2013-08-09

Sylvia Day, E lidhur ngushtë me ty


Një libër me një shtrat të fortë erotik, por edhe me një fabul tërheqëse. Sylvia Day është shkrimtarja nr. 1 më e shitur në listën e “New York Times”, si edhe në mbarë botën, me më shumë se një duzinë romanesh, që kanë fituar çmime e janë përkthyer në 40 vende.

e-lidhur-ngushte-me-ty
Ajo është autorja nr.1 më e shitur në 20 vende, me miliona kopje të botuara, si edhe më e pëlqyera nga lexuesit e gjinive të ndryshme. Ajo është përzgjedhur si kandidate e çmimit “Goodreads Choice Award” për “Shkrimtarin më të mirë”, është nderuar me çmimin “Romancierja më e mirë e vitit” nga “Amazon Day”, ka fituar çmimin “RT Book Reviews Reviewers Choice Award” dhe është përzgjedhur dy herë si kandidate për çmimin prestigjioz RITA për romancierët amerikanë.

Uwe Bahnsen-James P. O.Donnell, Bunker

Të vërteta që thuhen për herë të parë. Dëshmi autentike të njerëzve që përjetuan deri në minutën e fundit agoninë politike dhe ushtarake të demagogut më të madh që ka parë bota deri më sot.
424452_357539647597377_460457563_n

Çfarë ndodhi me të vërtetë në bunkerin e Berlinit, në atë katakomb tragjik, ku Hitleri kaloi vitet e fundit të jetës? Autorët kanë mbledhur dokumente dhe dëshmi, kanë bërë një hulumtim delikat dhe kompleks, që zgjati për më shumë se dy vjet, rezultatet e të cilit u lejuan atyre të paraqesin një tablo të plotë, gjithë vërtetësi dhe dramacitet, për ngjarjet që paraprinë dhe ndoqën “orën zero” të Kancelarisë së Rajhut III.

Italo Calvino, Pasioni i fshehtë


Calvino Italo (2)

“Kam një dëshirë të pafund t’ju puth…”. Në Italinë e sapodalë nga lufta, Italo Calvino, atëherë një shkrimtar i ri, e mbyllte kështu letrën drejtuar aktores së njohur italiane Elsa de’ Giorgi. Gjatë tre viteve sa zgjati lidhja e tyre deri më 1958, Calvino i shkroi së dashurës së tij 300 letra. Gjatë asaj kohe, aktorja ishte e martuar me një aristokrat italian. Historia sekrete e dashurisë u bë publike vetëm disa vjet më parë nga media italiane, e cila publikoi dhe disa nga letrat plot pasion të shkrimtarit… i njohur si një nga shkrimtarët italianë më të rëndësishëm pas luftës, Italo Calvino u mundua ta mbante të fshehtë jetën e tij private gjatë gjithë jetës. Koleksioni i tij privat i bërë publik pjesërisht nga familjarët dhe biografët, nxjerr në pah një burrë plot dëshira, i cili ka ditur të bëjë gjithë0 pasion dy jetë… Sekreti ishte një element frymëzues në krijimtarinë e shkrimtarit. “Italo Calvino lindi më 15 tetor në Santiago de Las Vegas, një fshat afër Havanës (Kubë), ku i ati drejtonte një stacion eksperimental bujqësor dhe një shkollë bujqësore. Nga babai agronom dhe nëna botaniste mori një edukatë rreptësisht laike. Më 1925 familja Calvino kthehet në Itali dhe vendoset në San Remo, në Vilën Meridiana ku është dhe qendra e Stacionit Eksperimental të Florikulturës. Aty Calvino jeton “deri në moshën 20-vjeçare në një kopsht plot bimë të rralla dhe ekzotike”. Pas mbarimit të shkollës së mesme prindërit e shtyjnë të studiojë për agronomi, studime të cilat nuk i përfundon. Megjithëse përpiqet të ndjekë traditën familjare, prirja e tij ishte nga letërsia. Fillimi i luftës e detyron të ndërpresë studimet. Nga 8 shtatori i 1943-shit, pasi i shpëton rekrutimit të detyruar në ushtrinë fashiste dhe duke përmbushur një dëshirë që e ushqente që në adoleshencë, bashkohet me partizanët e brigadës “Garibaldi” dhe bën kështu “zbulimin e parë të botës së dhimbshme njerëzore”. Mbas çlirimit, futet në Partinë Komuniste Italiane, bashkëpunon me gazeta dhe revista dhe regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë në Torino, ku më 1947 diplomohet me tezën për Joseph Conrad-in. Në Torino bashkëpunon me revistën “Politecnico” të Vittorini-t dhe bëhet pjesë e redaksisë së shtëpisë botuese “Einaudi”. Në atë ambient “ndërdisiplinor të hapur ndaj kulturës botërore” nis dëshira e tij për të shkruar. Më 1947-n shfaqet si shkrimtar duke botuar falë Pavese-s “Shtegu i foleve të merimangës”. Pas këtij romani me të cilin vlerësohet si shkrimtari më i rid he më i talentuar ndër shkrimtarët neorealistë, vjen vëllimi me tregime “I fundit erdhi korbi (1949). Gjatë viteve ‘50-‘60 është drejtor i shtëpisë botuese “Einaudi” dhe njëkohësisht e shton gjithmonë e më shumë veprimtarinë kulturore dhe angazhimin në debatet politike-kulturore, duke bashkëpunuar me revista të ndryshme. Në panoramën letrare italiane, mbas botimit të përmbledhjes “Tregimet” (1958) dhe sidomos të vëllimit “Të parët tanë” (1960), që përfshin trilogjinë e romaneve fantastikë dhe alegorikë për njeriun bashkëkohor: “Viskonti i përgjysmuar”, “Baroni kacavjerrës” dhe “Kalorësi i paqenë”, shfaqet si më origjinali ndër shkrimtarët e rinj. Gjatë këtyre viteve boton dhe esenë e rëndësishme “Fuqia e luanit” (1955), si dhe përmbledh dhe përkthen “Përrallat italiane” që botohen më 1956, vit në të cilin ngjarjet në Hungari e bëjnë që të shkëputet nga Partia Komuniste Italiane dhe të heqë dorë nga një angazhim i drejtpërdrejt politik.
Writer-Italo-Calvino-005Më 1964 hapet një fazë e re në jetën dhe karrierën e Italo Calvino-s. Ai martohet me argjentinasen Judith Esther Singer dhe transferohet në Paris, nga ku vazhdon të punojë për “Einaudin” dhe ku frekuenton ambientet letrare dhe kulturore avangardiste. Më 1965, lind vajza e tyre Abigail dhe del libri “Mokokatkozmike”, i cili pasohet më 1967 me “T me zero” ku shfaqet pasioni i tij rinor për teoritë astronomike dhe kozmologjike. Interesi i tij për problematikat e semiotikës dhe proceset kombinuese të rrëfimit gjen shprehje dhe te “Qytetet e padukshme” dhe “Kështjella e fateve të kryqëzuara”. Në vitet ‘70, ai ushqen njëfarë shprese tek arsyeja, ndonëse po vë re një degradim të përgjithshëm të jetës qytetare italiane dhe asaj botërore. Calvino boton një sërë shkrimesh në “Corriere della Sera” e më pas te “Republica”. Më 1979-n, romani i tij “Nëse një natë dimri një udhëtar”, kthehet në bestseller. Më 1980 transferohet në Romë dhe boton një përmbledhje të eseve të rëndësishme. Më 1984, kriza në shtëpinë botuese “Einaudi” e shtyn të kalojë te “Garzanti” ku përveç ribotimit të disa prej veprave më të rëndësishme, boton dhe librin “Koleksione rëre”. Më 1985 ftohet të mbajë një seri konferencash në SHBA në Cambridge, në Universitetin e Harvardit, përgatit librin “Leksione amerikane” i cili do të botohej pas vdekjes së tij më 1988. Në fillim të shtatorit të këtij viti Calvino ndërron jetë në spitalin e Sienës nga një hemorragji cerebrale. Në maj të vitit 1986 botohet nga Garzanti “Nën diellin jaguar”, libri i parë postum i Calvinos-s. Libri përmbledh tre tregime. Calvino mendonte të shkruante një tekst kushtuar pesë shqisave, por vdekja nuk e la të mbaronte tregimet për pamjen dhe prekjen.

“Në Shqipëri, na përgjonin pastrueset”



250951_10150196712938015_7140542_n

Ullmar Qvick/ Përkthyesi suedez tregon udhëtimin e tij të parë në Shqipërinë e vitit 1970. Si përndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit të huajt dhe kontaktet me letërsinë shqipe…

Alda Bardhyli



Ullmar Qvick do ta gjente Shqipërinë kur ishte ende adoleshent përmes valëve të radios. I pasionuar pas saj, të riut suedez do t’i bënte përshtypje muzika që dilte lehtë prej radios për t’u shpërndarë kudo në shtëpinë e tij… Tërheqja ndaj gjuhës, do ta çonte atë drejt kërkimeve për të mësuar më shumë për këtë vend që ndodhej i izoluar diku në cep të Ballkanit. Tashmë Shqipëria për të, është më shumë se një pasion. Njohës i mirë i shqipes, ai do të bëhej zëri shqiptar në Suedi, si dhe përkthyesi i një sërë autorësh nga letërsia shqipe. Më poshtë, në një intervistë për “Shqip” Qvick tregon udhëtimin e tij në Shqipërinë e vitit 1970, dhe si e sheh atë çfarë ndodh sot me letrat shqipe…

Si e kujtoni udhëtimin tuaj të parë drejt Shqipërisë, atëherë një vend komunist? Cilat ishin impresionet dhe ndodhitë që shoqëruan këtë udhëtim?

Vizita ime e parë në Shqipëri ishte në vitin 1970. Kishin filluar udhëtimet nga vendet nordike në vitin 1969, dhe në atë vit fillova përgatitjet, duke studiuar përditë gjuhën shqipe dhe me ndihmën e Radio Tiranës mora kontakt me disa institucione kulturore në Shqipëri. Udhëtimin e bëra me ndihmën e agjencisë turistike daneze “Spies”. Nuk më befasoi shumë pamja e vendit, kisha lexuar artikuj në shtyp dhe materiale të tjera, kisha marrë një përshtypje të përgjithshme. Kisha vendosur të jem shumë i urtë për të dhënë një përshtypje pozitive, pa kundërshtime me sistemin dhe regjimin. Isha në gjendje të bisedoja me njerëz të të gjitha moshave. Vura re një ndrojtje në disa raste, kuptova se bisedat me të huajt mund të diktoheshin nga Sigurimi me pasoja për individin në fjalë. Kuptova se bile pastrueset e hotelit mund të përgjonin bisedat e turistëve. Më kujtohet një rast komik: Isha duke pritur në lobi të hotelit “Adriatik” për një bisedë me gazetarin dhe fotografin e njohur, Pirro Naçe. Përballë meje rrinte një grua me burim nga Shqipëria, e martuar me një burrë italian, e cila bëri vizitë në vendlindje. Filluam një bisedë dhe vura re se si një pastruese filloi me fshesën në dorë një valle “seksi”, siç kuptova për të tërhequr vëmendjen time. Arsyeja e “valles” u vu në dukje pas pak, kur vura re se në shkallët prapa meje, shumë afër, ishte përkulur me leckë në dorë edhe një vajzë, gjoja për të pastruar shkallët… Sa keq për “artin erotik” të vajzës së parë se nuk u përqendrova në të tërë kohën… Me gjithë urtësinë time bëra një shkelje të rregullave. Kishim viza kolektive si turistë të rëndomtë, dhe pa vizë nuk do të ishim në gjendje të bëjmë udhëtime individuale. Mirëpo, përgatita një plan dinak: Do të bëra vizitë në Kavajë, gjoja për të vizituar shtëpinë-muze të Aleksandër Moisiut. Futa në çantë disa kopje të gazetave shqiptare, të cilat kishin botuar letrat e mia drejtuar Radio-Tiranës. Mora autobusin nga Plazhi për në Durrës, gjeta stacionin e trenit, bleva pa problem një biletë dhe u futa në tren. Në kupe bisedova me katër veta nga Shkodra, një prej tyre drejtori i Radio-Shkodrës, i cili u tha të tjerëve se ky i paska dërguar Radio-Shkodrës shumë letra duke treguar se si dëgjohet ky radiostacion i vogël në Suedi. Drejtori i mëparshëm më kishte dhënë përgjigje në fund të viteve 1940, ky jo. Më vonë mora kontakt me drejtorin e ri, Alush Çeno, rreth vitit 1961, dhe me të do të takohesha në Shkodër në vitin 1979. Ky mik, Alushi pra, më kushtoi një vëmendje të posaçme. – Erdha në Kavajë, qytet i vogël, disi i përgjumur. Kërkova ndihmën e njerëzve për të gjetur atë shtëpi muze. Disa më shoqëruan vetëm disa hapa, pastaj më lënë në duart e të tjerëve… më në fund dy djem simpatikë më përcillnin te muzeu, të cilin e gjetëm të mbyllur. Vazhduam rrugën duke biseduar, vizituam një shitore dhe fillova të shënoja çmimet e mallrave. Shitësja u nervozua së tepërmi, dhe me ton të egër më pyeti: Pse po bëni shënime? I thashë shumë qetë: “Në botën kapitaliste qarkullojnë të dhëna gënjeshtare për gjendjen në Shqipëri. Dua të përgënjeshtroj shpifjet me fakte”. Ajo nuk u qetësua, më vështroi me armiqësi. Në dyqan hynë dy oficerë. Me shumë arrogancë filluan të bërtisnin, duke sulmuar me fjalë të dy djemtë, të cilët kishin shëtitur me një vizitor të huaj. Një prej oficerëve m’u afrua dhe më pëshpëriti: “Ju besojmë, por ata nuk duhet të sillen në këtë mënyrë me të huajt…” Djemtë nuk u dorëzuan: “Ne kemi të drejtat tona”, thanë, “do të shkojmë me këtë shok për në Komitetin Ekzekutiv.” Dhe kështu bënë. Gjetëm dy burra të parruar, dhe me mirësjellje u tregova kush jam, se kisha ardhur për të parë muzeun e Aleksandër Moisiut, por kot, dhe do të kisha dëshirë të bëj vizitë në ndonjë fabrikë. Më dëgjuan, një prej tyre mori telefonin dhe bisedoi me një drejtor në një fabrikë. Fatkeqësisht nuk ishin në gjendje të më pranonin. I thashë se edhe në Suedi të rregullojmë një punë të tillë me afat të shkurtër shpesh është e pamundur. Ndërkohë, nga një dhomë fqinje hyri një sekretare, e cila më shikoi me qëndrim përbuzës. Veshja e saj nuk ishte krejt në rregull, kështu që një dyshim djallëzor u lind në trurin tim: A mos kishte pasur ajo një “natë dashurie” me të dy zyrtarët? Leximi i letërsisë shqipe pas viteve ’90 më ka forcuar këtë dyshim, duke kuptuar gjendjen delikate të një sekretareje në Shqipërinë socialiste. – U largova nga Komiteti, në një restorant mora drekën: mish viçi me qepë – pak mish, shumë qepë. Vizitova pazarin, ku kishin disa sende bakri me interes, por të shtrenjta për mua. Pastaj më mbeti vetëm të kthehesha, sepse kisha parë gati tërë Kavajën. Më vonë ngjarjet në fillim të viteve ’90 më kanë dhënë një respekt dhe admirim të veçantë për banorët e këtij qyteti të vogël, të cilët përballuan mirë sulmet e këlyshëve të sigurimit…. Kur u ktheva te stacioni i trenit bisedova me mjaft njerëz në sallën e pritjes. Si temë për bisedën zgjodha shkollimin dhe të dhënat për arsimin në Shqipëri. Njerëzit përreth më treguan shumë gjëra me interes për mua. Pastaj erdhi një polic. “Oh Zot”, mendova, “tani do të provoj se si janë burgjet në Shqipëri!” Mirëpo, mbajta gjakftohtësinë. Njerëzit afër meje u larguan shpejt. Polici me sjellje normale më pyeti për vizën. Nxora pasaportën dhe i dhashë. Ai nuk u kënaq, kërkonte vizën. “Vizën e kam në hotel, në Durrës”, thashë, “vizë kolektive”. Polici më tha të rri atje, ai do të kthehej. Disa nga bashkëbiseduesit u kthyen, një gjimnazist më tha se edhe ai kishte mundësi ligjore të kërkonte vizën e një personi të panjohur në rast nevoje. – Pastaj u kthye në polici bashkë me një shok tjetër. “Fatkeqësisht duhet të shkojmë për në stacionin e policisë”, më thanë. Morën biletën time, m’u kthyen paratë dhe u nisëm. Rrugës na doli përpara një polic civil, me biçikletë. Ai kishte qëndrim autoritar, por shumë korrekt. I tregova kush isha, nxora një kopje të gazetës “Zëri i Popullit” dhe ai lexoi çfarë u shkrua për mua. Kjo më duket i bëri përshtypje. Ai më tha se kisha bërë një gabim duke udhëtuar pa vizë për në Kavajë, mirëpo nuk donin të më pengonin më. Një nga policët më përcolli për në stacionin e trenit, pagova përsëri dhe mora biletën. Kur erdhi treni, polici duke shtrembëruar fytyrën i tha gruas me shërbim në tren: “Ai do të zbresë në Durrës Plazh!” Shtrembërimi i fytyrës ishte shenjë: “Kini kujdes!” Polici më përshëndeti me dorë nga platforma dhe treni u nis. Kur erdha në Durrës të gjithë shqiptarët qeshnin sikur do t’u kisha treguar një barsoletë të mirë kur u thashë se kisha qenë në Kavajë dhe se më kishte kapur policia! Ditën e nesërme disa turistë tentuan të shkonin me tren për në Tiranë, por u ndalën nga personeli i tërbuar në stacionin e Durrësit. Sigurimi pa tjetër kishte bërë vërejtje: Vigjilencë! Mos lejoni turistët të qarkullojnë lirisht me tren!

Kam edhe ngjarje të tjera për të treguar, më duket se mjafton me të dy, të cilat po rrëfej për herë të parë për lexuesit shqiptarë.

A patët kontakte me autorë, apo shkrimtarë shqiptarë në atë kohë, duke pasur parasysh prirjen tuaj drejt letërsisë?

Gjatë vizitës së parë në vitin 1970 pata vetëm kontakte me disa nëpunës të Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me botën e jashtme, të cilët më ndihmuan mjaft, megjithëse kishim pasur vetëm pak korrespondencë para vizitës sime dhe erdha si “turist i rëndomtë”. Në vitet 1978-79 mora më shumë kontakt me shkrimtarët shqiptarë. Në vitin 1978, kur isha bërë disi i dyshimtë për regjimin, pas kontakteve me mërgimtarët antikomunistë jashtë Shqipërisë, pata një takim me disa nga anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve, për të diskutuar për antologjinë e ardhshme që kisha në përgatitje. Më pritën mjaft ftohtë, vetëm Elena Kadare u interesua për bisedë individuale. Në fund të takimit m’u afrua Hasan Petrela, i cili më tha: “Do të ishte shumë mirë nëse nuk do të përfshihet në antologjinë tuaj Frederik Rreshpja”. Në pyetjen time pse, më tha: “Ai është person imoral.” – I thashë se e pranoj kërkesën tuaj, nuk dua të prish miqësinë… Mirëpo, në vitet pas përmbysjes së regjimit komunist kam punuar mjaft me poezinë e Frederik Rreshpjes, të përfshirë në dy antologji të botuar në Suedi. Në vitin 1979 pata mundësi të takohem me poetin më të dashur për mua, Fatos Arapin. Pas kësaj vazhdoi në vitet 1980 një letërshkëmbim të rregullt me të.

Çfarë ka ndryshuar në letërsinë shqipe para dhe pas viteve ‘90?

Gjatë regjimit komunist në Shqipëri sundoi, siç dihet, dogma e artit të realizmit socialist, e cila u bë këmishë frenuese për shkrimtarin shqiptar. Disidencë e hapur u tregua vetëm nga disa, si Faslli Haliti me poemën e tij të mrekullueshme “Dielli dhe rrëkerat”, të botuar në “Zëri i Rinisë” në fund të vitit 1972. Kadareja zgjodhi rrugë tjetër, alegorinë, me romanin “Nëpunësi në Pallatin e Ëndrrave” si kryevepër. Shumica e krijimeve letrare u dëmtuan nga “partishmëria” e imponuar, dhe me vlerë të përhershme është mbetur vetëm një përqindje të vogël të veprave, gjë mjaft tragjike. Pas rrëzimit të regjimit komunist letërsia shqipe fitoi lirinë e shprehjes, nga ana tjetër nuk mori mbështetje nga shteti demokratik dhe lufton me probleme të rënda ekonomike. Ndërsa në kohën moniste letërsia kishte njerkën e ashpër, Partinë e Punës, sot lufton me forcat e veta për të mbijetuar… Në letërsinë pas viteve ’90 dallohen pak vepra për një trajtim global të fenomeneve shoqërore dhe politike. Fatos Kongoli me mjeshtëri ka shkruar për ankthin dhe pasigurinë njerëzore në vitet e diktaturës, edhe Lindita Arapi ka trajtuar me aftësi problemet e “të deklasuarve”. Prapëseprapë romane me mprehtësi gjykimi dhe forcë emocionuese për problemet e ditëve tona mungojnë në letërsinë shqipe sot. Pak si ngushëllim mund të thuhet se në vendet e tjera të botës perëndimore mungesa e një letërsie të tillë me përmasa shoqërore ndihet shumë. Më duket se “vdekja e ideologjive” ka shkaktuar edhe “vdekjen” e letërsisë shoqërore kontemporane. Shpresoj se ky do të jetë fenomen i rastit.

Për vite me radhë ju keni qenë zëri shqiptar në Radio, por dhe në tregun e librit suedez duke sjellë në gjuhën tuaj shumë autorë shqiptarë. Si ka qenë pritja që lexuesi i vendit tuaj i ka bërë autorëve shqiptarë?

Antologjia ime e parë me poezi shqipe në vitin 1979 u prit mirë nga gazetat, u botuan rreth 15 recensione, me dy përjashtime mjaft pozitive. Tri prej poezive të Dritëro Agollit bile u prezantuan nga televizioni shtetëror suedez. Antologjitë e tjera të poezisë, të krijuara në bashkëpunim me krijues shqiptarë në Suedi, nuk kanë pasur shumë jehonë, megjithëse janë përhapur edhe në bibliotekat e vendit. Disa nga përkthimet e mia nuk janë vërejtur nga kritika dhe kjo ndodh shpesh, kur autori/përkthyesi nuk është i lidhur me një shtëpi të njohur botuese. Romanet e Ismail Kadaresë janë të përthyer gati të gjithë, por në këtë punë nuk kam pasur gisht, përkthimet u kryen nga frëngjishtja dhe u botuan nga shtëpia prestigjioze “Bonniers”. Kadareja është i njohur dhe i respektuar nga ata lexues suedezë që gjetën librat e tij.

Çfarë ka qenë për ju komunizmi në Shqipëri dhe si e shihni atë çfarë ka ndodhur me vendin pas këtyre viteve?

Pyetje shumë me vend. Komunizmi nuk ishte fare i panjohur për mua. Jam rritur me babin komunist, ai mori mjaft botime nga Bashkimi Sovjetik, kështu që herët jam njohur me ideologjinë, propagandën dhe mentalitetin komunist. Vetëm në fillim të viteve ‘50 për dy vjet kam qenë anëtar i organizatës kriptokomuniste “Demokratisk ungdom” (Rinia demokratike) e cila nuk doli haptas si komuniste, por në të vërtetë ishte Rinia komuniste nën maskë! U largova nga ajo organizatë, ku kisha qenë anëtar i thjeshtë, mirëpo Sigurimi i Suedisë ishte në dijeni, kështu që gjatë shërbimit ushtarak, megjithëse isha i aftë nuk më lejuan të kryej shërbimet në stacionin telegrafik të njësisë ushtarake… (Radioja ishte pasioni im i hershëm dhe e zotërova mirë trafikun telegrafik). Pas kësaj nuk kam qenë i angazhuar në asnjë parti ose organizatë me karakter politik. Shoqata e miqësisë Suedi-Shqipëri, ku jam një nga themeluesit, nuk kishte karakter të hapur politik, mirëpo veprimtaria nuk u lejua të binte në kundërshtim me pozitat e PPSH. Unë kam qenë pothuajse i vetmi anëtar pa bindje komuniste…Dhe tani pas kësaj prelude të gjatë, pyetja juaj. Kuptova shpejt se diktatura në Shqipëri ishte e egër. Mirëpo, arsyetimi im ishte: Trupi i sakatuar i Shqipërisë ka nevojë për një fasho gjithëpërfshirëse gjipsi për t’u shëruar. Kjo kërkon kohë, por Partia do të kujdeset për ndërgjegjen shoqërore të popullit, dhe pastaj populli do të marrë fatin e tij në duart e veta. Kjo nuk ndodhi, përkundrazi, edhe në vitet ‘80 ishte parulla: “Të gjithë e bëjmë nën udhëheqjen e Partisë”! Nënshtrimi, përulja vazhdoi… Dhe kisha kuptuar mekanizmat diabolike vetëmbrojtëse të partisë leniniste! Ah, Shqipëria e vogël ishte vreshta private e Enverit, kopshtar i pamëshirshëm sipas motos “Frika e ruan vreshtin”. Me rrëzimin e regjimit komunist, shqiptarët mbeteshin nën mëshirën e fatit. Të hutuar, të demoralizuar kishin iluzione se si do të merrnin ndihma nga bota perëndimore. Receta ishte: “Capitalist shock therapy” – sikur një mjek brutal i jep udhëzim pacientit ditën e nesërme pas operacionit të apendiksit: “Vrapim 10 xhiro rreth godinës së spitalit”. Gjipsi gjithëpërfshirës i shqiptarit u largua pa mëshirë! Mirëpo, Shqipëria e përvuajtur ka përballuar në mënyrën e vet krizat, shoqëria shqiptare përmban shumë trajta kontradiktore dhe më duket se nuk jam i aftë të shkruaj më shumë në atë drejtim…

Në letërsinë që përzgjidhni për ta përkthyer, çfarë do të veçonit?

Nuk më lejon koha të punoj vazhdimisht me përkthime letrare, kam shumë punë me porosi nga firmat e përkthimit (dëftesa, diploma, ankesa etj.), të nevojshme për ekonominë tonë familjare, mirëpo më pëlqejnë më shumë përkthimet poetike, si dhe romane me përmbajtje që pasqyrojnë realitetin shqiptar.

Çfarë po punoni tani?

Jam duke punuar me përkthimin e romanit të autorit kosovar, Agim Gjakova, me titull: A ka kund zot. Ky roman bën fjalë për situatën në një katund kosovar, ku një njësi ndëshkuese serbe bën kërdinë. Përmbajtje e llahtarshme, por me një mesazh disi optimist. Pastaj do të dëshiroja të punoj me romanin “Kufoma” të Fatos Kongolit, i cili ende nuk u përkthye suedisht. Kadareja është shkrimtar i madh, por ai nuk duhet të jetë me “monopol letrar” në Suedi… duhet të dëgjojmë edhe zëra të tjerë… Në këtë rast ende nuk jam marrë vesh as me autorin, as me shtëpinë botuese.

Të dashurosh një shqiptar

Vetëm një burrë mund të ndryshonte jetën e Rozës. Prej kohësh, ajo ishte zhytur në rutinën e punëve të përditshme në një qytet të vogël në Australi, duke ndier se kishte humbur dalëngadalë pasionet që e bënin të ndihej grua. Një ditë, Roza vendos të ndryshojë. E tërhequr nga udhëtimet, ajo zgjedh Europën Lindore për të pushuar, duke besuar se aty do të njihte dhe një burrë që mund t’i ndryshonte ditët. Ajo ndalon në Dubrovnik. Jemi në kohën kur ish-Jugosllavia ka nisur të shpërbëhet dhe konfliktet e kësaj pjese të rajonit ndihen kudo. Një mbrëmje në një bar të këtij qyteti të bukur, ajo njihet me një djalosh të ri shqiptar, i cili e tërheq menjëherë gruan me pamjen dhe gjestet e tij. Për më shumë se dy javë, ata jetojnë një marrëdhënie të artë dashurie, plot erotizëm dhe fantazi. Ajo bëhet rob e zemrës së saj, duke i besuar këtij djaloshi gjithçka, pa e besuar se qëllimi i tij ishte diçka tjetër. Më shumë se pasionin e Rozës, i riu shqiptar dëshironte emigrimin për në Australi, duke u martuar me të. Roza ishte duke jetuar një marrëdhënie të rrezikshme por nuk e dinte… Kjo është historia që shkrimtarja australiane Donna Mazza ka zgjedhur për të rrëfyer në librin e saj “Shqiptari”, i cili ka qenë një ndër librat më të lexuar në vendin e saj, duke i dhënë dhe çmimin “TAG Hungerford”. Shkrimtarja, që ashtu si personazhi i Rozës i donte udhëtimet, zgjodhi një burrë shqiptar për të përshkruar pasionin dhe burrin që mund të ndryshojë jetën e një gruaje, dhe pse ky ndryshim ishte thjesht një iluzion e qëllimet e tij ishin të tjera. Një rrëfim që e sjell mashkullin shqiptar si joshës dhe të rrezikshëm njëkohësisht. Në vitin 2003, shkrimtarja bashkëkohore spanjolle Susana Fortes boton romanin “Një histori dashuri shqiptare”, i cili u mirëprit menjëherë nga kritika. Në qendër të librit është historia e një familje nga Elbasani e shkatërruar nga regjimi komunist. Nëna e Ismailit dhe Viktorit vdiq kur dy djemtë e saj ishin ende të rinj. Ismaili ishte poet i cili arrin të mbijetojë nga revolucioni kulturor i viteve ‘70, ku ndikimet e huaja në letërsi u spastruan. Vite më vonë ai nis të dyshojë për vdekjen e nënës, duke besuar se ajo nuk kishte vdekur aksidentalisht, por vrasja e saj mund të kishte qenë një komplot politik. Duke kërkuar në të shkuarën e nënës, ai zbulon një lidhje dashurie që ajo ka pasur, si dhe planin që kishte bërë me të dashurin për t’u arratisur nga Shqipëria. Teksa zbulon dashurinë e nënës, ai nis të ndjejë për gruan e vëllait të tij, Helenën. Tensioni i tyre seksual në jetesën brenda një shtëpie sa vjen e bëhet më i paduruar. Ata prekin ngadalë duart e njëri-tjetrit poshtë mbulesës së tavolinës, teksa janë duke ngrënë drekën, ose darkën. Duke dashur të ruajnë besnikërinë, ajo ndaj të shoqit, dhe ai ndaj vëllait, në fund ata i dorëzohen dashurisë, duke krijuar një tension në familje. Libri i “Forbes” është një përshkrim i hollësishëm i karaktereve dhe psikologjisë shqiptare, duke dhënë përmes kësaj historie të zgjedhur me kujdes, jo vetëm dramën e madhe të komunizmit, por dhe moralin e një shoqërie. Por ajo çfarë e bën të veçantë këtij roman është fakti se shkrimtarja ka zgjedhur t’u vendosë personazheve emrat e një çifti të njohur e të dashur për të, të shkrimtarit Ismail Kadare e të bashkëshortes së tij Helena. Dhe pse ngjarja në libër nuk përputhet me historinë e tyre të dashurisë, për Fortes të gjitha dashuritë janë të mëdha, kur janë të tilla. Temat nga Shqipëria duket se kanë qenë temat më të dashura për shkrimtarët dhe publicistët pas viteve ‘90. Rënia e perdes së diktaturës, i bëri shumë shkrimtarë të vizitonin apo të bënin kërkime mbi historinë e këtij vendi, për të njohur personazhe e për t’i risjellë ata në karaktere letrarë. Nëse bëjmë një studim mbi atë çfarë është shkruar në letërsi nga autorë të huaj, ajo është më produktive se ajo që është shkruar brenda hapësirës sonë. Në vitin 2011, shkrimtarja amerikane Francine Prose do të kthehej në një nga autoret më të komentuara në media pikërisht për historinë që tregonte në librin e saj “Një jetë amerikane”. Lula, vajza 26-vjeçare nga Tirana, është një emigrante nga Shqipëria në vitin e parë të vendosjes në Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur vendi ende nuk kishte kapërcyer shokun dhe panikun që lanë sulmet terroriste të 11 shtatorit. E gjithë kjo atmosferë, shpjegon autorja, rrëfehet përmes syve të freskët të një vajze të re nga Tirana. Historia e vajzës shqiptare është historia e mijëra vajzave e djemve shqiptarë, por edhe miliona njerëzve nga kombe të tjera që hodhën sytë nga Amerika për një të ardhme më të mirë. Ajo ndodhet në Shtetet e Bashkuara me vizë turizmi, kur i buzëqesh fati dhe një amerikan vendos ta punësojë për t’u kujdesur për djalin e tij adoleshent dhe ta ndihmojë për të marrë dokumentet e qëndrimit përmes një miku të tij jurist. “Dy personazhet kryesore amerikane duan vërtet ta ndihmojnë. Por këta burra në roman nuk janë përfaqësues të qeverisë, por janë amerikanë liberalë që mendojnë se mund ta ndihmojnë Lulan. Kjo është një ndër bindjet dhe fantazitë e mrekullueshme amerikane, se ne mund të ndihmojmë njerëzit të asimilohen në kulturën dhe shoqërinë tonë”, është shprehur autorja. Me disa ndërlikime të papritura dhe shpesh dramatike, me prezantimin e një grupi shqiptarësh me histori të dyshimta dhe synime të errëta, subjekti merr ngarkesën e jetës së shumë imigrantëve të ballafaquar me alternativën e ekzistencës përtej ligjit. Çdo gjë fillon me shfaqjen një ditë dimri të një makine të markës “Lexus” para shtëpisë ku Lula jeton dhe kujdeset për adoleshentin amerikan. Kush mund ta bënte mbërritjen e kësaj makine më dramatike se sa dalja prej saj e tre shqiptarëve, të përfshirë në jetë kriminale, të cilët trokasin një ditë në portën e Lulas dhe i kërkojnë asaj të fshehë diku në shtëpinë ku punon, një revolver. Pikërisht këtu fillon shtjellimi i subjektit. Shkrimtarja njihet për labirintet e personazheve të romaneve të saj dhe për satirën djegëse e realizimin tronditës të subjekteve të saj. Në një stil që u përngjet filmave me kauboj, romani mbyllet me Lulan për herë të parë në jetën e saj pas timonit të shoferit, duke nisur një makinë të vjedhur në perëndim të diellit, në një autostradë të ngarkuar në hyrje të Nju Jorkut, drejt një jete të panjohur por plot shpresë, e pajisur me dokumentet e qëndrimit, që i garantojnë Lulas vendin e saj në tokën e premtuar. Historia e Lulas është vetëm një prej dhjetëra historive të treguara nga shkrimtarë të huaj mbi emigracionin shqiptar. Marrja e temave nga Shqipëria për romane, apo tregime letrare daton herët në letërsinë dhe publicistikën botërore. Skënderbeu ka qenë gjithnjë burri frymëzues për të gjitha shkrimtaret që kërkonin të gjenin një burrë të pashëm dhe ideal si personazhin e tyre. Janë dhjetëra romanet e shkruara mbi këtë figurë, dhe nga autorë që datojnë që në shekulli XVI-XVII. Një pjesë e tyre kanë mbetur dhe anonimë, por ajo që nxjerrin në pah këto libra është fakti se Skënderbeu ka qenë jo vetëm një figurë e rëndësishme historike, por dhe një personazh i dashur për studiuesit dhe shkrimtarët… Pas viteve ‘90, por edhe para tyre, një nga personazhet të cilit i janë kushtuar më shumë libra është ish-udhëheqësi komunist Enver Hoxha. Pavarësisht rolit të tij të errët në historinë e vendit, Hoxha vijon të mbetet një nga figurat që vazhdon të eksplorohet jo vetëm nga autorët e huaj por edhe ata shqiptarë. Ndërsa në Shqipëri pushteti komunist nuk kishte rënë, shtëpia botuese “Chatto & Windus” hodhi në treg “Kujtimet e Enver Hoxhës” më 1986-n, nën redaktimin e John Holliday. Po në këtë vit në botën anglishtfolëse është botuar libri “Enver Hoxha dhe jeta e tij”. Kujtimet me Stalinin dhe Hrushovin, ditarët e tij, dhe dhjetëra libra dedikuar kësaj figure nga publicistë dhe historianë të huaj janë botuar që para viteve ‘90. Më pas historia e Shqipërisë, sidomos vitet e komunizmit, kanë qenë në vëmendjen e historianëve të huaj, të cilët e kanë vizituar atë për të dhënë një version të historisë sipas këndvështrimit të tyre, por dhe dokumenteve që i janë ofruar nga institucionet përkatëse. Adam Yamey boton librin “Shqipëria në mendjen time”. Të tjerë autorë japin një version të historisë së Shqipërisë, por dhe të natyrës dhe zakoneve të saj. Veriut të vendit i janë kushtuar një mori librash, po kështu zakoneve të tij… Interesant është libri “Nesër do të vdesësh” nga Reona Peterson Joly dhe Every Muggleton. Libri tregon izolimin 50-vjeçar të shqiptarëve nga feja… Një figurë historike së cilës i janë dedikuar një sërë librash është dhe mbreti Zog. Periudha e shkurtër e monarkisë shqiptare, por dhe fati i tij si personazh kanë tërhequr vëmendjen e një sërë historianësh, të cilët kanë sjellë këndvështrime interesante që do t’i vlejnë historisë sonë në të ardhmen… Janë të pafund librat e shkruar për Shqipërinë, apo ata që janë frymëzuar nga personazhe shqiptarë… Pavarësisht kritikave që kanë një pjesë e tyre, për mënyrën sesi janë ndërtuar historitë, në thelb ata janë një pasqyrë e së shkuarës dhe së tashmes, parë nga një sy i huaj, i cili e tregon historinë pa emocione dhe pa paragjykime të cilat shpesh një autor shqiptar mund t’i ketë.

Anna Premoli ‘Të lutem mos më lër të të urrej’

Xheniferi dhe Iani njihen prej shtatë vjetësh, kurse pesë vitet e fundit i kanë kaluar në luftë me njëri-tjetrin. Mes dy shefave të degëve në një bankë të rëndësishme tregtare të Londrës, lufta është krejtësisht e hapur. Urrehen, nuk e durojnë njëri-tjetrin, nuk lënë rast pa i vënë shkopinj në rrota tjetrit.

anna-premoli-(1)

 Deri sa një ditë, rastësisht, u detyruan të punojnë bashkë për të njëjtin projekt: për administrimin e kapitaleve të një klienti aristokrat e plot naze. Kështu u detyruan të kalojnë shumë kohë së bashku, edhe jashtë orarit zyrtar. Iani është djaloshi më tërheqës, i pasur dhe i kërkuar i Londrës, ndërsa shoqëria e tij nuk kalon kurrë “pa u vënë re”.

Teodor Keko ‘Poezi’

“Janë shumë arsye të çuditshme që e rendisin poezinë e poetit pranë gëzimit, haresë dhe shpengimit emocional që jeton si pasojë e kësaj marrëdhënie me të tjerët, që nuk ka se si ta gjesh kaq hapur dhe në mënyrë kaq ngazëlluese në prozën e tij.

trodor-krko

 Por ajo që bashkon poetin me prozatorin është ky terren plot reflekse shoqërore. Me poezinë e tij, Teodor Keko të udhëheq drejt shtigjeve të një qytetërimi pothuaj personal dhe të domosdoshëm. Dhe, mbi të gjitha, ai kërkon praninë e dashurisë. “Po forca?”, do të pyesë ndonjëri. E bukur, e thjeshtë, e ngrohtë, inteligjente është poezia e tij, ashtu si është kaq vrojtuese dhe kaq zbuluese për marrëdhënie pa fund të qenies njerëzore me të tjerët…”, Natasha Lako.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...