, në shenjë hakmarrjeje për krimet e llahtarshme që muaj më parë i kishte kryer regjimi gjenocidial i Sllobodan Milloshevicit ndaj shumicës shqiptare.

Një gjendje e tillë e një mungese totale të rendit dhe ligjit kishte vazhduar për afër një vit pas përfundimit të luftës. Administrata ndërkombëtare e UNMIK'ut ishte tërësisht e përgatitur për të vendosur një sistem të balancuar dhe neutral të drejtësisë në vendin tonë. Për ta bërë rrugën e gjatë më të shkurtër Shefi i pasluftës i UNMIK'ut i kishte certifikuar gjyqtarët vendorë për ta ndarë drejtësinë, pa kurrfarë asistence ndërkombëtare. Ashtu siç nuk po funksiononin shumë aspekte të jetës në vend, ashtu nuk funksionoi si duhet as drejtësia. Të gjendur nën presionin publik gjyqtarët vendorë filluan të dënonin pa kurrfarë kriteri serbët lokalë, për krime të luftës. Në procedura të përshpejtuara, në mungesë faktesh dhe dëshmitarësh, gjyqtarët vendorë në mbi 20 raste i dënuan serbët e dyshuar për krime të luftës me dënime maksimale.

Kjo gjendje filloi të bëhej e padurueshme dhe në këto rrethana Administrata e UNMIK'ut u desh të ndërhynte me një urdhër administrativ 2000/64, me anë të të cilit obligoheshin gjyqtarët vendorë që në rastet e krimeve të luftës në secilin panel të inkuadronin edhe gjyqtarë ndërkombëtarë. Me kalimin e viteve rastet e krimeve të luftës kaluan tërësisht si kompetence e gjyqtarëve ndërkombëtarë.

Prej rreth 20 rasteve që gjyqtarët vendorë i kishin gjykuar për krime të luftës, në shkallën e dytë mbi 90 për qind e tyre u anuluan nga gjyqtarët ndërkombëtarë. Serbët e dënuar në mënyrë joligjore u liruan, kurse tëtjerët e vazhduan vuajtjen e dënimit.

Ardhja e gjyqtarëve ndërkombëtarë prej shumicës së moderuar të qytetarëve ishte parë si një mundësi ideale që edhe në vendin tonë drejtësia të ndahet sipas ligjit, e jo sipas pasioneve. Ishte parë si një mundësi ideale që gjykata të shërbejë si një vend ku ndahet drejtësia për ngjarjet, e jo për individët. Ishte parë si një mundësi e jashtëzakonshme që prokurorët të mos shndërroheshin në persekutorë të individëve,vetëm pse ata i takojnë një grupacioni etnik, apo pse ata në një të kaluar të tyre e kanë pasur një pozicion të caktuar.

Është ironike se si në momentin kur shqiptarët dhe serbët janë shumë afër një pajtimi historik, prokurorët ndërkombëtarë po i bëjnë të njëjtat gabime që 13 vjet përpara tyre i kishin bërë kolegët vendorë. Për dallim prej të parëve motivet e këtyre të fundit nuk dihen.

Është ironike se si në momentin kur Kryeministrat e dy shteteve, atij të Kosovës dhe atij të Serbisë, po pajtoheshin për një vizion të përbashkët europian dhe për një lloj pajtimi historik, prokurorët ndërkombëtarë ishin të vetmit që nuk po pajtoheshin me këtë.

Është ironike se si në kohën kur Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish Jugosllavi, ai i Hagës, është përpara mbylljes dhe tashmë ka hequr dorë prej ndjekjeve të mëtutjeshme, prokurorët e EULEX'it e kanë nisur një fushatë të paparë deri më tani në Kosovë. Ata në emër të krimeve të luftës, janë duke i persekutuar udhëheqësit e luftës. Në vend të krimeve po i hetojnë individët. Është në kufi të pabesueshmërisë se si komandant të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mes të tjerash akuzohen që gjatë kohës së luftës e kanë kaluar ilegalisht kufirin. Një

Gjë të tillë me dhjetëra herë e ka bërë edhe Kryeministri aktual i shtetit të Kosovës. A do të arrestohet edhe ai një ditë? Është ironike, se si shumica shqiptare edhe më tutje nuk e dinë se kush i ka vrarë mbi 10 mijë qytetarë civilë, sot prej prokurorëve të EULEX'it ngrihen aktakuza spektakulare, të mbështetura vetëm mbi dëshmitë e mërive personale të kushërinjve dhe fqinjëve. E tillë është aktakuza që është ngritur kundër ish Komandantit Sami Lushtaku.

Është ironike se si ngrihen aktakuza për probleme triviale të ndodhura gjatë luftës, siç janë grushtimet eventuale brenda lagjeve dhe fshatarëve dhe mbeten të pazbardhura krime të llahtarshme të masakrimit të qindra personave.

Është tejmase ironike që sot e kësaj dite ende nuk janë dënuar ata që urdhëruan vrasjen dhjetëra mijëra civilëve, djegien e qindra mijëra shtëpive, shfarosjen e bagëtisë dhe deportimin e mbi1(një) milion shqiptarëve për në vendet fqinje dhe qindra mijëra të tjerëve nëpër male, kurse prokurorë të EULEX'it kanë ngritur aktakuzë kundër ish komandantit të përgjithshëm të UĒK'së, Sylejman Selimit, se gjatë luftës ka torturuar një person duke e pickuar në organe gjenitale.

Problemi esencial i drejtësisë së EULEX'it është se është bërë pjesë e intrigave dhe inateve politike në vendin tonë. Shumica e aktakuzave të ngritura kohëve të fundit për krime të luftës nuk kanë asgjë të përbashkët me luftën. Janë thjesht hakmarrje primitive në mes të dy lagjeve, dy fshatrave apo dy partive politike që zanafillën e kanë shumë më përpara se të mendohej apo të ndodhte lufta në Ish Jugosllavi. Thjesht, misioni i EULEX'it është shndërruar në servis të këtyre animoziteteve tribale. Si për shembull, individë të kriminalizuar, si Nazim Bllaca, që aktualisht

po mbrohet nga EULEX'i janë shndërruar në kryeprokuror. Z. Bllaca përmes intervistave televizive shpeshherë na ka treguar se cili ish komandant i luftës, apo cili lider politik, është në radhë për t’u ndjekur dhe hetuar nga prokurorët e tij personalë. Mirëpo, kjo nuk është ndjekje, kjo është përndjekje. Është persekutim, dhe jo prosekutim.

Bazuar në këto thashetheme dhe inate personale, prokurorët e EULEX'it ka kohë që kanë marrë tiparet dhe zakonet më të shëmtuara të rajonit tonë, Ballkanit. Dhe në vend të hetimit të objektit/ngjarjes, ata po i hetojnë individët/subjektet. Një qasje e tillë prosekutimin e shndërron në persekutim. Prokurorin e shndërron në persekutor.

Për këto arsye dhe për shumë të tjera, shtrohet pyetja, cili në fakt është misioni i EULEX'it?

A është misioni i EULEX'it që të na ndihmojë ne si shoqëri në nevojë që ta përmirësojmë qeverisjen tonë, ta luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar, t'i luftojmë edhe krimet e vërteta të luftës pa marrë parasysh emrat dhe mbiemrat që mund të fshihen pas tyre? Apo misioni i EULEX'it është që të jetë servis i grupimeve kriminale, që në një kohë të caktuar mund edhe të janë penduar për krimet e tyre?

Apo është misioni i këtij misioni që në emër të krimeve të luftës të provojnë t’i zgjidhin konfliktet shekullore dhe zakonore në mes të fqinjëve shqiptarë dhe jo vetëm, bazuar në Kanunin 500 vjeçar të vjetër të Lekë Dukagjinit, për ara e për mexha? A e ka mandatuar Brukseli dhe a e ka aprovuar Kuvendi i Republikës së Kosovës një mision të kësaj natyre? Një qasje e tillë, në emër të drejtësisë, 14 vjet pas luftës nuk po i mbyll, por vetëm sa po i bën edhe me të dhimbshme plagët e luftës. Një qasje e tillë, në emër të drejtësisë, 14 vjet pas luftës, nuk po mbyll kapituj të largët dhe të dhimbshëm, por po hap të tjerë.

Akuzat ndaj UÇK, tendencioze

Shtyp mbi foto për përmasat origjinale

Emri: Agim-Ceku-320x248.jpg
Shikimet: 2
Madhësia: 17,6 KB
NNJ: 5030
Thyen heshtjen ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku,i cili  ka deklaruar se kurrë nuk ka parë dhe kurrë nuk ka urdhëruar krime gjatë kohës së luftës.

Madje, edhe personat që kanë qenë pranë tij nuk kanë bërë asnjë veprim që bie ndesh me ligjin e luftës apo që konsiderohet vepër penale.

“Absolutisht. Ajo që ata kanë qenë në gjendje të bënin gjatë luftës ishte të jepnin gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Askush nuk mund të më bindë që UÇK-ja ka bërë krime lufte apo diçka të tillë. Për mua janë të papranueshme dhe tendencioze akuzat që ngrihen. Është dëshmuar se sa herë ka pasur përpjekje për të dënuar komandantët e UÇK-së, edhe këtu edhe në Hagë, ato përpjekje kanë dështuar dhe do vazhdojnë të dështojnë”, ka deklaruar Çeku.

Ndërkohë, sa i përket dënimit të shqiptuar për Grupin e Llapit, ministri Çeku thotë se kjo ka qenë befasi.

“Ne u mësuam me befasira, sepse kjo është befasi për këdo, një gjë e papritur për këdo. Tani mbetet të shohim shkallën e dytë të procesit. Besoj se ky institucion do të japë fjalën e vet dhe edhe këta ish-luftëtarë do të lirohen sepse kjo është diçka që zgjat me vite të tëra. Janë përpjekje për të dënuar ish-luftëtarët dhe si duket dikush nuk mund të pajtohet pa i dënuar ata. Por ka ligj, ka rend dhe gjithmonë e vërteta fiton. E vërteta është e ngadaltë por e arritshme dhe drejtësia është e tillë po ashtu. Jam i sigurt se e vërteta është në anën e komandantëve tanë, në anën e UÇK-së, dhe do të dalë”, ka theksuar Çeku.

Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti u dënuan javën e kaluar me 13 vite burg nën akuzën për krime lufte. Po ashtu, edhe Grupi i Drenicës, ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Avni Zabeli, Zeqir Demaku dhe Hysni Thaçi, dyshohen nga prokuroria speciale e EULEX-it për krime lufte në vitin 1998, në Likovc të Drenicës.

Partitë ngurrojnë të vënë lupë mbi EULEX-in



Pasi kanë protestuar në rrugë dhe kanë bërë thirrje për largimin e EULEX-it, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta u kanë kërkuar institucioneve të Kosovës që ta shqyrtojnë zyrtarisht mandatin e misionit evropian për sundimin e ligjit. Ndërkohë, përfaqësues të partive politike nuk kanë sqaruar nëse do të mund të bëjnë hapin për diskutimin e kësaj çështjeje në Kuvendin e Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë për Telegrafin, se nuk kanë marrë zyrtarisht ndonjë kërkesë të tillë, por nëse thirret një seancë e jashtëzakonshme, atëherë aty do të flitet me gjuhën e argumenteve, e jo për të shfryrë inate.

“Kjo sepse ne kemi shprehur besimin tonë në organet e drejtësisë ndërkombëtare. Ne kërkojmë që EULEX-i të luajë rolin e mirëfilltë për të cilin ka ardhur, të ndajë drejtësi në bazën e argumenteve, e jo të thashethemeve. Jam i sigurt se akuza të ngjashme siç po ju bëhen ish-drejtuesve të luftës çlirimtare nuk ka ndodhë dhe nuk mund të ndodhin në asnjë shtet të BE-së”, ka thënë Grabovci.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se ata e kanë bërë një kërkesë për shqyrtimin e misionit të EULEX-it në Kosovë për shumë vjet.

“Ne kemi dëgjuar deklarime nga deputetët e partive në pushtet se në njërën prej seancave do të shqyrtohet edhe çështja e punës së EULEX-it. Po i presim, nëse ata e nisin këtë, ne e shqyrtojmë. Ne e kemi thënë qysh herët, ju po e thoni tash, atëherë fillojeni”, ka thënë Selimi, për Telegrafin.

Ndërkohë, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Haki Demolli ka deklaruar për Telegrafin, se LDK ende nuk ka një qëndrim nëse do të mund të kishte debat parlamentar për çështjen e pranisë së EULEX-it në Kosovë.

“Personalisht si deputet jam i rezervuar pak, sepse kjo është çështje që rregullohet brenda akteve normative. Unë jam që EULEX-i ta kryejë mandatin e vet ashtu siç parashihet me dispozita ligjore”, ka thënë Demolli.

Në anën tjetër, duke komentuar arrestimin e ish-drejtuesve të UÇK-së, Adem Grabovci ka thënë se duke e aplikuar një drejtësi selektive, EULEX po e devalvon veten dhe po e humbë besimin. Ai ka vlerësuar se ky rast e ka provokuar situatën shumë rëndë.

“Ne jemi duke u përballur me tendenca shumë negative, që mund të shkaktojë pasoja për të ardhmen. Ne jemi të interesuar që ta ruajmë stabilitetin, sepse në të kundërtën diçka e tillë do t’i shkonte për shtati armiqve tanë”, ka vlerësuar Grabovci.

Sipas tij, është e papranueshme që të akuzohen drejtuesit e luftës çlirimtare, por në anën tjetër të mbyllen sytë para krimeve të rënda të kryera ndaj shqiptarëve nga ana e forcave serbe.

“Kjo bëhet edhe më absurde kur akuzohen njerëzit që i kanë 14 anëtarë të familjes të vrarë. Ndërkohë, është e padëgjuar dhe e paparë që dikush të akuzohet për krim të luftës nëse e ka ndaluar dikë ose ia ka dhënë një shuplakë”, ka vlerësuar Grabovci. (A. Fazliu)

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...