2013-08-09

Një mesazh babait tim

Sara Hoxha
Ia kam ngulur sytë këtij dokumenti të zbrazët prej disa çastesh, pa e ditur çfarë të shkruaj.
Kjo, jo sepse nuk kam asgjë për të thënë, por sepse kam shumë.
Mund të shkruaj për orë e orë, por një gjë është e sigurt, asgjë nga këto që them apo shkruaj, nuk mund të jetë e mjaftueshme për të përshkruar dashurinë që kam për ty.
Teksa filloj të shkruaj, ndiej lotët që më rrëshqasin faqeve…
Është përsëri kjo kohë e veçantë e vitit, përsëri. Dita kur koha duket sikur ngrin dhe e gjithë bota ime vërtitet rreth një momenti.
Dita kur fytyrat janë të padallueshme dhe asgjë nuk duket se përbën interes për mua, përveç kujtimit për ty. Gjithçka bëhet e turbullt dhe kujtimet vijnë e përmbytin mendjen time.
Fytyrës i jap një pamje të guximshme dhe kokën e mbaj lart, ashtu siç ti më ke mësuar. Kjo është vetëm një maskë që unë vë, ndërsa brenda zemra më dhemb dhe diçka ndiej që më ngushtohet thellë në trup.
Sara HoxhaTë gjithë thonë se do të bëhet më e lehtë, të gjithë thonë “do ta kalosh”. Gjithçka që di është se zemra akoma më dhemb, si pesë vite më parë.
Ndonëse sot është dita kur ti ike përgjithmonë dhe një komb i tërë të kujton këtë ditë, unë të kujtoj ty gjithë kohës. Asnjë ditë nuk kalon pa të pasur ty në mendimet e mia.
Unë nuk jam një besimtare fetare, por unë besoj tek ti. Unë besoj se prej diku aty ku ndodhesh, ti kujdesesh për ne, kudo që ky vend të jetë. Sot, unë besoj se do të kem gjithnjë një engjëll në krahun tim.
Do të doja të të falënderoja. Do të doja të them “faleminderit” për gjithçka që kam dhe gjithçka që jam. Do të doja të të falënderoja që më dhe jetën. Falë teje, jam kjo që jam. E mira dhe e keqja.
Faleminderit për familjen time të bukur. Ti më ke dhënë dy mikesha të mira dhe një vëlla, në sytë e të cilit pasqyrohesh ti. Dua të të falënderoj që më mësove ta jetoj jetën me gjithë fuqinë time.
Duke të parë ty, unë kam mësuar si të jem e sjellshme dhe e dhembshur, të jem e mençur në veprime, por në të njëjtën kohë të jem e rreptë dhe e fortë kur duhet.
Duke qenë ai që ishe, ti më mësove të jetoja çdo çast si të fundit. Ti më mësove se çfarë do të thotë të ndjekësh ëndrrat.
Ti më frymëzove të jem vetvetja. Ka shumë gjëra për të cilat të jam mirënjohëse, por besoj se mund të tregoj gjithçka që kam mësuar prej teje, duke ndjekur hapat e tu dhe duke e bërë vetë emrin tim.
Teksa ne të gjithë vuajmë për ty sot, trashëgimia jote akoma jeton. Miliona shqiptarë në të gjithë botën e ndjekin “Top Channel”-in çdo ditë për gjithçka që mund të dëshirojnë. Qoftë për të qëndruar të informuar me lajmet e vendit, apo për të parë se kush i fitoi 100 milionët e së martës në mbrëmje, në këtë ekran ka gjithnjë diçka të re.
Shpresoj që, kur ne të gjithë të shohim “Top Channel”-in, të dëgjojmë “Top Albania Radio”-n, të kalojmë nëpër kanalet e “DigitAlb”-it apo kur të lexojmë këtë gazetë të enjten, ta kujtojmë burrin që është njeriu që i krijoi të gjitha këto.
Burrin që jo vetëm unë, por që të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, duhet t’i jenë mirënjohës.
Ashtu siç Benjamin Franklin shkroi dikur, “Nëse nuk do të harrohesh, sapo ke vdekur apo je kalbur, ose ke shkruar gjëra me vlerë për t’u lexuar, ose ke bërë gjëra me vlerë për t’u shkruar.”
Ti ishe ky i dyti. Unë jam vajza më krenare që të kam ty si baba dhe shpresa ime e vetme është që kudo të jesh, një ditë edhe ti të bëhesh krenar për mua gjithashtu.

Atë Papa Kristo Negovani



Prof. Dr. Kiço Negovani

Në kuadrin e 100–vjetorit të Pavarësisë sonë Kombëtare, mbarë populli shqiptar kudo që është, për asnjë çast nuk do të harrojë që në themelet e kësaj Pavarësie qëndron kontributi i përpjekjeve dhe punës titanike të rilindësve të botës shqiptare.

Puna e madhe dhe vetëmohuese e tyre ishte për të zhvilluar e mbajtur gjithmonë të gjallë gjuhën tonë kombëtare dhe idenë e atdhedashurisë, që është kryer me sukses në sajë të një ndërgjegjeje të lartë patriotike dhe të punës së madhe, pa marrë parasysh edhe sakrificën e jetës së tyre.
Papa_Kristo_Negovani
Në vigjilje të Pavarësisë, historikisht dihet se në prag të fillimshekullit që kemi lënë pas, gadishulli i Ballkanit po përjetonte momentet nga më të ndërlikuarat dhe populli shqiptar e njohu shumë më mirë fytyrën ë shëmtuar antinjerëzore të shovinizmit ballkanas.

Mbretërit dhe kralët, ministrat dhe gjeneralët e shteteve të gadishullit, që në këtë kohë e kishin fituar pavarësinë nga okupimi i Perandorisë Osmane përpara Shqipërisë, ëndërronin për një Greqi të madhe, Serbi të madhe, Bullgari të madhe, duke synuar për të aneksuar pjesën Jugore dhe Veriore të Shqipërisë. Kjo ishte periudha kur gjithçka digjej dhe përvëlohej, periudhë kur vriteshin e masakroheshin burra e gra, fëmijë e pleq nëpër trevat tona nga këta shovinistë të tërbuar fqinjë, të cilët përpos aneksimeve territoriale synonin që të asimilonin mbarë kombin shqiptar, duke i mohuar edhe shkollat e gjuhën tonë amtare.

T’i biem shqiptarizmit kokës kudo që të shfaqet, në kishë, xhami e në shkollë, në familje e në pazar, kudo, kudo në qytet e në fshat, sepse ai i ka rrënjët ndër shekuj në thellësi të tokës shqiptare, në gjakun e vet, në zemrën e vet; ishte propaganda shfrenuese e fondamentalistëve të megaloidhesë të asaj kohe.

Në këtë periudhë, të dilje përpara shovinizmit grek me kaq bindje dhe vetëmohim, si Ata Kristo Negovani, ishte njësoj si të hidheshe në grykën e mitralozit të armikut. Prandaj, rilindësit tanë dhe shtypi i asaj periudhe që botohej nga patriotët shqiptarë si brenda ashtu edhe jashtë në Sofje e Bukuresht, e çmuan aq shumë gjestin e mësuesit e të priftit Negovani, si dëshmor e martir për shkollën e gjuhën shqipe që mbeti deri në ditët e sotme si një nga pishtarët e pavdekshëm të botës shqiptare.



Dhiata e re e perkthyer nga Kristoforidhi ne gegnisht

Kristoja lindi në Negovan më 1873. Mbas mbarimit të shkollës fillore greke të fshatit, i ati Harallambi e regjistroi në Liceun e Athinës, pasi në atë kohë merrej me karvanët e tregtisë Athinë – Selanik – Follorinë. Mirëpo në vitin e fundit ai ndërpret mësimet, pasi babanë ia vranë kusarët gjatë një prite të karvanit, në këto rrethana fillon punën si mësues për shkollat greke Negovan, Ballkamen, Leskovec, Kotor.

Fshati Negovan në atë kohë, tregon gjyshja jonë Efrosina Papakristo Negovani, ishte shumë i madh dhe numëronte mbi 500 shtëpi të banuara qind për qind me shqiptarë dhe mësuesi, dhaskali Kristo, krahas klasave në gjuhën greke, hapi edhe klasat e para e të dyta të fillores në gjuhën shqipe. Kjo i shqetësoi shumë qeveritarët në Kozanë të Follorinës dhe i erdhën për kontroll. Raporti i kontrollit, theksonte gjyshja, e vlerësonte shumë nivelin e mësimdhënies nga ana metodike e pedagogjike, por e kritikonte ashpër për klasat që kishte hapur në gjuhën shqipe, megjithëse ai e mbronte për arsye se fëmijët e klasave të para të shkollës fillore nuk kuptojnë asnjë fjalë greqisht dhe se ata dinë vetëm gjuhën e nënave të tyre shqip.
785px-Negovan
Komisioni insistoi që të mbyllen edhe në vitin e ardhshëm shkollor, të mos ketë mësimdhënie në gjuhën shqipe, kjo e shqetësoi mjaft gjyshin. Si rezultat i moszbatimit të këtij vendimi, pavarësisht nga niveli i lartë i mësimdhënies dhe pa marrë mendimin e kryesisë të pleqësisë së fshatit që e përkrahte dhaskal Kriston, i vjen mandati i pushimit nga puna dhe urgjentisht në vend të tij erdhi një dhaskalicë dhe një dhaskal nga Selaniku që nuk dinin asnjë fjalë shqip.

Në këto rrethana, për të mbajtur ekonomikisht familjen largohet nga fshati dhe emigron në Rumani, duke punuar si marangoz nëpër kantieret e ndërtimeve në Bukuresht dhe Kostancë. Në këtë kohë ai i gjeti shqiptarët atje shumë të organizuar në shoqëri të mirëfillta patriotike dhe Negovanasit e Ballkamenasit kishin ngritur shoqërinë e tyre “DJALËRIA”, ndërsa kushëriri i tij, Mihal Xoxe, kishte ngritur në Kostancë një shtypshkronjë nga më të mëdhatë të asaj periudhe në Rumani, ku rilindësit shqiptarë botonin veprat e tyre patriotike.

Librat e Frashëllinjëve, të Naimit, Abdylit të Samiut dhe të shkrimtarëve e patriotëve të tjerë të Rilindjes sonë Kombëtare, që botoheshin në këtë shtypshkronjë, ndezën akoma më shumë ndjenjat patriotike të mësuesit Kristo. Ato tre vjet që punoi Kristoja në Rumani, qenë për të një shkollë e madhe që solli një ndryshim të thellë në ndërgjegjen e tij, mbasi ato e bënë nga një njeri me arsim dhe edukatë greke, në një militant të shquar të lëvizjes sonë patriotike.
kazaja e follorines
Ishte koha kur shovinizmi grek filloi të veprojë lirisht kundër të gjitha vendeve të tjera fqinje, që pengonin helenizmin mbi këtë zonë të okupuar nga Turqia në Ballkan. Ishte koha kur edhe lëvizja e jonë nacionale, nga një lëvizje propagandimi për gjuhën, shkollën dhe kulturën kombëtare po kthehej gradualisht në një lëvizje të armatosur kundër Turqisë dhe synimeve të shovinizmave fqinj, sidomos atij grek, që ishte lëshuar me egërsi për helenizimin edhe të banorëve të pjesës Jugore të Shqipërisë.

Pas tre vjet emigrim dhe në kontakt gjithmonë me rilindësit e Bukureshtit dhe të Sofjes, në vitin 1897, tregon gjyshja Efrosia, Kristoja kthehet në fshat dhe me guxim të madh rifillon luftën kundër propagandës shoviniste greke. Kjo ishte një punë shumë e rrezikshme, se në atë kohë, krahas zhvillimit të gjuhës dhe të letërsisë shqipe me frymë patriotike dhe fillimit të lëvizjes sonë të armatosur, shovinizmi grek ishte tmerrësisht i egërsuar dhe Negovani, Ballkameni shkeleshin vazhdimisht si nga çetat bullgare, ashtu edhe nga andartet grekë.
abc
Kristoja, duke qenë i sigurt se nga pozitat e fesë do ta luftonte me më sukses propagandën greke me platformë fetare, me ndihmën e rilindësve shqiptarë të Stambollit, siguroi dokumentin nga Patriarkana Ortodokse Botërore e Stambollit që shugurohet si prift i kishës në Negovan e Ballkamen; me të cilin mbasi e paraqiti në organet qeveritare të Follorinës dhe në kryesinë e pleqësisë së fshatit, filloi ceremonitë fetare, duke e dhënë meshën në gjuhën shqipe.

Kjo u mirëprit nga të gjithë banorët shqiptarë të Kazasë Manastir – Follorinë – Kostur, por trishtoi mjaft dhespotin e Kosturit Karavangjelis, i cili vinte në dyshim për gjuhën që do të përdorej gjatë predikimeve fetare.

Ardhja e gjyshit me katër mushka të ngarkuara, tregon Efrosina, bënë shumë përshtypje në fshat dhe flitej poshtë e përpjetë që do hapë punishte për përpunimin e drurit. Mirëpo kur ato ngarkesa u hapën, doli që ato ishin vetëm libra; gjysmat i nisi menjëherë për në Korçë, ndërsa me gjysmën tjetër ai hapi në katin e dytë të shtëpisë shkollën në gjuhën shqipe, ku filluan të mësojnë më shumë se 180 fëmijë e të rritur nga fshati Negovan e Ballkamen. Fëmijët vinin ditën, ndërsa të rriturit kur ktheheshin nga puna deri në orët e vona të natës.

Kjo shkollë n′atë kohë u vlerësua shumë nga rilindësit, pasi nuk ishte vetëm një institucion për arsimin në gjuhën shqipe, por ishte edhe si një vatër që ngrohu ndjenjat patriotike të bashkëfshatarëve për të gjithë trevën.

Duke filluar nga viti 1899, ai filloi të botojë librat e tij shkollorë dhe kishtarë në shtypshkronjat e shoqërive të Bukureshtit dhe të Sofjes. Me artikujt e poezitë që botonte nëpër organet e shtypit të asaj periudhe, ai u bë shpejt i njohur si një nga propagandistët e flaktë të çështjes kombëtare, me anën e të cilave kërkonte forcimin e lëvizjes sonë mbarë shqiptare, lëvrimin e gjuhës letrare shqipe dhe përhapjen e shkrim leximit shqip në masë.

“Shkronjat e bëjnë kombin të quhet komb”, thoshte ai dhe vazhdonte: “Po të mos kemi shkronjat shqip, dituria e kombeve të tjera do të na mbysë, nuk do të dëgjohet me fjala shqipëtar e shqip”.

Këto kërkesa kulturore Atë Kristoja i lidhte ngushtë me detyrën e madhe që kishte Rilindja jonë në atë kohë, me bashkimin në luftë kundër Turqisë, për sigurimin e lirisë dhe të pavarësisë së Atdheut dhe në këtë kuadër predikonte: “Vallë cila na ndalon të mos mësojmë gjuhën tonë, e të mos kemi shkollat tona kudo e në gjuhën tonë në Shqipëri? Qeveria otomane, e cila nuk do bashkime të shqiptarëve, ka frikë se bashkimi bën fuqinë, fuqia dëbon armiknë lark vatrës, e shkund dhe e hedh tej zgjedhën”.

Propagandën shoviniste greke, me dukje fetare, Atë Kristoja e luftoi po nga pozitat e ortodoksisë, për të na bërë të qartë dallimin midis fesë dhe kombësisë, se ortodoksizmi s′është i lidhur vetëm me gjuhën greke; për të qenë ortodoks i mirë, predikonte ai, duhet kuptuar se çfarë thuhet në kishë, prandaj kisha në gjuhën greke nuk i shërben ortodoksisë shqiptare.

Ai kritikonte çdo akt e veprim që pengonte zhvillimin e lëvizjes sonë kombëtare. Mirëpo një propagandë e tillë kundër shovinizmit të egërsuar grek që në atë kohë ndiqte me reprezalje në masë elementin shqiptar, ishte një punë mjaft e rrezikshme. Megjithatë puna e tij si mësues dhe njeriu i fesë, predikues i ideve kombëtare dhe sidomos vendosmëria e tij për të mos u lëkundur edhe në çastet më të vështira, e bënë Papa Kriston njeriun më të dashur të shqiptarëve kudo ku ishin.

Sipas kronistëve në këtë kohë, atë Papa Kristoja ishte i lidhur ngushtë me organizatorët kryesorë të lëvizjes sonë kombëtare. Ai ishte anëtar i komitetit të fshehtë të Manastirit, që u ngrit që më 1903-shin dhe më 1904-n Papa Kriston e zuri dhe e burgosi 2 muaj qeveria turke në Manastir, ku kishte vajtur të bënte takim me shokët.

Shovinistët grekë bënë çmos sa me të mirë dhe me shumë kërcënime, që ta largonin nga rruga e tij e shqiptarizmit, ose ta bënin njeriun e tyre për Elladhen: por ai s′u përkul për asnjë rast. Gjyshja Efrosina tregonte se komandanti i operacioneve të andartëve të trevës Manastir – Follorinë – Kostur, Pavllo Mellai na erdhi tri herë në shtëpi për ta bindur që të ndërrojë rrugën dhe për të pranuar se çfarë mund të bënte me të. Herën e parë për të mos hapur shkolla shqipe, duke i thënë se edhe Perandoria Turke e ka të ndaluar gjuhën e shkollën shqipe; herën e dytë për predikimet shqip në kishë, duke e lidhur çështjen e fesë ortodokse me Greqinë dhe herën e tretë, i bënë thirrje të merrte gruan e fëmijët dhe të shkonte në Athinë, atje do të punësohej si mësues, fëmijët do i fusnin në shkollë dhe do të sistemoheshin shumë mirë. Mirëpo gjyshi yt, për asnjë rast nuk u dha miratim dhe iu kundërvu, duke i thënë: “Zoti komandant, më thuaj të lutem se çfarë ju shtyn juve që vini nga Athina deri këtu për këto që thua?” Ai iu përgjigj: “Vi për patriadhën Elladhën!” “Sa mirë komandant, por ja edhe unë këtë jam duke bërë”, duke ia thënë haptazi se ishte një propagandist i lëvizjes shqiptare dhe se kishte marrë parasysh edhe vdekjen për Atdheun e Kombin Shqiptar; “Ti për Greqinë si grek dhe unë për Shqipërinë si shqiptar që jam!” Unë, tregon gjyshja, në moment u shtanga, sepse u tremba aq shumë sa u çudita se si s′më ra të fikët, sepse komandanti ishte i armatosur me një kobure të madhe në brez dhe u frikësova se mos më vriste burrin. Por jo, ai mbasi ndenji pak i menduar, m’u drejtua mua dhe më tha: “Priftëreshë erdha t′ju ndihmoj si familje, që burri i juaj të heqë dorë se këto gjëra në këto vahte janë me zarar dhe të sekëlldisura. Sidoqoftë ju falënderoj për mikpritjen dhe darkën e mirë që kishe gatuar dhe të them të drejtën qëndrimi i dhaskal Kristos më habiti, por edhe më impresionoi, mbasi u tregua dhe më foli hapur me sinqeritet, guximtar dhe shumë i zgjuar!” Po atëherë e pyeta: Kush e vrau gjyshin?

Vrasjen e ka organizuar dhe e ka bërë dhespoti i Kosturit, Karavangjelisi, m′u përgjigj; më 10 shkurt të motit 1905, ai erdhi në fshat dhe asistoi në meshën që mbajti gjyshi dhe kur dëgjoi që u mbajt në gjuhën shqipe, ai u nevrikos dhe si i tërbuar iku nga fshati pa u takuar me njeri, duke thënë: “Mos e zëntë gjallë viti i ardhshëm”; dhe madje, para se të largohej, iu dha edhe urdhrin andartëve të Jan Bullakës që të vrisnin brenda ditës në fshatin tonë 25 patriotë shqiptarë, me në krye dhaskal Kriston dhe vëllain e tij Theodhosin. Vrasje e tmerrshme kjo, e cila u krye mbas dy ditëve më 12 shkurt 1905 me thika e hanxharë nga banda shoviniste greke që dhespoti i kishte sjellë siç u fol nga fshatarët nga Kreta dhe të maskuar në pyllin afër fshatit.

Sipas kronistëve të asaj kohe, vrasja e mësuesit Atë Papa Kristo Negovani, preku përvajshëm gjithë kombin shqiptar dhe sidomos djalërinë kryengritëse të saj dhe gjithë poetët tanë të kohës, si Loni Logori, Asdreni, Çajupi, Siliqi etj. I kushtuan nga një elegji plot shpirt e zemër këtij martiri, që edhe sot kujtohen vargjet e tyre antologjike.



Papakristonë e vranë

Dhe s′ra për të një kambanë

Dhe mallet e Shqipërisë

Dhe shpellat e malësisë

Thërrisnin anembanë

Papakristonë e vranë!



Atdhetarët shqiptarë kudo që ishin u prekën shumë nga këto vrasje që ndodhën në fshatin Negovan dhe vrasja e Papa Kristos u bë kushtrim për lëvizjen tonë patriotike n′atë kohë, kur çetat e para si ajo e Bajo Topullit, Spiro Ballkamenit etj., ishin duke u hedhur në luftë për çlirimin e vendit. Çeta e Bajo Topullit, për të marrë gjakun e këtij heroi fill pas një viti të ngjarjes së Negovanit për nder e përfitim të të gjithë kombit, vrau me një plumb dhespotin grek të Korçës, Fotin. Mësuesi Atë Papa Kristo botoi 6 vëllime të veçanta, përkthime, adaptime dhe origjinale në prozë e vjershë. Veç këtyre ai botoi te kalendari kombëtar 46 fabula dhe 50 vjersha didaskolike. Punonjësit shkencorë, në fushën e gjuhës dhe të historisë, e cilësojnë se duke ecur në rrugën e Naimit veprat që ai ka botuar i përgjigjen kryesisht qëllimit të tij si mësues dhe edukator patriot. Në fabulat e tij synon të edukojë veti të mira te bashkatdhetarët e vet; lufton intrigën, mendjemadhësinë, dembelizmin, gënjeshtrën, pabesinë dhe edukon drejtësinë, ndershmërinë, zellin për punë, vigjilencën etj. Te fabula p.sh. “Pula dhe Dallëndyshja” ai paraqet urrejtje kundër shovinizmit grek:



Gjer më sot, o të uruar

Për ata kemi punuar

Ndë luftë jemi përpjekur

Me barut edhe me hekur

Ne nga zgjedha i shpëtuar

Për vete gjë s′trashëguam

Ata gjuhën na shkretojnë

Shqip nuk duan të dëgjojnë



Ose predikimet për të rinjtë e bashkëfshatarët e vet për dashurinë e vërtetë ndaj mëmëdheut.



O djem o vasha vraponi

Nd′ i bekuar mësim!

Gjuhën e mëmës mësoni

Me dëshirë e mallëngjim!

Sepse: mësimi do t′shpëtojë

Të varfrën Shqipëri



Vjershat e Papa Kristos për të vegjlit kanë karakter didaskolik – edukonjës.



Sa jam zemërgëzuar

Mësimet q′i kam mësuar

Gjithnjë do të përpiqem

Nga shkolla të mos hiqem



Sikurse Naimi, edhe Papa Kristoja futi midis vjershave fabula e fjalë të urta.

“Secili lind jo vetëm për lindëtorët (prindërit), por edhe për mëmëdhenë e për mëmëdhetarët.” Ose “Çdo njeri i pamësuar është dru i papunuar”

Të shumtat janë mbi dashurinë për atdhe, për prindërit, për punën, modestinë, miqësinë etj. Ato janë thurur me sentencën popullore, madje kanë dalë mjaft të qëlluara: si p.sh. luani.

“Dhelprën e pabesë e bëri një qind thërrime, pastaj i vajti gomarit, e hëngri me gjithë qime.”

Ose për ujkun, “Ulkne e qethnin, që të ndronte mentë. Po ay thoshte: Shpejt se m′iknë dhentë.”

Me punën e tij, Atë Papa Kristo Negovani, thoshin rilindësit, krijoi një traditë të shkëlqyer, mbasi luftën e tij në Negovan për arsimin dhe kulturën shqiptare e vazhdoi pak më vonë, po me atë heroizëm, një tjetër dëshmor i shquar i Rilindjes, Petro Nini Luarasi, dhe në fshatin Ballkamen, Spiro Ballkameni me çetat tona la mbresa të thella me trimërinë e tij.

Papa Kristoja iu kushtua punës për futjen e gjuhës shqipe në masë, në një kohë kur mjetet mësimore dhe edukative ishin aq të pakta, sa “edhe një abetare e vetme, siç thoshte ai, shëtiste në njëzet vetë, sa grisej e bëhej lëvere”. “Është e madhe nevoja, theksonte gjithmonë, të përkthehen e të shtypen vivlla të shkruhet historia kombëtare, të lëçitet gjuha shqipe kudo. Ata që dinë të këndojnë (të lexojnë) shqip, të stërvitin e të mësojnë të paditurit jo vetëm në shkolla, por edhe nëpër shtëpi njeri-tjatrin gjersa të vijë koha që të këndohet liruar gjuha e jonë shqip. Atëherë, sikundër janë dëgjuar stërgjyshërit tanë, përsëri edhe neve do të dëgjohemi e do të lulëzojmë, do të bashkohemi dhe do të kemi fuqi të madhe”.

Në studimin monografik për analizën e veprës së Atë Papa Kristo Negovani historiani dhe shkrimtari i nderuar Dhimitër Fullani, e cilëson këtë dëshmor dhe martir të gjuhës e shkollës shqipe, si një nga figurat më të bukura të historisë së Rilindjes sonë kombëtare që me shkrimet e tij zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqipe, dhe më tej vazhdon: “Tek e shohim, ndofta i nënvleftësojmë këto shkrime, sepse pa dashur, i gjykojmë duke i matur me nivelin që ka arritur letërsia jonë artistike sot. Por, po të vlerësohen këto shkrime në konditat historiko–letrare të kohës, do të shihet qartë kontributi qoftë dhe modest, që dha ky autor në traditën tonë letrare, sepse letërsia jonë artistike atëherë, me gjithë përparimin e madh që kish bërë, veçanërisht me De Radën e Naimin, në disa anë ajo ishte ende në hapat e nisjes, ajo gjendej ende në formë embrionale në disa gjini e lloje letrare.

Para së gjithash, në procesin historik të zhvillimit të letërsisë sonë fëminore nuk mund të mos ndalesh mirë te Papa Kristoja. Shkrimtari i mirënjohur për fëmijë, prof. Bedri Dedja, në përpunimin e novelës të Papa Kristo Negovanit “I vogli Donat Argjendi” dhe i ritreguar për fëmijë, shprehet: Midis patriotëve rilindës të penës ishte edhe martiri i gjuhës shqipe, Papa Kristo Negovani, i cili luftoi gjatë jetës së tij të shkurtër (32-vjeçare K. N.) për të përhapur gjuhën shqipe dhe për të zgjeruar fondin e leximeve për të vegjlit shqiptarë. Në gjininë e prozës, ai ka një meritë, sepse është i pari që krijoi tregimin e gjatë (novelë) në letërsinë tonë për fëmijë. Ndërsa i nderuari profesor i Universitetit të Prishtinës, dr. Begzat Balliu, në kumtesën shkencore që mbajti në vjeshtën e vitit 2011 në Universitetin “Fan Noli” në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, shprehet: “Negovani ishte më shumë se kaq, ishte patriot i kthyer në simbol të Atdheut, Kombit dhe gjuhës së tij. Një shenjë historike që mbante gjallë lëvizjen kombëtare të kohës, një personalitet, vrasja e të cilit preku përvajshëm gjithë kombin shqiptar, e veçanërisht djalërinë kryengritëse shqiptare, e cila në këto kohë të vështira, në kapërcyellin e shekullit XX, i kishte marrë fatet e Atdheut në duart e saja”.

Si propagandist e agjitator i palëkundur dhe si një nga organizatorët e shquar të lëvizjes sonë kombëtare, Atë Papa Kristo Negovani ka lënë një emër, që do të nderohet brez pas brezi. Te figura e tij si dëshmor i ndritur pasqyrohen qartë të gjitha përpjekjet dhe lufta vetëmohuese që bënë stërgjyshërit tanë, veçanërisht mësuesit si: Naum Veqilharxhi, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi e shumë të tjerë që dhanë jetën për triumfin e arsimit dhe të kulturës sonë kombëtare. Me këta dëshmorë, midis të cilëve edhe Atë Papa Kristo Negovani, populli ynë ka të drejtë të krenohet për traditat tona luftarake në fushën e arsimit dhe të kulturës sonë kombëtare, që gjatë një shekulli të pavarësisë, me punë e përpjekjeje të mëdha, sot e kemi masive dhe cilësore, ashtu si e ëndërruan të gjithë rilindësit tanë të mëdhenj.

Kristo, krahas klasave në gjuhën greke, hapi edhe klasat e para dhe të dyta të fillores në gjuhën shqipe. Kjo i shqetësoi shumë qeveritarët në Kozanë të Follorinës dhe i erdhën për kontroll
Pas tre vjet emigrim dhe në kontakt gjithmonë me rilindësit e Bukureshtit dhe të Sofjes, në vitin 1897, tregon gjyshja Efrosia, Kristoja kthehet në fshat dhe me guxim të madh rifillon luftën kundër propagandës shoviniste greke
Sipas kronistëve të asaj kohe, vrasja e mësuesit Atë Papa Kristo Negovani, preku përvajshëm të gjithë kombin shqiptar dhe sidomos djalërinë kryengritëse të saj dhe të gjithë poetët tanë të kohës, si Loni Logori, Asdreni, Çajupi, Siliqi etj.

Anton Lulgjuraj – Fjala që vret





I prirur të jem kritik ndaj politikbërësve aktual në Mal të Zi, për mungesën e vizionit, seriozitetit, mungesën e kapaciteteve arsimformuese, mos njohjes së problemit në bërthamë, mashtrimeve te njëpasnjëshme; vendosa të jap disa mendime për situatën aktuale. Para pak ditësh, në disa nga gazetat ndërkombëtare, por edhe në Mal të Zi, bëri bujë deklarata e z. Koço Danaj (drejtorit të Institutit të prognozave rajonale) për çështjen e “Shqipërisë natyrale”. Të parët që reagojnë janë shqipfolësat nga Mali i Zi!
Edhe pse i mbuluar nga shfipjet dhe intrigat ndaj meje, të formuluara me shumë kujdes nga individ jodashamirës të çështjes shqiptare në Mal të Zi; i përballur me shqipfolësat e filtruar mirë për të më baltosur, u them se jam më i vendosur se asnjëherë për t’u bërë ballë dëmtuesëve të pozitës së shqiptarëve në këtë shtet.

Zoti Danaj thotë ndër të tjera: “…Do mbledhim një milion firma për Peticionin e Shqipërisë Natyrale,… Duam t’a bashkojmë Shqipërinë në mënyrë demokratike,…,”, duke iu referuar Kongresit të Berlinit të vitit 1878 dhe Konferencës së Londrës së 1913, të cilat realisht, e ndanë Kombin shqiptar duke e pjesëtuar për pesë. Pas një dite që ky artikull botohet në gazetat malazeze, menjëherë reagojnë disa shqipfolësa të cilët fillojnë të shesin mendë duke mohuar vetëveten!

1.Shqipëria, në çdo epokë të historisë, nuk është e njohur si ekspansioniste dhe si agresore ndaj fqinjëve të saj. Shqipëria meriton çdo lavdatë për shembullin e Saj sui generis, të pangopësisë për paqë dhe mirëqenje, duke e dashur lirinë më shumë se çdo gjë tjetër.

2.Shqipëria deri në Kongresin e Berlinit ishte etnike. Ky kongres ia shkëputi disa pjesë duke ia përforcuar edhe më shumë konferenca e Londrës. Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Greqia nuk mendoj se mund të konsiderohen si okupator në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, sepse, edhe pse në forca të vogla, Shqipëria arriti të mbrohet nga sulmet e këtyre shteteve. Fuqitë e Mëdha ishin okupator, sepse vendimi i tyre e copëtoi Shqipërinë, ashtu sikurse të njëjtat fuqi, një shekull më vonë filluan të shlyejnë detyrimin që kanë ndaj nesh, duke njohur shtetin më të ri të Evropës dhe shtetin e dytë shqiptar që njohu Ballkani e që quhet Kosovë.

3.Presidenti Amerikan Udro Villson, në Konferencën e Lidhjes së Kombeve të mbajtur në Gjenevë paraqiti disa pika për të drejtat e popujve, ku ndër to spikat parimi i vetëvendosjes. Mbi bazën e këtij parimi, Kosova është sot shtet, dhe e pavarur. Demokracia njeh të drejtën e popullit për të vendosur për fatin e vet.

4.Objektivi i shqiptarëve po ndryshon. Kjo ndoshta edhe përshkak të trysnisë që bëhet nga vendet fqinje. Sepse nga një objektiv që të kenë një shtet shqiptar, po përballen me objektivin e të bërit pjesë e Evropës së Bashkuar. Mirëpo, ajo rrugë nuk është tërësisht e qartë për neve.

5.Z. Koço Danaj, e ka të drejtë të shpreh mendimin e tij për kauzen që ai mbron. Ai bazohet në konventa ndërkombëtare, burime diplomatike, kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe këtë nuk mund t’ja ndalojë askush. Ai, me këtë tregon që është qytetar i lirë duke sfiduar të gjitha shtetet e Ballkanit, të cilat po tregojnë që ende janë të mbushura me urrejtje dhe albanofobi.

6.Ju që keni reaguar për deklaratën e z. Danaj: edhe ju keni të drejtë të shprehni mendimin tuaj. Por, mos harroni që mendimi është i lirë, por kostoja e mendimit është e madhe. Ju nuk mund të keni mendime për faktet historike dhe ai mendim të paraqitet si i pavërtetë, duke ua mohuar shqiptarëve të kaluarën e tyre historike. Vlen vetëm një fakt të përmendet, si ju bashkangjiten Malit të Zi: Plava e Gucia, Hoti, Gruda, Ulqini? Edhe vetë historiografia malazeze e pranon zgjerimin e territoreve të saja. Këtë Shqipëri që e kemi sot, e themeluan Fuqitë e Mëdha sipas dëshirës së tyre. Mali i Zi i sotëm është projekt i SHBA – së dhe i BE – së për të ndaluar daljen e Ruso – Serbisë në Detin Adriatik. Kjo Serbi që është sot, është si shkak i luftërave që ajo ka zhvilluar duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat themelore të njeriut deri në genocid etj.

7.Ju politikbërës nuk keni mësuar për:

- Për ndërvarësinë e pjesëve të veçuara të çështjes shqiptare; E mohoni vetëveten duke treguar “qytetarizëm” tek malazezët.
- Për domosdoshmërinë e paraqitjes si një komb politik, gjeografik dhe historik;
- Nuk e keni kuptuar realitetin që ju ka rrethuar; Po harroni te merreni me problemet e shqiptarëve në Mal të Zi, ndërkohë që merreni me probleme që nuk iu takojnë juve;
- Nuk e keni parë të udhës që të bashkëveproni për interesa të përbashkëta të shqiptarëve në Mal të Zi, e jo të bëni analiza për çështjet që ju as nuk i njihni dhe as nuk keni nevojë t’i jepni ndokuj llogari, sepse nuk iu pyet asnjë njeri;
- Jeni ulur në tryezat e Podgoricës përpara se të uleni në tryezat e Malësisë, Ulqinit, Plavë e Gucisë, Rozhajës dhe Tivarit;
- Nuk jeni vetëdijësuar se jeni komb i ndarë padrejtësisht. Po silleni sikur të ishit pesë popuj dhe sikur të kishit pesë çështje të ndryshme;
- Ju mundoheni t’a kritikoni Gjukanoviqin e në të njëjtën kohë qëndroni në institucionet shtetërore, duke legjitimuar këtë qeveri dhe pushtetin e saj. Kjo në diplomaci tregon qëndresën tuaj opozitariste dhe tendencën për të hedhë fjalë në humnerë duke mos qenë serioz përballë çështjes shqiptare në Mal të Zi.
- Ambiguiteti humbet ne pyetjen se “kush jeni ju dhe çfarë po bëni për shqiptarët”, gjatë analizës së veprimtarisë suaj. Ju flisni atëherë kur nuk iu kërkohet dhe nuk flisni atëherë kur iu kërkohet! Ju po tregoheni oportunist përballë çështjes së shqiptarëve në Mal të Zi. Historia do ju vlerësojë për kontributet tuaja.

Ju bëj thirrje që të përqëndroheni në problemet e pozitës politike, ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve në Mal të Zi. Mos u merrni me gjëra që nuk iu takojnë. Lereni ekspertin të bëjë punën e vetë.
Para përmbylljes do dëshiroja që t’u tregoja disa pyetje që mi kanë bërë gjatë jetës sime, aktivizmit tim politik dhe vazhdimit të studimeve të larta:
1.Më kanë pyetur se çfarë kanë të përbashkët Malësia e Madhe (vendlindja ime) dhe Ulqini? Jam përgjigjur: pa aftësinë…, në Ulqin të mbajnë Komunën dhe në Malësi ta themelojnë atë.
2.Më kanë pyetur, po çfarë kanë të përbashkët: Tivari, Rozhaja dhe Plavë e Gucia? Jam përgjigjur: të përbashkët kanë asimilimin, sepse të tre këto vende janë asimiluar për të njëjtin qëllim dhe nga e njëjta politikë;
3.Më kanë pyetur se cila është gjëndja e shqiptarëve në Mal të Zi? Jam përgjigjur: Shqiptarët në Mal të Zi në shtet, por të okupuar padrejtësisht; në tokat e tyre, por të nënshtruar ndaj dhunës dhe detyrimit policor; shqiptarët në Mal të Zi me shpresa në Zot dhe në Drejtësi.

Ismet Hasani ”GJUHËN SHQIPE MOS E HARRONI”



(Kushtuar të gjithë shqiptarëve në Atdhe dhe në Mërgatë,me këtë porosi: ”Në qoftë se dëshiron ta njohësh dhe ta duash edhe më shumë atdheun tënd, jeto pak në atdhe të huaj!” ( Ismet M. Hasani)


Ju shqiptarë në Diasporë,
rrini me lapsa e libra n’dorë,
shkruani, shkruani e lexoni
gjuhën shqipe mos e harroni!

Ju që jeni pak më të vjetër
Merrni vet e shruani në letër
dhe tregoni brezit tjetër:
”Gjuhën shqipe të shprehni në vepër!”

Mbanju t’rinjve ligjerata
T’a mësojnë shqipen këto gjenerata!
Dhe tregonju të gjithë shqiptarëve
”Të mos harrojnë gjuhën e t’parëve!”

T’i mbajnë n’mend fjalët e plakut
I tregonte ulur n’ballë t’oxhakut:
” Koha është e brezit të ri
që i kanë çelë nga dy palë sy!”

”Dy palë sy ua dhuroi shkolla
zemër butë e mendët e holla!”
Mësoni ju, sa jeni t’ri
Së kur t’plakeni s’ju bën dobi!”

Kjo është këshillë për mësim
Sidomos për ata n’mërgim:
këtu shumë shpejt vitët kalojnë
gjuhën e nënës mos t’a harrojnë!”

Prandaj merrne si a m a n e t
Ju shqiptarë që jeni n’Gyrbet:
” Mos e harroni gjuhën amtare,
se ju nemim nënat shqiptare!”

”Mos lakmoni gjuhën huaj
ajo kurrë s’bëhet e juaj
mësone shqipen si gjuhë të parë
mos t’harrojmë se jemi shqiptarë!”

Jeta n’mërgim shumë imponon,
Nganjëherë për keq na mëson,
Mos u largoni prej rrugës së mësimit,
Të edukatës edhe arsimimit!”

Mësoheni të flisni mirë shqip,
Bukës – bukë, e krypës - krypë!
Mos vraponi shumë pas pasurisë,
Por pas mësimit dhe diturisë!”

Merrnu me të drejtën e të vërtetën
Dhe kurrë mos e mundoni veten,
Sepse koha e bën t’veten
Lehtësonjani vetes jetën!”

Mos e leni pas dore mësimin
Mos lakmoni aq shumë fitimin.
Fitimi i tepert e shkatërron jetën
Me dituri e mësim di me ruajt veten!”

Për dituri e arsim bëhuni lakmues
Mos punoni gjithmonë si pastrues,
Arsimoni vetën dhe këtë gjeneratë
Me punua nëpër zyre e n’administratë!”

Mësimi ua pasuron gjendjen psikike,
Dhe ju largon prej punëve t’rënda fizike.
Më mësim i bëni kushtet më të mira
Dhe largoheni prej kushteve të vështira!”

Dhe ju lus ore vllëzër shqiptarë!
Mos u bëni ju ziliçarë,
Njërin tjetrin – mos e urreni
Mësonu të mira gjithënjë të bëni!”

Dëgjoni këshillat e prindërve t’uaj,
Mos futni n’jetë adetin e huaj,
Aplikoni adetet kombëtare,
Mos u plasni zemren nënave shqiptare!”

Nuk është mirë nënat t’ju mallkojnë,
Se ato gjithherë mirë ju mësojnë:
”GJUHEN SHQIPE MOS E HARRONI,
KOMBIN E JUAJ E RESPEKTONI!”

Prof.dr. Mujë Rugova në shërbim të shkencës dhe kombit






Mujë Rugova ka lind më 16 mars 1945 në Haxhaj të Rugovës, është baba i katër fëmijëve. Zgjedhja e tij  para disa viteve si rektor e ka gjetur në vendin profesorit ordinar të UP dhe ligjëron lëndën e Kimisë fizike në Departamentin e Kimisë të FSHMN-së. Ai, gjithashtu ishte anëtar i Bordit të KEK-ut dhe mund të thuhet se puna e tij në KEK ishte mjaft frytdhënëse dhe me ndikim.




Serioziteti i tij prej një punëtori të madh dhe i palodhur ka ndikuar në përmirësimin e performancave të kësaj Korporate. Ai flet rrjedhshëm gjuhën gjermane, gjuhët sllave, si dhe komunikon në gjuhën frënge. Me zgjedhjen e tij si rektor i Universiteti të Prishtinës, përherë të parë ky institucion i lartë shkencor ka zgjedhur një njeri të merituar dhe një njeri që lirisht mund të thuhet se një jetë të tërë ia ka kushtuar arsimit, shkencës, profesionalizmit, por është edhe një njeri i sakrificës dhe përkushtimit të çështjes sonë kombëtare. Zgjedhja e tij në këtë institucion mjaft të rëndësishëm për të ardhmen e këtij vendi është shumë dobiprurëse dhe e qëlluar, sepse me këtë njeri nuk do të  stagnojë shkenca shqiptare ,por do të ecë përpara arsimi, edhe shumë procese tjera pozitive për të mirën e këtij vendi që stagnuan bukur shumë gjatë udhëheqjës nga ish rektori Enver Hasani.


*****


Prof.dr.Mujë Rugova për shkak të aktivitetit të tij kombëtar, mbështetjes dhe qëndrimeve të tija të drejta ndaj demonstratave të vitit 1981, nga pushteti i atëhershëm së pari diferencohet politikisht dhe më pas edhe burgoset.

Në vitin 1991 zgjidhet kryetar i Shoqatës së arsimtarëve të FSHM-së dhe sekretar i arsimtarëve universitar dhe punëtorëve tjerë shkencorë të Universitetit të Prishtinës. Për këto shkaqe burgoset dhe maltretohet nga regjimi serb. Më 15 korrik të viti 1991 përjashtohet nga puna dhe deri në vitin 1994 merr pjesë në të gjitha aktivitetet për mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e Universitetit të Prishtinës.




Ai, qysh atëherë si udhëheqës i Departamentit të Kimisë ngriti laboratorët nëpër shtëpi private, të cilat kanë shërbyer për studentë deri në qershor të vitit 1999. Prej vitit 1995 deri në 1998 ka qenë i emëruar nga Qeveria në ekzil, si këshilltar për emigracion. Me fillimin e luftës në Kosovë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së emërohet si përfaqësues politik i UÇK-së për Gjermani dhe njëherësh zgjidhet nënkryetar i Fondit “Vendlindja Thërret”.

Pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës emërohet si përfaqësues diplomatik për Gjermani. Në shtator të vitit 1999 pas shumë sakrificave dhe peripecive kthehet në punë në Universitetin e Prishtinës, aty ku i kishte kaluar ditët më të bukura, por edhe më të hidhura të jetës së tij.

Mujë Rugova ka shkruar me dhjetëra punime dhe kumtesa shkencore në lëmin e elektrokimisë. Aktiviteti i tij profesional dhe shkencor është shumë i pasur, ka udhëheqë një numër të konsiderueshëm diplomantësh, magjistratësh dhe doktorantësh. Njëherësh, ka shkruar libra dhe dispenca për studentë, si dhe artikuj e shkrime të shumta nëpër revista dhe gazeta të vendit dhe jashtë tij duke e përfshirë këtu edhe gazetën më prestigjioze gjermane “Frangfurter Allgemeinezietung”. Në këtë gazetë ka botuar shkrime të ndryshme, si gjendjen e arsimit shqip, por edhe për çështjen shqiptare.

****

Biografia e prof.dr.Mujë Rugovës është mjaft e pasur, si në aspektin shkencor, profesional, por edhe në rrafshin kombëtar. Ai në vitin 1970 ka kryer Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, dega e Kimisë në Universitetin e Prishtinës, ku më pas vazhdon magjistraturën në Universitetin e Zagrebit po në të njëjtin drejtim. Në viti 1977 nga ky Universitet del me diplomën e magjistrit të Kimisë Fizike me Radiokimi. Në vitin 1981 shpallet doktor i shkencave të Kimisë në Universitetin e Prishtinës.

Mujë Rugova ka një eksperiencë të madhe profesionale dhe shkencore. Prej vitit 1970, së pari ka punuar si asistent i Kimisë në Universitetin e Prishtinës dhe më pas për të vazhduar deri në vitin 1978 kur u bë edhe ligjërues i rregullt i këtij Universiteti. Në tetor të vitit 1984 bëhet docent dhe më pastaj në vitin 1989 merr titullin profesor inordinar.

Puna e tij shkencore dhe hulumtuese vazhdonte pandërprerë dhe në vitin 1994 merr titullin profesor ordinar po në këtë Universitet. Sot e kësaj dite prof.dr.Mujë Rugova jep kontribut të madh si me student, por edhe në aspektin kërkimor e shkencor.

Mr.sci.Flori Bruqi

2013-08-06

Rita Sahatçiu - Ora: I urrej personat qe thonë Kosova është Serbi


Foto: Loqka<3

Mbesa e regjisorit Kosovar Besim Sahatçiut,këngëtarja me origjinë kosovare, Rita  Sahatçiu -Ora, në rrjetin e saj “Facebook”, ka thënë se i urren personat që thonë se Kosova është pjesë e Serbisë.


Këngëtarja me fame botëror, e cila jeton në Londër, po ashtu ka thënë së Kosova është një komb i pavarur dhe nuk dua që askush të thotë që Kosova është Serbia sepse unë vi nga Kosova.


“Unë i urrej ata persona kur thonë se Kosova është pjesë e Serbisë. Kosova tani është një komb i pavarur, Kosova që nga viti 2008 është e pavarur nga Serbia. Pra, unë jam nga Kosova, Shqipëria”, ka shkruar Rita Ora në “Facebook”.

Oh sa mburrshëm ndjehet mileti, kur shkruan letra Ali Ahmeti!

image
Editorial: Semi Mehmeti
Me siguri tani më të gjithë e kanë lexuar letrën e kreut të i BDI-së Ali Ahmeti, me rastin e 12-vjetorit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, drejtuar përfaqësuesve më të lartë ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuuar shumë në Maqedoni dhe rajon pas vitit 2001.  Dhe më siguri të gjithëve u ka bërë përshtypje kërkesa e Ahmetit drejtuar këtyre autoriteteve, që ata të ndërmjetësojnë edhe në zgjidhjen e çështjes së emrit.
Pastaj me siguri tani më të gjithë e dinë se sipas të dhënave zyrtare të Bankës Popullore, në emër të remitancave (lexo: parave të mërgatës shqiptare)  vitin e kaluar janë derdhur në Maqedoni rreth 2 miliardë euro, se çdo i pesti qytetar i Maqedonisë, në vit pranon nga 2 mijë euro nga të afërmit e tij, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendi e që janë familje shqiptare. 
Tani shtrohet pyetja, ç’lidhje kanë këto dy informata me njëra tjetrën!? Lidhja është shumë e dukshme për ata që kanë sy të shohin e kokë të kuptojnë: Maqedonia nuk mund të ketë qeveri legjitime pa shqiptarët në të dhe, ekonominë e Maqedonisë e mbajnë gjallë paratë e mërgatës shqiptare. Ta dish këtë e të mos e përdorësh, do të thotë kot e ke që u shkruan letra personaliteteve ndërkombëtare. 
Kot e ke ngaqë ata mund të të përcjellin një përgjigje shumë të thjeshtë: Zotëri Ahmeti, zgjidhja e kontestit mbi emrin dhe e shumë problemeve tjera, gjithmonë ka qenë edhe në duart e faktorit politik shqiptarë! Sikur të kishit dashur zgjidhje të shpejtë të këtyre problemeve, do mjaftonte të mos e mbështesnit qeverinë e Gruevskit për projektet e saj që e largojnë vendin nga proceset eurointegruese, siç janë për shembull, projekti “Shkupi 2014” dhe beteja e këtij regjimi kundër mediava, e që solli deri te terri i sotëm informativ në vend!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...