2013-10-12

Adela Kolea-Alfred Kaçinari. Muzika, zbulim urtësie e filozofie

Kush është Alfred Kaçinari ?
Alfred Kaçinari ka lindur në Tiranë, Shqipëri, më 19 nëntor 1959.
Shkollën e mesme e ka kryer me rezulate të shkëlqyera në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë.
Ka përfunduar studimet universitare në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, i diplomuar në degën e kompozicionit (fakulteti i muzikës) .
Prej vitit 1993 punon në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Këtu ka mbuluar detyra të: redaktorit të muzikës, Drejtor i Departamentit të Programacionit të Radio Tiranës, Drejtor i Departamentit të Krijimtarisë muzikore, Drejtor artistik i Orkestrës Simfonike të RTSH,Producent muzikor, Drejtor Artistik i festivalit “Këngët e Stinës”, festivalit “ Hit Fest”, Konsulent Artistik dhe Drejtor Artistik i disa Festivaleve të Këngës në RTSH dhe prej shumë vitesh është një ndër drejtuesit kryesorë të veprimtarive më të spikatura muzikore të Radio Televizionit Publik Shqiptar, ku vazhdon të punojë dhe sot në detyrën e producentit muzikor.
Festivali RTSH 2011 me Rona Nıshlıu dhe Shpetim Saracı
Festivali RTSH 2011 me Rona Nıshlıu dhe Shpetim Saracı
Është një ndër kompozitorët dhe orkestruesit më të shquar dhe aktivë të muzikës së lehtë shqiptare, autor i shumë këngëve, qindra orkestrimeve dhe përpunimeve që janë paraqitur në festivalet e veprimtaritë më të dallueshme të muzikës së lehtë shqiptare, pjesëmarrës në shumë festivale, konkurime e veprimtari të rëndësishme të muzikës shqiptare. Eshtë vlerësuar vazhdimisht nga kritika për profesionalizmin dhe origjinalitetin në krijimtarinë e tij.
Drejtues i shumë veprimtarive të rëndësishme të muzikës së lehtë, ku shquhen festivalet e këngës në RTSH, ciklit televiziv “ Ethet” cikël i cili,i solli skenës shqiptare një brez këngëtarësh që tashmë kanë arritur nivelet më të larta të interpretimit e të suksesit, festivalet “ Këngët e Stinës” në RTSH apo sezonet koncertore të Orkestrës Simfonike të RTSH, etj.
Në tetor të vitit 2011 është dekoruar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë me urdhërin “Naim Frashëri i Artë” me motıvacıonın “për kontribute të veçanta në zhvillimin e muzikës së lehtë shqiptare në drejtimin e kompozimit e orkestrimit duke ndikuar në rritjen e cilësisë artistike dhe përafrimin me prirjet e muzikës bashkëkohore europiane” .
Në korrik 2012 është vlerësuar nga këshilli bashkiak i qytetit të Shkodrës me titullin “ Mirënjohja e qytetit” për kontributin e tij në zhvillimin e festivalit Kombëtar të këngës që mbahet në këtë qytet.
Mirëdita Fred e mbi të gjitha, faleminderit që pranuat ftesën për praninë tuaj në Albania News.
Mirëdita, jam unë që duhet t’ju falënderoj për mundësinë që më jepni për të komunikuar me ju e me lexuesit tuaj.
Ju jeni një artist dhe një kompozitor shumë i njohur në Shqipëri.
Kur lindi pasioni juaj për muzikën? Në familjen tuaj , mamaja, babai – ndonjë pjesëtar tjetër i familjes – kishin raport me të?
Jo aspak, prindërit e mi nuk kanë patur asnjë lidhje të veçantë me muzikën, kanë qenë thjesht konsumatorë të saj.
Siç duket, kanë vërejtur një tërheqje specifike që unë kam treguar që i vogël në lidhje me muzikën dhe më kanë dërguar të studioj muzikë në disa kurse muzikore për fëmijë që zhvilloheshin në Pallatin e Pionierëve në Tiranë, nën drejtimin e Robert Radojës. Mbaj mend që kam shkuar atje shumë i vogël, madje më parë kam mësuar notat e muzikës, se të lexoj e të shkruaj. Gjatë 8 viteve kam studiuar muzikë në këto kurse, mbas shkollës 8 vjeçare, vazhdova arsimin e mesëm të përgjithshëm në gjimnazin ‘Qemal Stafa’ në Tiranë, të cilin e përfundova me rezultate maksimale, dhe pas një përgatitjeje speciale 1 vjeçare, konkurova dhe fitova të drejtën për të studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, në degën e kompozimit muzikor, ku dhe u diplomova. Kjo ka qenë me pak fjalë, rruga ime drejt arritjes së të qënurit një kompozitor profesionist.
Në zyrën  e  punës në Radio Tirana
Në zyrën e punës në Radio Tirana
Ndërsa në familjen e krijuar prej jush, jeni të gjithë muzikantë. Bashkëshortja dhe fëmijët tuaj – ashtu si ju – janë aq të lidhur me muzikën..Ç’do të thotë për një baba muzikant, të dallojë që fëmija e tij që në vogëli, ndan ashtu si ai vetë, prirje të ngjashme për muzikën, por që, ndoshta nga mosha e vogël, e re, të mos i kushtojë këtij fakti rëndësinë e duhur?
Për të kuptuar rrugën që do të marrë fëmija yt, e rëndësishme është të jesh i vëmendshëm e të vëzhgosh me kujdes që herët, prirjet e tij më të spikatura. Fatmirësisht, prirja e veçantë që mund të kenë fëmijët në lidhje me muzikën, është lehtësisht e dallueshme, sidomos nga një prind që e ka profesion atë.
Në këtë rast, marrja e vendimit për ta futur fëmijën në rrugën e formimit profesional muzikor, është një moment shumë i rëndësishëm e që duhet menduar mirë.Një profesionist e di shumë mirë se çfarë rruge të gjatë dhe të mundimshme duhet të bëjë një fëmijë deri sa të arrijë të bëhet një muzikant profesionist, me një formim të gjerë kulturor e një përgatitje të lartë profesionale.Janë dhjetëra, qindëra, mijëra orë studimi të përditshëm të një instrumenti, të cilat i shtohen përgatitjes së përditshme shkollore.Eshtë një përgatitje shumë e gjatë, që fillon që në moshën 5 – 6 vjeçare e vazhdon për vite e vite, një ngarkesë shumë e madhe, e cila do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës.
E në këtë rrugë të gjatë, prindërit, kanë një rol shumë të rëndësishëm, atë të motivimit të fëmijës, për ta stimuluar, për ta ndihmuar dhe për ta shoqëruar atë në këtë rrugë të mundimshme, por unike në kënaqësitë që të dhuron. Në rastin tim, të dy fëmijët janë muzikantë, kanë ndjekur një arsimim të rreptë muzikor, duke filluar nga klasa e parë fillore, në Liceun Artistik në Tiranë.
Vajza, Ana ka përfunduar me medalje të artë, studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë, ka kryer dhe kursin 3 vjeçar të perfeksionimit të lartë për pianoforte në Arts Academy në Romë, nën drejtimin e maestro Fausto Di Cesare me rezultat të shkëlqyer dhe aktualisht është pedagoge e pianos në Universitetin e Arteve në Tiranë.Ka luajtur në shumë koncerte me orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar, në Radio Vaticana e shumë koncerte solistike në Romë, Tiranë, Prishtinë, etj.
Ndërsa djali, Gjergji, sapo ka përfunduar Liceun Artistik në Tiranë, në degën e pianos dhe tani përgatitet për të vazhduar studimet universitare në degën e kompozicionit, në Universitetin e Arteve në Tiranë.
Ne studio me djalin tij Gjergjin
Ne studio me djalin tij Gjergjin
Ndërmjet ushtrimit të një instrumenti dhe kompozimit, cili është ndryshimi emocional midis tyre?
Ka një diferencë të madhe:
instrumentisti është një interpretues i një vepre të caktuar, sigurisht që interpretuesi është shumë i rëndësishëm aq sa – sipas një koncepti – thuhet që nuk mund të ekzistojë një vepër e mirë, pa një interpretues të mirë, por para interpretuesit është dikush tjetër, është ai që përcakton gjithshka, është krijuesi, prandaj ka dhe këtë emër.
Në këtë aspekt, akti i kompozimit të jep një ndjesi shumë të ndryshme nga ajo e të interpretuarit, kompozitori nuk është i kushtëzuar nga asgjë, në ndryshim nga interpretuesi, i cili është i kushtëzuar pikërisht nga kompozitori.
Nëse instrumentisti komunikon me publikun duke qenë në kontakt fizik me të ( qoftë dhe nëpërmjet tingullit të tij), kompozitori komunikon nëpërmjet mendimit të tij. Nëse instrumentisti është i kushtëzuar nga vepra që luan, kompozitori është krejtësisht i lirë në atë çka ai kërkon t’i komunikojë publikut nëpërmjet veprës së tij, d.m.th, kompozitori gëzon statusin e një lirie absolute të shprehjes.
Diferenca është e ngjashme me atë të shkrimtarit që shkruan një vepër dhe aktorit që e deklamon atë.
Saktësi, seriozitet dhe frymëzim. Në ç’pozicion do t’i vendosnit këto koncepte në lidhje me muzikën tuaj dhe me mënyrën tuaj të të punuarit?
Është një raport shumë i rëndësishëm dhe nga ana tjetër, shumë delikat, që lidh saktësinë me frymëzimin, që lidh realen me irealen, që lidh konkreten me abstrakten, që lidh të kuptueshmen me të pakuptueshmen, që lidh logjikën me frymëzimin. Ndoshta, ky është një ndër aspektet që përbën anën e magjishme e të pashpjegueshme, veçanërisht në muzikë. Këtë, më mirë e kuptojmë kur dëgjojmë veprat e kolosëve të artit simfonik muzikor, kur dëgjojmë gjenialitetin virtuoz të Mozartit, logjikën monumentale të Beethovenit, kur dëgjojme Chopin, Listz, Rachmaninof, Verdi, Puccini, etj.
Muzika është art i përsosmërisë, është cilësuar dhe nga Platoni si një ligj moral që tregon rrugën për tek e mira, e drejta dhe e bukura, si një formë e padukshme dhe e përjetshme e tyre.
Për mendimin tim vetjak, muzika është gjuha më e përsosur dhe më e sofistikuar që mendja e njeriut ka zhvilluar, është aq e sofistikuar sa që, kur dëgjon veprat e kompozitorëve më të mëdhenj, të duket sikur në to ka diçka mbinjerëzore.
Unë mbetem një mbështetës i thënies së Leibniz : “ Muzika është një ushtrim i fshehur i shpirtit…”.
Ky është, në përgjithësi, koncepti që unë kam për muzikën.
Sigurisht që muzika nuk bëhet vetëm me instikt, por duhet një përgatitje kulturore e profesionale shumë e rreptë, që të mund të kërkosh e të shprehësh identitetin tënd në muzikën që do të bësh.
E thënë shkurt, është e mundimshme, është e lodhshme, është magjike.
Në Shqipërinë e sotme, cilat janë gjendja dhe niveli i formimit muzikor? Në çfarë mase, sistemi shkollor shqiptar nxit të mësuarit e muzikës?
Ka dy aspekte:
formimi profesional muzikor në përgjithësi është i mirë, ka një numër shumë të madh muzikantësh shqiptarë, që janë arsimuar në Shqipëri, të cilët kanë konkuruar me shumë sukses në skenat muzikore europiane e më gjerë. Kjo tregon që arsimi profesional muzikor në Shqipëri ka një nivel të përgjithëm mesatarisht të mirë. Ndërsa formimi muzikor në përgjithësi i popullatës, mendoj se është shumë i mangët.
Në shkollat tona të përgjithshme ( jo muzikore ) bëhet shumë pak – për të mos thënë aspak – për një edukim muzikor të plotë e të shëndetshëm. Akoma nuk kuptohet si duhet roli shumë i madh që ka edukimi muzikor në formimin dhe civilizimin në përgjithësi të njerëzve. Kjo edhe lidhet e përcaktohet nga niveli i zhvillimit të shoqërisë shqiptare në përgjithësi.
Dekorımı nga presıdentı Bamır Topı
Dekorımı nga presıdentı Bamır Topı
Sa mundësi punësimi ka sot në Shqipëri për të rinjtë e sapodiplomuar ,veçanërisht në fushën artistike e muzikore?
Tregu i punës për artistët në Shqipëri është shumë i vogël, ekzistojnë mundësi shumë të kufizuara punësimi e veçanërisht tani, me situatat specifike financiare që po kalon Europa, problemi bëhet më akut. Aktualisht në Shqipëri funksionojnë vetëm dy orkestra simfonike profesioniste. Ndoshta mundësia më e madhe e punësimit është ajo e pedagogjisë muzikore. Megjithatë, mendoj që ky është një problem jo vetëm shqiptar.
Trashëgimia muzikore shqiptare dhe zhvillimi i shoqërisë shqiptare.Cili është ritmi me të cilin ecin paralelisht këto dy fenomene?
Zhvillimet muzikore profesioniste në Shqipëri janë relativisht shumë të reja, ato fillojnë në mënyrë shumë sporadike në fillimet e viteve 1900, për t’u bërë vërtet të rëndësishme rreth viteve 1960, kur një grup kompozitorësh, dirigjentësh e muzikantësh shqiptarë, u kthyen nga studimet universitare që kryen në vendet e lindjes, si Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia, Polonia, etj.. Ata ngritën orkestrat e para simfonike profesioniste në Shqipëri, themeluan Akademinë e Arteve në Tiranë , e cila i hapi rrugën arsimimit të lartë të kompozitorëve, dirigjentëve, muzikantëve, instrumentistëve e këngëtarëve, duke i dhënë zhvillimeve muzikore në Shqipëri, një përparim mbi baza profesioniste.
Pra siç e shpjegova, zhvillimet profesioniste muzikore në Shqipëri janë shumë të reja dhe në bindjen time, janë zhvillime që, përsa i përket periudhës së para viteve `90, kanë qenë përgjithësisht nën ndikimin e një fryme të përgjithshme lindore ballkanike, ndërsa zhvillimet e periudhës së pas viteve `90, mendoj se janë të paqarta e akoma të pastabilizuara, zhvillime që reflektojnë një fazë tranzicioni të zhvillimit muzikor.
Për t’ju përgjigjur në mënyrë më direkte pyetjes suaj, duhet të them që shoqëri të zhvilluara, kanë dhe trashëgimi muzikore të zhvilluar. Kuptohet që shoqëria shqiptare nuk bën pjesë në konstatimin e mësipërm.
Me  Adi  Krasta  e Zhani Ciko  në  shfaqjen  “Ethet”
Me Adi Krasta e Zhani Ciko në shfaqjen “Ethet”
Vitet ’90. Emigracioni shqiptar…Sa ka ndikuar sipas jush,braktisja e katedrave shqiptare,nga ana e mësuesve të muzikës dhe largimi i tyre nga jeta artistike shqiptare?
Unë kam një mendim pak më të ndryshëm se ai që nënkuptohet nga pyetja juaj. Fillimisht fenomeni është perceptuar si i tillë, d.m.th braktisje, boshllëk, etj.
Me kalimin e viteve, nuk mendoj se duhet parë më si i tillë, madje nuk është i tillë.
Së pari, ka një interes mjaft të madh e në rritje, të artistëve shqiptarë që janë arsimuar në shkolla të ndryshme europiane, për të punuar në institucionet shqiptare. Në këtë aspekt sot nuk mund të flitet më për mungesa të burimeve njerëzore.
Së dyti, lëvizja e njerëzve , tashmë duhet parë si një fenomen normal që ndodh në të gjitha vendet, sigurisht dhe nga Italia emigron një numër i caktuar artistësh apo shkencëtarësh, kjo është diçka normale, është tregu ai që rregullon të gjithë këtë lëvizje të madhe njerëzish.
 Cili është kompozitori apo artisti – shqiptar ose i huaj – që adhuroni në mënyrë të veçantë?
Ndër kompozitorët shqiptarë, njeriu i cili ka qenë model për mua, është Çesk Zadeja, kompozitori më i shquar që kemi patur ndonjëherë, një njeri me një formim shumë të gjerë, me një personalitet kompleks, me një zgjuarsi të veçantë dhe me një shpirt shumë të madh.Jo vetëm një kompozitor i madh por, dhe themelues i shkollës shqiptare të kompozicionit dhe një pedagog , të cilit e vështirë t’i përcaktohet vlera – aq shumë i vlefshëm – jo vetëm për mua, por edhe për një numër shumë të madh krijuesish.
Zadeja është njeriu, i cili më ka tërhequr në rrugën e formimit tim profesional, është ai, i cili ka ndikuar më shumë në jetën time e të cilit i detyrohem pa fund. Unë jam një ndër njerëzit me fat që kanë patur mundësinë ta njohin nga afër profesorin e madh e të paharrueshëm.
Ndërsa nëse do të flisnim për kompozitorët e huaj, lista do të ishte shumë e gjatë…
Kur perceptoni që muzika nuk është e ndjekur për pasion, por për qëllime të tjera, cili është reagimi juaj dhe ç’këshillë do t’u jepnit të rinjve të sotëm, atyre që kanë ndërmend të nisin rrugën e artit, atë të muzikës në veçanti?
Kur jep këshilla, bëhesh i mërzitshëm e aspak interesant, sepse detyrohesh të shprehësh mendime që përgjithësisht janë ‘shabllonë’ dhe që dihen, tashmë nuk ka asgjë që nuk dihet. E sigurisht që, ndryshimin e përbëjnë ata njerëz që janë në gjendje të realizojnë ato gjëra që duhen bërë ( dhe kjo dihet…).
Megjithatë, meqënëse pyetja kërkon një përgjigje, më duhet të them që:
Në radhë të parë – gjithmonë duke folur për të ndjekur rrugën e artit në nivel profesional – nëse nuk keni prirje të mjaftueshme, është më mirë që të synoni në një drejtim tjetër dhe mos druani për të ndryshuar drejtimin, sepse talenti i pamjaftueshëm, në një moment të caktuar, do t’ju kthehet në një pengesë të pakapërcyeshme.
Së dyti, nëse nuk keni vullnet të fortë e të hekurt, nuk mund të arrini larg. Kjo është rrugë shumë e gjatë, që kërkon një sakrificë thuajse sublime, prandaj kërkon një përgatitje psikologjike të konsiderueshme për të përballuar këtë rrugëtim, i cili zgjatet për shumë e shumë vite dhe që, pa asnjë dyshim, do t’ju kushtëzojë dhe mënyrën e të jetuarit.
Së treti, nëse nuk keni një pasion të madh për muzikën, sërish ju këshilloj të tërhiqeni, sepse vetëm pasioni do t’ ju japë oksigjenin e nevojshëm në këtë rrugëtim të gjatë e të vështirë.
Dhe së fundmi, duhet të keni parasysh që të jesh i zakonshëm, në art, nuk vlen.
Sigurisht që, sa thashë më sipër, vlen për ata që duan të bëhen profesionistë të muzikës, ndërsa ata që duan ta ushtrojnë atë në nivelin amator, sigurisht që nuk kanë nevojë për shumë këshilla.Ata le të ndjekin dëshirën dhe instiktin e të marrin prej muzikës, kënaqësinë që ajo të ofron.
Përveç muzikës, cilave pasione të tjerë u jepni prioritet në jetën tuaj?
Pasione të tjerë? Që të jem i sinqertë, puna ime më rrëmben kaq shumë kohë saqë, pothuajse nuk kam menduar se çfarë mund të ishin pasione të tjerë të mi, ndoshta ngaqë muzika mbetet akoma një pasion shumë i madh dhe i ka zënë të gjitha hapësirat e mundshme.
Të merresh me muzikë nuk është vetëm një profesion, por është dhe një mënyrë të jetuari.Gjithmonë ke diçka që të shqetëson e një stimul që të shtyn përpara, të shtyn të kërkosh e të përpiqesh për të gjetur diçka që nuk e ke bërë më parë. Eshtë një profesion shumë tërheqës, ndoshta më i bukuri që ekziston, të paktën për mua.
Cilat janë projektet e juaja të ardhshme profesionale ?
Puna ime është e ndarë në dy pjesë të mëdha:
Puna në studion time personale të regjistrimit e të realizimit të këngëve e orkestrimeve të mia
dhe puna që unë kryej në Radio Televizionin Publik Shqiptar si prodhues muzikor e ku punoj prej 20 vitesh.
Projektet më të rëndësishme e më të afërta lidhen pikërisht me Radio Televizionin Publik Shqiptar, ku po punojmë për realizimin në fillim të muajit tetor, të një Festivali të Këngës Popullore Qytetare Shqiptare, si edhe për Festivalin e Këngës së Muzikës së Lehtë në RTSH, i cili mbahet në dhjetor.
Krahas tyre, kam dhe mjaft këngë e orkestrime, për realizimin e të cilave më duhet të punoj në studion time.

Adela Kolea-Tregim mbi të kaluarën




Në jetë, si në një film – veçse në këtë të fundit, me efekte apo ndikim sipërfaqësor tek ne – shpesh na ndodh të rrethohemi nga dy kategori personash:
nga ata, miq e të dashur për ne – protagonistët , për të cilët ndjehemi me fat që jeta na i vendosi në rrugën tonë dhe nga antagonistët apo kundërshtarë tanët , të cilët, do të kishim dëshiruar që të mos i kishim ndeshur kurrë përgjatë jetës.
Në një film – mendoj – një aktor / e, sa më tepër në rolin vetjak , investon nga ndjesitë e natyrshme, spontane që hasim në lidhje me dukuri, ’ personazhe’, pjesë përbërëse të jetës sonë të përditshme, aq më shumë aktori bëhet i besueshëm, i vërtetë, i pëlqyeshëm, real. Aq më shumë e bën publikun për vete, aq më të lehtë e ka interpretimin e rolit të tij, aq më shumë publiku e admiron, e ndjek e rishikon gjithnjë me kënaqësi filma apo pjesë teatrale të tij /saj.
Janë këto interpretime që – besoj se nga ana tjetër – edhe vetë aktorin e pasurojnë , nëse gjen në një rol grimca nga vetvetja – herë më shumë , herë më pak, në vartësi të tipologjisë së roleve e skenarit – e ndihmojnë atë që të njohë edhe më mirë vetveten, duke bërë të mundur njëkohësisht, përmirësimin e një ane çfarëdo negative të karakterit të tij individual, apo duke zbutur ose theksuar anë të tjera që i zbulon instiktivisht nga një interpretim.
Në këtë mënyrë, publiku nga ana e tij, mund të shqiptojë i sigurtë: kemi të bëjmë me një interpretues të denjë, të natyrshëm, që ka lindur për të qenë aktor /e !
Një aktore e tillë e kinematografisë shqiptare, që përmbush karakteristikat e:
të lindurit për të qenë aktore; të perfeksionimit të artit të interpretimit kinematografik e teatral nëpërmjet studimit të rreptë e cilësor; të aktrimit për kënaqësi e pasion e jo për arsye të tjera;
të përcjelljes drejt publikut të një pjese të mirë nga vetja e saj; të dhurimit të emocioneve përkundrejt publikut, të tillë që i bëjnë të mundur të përmendurit edhe në largësi kohore të konsiderueshme nga shumë interpretime të saj; të mishërimit dhe harmonizimit të këtyre cilësive e shumë të tjerave, nën përkufizimin:
aktore që shquhet me veçantinë e meritave të saj në kinematografinë e teatrin shqiptar, është Elvira Diamanti.
Drita Pelingu dhe Elvira Diamanti
Drita Pelingu dhe Elvira Diamanti
Kush është Elvira Diamanti?
Elvira Diamanti është një nga aktoret më të njohura të kinematografisë dhe skenës së Teatrit Kombëtar Shqiptar.
Karriera e saj artistike përfshin role të ndryshëm nëpër filma apo pjesë teatrale, si :
Radiostacioni ( 1979)
Liri a vdekje ( 1979)
Një shoqe nga fshati ( 1980)
Në prag të lirisë ( 1981)
Shi në plazh ( 1982)
Shokët ( 1982)
Dasma e shtyrë ( 1985)
Shtëpia e Bernarda Albës ( 1985)
Të shoh në sy ( 1986)
Mësuesi i letërsisë( 1986)
Vdekja e Dantonit ( 1986)
Përrallë nga e kaluara ( 1987)
Kush e solli Doruntinën ( 1989)
Muri i gjallë ( 1989)
Dasma e Sakos ( 1998)
Lulet e majit ( 2007)
Ne dhe Lenini ( 2008)
Përshëndetje Elvira, mirësevjen në Albania News.
Ju falënderoj, e dashur për ftesën tuaj.
Është kënaqësi për mua të jap intervistë për ty dhe gazetën tuaj ! Shpresoj që ta meritoj vërtetë dashamirësinë tuaj dhe atë të lexuesve tuaj …
- Cila ështe ajo ndjesi që perceptohet nga brenda prej dikujt, e cila i komunikon këtij personi, predispozicionin e tij / saj përkundrejt aktrimit?
Ndjesia më e parë të arrin vetvetiu sapo mbaron së lexuari skenarin apo dramaturgjinë , ku të është ofruar një rol. Është intuita që të shtyn ta njëjësosh këtë personazh me veten. Dhe padashur, përplasen drejt njeri – tjetrit dy trupa, dy fytyra, dy karaktere: personazhi dhe ti. Mendoj se në çdo rast, mishërimi i një personazhi, merr në pjesën më të madhe, brumë nga vetë aktori.
Dasma e Shtyre
Dasma e Shtyre
- Ndërgjegjësimi apo bindja e vërtetë për t’u bërë aktore, në ç’moshë mbërritën për Elvirën ?
Ka qenë rastësi, fakti që unë luajta rolin tim të parë në film, në moshën 16 vjeçare, dhe ndoshta në atë kohë, nuk e mendoja se ai pasion momenti, do të më përfshinte për gjithë jetën. Natyrisht që shkolla – dhe më vonë – skena apo sheshi i xhirimit, nuk ishin më, thjesht një pasion, por një punë deri në rraskapitje për të qenë sa më i vërtetë .
Perralle nga e kaluara
Perralle nga e kaluara
- Në periudhën kur frekuentoje Akademinë e Arteve, sa vlerë pati për ty, mësimdhënia nga ana e pedagogëve të atëhershëm ?
Kam patur gjithmonë respekt për mësuesit e mi, mbase sepse që në klasë të parë, kam patur fatin të kisha një mësuese shumë të dashur e të përkushtuar, ndaj nesh të gjithëve. Ndoshta, zysh Vera, vulosi një marrëdhënie dashurie e respekti për të gjithë mësuesit e pedagogët e mi për gjithë jetën.
Por, nëse do të flisja për pedagogët e mi në Akademinë e Arteve, mund të të them se ishin të shkëlqyer e plot pasion . Na i mësuan sekretet e aktrimit duke na dhënë aq shumë nga vetja. Gëzim Kame, Birçe Hasko, Anastas Kristofori, Drita Pelingu, Timo Flloko. Kemi qenë një brez me fat dhe kemi përfituar shumë prej tyre. Nuk është kurrë tepër për t’u thënë edhe një herë : “faleminderit!”
Dasma e shtyre
Dasma e shtyre
- Kinematografia apo teatri, kanë dallim preferencial tek Elvira?
- Respektivisht në secilën fushë, roli yt i preferuar që të ka mbetur në zemër ..
Teatri…apo filmi..nuk e di.
Di të them që janë të ndryshëm. Emocionet që të dhurojnë janë gjithashtu të ndryshme. Nuk dua të them se cilin kam më për zemër, por dua t’ju them që rolin e Doruntinës tek “Kush e solli Doruntinën” të Ismail Kadaresë dhe Mukadesin tek “Dasma e Sakos”, do të kisha preferuar t’i kisha bërë ndryshe.
Liri a vdekje
Liri a vdekje
- Ndërmjet kolegesh aktore: simpati apo antipati, për kë ?..
Jam natyrë që rrallë ndjej antipati për dikë, dhe me sinqeritet të them se kjo, nuk më ka ndodhur për asnjë aktore apo kolege me të cilën kam ndarë setin e xhirimit dhe skenën.
Simpati…për shumë prej tyre, të cilat i kam ose i kam patur mike : Raimonda Bulku, Matilda Makoçi, Luiza Xhuvani, Marjeta Ljarja, Monika Lubonja..
Janë shumë, ç’të të them.
- Vendosmëria, krenaria dhe karakteri i fortë i Marigosë në filmin “Përrallë nga e kaluara”. 
Sa përputhen me karakterin real të Elvirës?
Nuk e di.
Eshtë e vështirë të flasësh për veten, ta njohësh veten. Shpesh, ata që na rrethojnë, na njohin më mirë.
Perralle nga e kaluara
Perralle nga e kaluara
- Unë personalisht, mbetem e mahnitur nga interpretimi yt në rolin e Adelës , në pjesën teatrale “Shtëpia e Bernarda Albës”.
Adela si personazh, më e vogla e motrave, më kokëforta, më rebelja, e gatshme për t’ju kundërvënë rregullave të imponuara nga mamaja autoritare.
Sa ka nga personazhi – Adela, në mënyrën e sjelljes së Elvirës në realitet?
Të falënderoj që më risjell në kujtesë Adelën. Eshtë personazh shumë i bukur. Adela është rebele, sepse edhe vetë rinia është rebele.
Kur je i ri nuk i pranon dot kollaj prangat .
- Ti ke dy fëmijë të mrekullueshëm. Ndonjëri prej tyre, ka ndjekur rrugën tënde profesionale?
Është e çuditshme që, asnjëri prej fëmijëve të mi nuk ka shprehur ndonjëherë dëshirën për të qenë pjesë e skenës dhe spektaklit. Ja pra, që ndodh edhe kështu. Por, as unë nuk i kam nxitur për këtë gjë, sepse mendoj që dëshira duhet të vijë së brendëshmi.
- Ç’ këshillë do t’u jepje atyre prindërve, fëmijët e të cilëve janë aspirantë aktorë?
Unë vetë bëj pjesë tek ata prindër, për të cilët, zgjedhja që bën fëmija në jetë, duhet të jetë e shenjtë.
-Sot ti mbulon rolin e drejtoreshës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. 
Ç’përgjegjësi mbart për ty ky rol ?
Eshtë një punë shumë e bukur, me një grup njerëzish të pasionuar për filmin dhe të ndërgjegjshëm që puna e tyre ruan mundin e shumë breza kineastësh.
Për Elvirën, aktori / aktorja shqiptare më i preferuar i të gjitha kohërave?
Kjo është një përgjigje shumë e vështirë.
Sinqerisht nuk veçoj dot dikë. E si mundesh, kur është fjala për Marie Logorecin, Kadri Roshin, Robert Ndrenikën, Tinka Kurtin, Margarita e Ndriçim Xhepa, Bujar Lako dhe Yllka Mujo …
E kupton sa e vështirë është?
- Aktualisht, po e ushtron profesionin e aktores? Ke ndonjë kontratë të re për ndonjë rol në kinematografi apo teatër ?
Kam patur një rol në filmin “Ada” me regji të Spartak Pecanit, i cili nuk ka dalë i shfaqur ende për publikun .
Shpresoj gjithmonë të kem ndonjë ofertë për një rol të bukur…
Ku i dihet…

Gjuha e Martin Camaj "një fuqi magjike"

Nga Flori Bruqi



Skeda:Martin Camaj.jpg

Martin Kolë  Camaj (1927-1992) ishte shkrimtar dhe albanolog shqiptar.


Martini lindi në Temal, Dushman të Dukagjinit më 21 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë-Kllogjena. I biri i Kolë Camës, njëherësh bari e bujk. Tereza, e ama ishte nga Prekali, lindi i pari ndër shtatë fëmijë. Datëlindja 1925 duket të jetë një gabim shtypi.

 Famullitari i zonës, Atë David Pepa, shquajti tek ai tipare për të cilat e nisi në Shkodër kur ishte 7 vjeç, në Kolegjën Ksaveriane mori edukatë klasike. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegjë. Punon si mësues ndër fshatrat e Veriut mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës, pra edhe të shkollave e të seminareve të Françeskanëve e të Jezuitëve. Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm, më 1947.

Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kapidan Gjon Destanishtës dhe mbas një kohe qe i detyruar me jetue në ilegalitet deri sa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me Atë Daniel Gjeçajn o.f.m. Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Në Beograd studioi romanistikën, sllavistikën, albanologjinë dhe letërsinë popullore shqiptare (1949-1955). Filloi me punue disertacionin mbi Buzukun.

Në verën e vitit 1956 largohet edhe nga Jugosllavia dhe shkon në Itali për studime pasuniversitare, ku dhe kreu temën për Buzukun më 1960.

 Në Romë doktorohet dhe drejton revistën “Shêjzat” si kryeredaktor, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit. Këtu njihet më përsëafërmi me botën arbëreshe, dhe jep leksione shqipeje në katedrën e Universitetit La Sapienza në Romë.

Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë.

Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër. Në janar 1960 vendoset në Mynih të Gjermanisë falë një sistemi shkëmbimesh akademike. Bëhet lektor pranë Universitetit "Ludwig Maximilian" të Münich-ut, më 1964 u bë Privatdozent. Më 1969 martohet me Erikën.

 Më 1970 bëhet profesor, e deri më 1990 jepte Albanologji në të njëjtin universitet. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.

Vepra


Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.
Kërkimet akademike të Camajt u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik "Nji fyell ndër male", Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe "Kânga e vërrinit", Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t'u kthyer. Këto u ndoqën nga "Djella", Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive "Legjenda", Romë 1964 dhe "Lirika mes dy moteve", Munich 1967, kishte disa poezi nga "Kânga e vërrinit", që u ribotuan në "Poezi" 1953-1967, Munich 1981. Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti (1888-1970). Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet "Selected Poetry", New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe "Palimpsest", Munich & New York 1991.

Tituj të veprave


Nji fyell ndër male - Prishtinë 1953
Kanga e vërrinit - Prishtinë 1954
Djella (novelë) - Romë 1958
Meshari i Gjon Buzukut - Romë, 1960 Il "Messale" di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi, "Shêjzat", Roma 1961.
Legjenda - Romë 1964
Lirika mes dy moteve - Munih 1967
Poezi (1953-1967)- Munih 1967
Tekst mësimor i gjuhës shqipe - Wiesbaden 1969
E folmja shqipe në provincën e Avelinos - Firence 1971
Antologjia: Këngë shqiptare - Dusseldorf 1974
Njeriu më vete dhe me të tjerë - 1978
Poezi 1981
Drandja (proza poetike)- Munih 1981
Rrathë (novelë) - 1981
Shkundullima - 1985
Karpa (novelë)- 1987
Poezi 1981
Tingujt e parë
Gramatika shqipe - Wiesbaden 1984
Botimet dygjuhësore[redakto]
Poezi (shqip-italisht)- 1985
Me pendlat e korbit të bardhë (shqip-gjermanisht)

------------------------------------------------------------


Hans Joachim Lanksch



Martin Camaj - Përkthyesi i veprës së tij në shqip, Hans Joachim Lanksch, flet për jetën e Camajt në Gjermani, takimi i pamundur me Eqrem Çabejn dhe përplasjet në Itali me delegacionin shqiptar të Akademisë së Shkencave…

nga Alda Bardhyli

Teksa treni linte pas Lenggriesin për të vazhduar drejt Mynihut, Martin Camaj, vazhdonte të shfletonte gazetat që kishin ardhur nga Shqipëria. Një trishtim reflektohej në fytyrën e profesorit që ia përcillnin ato fletë të mbushura me fjalë, që vinin nga shumë larg…Propaganda që lexonte në ato rreshta, fjalimet mbi jetën e regjimit që ishte instaluar në Shqipëri, e bënin atë të mendonte se ndoshta asnjëherë nuk do të mund të shkelte më sërish atje, në vendin ku lindi. Ish-mësuesi i shkollës në Prekal, që i pëlqente që i vogël të lexonte vjersha, u arratis drejt Jugosllavisë pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. Në Beograd studioi letërsi, ku nisi të punonte dhe një disertacion për Buzukun. Në verën e vitit 1956 largohet nga Jugosllavia dhe shkon për studime pasuniversitare në Itali ku përfundon dhe temën për Buzukun më 1960. Vitet në Romë kanë qenë të mbushura me pasione letrare për të riun, që në anën tjetër të detit kishte lënë një pjesë të familjes që vuanin burgjeve. Pas doktoraturës ai drejton revistën “Shejzat” si kryeredaktor nën kujdesjen e Ernest Koliqit. Këtu njihet më për së afërmi me botën arbëreshe dhe jep leksione shqipeje në katedrën e universitetit “La Sapienza” në Romë. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër. Në janar 1960 vendoset në Mynih të Gjermanisë falë një sistemi shkëmbimesh akademike. Bëhet lektor pranë universitetit “Ludwig Maximilian” të Münich-ut, më 1964 u bë Privatdozent. Më 1969 ai lidh kurorë me Erikën, gjermanen me flokë të verdha, e cila do të jetë deri në fund të jetës së tij përkrah tij. Më 1970 bëhet profesor, e deri më 1990 jepte Albanologji në të njëjtin universitet. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindur. Më 12 mars të vitit 1992, ai mbyll sytë përgjithmonë në Mynih me brengën e pashuar për Shqipërinë. Hans Joachim Lanksch, ishte thjesht një student kur e takoi për herë të parë Camajn. Nuk e dinte se profesori i albanologjisë do të kthehej në një personazh të rëndësishëm në jetën dhe karrierën e tij, që do ta shtynte të njihte më mirë letërsinë e një vendi si Shqipëria. Që nga koha e universitetit e derisa Camaj u nda nga jeta ata mbetën bashkëpunëtorë të ngushtë. Ai u bë zëri i Camajt në shqip. Botimi i veprës së plotë të tij vetëm pak kohë më parë në shqip, është një rizbulim i Camajt, i cili për vite me radhë kishte qenë vetëm pjesërisht i botuar. Më poshtë në një intervistë Lanksch sjell detaje nga jeta e Martin Camajt në Gjermani, dhe na beson foto të rralla nga arkivi i tij.

Si do ta kujtonit takimin e parë me Martin Camajn?

Martin Camajn e kam njohë si profesor të albanologjisë. Gjatë nji pauze mes dy orëve të mësimdhanies u shëtitëm korridorit të institutit tue bisedue për gjana të ndryshme. Profesori më bani pyetje si se çfarë landësh studioja, çfarë më interesonte në këto studime, çfarë më interesonte përveç studimeve dhe me çfarë merresha në kohën e lirë. I thashë se më interesonte muzika klasike dhe se merresha me përkthimin e poezisë. “Çfarë po përktheni?” u interesue profesori. “Nji poet ekspresionist, konstruktivistin slloven, Sreçko Kosovel.” “Interesante”, tha. Kaloi nji copë herë, pastaj tha se “ju përktheni poezi, unë shkruej poezi” dhe shtoi se ndonji ditë do të ma binte nji libër të tijin. Nji ditë prej ditëve ma solli vëllimin “Njeriu më vete e me tjerë”. Ky qe fillimi i nji bashkëpunimi dhe i nji miqësie të bukur.

Jeta e Camajt në Gjermani është pothuajse e panjohur. A mund të na e përshkruani pak jetën e tij, nga ajo çfarë keni parë nga kontaktet që keni pasur?

Jeta e Martin Camajt në Gjermani ka kenë shumë normale. Jeta e nji profesori në nji universitet gjerman. Nji jetë shumë e disiplinueme, nji jetë me plot punë profesionale. Punën e merrte shumë seriozisht. Jepte ma shumë leksione sesa paguhej, vetëm e vetëm për t’i plotësue nevojat e studentëve. Ditën punonte. Në mbramje, kur u kthye nga puna e shoqja Erika (me profesion mjeke), filloi jeta private. Mbas darkës e shikonte ditarin televiziv, mbasandej filloi koha e telefonatave me miqtë shqiptarë në Gjermani, Itali, SHBA dhe kudo në diasporë.

Me gjithë përkushtimin për punën shkencore dhe letrare, Martin Camaj nuk ka kenë nji intelektual i veçuem, por nji njeri “normal” dhe i përzemërt që shoqnohej me miqtë, kolegët dhe studentët. Familja e tij gjermane, e vjehrra, nji grue e mirë dhe e thjeshtë, dhe mbesat e vogla, e dashunonin ma së tepërmi Martinin.

Si vinte Shqipëria në bisedat e Camaj?

Për Shqipninë dhe shqiptarët kurrë nuk tha ndonji fjalë të keqe. Për diktaturën komuniste kurrë nuk tha ndonji fjalë të mirë. Për makthin e diktaturës staliniste të PPSH-së nuk lamentohej gjatë e gjanë, por e gjykoi shkurt e ashpër. Shkurt e prerë e gjykoi dhe masakrimin e letërsisë dhe kulturës, sidomos të trashigimisë letrare dhe kulturore, nga zhdanovizmi shqiptar dhe shërbëtorët e tij. E hodhi poshtë letërsinë e indoktrinueme, letërsinë e “Realizmit Socialist”.

Dita e punës e Martin Camajt filloi me leximin e gazetave dhe revistave nga Shqipnia në të cilat ka kenë i parapaguem nëpërmjet nji librarie të specializueme në importimin e botimeve nga Europa Lindore dhe Juglindore. Profesori lexonte, sidomos gjatë udhëtimit me tren nga Lenggriesi për në Mynih, “ZiP”-in, “Bashkimin”, “Nëntorin”, “Dritën”, “Rilindjen” e Kosovës dhe gazeta nga disa rrathë të Shqipnisë. I lexonte këto botime jo se entuziazmohej për propagandën e regjimit në to, por për tri motive: a) i interesonte se çfarë po ndodhej në vendlindjen e tij, b) e ndiqtë me kujdes gjendjen resp. zhvillimin e gjuhës shqipe dhe c) i interesonte gjendja resp. zhvillimi a moszhvillimi i letërsisë shqiptare të asaj kohe.

A ruante Camaj lidhje me Shqipërinë?

Martin Camaj nuk kishte mundësi të ruente lidhje me Shqipninë e Enver Hoxhës. I sëmbonte në zemër pamundësia e ruejtjes së lidhjes me familjen në Shqipni. Familjes nuk i shkruente letra për t’i mos vu në rrezik familjarët. Nji herë nisi në shtëpi nji pako me barna mbasi kishin ndëgjue se nji familjari i nevojiteshin urgjentisht ilaçe. Pakon nuk e dërgoi me dërgues Martin Camaj por e vuni emnin dhe adresën e së vjehrrës. Mbas disa mujsh pakoja u kthye i shqyem dhe i rrënuem.

Me kolegët e profesionit Martin Camaj gjithashtu nuk mund të mbante lidhje. Po flasim për Shqipninë nën sundimin e Partisë së Punës ku shkencëtarët nuk kishin leje as edhe me përmendë ndonji koleg amerikan, rus apo ekzilant resp. ku redaktorët (censorët) e botimeve shkencore thjesht tërhiqnin emna të tillë. Profesori nuk i merrte zyrtarisht botimet periodike shkencore nga institutet përkatëse por i parapaguente dhe paguente privatisht nëpërmjet librarisë së naltpërmendun.

Me rastin e nji kongresi shkencor në Innsbruck të Austrisë më 1972, ku ishin të ftuem si Eqrem Çabej ashtu dhe Martin Camaj, Tirana zyrtare dha sinjalin: o Çabej, o Camaj. Në favor të Çabejt, Martin Camaj hoqi dorë nga pjesëmarrja.Tjetër herë, në Palermo, ku organizatori Antonino Guzzetta nguli kambë për pjesëmarrjen e Martin Camajt, “kolegët” nga Tirana, Androklli Kostallari, Gjovalin Shkurtaj, Jorgji Gjinari plus dy të tjerë e fyen randë e thellë në shpirt Camajn tue ba rropamë dhe tue e braktisë sallën sapo filloi me referue kumtesën e vet Martin Camaj. Delegacioni shqiptar nën udhëheqjen e Androklli Kostallarit tanë kohën e kongresit rrinte ndaras pa kontakt me pjesëmarrës të tjerë. Lidhun me këtë kongres ka dhe nji detal interesant. Androklli Kostallari kumtesën do ta mbante italianisht. E luti profesorin arbëresh Francesco Solano me ia korrigjue tekstin italianisht. Solano nuk ka kenë gjuhëtar por specialist letërsiet dhe e luti kolegun dhe mikun Martin Camaj me korrigjue tekstin e Kostallarit. Mbramjen para se të referonte Kostallari, Camaj ia korrigjonte dhe redaktonte kumtesën italianisht.

Nji njeri me karakter ndryshe nga ata që ishin në Palermo asht Shaban Demiraj i cili përndryshe nuk ishte anëtar Partie. Ai mori pjesë në nji sesion shkencor në Cosenza (Kozencë) ku mori pjesë edhe Martin Camaj. Demiraj Demiraj i shtriu dorën Camajt. Camaj qe paksa dyshues, por miku i tij i ngushtë, albanologu Eric Hamp nga SHBA, që e njihte Demirajn i tha se Shaban Demiraj nuk i takonte kategorisë kostallariane. Shaban Demiraj zhvilloi nji bashkëbisedim kolegial me Martin Camajn dhe u takue ma vonë dhe me çiftin Camaj. Vetëkuptohet se ky kontakt nuk mund të vazhdonte në relacionin Mynih-Tiranë.

Eric Hamp kështu e kishte ndërmjetësue edhe nji takim të albanologes ruse Agnija V. Desnickaja me Eqrem Çabejn në Innsbruck. Martin Camajt i vinte shumë keq që nuk u takue kurrë me Çabejn. Para se me vdekë Çabej (1980) me anë të familjarëve në Amerikë të mjekes pulmonologe që e mjekonte profesorin në spital u ba nji kontakt me Camajn në mënyrë që në dhomën e Çabejt në spital u instalue nji telefon për telefonatën me Camajn. Mjekja e informoi Çabejn se atë do ta marrë në telefon Martin Camaj. Në momentin e fundit hyni në dhomë nji sigurims dhe e hoqi telefonin.

Personazhe të njohur të letrave si i kujtonte?

Kuptohet se Martin Camaj fliste për letrarë shqiptarë. Ma së shumti e përmendi Ndre Mjeden si mjeshtër të poezisë shqipe. Gjithkështu fliste për Lasgushin. Ai kishte konsideratë si për Konicën ashtu dhe për Koliqin. Për autorët bashkëkohorë të asaj kohe nuk fliste. Me dy përjashtime: më foli për romanin e Kolë Jakovës, “Fshati mes dy ujnave”, për shkak të nji dukunie të çuditshme në mos idioteske: bleu i parë u botue në origjinal dmth. gegnisht, ndërsa vëllimi i dytë u botue në – siç quhej atëbotë – gjuhën e njësuar. Përjashtimi i dytë ishte romani i Natasha Lakos, “Stinët e jetës”, për të cilën tha thjesht: “E kam lexue. Më pëlqen. Vërtetë, më pëlqen”. Romani u botue edhe në Kosovë dhe depërtoi këtu nga Kosova. Librat e Realizmit Socialist i interesonin Martin Camajt si objekte studimi shkencor.

Përndryshe, në atë kohë këtu mbërrinin vetëm librat që i pëlqenin censurës së Shqipnisë, letërsia zyrtare. Romanet për thamjen e kënetave etj. Martin Camaj e mori në dijeni valën e krijimtarisë së poezisë moderne para Plenumit të IV. Mirëpo, këtu nuk ishin librat e Moikom Zeqos, Sulejman Matos, Faslli Halitit, Faik Ballancës. Nuk ishin as veprat e Frederik Rreshpjes. Nuk dihej gja për krijimtarinë e autorëve klandestinë si Zef Zorba, Mihal Hanxhari etj. Kështu që interesimi i Martin Camajt përqëndrohej në letërsinë e trashigimisë letrare shqiptare.

Situata u ndryshue mbas rrëzimit zyrtar të diktaturës komuniste ku Martin Camaj fliste me sy vezullues se “po dalin burgjeve poetët e vërtetë”, ku i ndjeri Ardian Klosi na solli poezi nga Kasëm Trebeshina, ku në këtë anë për herë të parë u ndigjuen emna si Daut Gumeni, Fatos Lubonja etj.

Ju jeni përkthyes i veprës së tij, si do ta vlerësonit gjuhën e Camajt?

Gjuha e Martin Camajt asht pjesë konstituive e letërsisë së tij. Gjuha e poezisë së tij asht vetë poezi. Gjuha e tij ka nji fuqi magjike. Gjuha e tij nuk mund të “përkthehet” në të ashtuquejtunën gjuhë letrare pa e shkatërrue strukturën dhe specifiken e veprës së Martin Camajt. Gjuha e tij ka jo vetëm nji sharm të veçantë por edhe nji bukuri, muzikalitet dhe ekspresivitet të rrallë. Gjuha e tij ka dhe nji tingull specifik, tingulli për Camajn kishte nji peshë të madhe. Po të amputohej nga trupi i veprës së Martin Camajt gjuha specifike camajane, ky trup do të shembej në mënyrë të pamëkambshme.

A e ka sot vepra e Camajt vendin e duhur në letërsinë shqipe?

Zyrtarisht, po: vepra e tij letrare, ma në fund, u botue plotësisht, Martin Camajt iu dha Çmimi kombëtar “Penda e argjendtë” dhe titulli “Nder i Kombit”. Studiuesit e rinj merren me veprën camajane, shkruhen studime serioze për letërsinë e Camajt si monografia e Shaban Sinanit, “Camaj i paskajuar”, apo disertacioni i Albana Alias pranë Universitetit të Kozencës. Mirëpo, në mungesën e kritikës letrare shqiptare nuk ka recensione që lexuesit ia afrojnë opusin letrar të Martin Camajt. Shkrime të thata gjysmëshkencore që dalin herë mbas here në periodik nuk e plotësojnë funkcionin e kritikës së mirëfilltë letrare.

Vepra e Martin Camajt studiohet në universitetet, ama jo në shkollat e mesme d.m.th. në moshën kur formohet shija dhe shqisja për artin letrar. Ndër zullumet që i ka ba regjimi i Berishës figuron edhe heqja e Martin Camajt nga tekstet shkollore me arsyetimin që Camaj “është i vështirë për nxënësit”, gja që u tha dhe për heqjen e “Gjeneralit” të Kadaresë.

Vepra e Martin Camajt ende nuk e zë vendin e duhun në letrat shqipe edhe për nji arsye të tretë. Camaj ende shikohet si autor i diasporës shqiptare, gja që duket absurde mbasi vepra e tij kategorizohet simbas kriterit gjeografik të vendqëndrimit të autorit dhe jo simbas kritereve letrare apo historike të historisë së letërsisë. Kjo asht nji logjikë simbas së cilës do të duhej me e futë Fan Nolin gjithashtu në sirtarin e “letërsisë së diasporës”. Kështu, Camaj deri diku përjashtohet nga rrjedha e historisë së letërsisë shqiptare siç e theksoi edhe poeti Primo Shllaku. Nga pikëpamja historike Martin Camaj ka kenë bashkëkohës i periudhës së Realizmit Socialist, nga pikëpamja letrare Camaj ka kenë nonkonformist. Asht koha që Camajt i jepet vendi që i takon si pjesë përbamëse e letërsisë shqiptare, si nji prej autorëve që në periudhën e Realizmit Socialist ishin alternativa letrare e që shkruenin letërsi “ndryshe”.

Çfarë ka mbetur nga dorëshkrimet e tij të pabotuara?

Vepra e tij letrare asht botue në tanësi, e keni në botimin e shtëpisë botuese “Onufri”. Të pabotueme kanë mbetur epistolari i Martin Camajt si dhe disa shënime, ligjerata etj.

Poezia mbeti një dashuri e hershme e Camajt si e shihni Camajn mes prozës dhe poezisë?

Vetë pyetja asht pjesë e përgjigjes. Martin Camaj asht nji shkrimtar mes poezisë dhe prozës. Tek ai ndërthuren gjinitë. Romani i tij i parë, “Djella”, gërshëtohet me poezi, në vëllimin poetik “Njeriu më vete e me tjerë” gjejmë nji cikël prozash poetike, “Pleqnime më vete”. Prozat e tij shpesh shquhen nga nji gjuhë e dendësueme poetike. Gjithë vëllimi “Dranja” përbahet nga proza poetike. Te “Dranja” mund të bahet nji eksperiment interesant. Rreshtat e teksteve mund të ndërpriten diku para se me u përfundue fjalia dhe – dalin vargje. Camaj asht nji shtegtar mes gjinive, ni udhëtar “mes dy botnave”, mes botës së shkencës e të letërsisë, mes poezisë dhe prozës. Ai vetë thoshte se e shprehi në prozë seç nuk mund të shprehte në poezi dhe anasjelltas. Mirëpo, ai mbeti poet kur shkroi prozë ndërsa nuk mbeti prozator kur shkroi poezi. Kështu, mendoj se Martin Camaj me gjithë vlerat e noveleve dhe romaneve të tij, me gjithë kërcimin mes gjinive letrare, në fund të fundit dhe në thelb asht në radhë të parë poet. Nji poet i lindun. Edhe nga shumë bisedime rreth letërsisë së tij dilte se Martin Camaj veten e shikonte, në radhë të parë, poet.



TRAJTA

Petk i endun prej nji dore

fund e krye, trajta,

e kandshme për sy e veshë.



Trajtë e thjeshtë e lindun

ndër mundime prej guri,

e përshkueme shtigjesh të parrahuna

me kambë ose patkoj.



Pendël e lehtë në dukje

po e randë hekur në peshë,

tingull ose ngjyrë

e kthjellët deri në dritë.

Gjimnazistët “në takim me shkrimtarët”

Libri i ri: Nga një projekt i shkollës së gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” deri tek formatimi i një libri interesant për shkrimtarët nga Fiona Kopali
Dritero me autoren e libritNë fillim ishte një ide e mësuesit të tyre të letërsisë, Arshin Xhezo, që nxënësit të krijonin një album për shkrimtarët. Natyrisht, pas kësaj, erdhi entuziazmi i takimit me shkrimtarët. Ekipi i “albumit” punoi me shumë pasion për ta realizuar këtë projekt, duke intervistuar njerëzit e famshëm të letrave shqipe, duke incizuar zërat, duke mbledhur relike, foto, dorëshkrime apo autografe të tyre, madje edhe përmes imazheve filmike.
Por protagonistja e kësaj nisme, Fiona Kopali, tashmë studente për jurisprudencë, synoi që ky projekt të shndërrohej në libër si një dëshmi publike jo vetëm e asaj që bënë shokët dhe shoqet e saj dikur, por duke i dhënë nismës dhe projektit vlera e prurje të reja. Pas shumë muaj pune, kërkimi dhe pasurimi të projektit fillestar, më në fund libri u formatua në përmasat që është publikuar sot. Një numër shkrimtarësh dhe njerëz të letrave shqipe si Faik Konica, Fan Noli, Gjergj Fishta, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Luljeta Lleshanaku, Matteo Mandalà, Shaban Sinani  por edhe përfaqësues të letërsisë botërore si Ernest Heminguej, Gabriel Garsìa Markez, Rudyard Kipling u bënë pjesë e këtij albumi përmes relikeve si fotove, shkrimit të dorës apo intervistave të tyre me autoren. Ja, një fragment nga përshkrimi i takimit me Kadarenë në shtëpinë e tij:
ballina new fiona“…Ju jeni gjimnaziste, ë? Po, tek “Gjuhët e huaja”. Nxënësve u ka rënë ca interesi për të studiuar gjuhë të huaja. Në Shqipëri dëgjoj kudo: “ka rënë, ka rënë…”. Çfarë është ngritur në Shqipëri?! Epo, i thamë, nxënësit nuk njohin vargjet e Poradecit, por dinë përmendësh këngë mediokre. Kjo është një dukuri e njohur botërore, por është për të ardhur keq. Brezi i ri po helmohet nga ky bombardim. I takon atij ta ndryshojë këtë Shqipëri. Nga ky brez pritet. Por, kur ky ushqehet me banalitete…     I treguam edhe idenë për t’i përmbledhur në një libër intervistat, dhe ai shprehu dëshirën që kjo intervistë të mos botohej në ndonjë gazetë. “Më kuptoni, besoj. I kam shmangur të gjitha intervistat. Në librin që keni në plan, po”. Në momentin që po shkruante autografin mbi librin tim, po lëvizte dorën mbi fletën e librit, sikur nuk dinte çfarë të shkruante. “Dëgjo, Bujar”,-iu drejtua botuesit të tij: “Për Fjonën” apo “Për Fiona”-n?… Uf! Përfundimisht e shkroi: “Për Fionën, kujtim nga Ismail Kadare, 21.4.2010”.
Por një nga gjetjet më interesante në libër është zbulimi i jetës së poetit Xhevahir Spahiu në një moment delikat, kur u kritikua nga Enver Hoxha për prirjet “moderniste”. Në libër publikohet me këtë rast një dokument antologjik për raportet e shkrimtarit me diktaturën, hartuar nga policia e fshehtë e asaj kohe. Është fjala për të famshmin “simpozium shkencor me temë: Klasikët e marksizëm-leninizmit dhe rakia”, i formuluar si shaka e hidhur e poetit për ideologjinë totalitare. Në një copë letër, Xhevo kishte shkruar: “Simpozium për rakinë”, dhe rreshtoheshin disa “tema” e “kumtesa”, si : 
1) Ç’kanë thënë klasikët e Marksizëm-leninizmit për rakinë; 
2) Lufta kundër ideologjisë borgjeze që nënvlerëson rolin e rakisë në revolucion… 
3) Etimologjia e fjalëve “raki” e “zamzane”; 
4)Recitim nga Omer Khajami…;
 5) Vërejtje mbi projekt buxhetin e rrethit; …
 6) Përshëndetje e pionierëve…; 
7) Detyrat e kontrollit punëtor për zbatimin e detyrave…

“Nuk dua të jem vetëm”

Akademia Suedeze shpall fituesin e çmimit Nobel në letërsi. Shkrimtarja kanadeze Alice Munro dhe japonezi Haruki Murakami, ndër më favoritët. Ndër emrat e komentuar në media si fitues të mundshëm, edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare.



“Nuk dua të jem vetëm”. Vetëm një vit më parë, Alice Munro, shkrimtarja e njohur kanadeze i shkruante kështu, botuesit të saj. Mbretëresha e prozës së shkurtër, gruaja që gjatë gjithë jetës kishte shmangur çdo lidhje të gjatë dashurore, që do ta pengonte për të shkruar, tashmë kishte frikë nga vetmia. Në moshën 82-vjeçare, Alice, shkrimtarja me flokët e bardha të shkurtra thotë se nuk mund të shkruajë më. Për kritikën por dhe për lexuesit e saj besnikë, ky është një lajm i trishtueshëm. Pavarësisht orëve jo të bukura që po kalon në jetën e saj, Alice Munro ka qenë deri në orët e vona të ditës së djeshme si kryesuesja e basteve, për çmimin Nobel në Letërsi për 2013-n. Akademia Suedeze ka njoftuar dje në faqen e saj zyrtare se fituesi i çmimit të madh në letërsi do të shpallet sot në orën 13:00. Njëzetekatër orët e fundit para ndarjes së këtij çmimi, që duhet të jetë vulosur në zarfin e jurisë së çmimit Nobel, gazetat në të gjithë botën, por dhe lokalet e mëdha të basteve vijojnë të hedhin kandidaturat e mundshme. Ky vit shënjon dhe 100-vjetorin e krijimit të kësaj Akademie, e cila pritet të kurorëzohet me një mbrëmje të madhe ceremonie më 10 dhjetor, ku tradicionalisht ndahen çmimet te fituesit. Pas kanadezes Alice Munro, ndër emrat më të favorizuar për këtë çmim është dhe shkrimtari japonez Haruki Murakami. Pas tij vijnë shkrimtarja ruse Svetlana Aleksijevitj dhe shkrimtarja amerikane Joyce Carol Oates.



Në listën e pretendentëve këtë vit është dhe shkrimtari kenian, Ngugi Wa Thiong’o. 75-vjeçari prej vitesh përmendet si një nga kandidatët e këtij çmimi. Një kandidat i përhershëm dekadën e fundit është dhe shkrimtari amerikan Philip Roth. Fitues i çmimit Asturias (2012), apo Pulitzier, tashmë 80 vjeç Roth, është mësuar me emrin e tij mes kandidaturave të çmimit Nobel çdo vit. Jo vetëm në SHBA, por edhe në Europë, kritika ka qenë në krah të Roth për këtë çmim, pavarësisht toneve pesimiste që shumë media kanë pasur mbi mundësinë që çmimi këtë vit të shkojë në Amerikë. Sinclair Lewis ishte shkrimtari i parë amerikan, i cili u vlerësua me çmimin Nobel në letërsi në vitin 1930, pas tri dekadash jete që kishte ky çmim. Pas Lewis, dhjetë shkrimtarë të tjerë amerikanë e kanë marrë çmimin Nobel, por për kritikën kjo nuk do të thotë se një tjetër shkrimtar amerikan nuk duhet ta marrë këtë çmim. Ndër kandidatët e përmendur nga media për këtë çmim është dhe shkrimtari hungarez Peter Nadas dhe dramaturgu norvegjez Jon Fosse. Poeti Adonis është një tjetër i lakuar në media. Kritiku Carolyn Kellogg thotë se “Adonis është një kandidat i fortë për të fituar Nobel-in këtë vit. Konsiderohet si një nga poetët e mëdhenj të kohës sonë, Adonis në mënyrë kreative i sfidon format dhe traditat e poezisë arabe, avancimin dhe zgjerimin e mundësive të saj. Ai ka pasur një tendencë për të vënë në pikëpyetje dogmën politike, e cila, nganjëherë, e ka vënë atë në kundërshtim me kolegët e tij, por flet për një vendosmëri që të arrijë përfundimet e veta”.

Por pyetja që është ngritur dje nga specialistë të letërsisë, është “a do të befasojë edhe këtë vit Stokholmi?”. Duke sjellë në kujtesë ndarjen e çmimeve vitet e fundit, ku fituesi ka qenë një surprizë jo vetëm për qendrat e basteve, por dhe për kritikën, nuk është e çuditshme që emri që do të lexojë sot Akademia e Nobelit, të mos jetë asnjë nga ata që kanë mbushur faqet e kritikës këto ditë.



Stokholmi dhe Kadare

Nga Alda Bardhyli 

A do ta lexojë Stokholmi sot emrin e Ismail Kadaresë si fitues të çmimit Nobel në letërsi? A do të udhëtojë çmimi i madh i letrave në vendin që ka vetëm dy dekada që është ndarë nga një prej regjimeve totalitare më të mëdha në Ballkan? A do t’i japë Akademia Suedeze medaljen e merituar, një shkrimtari që përmes librave që shkroi, i tregoi Perëndimit se diktaturat nuk mund ta mbysin shpirtin njerëzor? Në 100-vjetorin e kësaj Akademie, a do ta vlerësojë ajo letërsinë e një vendi, i cili sapo i ka kaluar 100 vite shtet? Prej më shumë se dy dekadash, Kadare është kandidat për këtë çmim. Çdo fillimtetori adhuruesit e librave të tij, por dhe kritikë të letërsisë, e kthejnë vështrimin nga Suedia duke menduar se do të japë verdiktin e duhur. Duke pasur parasysh fituesit e çmimit Nobel, të paktën dhjetë vitet e fundit, shumë fansa të Kadaresë e kanë ulur vështrimin nga Stokholmi. Pas austriakes Elfride Jelinek më 2004-n, Harold Pinteri më 2005-n, Orhan Pamuk më 2006-n dhe anglezes Doris Lessing më 2007-n, fituesit e çmimit Nobel deri tek ai i Mo Yan një vit më parë, nuk mund të krahasohen me letërsinë e shkruar nga Kadare.

Ajo çfarë i ka bashkuar shkrimtarët që janë vlerësuar me këtë çmim këto pesë vitet e fundit, ka qenë e shkuara e tyre e errët. Letërsia e Herta Muller, fituese e çmimit Nobel në letërsi më 2009-n, ishte pothuajse e panjohur në të gjitha vendet anglishtfolëse. Ajo çfarë e bënte interesante këtë shkrimtare rumune, e cila kishte emigruar në Gjermani, ishte moskompromisi që ajo kishte bërë për të bashkëpunuar me regjimin komunist. Jean-Marie Gustave, fitues i çmimit më 2010-n, ishte i panjohur dhe për vetë francezët. Mo Yan, ndryshe nga Muller, ishte një shkrimtar që vazhdonte t’i shërbente regjimit komunist, duke bashkëpunuar dhe në dënimin e shumë shkrimtarëve kinezë. Megjithatë ai u vlerësua me çmimin Nobel, ndërsa Kadare, një shkrimtar që mundi t’i mbijetonte një prej diktaturave më të egra, ende nuk është vlerësuar me këtë çmim. Nëse kriteri i këtij çmimi nuk është vlera e letërsisë që këta autorë mbartin, por historia që fshihet pas emrit të tyre, Kadare duhet ta fitojë çmimin Nobel. Ai është ikona e gjallë dhe e papërsëritshme e historisë së një vendi, i cili gjithnjë ka pasur raporte fatale me historinë. Librat e shkruar prej tij janë një testament i një kohe të cilën njerëzimi nuk do ta takojë më, dhe një metaforë sesi mund t’i shpëtosh errësirës dhe kur je brenda saj. Akademia Suedeze nuk e ka pasur të vështirë të kuptojë forcën e madhe të kësaj errësire që e ka shoqëruar gjithnjë shkrimtarin shqiptar. Mjafton të lexojë letrat anonime që dërgohen çdo vit në adresë të saj me akuzat që i bëhen Kadaresë, për bashkëpunim me regjimin, për të kuptuar se sa të vështirë e ka pasur një shkrimtar i këtij kalibri të mbijetojë në një vend që vazhdon të mos jetë ndarë nga e shkuara. E shkuara për Kadarenë nuk ka mbaruar, ajo vazhdon ta ndjekë dhe tani kur emri i tij renditet si një prej kandidatëve për çmimin më të madh letrar në botë. Shqipëria e Kadaresë duket krejt ndryshe nga ajo çfarë mediat kanë raportuar këto 20 vite, për vendin që nuk po gjen paqe me lirinë.

Në librat e tij Kadare këmbëngul për forcën e madhe të historisë dhe shpirtit të këtij vendi që Perëndimi duhet ta shohë seriozisht, kultura dhe gjuha e të cilit janë po aq të hershme sa njerëzimi. Ai ka shkruar me një stil dhe gjuhë tepër të rafinuar që 40 vite më parë, libra që ende lexohen me endje sot. Stokholmi duhet të lexojë emrin e Kadaresë sot, si një sfidë ndaj historisë, e cila është treguar gjithnjë e padrejtë me gjuhën me të cilën shkrimtari i shkruan veprat e tij. Duhet të lexojë emrin e Kadaresë dhe për të treguar se pavarësisht kritikave që ka pasur vitet e fundit, për një devijim politik të këtij çmimi, burrat e Akademisë së Nobelit nuk e kanë humbur ndjesinë ndaj aromës që vjen nga letërsia e mirë, dhe pse ajo mund të vijë nga një vend që nuk është përmendur kurrë më parë në Stokholm….



Nobel-i 100 vjet

Që nga viti 1901-2012 janë dhënë gjithsej 105 çmime Nobel në letërsi, prej tyre 12 kanë qenë gra që e kanë fituar këtë çmim, 4 çmime deri më tani sa janë fituar, kanë qenë të ndara në mes dy personave; 42 vjeç ishte mosha më e re e laureatit për këtë çmim; ndërsa mosha më e vjetër, 88 vjeç, ajo ishte Doris Lessing e cila u nderua me çmimin Nobel në vitin 2007. Ndërkaq 64 është mosha mesatare e laureatëve për çmimin Nobel në vitet e nominuar për Nobel. Laureatët më të popullarizuar të letërsisë janë: John Steinbeck, Rabindranath Tagore, Ernest Hemingway, William Faulkner, Seamus Heaney, Gabriel García Márquez, Winston Churchill, Pablo Neruda, William Golding dhe Albert Camus.



Shkrimtaret femra që kanë fituar çmimin Nobel

Selma Lagerlof është e para femër që ka fituar çmimin Nobel në letërsi në vitin 1909. Shkrimtarja suedeze do të hynte në historinë e këtij çmimi për rrëfimet e saj plot karaktere dhe fantazi. 17 vjet më pas, më 1926-n, do të ishte një shkrimtare italiane ajo që do të renditej e dyta në femrat e vlerësuara me këtë çmim. Grazia Deledda e mori këtë çmim për forcën që udhëheq gjithë librat e shkruar prej saj. Dy vjet më pas, një tjetër femër e merr këtë çmim. Ajo është Singrid Undset. Në vitin 1938 çmimin Nobel e merr Pearl Buck. Më pas, me këtë çmim janë vlerësuar Gabriela Mistral, Nelly Sachs, Nadine Gordimer, Toni Morrison, Wislawa Szymborska, Elfriede Jelinek, Doris Lessing dhe Herta Muller.

Italianët, radhë për një fakultet mjekësie në Tiranë

 Të dështuar në pranimin për fakultet në Itali, qindra të rinj kaluan Adriatikun dhe konkurruan në fakultetet e Tiranës për Mjekësi, Stomatologji, Infermierë. Fundja jetesa është më e lirë se në Itali, sic shprehen shumë prej tyre, shkruan sot prestizgjozja Corriere Della Sera.

''Prisja gjithçka në këtë jetë, përveç faktit për të sjellë vajzën timë për të studjuar këtu në Shqipëri''.

Në mes dhjetëra pallatesh dhe i mbytur nga një trafik i çmendur, ja ku duket edhe kufiri i ri për ata që shpresojnë të veshin këmishat e bardha italiane: universiteti privat dhe me juridiksion shqiptar ''Zoja e Këshillit të Mirë''.
Pikërisht këtu, në këtë mori godinash të reja dhe në ristrukturim, 596 të rinj u paraqitën dje për testin e pranimit në fakultetin e Mjekësisë dhe të Stomatologjisë dhe protezave dentare.

Të paktën 60 pyetje nga shkenca për një orë kohë. Asnjë pyetje nga kultura e përgjithshme. Mesatarja e diplomës vlen dhe madje shumë: deri në 30 pikë nga 90 të tilla.
Javën e ardhshme do të bëhet testi për Fizioterapi dhe Infermieri. Jashtë, për të pritur mjekët e ardhshëm që kanë pasaportë italiane, por një cikël shqiptar studimesh, gjenden prindërit.

Në ankth më shumë se fëmijët dhe përballë një realiteti që për ndonjë është i vështirë për t'u përtypur.
''Por, duhet ta durojmë sepse kjo është mundësia e fundit''.
Daniela, e mbërritur nga Napoli së bashku me djalin i cili kërkon të bëhet dentist, nuk gjen qetësi.
''Ky është një turp, pasi shteti italian po i detyron fëmijët tanë të largohen'', thotë Daniela.
Të dështuar në pranimin për fakultet në Itali, qindra të rinj kaluan Adriatikun për t'u regjistruar në ''Zojën e Këshillit të Mirë'', i vetmi institucion që jep diploma të barazvlefshme me disa prej universiteteve të Italisë, veçanërisht me atë të ''Tor Vergata''-s.
''Funksionon kështu: regjistrohesh në Tiranë, merr provimet dhe në fund ke një diplomë që është edhe një diplomë italiane dhe nuk ka nevojë për ekuivalentim'', shpjegon rektori Paolo Ruatti.

Sigurisht, më parë duhet kaluar testi, edhe pse nuk dihet numri i saktë i atyre që do të pranohen.
Shifra e dhënë në rrugë zyrtare është rreth 150-160.
Qendra akademike, e frekuentuar vitin e kaluar nga 1 700 studentë shqiptarë dhe 300 italianë, administrohet nga një institut fetar me të drejta papnore.
Tarifat vjetore janë rreth 7-8 000 euro. Të cilave u shtohen edhe paratë për qera dhe ushqim.
''Por, të paktën kostoja e jetesës është e ulët'', thonë me qetësi Luigi Lisi, 20-vjeçar nga Terlizzi dhe Tommaso Cassano, 22 vjeç nga Frosinone.
Edhe këta të dy kanë dështuar në testin e pranimit në Itali.
Por, pas atyre që dëgjuan, Lisi dhe Cassano janë tashmë në Shqipëri.
''Këtë javë agjencia jonë e udhëtimeve ka sistemuar në hotelet e Tiranës të paktën 800 italianë të ardhur posaçërisht për testin'', thotë Armela Memaj nga ''Europa Travel & Tours''.
Luca Spagnolo, 19 vjeç, nga Lecce, hipi në traget pasi kishte marrë vetëm 36,8 pikë në testin e Mjekësisë në Chieti.
''Por, jam diplomuar me mesatare 100 dhe, po të mos më kishin hequr bonusin e mesatares, nuk do të isha këtu'', ankohet ai.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Ismail Kadare[a] (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-'82), zv/kryetar i Fro...