2013-10-03

Agim M. Doçi-Azem Hajdari: Legjendë i gjallë, Legjendë i vdekur

Azem Hajdari do të frymëzojë shumë të rinj me aspirata politike


Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi zhvilloi sot homazhe në nderim të heroit të Demokracisë Azem Hajdari. Në fjalën e tij Topi vlerësoi figurën e Hajdarit duke thënë se ishte një njeri kurajoz, dinjitoz dhe shumë diplomatik. Sipas Topit figura e Azemit do të frymëzojë në të ardhmen shumë të rinj dhe të reja që aspirojnë të futen në politikë. “Është një ndjesi e veçantë sot që nderojmë heroin e Demokracisë, Azem Hajdari, i cili ashtu si i takon do të prehet në varrezat e Dëshmorëve. Unë do ta përcaktoja se si fat të jetës sime që kam njohur Azem Hajdarin, njeriu më i hapur në atë që kam njohur në PD. Një njeri shumë kurajoz, dinjitoz, pa komplekse. Njeri i cili dinte të bënte edhe trimin dhe diplomatin. E kujtoj me shumë mall, e respekt. Ai do të mbahet mend si një njeri i papërlyer që do të frymëzojë të rinj dhe të reja, sidomos ata që duan ti hyjnë rrugës së politikës me dinjitet dhe jo nëpërmjet labirinteve që shpeshherë politika arrihet.(Prof.dr.Bamir Topi)






Azem Hajdari: Legjendë i gjallë, Legjendë i vdekur


Të ulesh para letrës së bardhë e të shkruash për Azem Shpend Hajdarin – Heroin e Demokracisë Shqiptare, është tepër e vështirë. Jo ngase jeta e tij 35 vjeçare është e mbushur plot, si personazhet e legjendave, por sepse Azemin e duan të gjithë shqiptarët padallim. Ndokush me të drejtë mund të shprehet :- sa pak, tepër pak, po shkruani, për atë trim atdhetar.



Keni të drejtë ! Por në kujtesën kombëtare, Azem Hajdari, do jetojë gjithmonë.
Vonë, tejet vonë, por Azem Shpend Hajdari sot e tutje prehet aty ku e meritonte, në Altarin e Heronjve dhe Dëshmorëve.


Nejse!
Azemi ishte një mjeshtër i madh i fitimit të zemrave të njerzve të thjeshtë. Entuziazmi i njerëzve nga jugu në veri, në ato kohë të trazuara e të përmbysjeve të mëdha, sapo merrnin vesht se ka mbërritur Azem Hajdari, mbushnin sheshet, rrugët duke brohoritur „Azem! Azem! Ti je bota!“
Azem Hajdari do të mbahet mend si i vetmi politikan shqiptar, që e donte aq shumë Kosovën, derisa flijoi jetën e vet. Ishte mik personal i burrit të madh Ibrahim Rugova.



Njeriun e vetëm që të gjithë e thërrisnin „doktori“, Azemi e adhuronte, madje e quante „Mareshall“. Fjala është për Dr. Berishën. Deri në fund të jetës së vet, për Sali Berishën, Azemi e kishte „problem“ sesi tia demonstronte adhurimin e besnikërinë. Kjo dhe e mundonte shpesh atë. Në PD kishte shumë „gojë të këqia“ që hapnin fjalë se Azemin nuk e honepste Berisha(!). Nuk është e vërtetë! Mirënjohjen Berisha e ka institucion të pa kontestueshëm dhe ndaj Azemit kishte një dashamirësi totale. Ndoshta Berishën e „pengonte“ sadopak të qënurit nga e njejta krahinë…


Azemi do mbetet, sëtoku me studentët e tjerë të dhjetorit `90-të, si varrmihës i diktaturës. Mesazhet e tija, sa origjinale, aq dhe atdhedashëse, do rrezatojnë përherë tek çdo njeri, që e meriton emrin patriot.




Brezave të ardhshëm të politikanëve shqiptarë, lé t’u shërbej qartësia e Azemit, si pikë referimi, për të dashur më shumë atdheun sesa karriget e pushtetit ! Ishte tribun i vërtetë.
Tek këto vlera, që do t’i quaja „ pronë e patundëshme e Azemit“ do ndalem dhe padyshim do të përcjell tek lexuesit portretin e tij, sa origjinal aq dhe të paarritshëm.


Kisha fatin dhe nderin që isha shoku më i ngushtë i tij, për vite me radhë. Nuk e kam menduar kurrë, që do të shkruaja faqe të tëra pa m’i lexuar më parë Azemi. Kurrë! Monografia ime për atë Tribun shpejt do dalë në botim. Kronologjikisht do respektoj faktet, veçse lexuesit do t`i lutesha të mos mendojë asnjë çast, se këto kujtime, i japin vlerë autorit të monografisë.



Vlerat i ka, vetëm Azemi !
…Kujtoj gjithmonë ditët dhe netët kur shkruaja këngët për Kosovën. Azemi përqëndrohej i gjithi, duke më nxitur t‘a bëja vargun më të fortë apo mesazhin më të qartë për njerzit. Kishte kujtesë të pazakontë për ngjarje, emra dhe bëmat e trimave të asaj treve. Kujtonte Zhuj Selmanin, Qorr Iljazin, Shaban Polluzhën dhe thoshte gjithmonë: Atje i kemi vorret e të parëve tanë!..


Azemi e njihte Kosovën dhe shpirtin atdhetar të shqiptarëve të Kosovës më mirë se kushdo tjetër. Sa ishte gjallë Azem Hajdari, kudo, në tubime apo në parlament, në kuvende partiake apo metingje elektorale e mbyllte fjalimin me thirrjet „Rroftë Kosova!“ „Rroftë Flamuri!“ „Rroftë presidenti Rugova!“
Kur në ato vite të fillimeve të lëvizjeve studentore dhe më pas, sa herë qëllonte t‘i tregoja poezitë që kisha shkruar futej i tëri në përmbajtjen e tyre dhe pyeste kush do t‘a këndojë? Bënte vrejtje dhe habitesha se sa i saktë ishte në vrejtjet e tija edhe për vargun poetik.


Kur shkrova këngët për Isuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhoshin, apo për Enver Hadrin, për Elfet Homollin apo Nasemi Helshanin, këngën për pajtimet e gjakut „Prite Anton Çetën“ apo kur shkrova këngën për simbolin e qëndresës Adem Demaçin „Ban gajret Adem Demaçi“ e cila u bë më pas, gati gati si hymn, gëzohej si fëmija. I ndritnin sytë dhe bëhej me fletë prej gëzimit. Ai ishte njeriu më dashamirës i këngës shqiptare. Ishte lexuesi i parë i krijimeve të mija dhe njiherit redaktori më i „pamëshirshëm“ i vargjeve që sipas tij u vinte era realizëm socialist.


Më ngarkoi detyrë imperative të shkruaj hymnin e ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Kur përfundova „Marrshi i UCK-së“ kënduar mjeshtërisht nga Arif Vladi dhe „A vritet pafajsia“ nga Leonora Jakupi, Azemi ishte i pari që deklaroi se pranvera e vitit 1999 do të jetë pranvera e lirisë! I doli fjala!
Ishte miku dhe mbrojtësi më i madh i njerzve të artit. Por ja, që jeta është e padrejtë dhe fati e morri nga gjiri ynë pabesisht.


Për t’a sjellë tek njerzit sa më të vërtetë dhe sa më të plotë, me shumë dhëmbje, shfletoj nga kujtesa ime, nga ditari personal dhe kujtimet e miqve të tjerë ngjarje, momente dhe fakte që i jetova pranë trimit, atdhetarit, politikanit dhe njeriut – simbol Azem Shpend Hajdari.



Pa i redaktuar dhe pa zbukuruar asgjë, po i rreshtoj në këtë monografi. E vërteta, jo gjithmonë është e embël, përkundrazi, dikujt i vjen e idhët e përpiqet t’a fshehë. Me këtë „armë“, me armën e së vërtetës luftoj dhe u përpoq Azemi, të bëjë vend për vehten dhe për idealin e tij. Duke e mbrojtur të vërtetën e duke qenë oponent i saj, Azemi „pagoj“ çmim të lartë, jo vetëm përballë kundërshtarëve të vet, por edhe brenda PD-së, ku ay kishte nënshkrimin e themeluesit në krye të demokratëve.
Azemi ishte tepër i lidhur me elektoratin, i cili e zgjodhi 4 herë Deputet.



Né, shqiptarët, kur „vishemi „ sadopak me pushtet shpërfytyrohemi. Mania e madhështisë dhe fryma e kapardisjes „me dashje apo pa dashje“, cënon personalitetin e liderit dhe karizmën tek populli.Tjetër ishte Azemi. Dora dashamirëse e tij, shtrihej pa hile kur takonte të njohur e të panjohur. Zemërgjerësia e tij nuk ka të krahasuar.


Azemi nuk ishte njeri i pozave dhe salltaneteve. Gëzohej si fëmija kur i zgjidhte hallin dikujt. Ishte miku dhe mbështetësi më ngrohtë i ushtarakëve dhe punonjësve të policisë e strukturave të rendit. Me një zgjuarësi natyrore dhe intuitë si askush, dilte në breg edhe kur të tjerët mbyteshin në një filxhan uji. Azemi ishte shoku më i mirë dhe miku më i afërt të gjithë intelektualëve, pavarësisht nga idetë. Dinte ti nderonte ata edhe ishte tepër tolerant në diskutimet që bënim.




Shpesh herë, me atë të qeshurën e tij të sinqertë, në tavolinat miqsore ku diskutohej për të gjithë temat jetsore, qendër graviteti bëhej Azemi. Përherë e dinim që ai do „lëshonte ndonji tullë“ por nuk e parashikonim se kujt do t’i binte kokës. Tepër i sinqertë, deklaronte : -„ ju dua shumë, bile jua kam lakmi për gjuhët e huaja që zotëroni !…Por këto vlera e thesare që zotëroni, derdhini në „Bankën e Shqiptarisë dhe të Demokracisë.“


Kjo ishte tepër e sinqertë. Kujtoj në një rast me disa të huaj, gjuhën e të cilëve Azemi betohej se nuk e dinte, sapo ata u larguan tha : -„Këta, na e kanë me hile !…“
Dhe me të vërtetë, e gjithë biseda zhvillohej midis nesh dhe të huajve francezë me nerv. Të huajt tepër djallzorë, na kritikonin që kishim mbetur „prapa botës“… Azemi atbot, shprehu në mënyrën që vetëm atij i rrinte hijshëm kur i prekej krenaria kombëtare fjalinë : – „ Po këta dënglaxhi a nuk e dijnë se dhe tunelet me bashkue Europën ia ka hapë inxhinieri shqiptar prej Shkodre Karlo Gega !?…“



Kam patur qindra pyetje nga të gjithë shokët dhe dashamirët kur do shkruash për Azemin ? E vërteta është se nuk e kisha të lehtë, e sinqerisht malli për të, mungesa e tij më trishton çdo ditë, çdo orë, çdo çast. As dora nuk më bindet. Shpirti i plagosur i yni, që Azemi n`a donte aq shumë, ndoshta duke shkruar diçka, mund të gjej melhemin e plagës që mban datën 12 shtator 1998…!
Të vërtetat e rreshtuara sipas këndvështrimit tim të sinqertë, plotësojnë figurën e njeriut Azem. Ky trim fizikisht mungon në radhë të parë tek familja e tij, që Azemi e adhuronte, mungon tek shokët e miqtë e tij, që Azemi i respektonte, por shpirtërisht është tek të gjithë, ndaj do të doja që t`a lexoni pa paramendime politike.


Për të qenë i sinqertë, ngjarjet në 20 vjeçarin e fundit, pra nga dita që u njoha me Azemin në dhjetor 1989, ishin skajshmërisht të superpolitizuara. Sidoqoftë një lexim dhe gjykim i sinqertë nga ana e juaj, do ishte me siguri shpërblimi më i mirë i respektit për Azemin.
Ay një legjendë, një gjeneral demokracie, né aspirues dhe asgjë më shumë. Koha do na gjykojë dhe do na vlersojë të gjithëve…
Po e mbyll me „armën time“, pra me poezinë!
Më mori malli për ty Azem
Të zbresim bashk në Luzh’ tek Tyrbja
Lus Perëndinë vëllanë ma kthen!!
E presin shokët, kanë mall dhe gjindja¨…


Pse ke lexuar “Idioti”-n


luan myftiu

Nuk e kuptova heret pse nuk më lejoheshin shumë gjëra. Pse nuk mund të doja, a të urreja si më thosh zemra. Pse pengohesha të gjykoja me mendjen time, apo edhe thjesht t’i përkisja vetes. Shkurt, shumë vonë e kuptoova pse që më qe vënë kështu kufiri te thana. Ndaj pyesja shpesh veten përse ndihesha i lirë, vetëm kur hiqja dorë vetë nga nevoja për lirí. Përse nuk ndihesha i varfër, kur s’kisha kërkesa dhe përse ndihesha i sigurtë, kur injoroja veten. Megjithatë, si jetim që isha, kurrë nuk u mësova dot pa nevojën për dhembshuri njerëzore. Bilé, asnjëherë s’u ndieva i kënaqur me vetminë e detyruar. Jo! Mos, vallë, prandaj nuk ushqeja ndjenja armiqësore ndaj atyre, që nuk më tregoheshin dashamirës ? Se si kisha vënë ré që edhe nevoja për pak dhemburí njerëzore e shndëroka njeriun në një lloj lypsari. Dhe unë isha bërë i tillë, megjithëse nuk doja ta pranoja. Kisha konstatuar se, në një sistem privues, gjendja shoqërore përcaktonte dhe marrëdhëniet personale. Sepse, kur ndodhi njëherë që klima politike u zbut shumë dhe mua më pranuan të punoja si arsimtar, ( natyrisht, në një fshat të largët ! ), njerëzit sikur ndryshuan qëndrim ndaj meje, sikur filluan të tregonin një lloj dhembshuríe. Dhe unë atëherë u ndieva një qënie shoqërore. Megjithatë, prapë kishte që më pengonin të zija miq. Të kisha shokë dhe sidomos ndonjë shoqe. Përsërí, pra, s’kisha me kë të qaja një hall. Nuk më thosh njerí një fjalë të mirë. Nuk kisha kujt t’i shprehja një brengë. Ndaj thosha që kjo më ndodhte, ngaqë isha bir i një nacionalisti, dënuar prej sistemit. Kështu isha i dyshuari pa fakte, i izoluari pa vendim komision, i burgosuri pa vendim gjykate ! Të isha, vallë, ai fajtori i përjetshëm, imagjinar ? Që druhej të shkonte në dasmat, a ceremonitë mortore të miqve ? Që nuk guxonte t’i shprehte ndjenjat fisnike një vajze me biografi “të mirë” ? Që nuk komentonte dot një film, apo një libër të bukur ? Kështu, ndodhi, pra, që dalëngadalë u mbylla në vetëvete. Që ndjenjat sikur filluan të më “thaheshin”. Që jetoja i lumtur me zotësinë për t’ia mohuar vetes çdo gëzim të jetës. Ndoshta prandaj një mjek i njohur më tha një ditë se vuaja nga karakteromania. Dhe ndoshta kish të drejtë. Se unë jetoja me ca gëzime të çuditshme ! Po ç’të bëja ! Ky qe fati im, që duhej ta përballoja. Mbaj mend që m’u desh të harxhoja dhe shumë energjí për të ruajtur fytyrën time, sepse e ndieja që sistemi kërkonte të më jepte të tijën. Dhe ajo mua nuk më pëlqente. Se nuk isha natyrë e nënshtruar. Se kisha parë shumë, që kishin rënë viktima të karakterit të tyre. Njerëz që i binin dhe murit me kokë. Po unë, më shumë se sedrën e sëmurë, çmoja ndjenjën e dhembshurísë. Nuk di pse më duhej shpesh një ngushëllim. Qoftë ky dhe nga një personazh, që mund të më jepte pak ngrohtësí shpirtërore, të më ngushëllonte në mjerimin e vetmisë. Dhe, çudi, m’u duk sikur befas Zoti m’u gjend pranë. Sikur ma zbriti një ditë të mirën nga qielli. Se befas u ndjeva i plotë, si i mbushur me përkujdesje njerëzore ! Dhe ndonëse këta ishin miq imagjinarë, unë u ndjeva i rrethuar nga dashamirës, që më çmonin shumë, gati sa dhe unë veten time. Kisha gjetur një libër të artë. Më kish rënë në dorë romani “Idioti” i Dostojevskit, të cilin e përpiva duke e lexuar me fjalor, pasi rusishten nuk e njihja aq mirë. E lexova fshehurazi, se qe një libër i ndaluar. I ndaluar nga sistemi që nuk donte njerëz me ndjenja të holla, as me botë të pasur shpirtërore. Se kudo që t’i vinte re këto, sulej ta fuste viktimën në “kthetra”. Ta bënte për vete, t’i merrte haraç të rëndë. Prandaj ndalonte filmat sentimentale, librat e klasikëve, gjithçka që zbuste shpirtin e njeriut. Dhe unë kisha rënë në krahët e një engjëlli mbrojtës, por të mallkuar.
Ndaj më kapi një frikë e fshehtë, se kisha parë artistë të dënuar vetëm pse kishin kënduar me ndjenjë ?! Shkrimtarë të martirizuar pse kishin krijuar vepra që ngjallnin mëshirë ! Poetë të zhdukur pse kishin zbuluar virtyte dhe tek ata, që nuk i donte regjimi !…
Po a mund të shpëtoja unë nga një fat i tillë ? Unë që jetoja i vetmuar dhe për këtë akuzohesha si “minë me sahát” ? Unë që dhe krenohesha pse lexoja libra “psikologjikë”. Mirpo…ndoshta prandaj qe tragjike dhe për të qeshur për mua, kur dëgjova ulërimat e hetuesve, të cilët, duke qënë injorantë dhe duke mos ditur si të ma formulonin akuzën pse kisha lexuar “Idiotin” e Dostojevskit, më kërkuan me tortura ta gjeja unë vetë ndikimin negativ, që mund të kisha pasur nga ky autor i “molepsur” ! Dhe, kur unë u kërkova që këtë të ma faktonin ata, filluannga tortura edhe më të rënda. Dhe unë e dija mirë se ku donin të dilnin. Ndaj pranova më mirë të sajoja kundër vetes “kufizimet ideore”, që kisha pësuar prej këtij konstruktori të shpirtrave njerëzorë. Në fillim u shpjegova se në atë roman nuk bëhej fjalë për një idiot, por për një simbol të mirësisë, për një gjysëm gjeníu, i cili në roman thirret “idiot” pse kish qënë ca kohë i shtruar në psikiatri. Që ky personazh sillet e vepron aty krejt si njeri normal. Pastaj shtova që ky “idiot” është aq i mirë, sa i bën të gjithë për vete me dashurínë e tij njerëzore. Këtu prokurori nuk duroi më gjatë. U ngrit në këmbë dhe, si i çakërdisur, filloi nga ulërímat : “I pandehur ! Përgjigju shkurt ! E ke lexuar ti këtë “vepër” ?!… Po, apo jo !?“. Dhe, kur mori prej meje përgjigjen pozitive, i ra tavolinës me grusht dhe ngriti zërin : ”Për ç’dashurí njerëzore flet ai maskara !? Ë ?!…Për ndonjë dashurí për të varfërit, apo për të pasurit ?!…Apo për… të çmendurit !?… Po ty, more armik, ç’të tërhoqi te “dashuría” e një të lajthituri ?!…Ç’gjë të veçantë paske parë “zotrote” te dhembshuría e një idioti ?!… Fol, pra, armik i partisë ! E para, pse e lexove !?” E dyta, ç’do t’u edukoje ti fëmijëve të popullit me “shpirtin e madh” të këtij borgjezi ?!… Pastaj, prit ! Na fol njëherë ç’ndikime ke pasur ti vetë nga ky edepsëz ?! ( Në sallën, që kish rënë në heshtje, u ndienë ca kukurizma të mbytura !) – . Fol, pra, armik, ç’ndikime ke pasur prej tij ?!… Si ? Si ? Pret të ta themi ne ?! Jo, more ! Po ne s’jemi të çmendur që të marrim me mend adhurimin që të ka krijuar ty një i lojtur nga trutë e kokës !?…Hajde, fol taní ! Si i donte ky idiot njerëzit !?”. Dhe, kur dëgjoi nga goja ime se princi Mishkin i donte njerëzit ashtu, thjesht, si njerëz, prokurori ia dha gazit me të madhe. Pastaj, pasi fshiu syzet me shamí, shtoi me solemnitet : ”Po ne, more, si i duam njerëzit ?… Si kafshë ?!… Ë ?… Si bagëti i duam ne !?…
- Jo, zotëri! – shtova vrik – Edhe ju si njerëz i doni, por ju nuk mund t’ia lejoni vetes t’ju vijë keq për një kundërshtar, a për dikë që gabon… Ju s’mund të tregoheni të dhembshur p.sh. ndaj një… kundërshtari ?! …
- Si ?!… “Ashtu ?!…” – U dëgjua klithma e tij në formë piskame. “Domethënë ti i paske edukuar fëmijët e popullit t’u vijë keq për armiqtë e partisë !?!…Dhe trupi gjykues u tërhoq.
Pretenca dhe vendimi për “Dhjetë vjet burg !” m’u dha, mbështetur në akuzën se kisha zbutur luftën e klasave nën pretekstin e keqardhjes për çdo lloj njeríu !…
Vonë e mora vesh se të ftuarit paskëshin dalë nga salla kokulur e të menduar !…
Luan MYFTIU

At Zef Pllumi: Kleriku dhe shkrimtari, që i bëri sfidë kohës

Shumëkush për mos me thanë “ gjithëkush” mendon se i jep një diçka të re botës, njerëzimit! Kurrgja e re nën këtë diell! Ndërsa ujët rrjedh, bota po aty. Kur po lexoj librin o kur po kundroj piramidat atje në shkreti, pyes: Si asht e mundur që njeriu i shek. XX, në kulm të qytetërimit material, të jetë po aq barbar sa ai i 40 shekujve përpara? At Zef Pllumi është lindur me 7 Prill 1924, në fshatin Mali i Rencit-Lezhë.
at_zef_pllumi


Me 1931, është pagëzuar e një vit me vonë (1932) është krezmuar në Famullinë e Shkodrës. Që në moshë të vogël, hyri në Kolegjin Françeskan në Shkodër ndërsa Postulandatin e ka filluar me 1931 e më 1940 në Rishtarine ne Kuvendin e Troshanit. Ndoqi mesimet fillore e të mesme të Liceut “Yllirikum” në vitin 1942. Për shkak të ashpërsimeve të luftës, ndoqi mësimet e larta Teologjike në Kuvendin e Sh. Françeskut të Asizit në Shkodër. Gjatë viteve 1943-1944 ka bashkëpunuar në revisten “Hylli i Dritës” dhe në këtë kohë ishte edhe sekretar përsonal i At Mati Prendushit, i cili ishte provincial. At Zefi, pati mësuar shumë nga Françeskanet e medhenj si At Gjergj Fishta, At Anton Harapi , At Gjon Shllaku, At Pal Dodaj, At Donat Kurti, At Benardin Palaj etj. Si rregulltar , ka pranuar kushtet e përjetshme në Kuvendin e Sh. Françeskut të Asizit në Gjuhadol Shkodër, me 2 shkurt 1946. Po atë vit , me 1946, shugurohet Diakon. Por , zellin e hovit të At Zefit për sherbim në vneshtën e zotit, dukej sikur po i dilte përballë idologjia ateiste , jo vetëm për me e ndalë, por për me zhdukë e me shrrajose gjithçka që kishte të bënte me dashninë e përjetshme: Krishtin. E llava e kuqe përveluese, e vullkanit ma shkatrrues për gjirin njerëzor, që quhet ateizem, mberrin që me 1946 me e privuar Kuvendin e Gjuhadolit prej gjithë veprimtarisë fetare tue shndërrue nga një liman feje, shprese, dashtnie e diturie e ne burg, në të cilin vuajtjet e torturat kishin kaluar kufinjt e përshkrimit edhe të vetë imagjinatës. At Zef Pllumit vetë rrëfen, se në shkrimet e tija, prej asaj që ka pa e relaisht ka ndodhe ka përshkruar vetëm atë çka mund të besohet. Atë me shumë klerikë të tjerë e arrestuan me 14 dhjetor 1946. U denua nga një gjykatë ushtarake në fillim të 1948 me 3 vjet burg, të cilat e kaloj në Shkodër, Beden të Kavajës, Orman-Pojan të Maliqit . U liria nga burgu mbas tre vitesh e u kthye në Kuvendin Françeskan tek Arra e Madhe në Shkodër, Siç tregonte ai vetë: gjatë arrestimit të parë vuajti shumë, tue e lidhë me ditë të tëra varur në shkallet e Kuvendit të Gjuhadolit. E të tëra këto vuajtje me të gjitha këto mundime, në të gjithë këto vuajtje e tortura, psiko-fizike ka dalë ngadhnjyes, tue e ndejt gjithmonë e njesuem në Krishtin, i cili nuk i braktis as kurrë atë që e qendrojnë besnik . At Zef Pllumi pranon me 1956 shugurimin Meshtorak. Në mes të këtij deti të trazuar uragan At Zefi sherben për 12 vjet si meshtar në Dukagjin me qendër në Shosh. Por vala e terrorit anti-zot nuk e kursen dhe më 1967 e arrestojnë dhe për 23 vite vuan denimin në burgje e kampe të ndryshme. Gjatë burgimit, ai pësoi torturat nga më të tmerrshmet dhe vuajti prej shumë sëmundjeve, të cilat ai i ka tregue me shkrimet e tij. Por shpresa në zotin nuk rren e agimi i lirisë mberriti edhe për At Zef Pllumin, që u lirua nga burgu me 11 Prill 1989. Mbas lirimit nga burgu , rivijon sherbesen fetare meshtarake me zell e devocion si famulltar tek Kisha e Shna Ndout në Tiranë (25 dhjetor 1990) , vijimi i botimit me 1993-1997 të revistes “Hylli I dritës” me rinisjen e botimit në 2006. At Zefi, pa u lodhur i riperterire në shpirt, lulezon në veprimtari krijuese, duke botuar një seri librash: Si vepren monumentale “Rrno vetëm për me tregue”, vellimet: Françeskanet e mëdhenj Frati i Pashalarëve Bushatlinj, ErazmoBalneo. Njerëz fisnik, histori kurrë e shkrueme, Para njëmijë vjetëve, Anti poezi për shekullin e XX, e një numër të posaçem të “Hyllit të Dritës” , kushtuar At Gjergj Fishtës, ka lënë doreshkrime të tjera në Sagen e Fëmijërisë, jo e përfunduar e cila pret dritën e botimit. Gjatë 17 viteve lirie, u aktivizua në sherbimet politiko-shoqërore të popullit e duke derguar më shumë se 150 studentë për me u formua në vendet perëndimore. Dha një kontribut të çmuar për rindertimin dhe paisjen me libra dhe dokumenta me vlerë për bibliotekën “ At Gjergj Fishta” Shkodër. Për këto vepra, Presidenti Alfred Moisiu me 29 Qershor 2006, e dekoroi At Zef Pllumin me Urdherin “ Nderi i Kombit” ku At Zefi u vlerësua si përfaqësues i pasurise kulturore e njerëzore, si institucion të vërtete që i rezistoi regjimeve e kohrave më të veshtira, si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymezohet nga vlerat evropiane. Në 2006 i jepet çmimi letrar “Penda e Artë” nga Ministria e Kultures, për vepren monumentale “Rrno vetëm për me tregue”.
Nga JAK RROZHANI

Orakulli i pagabueshëm i lirisë

brahim-avdyli

Një prej poetëve më të spikatur dhe më karakteristik të mërgatës shqiptare në Zvicër është padyshim Brahim Avdyli. Karakteristik, sepse pjesën më të gjatë dhe më të frytshme të jetës së tij e ka kaluar dhe po e kalon ende në mërgim; i spikatur, sepse vepra e tij poetike tridhjetëvjeçare, me vlerat e saj ideoartistike, ia jep këtë epitet pa pikë dyshimi.
Brahim Avdyli u lind në fshatin Morinë të Malësisë së Gjakovës në vitin 1960. Malësia e Gjakovës, e njohur për qëndresën kundër pushtuesve në shekuj, do t’a mbrujë djaloshin e kësaj ane që në moshë të re me dashurinë e pakufishme për vendlindjen, për Atdheun. Duke e jetuar moshën e rinisë në këtë pjesë neuralgjike të Atdheut, ai do të edukohet që në fëmijëri me legjendat për qëndresën e popullit tonë në hullitë e shekujve.
Brahim Avdyli perfundon shkollën e mesme të gjimnazit në Gjakovë dhe pastaj regjistrohet në Fakultetin Teknik, Dega e Arkitekturës në Univesitetin e Prishtinës. Por në vend që të merret me studime, ai do të ballafaqohet me krajatat e ndryshme jetësore. Veç i ndjekur që më parë nga regjimi jugosllav dhe i ballafaquar edhe me gjendjen e rëndë sociale, Brahim Avdyli detyrohet që në moshë të re të marrë udhët e mërgimit, për të siguruar mbijetesën. Detyrohet të ndërroj drejtimin e studimeve nga Dega e Arkitekturës, për të kaluar me korrespondencë në Fakultetin Filologjik, në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Edhe me këto ndryshime, ai nuk do të mund të qëndrojë në Prishtinën e tij të rinisë, por do të detyrohet të emigrojë përfundimisht në vendin helvetik- në Zvicër, ku jeton edhe sot.
Brahim Avdyli që në moshë shumë të re do të fillojë të merret me zejen poetike- e cila do të jetë gjithnjë bashkudhëtari më besnik i tij. Ai ka pasur fatin të jetë pjesë e një gjenerate të studentëve të rinj të Univesitetit të Kosovës të fundit të viteve ’70, për të cilët poezia nuk ishte vetëm art për të ushqyer shpirtin estetikisht, por për sishokët e Brahimit, ishte në rend të parë klithmë e kushtrim për lirinë e munguar, thirrje për çlirim nga zgjedha pushtuese jugosllave. Dhe kjo poezi e tillë, nuk mbetej vetëm kushtrim i çastit, por ishte udhërrëfyese për të ndjekur rrugën e lirisë. Dhe pikërisht pse ishte e tillë, kjo poezi ishte edhe e ndjekur e luftuar nga armiqtë e lirisë. Dhe armiqtë e lirisë kishin të drejtë ta luftonin këtë poezi nga këndvështrimi i tyre, sepse ku ka liri më të bukur e më të çmuar se sa liria e cila vjen si plotësim i ideve të poezisë atdhetare.
Poezitë e para të Brahim Avdylit, të botuara në gazetën studentore “Bota e re” apo “Zëri i rinisë” do të tërheqin vëmendjen e artdashësve dhe të kritikës letrare. Këto krijime të para poetike po paralajmëronin lindjen e një poeti të ri i cili do t’i bashkohej plejadës së poetëve të asaj kohe si Tahir Desku, Basri Çapriqi, Abdullah Konushevci, Sabit Rrustemi etj., të cilët po sillnin një frymë të re në poezinë shqipe të Kosovës.
Brahim Avdyli në këtë periudhë do të jetë në shoqëri të vazhdueshme të vargjeve poetike të poetëve të njohur shqiptarë si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Din Mehmeti etj., të cilët ishin bërë “ushqim” i pashmangshëm i kësaj gjenerate. Në orët letrare që mbaheshin në atë periudhë, e ku Brahim Avdyli do të jetë pjesëmarrës i rregullt, deri sa ishte në Kosovë, jepej mesazhi i lirisë, i cili do të jetë udherrëfyes i fuqishëm i këtij brezi.
Për dallim nga poetët e tjerë të gjeneratës së vet, Brahim Avdyli do të detyrohet të mërgojë përgjithnjë. Kjo tragjedi e tij individuale do t’a ndikojë krijimtarinë e tij poetike në mënyrë të jashtëzakonshme. Kurse lexuesve do t’u japë krijime të bukura artistike, pikërisht edhe përmes kësaj tragjedie të tij personale, e cila nuk ishte e vetme, por ishte bërë tragjedi popullore. Vetëm një shpirt poetik i kalibrit të Brahim Avdylit do të mund të përçojë aq fuqishëm përmes vargjeve poetike tek lexuesit jetën e mërgimtarëve shqiptarë, vështirësitë e tyre në tokën e huaj. Duke qenë krijime poetike të cilat vijnë si rezultat i përjetimeve personale të poetit, poezia e Brahim Avdylit përpos pasqyrimit të realitetit jetësor, do të paraqes në njërën anë jetën e vështirë të cilën e jeton ai, dhe në anën tjetër do të “prishë” idenë e mjaft njerëzve atëbotë, të cilët mendonin se jeta në mërgim është një parajsë.
Brahim Avdyli edhe nën këto rrethana të pavolitshme nuk do të ndalet në rrugën e shkollimit. Do të mësoj gjuhën gjermane, do të ndjekë arsimime të ndryshme në fushën e hotelerisë, informatikës, diplomacisë. Do të fillojë të merret edhe me shkrime publicistike dhe nga viti 1990 deri në vitin 1995 do të nxjerrë në Cyrih revistën “Qëndresa”, me qëllimin kryesor për të ndihmuar luftën e popullit shqiptar për liri. Por, edhe gjatë gjithë kësaj periudhe jetësore poezia, para se gjithash do të jetë vokacioni i tij kryesor.
Pas një tufe poezish të botuara nëpër shtypin e kohës, Brahim Avdyli do të vijë para lexuesve me përmbledhjen e parë poetike me titull “Në hijen e Alpeve”, botuar nga Rilindja, në vitin 1983, në Prishtinë. Kjo përmbledhje poetike, fillon me poezinë, që do të identifikojë profilin e tij, “Opingave të mia” , ku poeti përmes opingës si simbol i shtresave të ulta do t’u drejtohet poetëve të mëdhenj pa frikën se ndoshta nuk do ta pranojnë, sepse ai mbështetet te një taban tjetër, për të më i rëndësishëm, tek toka:
Poetët e mëdhenj do të qeshin
me këto vargje për ju
do të neveriten nga era e djersës
dhe era e baltës
s ka gjë
(…)
le të na pranojë kjo tokë
ku hapin e lëshojmë pa drojë
me estetikën tonë kryeneçe![1]
Kjo poezi, në njërën anë identifikon prioritetet e poetit, të cilat bien ndesh me një plejadë të poetëve të mëhershëm të cilët ishin mbërthyer në botën e poezisë hermetike, dhe në anën tjetër sikur paralajmëron se kush do të jenë lexuesit, të cilët do ta pëlqejnë poezinë e tij- lexuesit e thjeshtë, ata që poezinë e tillë e kanë këngë të shpirtit të tyre.
Pas kësaj përmbledhjeje poetike, Brahim Avdyli edhe pse i mërguar do të vazhdojë të merret intenzivisht me artin e poezisë. Pas një kohe të shkurtër ai do të dorëzojë librin e dytë me poezi, Kur zgjohet Dodona, por ky libër poetik do ta shohë dritën e botimit tek në vitin 1992, botuar nga Rilindja, Prishtinë. Nuk ishte e papritur kjo vonesë kur lexojmë vargjet e kësaj përmbledhjeje. Në oborrin e mecenatit punonin pandërprerë gjelatët e poezisë atdhetare dhe doemos që ata nuk donin të lejonin që kjo permbledhje të shohë dritën e botimit. Por pas ndryshimeve të mëdha që ndodhën jo vetëm në planin kombëtar, por para se gjithash në atë ndërkombëtar, u hap rruga që lexuesi të këtë në dorë edhe poezitë e poetëve që ishin dënuar nga pushteti jugosllav si rrezikues të indoktrinimit kundërrevolucionar të masave popullore.
Është me rëndësi të theksohet se Brahim Avdyli në vitin 1990, në Cyrih të Zvicrës, boton poemën me titull simbolik “Buka e kuqe”, në kuadër të Bibliotekës “Dielli i Lirisë” të Shoqatës “Atdheu”. Përmbledhja tjetër që do të shohë së shpejti dritën e botimit, është “Pasqyrë e përgjakur”, nga Shtëpia Botuese Marin Barleti, Tiranë, 1994. Poashtu në Tiranë, në vitin 1997, në kohën kur populli shqiptar, po rrezikohej më së shumti siç thotë poeti nga vetvetja, del përmbledhja e poezive me titull “Klithje nga fundi i ferrit”, botuar nga Onufri, për të vazhduar me daljen e përmbledhjes “Gjuha e dheut tim”, nga shtëpia botuese Albin, Tiranë, 1999. Përmbledhja e fundit poetike e Brahim Avdylit është “Baraspesha e humbur”, botuar nga Shtëpia Botuese Qëndresa, në Gjakovë, në vitin 2003.
Përpos në fushën e poezisë, Brahim Avdyli në vitet e fundit doli para lexuesve edhe me dy përmbledhje me tregime. Libri me tregime “Vragat e një kohe”, u botua nga Shtëpia Botuese Faik Konica në Prishtinë, në vitin 2005, kurse libri tjetër me titull “Lëvozhga e vdekjes”, nga po e njejta shtëpi botuese, doli në vitin 2007.
Brahim Avdyli është poet i cili është i lidhur ngushtë me tokën, me historinë, me popullin e vet. Ai i ka vënë vetes një mision të cilin e shpreh qartë edhe përmes vargjeve poetike. Në poezinë “Trajektorja e fatit”, ai shkruan:
U linda në malësi
E u treta në mërgim
Duke djegur veten
Me vargje nëpër buzë
E kokën e lënë
Peng për të nesërmen
Për besë
Kudo shpërndava
Dhembjen time të zjarrtë
E mbolla ëndrrat-
Thirrjet për Lirinë![2]
Edhe pse pakëz deklarative, kjo poezi identifikon qartë misionin jetësor të luftëtarit dhe njëkohësisht të poetit. Ky mision nuk është i lehtë, sepse luftëtari ka marrë përsipër të ndjekë rrugën e lirisë, rrugë kjo e cila ishte e përshkruar me shumë vëshrirësi e rreziqe, kurse poeti do të djegë veten me vargjet për të nesërmen. Kjo rrugë lirie, do të bëhet edhe brumi kryesor i poezive të Brahim Avdylit. Kemi të bëjmë këtu me një bashkëdyzim harmonik të rrugës jetësore me vargjet poetike. Këto vargje, nuk janë vetëm pjellë e fantazisë krijuese, por në rend të parë janë edhe pasojë e përjetimeve të poetit në rrugën e lirisë. “Poezia e Brahim Avdylit është refleks i krajatave jetësore të njeriut, i cili fatin e vet e ka lidhur përjetësisht me fatin e popullit të vet. Sikurse te Din Mehmeti, Azem Shkreli dhe poetët e tjerë të këtij profili, subjekti lirik është këpuja që lidh të përgjithshmen me individualen, shoqëroren me intimen dhe që krijon një baraspeshë midis tyre, tipar ky që ky poet e ruan pak a shumë që nga libri i parë deri tek libri i fundit për të cilin bëjmë fjalë”[3], thekson kritiku i njohur i letërsisë sonë Dr. Agim Vinca, në vështrimin e tij për poezinë e Brahim Avdylit. Këtë fat Brahim Avdyli e ka zgjedhur vetë, sepse është fati i një njeriu që do të jetë vetëdijshëm pjesë e bërjes së historisë së popullit të vet.
Një dëshmi për këtë bashkëdyzim harmonik mes veprimit patriotik dhe krijimit poetik është poema “Buka e kuqe” e cila hapet me një shënim të autorit, ku thekson ndër të tjera se poemën ia kushton protestës gjithëpopullore kundër dhunës jugosllave dhe nderimit për të rënët dëshmorë në protestat e organizuara në Gjakovë, ku vetë poeti i kthyer nga mërgimi gjatë periudhës dhjetor 1989 e deri ne mars 1990, ishte ndër organizatorët kryesorë të tyre.
Është kjo periudha kur populli shqiptar ishte ngritur në këmbë për të fituar lirinë e nëpërkëmbur. Poeti i drejtohet Kosovës me vargjet:
Unë t’i njoh moj
Të gjitha përgjakimet tua,[4]
Për të vazhduar me dhembjen që ndien për fëmijët e Kosovës sepse për këta fëmijë është privilegj t’i kenë prindërit në shtëpi:
Eh fëmijët e Kosovës
Janë zogj të përndjekur.
Asnjë pip të qetë s’ua lënë korbat
Asnjë kënd të ngrohtë s’ua lënë retë
Asnjë rrobe te pagrisur
S’ua lënë drizat e fatit
Asnjë fushë me lule kosat s’ua lënë,
Po po,
Fëmijët e Kosovës
Janë të predestinuar[5]
Poeti përdor metaforën zogj të përndjekur për fëmijët e Kosovës, për këta fëmijë të cilët edhe në fillimin e njomë të jetës së tyre korbat (armiqtë) nuk i lënë të luajnë në fushat e tyre. Por dhembja më e madhe e poetit është për të rënët, për ata që u flijuan, sepse ata
Ranë të puthin Tokën
një grusht dhe të shtrenjtë
për një buzëqeshje fëmijërore,[6]
Kjo poemë e botuar në një kohë kur indi i kombit shqiptar ishte në një udhëkryq të rrezikshëm të historisë së tij, përmbledh në mënyrë të fuqishme shpirtin liridashës të Kosovës, sepse “Kosova është tempull i flijimit për të vërtetën” shkruan ai. Poeti këtu sjell një nga pikat qendrore për të cilën një popull duhet t’i dalë zot vetvetes, për t’i bërë ballë furtunave të kohës, gatishmërinë për tu flijuar për të vërtetën, për këtë të vërtetë, që interpretuar do të thotë për të drejtën legjitime për të jetuar i lirë dhe i pavarur në tokën e vet. Kjo poemë tek mërgata shqiptare në Zvicër e më gjerë, është lexuar me një frymë dhe ka përçuar pikërisht atë dëshirën e poetit të theksuar më lart për të mbjellë ëndërrat tek bashkëkombësit e vet për lirinë.
Pikërisht për të sjellë të vërtetën për të drejtën legjitime të popullit tonë, poeti Brahim Avdyli në përmbledhjen e poezive me titull “Kur zgjohet Dodona” kthehet në periudha të hershme të historisë dhe Dodona si pjesë e një qytetërimi të hershëm pellazg, mbi të cilin do të lindë qytetërimi i mëvonshëm helen, i shërben atij për të nxjerrë të vërtetën mbi lashtësinë mijëravjeçare të popullit shqiptar. Poeti Brahim Avdyli, përmes kësaj poezie, të cilën e shkroi që në vitin 1978, në moshën 18-vjeçare, në vigjilie të përkujtimit të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngrihet kundër harresës, kundër globalizimit që fshin nga faqja e dheut historitë e popujve të vegjël. Edhe pse në moshë të re, poeti arrin që t’a zhvendos trajektoren e historisë në kohën e sotme, duke i pasqyruar permes figurave të qëlluara artistike fenomenet e shpërbërjes, dhunës, tradhëtisë, ndërrimit të dhunshëm të emrave, fenomene këto që e kanë përcjellë tragjikisht popullin tonë deri në ditët tona. Poeti përmes tragjedisë së këtij qytetërimi të lashtë jep kushtirmin për zgjimin e Dodonës, për qëndresë kundër zhbërjes, harrimit për ngjeshje të rradhëve për të jetësuar idealin e poetit-bashkimin e popullit shqiptar.
Në këtë ngjeshje të radhëve, poetin do ta therrë në zemër humbja e shokëve të idealit Jusuf Gërvallës e Kadri Zekës, të cilët poeti i quan vëllezër dhe shton:
varret në zemër na i lanë
dhe ca fjalë të fundme-
si themele që s’tunden!
Në një pishë emrat i shkrinë
e na i lanë peng të përjetshëm
të ecim drejt Diellit,[7]
Humbja e tyre dhe e luftëtarëve të tjerë të çështjes kombëtare, do të trajtohen gjerësisht në krijimet poetike të Brahim Avdylit. Edhe pse poeti nganjëherë nuk mund t’u ikë fjalëve të mëdha, të shumtën e herave ato e gjejnë vendin e duhur në trupin e poezisë. Poeti bën thirrje për të ndjekur rrugën e tyre, për të mos u dobësuar, nga humbja nga dhembja, por për të sendërtuar idealin e tyre. Poezia e tillë krijon mundësinë që të bashkëdyzojë në një afërsinë dhe distancën, ndoshta më shumë se artet tjera. Poezia e Brahim Avdylit vjen nga forca e përgjithshme e brendshme, ajo nuk e merr përsipër detyrën për të fshehur dhimbjen, përkundrazi e bën atë të qartë, në mënyrë që lexuesi ta shohë, ta ndjejë atë, sepse kjo e bën njeriun të shpresojë të mos dorëzohet dhe të shoh më tutje drejt Diellit. Sepse poeti është në mes të vuajtjes, dhembjes dhe klithma e tij është jo vetëm pasojë e tyre, por, në rend të parë e urdhërit për të ndryshuar këtë gjendje:
Kur do t’ju shoh ashtu siç dua
o fushat e helmit tim
se plasa duke shpënë
dheun tuaj
gjyqeve të botës
duke ua thithur helmin
nëntorëve të vrarë mbi ju
(…)
tash o kurrë
tash o kurrë, heu…!![8]
Kjo anaforë mëton të thotë pa ekuivoke imperativin e luftës për liri. Dhe klithma popullore heu, jep kushtrimin, i cili nuk do të vonojë dhe do të vijë. Poeti është orakulli i pagabueshem i lirisë.
Në të gjitha përmbledhjet poetike, poeti shpreh një dashuri të pakufishme për vendin e tij. Në periudhën e viteve ’80 ai këtë dashuri do të jetë i imponuar ta paraqesë në mënyrë lakonike nganjëherë edhe përmes një titulli që më shumë do të ishte në pamje të parë poezi me motiv erotik, siç është poezia me titull “Intime” me një nëntitull “I kushtohet Sh.” (Shqipërisë) i cili kushtim u hoq nga poezia nga cenzura e kohës. Poeti përmes një gjuhe të bukur artistike shpreh dashurinë e pakufishme për Shqipërinë, edhe pse nuk mund t’a përjetojë atë, vetëm mund t’a ëndërrojë, edhe pse e kishte aq afër gjeografikisht, dhe e mbyll poezinë me vargun:
Së paku aty
Përmallshëm bashkohemi![9]
Kjo dashuri zgjerohet në poezinë “Bisedë me nëntorin” në të cilën poeti shpreh dashurinë për nëntorët duke i cilësuar:
Herën e parë
erdhe mbi shpatën e zhveshur
të rrezeve të kuqe,
(….)
Herën e dytë
na erdhe i ngutshëm
s’patëm kohë t’i mbledhnim
të gjitha cuklat e jetës,
(….)
E kur të të sjellim
me kurorën e artë të rrezeve
nëntor i tretë do të jesh
Ky nëntor i tretë, për poetin do të jetë përmbushje e ëndrrës së tij dhe e brezave, për t’a parë popullin shqiptar të bashkuar. Ky nëntor i tretë do të jetë kurorëzim i përpjekjeve shekullore të shumë patriotëve të të gjitha trojeve shqiptare, të cilët dhanë jetën që të realizohet nëntori i papërsëritshëm, sepse atëherë ky nëntor do të sublimojë plotësisht edhe dy nëntorët e parë.
Në poezinë e Brahim Avdylit nuk trajtohet vetëm çështja kombëtare, por poeti është i preokupuar edhe me ngjarjet që ndodhin në botë. Ai shpreh shpesh fijen e dyshimit ndaj Evropës, ka frikë se mos përsëri populli ynë përsëri do të hajë “bukë pelini” apo se do të mashtrohet përmes “paqes dinake”. Poeti e trajton edhe tragjedinë e Srebrenicës, në të cilën gjelatët serb pushkatuan mijëra boshnjakë të pafajshëm, në prezencën e helmetkaltërve të cilët i krahason me kalin e Trojës.
Në krijimtarinë e gjithmbarshme poetike të Brahim Avdylit, një vend të spikatur e zënë padyshim poezitë më motiv kurbeti. Nga poetët e mërgatës shqiptare në Zvicër, Brahim Avdyli, ka arritur si rrallë kush që të portretizojë kurbetçarin përmes figurave të goditura artistike dhe njëkohësisht të sjellë shpirtin e tij të trazuar, vetminë, mllefin, dhe vuajtjen e pakufishme për atdheun. Kurbetçari i vargjeve poetike të Brahim Avdylit i ngjan Sizifit, i cili i ikën vdekjes; i dënuari i cili duhet të ngjitë gurin lart, çdo ditë, por Sizifi ka një fat me të mirë se poeti, sepse për poetin guri është Atdheu, është gjuha. Trotuareve të qyteteve të Evropës poeti e bart çdo ditë këtë gur, sepse ekzili është një përvojë e jashtëzakonshme e poetit. Dhe, edhe pse i stërlodhur, ai nuk heq dorë të realizojë qëllimin e tij, edhe kur ai qëllim duket i parealizueshëm. Kundërthëniet e ekzistencës së poetit në “tretdhe” janë shumë të dukshme:
derisa unë
këngëtar i shkretë
marr e jap një jetë të tërë
dhe s’lëviz nga vendi
gurin e dhembjes!…[10]
Mërgimi, para se të jetë një jetë e qetë, është një jetë e mundimshme, është një torturë e mendjes, e ndjenjave, e idealeve “të tradhtuara”, është shkëputje nga trungu, është theqafje “atje ku bren miza hekur” shprehje popullore kjo, të cilën poeti e fut me sukses në trungun harmonik të poezisë si dhe mjaft shprehje të tjera të marra nga gurra popullore. Kurbeti, është dhembje, para se gjithash e brendshme, dhembje mendimi, dhemje zemre, dhembje e përcjellur me një vetmi monotonie vrasëse. Ashtu si Noli i “Anës së lumenjve”, poeti shprehet:
E tërë jeta ime dënimit i ngjan-
Pranë syve kalon gëzimi dhe s’e mbërrij,
Pranë gojës kalon jeta dhe s’e shijoj
Pranë shetit e vërteta dhe s’më njeh
(…..)
As i mbytur jam as i shpëtuar
(….)
I syrgjynosur së gjalli, ja kështu në ferr-
Shpirtin plot dritë e përreth vetëm terr!
Ky shpirt plot dritë- poeti- nuk i mbyll sytë para kësaj gjendjeje, sepse është njeri i vuajtjeve dhe njeriu i vuajtjeve është i prirur t’i japë hapësisë shpresës, idealit të lirisë. Poeti i jep udhë shpirtit të mbrendshëm, i jep udhë guximit për të thënë, sepse ky guxim është të jesh vetvetja, të jesh identiteti në një botë ekzili, i jep udhë guximit për t’i shkruar mendimet, guxim ky i cili është dëshmi se poeti nuk qëndron oportun, dhe krejt në fund guximi për të besuar në lidhjen me lexuesin, sepse poezia është para se gjithash komunikim. Poeti Brahim Avdyli dëshiron që lexuesit të vet t’ia përcjell me nota realiste jetën e kurbetçarit- jetën e tij- përvojën e tij në mërgim. Në një numër të madh poezishë me temë mërgimin, që nga përmbledhja e parë “Në hijen e alpeve” e deri tek ajo e fundit “Baraspesha e humbur”, poeti Brahim Avdyli jep me nota të zymta fatin e mërgimtarit shqiptar udhëve të Evropës. Ky mërgimtar jo vetëm që vuan, është i papunë, nuk pranohet nga shoqëria vendase, por bart mallin për vendlindjen, për gurët, për fëmijët e lindur e të paparë në Atdhe. Në poezinë “Jashtë atdheut” poeti shprehet kështu:
Jashtë trollit të tij njeriu s’paska forcë
(….)
Midis njerëzish ndihesh i huaj, në qytet i panjohur[11]
Në këto krijime poetike të shkruara në një periudhë të rëndë shpirtërore kur poeti është i detyruar të punojë punë të rënda fizike në Slloveni e më vonë të kërkojë strehim në Zvicër, s’ka se si të mos shfaqen fjalët bosht si dhembja, vetmia, malli, trungu i shkëputur, shqiponjë e mërguar, përbuzja, klithje nate etj., të cilat janë pjesë përbërëse e jetës së tij, e njëkohësisht edhe fati i qindra-mijëra refugjatëve shqiptarë të mërguar sidomos në periudhën e viteve ’90. Në poezinë “Një nga njëmijë letrat e një kurbetçari dërguar Atdheut” ashtu sikurse Naimi dikur edhe poeti digjet për Atdheun, ai e do aq shumë atë sa nuk mund ta shohë me lot dhe shton:
ndaj rri dhe tretem, digjem përsëri
vij apo nuk vij-
të kam e më ke në gji[12]
Si rrallëkush në poezinë shqipe të mërgatës, Brahim Avdyli me këto vargje e shtron dilemën hamletiane të mërgimtarit vij apo nuk vij, përmes së cilës në njërën anë pasqyron gjendjen shpirtërore të mërgimtarit, e në anën tjetër dilemën e cila e përcjell secilin mërgimtar edhe sot me mendimin të kthehem apo të mos kthehem.
Vëllimi poetik “Klithje nga fundi i ferrit” është një cikël poezish të shkruara në Cyrih të Zvicrës, në të cilat portretizohet jeta e mjerueshme e “azilantëve” siç i quanin vendasit refugjatët e ardhur nga vende të ndryshme. Se sa ekstreme është kjo jetë, e shpreh poeti në poezinë “Jetë rezilantësh” të cilën kur e lexojmë, shohim se sa i përdhosur ishte dinjiteti i një refugjati, apo më mirë të themi strehëkërkuesi në atë periudhë:
Azilant je, rezilant
Nichts, niemand,
Eine flecke in Europa!…[13]
që përkthyer do të thotë një refugjat është asgjë, askush, një njollë në Evropë. Për të qenë sa më autentik me mendimin, poeti i shkruan këto fjalë në gjermanisht.
Poeti Brahim Avdyli nuk i ngjan poetëve të shumtë që dalin në ekzil për të krijuar në një ambient të qetë, pa andralla pa halle për popullin prej nga vjen. Jo, ai është poet i cili në rend të parë ka një mision, ka një lidhje të drejtpërdrejtë me të dhe kjo shprehet aq fort në poezinë “Dreka ime famoze”:
Marr një copë buke e një bratwurst breg rrugës
Rruga zgjatet gjer në Kosovë-
Udhëtim i tmerrshëm kafshoresh
Gjer te fëmijët e mi,
E unë kam dy milion fëmijë
Dy milion thika në mushkëri,
Ndaj bëhem vetë fëmijë para syve të botës
Nga qepallat më rigon shi…
As ta përtyp as ta vjell dhembjen e pafund!![14]
Në këto vargje shihet se sa është i lidhur poeti me Atdheun, me dramën kolektive të tij. Vetë titulli i poezisë është ironik, sepse poeti vetë është i varfër dhe për vendin ku jeton kjo drekë është më tepër se modeste, por edhe modestia është e tepruar përballë tragjedisë së popullit të vet. Për poetin kur jeton larg Kosovës “zemra digjet si eshka mbi gur” dhe e përmbyll poezinë me vargun lapidar “mjer ai që vdes pa lirinë tënde”.
Në krijimet e tij poetike, Brahim Avdyli nganjëherë më parë se një poet, është një luftëtar i çështjes kombëtare. Poezia e tij është njëkohësisht rruga nëpër të cilën kalon populli i tij. Duke qenë në një rol të tillë, herë-herë poezia e tij humb në kualitet artistik, sepse bie në tabanin e rrëfimit politik e deri propagandistik, por kjo nuk e dëmton atë si poet- luftëtar, sepse ai është zëdhënës i një kohe, është një luftëtar për lirinë e atdheut.
Brahim Avdyli për pesë vjet udhëhoqi revistën “Qëndresa”, në të cilën revistë tema bosht ishte mbrojtja dhe internacionalizimi i kauzës kombëtare, dhe nganjëherë ky vrull luftarak depërton edhe në poezitë e tij dhe i bën ato deklarative. Se sa ishte ky rol dominues, shihet edhe nga fakti se në gjithë krijimtarinë e tij, ka mjaft pak poezi më motiv dashurie, dhe edhe kur shkruan poezi të tilla janë më shumë meditative, plot brengë me pikëllim.
Brahim Avdyli ka arritur të inkorporojë me mjaft sukses lëndën popullore në krijimtarinë e tij artistike. Kjo lëndë të shumtën e herave i jep një ngjyrim të veçantë poezive të tij, në anën tjetër, këto figura e paraqesin lidhshmërinë e përvojes jetësore të poetit me brumin e pashterrshëm popullor, brum i cili ka pasur shumë ndikim në formimin intelektual të tij.
Figura të dashura nga gurra popullore si dragoi, kreshnikët, kaçakët e malit, orlat etj., figura këto që personifikohen me të mirën, heroiken i ndeshim në shumë poezi.
Pastaj figura si lugetërit, kau i zi, djalli, bushtra, shtriga, Bajlozat, kuçedra e verdhë, korbat etj., të cilat personifikojnë të keqen, armikun, poeti i përdor në funksion të përshkallëzimit të paraqitjes së armikut të popullit.
Brahim Avdyli në krijimimet e tij poetike i shfrytëzon edhe figurat mitologjike si Anteun, Kalin e Trojës, Sizifin, Kainin, Mbretërinë e Hadit, Afroditën etj., të cilat i transformon me mjeshtri duke i vënë në funksion të ideve artistike.
Duke e shikuar në tërësinë e saj, mund të themi lirisht se krijimtaria poetike e Brahim Avdylit tashmë zë një vend të merituar jo vetëm në kuadër të poezisë së mërgimit, që u krijua e krijohet në Zvicër, por edhe të letërsisë shqipe në përgjithësi. Brahim Avdyli ka krijuar botën e tij poetike, e cila tanimë është vlerësuar jo vetëm nga lexuesit e shumtë, por edhe nga kritika letrare.
Nga Nexhat Maloku

Nga Defrim Methasani-Pertej vlerave te nje kampioni sportive. Ismail Keta, një titull, për një jetë!

Ambra
























Ismail Keta, kampioni i njohur i botës në Kik dhe Taiboks, kërkon të ndihmojë 17-vjeçaren shqiptare Ambra Meda, gjimnazisten që po lufton me sëmundjen në Mynih, duke dashur të fitojë një ndeshje dhe të gjitha të ardhurat t’ia dedikoj vajzës nga Tirana.
Të gjithë e njohim si kampion bote, madje jo një, por dy here, në një sport të vështirë, si Kik Boks dhe në një vend po kaq të fortë, si Gjermania. Por pakkush, mund ta njohë atë si njeri kampion, si humanist dhe figurë kaq popullore, që bën gjithçka për jetë njerëzish. Se sa e do vendin e tij, Bulqizën dhe Shqipërinë, këtë e dijmë të gjithë, sepse ai pas fitores, deklaron se këtë sukses ia dedikon pikërisht ngjyrave kuq e zi, familjes dhe të gjithë shqiptarëve. Por motivi i këtij shkrimi, është një deklaratë e tij e fundit, ku kerkon të zhvillojë një ndeshje, për titull të madh kampion bote dhe gjithë të ardhurat, ia dedikon Ambra Medës, një vajze nga Tirana e cila është në gjendje të vështirë financiare në Mynih, qytetin ku banon prej vitesh familja Keta. Në fakt, ai ka ditë që ndihmon dhe bën përpjekjet e tij të mëdha, që jeta e saj të shpëtojë, por kostoja që kërkohet kalon shifrën e 180 mijë eurove. Një shumë e tillë për një familje shqiptare, kuptohet që është më shumë se e madhe, ndaj ai tashmë bashkë me vëllezërit dhe bashkshorten është bërë pjesë e kësaj ndihme. Përveç shtëpisë që ka lënë në dispozicion të prindërve të Ambres, ushqimit, fjetjes, ndihmon me makinen e tij, por edhe përkushtimin e përditshëm dhe ecejaket në dyert e spitalit. Gjithsesi kjo është njëra anë e medaljes. Pjesa më e rendesishme, është mbështetja dhe suporti i tij, që kërkon të jetë edhe financiarisht promotor në këtë situatë dhe rast të veçante.
Ismail-Gjetan-Keta1

Ambra është 17-vjeç dhe vuan nga një sëmundje tejet e vështirë. Doktorët atje dhe rregullat nIsmail-Gjetan-Keta1ë fuqi, kërkojnë këtë shumë që për prindërit dhe të afërmit e Ambrës,është e papërballueshme. Edhe pse ka vendosur të shesë shtëpinë, babai i Ambrës, Skënderi e ka të pamundur të shkoj në ato nivele financiare. Megjithë thirrjen dhe mbeshtetjen përmes fb, unë kam arritur të bej vetem një pjesë të vogël të asaj madhësie parash që duhen për jeten e saj. Nderkaq Ismaili zgjodhi një tjetër rrugë, atë të betejës përmes rezultatit sportiv dhe forcës e aftesive te tij. Ai ka deklaruar se do të zhvillojë shumë shpejt një ndeshje për titull kampion bote në sportin që ushtron dhe në rast fitoreje, të gjitha të ardhurat që vijnë post këtij suksesi, t’ia dedikojë shëndetit të Ambrës. Një xhest, jo vetem për tu admiruar, por për tu përkulur me shumë respekt, ndaj vlerave qytetare dhe humane të një djali shqiptar, që jetën e një njeriu e ka më të shtrenjte se paraja, apo lavdia…Ky është kampioni i vlerave njerëzore, njeriu që jo vetëm në këtë rast, ka treguar se sa vlen. Ismail Keta dhe vellai i tij Gjetan Keta, duhet të shërbejnë si frymëzim për shoqërinë shqiptare, pse jo edhe ate europiane, apo botërore, që të ndihmosh një jetë, është gjëja më e çmuar. Natyrisht që ai këtë veprim e shkruan në rërë dhe e harron që nesër, por të gjithë ne duhet ta shkruajmë në gur, ta gdhedim në piedestalin e kohës që jetojmë. Të tilla veprime, duhet të bien edhe në veshin e presidentit të Repuplikës, apo kryeministrit të vendit, që ky njeri duhet dekoruar. Një titull, për një jete, për një jetë që vlen më shumë se milionat, apo miliardat, për një engjëll që kërkon të jetojë si gjithë të tjerët, por edhe një titull, për një njeri që kërkon të mbajë në jetë me çdo kusht, jo një fëmijë të tij, por një vajzë shqiptare, që sheh në sy çdo ditë, shkëndijën e shpresës të një kampioni dhe humanisti të madh. Dhe ky, është Ismail Keta!

Autorët lushnjarë, në aktin shkrimor estetik të letrave tona kombëtare


Hyqmet HASKO


Nëse flasim për letërsinë që shkruajnë autorët e një treve apo komuniteti të caktuar, siç flitet bie fjala për poezinë e poetëve të Tropojës dhe atyre të Lezhës, që shkëlqyen në fillim të viteve ’80, me një hapësirë të re të vizionit estetik, kjo nuk bëhet për të krijuar mure, por përkundrazi, për të shembur mure, për të shqyrtuar veçanësitë e tipologjisë letrare, poezisë, prozës apo zhanreve të tjera letrare, në rrafshin krahasues dhe integrues. Në këtë kuptim, një studim mbi letërsinë e autorëve lushnjarë është një përpjekje për të depërtuar në disa veçori të autorëve që kanë ardhur nga kjo trevë si dhe atyre që vijojnë të vijnë, duke i pasuruar me emra dhe vepra letrat tona kombëtare.
Poetët dhe prozatorët lushnjarë kanë sjellë me vete tipologjinë e fushës, të butësisë së ëndrrës, të raporteve të njeriut me natyrën dhe me vetveten, një spektër ngjyrash, përvojash, kujtesash, mesazhesh dhe emocionesh, që kanë vendin e tyre të merituar në letërsinë shqipe.
Që nga Vath Koreshi, njëri nga autorët më të kompletuar të prozës së re shqipe, tek Faslli Haliti, një poet që ia ka kushtuar jetën artit poetik, tek Visar Zhiti, poeti disident që e pagoi lirinë e krijimit me sprova të rënda jashtëletrare, tek Gëzim Hajdari, poeti emigrant që me poezinë e tij të angazhuar dhe antikonformiste në të njëjtën kohë, ka pushtuar mediat e disa vendeve perëndimore dhe ka zgjuar interesin e disa shtëpive botuese prestigjioze në Itali e gjetkë, tek Sherif Bali, poeti shpirtbutë, me ndjeshmërinë e fëshfërimave të fushës, një penë eseniane e Myzeqesë, deri tek më të rinjtë, emra dhe vepra të së cilëve do të trajtojmë në këtë shqyrtim kritik, letrat lushnjare rezulton se janë pjesë dinjitare e letrave tona kombëtare. Në to pulson shpirti i fushës, fëshfërima e grunjërave, butësia e dashurisë erotike dhe asaj njerëzore, thyerjet sociale, me drama dhe pasione të forta, një botë komplekse që lëviz nëpër faqet e librave të mbushura me ngjarje dhe përvoja nga më të larmishmet.
Me Vath Koreshin lidhet, pa dyshim, një nga kulmet e prozës së re shqiptare, një zë përfaqësues dinjitoz i së cilës ishte dhe në të cilën mbolli pemë të shëndetshme krijimtarie, që do t’iu qëndrojnë kohërave dhe epokave. Vepra e gjerë dhe e larmishme e shkrimtarit Vath Koreshi zë një vend të merituar në fondin e artë të krijimtarisë më elitare të letërsisë shqipe në kapërcyell të dy epokave.
Të paktë janë ata shkrimtarë që me vlerat që mishëron vepra e tyre, arrijnë të përballojnë sfidat seleksionuese në përqasje me prirjet dhe drejtimet letrare që shoqërojnë procesin evolutiv e të pandalshëm të ndërrimit të shekujve. Koreshi ishte ndër këta të paktë, që me veprën e tij të çmuar u bë një shkollë e prozës, veçanërisht e prozës së shkurtër, tregimit shqiptar, i cili gjeti në penën e tij dorën e një mjeshtri të vërtetë e të sprovuar. Po kështu një dorë mjeshtërore gjen tek ai novelistika dhe romani, të cilat i lëvroi me zell, pasion e teknologji të admirueshme dhe la në to gjurmë të pashlyeshme në kohën dhe hapësirën mbarëkombëtare të letrave tona, në një kohë kur akrepat e estetikës punonin në kahe e drejtime të kundërta me normalittein.
Me veprën e Koreshit, letërsia jonë kombëtare dhe shoqëria shqiptare shënon një kulm, një nivel të ri zhvillimi intelektual dhe emancipimi shpirtëror. Tek ai, më mirë se tek cilitdo autor tjetër, vihet re qartë ndikimi i drejtpërdrejtë që pati nga letërsia e traditës, kultivimi i saj në forma të reja në përqasje me frymën e kohës, duke depërtuar në hapësira të tjera jashtë barrierave të ndryshme estetike dhe ideologjike që ngrinte sistemi totalitar. Në këtë rrafsh këndvështrimi vlen të përmenden veprat e tij të njohura si romanet “Mars”, “Mali mbi kënetë”, apo novelat “Dasma e Sakos”, “Haxhiu i Frakullës”, “Balada e Kurbinit”, si edhe vëllimi me tregime “Kur zunë shirat e vjeshtës” etj. Në veprat e Koreshit pulson shpirti myzeqar, njeriu i punës që lëvron dhe mbjell, dashuron dhe ëndërron, lëviz peizazhi i fushës, me butësinë, delikatesën, me aromën e grunjërave të pjekur, lëviz Myzeqeja, Lushnja, një botë e përndezur nga poetika dhe dramatika jetësore, të cilat ai i ngre në vektorë të fuqishëm artistikë.
Në përgjithësi, vepra e Koreshit, sidomos ajo e botuar pas viteve ’90, periudhë kur Shqipëria u përfshi nga lëvizjet e mëdha social-politike, ashtu si edhe shumë vende të tjera të Evropës Lindore, mund të themi se krahas veprës së Kadaresë dhe të ndonjë tjetri, që tentuan të thyenin kornizat e ngurta të kohës, proza e Koreshit ishte arti dhe letërsia tjetër, që u përgjigjej synimeve, shijeve estetike, si edhe gjykimit të ashpër të kritikës dhe të publikut të gjerë këtej dhe matanë kufirit, për një art dhe letërsi të vërtetë, ku vërehej shkëputja nga format tradicionale dhe arkaike të të shkruarit, jashtë skematizmit kompozicional, i cili, për fat të keq, vazhdonte të kultivohej dhe të përhapej si një epidemi edhe në krijimtarinë e mjaft autorëve të tjerë shqiptarë, të cilët vazhdonin të shkruanin edhe pas rënies së komunizmit, duke e kthyer këtë të fundit në një profil tjetër simetrik me modelet pararendëse, nga Letërsia e Realizmit Socialist në Letërsinë e Kriticizmit Antisocialist, si sintezë e papajtueshmërisë dhe mospërshtatjes me stadet bashkëkohore për lëvrimit e një letërsie ndryshe, në përputhje me kërkesat e kohës.
Faslli Haliti, ky poet sa delikat aq dhe shpërthyes, shënon një nga kulmet e poezisë moderne shqipe, të cilën e zhvesh nga kultet jashtëpoetike dhe e kthen në një akt të pastër estetik. Me njëzet e dy përmbledhjet e tij poetike, Haliti dëshmon një vlerë të padiskutueshme të letrave tona kombëtare, të letrave poetike, që janë stolia e veçantë, vetë kurora e shpirtit të një kombi. Poeti vijon të jetë lirik dhe dramatik në të njëjtën kohë, vijon të jetë i dyzuar; në vargjet e tij përleshen e mira me të keqen, frika me shpresën, dhimbja e depresioni me magjinë e gjërave të bukura, idili me rrënimin e vlerave dhe shitjen e shpirtit njerëzor. Brenda poetit nuk ka më frikë e hije, as mungesa e lirisë nuk ekziston më, por liria me tepri, anarkia, krimi, dhuna, intoleranca, degradimi i personalitetit njerëzor, makutëria dhe grykësia janë pjesë e angazhimit të tij poetik, për të dëshmuar të vërtetat e kohës sonë. Ka çaste që ai hetohet, zhytet në errësirë, klith me dëshpërim e dhimbje, por prapa del në dritë, shikon se si përthyhen rrezet jetëdhënëse dhe shpreson se nuk do të jemi gjithmonë në krizë e në tunele ankthioze ne shqiptarët.
Faslli Haliti është një poet me imazhe të gjalla, me gjendje dehëse e befasuese, me akte konkrete shkrimore, me motive të veçantë, të larmishëm dhe të begatë, me ide etike, morale, filozofike, transhendente dhe mesazhe të shumta që pulsojnë në çdo varg strofë e poezi të tij. Kredoja e tij poetike është dashuria, thelbi i heroit liriko-dramatik është uni i tij në raport me dukuritë e kohës, të së kaluarës dhe të së sotmes. Vargu i lirë është njësia kryesore e rrëfimit të tij poetik, që buronin si nevojë e e brendshme për t’u shprehur lirshëm poetikisht, për të dhënë sa më shumë impresione, thyerje dhe mesazhe. Ndonëse vargu ndërtohet pa ndonjë rregull të caktuar: në strukturën e tij të plotë ka harmoninë, ritmet e brendshëm, një ritëm të brendshëm të dukshëm e të padukshëm, të cilin ai e kthen në njësi të ligjërimit poetik. Strukturat e poezisë së Halitit duket se tij janë të larmishme, çfarë në thelb i përgjigjet kërkimit të tij në botën e motiveve, të ndjenjave dhe emocioneve që na përcjell. Haliti ka zërin e tij, këndvështrimin e tij, mjetet e tij poetike dhe e vështron realitetin me syrin e piktorit dhe të poetit njëherësh, duke pikturuar me dorë të lirë gjendje dehëse, trallisëse dhe që përcjellin tek lexuesi emocione të forta.
Poezia e Visar Zhitit, por dhe pjesa tjetër e angazhimeve të tij letrare, zotërohen nga mesazhi i ndarjes së llogarive të tij dhe të bashkëkohësve me të kaluarën e hidhur diktatoriale, me ankthin dhe dëlirin kolektiv, me botën e krimit dhe të manipulimit të së vërtetave, që sipas tij e çuan shoqërinë tonë në një zgrip ekzistencial, në prag të shembjes së gjithçkaje, pra në prag të një apokalipsi shoqëror dhe shpirtëror.
I një natyre krejt tjetër është Sherif Bali, i cili ka një stof tjetër, një prerje tjetër poetike; është më i butë, më lirik, më pak dramatik dhe më shumë impulsive, i dyzuar; herë-herë në vargjet e tij lëvrinë një ironi apo autoironi e hollë, duket spontan dhe me mjetet e tij, krejt të tij, ndërton imazhe të gjalla poetike. Struktura e tij poetike bazohet dhe ndërtohet mbi bazën e një lirizmi shpërthyes, ku thjeshtësia e kumtimit poetik arrin nivele të zbulimit të të vërtetave estetike, që ai përcjell.
Ndryshe prej tyre, Gëzim Hajdari duket më nervoz, i alarmuar nga çfarë përjeton në raportet e tij me të kaluarën dhe me përditshmërinë; kriticizmin ai e kthen në një mjet për identifikimin e përvojës së tij poetike, duke na përcjellë mesazhin e luftës së përjetshme të njeriut kundër dhunës dhe degradimit të personalitetit njerëzor.
Izet Shehu është, gjithashtu, një poet origjinal, i cili në librat e tij me poezi plazmon një botë të pasur me përjetime dhe kujtesa metaforike. Poezitë e tij përcjellin ankthin ekzistencial të njeriut të vetërrethuar nga hijet dhe frika, deliri dhe ëndrra, shpresa dhe deziluzioni.
Një zë i veçantë poetik, që nuk dimë pse ka heshtur, është zëri i poetit lushnjar, Bujar Xhaferri, i cili ka botuar disa përmbledhje me poezi, ku duket se ka shumë botë dhe ndjeshmëri, trazim, rebelim, sfidë, ankth, mall, ëndërrim, iluzion, erotikë, shpalime realitetesh në hije ose në gjysmëhije, të cilat poeti i paraqet me një petk të stolisur metaforik, aq joshës e grishës në magjinë e tyre.
Nuk mund të lëmë pa përmendur dramaturgun e mirënjohur Loni Papa, dramat e tij aq të njohura, sidomos “Cuca e maleve”, drama që sollën një problematikë të fortë shoqërore dhe u bënë modele shkrimore dhe të vënies në skenë të dramës së re shqipe, në një truall ku ky zhanër letrar dhe artistik njeherësh ishte në krizë.
Duke ardhur tek pak më të rinjtë në përvojën shkrimore, mund të veçonim poetin dhe studiuesin Besnik Meta, autor i tetë librave me poezi, një monografie dhe një ditari publicistik, midis të cilave mund të përmendim “Dhimbja më grish”, “Brenga blu”, “Lamtumirë komisar”, “Sy të pafjetur”, librin monografi “Mustafa Meta” etj.
Një emër që po bën emër midis dhjetëra krijuesve jo vetëm nga Lushnja, por dhe më gjerë është Kozma Gjini, prozator e fabulist, i cili në disa vëllime të tij me tregime e fabula ka përcaktuar një profil të veçantë të vetvetes, ku është vlerësuar me çmime në konkurse kombëtare, për cilësinë e aktit shkrimor. Gjini ka një stil të tij, të pandikuar nga askush, ku me anë të zhbirimeve të holla groteske, alegorike e sarkastike, operon në ndërtimin e artit poetic, qoftë narrativ të mirëfilltë, qoftë fabulesk. Gjini është një krijues që ka gjetur vetveten në shtratin shkrimor estetik, ku me mjete të thjeshta, por të freskëta dhe komunikuese ia ka dalë të përcjellë një botë të përndezur të përditshmërisë sonë, në të gjitha shfaqjet dhe fasadat e saj.
Botëvështrimi i tij është kompleks, por pa stërhollime, artifice e zbukurime dekorative, është një botëvështrim vertikal, që na përcjell një shumësi ndjenjash, përjetimesh, emocionesh dhe mesazhesh.
Miltiadh Davidi është një tjetër zë origjinal, që poezitë e para i botoi në gazetën lokale “Shkëndija”, kur ishte vetëm 18 vjeç dhe ndërkohë ka ecur duke bërë një rrugë jot ë zakonshme drejt poezisë, me anë të disa vëllimeve poetike të botuara, si “Parajsa Danteske përballë Ezopit plak”, 2001, Dituria, “Ujëvara hëne”, 2008,Toena (Parathënia e këtij libri është botuar në gazetën “Iliria” në Amerikë), “I njëjti zë njeriu”, 2011, Uegen, “Globi mbi fije bari”, ”Duke ecur në rrugica ajri”. PROZË- “Bregu i ferrparajsës” roman, 2010, Ada“, “Në humnerën e pafund të një krimi.”, tregime,- “Në kopshtin e dashurisë”, novelë. Davidi është përfshirë në antologjinë poetike ”Lotët e virgjër”, botuar nga Prof. Dr. Fatmir Terziu dhe Agim Mato, në “Historinë e letërsisë shqipe për fëmijë” shkruar nga Astrit Bishqemi, si dhe në antologjinë me tregime botuar nga shtëpia botuese Ada. Krijimtaria etij është përcjellë me mendimin vlerësues kritik dhe eseistik nga shkrimtarë e kritikë të njohur si poeti Faslli Haliti, Prof. Dr. Klara Kodra, poeti dhe shkrimtari disident Visar Zhiti, Prof. Dr. Fatmir Terziu, shkrimtari Kozma Gjini, etj. Po kështu poezitë, tregimet, fabulat e fragmentet e romanit të tij janë vlerësuar dhe vlerësohen çdo ditë nga shumë shkrimtarë e poetë të tjerë me emër e të rinj,nëpër faqet letrare që botohen prej gazetave e grupimeve letrare.
Nuk mund të mos shkruajmë për freskinë poetike të poetes Liljana Furrxhi, ku ëmbëlsia dhe brishtësia, droja dhe dëlirësia, këngëzimi dehës i gjendjes së një vajze në lule të moshës, që kërkon të fluturojë me zogjtë, në qiellin e praruar, ende nuk e kanë humbur atë shkëlqimin lëbyrtës të dëshirave disi naive, ku përzihet lirizmi spontan dhe një soj dehjeje natyrale, me filozofinë e qëndresës së një sistemi vlerash, tek të cilat beson ajo dhe brezi i saj pa komplekse. Pas këtij fillim të brishtë, në një moshë të njomë, tani ajo ka një soj rebelizmi, jo se ëndrra e ka braktisur, por se ajo, për fat të keq, nuk mund të bëhet pëlhurë dashurie për të mbështjellë të gjithë bashkëmoshatarët e saj, siç do të donte Liljana dhe siç do të ishte normale, në një shoqëri të hapur e të drejtë.
Një tjetër autor që sapo ka dalë në rrugën e poezisë, por që premton është Zabit Sula, në poezinë e të cilit lëvrin një det i tallazitur pasionesh të bukura, dashuria për vendin e tij, magjia e mallit dhe idilit, fryma përvëluese e dashurisë, toponimistika estetike e fushës, Myzeqeja e tij e dashur, që poeti e mbart me vete si një kumt, si një bekim dhe si një mesazh paqeje e begatie.
Natyrisht, në një studim të pathelluar dhe modest, siç është ky i imi, nuk mund të profilizohen të gjithë krijuesit nga kjo treve kaq e begatë letrare, por mund të rendisnim së paku emrat e atyre që vazhdojnë të punojnë pa u lodhur në arën e letrave tona poetike si: Halil Jaçellari, Fatbardh Rustemi, Shpend Sallaku, Ilir Levonja, Miltiadh Davidhi, Luan Kurti, Elmaz Qerreti, Valter Dauti, Ollga Selmani, Arben Gjeka, Vasil Bozo, Bexhet Jacellari, Ermelinda Myzeqari, Shpend Sallaku, Ilir Levonja, Artur Koçi, Jovan Jano, Donika Stasa, Ermelinda Sina, Blerina Seferi, Kledia Sheme, Lirim Sulko, Anila Toni, Baki Nezha, Edlira Gorreja, Pali Xharo, Agim Bakushi, Irakli Papa etj. Bajame Çeliku, Luan Kurti, Ilir Levonja, Miranda Haxhia lëvrojnë poezinë dhe prozën, ndërsa Jovan Jano është një studiues i kompletuar dhe ka shkruar disa monografi,
Artur Koçi ka botuar dy romane, që janë mirëpritur nga lexuesi dhe kritika etj.
Sigurisht, në një vështrim kaq të sipërfaqshëm nuk mund të thuhen të gjitha për autorët lushnjarë, por ishte thjeshtë një përpjekje e imja për të bërë një akt kujtese ndaj bashkëqytetarëve të mi krijues, ndaj atyre që na kanë lënë në rrugë gurë kilometrikë nga ku mund të orientohemi dhe ndaj atyre që sapo kanë nisur të shkruajnë apo të botojnë librat e parë.
Një gjë duhet thënë dhe e them me siguri të plotë: autorët lushnjarë, me aktin shkrimor estetik vijnë me fytyrën e trazuar të fushës, me aromën e grunjërave të Myzeqesë dhe sjellin një fllad të bukur në letërsinë e re shqipe. Ata ndihen dhe janë pjesë e rëndësishme e letrave tona kombëtare, të çliruara tashmë nga tabutë dhe kufizimet e së shkuarës, në stadin e ri të integrimit dhe bashkimit të botës shqiptare, brenda e jashtë kufijve tanë administrativë.

Një poetikë femërore në pentagramin e ndjesive që vallëzojnë

Rreth përmbledhjes me poezi “Fizarmonika e ndjenjave” të poetes Vjollca Tiku Pasku


Nga Hyqmet Hasko
Kur zhytesh në misterin e botës femërore, të derdhur në vektorin poetik, një nga vektorët më të ndjeshëm dhe më sugjestivë të botës sonë, teksa mundohesh të dallosh veçantitë e gjithësecilës dhe përbashkësinë e sentimentit femëror, refleksioni të çon në shtysa konkludimesh gjithësesi të bukura, pasi e bukur, sharmante dhe vezulluese është vetë karuseli ku vërtitet sentimenti i tyre. Këtë mendim të shpejtë e të vrullshëm ma zgjoi poetja Vjollca Tiku Pasku, teksa shfletoja me nge dhe, dalëngadalë, zhytesha në vorbullat e poezive të saj, përmbledhur në vëllimin e saj më të fundit, me titullin domethënës “Fizarmonika e ndjenjave”.
Redaktuar nga poeti dhe prozatori i njohurVullnet Mato, botim i Shtëpisë Botuese “Vllamas”, Tiranë 2013, kjo përmbledhje poetike sjell një kontribut në poezinë e re shqipe, posaçërisht në poezinë që shkruhet nga femrat.
Fëshfërimat e barit, aroma e grunjërave të fushëtirave të Myzeqesë, ndjenjat e holla e fine të gruas, që kërkon të vjelë në çdo hap të jetës nektarin e bukurisë, kujtesa e gjërave, ndjeshmëria dhe sugjestioni, spontaniteti dhe lirshmëria e shprehjes, pa cungime dhe belbëzime, janë pikat ku vërtitet poezia e Vjollcës, një poezi e vetvetishme, e vrullshme dhe me një temporitëm të shpejtë, plot impulse dhe sentimente.
Natyra e jashtme shkrihet në poezinë e saj me shpirtin e brendshëm të femrës, tingujt joshës të kohës shkrihen në notat e ndjesive që vallëzojnë në pentagramin e një muzike dehëse dhe shndërruese, në kuptimin e fuqisë së ndikimit tek njeriu bashkëkohor.


Poetja ngazëllen, qan, qesh, sfidon, ëndërron, ndizet nga pasioni i bukurive të fjetura që flejnë në gjirin e natyrës dhe në vetë shpirtin njerëzor, prek e ngazëllyer “tunikën e argejndtë”, ndërkohë që  “petkun e dashurisë”, “veshur me diell” ua përcjell “valëve të detit”, teksa në “fizarmonikën e ndjenjave” koha kompozon këngë të pafundme, “shkëlqimin e qerpikëve të artë të dashurisë”.
Kur të njoha ty dashuri,
Zogjtë mbanin mëngjesin në krahët e tyre,
I gjithë bari në lëndina tundte zilkat jeshile,
Drita e bardhë i puthte gjuhën ngarkuar me ar.
(Poezia “Kurtë njoha ty” faqe 24)
Bota e mërgimtarit, një botë e dyzuar dhe e përgjysmuar mes mallit dhe enigmave ekzistenciale, është e pranishme në poezinë e poetes sonë, për shkak se ajo vetë e ka provuar peshën e dhimbjes dhe trazimit të emigrimit, si pjesë e një kalvari të shpirtit të thyer, që jeton njëherësh në dy kohë dhe në dy realitete emocionale.
Akti poetik, si akti që i afrohet aq shumë frymës hyjnore, është një proces i katharsisit shpirtëror të një qenie elitare, siç është poeti, i cili nuk mund të jetojë thjeshtë fizikisht dhe të dëshmojë thjeshtë ekszistencën e tij materiale, por e ka të domosdoshme të jeteojë dhe në një mënyrë tjetër, simbolike, për të dëshmuar vektorin rrëzëllitës të bukurisë për bashkëkohësit e çoroditur nga bota e konsumizmit.
Profili poetik i poetes VjollcaTiku është ai i një krijuesje me një ndjeshmëri të lartë, me tenika vjerëshërimi midis tradicionales dhe modernes, me një pasuri të begatë mjetesh dhe teknikash poetike, me struktura vargjesh e strofash të zhdërvjellëta, që e kthejnë formën në një procedim të mesazhit estetik.
Poezia e saj është një endje e imagjinatës dhe realittetit, si kujtesë, si ndjenjë dhe përjetim emocional, në shtrirje horizntale e vertikale, me një diapazon të gjërë lirik e dramatik, ku protagonist, në pjesën më të madhe të poezive, është vetë uni i vetë poetes, marrëdhëniet e saj me jashtë-unin, me kohën dhe bashkëkohësit. Ajo është reflektim i botës shpirtërore të poetes, i atij procesi njohjeje e selektimi etik, moral, filozofik, estetik, që e shtyn poeten në udhëtimin e saj drejt të bukurës, drejt fisnikes dhe ëndrrës së kulluar.
Poetja nuk është uniforme në aktin  e saj poetik, ajo përdor teknika të larmishme vjershërimi, ku sundon diapazoni lirik i këndvështrimit të botës, si lëndë të parë që bën objekt të pasqyrimit poetik.
Zhbirimet e holla psikologjike, etike, filozofike të Vjollcës në poezitë e saj më të mira, tregojnë shkallë të lartë mprehtësie dhe inteligence natyrale, fuqinë e një poeteje të lindur për të na dhënë peizazhe të thyera të jetës së gjallë dhe të shpirtit njerëzor.
Poezia e Vjollcës është një këngë në rrugëtim për dashurinë, dashurinë në kuptimin më të gjërë të kësaj fjale, dashurinë të cilën ajo e ka ngritur në kult dhe për të cilën zhbiron e kërkon me artin e saj poetik, me një përkushtim krijues përtej të zakonshmes.
Më shumë se me tekstin, me fjalët dhe stilemat që përdor për të hyrë në korrelacione esetike me lexuesin, poetja komunikon me nëntekstin, me të nënkuptuarën, me atë thagmë shpirtërore, që përftohet nga gjendja, imazhi dhe strukturat e brendshme të aktit poetik. Ky botëvështrim, e mban atë të mbërthyer në ndjesitë e holla të investigimit të dukurive  që bën objekt shqyrtimi estetik, duke i parë ato në shumë pamje, për ta lënë lexuesin, që në këtë mozaik, të zgjedhë pamjen që atij i pëlqen më shumë dhe me të cilën mund të identifikohej bota shpirtërore dhe psikologjia e tij.
Në imazhet poetike që përcjell, poetja shkrihet koha dhe hapësira e të ndodhurave reale me fiskionin dhe trillin estetik. Ata shprehin një botë të pasur shpiërtore, plot thyerje dhe digresione, ku horizontalja dhe vertikalja shkrihen dhe priten në të njëjtin vector poetik.
Poezia e kësaj poetje është një mozaik kërkimesh spontane dhe të vevetishme në shpirtin e fshehtë të gjërave, të pamjeve, mjediseve, dukurive, gjendjeve dhe peizazheve jetësore, tokës, bjeshkës, detit, bregut, ëndrrës, komunikmit dhe ndjesive njerëzore, ku autori vendos kamerën e tij vëzhguese dhe interpretative, si bartës i një psikolgjie moderne të njeriut bashkkohor shqiptar.
Në thelb, përmbledhja me poezi “Fizarmonika e ndjenjave” e poetes Vjollca Tiku është një vlerë e mirëfilltë poetike, që i shtohet korpusit gjigand të poezisë së re moderne shqipe, e cila megjithë prurjet e shumta, sidomos në këtë kohë të çlirimit të aktit estetik nga barrierat dhe tabutë jashtëletrare, nuk ka aq shumë individualitete sa të mos evidentojë zëra si ky i poetes sonë, që dëshmon një talent të spiktur dhe vetëdije të lartë poetike.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...