2013-08-27

Shqiptari më i famshëm në Turqi, si u dashurua nga vajza e Sulltanit, Mirimah


Arkitekt Sinani u dashurua marrëzisht me Sulltan Mihrimanin, së cilës zjarri i dashurisë ja pushtoi zemrën, vetëm atëherë e bija e Roksollanës e kuptoi ndjenjën më të lartë të dashurisë.
image
E përmendur për inteligjencën natyrale në mënyrë që ta përcillte sa më bukur ndjenjën e dashurisë, ajo u përkushtua artit të pikturës – por pikturës mbi ujë –të quajtur ebru. Jeta e saj ishte si pikturat që bënte mbi sipërfaqe – disa figura vetëm i prekte, të tjerat shkriheshin. Pikturat e saj ishin plot me dashuri për Arkitekt Sinanin, por edhe me vuajtje, me ndrydhje të shpirtit që pikonte lot…

Vajza e vetme e Sulltanit të madhërishëm-Mihrimah, mbetet në hijen e nënës së saj të famshme- ish skllaves Roksollana, e cila hyri në historinë e Turqisë si bashkëshortja e pabindur e perandorisë Osmane. I ati Sulltani Sulejmani i madhërishëm e quajti “Mihrimah Trëndafili i Perandorisë Osmane”. Por Sulltana e ndriçoi historinë e perandorisë si një personazh shumë i rëndësishëm- si një grua me një finesë të dukshme, tepër elegante dhe shumë e ndryshme nga nëna e saj.

Emrin Sulltanës ja vuri vetë Sulejmani, emri Mihrimah përmban Diellin dhe Hënën: i ati Sulejmani simbolizon diellin, që ndriçon tokën, ndërsa e ëma Hyrjem (lindur në stepat e Ukrainës në familjen e famulltarit e quajtur Roksollana) – ndriçon natën me dritën hënore.

Vajza e vetme të cilën Sulltani e donte veçanërisht më shumë se fëmijët e tjerë, e mbante shumë afër dhe kujdesej shumë për të, por ajo ndjehej si ai zogu i ndrydhur në kafaz, në pallatin e madh në Topkapë. Mihrimah nga karakteri nuk i ngjante as të ëmës dhe as të atit, nuk trashëgoi nga Sulejmani si ndjenjën e shfrenuar të pushtetit por as makutërinë e të ëmës së saj.

Duke qenë vajza e Sulejmanit të Madhërishëm ishte e detyruar të ndiqte me zemër të thyer të gjitha ritualet e rënda të perandorisë Osmane, si fundin tragjik të vëllezërve të saj në luftën e pamëshirshme për fronin e Sulltanit. Por edhe rituale të tjera që ishin jashtë natyrës së saj. Mihrimani ishte me karakter të butë dhe e ndjeshme, i donte shumë njerzit e familjes si hallat e saj, kushurinjtë dhe vëllezërit e saj. Ishte më e lidhur me të atin se sa me të ëmën, ishte shumë e dhënë pas artit dhe kulturës.

Në vitin 1539 Mihrimani ishte 17 vjeç dhe e ëma vendosi ta martojë me një burrë me diferencë moshe shumë të madhe, ai ishte Rustem Pasha, të cilin ajo nuk e donte dhe nuk e deshi kurrë.

Me zemër të thyer ju bind rregullave të rrepta të perandorisë. Martesën e saj ato e quajtën si një xhest mirësie të Roksallanës ndaj pashait të madh të perandorisë, të cilin Sulltani e kishte zgjedhur për dhëndër. Ai ishte i përzgjedhuri i familjes së madhe, ata i falën skllaven e mençur e të bukur dhe të re zotit të saj të ligjshëm. Rusja nuk harroi sakrificën e të bijës për humbjen lirisë dhe të drejtës për të dashuruar, që t’ja çonte pashait plak. E merrni me mend shtypjen që shaktoi në shpirtin e një vajze fare të re kjo martesë e imponuar.

Por faktet historike burimore tregojnë një të fshehtë shumë interesante, në atë kohë Bullgaria si shumë shtete të tjera të botës ishte pushtuar nga perandoria turke. Ishte viti 1558, 160 vjet pas pushtimit të turqve, vendi i quajtur Strellca, i famshëm për burimet e shumta me ujë mineral, u bë pronë e të bijës së Sulltanit të madhërishëm si dhuratë e tij personale për vajzën Mihrimanin e shtrenjtë. Këtë fshat të bukur ja kishte bërë dhuratë Sulltani Mihrimanit për martesën.

Ndërsa Rustem pasha si vakëf përfitoi vendin e quajtur Arbanas (që ishte populluar nga shqiptarë).

Me të ardhurat e këtyre vakëfeve dhe vakëfeve të tjera çifti filloj të merrej me bamirësi si dhe me aktivitete kulturore.

Mihrimani porositi shqiptarin e famshëm në të gjithë perandorinë arkitekt Sinanin – që ishte arkitekti kryesor i perandorisë, të ndërtonte ndërtesa të veçanta. Sipas urdhërit të saj ai ndërtoi xhaminë e quajtur “Mihrimah xhamija” në Odrin, “Iskile xhamija” në Stamboll dhe shumë imarete (ambjente bamirësie, strehëza ku shpërndahej ushqim falas për të varfërit dhe të pastrehët).

Arkitekt Sinani ka ndërtuar edhe xhaminë e madhe që gjendet në qendër të Sofjes.

Por një dashuri e zjarrtë ja pushtoi zemrat dy të rinjve.

Arkitekt Sinani u dashurua marrëzisht me Sulltan Mihrimanin, së cilës zjarri i dashurisë ja pushtoi zemrën, vetëm atëherë e bija e Roksollanës e kuptoi ndjenjën më të lartë të dashurisë. E përmendur për inteligjencën natyrale në mënyrë që ta përcillte sa më bukur ndjenjën e dashurisë, ajo u përkushtua artit të pikturës – por pikturës mbi ujë –të quajtur ebru.

Jeta e saj ishte si pikturat që bënte mbi sipërfaqe – disa figura vetëm i prekte, të tjerat shkriheshin. Pikturat e saj ishin plot me dashuri për Arkitekt Sinanin, por edhe me vuajtje, me ndrydhje të shpirtit që pikonte lot…

Por çfarë thonë kronikat e asaj kohe për dasmën e të mirës e të bukurës Sulltan Mihrimanit dhe Rustem pashës.

Siç e përmenda edhe më lart ajo ishte pika e dobët e Sulejmanit të Madhësishëm. Dasma e tyre ishte me të vërtetë si në përrallat e njëmijë e një netëve e pa imagjinueshme. Për vite me radhë tregohej e tregohej për këtë dasëm të rrallë.

Njerëzit e tregonin si përrallë, për të ftuarit e mrekullueshëm, për kalorësit e zbukuruar por edhe kuajt i kishin zbukuruar si njerëzit, për kostumet e verdha me të kuqe të jeniçerëve, pjesa ku ishin të ftuara vetëm vajzat zbukuruar me qirinj shumë ngjyrësh të gjata sa selvia me kurora prej lulesh ngjyra ngjyra, po veshjet e tyre të mahnitshme, ndërsa për njerzit e ritur kënaqeshin duke ja treguar fëmijëve dhe nipërve të tyre dhe kështu rëfimi shkonte brez pas bezi. Karroca e çiftit të sapo martuar ishte e mbuluar me tyl mëndafshi nga të dyja anët, tërhiqej nga katër kuaj të bardhë, provokonte një marramendje të vërtetë.

Dhurata pa fund nga e gjithë bota, pallto dhe gëzof me lëkura nga kafshë të rralla, bizhu me gurë të çmuar, djamante, ar, zjarre, fishekzjarre deri në mëngjez, bakllava, ëmbëlsira nga gjithe bota, byreqe nga më të ndryshmet, ushqim për të gjithë. Kjo ceremoni u mbajt mend shumë gjatë jo vetëm në Stamboll por edhe nëpër qytete të tjera të Turqisë.

Akrobat dhe cirk, zhonglerë apo magjistarë të ardhur enkas nga shumë vende të botës që mahnitën popullin me numrat e tyre artistike. Këngëtarë, valltarë, orkestra të shumtë mbetën në mendjen e popullit turk për një kohë shumë të gjatë. Pleqtë u tregonin nipërve dhe mbesave se si dyzetë ditë dhe dyzetë netë vazhduan festimet dhe ceremonia e martesës së Mihrimanit të mjerë.

Këngëtarët, të pasur me muzikën ‘tallava’



Muzika është ëndërr për shumë të rinj. Dashuria e madhe që kanë shqiptarët për muzikën është aq e madhe, saqë nuk shuhet kurrë, edhe pse kjo dashuri mbase nuk është shumë e madhe për muzikën sesa për dëshirën për t’u bërë i pasur, andaj edhe vrapojnë pas stilit që e ha pazari më së shumti, e ai është stili ‘tallava’. Shumë këngëtarë përmes muzikës janë bërë njerëz të pasur dhe sot kanë pasuri shumë të madhe.
Viteve të fundit gjithnjë e më shumë muzika po kthehet në një biznes fitimprurës. Sot, këngëtarët duket se më shumë bëjnë këngë të qëlluar, sepse ajo këngë u sjell dhjetëra mijëra euro për një muaj.

Muzika, ekzistencë për familje

Kitaristi i mirënjohur, Naser Dula, thotë se këngëtarët e shohin si biznes të mirë muzikën. “Mendoj se shumica e këngëtareve e shohin si biznes atë, sepse është ekzistencë për familje, dhe shkaku i kësaj shumë këngëtarë veprojnë ‘Sipas vendit bëhet kuvendi’. Solistët kur shkojnë të këndojnë në koncerte dhe sidomos në dasma, pronari dhe dasmori po ua kushtëzojnë të këndojnë muzikë ritmike, posaçërisht muzikën e huazuar joshqipe, të cilën mbi 90% e këngëtarëve e kultivojnë, pra konkretisht muzikën tallava, e cila muzikë e ka prejardhjen nga një solist rom, Tafa”, tha ai. Mirëpo, që muzika jonë të ecë në rrugën e duhur dhe të mos ketë shumë probleme të këtilla, sipas Naser Dulës, do të duhej që institucionet e kulturës ta ruajnë dhe të kultivojnë muzikën e pastër shqipe, me qëllim që të stimulohen këngëtarët. “Për ta kultivuar muzikën e pastër shqipe popullore duhen të kujdesen institucionet e kulturës për t’i stimuluar solistët dhe ata të mos kenë nevojë të krijojnë muzikën ‘shund dhe kiç’, flas për solistët që kanë talent dhe që shkollohen me zërin profesional, kurse për solistët që nuk kanë vlera, institucionet as që duhet t’i përkrahin. Këtu duhet të luajnë rol edhe mediumet që t’i stopojnë spotet që nuk kanë vlera artistike”, mendon ai. Kurse, këngëtari tjetër Visar Peja thotë se komercializimi ka bërë që muzika të shihet si biznes potencial. “Komercializimi i jetës në përgjithësi po i shtyn interpretuesit e këngës që të mendojnë si biznes, përderisa në kohën e përparme muzika ka qenë hobi, sepse punësimi ka qenë në nivel, kurse tani kushtet dhe dinamika e jetës po i shtyjnë që të materializojnë muzikën”, tha Peja.

Fitimi nga kënga

Këngëtarja Adelina Emini thotë se është bërë e domosdoshme të mendohet se muzika është biznes. Kjo, për shkak që papunësia është e madhe dhe është shumë normale që të fitosh nga një këngë që shpenzon për të. “Mendoj se muzika sot jo vetëm në Kosovë, por në çdo vend të botës është kthyer në një industri, në një biznes. Është shumë normale që të mendohet kështu, sepse për ta bërë një këngë të mirë investon para dhe do që ato shpenzime përmes koncerteve t’i nxjerrësh”, tha ajo. Në fakt, edhe këngëtarët kanë shumë shpenzime, sepse për ta bërë një këngë dhe klip të mirë duhet së paku 5 mijë euro, që për një këngëtar të ri dhe të talentuar është shumë e madhe për t’u arritur. Sidoqoftë jo vetëm në Kosovë, por në shumë vende të tjera këngëtarët fitojnë miliona. Dihet mirë se këngëtarët e rangut të Madonës marrin për një koncert të vetëm deri në 5 milionë dollarë apo më shumë. Ndërkaq, këngëtarët tanë marrin më shumë para për natën e Vitit të Ri, ku pagesat shkojnë nga 3-7 mijë euro për një natë të vetme.

B. ZYBERI

Rexhep Ismajli: Teza për prejardhjen trakase të shqipes nuk qëndron

Në ligjëratën e tij, "Diskutime për prejardhjen e gjuhës shqipe", akademik Rexhep Ismajli ka thënë se shkenca deri më sot nuk ka mundur të hedhë poshtë hipotezën se ilirishtja është nëna e shqipes.
Gjuha shqipe është bijë e ilirishtes së lashtë. Të gjitha hipotezat shkencore e mbështesin këtë fakt. Edhe pse nga ilirishtja nuk është trashëguar asgjë e shkruar, shkenca e gjuhësisë, duke u mbështetur në metodat ndihmëse, ka arritur të na japë fakte të qëndrueshme se gjuha shqipe është vazhdimësi e ilirishtes së vjetër. Kështu ka thënë në ligjëratën e tij - "Diskutime për prejardhjen e gjuhës shqipe" - akademik Rexhep Ismajli, mbajtur dje në kuadër të Seminarit të shqipes. Në ligjëratën e tij, që zgjati më shumë se një orë dhe që u përcoll me një interesim të madh nga seminaristët, akademik Ismajli, duke krahasuar rezultatet e shumë albanologëve të ndryshëm, të cilat kanë dhënë versione të ndryshme e të shumta e herë-herë politike mbi prejardhjen e shqipes, duke konkluduar në fund se shkenca deri më sot nuk ka mundur të hedhë poshtë hipotezën se ilirishtja është nëna e shqipes, ndërsa ka pohuar se dëshmi e kësaj janë huazimet e vjetra të latinishtes dhe greqishtes në shqipen. Po, sipas Ismajlit, shqipja ka kaluar të gjitha ndryshimet që kanë prekur edhe gjuhët e tjetra indoevropiane dhe përmes këtyre edhe dëshmohet vjetërsia e saj. "Hipoteza për origjinën trake të shqipes nuk qëndron shkencërisht. Nuk ka dëshmi për këtë", ka thënë Ismajli. Megjithëse ka shtuar se ka ende hapësira për diskutim dhe shkenca do të sjellë dëshmi të tjera për vjetërsinë dhe gjenezën e shqipes. Ai ka thënë se edhe hipoteza se shqipja është formuar nga mbetje të gjuhëve të popujve antikë ballkanikë nuk është parë shkencërisht si një hipotezë pa fakte. Kurse sa u përket studimeve serbe, ai ka thënë se shumica prej tyre kanë qenë të ndikuara nga politika dhe në shërbim të saj. Duke folur për formimin e shqipes, ai ka thënë se gjuha shqipe është formuar në një territor të romanizuar. "Shqipja ka shumë elemente latine dhe studimet kanë treguar se këto elemente janë të vjetra, disa janë më të vjetra se të gjitha gjuhët romake", ka thënë ai, duke shtuar se disa shkencëtarë marrin Dardaninë si vend ku është krijuar shqipja, ndërsa arkeologët kanë një mendim tjetër. Ndërsa duke folur për vendin e lindjes së shqipes, akademik Ismajli ka thënë se gjuhëtarët më shumë e mbështesin trevën e Dardanisë. Po në kuadër të Seminarit, gjatë ditës së djeshme përveç kurseve të gjuhës shqipe në dy nivele, janë mbajtur edhe referime.
Isa Vatovci

Kritikët, prijës të degradimit të letërsisë



Viteve të fundit, letërsia në Kosovë nuk i ka punët dhe gjithaq mirë. Kjo, sepse kemi kritikë letrare që shkruajnë për miq dhe për disa vepra që nuk vlen të vlerësohen aq shumë nga kritikët.

Në superlativ për veprën që nuk e meriton

Shkrimtari Reshat Sahitaj thotë se kritika në Kosovë nuk është pas kritikëve tjerë të vendeve fqinje, por kritikët tanë janë të manipuluar dhe të shtrënguar të shkruajnë për atë që i paguan. “Është dëm i madh kur një kritikë letrare nga kushtet ekonomike shtrëngohet të shkruajë në superlativ për një vepër që nuk ka asnjë vlerë letrare. Më ka rastisur të lexoj vlerësime të emrave të njohur për disa libra që nuk vlejnë të publikohen, për disa poetë e poete që nuk e meritojnë statusin e krijuesit. Kritikët e tillë u japin shpresë krijuesve dhe krijueseve që ata/ato të vazhdojnë ende të paraqiten si ashtu, e nuk janë të tillë”, tha Sahitaj, duke shtuar se pikërisht përkrahja e kritikës së pakontrolluar ndikon që disa poetë të bindur se mund të barazohen me krijues të mirëfilltë shkaktojnë incidente në takime letrare, siç ndodhi në Mitingun e Poezisë në Gjakovë, ku një femër me revole e kishte detyruar komisionin që të lexonte në mbrëmjen qendrore. Pa dyshim se në letërsi duhet çmuar vlerat. “Kritikët duhet të kenë kritere se duke u paguar nga sharlatanë e sharaltane nuk i bëjnë nder as vetes, e as letërsisë. Këta sharlatanë e sharlatane kohëve të fundit kërkojnë t’i lexojnë poezitë e tyre në çdo ngjarje kulturore dhe po qe se nuk i lejon stafi organizativ, këta/këto bëjnë skandale. Duke i ngritur antivlerat në vlera, letërsia jonë degradohet, sepse lexuesi nuk di cila vepër është e mirë, e cila jo. Duke i ngritur antivlerat, kritiku ynë krijon konfuzion në mendjen e krijuesit të padijshëm, aq sa ai krijues/krijuese bëhet narcistik dhe egocentrik, që i detyron të gjithë krijuesit e mirëfilltë t’i largohen nga rruga, e tërë hapësirën ta keqpërdorin për vete”, tha Sahitaj. Ndërkaq shkrimtari Fahredin Shehu thotë se kritika është prijatar i degradimit të letërsisë sonë, e cila po vazhdon të degradohet dhe kjo nuk është e vetmuar, është një suitë e tërë që i shkon pas. “Nuk është fajtore vetëm kritika, është çështje e mendësisë, ngecjes në zhvillimin psikologjik dhe qytetërues. Ende mendohet në raporte shoqërore fisnore, nëse flasim me fjalor sociologjik. Mirëpo, kritika letrare e korruptuar këtu po bëhet me imazh të degradimit”, mendon Shehu.

Mungon sistemi i vlerave

Poeti dhe publicisti Avni Rudaku shprehet se kritika letrare në Kosovë degradon orientimin e lexuesve, madhëron vepra të cilat nuk duhet humbur kohën në përzgjedhjen e librave dhe ndikon negativisht në stimulimin e lexuesve. “Letërsia, ndonëse zhvillohet me kritikën dhe aty ku ka kritikë të zhvilluar letrare, pa dyshim se ka emancipim në rrjedhat zhvillimore letrare, por ndonjëherë në fazat e zhvillimit letrar historik, ndonëse ka pasur letërsi shumë kualitative artistike dhe kreative, nuk e kemi pasur të zhvilluar kritikën”, nënvizoi ai. Rudaku shton se marrë në tërësi, ku ka zhvillim të kritikës letrare, ka edhe zhvillime të letërsisë, sepse kritika, ngjashëm si kasapi që heq pjesët e dëmshme dhe jo të përdorshme nga kafsha ushqyese, ashtu edhe kritika heq pjesët e dobëta të krijimtarisë letrare, jep sugjerime, konstaton dhe jep vlerësimin për vendin që zë një vepër e caktuar në një sistem aktual të vlerave letrare. “Prandaj, ndonëse krejt akuza nuk mund t’i shkojnë kritikës, ajo mban një përgjegjësi të madhe për vlerësim euforik e komercial për disa vepra, për të cilat nuk mund të thuhet se kanë ndonjë vlerë të veçantë dhe inovative letrare. Mungesa e kritikës profesionale e pengon afirmimin e vlerave të duhura letrare dhe i orienton gabimisht lexuesit. Duke e orientuar gabimisht lexuesit, në fakt e rrit zhgënjimin me vlerat lokale letrare, sepse mostra përfaqësuese është e shëmtuar si referencë letrare nga kritika për lexuesit”, mendon ai. Kurse Ragip Sylaj tha se kritika tash për tash është në situatën e shumë punëve e çështjeve që i ka shoqëria jonë. “Më e mira do të ishte ta kishim një sistem të hairit të vlerave në përgjithësi, e së këndejmi edhe kritikën si udhërrëfyese në planin krijues”, mendon Sylaj.

B. ZYBERI

Roli i femrave në krijimtarinë e artistëve




Pasionet e një burri ndaj një gruaje janë të thella, intime dhe lindin nga sensualiteti. Burri ka nevojë të kapet pas gruas, por edhe gruaja pas burrit. Mirëpo, sa jetojnë në paqe, gjithnjë varet nga administrimi i të dyve. Hekuri kërkon magnetin. Sipas psikoanalistit Sigmund Frojd, lidhja direkte ka të bëjë me seksin. Mendimet e tij qenë revolucionare. Që në fillim Frojdi nuk e pranonte idenë se seksualiteti ka influencë kaq të madhe në jetën e njeriut. Observimet e tij klinike e detyruan ta pranojë këtë ide me kurajë. Ai shkoi nga observimet drejt përgjithësimeve. Që në fillim të shek. XX Frojdi pohon: "Seksi është forca primare në jetën humane". Ai krijoi zhvillimin psikoseksual, i cili fillon herët në fëmijëri. Te kompleksi i Edipit, Frojdi theksoi se një djalë tërhiqet seksualisht nga nëna. Në të njëjtën kohë ka ankthin e kastraksionit (tredhjes), apo një frikë inkoshiente, ngaqë babai do ta ndëshkojë. Ndërsa, kompleksi i Elektrës, sipas Frojdit, është dëshira e vajzës për ta zotëruar seksualisht të atin, në marrëdhënie ta zëvendësojë; nënën e saj. Nga kjo Frojdi nxjerr se pakënaqësia që ndien vajza për trupin e saj të plotë dhe fajin e trupit deficitar që ka nëna. Kjo ishte që në fëmijëri.

Të ndikuar nga femrat

Artistët e famshëm, duke u nisur nga Salvador Dali, Pablo Picasso, Van Gogh, Amadeo Modigilani, Pol. Gogen, Ogist Roden, Jackson Pollock, Charles Bodler, Edgar Allan Poe, Eugene Ionesco, në të vetëdijshmen dhe pavetëdijshmen ishin të ndikuar nga femrat, të cilat dominojnë në telajo. Mirëpo, a ishin vërtet dashuriçka të thella ato? Me siguri se po. Por, ndoshta me të gjitha nuk kishin marrëdhënie frojdiane, ngaqë dashuria platonike shpaloset si forma më sublime e dashurisë. Kjo dashuri është ëndërruese që epiqendër ka hyjnizimin e mendimeve tona dhe krijon orbitën pas së cilës ne vërtitemi. Ne jemi të vetëdijshëm se subjektin e adhurimit tonë nuk mund ta kemi kurrë, prapë kultivojmë ndjenja, prapë dashurojmë. Kjo dashuri është fiksim, sinqeritet dhe e pastër, aspak e kushtëzuar nga ndonjë lloj interesi. Piktori i famshëm spanjoll, që njihet si babai i surrealizmit, Salvador Dali, tërë jetën ishte i dashuruar në Helena Devulina Diakonoff- Gala. Portretin e kësaj gruaje e gjejmë në çdo punim të Dalit. Gala nuk ishte vetëm e dashura që kishte kohë që e priste, por ishte një terapeute e aftë për t'i shpëtuar jetën. "Galën e adhuroj akoma më shumë nga ç'mund ta mendoja. Për më tepër, kam nisur të pikturoj ashtu sikundër një bilbil këndon. Papritmas kanarina ime - dhe është mjaft e çuditshme, ngaqë prej kohësh nuk këndonte më - nis të cicërojë", shënon mjeshtri i madh Dali. Pasi vdiq Gala, piedestali i punimeve të tij, mjeshtrit i është dukur si diç e pavërtetë. "Ajo nuk do të vdesë kurrë", ishin fjalët e tij.

Gratë, energjia kryesore e Pikasos

Ndërsa, piktori kubist Pablo Pikaso, i pasionuar pas femrave, ishte i idesë se gratë ekzistojnë në masë të madhe për lehtësi dhe kënaqësi. Oreksi i tij seksual ishte i papërmbajtshëm. Nëse një vajzë e bukur, e re, do të ndeshte te sytë e tij, ai do të paraqesë atë me një figurinë të artë të një njeriu të vogël me një organ seksual mashkullor të madh. Gjë të cilën e tregon në piktura. Femrat ishin energji kryesore që ai të krijonte piktura. Njëri nga biografët e Pikasos, Patrik O'Brajen, shkroi: "Ndjenja e Pikasos për gratë lëkundej mes ëmbëlsisë të skajshme nga njëra anë dhe urrejtjes së dhunshme nga ana tjetër. E, megjithatë, ai ishte i fiksuar nga gratë dhe nuk mund të rrinte pa shoqëruese femrash". Piktori tjetër i pasionuar pas femrave dhe që gjithnjë luajtën rol kryesor në krijimtarinë e tij ishte Amadeo Modigliani. Në Francë ai kishte hapur një ekspozitë të parë të nudove. U bë skandal dhe ajo u mbyll menjëherë, edhe pse pati fluks të madh vizitorësh. Nudot e tij janë femrat intriguese, kryesisht pozicione të shtrira ose të ulura. Madje, gruaja e tij Zhan, e cila luajti rol të rëndësishëm, spikatet mu ashtu siç ishte në portretin me fustan blu. Për këtë portret ai ka shënuar: "Kur t'i zbulojë sytë do ta kuptoj shpirtin". Krejt krijimtaria e tij përmblidhet në dy zhanre: në portrete dhe në akte, kryesisht të femrave.

Engjëllushja e Gogenit

Në anën tjetër, piktorit holandez Vinsent Van Gog nuk i shkoi mirë fati me femrat, edhe pse ishte mjaft i pasionuar. Në një kafene të Amsterdamit, Gogu njofton një lavire shëndetligë të quajtur Kristina. Ishte shumë e vrazhdë me një zë të padurueshëm, fytyrë plot rrudha, madje edhe e plakur para kohe. Ai e pikturon Kristinën dhe pikturat mbajnë emrin: "Femra me cigare", "Soro", "Vajza me shall". Mirëpo, të dytë nuk qëndrojnë gjatë, ajo braktisë Gogun. Edhe Pol Gogeni ndiente për femrat, madje pamëshirshëm i paraqiste në telajo. Anah, një femër e cila kishte për detyrë t'i shërbente mysafirët gjysmëlakuriqë. Piktori pasionohet pas saj, ajo ishte sinonim i virgjinitetit, bukuri përrallore, por edhe parajsë. Mirëpo, edhe kjo braktis Gogenin. Engjëllushja e tij ua kishte mbathur këmbëve. Ishte tretur në Paris. Edhe në fushën e letërsisë, tek poetët femra ishte personazh kryesor, përjetësi, enigmë e cila ka fuqi ta ndërrojë botën. Dhembje që plason artin. Çarlls Bodler poet i shquar po ashtu i pasionuar pas femrës dhe poezisë. Poezia, Një zonjë kreolë ishte me një histori. Pak para kthimit në Paris ai u njoh më kreolinën e bukur Jeane Duval, e cila u bë Venusi i zi i poetik, mishërim i gruas ekzotike, seksuale e të rrezikshme, të cilën e dashuroj për shumë kohë. Marrëdhëniet mes tyre ishin plot stuhi. Edgar Allan Poe, poet i madh, po sa ishte gjallë i papërkrahur ishte adhurues i femrave, por nuk kishte fat me secilën prej tyre. Femra ideale e tij Titanida, shfaqet në portrete të ndryshme, të cilat janë të shpërhapura në poezitë e tij. Në portrete, ku ndjehet e bukura dhe temperamenti i autorit shkrin çdo akull: "Ka shumë e shumë vjet. Në një vend afër në det, Ish një vajzë që mundni ta njihni tani, Nënë emrin Annabel Li; Dhe kjo vajzë më donte edhe tjetër s'kërkonte, Veç ta doja sikundër më donte", fillon poezinë Allan Poe kushtuar Anabel Li-së.

Gruaja, personazh i veprës

Edhe dramaturgu Eugen Ionesko dëshmon se gruaja e tij u bë personazh në vepër. "Këngëtarja tullace" ka lindur në momentin kur Jonesko në tramvaj e humb gruan dhe ajo i afrohet duke i thënë: " Z. Martin: Të më falni zonjë, por më duket nëse nuk gaboj, se ju kam takuar diku. Zonja Martin: Edhe mua, zotëri më duket se ju kam takuar diku". Andaj, ai këtë e fut edhe në vepër duke krijuar situata të ndryshme. Gjithnjë do të ekzistojë dashuria, kontakti dhe bota femërore si pjesë kryesore tek krijuesit. Në art dashuria është diçka shumë e çuditshme. Arrin të depërtojë atje ku nuk mund të ngjitet kultura, as intelekti, kapërcen kohën, krijon siguri, vetëm ajo ka të drejtë, edhe pse nuk do t'i japin të drejtë. Çelës kryesor, stimulim për t'u ngjitur, krijim i lumturisë, dëshpërimit, unazës kryesore tek krijuesi është femra e cila shpalos vullkanin e ndjenjave, por pa dashur vetveten asnjëherë nuk mund ta duash dikë tjetër.

Ylljet Aliçka, mes 10 shkrimtarëve më të mirë evropianë

description

“Netët e letërsisë evropiane 2012-2014” është motoja e projektit ndërkombëtar, partneritet i Bashkimit Evropian me qytetet Bërno, Bukuresht, Dublin, Lisbonë, Vilnius, Pragë dhe Vroclav, të cilat gjatë kësaj periudhe trevjeçare do alternojnë mes tyre emblemën “Kryeqyteti evropian i letërsisë”. “Netët e Letërsisë Evropiane” janë konceptuar mbi idenë se letërsia mbetet medium i vetëm krijues që përqafon zërat e shkrimtarëve bashkëkohorë me vlerat e shoqërive ku ata jetojnë. Në komunikatën përkatëse thuhet se “10 shkrimtarë të njohur bashkëkohorë nga vende të ndryshme evropiane, ardhur nga gjuhë e stile të ndryshme, nëpërmjet leximeve të tyre publike, si dhe veprimtarive të tjera promovuese, do të mundësojnë audiencën të udhëtojë nëpër Evropë, si dhe të njihet në një formë të re me vlerat e letërsisë së sotme evropiane”.

Të përzgjedhurit

10 shkrimtarët e përzgjedhur janë: Ingo Shulc nga Gjermania, Zadie Smith nga Mbretëria e Bashkuar, David Soares nga Portugalia, Ylljet Aliçka nga Shqipëria, Harkaitz Cano nga Spanja, Philippe Claudel nga Franca, Herkus Kuncius nga Lithuania, Borislav Pekiq nga Serbia, Petër Sabah nga Republika Çeke dhe Colm Toibin nga Irlanda.

Pse Kadare duhet të fitojë Çmimin Nobel?!


Shkruan: Nina Sabolik -



 Unë duhet ta urrej Ismail Kadarenë. Duhet ta urrej sepse jam maqedonase, kurse ai është shqiptar, ndërsa dy popujt tanë kanë qenë armiq për shekuj me radhë dhe kanë luftuar mes tyre jo më larg se një dekadë më parë. Duhet ta urrej sepse në një takim të kohëve të fundit të qendrave ndërkombëtare PEN, në Bled të Sllovenisë, ai ishte i vetmi që refuzoi të nënshkruante një peticion që kërkonte njohjen e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues, peticion që u nënshkrua nga të gjithë shtatëdhjetë shkrimtarët anëtarë të PEN-it, ndër të cilët edhe pesë shkrimtarë të tjerë shqiptarë. Duhet ta urrej Ismail Kadarenë sepse është e dukshme që ai ka bashkëpunuar me regjimin e Enver Hoxhës, dhe nuk protestoi aq sa duhej kundër mizorive të komunizmit, mizori shumë të ngjashme me ato të Jugosllavisë komuniste, të cilat kanë lënë pasoja të pashlyeshme edhe në familjen time për më shume se tre breza. E megjithatë, pasi kam lexuar romanet dhe shkrimet e tij, jo vetëm që unë nuk e urrejë atë, por dua që ta shpall si kandidat për Çmimin Nobel për Letërsinë 2013. Më lejoni të shpjegohem se pse.



Kadare ka lindur në vitin 1936 në Gjirokastër, një qytezë e vogël si në përralla, diku mes maleve të jugut të Shqipërisë, e cila ka shërbyer si mjedisi ku zhvillohen ngjarjet e disa prej romaneve të tij, përfshirë romanin “Kështjella” (1970) (Angl. The Siege, 2008). Kjo qytezë ka edhe famën unike dhe ironike e të qenit vendlindja e Enver Hoxhës, diktatori që sundoi për një kohë të gjatë në Shqipëri. Kadare ishte gjithashtu pjesëtar i kuvendit popullor komunist për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, para se më në fund të kërkonte azil politik në Francë në vitin 1990-pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe në prag të shkërmoqjes së komunizmit në 1991. Ai ishte kryetari i një organizate kulturore që mbikëqyrej vazhdimisht prej Nexhmije Hoxhës, të shoqes dhe krahut të djathtë të diktatorit. Ai madje botoi romanin “Dimri i madh” (1977) një glorifikim i vendimit udhëheqës të Hoxhës për shkëputjen e Shqipërisë nga Rusia staliniste në vitin 1961.

Nga ana tjetër, disa prej librave të tij u ndaluan gjatë tridhjetë viteve që ai jetoi si shkrimtar në Shqipërinë komuniste. Ndër to renditet edhe romani që mendohet si më i miri i tij, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981; Angl. The Palace of Dreams, 1990), i cili heq një paralele të dukshme mes regjimit të Hoxhës dhe një vendi të trilluar ku ëndrrat shqyrtohen për të gjetur tek to shenja të disidencës politike. Prapëseprapë, në sajë të fuqisë së mendimit të tij të lirë, Kadare jo vetëm mbijetoi, por shkëlqeu si shkrimtar në një vend ku shkrimtarët zakonisht merrnin rrugën e ekzilit, burgoseshin ose ekzekutoheshin për sulme shumë më të vogla ideologjike.

Me qenë shkrimtar në Shqipërinë komuniste duhet të ketë qenë pak a shumë si me qenë kronikani i romanit “Kështjella”, roman i cili sikurse disidenca e Kadaresë, përbën një alegori të alegorisë. Në thelbin e vet, nuk është thjesht një kritikë e komunizmit, por edhe një refleksion mbi relativitetin kulturor të përfaqësim historik. Njëlloj si në fabulën e romanit “Kështjella” dhe po kështu-njëlloj sikur ka ndodhur në familjen time, në të cilën komunistë të vijës së ashpër, pjesë e klasës punëtore, socialistë liberal pjesë e borgjezisë, dhe antikomunistë konservatorë përziheshin dhe lidhin martesa mes tyre-jeta politike e Kadaresë nuk shpërfaq një kufi të qartë mes komunistëve “të këqij” dhe disidentëve “të mirë”. Në vend të kësaj, në prozën e tij letrare, Kadare përdor thjerrëzat e historisë për të shenjuar natyrën e ndërlikuar të kundërshtimit politik në përgjithësi. Kronikani i “Kështjellës”, një oportunist politik, për shembull, rrëfen historinë e përplasjes mes ushtrisë otomane dhe armikut shqiptar, histori e cila shndërrohet nga ana tjetër prej kritikëve bashkëkohorë në një rrëfim për përplasjen midis komunistëve dhe kundërshtarëve të tyre. “Kështjella”, sikurse disidenca e Kadaresë, është një alegori e alegorisë. Në thelb, nuk është vetëm e vetëm një kritikë ndaj komunizmit, porse një refleksion mbi relativitetin e përfaqësimit historik në një ushtri të madhe të Lindjes në kohën e Perandorisë Otomane.

Portretizimi që i bën Kadare Tursun Pashës, komandantit të ushtrisë otomane tek “Kështjella”, portret simbolik i Enver Hoxhës dhe diktatorëve ushtarakë kudo në botë, është shumë domethënës në këtë aspekt. “Nata ishte shtatzënë dhe ai ishte në barkun e saj, krejt i vetëm” është, për shembull, mënyra se si kronikani përshkruan gjendjen shpirtërore të Pashait në prag të rrethimit. Një personazh shumështresor në muzg të jetës së vet, i shqetësuar për tatëpjetën që ka marrë karriera e tij ushtarake, Tursun Pasha ndihet i shtypur peshës se detyrës vetjake dhe qytetërimit që përfaqëson, detyrë të cilën ai synon ta përmbush. Në barkun e mëdyshjeve të tij, ai përballet me vlerën e jetës së tij të kaluar si shërbëtor dhe shestues i një perandorie rishtare dhe mizore. Në fund të vrojtimit të tij sogjetar, qielli i përflakur që shfaqet kah Lindja është ogur i një rrethimi të përgjaktë, dhe vdekja e tij është i vetmi çlirim prej kufijve të perandorisë . Kësisoj, “barku i errët i natës” luan funksione të shumëfishta simbolike-ai është rravgimi i brendshëm i një njeriu që kërkon të shpëtojë prej peshës shtypëse të historisë, zgjedhës së një perandorie gjigande e cila shtrihet në drejtim të perëndimit, dhe, kjo nënkupton në mënyrë të pagabueshme, perandorinë komuniste të Stalinit. Vetvrasja e Tursun Pashës në fund të rrethimit thekson kuptimin e njëmendtë të kësaj metafore, vdekjen e tij e cila kthehet në “një lloj vendi të askundgjetshëm, i cili është jashtë pushtetit të ligjit, jashtë botës dhe Perandorisë.”

Një element tjetër i kritikës së Kadaresë ndaj regjimit të Hoxhës është sulmi i tij ndaj idesë së çkombëtarizimit, e cila tek “Kështjella” e ka zanafillën tek Padishahu, ose me një fjalë tjetër Sulltani, ide e cila ishte kaq e parapëlqyer në perandorinë më të vonë komuniste. “Padishahu i Madhërishëm” na rrëfen kryemjeshtri “ka caktuar të tjerë për t’u marrë me çështje të kësaj natyre. Ata të gjithë janë ustallarë të çkombëtarizimit… ustallarë në kalbjen dhe gërryerjen e kombeve.” Këta “zanatçinj” kryejnë “rrënimin e kombeve përsëbrendshmi, rrënim që ka si pikënisje dhënien e ofiqeve të larta, eh, bash kështu, kjo është e keqja që mund t’i ul [kaurët] në gjunjë.” Me fjalë të tjera, është ideologjia shumë më shumë se lufta ajo që mund të thyej një komb: “Nuk mund ta quash një komb të pushtuar derisa të kesh pushtuar shpirtin e tij.” Njësoj si komunizmi, i cili lindi e u përhap prej revolucioneve të përgjakshme, për të dështuar më pas, ushtria otomane nuk i thyen dot luftëtarët atdhembrojtës shqiptarë vetëm me anë të forcës; janë mendjet dhe zemrat e njerëzve ato që janë kështjellat e njëmendta të një kombi.

Kadare i kthehet kësaj teme në romanin e tij më të fundit “Aksidenti” (2010; angl. The Accident), në të cilin gjurmohet ndikimi zvetënues i vlerave të shformuara perëndimore në Evropën Juglindore post-komuniste. Tek romani “Aksidenti”, megjithatë, armiku nuk është një diktator komunist, por mësymja ideologjike e vlerave të pamëdyshta perëndimore, të cilat, në emër të lirisë, kanë shprishur thelbin moral të Shqipërisë post-komuniste.” Ndryshe nga autorët disidentë të regjimeve të ndryshme diktatoriale, Kadare nuk sheh dritë në fund të tunelit të historisë. Nuk ka shpëtim prej ciklit të përjetshëm të konfliktit dhe pajtimit. Lufta vazhdon, në mënyra shumë të ndryshme. Nuk ka kurrfarë shpëtimi në anën tjetër të kufirit, dhe as në pararojën e një revolucioni të fisëm. Në këtë kuptim, rrethanat e Shqipërisë së Kadaresë i sfidojnë ato të Josif Brodskit se ekzili, qoftë ai fizik apo mendor, është i vetmi reagim i arsyeshëm ndaj një regjimi shtypës. Për Kadarenë, mënyra e vetme për t’i rezistuar një diktature, qoftë ajo komuniste, koloniale, apo neokoloniale, është që ta luftosh atë, sërish e sërish pa pushim, nga brenda, që nga thellësitë e shpirtit që e mban gjallë. Ekzili nënkupton një besim naiv në epërsinë morale të një pale ndaj një pale tjetër. Dhe këtu gjen shpjegim kundërshtimi i Kadaresë për të nënshkruar peticionin e delegacionit maqedonas për të njohur emrin e Maqedonisë-si një gjest politik, peticione të tilla kërkojnë në mënyrë të pashmangshme që të pozicionohesh në një anë: “Ose jeni me ne, ose jeni me [ta],” sikurse thoshte Xhorxh Bushi. Roli i një shkrimtari nuk është të zgjedh njërën prej kaheve ideologjike që përplasen, t’u shërbej interesave të njërit apo tjetrit kah, por të angazhohet një nyjëtimin e një kritike të sinqertë dhe të gjithanshme të secilës sosh, dhe më së mbrami, të tërheq vëmendjen tonë kah ajo që ne të gjithë kemi të përbashkët-humaniteti ynë.

Të gjitha vërejtjet kryesore ndaj kandidimit të Kadaresë për Çmimin Nobel e kanë zanafillën tek i njëjti burim: paaftësia e receptuesve perëndimor për të hedhur pas krahëve provincializmin e tyre kulturor dhe për të vlerësuar një shkrimtar i cili nuk i përshtatet stereotipit të letërsisë botërore, që James English e përshkruan si një mélange shumë-kulturore me aromë lokale. Më e para ndër këto vërejtje, është ideja që Kadare në një farë mënyre nuk ishte disident aq sa duhej dhe bashkëpunoi me regjimin e Hoxhës, ide e cila buron prej një klisheje tipike perëndimore për disidentët anti-komunist si personalitetete të shquara të tipit Solzhenicin që botojnë veprën e tyre disidente në rrethana të jashtëzakonshme, dhe më pas emigrojnë në perëndimin shkëlqimplotë dhe të lumtur-një version hollivudian ky për disidentin e Evropës Lindore. Kadare, nga ana tjetër, i përket aradhës së të padukshmëve që i rezistuan regjimeve diktatoriale nga brenda, një sipërmarrje shumë më shumë shkurajuese dhe heroike. Kadare mbijetoi për më shumë se dyzet vjet duke botuar romanet e tij të pabujshme në shpalljen e tyre disidente porse kryekrejet anti-komuniste dhe nën hundën e diktatorit stalinist Enver Hoxha. E vetmja gjë që do t’i jepte më shumë përmasat e një heroi Kadaresë, do të ishte vdekja prej persekutimit (një mundësi që gjithmonë ekzistonte) dhe nëse do të kishte botuar shkrimet e tij heretike duke i shpallur si t tilla mu në vetë botën komuniste.

Vërejtja e dytë, që lidhet thjesht me orakullin e shijes letrare, është nyjëtuar prej kritikut të gazetës “The New Yorker” James Wood, dhe ka të bëjë me romanin më të fundit të Kadaresë “Aksidenti”, për të cilin Wood mëton se “ka letrsi me tepri dhe shpesh është i fuqishëm, por është deri diku tepër letrar, andaj dhe fijet e alegorisë janë tepër të dukshme, me një dallueshmëri të dhimbshme.” Ndërkohë që nuk është synimi i kësaj eseje të bëjë në thellësi analizën e këtij romani, është e qartë nga eseja e Wood-it se subjekti paraqet “një alegori të ngasjeve dhe vargonjve të tiranisë së re post-komuniste, lirisë.” Kadare ka guxuar të sulmojë shenjtërinë e të gjithë ideologjisë imperiale perëndimore-lirinë. Ai pati kurajon të tregonte se liria që pasoi komunizmin nuk ishte një fund i lumtur, siç e ka paraqitur shtypi perëndimor; në fakt, ka gjasë të dalë të jetë fund edhe më i keq se vetë komunizmi. Shtypi perëndimor, që e kishte problem të lëvdonte virtytet e prozës së Kadaresë ndërsa ai minonte në heshtje armikun e tyre ideologjik-dhe madje e kritikoi atë që ishte më shumë i heshtur se sa duhej, dhe tepër i sofistikuar në sulmet e tij-befas tani mendon se alegoritë e tij janë tepër të dukshme dhe jo shumë të sofistikuara. Del qartë në kritikën e Wood-it që kjo është çështje ka të bëjë më shumë me përplasjen ideologjike se sa me meritën letrare.

Vërejtja e fundit, që gjeti jehonë në “New York Sun” në vitin 2005, ishte ideja se vepra e tij është tepër e hijedritshme dhe tepër e vështirë për t’u përkthyer, vendi i tij është tepër larg dhe me nam jo të mirë për audiencën perëndimore madje edhe për ta kuptuar (e jo më për ta vlerësuar)-buron nga i njëjti egocentrizëm perëndimor që e bën të vështirë ta imagjinosh Kadarenë si një kritik shumëpërmasor të ideologjive konfliktuale. Temat e romaneve të Kadaresë-alegoritë e tij për perandoritë e vjetra dhe të reja; çështja e historisë dhe kuptimit të saj; besimi i tij i pabujë dhe megjithatë i përhershëm në qëndresën e shpirtit njerëzor-të gjitha këto shkojnë përtej kohës dhe kufijve. Konteksti i rrëfimeve të tij nuk është thjesht Shqipëria në pika të ndryshme të historisë së saj, jemi ne-lexuesit, dhe botërat që ne krijojmë në mendjet dhe zemrat tona. Gjuha e tij, poetike dhe në të vërtetë e vështirë për t’u përkthyer me të gjithë përshkënditjen e saj të shkëlqimtë, ruan fuqive e vet edhe pas përkthimit prej një gjuhe të dytë, si në rastin e përkthimit të romanit “Kështjella” (Angl. The Siege), roman që është përkthyer në gjuhën angleze nga frëngjishtja, dhe jo prej gjuhës origjinale, gjuhë shqipe. Të lexuarit e letërsisë, sikurse kontakti me dikë që është ndryshe nga ti, kërkon gjithherë njëfarë përpjekjeje intelektuale për të mos e braktisur një shkrimtar vetëm e vetëm se ai është i huaj, çka do të ishte jo vetëm një akt dembelizmi porse po ashtu një humbje për ne si dhe qenie dhe bashkësi njerëzore.

Së fundi, që të kthehemi tek çmimet Nobel, këta Oskarë të botës letrare, çfarë kuptimi ka për to idealizmi apo “një vepër letrare me kah idealist” sot? Idealistët nuk janë njerëz që jetojnë në një kullë të fildishtë, që hedhin sytë ç’prej dritares së tyre të ngushtë drejt një qielli të stolisur me gjethe palme, për të përfytyruar një botë të qetë, në paqe dhe të lumtur. Idealistët janë shpesh kundërthënës dhe nganjëherë krejtësisht përçmues. Për ta, një qiell i stolisur me gjethe palme ka më shumë gjasë të shprehë vezullimin dhe zbehtaninë e ngjyrave teknologjike të kulturës bashkëkohore pop se sa një oaz të ndritshëm të së ardhmes. Për Kadarenë, të vazhdonte të shkruante kritika të errëta porse të sigurta për një kohë komuniste tashmë të perënduar do të kishte qenë më e lehta rrugë; ai do ta kishte çimentuar autoritetin e tij si shkrimtar i madh i Evropës Lindore që ka kritikuar komunistët e ligj. Në vend të kësaj, ai zgjodhi rrugën më të parehatshme, si për të edhe për ne; zgjodhi të ngrejë pyetje më shumë se sa të gjejë përgjigje për to; pyetje që nuk gjejnë përgjigje në të tashmen, dhe ndoshta, nuk do të gjejnë përgjigje asnjëherë edhe në të ardhmen. Ky është idealizëm. Dhe kjo është arsyeja se pse ai duhet të fitojë Çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 2013.

* Nina Sabolik është doktorante e letërsisë angleze në Arizona State University. Ajo është në procesin e përgatitjes së disertacionit për efektet e emigrimit tek nacionalizmi në veprat e shkrimtarëve emigrant jugosllavë në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...