2013-08-28

Gjuha angleze si gjuhë leksionesh? Tarifa polemizon me Bulon e Manollarin




Para një viti , e përditshmja shqiptarja.com kish intervistuar gjuhëtarin Jorgo Bulo dhe pedagogun Ilirjan Manollari, të cilët i kundërviheshin idesë së kryeministrit lidhur me propozimin që gjuha angleze të bëhet gjuhë e leksioneve të universitetet tona. Bulo e skualifikoi idenë kryeministrore si “emocionale”, dhe si ide që vjen prej “kompleksit provincial” të kryeministrit. Për z.Manollari, arsimi bazë në universitete duhet të jetë në gjuhën shqipe, pra, “baza e universiteteve të jenë tekstet e hartuara nga autorë shqiptarë, të cilët marrin parasysh shumë faktorë që karakterizojnë studentët shqiptarë”.

Fatos Tarifa nuk është dakord me këta dy të fundit. Ai e përshendet këtë ide të kryeministrit, sidoqë do ish mirë që “një propozim i tillë të bëhej, jo nga vetë kreu i qeverisë, [por] nga ministri i tij i Arsimit dhe Shkencës”. Janë disa pika, në të cilat Tarifa është polemik me pedagogët e përmendur më sipër. 1. Të kërkosh që gjuha angleze të jetë gjuha e leksioneve në universitete, nuk është provincializëm; përkundrazi, shpreh një frymë kozmopolitanizmi dhe realizmi, si edhe një qëndrim vizionar. 2. Edhe holandezët, edhe suedezët, edhe danezët komunikojnë, kryejnë studime dhe përhapin dije dhe arsim në gjuhët e tyre, por si Holanda, ashtu edhe Suedia, Danimarka, Norvegjia, Finlanda dhe vende të tjera me një popullsi relativisht të vogël, ose të krahasueshme me tonën, kanë kohë që e kanë bërë anglishten gjuhën e universiteteve të tyre, ose po kaq një gjuhë universitare, sa edhe gjuhët e tyre kombëtare. 3. Shkenca nuk ka atdhe dhe, si e tillë, nuk njeh një gjuhë kombëtare. Nëse anglishtja, pasi i zuri vendin frëngjishtes si lingua franca e diplomacisë, e kulturës dhe e artit, është bërë sot një gjuhë thuajse universale e shkencës, teknologjisë, tregtisë, artit ushtarak dhe e Internetit, kjo shpreh një tendencë objektive të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe shkencor të njerëzimit, të cilin nuk mund ta pengojnë dot fobitë e ndonjë akademiku shqiptar. Etj., etj.

"Zhduken” dorëshkrimet e bejtexhinjve



Jorgo Bulo

Qindra faqe dorëshkrime nga fondi i bejtexhinjve, prej një vitit e gjysëm janë “zhdukur” nga arkivi i Institutit të Gjuhësisë. Studiuesja Genciana Abazi, e cila është njëkohësisht edhe punonjëse në këtë Institut, i ka marrë materialet nga fondi i arkivit dhe i ka nxjerrë jashtë institucionit. I ka marrë në shtëpi dhe pas denoncimit të bërë nga drejtuesit e institutit, i ka dorëzuar në Arkivin e Shtetit në ruajtje. Në këtë status dorëzimi, tashmë vetëm Genciana, mbesa e studiuesit të mirënjohur Osman Myderizi, i cili i ka transkriptuar të gjithë tekstet e bejtexhinjve, ka të drejtë t’i shohë e t’i tërheqë nga Arkivi u Shtetit. Askush tjetër veç saj nuk mundet t’i marrë ato dokumente dhe t’i studiojë.



Genciana ka pretendimet e saj. Shumë studiues dhe trashëgimtarë si ajo i japin Gencianës të drejtë morale për këtë veprim. Prej 17 vitesh, humbje të mëdha dhe të pariparueshme po ndodhin me arkivat shqiptare. Dokumente pafund të zhdukura, të cilave sot nuk u gjendet asnjë gjurmë. Për të mos përmendur momentin delikat ku gjenden sot të gjitha institutet shkencore, pas krizës që po kalon Akademia e Shkencave. Kryetari i Akademisë, Ylli Popa u shpreh me keqardhje para pak ditësh, se rreziku më i madh në këtë rast u kanoset arkivave të gjithë institucioneve që ishin deri më dje nën varësinë e Akademisë së Shkencave. Dhe sot, arkivat, që janë themeli i të gjithë këtyre institucioneve shkencore, janë në rrezik. Qindra herë kemi dëgjuar për ndërrim ambientesh nga një godinë në një tjetër, për rikonstruksione të ndryshme e lëvizje të tjera, që përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm për arkivat e tyre. Vetëm një raft sikur të ndërrohet, rrezikon të humbasë rendi i vendosjes, e për pasojë një dorëshkrim, a qoftë edhe një dokument i vetëm të mos gjendet për vite të tëra...

Genciana trishtohet për faktin se gjithë ajo punë dhe mund i gjyshit të saj mund të rrezikojë të humbasë përgjithmonë. E pak më tej, njerëz pa skrupuj kanë zgjatur duart dhe kanë përvetësuar punën e Myderizit, pa e cituar se e kujt është kjo pronë intelektuale. Por këto janë çështje që nga ana insitucionale nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Jorgo Bulo, drejtori i Institutit të Gjuhësisë, është shqetësuar pasi ka marrë sinjalizimet për zhdukjen nga arkivi të këtij thesari. Si drejtues i këtij institucioni, ai e ka denoncuar këtë rast dhe tashmë çështja është në Gjykatë. Genciana nuk pranon t’i kthejë dorëshkrimet aty ku i ka marrë. Ka gjetur një rrugë private për t’i mbrojtur, e bindur se ajo ka të drejtë të veprojë ashtu. Ndërkohë, prej disa muajsh e mbase dhe për shumë kohë të tjera, derisa të kthehen, nëse gjykata vendos të kthehen në arkiv, asnjë studiues nuk ka të drejtë t’i shohë ato dokumente. Askush nuk mund të studiojë mbi bejtexhinjtë… Si nisi kjo çështje që tashmë po synohet të zgjidhet me gjyq?

Bëhet fjalë për një nga punonjëset tona këtu në Institut, e cila punonte për një temë të caktuar rreth të cilës ne kemi një koleksion dokumentesh. Si punonjëse e Institutit, ajo ka të drejtën si kushdo studiues tjetër, t’i shfrytëzojë. Por në bazë të rregullave që ka arkivi dhe sipas këtyre rregullave, ajo mund t’i shfrytëzojë materialet në mjediset e institucionit. Por ajo ka shfrytëzuar besimin dhe i ka marrë në shtëpi materialet. Kur drejtoria është informuar se ajo i ka marrë materialet në shtëpi, ndërhymë menjëherë dhe kërkuam që t’i kthejë e të punojë me to sipas rregullave që kanë të gjithë arkivat. Ajo nuk pranoi t’i kthejë. I kemi bërë disa herë kërkesë me shkrim dhe me gojë, por sërish nuk i ktheu. Atëherë ne u detyruam që ta denoncojmë në organet e drejtësisë. Nuk kërkojmë asgjë tjetër, veç t’i kthejë materialet që ka marrë në Arkivin Shkencor të Institutit, sepse ato janë pronë intelektuale e Institutit.

Për çfarë dokumentesh bëhet fjalë?

Këto janë një koleksion mjaft i rrallë dorëshkrimesh që lidhet me krijimtarinë poetike të bejtexhinjve. Janë tekste të shkrimtarëve bejtexhi, duke filluar nga tekstet e frashërllinjve, Dalip e Shahin Frashëri, e deri te Nezim Frakulla, Sulejman Naibin, Hasan Zyko Kamberi, etj. Janë tekstet origjinale, dhe ato të transkriptuara. Me ç’argumente e mbron punonjësja juaj këtë veprim?

Një nga pretendimet e saj është se ajo ka lidhje farefisnore me Osman Myderizin, i cili e ka bërë këtë punë, pra transkriptimin e teksteve. Ai ka qenë punonjës i Institutit. Ne, për shkak të kësaj lidhjeje, jemi treguar të gatshëm që nëse ajo do që t’i ketë këto materiale, t’i japim një kopje falas. Nga ana tjetër, ajo ngre pretendimin absurd se ka raste që janë shfrytëzuar këto materiale nga dikush dhe nuk është cituar autori. Por kjo nuk është çështje e arkivit dhe e institucionit. Kjo është një çështje e të drejtës së autorit. Nëse dikush i shfrytëzon materialet dhe nuk i citon, është përgjegjësi e tij dhe mund ta hedhësh në gjyq. Ne nuk mund të pengojmë askënd që të vijë e të shfrytëzojë materiale në bazë të rregullave të arkivit, nën mbikëqyrjen e punonjësit të arkivit. Natyrisht, edhe të mbajë shënime nëse ka nevojë, apo të marrë fotokopje të teksteve të caktuara nëse i duhen. Të gjithë këto janë të sanksionuara në ligj. Nuk ia pengojmë askujt këtë. I quani të pabaza pretendimet e saj?

Të gjithë argumentat që mund të paraqesë ajo zhvleftësohen, sepse bien në kundërshtim me ligjin. Sipas ligjit mbi arkivat, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, materialet që hyjnë në arkiv janë të pakthyeshëm, pavarësisht nga koha apo mënyra se si kanë hyrë në arkiv. Nga ana tjetër, materialet e Arkivit shfrytëzohen vetëm në mjediset e arkivit. Nuk mund të dalin jashtë, përveç rasteve të jashtëzakonshme, kur prokuroria, fjala vjen ka nevojë të bëjë një ekspertizë. Por edhe në këto raste do t’i marrë i shoqëruar nga një punonjës i Arkivit, të shkojë të bëjë ekspertizën dhe brenda ditës t’i kthejë. Keni informacion se ku gjendet sot ky koleksion dokumentesh? Po. Pasi ne e denoncuam rastin në organet e drejtësisë, ajo i ka çuar dokumentat në Arkivin e Shtetit. I ka çuar atje, por jo në statusin t’i dorëzojë në Arkivin e Shtetit, por në ruajtje. Çdo të thotë “në ruajtje”?

Është e njëjta situatë si me një kasafortë në bankë. Nëse unë kam ca para dhe s’dua t’i mbaj në shtëpi, i çoj në bankë. Ajo i ka çuar në arkiv dhe tani ka të drejtë t’i tërheqë sërish kur të dojë. Por nuk janë të shfrytëzueshme nga të tjetër. Askush tani nuk mund t’i marrë ato materiale për t’i studiuar. Ky është problemi. Është e thjeshtë, ne nuk kërkojmë as më shumë e as më pak, por të kthehen ato materiale që janë pronë intelektuale e Institutit. Sa pjesë e fondit të bejtexhinjve i mungon sot arkivit tuaj?

Janë një pjesë e mirë e këtij fondi që i mungojnë tashmë. Janë disa qindra faqe. Dhe ajo që përbën vërtet problem në këtë rast, është fakti se ato janë kopja e vetme. Ato materiale nuk ekzistojnë askund tjetër. Dhe që nga ai moment, asnjë studiues nuk mund të bjerë më në kontakt me to. Është një rast i rrallë. Nuk ka ndodhur kurrë, por është një dëm i madh për arkivin tonë. Prej sa kohësh i mungojnë arkivit tuaj këto dokumente? Ky problem ka kohë që ka lindur. Janë bërë thuajse katër muaj që ne jemi në gjyq për këtë çështje. Që në qershor ndoshta, e kemi denoncuar.

Ajo është ende punonjëse këtu në Institut?

Po, këtu punon. Por ne nuk kemi dashur që të merret masë ndaj saj. Vetëm të kthejë materialet. Materialet aktualisht janë në Arkivin e Shtetit? Tani ndodhen në Arkivin e Shtetit. Megjithëse ende nuk e dimë ekzaktësisht se çfarë ka çuar atje në ruajtje, por unë besoj se i ka dorëzuar të gjitha. Dhe sipas logjikës së statusit të dorëzimit në ruajtje, ajo tashmë është pasuri e saj. Mund të ndodhë që një pjesë e një fondi nga një arkiv për arsye të ndryshme, nëse është më i shfrytëzueshëm diku tjetër, mund të transferohet, siç është rasti i Arkivit të Shtetit. Por kjo bëhet midis institucioneve. Nuk mund të bëhet në mënyrë private.

» Jorgo Bulo: Akademiku, Rexhep Qosja korife i shkencës, që mbrojti kulturën tonë nga gjenocidi serb



Kur marr sot në dorë kompletin e veprës së akademikut Rexhep Qosja, mendimi më çon në kohën e shkuar, kur dyzet e ca vjet më parë, ai, atëherë i ri, vinte në Tiranë me një libër të vogël me kritika, por me një synim ambicioz për të mbledhur lëndën për tezën e doktoratës për Asdrenin.
Nga ajo kohë kanë ndryshuar shumë gjëra: Kosova është bërë e lirë dhe e pavarur, Rexhep Qosja është bërë me veprën e tij një nga simbolet e përpjekjes për të ndërtuar, bashkë me Kosovën e lirë, dhe kulturën e saj. Brezit të tij i takoi fati dhe përgjegjësia të ishte pjesë e atij procesi historik që sendërtoi një ëndërr shekullore, ëndrrën e lirisë dhe sot atij i takon e drejta e ligjshme për t’u vlerësuar. Ky botim në 29 vëllime i veprës së tij të jetës është shprehja e këtij vlerësimi dhe njëherësh merita e Qeverisë së Kosovës që financoi botimin dhe e Institutit Albanologjik që e përgatiti, institucioni ku Rexhep Qosja ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij shkencore dhe ka bërë shumë për t’i dhënë vendin e merituar në radhën e institucioneve prestigjioze të shkencës albanologjike shqiptare.
Me veprën që promovohet sot, Rexhep Qosja dëshmohet si një personalitet i shquar, si njëri prej protagonistëve të realitetit të sotëm historik e kulturor shqiptar, figurë poliedrike e shkencëtarit, prozatorit, dramaturgut dhe kritikut letrar, eseistit dhe publicistit, mendimtarit dhe pedagogut, intelektualit atdhetar dhe qytetar, që e ka lidhur jetën dhe krijimtarinë e tij me fatet e vendit dhe të kombit të tij, të kombit tonë një dhe të pandarë.
Vepra e shumanshme e Rexhep Qoses e botuar me një përkujdesje e akribi shkencore nga Instituti Albanologjik, është një pasqyrë e kontributit të tij për zhvillimin e shkencës, të arsimit dhe letërsisë shqipe në Kosovë. Ajo ka luajtur një rol themelor në proceset e emancipimit dhe të ngritjes së ndërgjegjes atdhetare, qytetare e morale të popullit të vet, e afirmimit të aspiratave të tij, për rritjen e prestigjit të shkencës dhe të kulturës kombëtare të shqiptarëve në mbarë botën shqiptare dhe përtej saj.
Vepra shkencore dhe letrare e Qoses është shprehje e ndërgjegjes intelektuale të epokës kur për këtë popull proceset e njësisë dhe të lirisë, të zhvillimit mendor e shpirtëror, janë pjesë dhe kusht i qenies sonë dhe i ardhmërisë sonë, në vorbullat e kohëve të trazuara që kemi kaluar e kalojmë, ende të kërcënuar prej rreziqesh që vijnë nga anë të ndryshme, por jo rrallë edhe prej vetvetes. Në këtë mes Rexhep Qosja, me veprën e tij voluminoze ka kryer rolin e një institucioni.
Në krye të këtij botimi jo rastësisht qëndrojnë veprat shkencore historiko - letrare, pikërisht sepse në gamën e gjerë të veprimtarisë intelektuale të Rexhep Qoses vendin e parë e zë shkenca, studimet në fushën e historisë së letërsisë sonë, një nga monumentet e mëdha të kulturës shpirtërore të kombit, dëshmi e identitetit të tij, por dhe “dëshmi e dinjitetit sovran” të kulturës shqiptare, siç e quan ai.
Letërsia jonë kombëtare, në prerjen e saj diakronike dhe sinkronike, në trollin mëmë të Shqipërisë gjuhësore dhe në diasporë, problemet dhe proceset korente të jetës letrare, kulturore dhe intelektuale të shqiptarëve, të zhvillimit të gjuhës shqipe dhe të rolit të shkrimtarit në këtë mes, albanologjia dhe në mënyrë të veçantë degët më të reja të saj, historiografia letrare, aspektet teorike dhe problemet metodologjike të zhvillimit të saj, historia e letërsisë shqipe si proces risimi, jo thjesht të përmbajtjes, por dhe të stileve e të arsenalit artistik janë objekt trajtimi në 10 vëllimet e para të korpusit madhor të veprës së Rexhep Qoses.
Në kushtet e një politike të egër shoviniste dhe të një gjenocidi kulturor të programuar që ushtrohej ndaj shqiptarëve në perandorinë tashmë të shpërbërë jugosllave, puna e albanologut, e sidomos e historianit të kulturës shqiptare, nuk ishte dhe nuk është thjesht një profesion, por një mision, për të mbrojtur e afirmuar vlerat identitare të kombit. Siç tregon vepra që kemi në dorë, Rexhep Qosja, si shumë intelektualë të tjerë të brezit të vet, iu kushtua këtij misioni. Ai midis të tjerash i hyri projektit për një histori të letërsisë kombëtare, duke shkrirë në studimet e tij talentin e rrallë, erudicionin dhe pasionin shkencor, duke i dhënë jetë një biblioteke të tërë veprash shkencore historiko – letrare, si “Historia e letërsisë shqipe” (Romantizmi) në tre vëllime, monografia “Porosia e madhe” për jetën dhe veprën e Naim Frashërit, monografia “Asdreni - jeta dhe vepra e tij”, monografitë “Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne”, “Tri mënyra të shkrimit shqip”, “Semantika e ndryshimeve letrare” e të tjera. Me këto vepra ai sjell një kontribut themelor për institucionalizimin e historiografisë letrare si disiplinë e mirëfilltë e pavarur shkencore, për konstituimin e shkollës shqiptare historiko - letrare, duke e nxjerrë atë nga qarku empirik deskriptiv, në horizontin e përgjithësimeve jo vetëm të kontekstit historik, por dhe të kontekstit të proceseve të brendshme të karakterit estetik. Ai ka parapëlqyer ta shohë veprën artistike “si një tërësi, si një totalitet të strukturuar sipas ligjeve të veta specifike” duke hetuar njëkohësisht edhe lidhjet e ndryshme që ka me strukturat jashtëletrare. Me këtë ndryshim si të thuash në teknologjinë e studimit, ai ka sjellë një ndryshim substancial metodologjik, duke e orientuar hulumtimin shkencor në shtratin e natyrshëm që buron prej vetë natyrës së objektit. Në këtë vështrim ai është një reformator i kërkimit shkencor në këtë fushë. Kjo qasje fiton një vlerë e rëndësi të veçantë në kushtet e eklektizmit metodologjik që mundon sot e kësaj dite historiografinë e kritikën letrare.
Profili i Rexhep Qoses si krijues bashkon në një shkencëtarin dhe artistin, shkrimtarin që me veprën e tij letrare, spikat si një zë i veçantë në zhvillimet e letërsisë shqipe, me ndikim të veçantë në proceset e zhvillimit të letërsisë shqipe në Kosovë e në Shqipëri, të emancipimit të saj prej trysnisë që bënin mbi të faktorët jashtëletrarë politikë e ideologjikë. Mjafton të kujtojmë këtu pritjen, ndikimin dhe jehonën që pati botimi i romanit “Vdekja më vjen prej syve të tillë” më 1974, si dhe romanet e botuar vitet e fundit. Zbulimi i të vërtetës së jetës së njeriut, konflikti i individit me institucionet morale, politike dhe forcat që veprojnë jashtë tij, por dhe brenda tij, dramat e individit dhe të kombit, filozofia jo rrjedha e ngjarjeve, që sjell vetvetiu dhe risinë e një ligjërimi artistik të çliruar prej narracionit tradicional, janë disa nga vlerat e një vepre të krijuar me vetëdijen e një ndryshimi në sistemin letrar tradicional. Në qoftë se romani i parë me përmbajtjen e tij etiko-filozofike dhe dramat e përfshira në vëllimin me titull “Mite të zhveshura” me aktualizimin e simbolikës dhe të mitologjisë kombëtare, por dhe me demistifikimin e saj, i sjellin letërsisë shqipe jo vetëm një mesazh tronditës e human nga kalvari i jetës shqiptare në këto troje, por dhe një përmasë universale, me romanet e fundit “Një dashuri dhe shtatë faje”, “Nata është dita jonë” dhe “Bijtë e askujt”, siç ka vënë në dukje në mënyrë analitike në parathënien e veprës Dr. Hysen Matoshi, me “simbiozën letraro - shkencore”, me një aktualizim të problematikës morale - etike të shoqërisë së sotme shqiptare, Rexhep Qosja rikonfiguron relievin tipologjik të romanit shqiptar; duke “paraqitur situatën në personazh dhe jo personazhin në situatë” i sjell ligjërimit një pah lirik dhe e pasuron prozën tonë të gjatë në një model të paimitueshëm.
Përmasa e vërtetë e personalitetit të Rexhep Qoses nuk mund të kuptohet pa angazhimin e tij për çështjen kombëtare. Studimet, artikujt dhe polemikat e tij kushtuar problemit kombëtar dhe pozitës së shqiptarëve në Jugosllavinë e djeshme, me argumente historike, politike e kulturore e kanë trajtuar zgjidhjen e çështjes kombëtare të shqiptarëve si një të drejtë legjitime dhe si një synim historik ende të parealizuar. Koherent në bindjen e vet se rruga drejt lirisë dhe njësisë kombëtare kalon përmes aksionit të vetëdijshëm kombëtar, me shkrimet dhe studimet e veta të përmbledhura në librat “Çështja shqiptare – historia dhe politika”, “Paqja e përgjakshme”, “Tronditja e shekullit”, “Strategjia e bashkimit kombëtar” dhe të tjera, pjesë integrante e veprës së tij shumëvëllimëshe, Rexhep Qosja e shtron problemin edhe në perspektivë historike, duke përvijuar një program për zgjidhjen e tij, dhe duke përcjellë një mesazh historik. Ky mesazh që përshkon tejendanë këtë pjesë të veprës së Qoses, i ka dhënë lexuesit kohën të provojë se mendësia e nënshtrimit dhe e pritjes pafund mund të çojë në zhburrërimin e substancës njerëzore kombëtare, dhe ka ndihmuar të ndërgjegjësohet jo vetëm faktori kombëtar, por edhe faktori ndërkombëtar, për drejtësinë e aksionit çlirimtar të një populli që kërkon të jetojë i lirë në trollin e vet.
Është e pamundur që brenda një kohe, kuptohet të kufizuar, të paraqesësh gjithçka mund të thuhet për një vepër si kjo e prof. Qoses, e gjerë, e pasur dhe e shumanshme. Por, ka dy gjëra që nuk mund të mos thuhen: E para se kjo vepër është rezultat i një përkushtimi e mundi mbinjerëzor, i një disipline pune e organizimi të admirueshëm të kohës dhe produkt i një mendimi të pavarur dhe i një shpirti antikonformist, vepër e një krijuesi ndërgjegjja morale e të cilit nuk mund të pranojë asnjë kompromis e diktat që i bën dhunë të vërtetës dhe vë në pikëpyetje objektivitetin, nderin dhe ndershmërinë shkencore, me çdo çmim qoftë kjo.
Dhe e dyta: Nuk mund të anashkaloj një tipar të çmuar të veprës së tij: kujdesin për gjuhën, kujdes që buron nga bindja se gjuha është pasuria më e madhe e kombit dhe shprehja e qenies së tij. Një burrë i madh i këtyre anëve At Shtjefën Gjeçovi pat thënë: “Sa të kesh gjuhën ke me kenë edhe ti vetë”. Me këtë lidhet jo vetëm puna që bën Rexhep Qosja me gjuhën në veprat e tij, me stilin dhe kulturën e të shkruarit, por dhe përkushtimi ndaj çështjeve të zhvillimit të gjuhës letrare të njësuar e të kulturës së gjuhës, shqipes standarde, pasqyrë e kulturës moderne të një kombi të qytetëruar. Vepra e akademikut Qosja është pjesë e çmuar e pasurisë dhe e identitetit tonë shkencor e kulturor kombëtar.

OMAR KHAJAMI MIDIS FAN S. NOLIT DHE HAFIZ ALI KORÇËS

Jorgo Bulo

AKADEMIK PROF.DR.JORGO BULO

Viti 2010, i shpallur nga UNESCO si “Viti i Afrimit të Kulturave” dhe Dita Ndërkombëtare e Khajamit, janë një rast i mirë për të dëshmuar se sa i afron banorët e këtij planetit tonë kultura që ata kanë krijuar në shekuj dhe për të kujtuar gjithashtu një nga korifejtë e një kulture të madhe, një shkencëtar, filozof e poet si Omar Khajami. Në imazhin e të gjithë brezave njerëzorë, herët në Orient, dhe dy shekujt e fundit në Evropë, rubairat e Omar Khajamit janë një kujtim rinie, një kupë vere dionisiake e pirë me etjen e moshës dhe një tufë këngësh epigramatike që të shpien në një oazë qetësie evangjelike ku meditohet për jetën dhe vdekjen, qenien dhe mosqenien, bukurinë dhe shkurtësinë e jetës, me mençurinë e urtësisë së vjetër klasike. Këtë ndjesi kanë provuar edhe brezat në Shqipëri qëkurse Noli përktheu në shqip Rubairat e Mjeshtrit që i dha këtij zhanri poetik, të lëvruar kohë para tij në letërsinë persiane, formën e përsosur, duke e identifikuar me vetveten dhe atë vetë me një nga përfaqësuesit e pavdekshëm të asaj bote kulturore të lashtë, por gjithmonë të re për vlerat dhe mesazhet e saj. U desh të takoheshin dy gjeni, një nga gjenitë e kulturës dhe të mendimit persian të shek. XI-XII, Omar Khajami, dhe gjeniu i kulturës shqiptare të shek. XX, Fan Noli, që në botën shqiptare të vinte shpirti i artit dhe i mendimit të Khajamit, në një version magjistral, që po të parafrazojmë fjalët e Nolit për Fizxheraldin “i jep të drejtë Shqipërisë të mburret për Fan Nolin aq sa Persia vetë për Omar Khajamin”. Shqipërimi i rubairave prej Fan Nolit nxiti edhe përkthimin e një tufe syresh prej një njohësi të rrallë të kulturës dhe të gjuhës së Persisë së Lashtë, që me shkrimet e tij botuar në vitet 20-30 të shekullit që shkoi në gazetat e Teheranit kishte mahnitur botën intelektuale persiane për faktin që një intelektual nga një vend i vogël dhe i largët evropian njihte aq mirë shpirtin e kësaj gjuhe të vjetër të poezisë e të shkencës. Ky ishte Hafiz Aliu, lindur në Korçë, ku mori mësimet e para e të mesme, për t’i vazhduar në Universitetin e Stambollit, për t’u bërë jo vetëm një nga figurat e shquara të klerit islam, por dhe një nga protagonistët e jetës kulturore të kohës në Shqipëri. Këtë traditë e vazhduan më tej personalitete si Sejfulla Malëshova, që sillte me shqipërimet e tij risinë e një poeti elegant dhe të një mjeshtri të vargut. Midis këtyre përkthyesve Omar Khajami qëndron si një sfinks, i kuptuar dhe i dëshifruar në mënyra të ndryshme, siç ndodh me enigmën që paraqesin mendjet e mëdha dhe mendimet e thella për brezat që vijnë e ikin, të habitur përpara gjenialitetit dhe universalitetit të etërve të kulturës njerëzore, e krijuar kudo qoftë, në Lindje a në Perëndim.
Pyetja kush është Omar Khajami vazhdon të mbetet sot e kësaj dite në tryezën e diskutimeve akademike. Shpirt enciklopedik, astronom, matematicien, filozof dhe poet, personalitet kompleks, që çdo shkollë poetike a mendimi, çdo fe a sekt fetar, ka dashur ta quajë të vetin, Omar Khajami mbetet ai që është. Të ndriçohet sadopak vepra e këtij magjistari të madh të mendimit dhe të fjalës, “besnik i vetvetes”, ky është dhe motivi që shtyu organizuesit e këtij simpoziumi të ndërmerrnin nismën e kësaj veprimtarie, kushtuar veprës së Khajamit dhe historisë së përkthimit të Rubairave të tij në gjuhën shqipe.

Jorgo Bulo: Zëvendësimi me anglishten? Mallkimi i dytë i gjuhës shqipe


Jorgo Bulo: Zëvendësimi me anglishten? Mallkimi i dytë i gjuhës shqipe

AKADEMIK PROF.DR. JORGO BULO


Jorgo Bulo: Zëvendësimi me anglishten? Mallkimi i dytë i gjuhës shqipeNë një deklaratë të bërë kohët e fundit në një mbledhje të radhës të qeverisë, Kryeministri Berisha ka sugjeruar që tash e tutje gjuha e shkollave të larta publike në Shqipëri të bëhet anglishtja. I pyetur në telefon nga një e përditshme, lidhur me këtë deklaratë kam dhënë mendimin tim mospajtues me sugjerimin e Kryeministrit. Fill pas kësaj, i ngazëllyer nga propozimi i Kryeministrit, z. Fatos Tarifa boton në gazetën "Mapo" (27.08.2012) një koment plot zemëratë ndaj "heretikëve" që nuk e miratojnë idenë e Kryeministrit e cila shpreh, sipas tij, "një frymë kozmopolitanizmi dhe realizmi, si dhe një qëndrim vizionar".
Është e drejta e z. Tarifa ta mbrojë idenë e Kryeministrit, qoftë se mund të jetë i bindur për përmasën e saj vizionare, qoftë edhe për arsye të tjera të kuptueshme në një botë jesmenësh e kameleonësh modernë. Por z. Tarifa nuk ka të drejtë të fyejë ata që mendojnë ndryshe dhe aq më tepër nuk ka të drejtë t'u japë mësime, e madje edhe urdhra, si të mendojnë e të flasin. Megjithatë i jam mirënjohës z. Tarifa, se me komentin e tij më nxiti të shtjelloj pikëpamjen time se përse nuk jam i një mendjeje me Kryeministrin për këtë çështje, çka nuk mund ta bëja në një intervistë fare të shkurtër dhënë me telefon.
Duhet ta them që në krye, se në këtë rast nuk jam i një mendjeje me Kryeministrin pikërisht për shkak të asaj që ai vetë deklaroi disa ditë më pas po në mbledhjen e qeverisë kur, duke kërkuar me të drejtë që mësimi i gjuhës të ndahet nga mësimi i letërsisë, theksoi se gjuha shqipe duhet të jetë një lëndë lider në sistemin tonë të arsimit. Në këtë vështrim mua sugjerimi për të ndryshuar shtyllën gjuhësore të arsimit të lartë publik, më duket i nxituar, joracional, jorealist, e aspak "vizionar", sepse, nuk merr parasysh pasojat largvajtëse dhe as koston kulturore që do të kishte zbatimi i këtij propozimi.
Në radhë të parë dha para së gjithash një veprim i tillë nga pikëpamja formale juridike do të binte ndesh me Kushtetutën. Shqipja ka statusin e gjuhës zyrtare në Republikën e Shqipërisë dhe shteti ka detyrimin kushtetues për "mbrojtjen dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe" (Neni 59 i Kushtetutës). Por, ta lësh shqipen prapa derës së auditorëve të universiteteve shtetërore në Shqipëri, kjo nuk është as "mbrojtje", as "përkrahje e veçantë", ky është diskriminim i saj dhe këtë diskriminim çdo shqiptar ka të drejtë të mos e pranojë.
Gjuha është më e madhja dhe më e rëndësishmja pasuri shpirtërore kombëtare, ajo është jo vetëm mjeti i pazëvendësueshëm i komunikimit, por dhe dëshmi e fortë, e pashlyer në shekuj, e identitetit tonë, jo vetëm shprehje e ndërgjegjes kombëtare, por dhe një monument, një fakt madhor kulturor, pasqyrë dhe shprehëse e arritjeve të intelektit dhe gjenisë krijuese të këtij populli dhe të dijeve e të kulturës universale. Besoj se e kemi për detyrë që këtë pasuri ta ruajmë e zhvillojmë institucionalisht, jo ta rrënojmë institucionalisht.
Përjashtimi i shqipes nga procesi akademik në universitetet publike, do ta dënonte atë të mos zhvillohej, pasurohej e lëvrohej si gjuhë e dijes dhe shkencës, do të sillte varfërimin e saj, do ta degradonte gradualisht, nga një gjuhë polifunksionale, në një gjuhë me funksion të kufizuar dhe me hapësira të ngushta zhvillimi. Si çdo gjuhë tjetër kulture dhe e standardizuar gjuha shqipe është një mekanizëm kompleks, një sistem brenda të cilit funksionojnë disa tipe ligjërimi, stile të niveleve të ndryshme e sferave të ndryshme, stile të ligjërimit artistik, dituror, savant, shkencor, teknik e të tjerë. Nxjerrja e shqipes jashtë përdorimit në auditorët e universiteteve publike do të çonte në mpakjen dhe tharjen e një dege të madhe të kësaj peme shumëdegëshe, sepse auditorët e universiteteve, katedrat dhe organizmat e tyre të kërkimit shkencor janë laboratorë të përpunimit, të lëvrimit e të pasurimit të gjuhës shqipe dhe si mjet i komunikimit dhe i zhvillimit shkencor.
Shqipja i ka këto mundësi dhe ka dëshmuar se mund t'i përballojë këto prova në nivelet më të larta të komunikimit. Një nga këto nivele, fjala vjen, është ligjërimi filozofik. Studiuesi Ardian Vehbiu, i cili i shikon zhvillimet e shqipes nga brenda si gjuhëtar profesionist dhe jo nga jashtë si diletant a "analist i gjithëdijshëm", në një shkrim të kohëve të fundit ka vënë në dukje se "cilësia e shqipes në përkthimet e veprave të Marksit, Engelsit dhe Leninit, mbetet edhe sot model për ligjërimin filozofik" e se "shqipes nuk i mungon asfare aftësia për të shprehur nocionet filozofike - me kusht që ligjërimi filozofik të lëvrohet" ("Mapo" 03.09.2012). Nëse ky tip ligjërimi është tharë dje, e vazhdon edhe sot të përthahet në auditorët e universiteteve tona, ky nuk është faji i shqipes, dhe as arsye për ta prerë këtë degë, përkundrazi. Ç'do të bëhej fjala vjen me legjislacionin e shtetit të sotëm shqiptar dhe me terminologjinë e drejtësisë, me shqipen e korpusit të akteve ligjore, që nuk janë të destinuara as kryesisht, as vetëm për anglofonët, në qoftë se do ta prisnim këtë degë të pemës së shqipes? Kështu mund të vazhdonim me shumë shembuj.
Por z. Tarifa e ka hallin tek "fryma e kozmopolitanizmit". Por atëherë, për t'u bërë tamam kozmopolitanë, madje kozmopolitë ekumenikë, pse të mos kërkojmë që edhe në institucionet tona fetare të kthehen gjuhët "universale" të feve të mëdha botërore, si latinishtja për komunitetin katolik, greqishtja për atë ortodoks, dhe arabishtja, gjuha e kuranit, në institucionet e besimit islam? Besoj që edhe z. Tarifa do ta shihte këtë si një kthim prapa. Por atëherë nuk tingëllon si paradoksale që, ndërsa të parët tanë, duke nisur nga Gjon Buzuku për të ardhur tek Kristoforidhi, F. S. Noli, Don Simon Filipaj e të tjerë, u përpoqën për kombëtarizimin gjuhësor të institucioneve fetare, ne sot të ushqejmë idenë e çkombëtarizimit gjuhësor të universiteteve laike, siç janë universitetet shtetërore a publike?
Sidoqoftë, nuk mund t'i shmangemi një argumenti që sjell z. Tarifa në komentin e tij. Sipas tij, thuajse në gjithë botën universitetet e zhvillojnë procesin akademik në anglisht. Është jashtë çdo dyshimi që anglishtja është bërë sot gjuha më e madhe dhe më e përhapur e komunikimit botëror, siç është jashtë çdo dyshimi se duhet bërë gjithçka që kjo gjuhë të përvetësohet masivisht nga brezi i ri, që komunikimi dhe literatura në këtë gjuhë të hyjë sa më gjerësisht në universitetet tona publike e private. Por tabloja që paraqet z. Tarifa për vendin që zë anglishtja në universitetet publike jashtë, na rezulton e njëanshme. Z. Tarifa sjell si shembuj vende me specifika krejt të tjera nga Shqipëria, na çon larg nga Belgjika deri në Singapor, përmend disa vende ballkanike, por nuk na thotë konkretisht se në cilin universitet shtetëror të një vendi ballkanik, është vendosur anglishtja si gjuhë që përjashton gjuhët zyrtare të atyre vendeve. Po në vendet e mëdha evropiane? Sorbona, fjala vjen, e ka zëvendësuar frëngjishten me anglishten? Po të kishin këtë mendje francezët, pse investon aq shumë shteti francez në një projekt aq të kushtueshëm si frankofonia? Gjuha zyrtare e universiteteve të mëdha publike në Gjermani (Universiteti i Laipsigut, Ludwig-Maksimilians, -Universität Munich, Johan Wolfgang Goethe-Universität Frankfurt, etj.) me sa dimë është gjermanishtja dhe studentët e huaj nuk pranohen në ato universitete pa iu nënshtruar testeve të gjuhës gjermane. Po ashtu Sapienza, Università di Bologna në Itali e të tjerë. Është e vërtetë ndërkaq se nga rektori i Universitetit Politeknik të Milanos është hedhur ideja që ky universitet të kalojë në gjuhën angleze, për të arritur një treg më të gjerë, për të tërhequr më shumë studentë të huaj dhe për të qenë pa dyshim në një kahje me prirjet e zhvillimeve globale. Po ndërkaq është po aq e vërtetë se ky propozim ka hasur në kundërshtime të forta, treqind e ca profesorë janë duke organizuar një peticion proteste; veç të tjerave ata i tremben edhe kostos kulturore që do të kishte ky veprim. Por nëse Italia një vend i madh, italianët një popull i madh dhe italishtja një gjuhë e madhe, e pasur, e lëvruar në shekuj, i tremben kësaj kostoje, a nuk kemi arsye të shqetësohemi ne shqiptarët? A nuk kemi shumë arsye më tepër ne ta masim mirë një hap të tillë, po të kemi parasysh edhe ndikimin e pasojat që do të ketë ai në sistemet e arsimit jo vetëm brenda Shqipërisë së sotme politike, por edhe të Shqipërisë gjuhësore, për universitetet publike shqiptare në Kosovë a në Maqedoni ku shqipja ka qenë deri dje gjuhë e rrezikuar, në mos vazhdon dhe sot të jetë e tillë.
Për hir të së vërtetës nuk është se z. Tarifa në komentin e tij i mohon mundësitë e shqipes si gjuhë e kulturës, ai shqipton si nëpër dhëmbë disa fjalë për vlerat e saj, por kur vjen puna për vendin dhe rolin e saj në nivelet e larta të komunikimit, e humbet vetëkontrollin, e sheh atë si "rosakun e shëmtuar" të përrallës së Andersenit dhe i cakton një vend andej nga bishti i konakut. Ai shkruan: "Në gjuhën shqipe mund të lexohen disa kumtesa (në konferenca që i quajnë 'shkencore', madje edhe 'ndërkombëtare', por që s'janë aspak të tilla), ose mund të botohen disa artikuj (në revista që s'kanë asgjë akademike)".
Unë pata thënë në intervistën time, se propozimi për t'u veshur "frakun" e anglishtes universiteteve tona publike është shprehje e një kompleksi provincial inferioriteti, pse jo dhe snobizmi. Me çka shkruan z. Tarifa dëshmon hapur se mbijeton sot e kësaj dite specia e "provincialëve levantinë", siç i quan Konica shqiptarët e kompleksuar nga prejardhja e tyre "provinciale" që, për ta mbuluar atë, veshin një pelerinë fallto evropiane, a hedhin me një gjest butaforik kapelat e uniformave universitare në ceremonitë e shumta të diplomimit, edhe kur diplomat janë fallto a të blera. Në punë të gjuhës, këta levantinët, thotë Konica, "janë plotësisht të bindur se shqipja është një gjuhë e dobët dhe e pazonja të përdoret për të biseduar punë me rëndësi ose për të shfaqur ndjenja të holla". As më pak e as më shumë nuk thotë edhe z. Tarifa, duke harruar se me këtë gjuhë "të dobët" Konica me shokë krijuan vepra të mëdha arti.
Në ekstazë prej "frymëzimit vizionar" të Kryeministrit, z. Tarifa prosval jo vetëm shqipen, por edhe gjuhët e tjera "të vogla", se sipas tij "të mëdha" nuk ka, përveç anglishtes. Por z. Tarifa harron se gjuhët "e mëdha" mbeten të tilla, jo për shkak të përdorimit të gjerë në komunikimin botëror, por për shkak të kulturës së madhe që ato shprehin. Jo vetëm gjuhët e gjalla, por edhe gjuhët e vdekura mbeten të mëdha, si latinishtja fjala vjen, deri dje gjuha universale e një kulture të madhe.
Si përfundim kërkoj mirëkuptimin e lexuesit dhe të z. Tarifa, se nuk kam asgjë me të, por me çështjen. Dhe çështja është kjo: Pas 125 vjetësh të shqipes si gjuhë e shkollës dhe prej 100 vjetësh të shqipes si gjuhë e shtetit shqiptar, pasi ka arritur statusin e gjuhës së ligjërimit në nivelet më të larta të sistemit universitar, këtij "mekanizmi shprehës të klasit të parë" (Kadare) propozohet t'i priten krahët, t'i hiqet mundësia e funksionimit si e tillë, duke e zbritur në statusin e një gjuhe të penguar si gjuhë e shkencës dhe e dijes universitare. Po të ishin gjallë në këtë 100-vjetor dëshmori i gjuhës shqipe P. N. Luarasi dhe një nga veteranët e çështjes kombëtare, luftëtari dhe kronikani i kryengritjeve që çuan në fitoren e Pavarësisë, autori i komedisë "Mallkimi i gjuhës shqipe", Mihal Gramenoja, do ta përjetonin këtë si një mallkim "të dytë" të gjuhës shqipe. Por ndërsa mallkimi "i parë" vinte prej pushtuesve dhe prej njerëzve të Patrikanës greke të Stambollit, për ironi të fatit ky "i dyti" vjen prej shqiptarëve.

Edi Rama i jep fund anarkisë gjuhësore





Jorgo Bulo: Redaktori gjuhësor


TIRANE - Si u dhunua gjuha e dokumentacionit shtetëror për më shumë se 20 vjet dhe sa i domosdoshëm është roli i redaktorit gjuhësor në institucionet shtetërore.

Masakra ndaj shqipes, sidomos në dokumentet zyrtare, por edhe në reklama e emërtime, apo në media për më shumë se 20 vjet ka qenë gjithmonë shqetësimi i gjuhëtarëve dhe akademikëve. Madje në 2004 nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, u paraqit një projekt-ligj për mbrojtjen e gjuhës shqipe, por kurrë nuk u mor në konsideratë.

Sot, nismën e kryeministrit të zgjedhur Edi Rama, për t'i dhënë fund masakrës së gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, akademiku Jorgo Bulo e konsideron shpëtim, si fundi i një anarkie gjuhësore.

 Gjuhëtari i njohur jep konsideratat për këtë nismë, arsyet pse e quan fund të një anarkie gjuhësore, se deri në ç’masë do ta frenojë kjo nismë deformimin e shqipes, dhe sa e zbatueshme është kjo reformë.

- Si e gjykoni nismën e Kryeministrit Rama për vendosjen e redaktorit gjuhësor në institucionet shtetërore?

- Kërkesa e Kryeministrit Rama për vendosjen e redaktorit gjuhësor në çdo institucion shtetëror është në thelb hapi i parë, i mençur dhe i domosdoshëm, për vendosjen e disiplinës gjuhësore të shtetit, për të kthyer seriozitetin e munguar edhe në praktikën shkresore administrative. Por kjo nismë shkon përtej nevojës për një paraqitje korrekte thjesht drejtshkrimore të kësaj praktike. Përveç se shprehje e vlerësimit për shqipen si pasuri identitare e kombit, nisma e Kryeministrit Rama ndihmon për t'i dhënë fund një lëngate të gjatë njëzet e ca vjeçare anarkie gjuhësore, nxitur në emër të një "liberalizmi gjuhësor".

- Në ç'masë do ta frenojë kjo nismë deformimin e shqipes letrare?

Në radhë të parë, siç thashë, fjala nuk është thjesht për zbatimin e normës drejtshkrimore, por për ngritjen e kulturës së gjuhës në përgjithësi, të zbatimit të normës morfologjike, sintaksore e leksikore dhe të kristalizimit të stilit të ligjërimit përkatës. Nga ana tjetër, masakra me shqipen letrare nuk ka prekur vetëm praktikën shkresore administrative, por të gjitha rrafshet dhe hapësirat e përdorimit publik të shqipes, që nga foltorja e Kuvendit, te media e shkruar dhe e folur, deri te botimet, madje edhe ato shkollore.

- Nga ana praktike sa është e zbatueshme kjo reformë?

Kjo gjendje në përdorimet publike të shqipes ka ardhur si nga pakujdesia e shtetit, ashtu dhe nga defektet e formimit gjuhësor në shkollë, sidomos të eksperimentit të dështuar të bashkimit të mësimit të gjuhës dhe të letërsisë në një orë dhe në një tekst, por dhe të zbehjes së rolit të institucioneve arsimore dhe shkencore në procesin e zotërimit dhe të ngulitjes së normës gjuhësore përmes studimeve dhe trajtimit të çështjeve teorike dhe praktike që lindin në këtë fushë.

Kështu që puna nuk mbaron këtu, por fillon këtu. Kultura e gjuhës është pasqyrë e qytetërimit modern të një populli dhe ngritja e kulturës së gjuhës është detyrë e përhershme e gjithë shoqërisë, e shtetit dhe e institucioneve përgjegjëse për zhvillimin e mendimit shkencor gjuhësor.

Në vitin 2004 Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, atëherë në vartësi të Akademisë së Shkencave, ka paraqitur një projekt-ligj për mbrojtjen e gjuhës shqipe, i cili prej gati dhjetë vjetësh fle në sirtarët e Kuvendit. Ka ardhur koha që detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve në përdorimet publike të shqipes të rregullohen me ligj, për të krijuar një front të përbashkët të gjithë shoqërisë për t'i dhënë kulturës gjuhësore të shqipes shkëlqimin që ajo meriton.
Jorgo Bulo.gif
Jorgo Bulo është Akademik, i cili ka bërë shpjegimin e disa termave të shkencës e të teknikës për hartuesit e Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980.
Mban titullin Profesor Doktor.

Festivali i 11-të, Edi Luarasi: Si na spiunoi vajza e Enverit



 Festivali i 51-të i RTSH-së nuk do të rikthejë vetëm imazhin e këngëtarëve të shquar të festivalit të 11-të, por do të kthejë live në skenë edhe dy prezantuesit Edi Luarasin dhe Bujar Kapexhiun.

Zbulohet surpriza e organizatorëve, ndërsa duhen edhe 15 ditë nga fillimi i edicionit të 50-të festivalit. Organizatorët kanë menduar të ngjisin sërish në skenë të dy prezantuesit e atij festivali që u ndëshkua dhe nuk u shfaq më kurrë gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Të dy prezantuesit kanë nostalgji dhe emocione të veçanta. Aktorja e njohur Edi Luarasi, prezantuesja e bukur e asaj kohe, me gjithë prezencën e saj elegante, sot ndjen frikën e moshës. Me të qeshur thotë se nuk i ka më ata “flokët e dendur e të ngritura lart në mënyrë madhështore”. Por edhe artisti i njohur Bujar Kapexhiu, që në atë kohë ishte rreth 26 vjeç dhe me kaçurrela të bukura, rrëfen me nostalgji. Rrëfimet e dy prezantuesve të festivalit të 40 viteve më parë për “Shqiptarja.com” nuk kanë fund. Ata përveç gjërave të panjohura sjellin edhe atmosferën e gjallë të atij festivali. Të intervistuar veç e veç, ata jo rrallë herë rrëfejnë të njëjtat detaje, e megjithatë secili prej tyre i ka bërë pjesë të shpirtit krijues ato net të bukura, magjike e spektakolare, kur në Shqipërinë komuniste jepej festivali i 11-të i këngës në Radio-televizion.

Zonja Edi, ju do të riktheheni në festivalin e këngës në RTSH si prezantuese me prezantuesin tjetër të Festivalit të 11-të të këngës, Bujar Kapexhiun. Çfarë kujtoni nga ajo kohë. Si jeni ndierë?

Emocionet kanë qenë shumë të mëdha. Disa gjëra i kujtojë si atëherë e disa i kam harruar se ka kaluar koha. Rikthimi im si prezantuese më shkakton emocione shumë më të mëdha se atëherë, sepse ka kaluar koha dhe ne jemi mplakur. Bujari është shumë më në formë se mua. Por unë kam një ndjesi të çuditshme, sepse njerëzit më mbajnë mend nga atëherë dhe kam frikë se mos i zhgënjejë.

Po me Bujar Kapexhiun keni folur për prezantimin?
Bujarin e mora në telefon para dy-tre ditëve dhe i thashë, “A të kanë thënë për festivalin?”. “PO”, tha. “Bujar po unë kam merak, e dua tekstin para kohe, se mos nuk mbaj mend gjë”. “Hajde moj Edi se do të improvizojmë ne si atëherë”, më tha ai duke qeshur.

Kishit një skenar të përpiktë atëherë, apo u lejohej improvizimi?
Ne bënin edhe improvizime. Regjia kishte një skenar, por improvizimet i kishim si objektiv për t’i dhënë skenës më shumë gjallëri, që të mos krijonim boshllëqe nga kënga në këngë.

E mban mend veshjen që kishe në skenë?
E mbaj mend sepse kisha tre fustane shumë të bukura. Kisha gjetur ca copa të rralla kineze. Kinezët hapën një ekspozitë në Shqipëri me mallrat më të mira industriale, copat e mëndafshta dhe dizajnët interesante. Kur ikën, ia falën mallin e ekspozitës Shqipërisë dhe kush mundi bleu nga këto metrazhe. Mbaj mend një fustan punuar me fantazi, copë e hollë dhe e lehtë. Të dukej vetja si flutur. Edhe modelet e prerjes në atë kohë kanë qenë më të avancuarat e kohës. Bëra dhe flokët sipas modës, por mbaj mend që u mërzita shumë. Shkova te parukierja dhe i kisha bërë flokët të fryra, të ngritura përpjetë. Nikolla Zoraqi më tha: “I ke shumë lart flokët, lagi, lagi, uli!”. Artistët i fshihnin disa aksesorë dhe kur dilnin në skenë i ekspozonin. Të gjithë donim të bënim një spektakël të nivelit të lartë. Në atë kohë Rafaela Kara bënte bujë në Itali. Na thanë për spektaklin se arritët nivelin e saj. Ky festival ishte më shumë se një shfaqje koncertale. Mbaj mend Mihallaqin që ishte regjisori i festivalit dhe na bërtiste matanë: “Nuk dua asnjë pauzë para se të dalë këngëtari”. Dhe pa dalë nga skena këngëtari, hynim neve për ta përcjellë me një mënyrë komunikimi. Pastaj çuditërisht në atë festival nuk këndohej për partinë, për kooperativistin, për brigadierin pararojë. Më vjen të qesh se mbaj mend fjalët e këngës të një festivali më parë: “Brigadieri pararojë/Djali simpatik/Vetullgjerë si shqiponjë”... Lere ç’të kujtosh. Ndërsa në festivalin e 11-të nuk i shkoi mendja njeriu të bënte këngë të tilla. Më pas u kritikua për qamet vargu “buzët e tua vinë era limon”, se duhej ndoshta të thoshim që “vinë era graso”….

Pas gjithë këtij entuziazmi, kur e ndjetë reagimin e parë negativ të qeverisë?
Menjëherë pas festivalit. Lajmi erdhi në fillim si thashetheme, “që Enver Hoxha e ka kritikuar festivalin”. Bo, bo thamë dhe filloi një shqetësim i madh. Por thoshin se kanë qenë me pushime Enveri me Nexhmije Hoxhën dhe Pranvera, e bija, e cila ndiqte festivalin, i lajmëron dhe u thotë: “Hajde babi, se po bëhet nami në Tiranë, shifeni!”. Pranvera megjithëse dilte jashtë dhe shijonte një jetë shumë liberale, u tregua e ashpër ngaqë e pa që nuk po këndohej për të atin...

Si vijuan sulmet pas kësaj?
Filluan mbledhjet, me një pretekst se sikur të rinjtë e Lushnjës e Myzeqesë kishin thënë se “ç’është ky festival”. Nikolla Zoraqi nuk e mori aq seriozisht këtë pretekst dhe në çast shpërtheu: “Por edhe ne kemi marrë shumë letra, por kemi marrë letra lavdërimi!”. Masat nisën të merren, sa filloi loja...

Sa vjeç ishit atëherë. Çfarë kujtoni nga batutat e partnerit tuaj në skenë?
Mund të kem qenë nja 30 vjeçe. Bujari ishte edhe më i ri se unë. Mbrapa skene më thoshte do të them këtë e këtë. Dhe unë “mos të keqen, mos e thuaj”. Ai ishte i lirë fare. E bukur ishte lidhja që sajuam me juritë e rretheve. Na quajtën të çmendur. Si u lidhkeni ju me juritë e rretheve, kaq kollaj është. Dihet teknologjia e asaj kohe. Por ne sfiduam edhe me këtë, se kishim bërë gati përgatitjen; i kishim regjistruar që të mos bëheshin gafa në jurinë më përpara. U lidhëm me Korçën, Shkodrën, Elbasanin, etj. Rinia mezi e priste këtë festival. Ishte koha e Adriano Çelentanos, që është edhe sot i madh, por edhe ne kishim shumë këngëtarë të mirë.

Mihalin si regjisor dhe ty, për festivalin e 11-të ju dënuan?
Po për festivalin, por duhet thënë se shkak u bë edhe “Njollat e Murrme” dhe kjo duhej dhe …..

Cilat këngëtare ke pasur mike?
Unë kam mbaruar për teatër dhe nuk kisha shumë mike, por me Vaçe Zelën njihesha e bisedonin së bashku, sepse Vaçja ka bërë edhe Institutin e Lartë të Arteve për aktore.

Çfarë kujton nga Vaçja?
Më vjen keq që ka pësuar probleme shëndetësore sot. Ajo Më tregonte se kishte simpati për Koni Frençin, e kishte idhull. Vaçja ka pasur zë të mirë shumë. Ajo në atë kohë ka qenë edhe e preferuara e udhëheqjes si këngëtare. Ndërsa Vaçja mbante flokë të gjata deri tek vithet, nuk shihej me sy të mirë, por ishte “kokëkrisur” ajo. Megjithatë, të gjithë e donin Vaçen. Kishte një zë fantastik.

Nuk më thatë ngjyrat e tre fustaneve të tua?
Njëri kishte ngjyrë të zezë të argjenduar. Një tjetër ishte mëndafsh me reflekse gri e bojëqielli. Dhe njëri me një u bë një fantazi të veçantë. I thashë rrobaqepëses se e dua me plise (me pala) që nga lart deri poshtë. Vinte duke u zgjeruar dhe mëngët i kishte të gjera.

Ke foto me këto veshje?
U zhdukën të gjitha, kush i la. Më vjen çudi si kanë ngelur nja dy gjëra në Kinostudio, ku jam unë duke bërë makijazh. Atëherë edhe skulptorët thyen gjithë skulpturat që kishin bërë nudo, e piktorët i grisën.

HISTORIA

CFARE NDODHI ME FESTIVALIN E 11-të
Festivali i 11-të i Këngës në RTSH u zhvillua nga datat 22-24 Dhjetor 1972, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Regjisori i atij festivali ishte regjisori i talentuar Mihallaq Luarasi. Prezantues ishin aktorja e bukur Edi Luarasi dhe artisti simpatik Bujar Kapexhiu. Ata prezantuan me nivel artistik. Në atë festival u paraqitën 20 këngë, te cilat u kënduan nga 19 këngëtarë, sepse këngëtari Sherif Merdani këndoi dy këngë. Këngët e atij festivali u shoqëruan nga orkestra e drejtuar nga Zhani Ciko, si dhe nga orkestrina frymore e drejtuar nga i talentuari Gasper Curcia. “Një shkëndijë filloi te ndizej në atë festival rrëfejnë prezantuesit e intervistuar në “Shqiptarja.com”, Luarasi dhe Kapexhiu. Përveç jurisë qendrore të Tiranës, ishin edhe disa juri te tjera ne qytete te ndryshme te vendit. Por pas këtij festivali nisën ndëshkimet e atyre që e bënë. Është një listë e gjatë artistësh. U dënuan Gasper Çurcia, Bashkim Alibali, Justina Aliaj, prezantuesit Edi Luarasi e Bujar Kapexhiu, Françesko Radi, Aleksandër Lalo, duke i hequr nga puna dhe dërguar në prodhim. Ndërsa nëpër burgje shkuan vetë regjisori, Mihal Luarasi, Sherif Merdani,etj, etj.

festivali 11 bujari dhe edi luarasi

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...