2013-08-27

Premieri i Kosovës Hashim Thaçi mendon ta përdor Recep Tayyip Erdoganin për zgjedhje

image
















Partia Demokratike e Kosovës duket se e ka gjetur formulën për ta mbajtur Prizrenin. Partia në pushtet pritet që për t`i bindur prizrenasit që t’ia japin votën, ta përdorë hiq më pak se kryeministrin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Burime diplomatike i kanë thënë gazetës Tribuna se planifikohet që gjatë tetorit, kur veç të ketë nisur fushata elektorale për zgjedhjet lokale në Kosovë, vendin ta vizitojë kryeministri turk.
Të njëjtat burime kanë shpjeguar se arsyeja primare e vizitës do të jetë përurimi i punimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, të cilat janë bërë nga kompania turke “Limak” që e ka koncesionuar aeroportin.
Por, mysafirit të fuqishëm nga Bosfori, sipas të njëjtave burime, do t`i dalë punë edhe deri në jug të Kosovës. Ai do të qëndrojë në Prizren, qytetin e dytë për kah madhësia në Kosovë që aktualisht qeveriset nga PDK-ja. Partia e kryeministrit Thaçi nuk paramendon ta lëshojë në asnjë formë qeverisjen ne Prizren, as pas zgjedhjeve të ardhshme të tre nëntorit. 

Shtimi natyror, maqedonasit në minus zero

image














Komunat maqedonase shënojnë bilanc negativ të shtimit natyror edhe në tremujorin e dytë të vitit 2013.
Gati se të gjitha komunat me popullsi shumicë maqedonase, kanë më shumë raste të vdekjeve sesa numër të foshnjave të lindura.
Në dallim nga ky trend negativ, komunat shqiptare shënojnë, ashtu si në të kaluarën, numër pozitiv të shtimit natyror duke kontribuar përgjithësisht në shtimin natyror në nivel kombëtar.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), numri i foshnjave të lindura në tremujorin e dytë të vitit 2013, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është zvogëluar për 5.5% dhe është 5.470 foshnja.
Numri i personave të vdekur në tremujorin e dytë të vitit 2013 shënon ulje prej 5.4% në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit 2012 dhe është 4.618 persona, kurse 59 prej tyre janë foshnje të paslindura. Rritja natyrore është pozitive apo 852 persona, që do të thotë se për aq është numri i të porsalindurve më i madh se numri i personave të vdekur.
Nga tabelat e publikuara në raportin mbi lëvizjen natyrore të popullsisë, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013 shihet në komunat maqedonase përgjithësisht kemi ulje të shtimit, në ato shqiptare gjithandej paraqitet trendi pozitiv i rritjes.
Në qytetin e Shkupit gjatë tremujorit të dytë të këtij viti kemi 1548 lindje të gjalla dhe 1143 vdekje, nga të cilat në komunat shqiptare të Sarajit dhe Çairit kemi 53% të lindjeve dhe 20% të vdekjeve, apo më saktë në komunën e Sarajit kemi 168 lindje të gjalla dhe 47 vdekje, kurse në komunën e Çairit kishim 222 lindje dhe 129 vdekje.
Komunat Aerodrom, Gazi Babë, Butel, Gjorçe Petrov, Karposh, Kisella Voda, Qendër dhe Shuto Orizari së bashku kishin 47% të lindjeve të gjalla dhe 80% të vdekjeve në qytetin e Shkupit, apo 1.158 lindje të gjalla dhe 967 vdekje.
Një situatë të ngjashme kemi pothuajse në tërë territorin e republikës, kështu “gërshërët e shtimit” kanë prekur të gjitha qytetet maqedonase ku prinë Manastiri me 223 lindje dhe 286 vdekje, Velesi me 110 lindje dhe 164 vdekje, Koçani me 70 lindje dhe  103 vdekje. Sa i përket komunave të banuara me shumicë shqiptare prinë Tetova me 321 lindje dhe 166 vdekje, Studeniçani me 117 lindje dhe 20 vdekje, Gostivari me 219 lindje dhe 150 vdekje, Struga me 159 lindje dhe 98 vdekje.
Trendi pozitiv i shtimit të popullsisë vërehet edhe në vendbanimet tjera, si në Likovë me shtim prej 59 personave, Zhelinë 55, Haraçinë me 38, Dibër 31, kurse me Kërçovën që ka 80 lindje dhe 60 vdekje në këtë tremujor mbaron lista e trendit pozitiv të komunave të banuara me shumicë shqiptare.
E vetmja komunë me shumicë shqiptare ku paraqitet trendi negativ i shtimit të popullsisë është komuna e Zajasit në të cilën në tremujorin e dytë të këtij viti kishte gjithsej 11 lindje të gjalla dhe 22 vdekje.

Vitet 1970: Epoka e sekretareve seksi

image

















“Zyrat e kohës së pasluftës qenë shpesh mbretëritë e seksit, por ato qenë gjithashtu vende ku agresioni seksual ishte në nivele të tmerrshme”, thotë Lucy Kellaway në një raport special për BBC
1. Christine Hendricks n+½ rolin e Joan Holloway n+½ serialin televiziv Burra t+½ +çmendur nd+½rsa po ec+½n n+½ rrug+½ n+½n v+½shtrimin e kat+½r meshkujveÇdokush që ka parë serinë “Burra të çmendur” (Mad Men) e di se në vitet 1950 dhe 1960 nëpër zyra ndodhte sasia më e madhe e gallatës së shënuar ndonjëherë. Pije. Cigare. Rroba. Reçipetat e jashtëzakonshme me majë dhe, mbi të gjitha, seks.
Po të krahasosh atë kohë me zyrat që ka bota sot, vërehet se nuk ka pije alkoolike dhe ka shumë më pak flirt. Një ditë, kur kolegu im më tha mua se i pëlqente bluza ime, menjëherë kërkoi ndjesë për faktin që e hapi këtë diskutim.
Në 60 vitet e fundit, qëndrimi ynë ndaj seksit në punë ka lëvizur nga mohimi te kënaqësia, te mosaprovimi dhe te moslejimi,
Sjellja mbizotëruese ka ndryshuar kaq shpesh, sa është e vështirë ta ndjekësh. Por si ndodhi që ne u bëmë kaq të çorientuar?
Qeniet njerëzore kanë qenë gjithmonë të prirura për të krijuar një mjedis sjelljeje të keqe. Por kur gratë mbërritën në zyra, mundësitë për sjellje të paedukatë arritën në një nivel të paparë.
Dhe objekti i dëshiruar? Natyrisht ishte sekretarja.
Në fillim të shekullit të njëzetë, sekretarja është bërë një arketip kulturor. Vajzat shpesh dëshironin të bëheshin sekretare kur të rriteshin. Djemtë dëshironin të martoheshin me një të tillë.
Kandidatja ideale ishte dikush që mund të bënte rolin e “bashkëshortes në zyrë”, duke kryer të gjitha detyrat në zyrë që bashkëshortja i bënte në shtëpi.
Manualet e hershme të aftësive të nevojshme për të punuar si sekretare janë shumë të ngjashme me guidat për një martesë të suksesshme.
“Mëso preferencat e tij dhe bindu ndaj tyre edhe në rast se ti nuk je dakord gjithmonë me idetë apo metodat e tij. Në mënyrë natyrore një mashkull kërkon që të gjitha dëshirat e tij të plotësohen, e kush nuk do? Supozo që ai ka gjithmonë të drejtë.”
Puna ishte e komplikuar. Sekretaret duhej të menaxhonin jo vetëm shefat e tyre, por edhe bashkëshortet e shefave.
“Pati një tension real mes bashkëshortes xheloze dhe sekretares që mendon se bashkëshortja po shpenzon të gjitha paratë e shefit”, thotë Julie Berebitsky, autore e librit “Seksi dhe zyra”.
“‘Bashkëshortja’ e zyrës duhej të blinte dhurata ditëlindjeje për bashkëshorten e shtëpisë. Pyetja e vërtetë ishte, cila bën më shumë për këtë burrë, gruaja në zyrë apo gruaja në shtëpi?”
Por nuk ndodhte gjithmonë që meshkujt bënin peshkaqenin për sekretaret, ndodhte që gjuetia të ishte edhe në krahun e kundërt.
Një sekretare në Nju Jork, në mes të viteve 1930, ishte shumë e etur të merrte një puthje nga shefi i saj. “Në disa raste, në punën time, ndërsa mbaj shënim fjalët e tij, terma të caktuar i lidh me seksin dhe kjo më bën të skuqem”, shkroi ajo.
“Terma të tillë si ‘mbajtja e topit’ më eksitojnë. Shefi im ka një farë interesi tek unë, mua më shijojnë puthjet e tij, por ai nuk vjen kurrë pranë meje.”
Edhe nëse vetë Don Draper (personazh i serisë televizive “Burra të çmendur”) ishte personi që po diktonte, unë e kam të vështirë të shoh se si mbajtja e topit mund të jetë në ndonjë farë mënyre eksituese.
Megjithatë, edhe pa ndihmën e topave të çelikut, lidhjet ndodhnin. Dhe në disa raste, përfundonin në mënyrë shumë të keqe.
Connie Nicholas ishte një sekretare në “Eli Lilly” në Indiana në vitet 1940. Ajo pati një marrëdhënie të gjatë dhe të stuhishme me shefin e saj, marrëdhënie që përfundoi kur ai e braktisi atë për t’u lidhur me një sekretare tjetër, më të re.
Nicholas nuk ishte shumë e lumtur. Në fakt ajo ishte aq e palumtur sa e qëlloi atë tri herë, hipi në makinën e kompanisë së tij – një “Kadillak” i bardhë – dhe u largua. Ajo tentoi pa sukses të vrasë veten dhe përfundoi në burg.
Si atëherë, edhe tani, kompanitë nuk e kuptojnë siç duhet situatën. Atëherë u vendos se problemi i vërtetë nuk lidhej me seksin, por me makinat – rrjedhimisht u vendos që në kompaninë “Eli Lilly” të mos mbaheshin më makina “Kadillak” të bardha. Të gjithë drejtorët u detyruan të shesin makinat e tyre ose t’i lyejnë ato.
Në vitet 1950 dhe 1960, gjërat filluan të ndryshonin. Pengesa e martesës – pra një ndalim pothuajse de facto i grave për të punuar pasi martoheshin, që kishte ekzistuar më parë – filloi të thyhej dhe bashkë me të, u hap mundësia për një karrierë të vërtetë.
Në industri të tilla si reklamat dhe publikimet, gratë filluan të avancojnë përtej pozicionit të sekretares. Rona Jaffe përshkruan në romanin e saj autobiografik “Më e mira e gjithçkaje”, se si ishte të punoje në sektorin e publikimeve në Nju Jork vonë në vitet 1950.
Një pije “Martini” ishte me detyrim në orën pesë pas dreke ashtu siç qenë edhe dilemat e përjetshme – kur shefi yt vendos dorën e tij te kofsha jote a duhet të buzëqeshësh ëmbëlsisht dhe të lutesh se do të kalojë, apo e detyron të ngrejë dorën në ijë?
Helen Gurley Brown, e cila më vonë u bë redaktore te revista “Cosmopolitan”, e dinte përgjigjen për këtë pyetje.
“Duhet ta keni parasysh, unë nuk mendoj se është e gabuar të përdorësh joshjen tënde seksuale dhe feminitetin për të ecur përpara në një vend pune. Në fakt, unë nuk mund të mendoj për ndonjë mënyrë më të mirë”, tha ajo.
Ajo pati ecur përpara përmes 17 vendeve të ndryshme pune si sekretare dhe në fund u bë shkruese tekstesh reklamash (copywriter) në Avenunë Madison, puna më e mirëpaguar në sektorin e marketingut.
Këshilla e saj për gratë: “Ti arrin te një burrë duke e trajtuar marrëdhënien me të në nivelin e tij profesional, pastaj qëndron vërdallë për ta joshur dhe peshkuar seksualisht.”
Libri i parë i Gurley Brown, “Seksi dhe vajzat beqare”, shiti 2 milionë kopje në tri javët e para. Më 1962-shin, njerëzit e dashuronin dhe e urrenin atë, por nëse e lexon këtë libër 50 vjet më pas, vëren se ai ende nuk e ka humbur fuqinë për të të tronditur.
“Menaxherët që mendojnë se romancat ulin sasinë e punës e kanë shumë gabim”, shkroi ajo. “Një vajzë në dashuri me shefin e vet do të dalë në punë shtatë ditë në javë dhe do të dëshirojë të kishte më shumë ditë. E vështirë për të, por e mrekullueshme për biznesin.”
Por tani që e mendoj më gjatë këtë, një redaktor gazete më tha të njëjtën gjë jo shumë kohë më parë. Ai është shumë i lumtur që stafi të ketë histori dashurie, sepse përshtypja e tij ishte që ata punojnë më shumë.
Nga vitet 1970, lëvizja për të drejtat e grave po ngrihej. Më 1977-n, një grup grash organizuan një garë mes sekretareve për të zbuluar porosinë më poshtëruese personale që i patën kërkuar shefat e tyre.
Finalistët e garës dhanë përgjigje të tilla: transportimi i pajisjeve të zyrave të vjedhura drejt shtëpisë së tij, fotografimin e shefit para, gjatë dhe pas rruarjes së mustaqeve apo marrja e bashkëshortes së tij dhe foshnjës nga materniteti për ta dërguar në shtëpi.
Por në këtë kohë gratë kishin filluar të bënin punë të barabarta dhe sjellja e pabarabartë po bëhej e papranueshme. Në një çështje gjyqësore në Nju Jork më 1975-n, termi “agresion seksual” u dëgjua për herë të parë – ndukja e fundshpinës dhe komentet epshore do të dëgjoheshin më vonë.
U shkruan ligje që i bënë agresionet seksuale në zyrë ilegale, ndërsa kompanitë u përgjigjën me kontratat e dashurisë – deklarata solemne të firmosura nga punonjësit, ku përcaktohej se me kë mund të dilnin për një takim dashurie dhe me kë nuk mundej.
Askush nuk e vuri re këtë lloj ndryshimi.
Megjithatë, ky është një rrugëtim i gjatë që nga koha e zyrave ku punoi Gurley Brown, për të cilat ajo tha se “ishin më seksuale sesa edhe haremet turke, shtëpi vëllazërish nëpër fundjava apo qendra djemsh maço”.
Unë tashmë jam një nga tri gratë në bordin drejtues të një kompanie sigurimesh dhe mund t’ju siguroj se një mjedis më pak seksual se ky është vështirë të gjendet.
Megjithatë ka një obsesion të vazhdueshëm me idenë e grave drejtuese që shfrytëzojnë seksualisht djem të rinj. Ka shumë shembuj në botën e letërsisë dhe artit. Por a ka shembuj nga jeta reale? Deri tani, zero.
Por ky është edhe problemi me seksin dhe zyrat. Për sa kohë sekretarja e braktisur nuk i fut një plumb kokës shefit të vet – apo përdor postën elektronike të kompanisë – ngjarja nuk bëhet kurrë publike.
Lucy Kellaway është shkrimtare dhe kolumniste te “Financial Times”
Kartolinë nga vitet 1940
"Si një grua zyre ti i arrin të gjitha
Ti grindesh, nervozohesh dhe shan
Por pas pesë vjetësh ti je krejtësisht vetëm
Një rehati e paktë kur plakesh
 Romanca të famshme të zyrave"
Bill dhe Melinda Gates – Melinda French u bashkua me “Microsoft” më 1986-n. Ajo u takua me Gates në një ngjarje mediatike më 1987-n dhe ata u martuan më 1994-n.
Barack dhe Michelle Obama – Michelle Robinson ishte mentorja e Presidentit aktual kur ajo ishte në praktikë pune në një kompani ligjore në Çikago më 1989-n. Ata u martuan më 1992-shin.
Bill Clinton dhe Monica Lewinsky – Ish-presidenti u përball me akuza më 1998-n pas “marrëdhënies së papërshtatshme fizike” në Shtëpinë e Bardhë me praktikanten Lewinsky.
John Major dhe Edwina Currie – Ish-kryeministri konservator i martuar pati një marrëdhënie katërvjeçare me studenten Currie nga 1984-a deri më 1988-n.
 Gratë sekretare dhe poligamia
“Një sekretare ofron të vetmen lloj poligamie që ne pranojmë në këtë vend, shansin për të pasur një grua të dytë dhe në të njëjtën kohë të mos përfundosh në burg. Nëse e zgjedh atë me kujdes, ajo mund të jetë më e dashur me të gjitha përfitimet e mundshme. Dhe imagjino, është kompania që e paguan atë, jo ti!”
Helen Gurley Brown më 1962

Nipokrite: Gjermania e rendit Milosheviqin njëjtë si Hitlerin

image
Driton TALI
Hipokrizinë e “politikës së të mëdhenjve” e shpjegon mirë ky lajm që u botua në media gjithandej. Kjo edhe më shumë e çimenton faktin se megjithatë ka dy standarde për këta dy kriminelë, të cilët nga shumë intelektualë trajtohen njëjtë. Në rastin e Hitlerit, politika e tij me gjithë bashkëpunëtorët e tij, me plotë të drejtë u dënuan. Bile i dënuan edhe ata të cilët u distancuan nga Hitleri dhe u penduan për veprat e tyre. Si bie fjala, udhëheqësi i “Hitler Jugend” (Te rinjtë e Hitlerit), Baldur von 
Schirach, në gjyqin e Nurembergut u dënua me 20 vite, përkundër pendimit të tij dhe distancimit nga Hitleri. Gjersa, Ivica Daçiqi, udhëheqësi i “Të rinjve të Miloshevqit”, i cili (ndryshe nga Schirachu) për të kaluarën e tij (u morr vesh si njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Milosheviqit), edhe më tutje është krenar dhe asnjëherë nuk u pendua e as nuk u distancua. Dhe, jo që nuk u burgos, por për më tepër u bë kryeministër dhe udhëheqë (me krenari) negociatat për të ardhmen e rajonit. Sigurisht ai e bën këtë me bekimi e të mëdhenjve. Madje, Daçiqi pa fije turpi edhe i akuzon të tjerët për “krime e gjenocid” dhe ato akuza merren seriozisht nga demokracitë perëndimore !?
Patjetër të kujtohen këto gjëra, derisa e lexon artikullin (por edhe artikujt tjerë të ngjashëm) për ekspozitën "Gjyqet ndërkombëtare: Nga Nurembergu deri te Haga", e cila e rangoi Milosheviqin (dhe Serbinë e kohës së tij) në rangun e Hitlerit (dhe Gjermanisë naziste). Kuratorët e asaj ekspozite kishin prezantuar Milosheviqin dhe lidershipin serb të kohës së tij në rangun e Hitlerit dhe bashkëpunëtoreve të tij, duke i parë ata si të vetmit përgjegjës për luftërat në ish Jugosllavi dhe masakrat e kryera në emër të një Serbie të Madhe imagjinare.
Sa herë lexohen kësi artikuj na bëjnë të kuptojmë se sa shumë hipokrizi ka në politikën globale. Sepse, nuk është hera e parë që bëhet ky krahasim në sferën e artit. Hiq më larg se dy muaj më parë, në galerinë Satchi (në Londër) artistja Annie Kevans, e dhe një ekspozitë interesante me “Fytyrat e njoma të fëmijëve të cilët kur u rritën u bënë diktatorë”. Ku krahas Hitlerit ishte Milosheviqi. Ishin edhe kriminelët tjerë të njohur, si Pol Poti, Sadami etj.
Në këtë kontekste, vlen ta përmendim edhe spotin të cilin e publikoi OJQ-ja “Stopbechir”, në prill të vitit të kaluar (kliko: http://www.youtube.com/watch?v=16vjp3V_v44), me qëllim që të promovojë peticionin kundër masakrave të ushtrisë sudaneze të udhëhequra nga Omar al Beshir. Në atë spot, në mënyrë ironike kriminelët paraqiten si njerëz të zakonshëm, si bie fjala Hitleri, si pronar i dyqanit ku shiten kafshët shtëpiake, kurse Milosheviqi si luleshitës etj.
Njëjte edhe në sferën e letrave, krahasimi i Milosheviqit me Hitlerin ka filluar që nga fillimi i viteve ‘90-ta. Shumë intelektualë retorikën e Milosheviqit e trajtonin njëjtë si të Hitlerit. Me kohë ky trajtim u shpeshtua, sidomos pas gjenocidit të Srebrenicës e posaçërisht me fillimin e gjenocidit në Kosovë. Si bie fjala, revista amerikane “Time” (autori Timothy Garton Ash), në prill të 1999, e botoi artikullin “The new Adolf Hitler”; e përditshmja londineze “The Independent” artikullin (që kaloi në debat ku u involvuan shumë inteletkualë) “Why we are not wrong to compare Milosevic to Hitler” (Pse nuk gabojmë me krahasu Milosheviqin me Hitlerin) etj. Për mos t’i numëruar tashti emisionet e shumta televizive në kanalet e njohura, si: CNN, CNBS, BBC, SKY, TF1, ZDF etj.
Natyrisht ky krahasim zgjati edhe pas çlirimit të Kosovës nga Milosheviqit. Nga artikujt të cilët i pata lexuar, më pati pëlqyer shumë shkrimi “Slobodan Milosheviqi si Hitleri”, i intelektualit të mirënjohur turk, Yuksel Soylemez, i cili, në mes tjerash, pati shkruar se “Adolfi i urrente komunistët, dhe si i tillë u bë nazist nga bindjet. Slobodani ishte komunist sipas vokacionit, por u kthye në nazist me profesion. Që të dy karrierat politike dedikuan shkatërrimin në vend të ndërtimin. Milosheviqi ishte arkitekt shpirtligë (djall) dhe nxitësi kryesor i urrejtjes raciste, së pari në Kroaci, pastaj në Bosnje e së fundmi në Kosovë. Hitleri ishte mentori i tij si shfarosës profesional”.
Thënë shkurt, ky krahasim ka kohë që është bërë i zakonshëm. Bile nuk mungojnë rastet kur kritikohen politikan tjerë (të tretë), për arsye të ndryshme, dhe si krahasim merret tandemi “Milosheviq - Hitler”. Si p.sh., artikulli i Grant Walliser, i cili kritikoi një deklaratë të Julius Malema (politikanit të Afrikës Jugore) , në një artikull (prill 2010), me titullin “Malema, Milosevic, Hitler and the ticking bomb”.
Atëherë shtrohet pyetja se pse me gjithë këto krahasime nga intelektualë dhe aktivistë të mirëfilltë të OJQ-ve të ndryshme, nuk trajtohet Milosheviqi dhe klika e tij edhe nga politika ashtu!?
Që politika merret me standarde të dyfishta e shpjegojnë edhe rastet e Leni Riefenstahl dhe Heinrich Hoffmann. Regjisorja gjeniale Leni Reifestahl (Triumfi i vullnetit), e cila bëri aq inovime në regji, pas luftës u burgos dhe ia morën të drejtën e ushtrimit të profesionit. Përkundër faktit që ajo pati thënë se “pendimin më të madh e kam që kam njohur dikur Hitlerin”. Gjersa, Emir Kusturicës, si propagandisti me i shquar i Milosheviqit, i cili jo që edhe më tutje publikisht e mbron gjenocidin e Miloshevqit (me argumentin se “ne kemi luftuar me njëri-tjetrin, nuk kemi bërë dashuri!”), por edhe bën filma ku Miloshevqin dhe klikën e tij i paraqet si viktima, kurse viktimat si terroristë.
Për fund të përmendi edhe Heinrich Hoffmannin i cili edhe më shumë e thekson demagogjinë e politikanëve perëndimorë. Heinrich Hoffmann ishte fotografi personal i Hitlerit (asgjë tjetër më shumë), i cili në gjyqin e Nurembergut u dënua me katër vite burg. A keni dëgjuar se i ka ndodhur gjë fotografit të Milosheviqit!?

Në rast sulmi ndaj Sirisë, The Guardian: Edhe Shqipëria në hartë

image





Nëse Kombet e Bashkuara vërtetojnë se në Siri janë përdorur armë kimike dhe vendosin të ndërhyjnë ndaj regjimit të Al Assad, atëherë gjatë sulmeve do të përdoren edhe 4 aeroplanmbajtëse dhe dy luftanijet britanike që qëndrojnë në Shqipëri. Hartën e ndërhyrjes së mundshme ushtarake, e ka publikuar prestigjiozja britanike “The Guardian”, e cila rendit 8 vendet nga ku do të bëhet ndërhyrja.
Sipas gazetës britanike tre lojtarët kryesorë në rast të një sulmi janë Britania, SHBA, dhe Franca, të cilat kanë dislokuar forcat të shumta ushtarake në Mesdhe.
“Britania ka 4 anije luftarake, nën flamurmbajtesen HMS Biwark, një transportues helikopterësh dhe dy fregata në Shqipëri. SHBA ka vendosur 3 anije (destroyers) në lindje të Mesdheut, të mbështetura nga një e katërt, USS Mahan.
Franca ka avionë Rafael dhe Mirazh të vendosur në Arabine Saudite gjë që mund të mbërrijnë në Siri përmes bazave amerikane në Incirlik dhe Izmir të Turqisë dhe bazës së Forcave Britanike në Akrotiri, Qipro e kanë më shumë gjasa të jenë pikënisje për ndonjë sulm te mundshëm”- shkruante dje “The Guardian”
The Guardian publikon një hartë ku janë dislokuar mjetet ushtarake të SHBA-së dhe Britanisë.
Në Itali dhe Greqi janë dislokuar mjete ushtarake amerikane. Në Shqipëri Qipro janë mjetet ushtarake britanike.
Ndërkohë prania e forcave britanike në Shqipëri prej disa ditësh është deklaruar si një stërvitje e përbashkët shqiptaro-britanike në kuadër të NATO-s, me emrin “Albanian Lion 2013″. Forcat Britanike në Shqipëri ndodhen në brigjet e Jonit prej 24 gushtit dhe do të zgjasë deri më 13 shtator.
(Foto: Harta e pozicionimit të bazave ushtarake e pulbikuar nga “The Guardian”)
Autoritetet e SHBA, Britanisë, Francës do të mblidhen rreth 100 km larg Damaskut, pikërisht aty ku armët kimike mendohet të kenë shkaktuar vdekjen e qindra civileve.
Gjeneralët e lartë nga Gjermania, Kanadaja, Italia, Arabia Saudite dhe Katari pritet gjithashtu të marrin pjesë në një takim që do të zhvillohet sot dhe cili do të përkojë me atë të ekspertëve të armëve të OKB, në një përpjekje për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, dhe kush fshihej pas sulmit.
“Presidenti Obama i ka kërkuar Departamentit të Mbrojtjes që të përgatisin opsionet për të gjitha të papriturat”, tha Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Chuck Hagel, gjatë fundjavës.
Analistët britanikë komentojnë se ndërhyrja e mundshme në Siri, do të jetë e ngjashme me atë të Kosovës në vitin 1999.
Ministria e jashtme siriane vendosi të dielën të lejojë OKB që të kryejë hetime lidhur me faktin nëse janë përdorur apo jo armë kimike në këtë vend.

Gjashtë mijë fjalë dhe asnjë nuk vdes?!...


image
Francesca BORRI
Ai më shkroi më në fund. Ka më shumë se një vit që i dërgoj artikujt e mi. Për të, unë kam marrë tifon dhe një plumb në gju. Sot, kryeredaktori im ka parë lajmet dhe ka menduar se bëja pjesë në gazetarët italianë të kapur peng. Më dërgoi një email: “Sikur të gjeje një lidhje interneti për të tëeet-uar pengmarrjen tënde?”
Po atë ditë, në mbrëmje, gjeta kampin rebel ku jetoja, në mes të ferrit të quajtur Alep, dhe në pluhur uri dhe frikë, kam shpresuar të gjej një mik, një fjalë të mirë, një gjest të dhembshur. Në vend të gjithë kësaj, gjeta vetëm një email nga Klara, që po kalon pushimet në shtëpinë time në Itali. Ajo më kishte dërguar 8 mesazhe “Ugjent”! Sot kërkon kartën time të abonimit në spa, për të përfituar masazhe falas. Mesazhet e tjera në postën time ishin pak a shumë kështu: “I shkëlqyer artikulli yt sot; po aq i shkëlqyer sa libri për Irakun”. Fatkeqësisht, libri im nuk fliste për Irakun, por për Kosovën.
Nga reporteri freelance, njerëzit ruajnë imazhin romantik të një gazetari që ka preferuar lirinë për të trajtuar temat që i pëlqejnë dhe jo komoditetin e një page të rregullt. Por ne nuk jemi të lirë, përkundrazi. Të qëndroj në Siri, atje ku askush nuk do të qëndrojë, është mundësia ime e vetme për të patur punë. Nuk po flas për Alepin, për të qenë e saktë. Po flas për linjën e frontit. Sepse shefat e redaksive në Itali duan vetëm gjak dhe “bang bang” të armëve të sulmit. Unë shkruaj për grupet islamiste dhe për shërbimet sociale që ata vendosin në dispozicion të popullsive, rrënjët e pushtetit të tyre – një investigim shumë më kompleks se artikulli tradicional direkt nga fronti. Bëj gjithçka për të shpjeguar dhe jo vetëm për të mallëngjyer dhe përgjigjia që marr është: “çfarë është kjo? Gjashtë mijë fjalë dhe asnjë nuk vdes?”
Për hir të së vërtetës, këtë duhet ta kisha kuptuar kur shefi im më kërkoi një artikull për Gazën, sepse Gaza, si zakonisht, ishte bombarduar. Mora një email: “Ti e njeh Gazën për mendësh” shkruante ai. “ç’rëndësi ka qe je në Alep?”. Pikërisht. E vërteta është se përfundova në Siri sepse kisha parë tek “Time”, fotot e Alessio Romenzi që hyri në Homs nga kanalizimet, kur askush nuk e dinte çfarë ishte Homs. I kam parë fotot duke dëgjuar Radiohead – ata sy që më vështronin, sytë e njerëzve që po masakroheshin nga ushtria e Assad, një nga një, dhe askush nuk kishte dëgjuar as të flitej për një vend të quajtur Homs. Me ndërgjegjen të dërrmuar si me darë, nuk kisha zgjidhje tjetër, përveç të nisesha në Siri.
Por shefat e redaksive nuk e bëjnë dallimin nëse shkruani nga Alepi, Gaza apo Roma. Njëlloj ju paguajnë: 70 dollarë për artikull. Edhe në vende si Siria ku spekulacioni marramendës i ka trefishuar çmimet. Kështu për shembull, të flesh në një bazë rebele, nën predhat, mbi një dyshek të shtrirë për tokë, me atë ujin e verdhë që ma shkaktoi tifon, kushton 50 dollarë nata; një veturë kushton 250 dollarë në ditë.
Kështu që në vend që t’i minimizoni rreziqet, ju i maksimizoni. Jo vetëm nuk keni mundësi të paguani siguracion- pothuaj 1000 dollarë në muaj kushton- por nuk keni mundësi të paguani një shoqërues ose një përkthyes.  Gjendeni vetëm në një tokë të panjohur. Shefat janë të vetëdijshëm se pagesa 70 dollarë për një artikull ju shtyn të kurseni në gjithçka. Ata e dinë gjithashtu se nëse je seriozisht e plagosur, një pjesë e juaja dëshiron të mos mbijetojë sepse financat tuaja nuk ju lejojnë të plagoseni. Por ata e blejnë artikullin, edhe kur do të refuzonin të blinin një top futbolli Nike të prodhuar nga fëmijë pakistanezë.
Teknologjitë e reja na bëjnë të mendojmë se shpejtësia është një element informacioni. Por ky arsyetim mbështetet mbi një logjikë vetëshkatërruese: përmbajtja, tashmë, është standardizuar dhe gazeta apo revista juaj nuk ka asgjë të veçantë, pra nuk ka asnjë arsye për të paguar një reporter. Për lajmet, ka internet – falas. Kriza që po kalon media është një krizë e vetë medias, jo e lexuesit. Lexuesit janë gjithmonë atje, ndryshe nga ç’besojnë shefat e redaksive, janë njerëz inteligjentë që kërkojnë thjeshtësi pa thjeshtësim. Ata duan të kuptojnë, jo vetëm të jenë në dijeni. Sa herë që botoj një dëshmi nga lufta, marr me dhjetëra emaile nga njerëz që më thonë : “Ok, shkrim i bukur, tablo e përshkruar mirë, por do të doja të kuptoja çfarë po ndodh në Siri”. Dhe do të doja shumë t’u përgjigjesha që nuk mund të shkruaj artikuj analize sepse shefat do ta hedhin në kosh duke më thënë : “Kush kujton se je ti, vogëlushe?” – pavarësisht tre diplomave të mia, dy librave dhe dhjetë viteve si reportere lufte, në fillim si investiguese humanitare pastaj si gazetare. Rinia ime, me që ra fjala, fluturoi kur më spërkatën copa truri. Isha në Bosnjë. Isha 23 vjeç.
Gazetarët freelance janë gazetarë të dorë së dytë – edhe pse këtu në Siri vetëm freelance ka, sepse është një luftë e pisët, një luftë e shekullit të kaluar; është një luftë llogoresh ndërmjet rebelevë dhe forcave proqeveritare që janë vendosur aq afër sa që shahen mirë e mirë me njëri – tjetrin pastaj fillojnë qëllojnë. Kur shikoni linjën e frontit, nuk e mblidhni më mendjen, me bajoneat që i keni parë vetëm në librat e historisë. Luftërat moderne janë me bombardime, por këtu luftohet metër më metër, rrugë më rrugë,
E megjithatë, shefat e redaksive në Itali ju trajtojnë si fëmijë; ju bëni një foto të pabesueshme, ata ju thonë se keni patur fat, në vendin e duhur në momentin e duhur. Ju kapni një ekskluzivitet, si artikulli që shkrova shtatorin e kaluar për pjesën e vjetër të Alepit, të klasifikuar trashëgimi e UNESKO, të bërë pluhur e hi ndërsa luftohej për të marrë kontrollin. Isha reporterja e parë e huaj që u futa atje  dhe shefat e redaksive ju thonë: “Si ta justifikoj unë që gazetari im nuk arriti të hynte kurse ti ke hyrë? Mora një email nga shefi i rubrikës në lidhje me këtë artikull: “Po e pranoj, por do ta botoj me emrin e gazetarit tim”.
Dhe pastaj, sigurisht, unë jam grua. Një mbrëmje, jo shumë kohë më parë, kishte goditje artilerie kudo dhe unë isha ulur në një cep, me të vetmen shprehje që mund të ketë një fytyrë kur vdekja mund të të marrë nga një sekondë në tjetrën, dhe vjen një reporter tjetër, më shikon nga koka te këmbët dhe më thotë: “Ky nuk është vend për gra”. Çfarë mund t’i thuash një tipi si ai? Idiot, ky nuk është vend për asnjeri.
Nëse jam e tmerruar, kjo ndodh sepse jam e kthjellët. Sepse Alepi është vetëm barut dhe testosterone dhe të gjithë janë të traumatizuar: Henri flet vetëm për luftën; Ryan është i bërë dru me amfetamina. E megjithatë, sa herë që shohim një fëmijë të bërë copa, ata kthehen nga unë “gruaja e brishtë”, për të parë si ndihem. Dhe unë tundohem t’u përgjigjem: ndihem si ju. Dhe mbrëmjet kur dukem e lënduar, janë mbrëmjet kur unë mbrohem, kur largoj çdo emocion dhe ndjenjë; janë mbrëmjet kur kursej veten.
Sepse Siria nuk është më Siria. Është një azil të çmendurish. Është ky italiani që ishte pa punë dhe u fut në radhët e al-Qaeda, tani e ema e kërkon nëpër Alep për t’i dhënjë një dru të mirë; është turisti japonez që bredh në linjën e frontit sepse ka nevojë për dy javë “ndjesi të forta”; suedezi i diplomuar për drejtësi që ka ardhur të mbledhë prova krimesh lufte; muzikantë amerikanë me mjekra si Ben Laden, pretendojnë se kjo i ndihmon të bëhen njësh me dekorin, ndërsa janë bjondë 1m90; (Kanë sjellë ilaçe kundër malarias, edhe pse nuk ka raste malarie këtu, dhe duan t’i shpërndajnë duke i rënë violinës). Ka anëtarë të shumë organizatave të Kombeve të Bashkuara dhe kur iu thoni se njihni një fëmijë që vuan nga leishmanizoa ( një sëmundje që transmetohet nga insektet) dhe ju i pyesni nëse mund të ndihmojnë prindërit për ta çuar në Turqi, ju përgjigjen se nuk munden sepse është një rast individual, dhe ata merren me “fëmijët” në përgjithësi.
Por ne jemi reporterë lufte, në fund të fundit, apo jo? Një tufë vëllezërish (dhe motrash). Ne rrezikojmë jetën tonë për t’u dhënë zë atyre që nuk kanë. Ne kemi parë gjëra që shumica e njerëzve nuk kanë për t’i parë kurrë. Ne jemi shumë të mirë për të gjallëruar darkat mondane. Klientët e mirë që të gjithë duan t’i ftojnë.
Por sekreti i poshtër është që në vend që të jemi të bashkuar, ne jemi armiqtë më të këqinj të njëri-tjetrit; dhe arsyeja pse një shkrim paguhet 70 dollarë, nuk është mungesa e parave, sepse ka gjithmonë para për të paguar një shkrim për të dashurat e Berluskonit. Arsyeja e vëretetë është se kur ju kërkoni 100 dollarë, dikush tjetër është i gatshëm ta bëjë për 70 dollarë. Është konkurrencë e pamëshirshme. Si Beatrizi, që sot më tregoi një drejtim të gabuar, që ajo të ishte e vetmja që do të raportonte një manisfetim, përfundova në mes të snajpërve, vetëm për të mbuluar një manisfetim, si qindra të tjerë.
Megjithatë, ne pretendojmë se jemi këtu që askush të mos thotë: “Por ne nuk dinim ç’ndodhte në Siri”. Por në të vertetë jemi për të fituar një çmim, për të fituar vizibiliet. Ne jemi këtu për t’i futur njëri-tjetrit shkopinj në rrota, a thua para këmbëve tona është një çmim Pulitzer, ndërsa nuk bëhet fjalë për asgjë të tillë. Ne jemi mbërthyer mes një qeverie që ju jep vizë vetëm nëse jeni kundër rebelëve dhe rebelëve që, nëse jeni me ta, ju lejojnë të shikoni vetëm atë që duan t’ju tregojnë ata.
E vërteta është që ne jemi të dështuar. Ka dy vjet që ka filluar lufta dhe lexuesit tanë mezi e gjejnë ku bie Damasku, gjithë bota e cilëson atë që ndodh në Siri si “rrëmujë” sepse askush nuk kupton gjë nga Siria – me përjashtim të gjakut, përsëri gjaku, gjithmonë gjaku. Dhe për këtë arsye sirianët nuk na durojnë më tani. Sepse ne i tregojmë gjithë botës foto si ajo e fëmijës shtatë vjeçar me cigare dhe kallashnikov. Është e qartë që ajo foto ishte një sajesë, por u botua në gazetat dhe faqet internet të të gjithë botës në mars dhe gjithë bota thiri ; “Këta sirianët, këta arabët, ç’barbarë!” Kur erdha këtu herën e parë, sirianët më thoshin: “Faleminderit që po i tregoni botës krimet e qeverisë”. Sot, një burrë erdhi drejt meje dhe më tha : “Turp të kini!”
Sikur të kisha kuptuar vërtet diçka nga lufta, nuk do të isha përpjekur të shkuaja për rebelët dhe besnikët, për sunitët dhe shiitët. Sepse historia e vetme që ja vlen të tregohet në kohë lufte është si të jetosh pa frikën. Gjithçka mund të shembet në një fraksion sekonde. Po ta kisha ditur këtë, atëherë nuk do të kisha patur kaq frikë të dashuroja, të guxoja, në jetën time; në vend që të rri këtu tani, e mbledhur kruspull në errësirë dhe duhmë, duke ndjerë dëshpërimisht keqardhje për gjithçka që nuk kam bërë, gjithçka që nuk kam thënë. Ju, që nesër do të jeni ende gjallë, çfarë prisni? Përse ngurroni të dashuroni? Ju, që keni gjithçka, përse keni kaq frikë?
Përktheu nga “Le Nouvel Oservateur”, Blerta Hyska

Shkupi në optiken e një publicisti

MR. Nuridin AHMETI

Me rastin e promovimit të eseut historik "Shkupi", të autorit Kim Mehmeti në Prizren...

Në kuadër të bibliotekës së botimeve të veçanta të Shtëpisë Botuese “Logos- A” me qendër në Shkup, në vitin 2011, është botuar edhe libri i shkrimtarit e publicistit të njohur Kim Mehmeti me një titull shumë domethënës e aktual: ”Shkupi”. Në fakt, ky libër është një ese historike, por që nuk mungojnë argumentet historik të ngjarjeve, të interpretuara në mënyrë sintetike dhe analitike.

Ky interpretim a shkrim i historisë nuk paraqet asnjë problem për Imanuel Kantin, i cili konstaton se “ historia mund të shkruhet edhe në formë publicistike”, dhe as për Isiaha Berlinin, Jostein Garderin, e Karl Poperin. Ky i fundit, për më tepër, pohon se shoqëria ka një kujtesë “ të cilën ne zakonisht e quajmë histori”. Përkitazi me këtë, autori i “Shkupit” Kim Mehmeti, kur flet për vendbanimet, i thotë lexuesit se vendbanime nuk janë vetëm ato që i shohim dhe se ”tërësinë e tyre nuk e përbejnë vetëm godinat e larta apo të ulëta, ato nuk janë vetëm ndërthurje e rrugëve luksoze dhe të atyre te të varfërve, të rrugicave të padukshme ku zhvillohet jeta në paraskene” etj., Por, “qytetet janë tërësi kronikash të vulosura në mbamendjen e njerëzve, të gdhendura si shenja të padukshme nëpër trotuaret e muret ku janë vulosur kujtimet për ngjarjet e ndryshme që kanë të bëjnë me fatet individuale e kolektive...; ato janë tërësi nënshkrimesh të ndrydhura që kanë lëne ndërtuesit e objekteve ...

Përderisa, autores turko-amerikane Burcu Akan Ellis, i është dashur që të qëndroj për disa vite në Shkup dhe në disa qytet të tjera të Maqedonisë për të mësuar dhe më pas për t’i venë në letër disa nga problemet që lidhen me identitetin e një pjese të qytetarëve të Maqedonisë, për autorin Kim Mehmeti, kjo ishte një punë e zgjidhur, sepse ai ka lindur në rrethinën e Shkupit, është rritur dhe edukuar me hallat e banorëve të këtij qyteti, ka shijuar të mirat e të këqijat që i ofron ky qytet, i ka përjetuar intrigat e pushtetarëve në dy sisteme të ndryshme etj. Dhe pikërisht kjo e ka shtyrë autorin që këto përjetime personale dhe kolektive të banorëve të Shkupit, t’i përmbledh mes dy kapakëve, t’ua ofrojë dhe t’i ndajë me një numër më të madh të lexuesve e bashkëkombësve të tij, që jetojnë përtej qytetit të Shkupit.

Libri “Shkupi” ka 264 faqe, me një format jo të zakonshëm të librave dhe me një përgatitje teknike, të cilës “Do t’ia kishin lakmi edhe shtëpitë botuese anglosaksone”. Thënie kjo e huazuar nga studiuesi boshnjakë Xhemaludin Llatiç. Përshkrimi dhe rrëfimi i ngjarjeve është ilustruar dhe dokumentuar, po thuajse në çdo faqe, me fotografi, që i jep edhe më shumë vlerë argumentuese e dokumentare librit dhe gjithë asaj që është shkruar e thënë aty.

Teksa shfletojmë librin “Shkupi”, lexuesit s’ka se si të mos i bjerë në sy fakti se autorin e kësaj vepre më së shumti e brenë e kaluar e qytetit të Shkupi, e brenë dhe i qanë zemra për atë që ka shkuar në pakthim, për atë që nuk është më, për ato objekte e personalitete, që nuk mund t’i kthejmë dot, për ato dëshmi e fakte që kanë ikur për të mos i njohur kurrë më, dhe sikur autori i thotë lexuesit se sikur t’i kishim këto sot do të ishte shumë më lehtë për ne, për gjeneratën tonë, për banorët e Shkupit dhe me gjerë.

Autori konstaton me të drejtë se sikur lumi i Vardarit që ndan Shkupin në mes dhe me vetvete gëlltit rrjedhat e lumenjve të Lepencit, Treskës e Seravës, njashtu është edhe qyteti i Shkupit të sotëm, që sikurse lumi “ Vardar që ka grabitur ujërat e disa lumenjve, ky qytet ka bërë të pa dukshëm edhe shumë gjurmë nga e kaluara prej disa shekujve, e të cilat janë mbuluar me shtresa të reja” që nga Ilirët, që sipas autorit e themeluan këtë qytet i cili paraqet unazën e Dardanisë, qytet ky nga ku shpërndahen damarët e Ballkanit.

Shkupi i ndarë mespërmes me lumin Vardar, me përmendoret e ngritura për të treguar lashtësinë e munguar nga ata që sot vetën e quajnë maqedonas, nga ata që besojnë - thekson autori, që edhe; “ dielli e hëna edhe qielli e toka kanë përkatësin e tyre religjioze”, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë me shlyerjen e gjurmëve të lashtësisë të këtij qyteti, me ngritjen e përmendoreve, mos lejimin për festimin e datave të çlirimit të Shkupit nga shqiptarët, që kjo u bë katër herë gjatë historisë, i pari i udhëhequr nga Dervish Cara, i dyti në vitin 1880 i udhëhequr nga Jashar bej Kumbara, i treti në vitin 1912 nga Hasan Prishtina dhe i katërti pas Luftës së Dyte Botërore. Manipulime të tjera gjithmonë në kurriz të shqiptarëve është edhe ajo me regjistrimin e popullsisë ku nga regjistrimi i parë në vitin 1948, numri i shqiptarëve gjithmonë është një renje, pa dhënë asnjë përgjigje deri me sot, pse ndodh kjo, e shumë gjera të tjera janë padyshim, mjete që dërgojnë sipas autorit të këtij libri në deshiptarizimin e qyteti.

Por në të gjithë këtë padrejtësi, pjesën e tyre të fajit, sipas autorit Kim Mehmeti e kanë edhe ata:

1. Shqiptarë që “duke u grindur me zjarimin e tyre lokalist” - thekson autori “ata në të vërtetë e humbë një pjesë të se kaluarës dhe të sotmes së vet.”

2. Fajin e kanë edhe ata që shkruajnë historinë, konkretisht mungesa e librave të mirëfillta, se këto libra sipas autorit- nuk janë shkruar akoma dhe se ato që janë shkruar deri me tani janë “ si piktura ku çdo gjë është ngjyrosur dhe është vendosur sipas prirjeve dhe dëshirës së autorit”.

Pjesë me rëndësi në këtë libër është edhe çështja e feve e trajtuar në këtë libër që autori i quan “shtylla të rëndësishme për ta bërë jetën më të qëndrueshme dhe kuptimplote”.

Për Shkupi por edhe për shqiptarët kudo në Maqedoni, çfarëdo partie me bindje politike që vjen në pushtet, kur është fjala kundra islamit ato mbajnë qëndrime të njëjta, sa ma shumë ndërtime të kishave ortodokse dhe vënie të kryqeve nëpër kodrina të larta që të shihen nga të gjitha anët e vendit, por ajo më e dhimbshmja ishte dëbimi i popullatës myslimane në vitet e 50-ta për në Turqi. Autori është i bindur se “ në Shkup dhe rrethinë, religjioni islam ndihmoi që të mbijetonte edhe përkatësia etnike”, dhe theu çdo tabu se shkupjanët kishin ndërruar emblemat e tyre kombëtare me atë fetare. Dhe se prapa çdo trazire etnike, qëndron ana religjioze, kjo u dëshmua edhe me trazirat e vitit 2001, konstaton autori i veprës “Shkupi”.

Si përfundim në këtë fjalë timen, do të thosha se monografia “Shkupi” e autorit Kim Mehmeti, është një nga librat më interesantë të shkruar për ndonjë qytet në kohët e fundit.

Ky libër është me interes për t’u lexuar, sepse hallet dhe peripecitë në të cilat ka kaluar popullata e Shkupit me rrethinë, posaçërisht ajo myslimane, për çka benë fjalë edhe autori, nuk dallojnë shumë nga hallet dhe brengat e popullatave të qyteteve tjera shqiptare në ish- Jugosllavi, po thuajse janë të njëjta. Është libër interesantë për t’u lexuar, sepse mënyra e ilustrimit artistik të fakteve dhe guximi për ta thënë të vërtetën historike, e bëjnë këtë libër të veçantë. Është libër interesantë për t’u lexuar, sepse libri është ese historike, në fakt ka disa zhanre në shtjellimin e ngjarjeve çka e benë atraktiv për tu lexuar, për të gjitha shtresat intelektuale, pa dallime profesionale. Është libër interesantë për tu lexuar edhe për banorët e Prizrenit dhe të rrethinës, sepse aty lexuesi has shumë gjera të përbashkëta, ndërmjet qytetit të Shkupit e Prizrenit, si; ekzistenca e grupeve ndërfetare e ndëretnike, trashëgimin e pasur kulturo- historike, kalatë, xhamitë, kishat, uratë, etj., dhe pa dyshim se një leximi i një monografie të tillë, ndoshta do ta nxiste kureshtjen e ndonjë lexuesi, apo studiuesi nga ky qytet, për të na dhuruar diçka të tillë edhe për qytetin e tij.

Në qoftë se dikur Gj. Fishta në veprën e tij monumentale “ Lahuta Malcis”, shkroi se si u end fati Shqipërisë, në veprën e tij “ Shkupi”, autori Kim Mehmeti, por në një stil tjetër ka shkruar se si u end fati i Shkupit dhe shkupjanëve me rrethinë.

Dhe në fund fare, më lejoni të them një gjë të njohur nga të gjithë ne se qyteti i Shkupit në mendjen dhe zemrën e shqiptarëve kudo që janë ka një domethënie të veçantë. Shkupi së bashku me Prizrenin dhe me Vlorën, paraqesin tri qendrat kryesore, paraqesin trekëndëshin historik të shqiptarëve.

Disa të dhëna për autorin

Nuridin (Asan) Ahmeti, i lindur më 14.05.1980, në fshatin Xërxë të Opojës, Komuna e Sharrit.

Në vitin 2003 ka kryer Fakultetin Filozofik – Dega Histori, në Universitetin e Prishtinës.

Në vitin 2006 ka kryer kursin për deshifrimin e dokumenteve osmane, për stilin e shkrimit osman Rika. Kursi është organizuar nga Drejtoria e Arkivave e Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme Arkivave Shtetërorë të Republikës së Turqisë.

Në prill të vitit 2005 është pranuar asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës - Dega e Histori, ku ka filluar punën më 2008.

Në vitin 2009 ka marr gradën Master i Shkencave historike në të njëjtin fakultet dhe degë.

Nga viti 2008 punon si asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës - Dega e Historisë.

Është duken punuar në projektin e Institutit Albanologjik me temën: Kontributi i klerit mysliman në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Vilajetin e Kosovës (1878-1912).

Në vitin 2010 ka regjistruar Doktoraturën në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...