2013-10-12

Adela Kolea-Alfred Kaçinari. Muzika, zbulim urtësie e filozofie

Kush është Alfred Kaçinari ?
Alfred Kaçinari ka lindur në Tiranë, Shqipëri, më 19 nëntor 1959.
Shkollën e mesme e ka kryer me rezulate të shkëlqyera në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë.
Ka përfunduar studimet universitare në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, i diplomuar në degën e kompozicionit (fakulteti i muzikës) .
Prej vitit 1993 punon në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Këtu ka mbuluar detyra të: redaktorit të muzikës, Drejtor i Departamentit të Programacionit të Radio Tiranës, Drejtor i Departamentit të Krijimtarisë muzikore, Drejtor artistik i Orkestrës Simfonike të RTSH,Producent muzikor, Drejtor Artistik i festivalit “Këngët e Stinës”, festivalit “ Hit Fest”, Konsulent Artistik dhe Drejtor Artistik i disa Festivaleve të Këngës në RTSH dhe prej shumë vitesh është një ndër drejtuesit kryesorë të veprimtarive më të spikatura muzikore të Radio Televizionit Publik Shqiptar, ku vazhdon të punojë dhe sot në detyrën e producentit muzikor.
Festivali RTSH 2011 me Rona Nıshlıu dhe Shpetim Saracı
Festivali RTSH 2011 me Rona Nıshlıu dhe Shpetim Saracı
Është një ndër kompozitorët dhe orkestruesit më të shquar dhe aktivë të muzikës së lehtë shqiptare, autor i shumë këngëve, qindra orkestrimeve dhe përpunimeve që janë paraqitur në festivalet e veprimtaritë më të dallueshme të muzikës së lehtë shqiptare, pjesëmarrës në shumë festivale, konkurime e veprimtari të rëndësishme të muzikës shqiptare. Eshtë vlerësuar vazhdimisht nga kritika për profesionalizmin dhe origjinalitetin në krijimtarinë e tij.
Drejtues i shumë veprimtarive të rëndësishme të muzikës së lehtë, ku shquhen festivalet e këngës në RTSH, ciklit televiziv “ Ethet” cikël i cili,i solli skenës shqiptare një brez këngëtarësh që tashmë kanë arritur nivelet më të larta të interpretimit e të suksesit, festivalet “ Këngët e Stinës” në RTSH apo sezonet koncertore të Orkestrës Simfonike të RTSH, etj.
Në tetor të vitit 2011 është dekoruar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë me urdhërin “Naim Frashëri i Artë” me motıvacıonın “për kontribute të veçanta në zhvillimin e muzikës së lehtë shqiptare në drejtimin e kompozimit e orkestrimit duke ndikuar në rritjen e cilësisë artistike dhe përafrimin me prirjet e muzikës bashkëkohore europiane” .
Në korrik 2012 është vlerësuar nga këshilli bashkiak i qytetit të Shkodrës me titullin “ Mirënjohja e qytetit” për kontributin e tij në zhvillimin e festivalit Kombëtar të këngës që mbahet në këtë qytet.
Mirëdita Fred e mbi të gjitha, faleminderit që pranuat ftesën për praninë tuaj në Albania News.
Mirëdita, jam unë që duhet t’ju falënderoj për mundësinë që më jepni për të komunikuar me ju e me lexuesit tuaj.
Ju jeni një artist dhe një kompozitor shumë i njohur në Shqipëri.
Kur lindi pasioni juaj për muzikën? Në familjen tuaj , mamaja, babai – ndonjë pjesëtar tjetër i familjes – kishin raport me të?
Jo aspak, prindërit e mi nuk kanë patur asnjë lidhje të veçantë me muzikën, kanë qenë thjesht konsumatorë të saj.
Siç duket, kanë vërejtur një tërheqje specifike që unë kam treguar që i vogël në lidhje me muzikën dhe më kanë dërguar të studioj muzikë në disa kurse muzikore për fëmijë që zhvilloheshin në Pallatin e Pionierëve në Tiranë, nën drejtimin e Robert Radojës. Mbaj mend që kam shkuar atje shumë i vogël, madje më parë kam mësuar notat e muzikës, se të lexoj e të shkruaj. Gjatë 8 viteve kam studiuar muzikë në këto kurse, mbas shkollës 8 vjeçare, vazhdova arsimin e mesëm të përgjithshëm në gjimnazin ‘Qemal Stafa’ në Tiranë, të cilin e përfundova me rezultate maksimale, dhe pas një përgatitjeje speciale 1 vjeçare, konkurova dhe fitova të drejtën për të studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, në degën e kompozimit muzikor, ku dhe u diplomova. Kjo ka qenë me pak fjalë, rruga ime drejt arritjes së të qënurit një kompozitor profesionist.
Në zyrën  e  punës në Radio Tirana
Në zyrën e punës në Radio Tirana
Ndërsa në familjen e krijuar prej jush, jeni të gjithë muzikantë. Bashkëshortja dhe fëmijët tuaj – ashtu si ju – janë aq të lidhur me muzikën..Ç’do të thotë për një baba muzikant, të dallojë që fëmija e tij që në vogëli, ndan ashtu si ai vetë, prirje të ngjashme për muzikën, por që, ndoshta nga mosha e vogël, e re, të mos i kushtojë këtij fakti rëndësinë e duhur?
Për të kuptuar rrugën që do të marrë fëmija yt, e rëndësishme është të jesh i vëmendshëm e të vëzhgosh me kujdes që herët, prirjet e tij më të spikatura. Fatmirësisht, prirja e veçantë që mund të kenë fëmijët në lidhje me muzikën, është lehtësisht e dallueshme, sidomos nga një prind që e ka profesion atë.
Në këtë rast, marrja e vendimit për ta futur fëmijën në rrugën e formimit profesional muzikor, është një moment shumë i rëndësishëm e që duhet menduar mirë.Një profesionist e di shumë mirë se çfarë rruge të gjatë dhe të mundimshme duhet të bëjë një fëmijë deri sa të arrijë të bëhet një muzikant profesionist, me një formim të gjerë kulturor e një përgatitje të lartë profesionale.Janë dhjetëra, qindëra, mijëra orë studimi të përditshëm të një instrumenti, të cilat i shtohen përgatitjes së përditshme shkollore.Eshtë një përgatitje shumë e gjatë, që fillon që në moshën 5 – 6 vjeçare e vazhdon për vite e vite, një ngarkesë shumë e madhe, e cila do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës.
E në këtë rrugë të gjatë, prindërit, kanë një rol shumë të rëndësishëm, atë të motivimit të fëmijës, për ta stimuluar, për ta ndihmuar dhe për ta shoqëruar atë në këtë rrugë të mundimshme, por unike në kënaqësitë që të dhuron. Në rastin tim, të dy fëmijët janë muzikantë, kanë ndjekur një arsimim të rreptë muzikor, duke filluar nga klasa e parë fillore, në Liceun Artistik në Tiranë.
Vajza, Ana ka përfunduar me medalje të artë, studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë, ka kryer dhe kursin 3 vjeçar të perfeksionimit të lartë për pianoforte në Arts Academy në Romë, nën drejtimin e maestro Fausto Di Cesare me rezultat të shkëlqyer dhe aktualisht është pedagoge e pianos në Universitetin e Arteve në Tiranë.Ka luajtur në shumë koncerte me orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar, në Radio Vaticana e shumë koncerte solistike në Romë, Tiranë, Prishtinë, etj.
Ndërsa djali, Gjergji, sapo ka përfunduar Liceun Artistik në Tiranë, në degën e pianos dhe tani përgatitet për të vazhduar studimet universitare në degën e kompozicionit, në Universitetin e Arteve në Tiranë.
Ne studio me djalin tij Gjergjin
Ne studio me djalin tij Gjergjin
Ndërmjet ushtrimit të një instrumenti dhe kompozimit, cili është ndryshimi emocional midis tyre?
Ka një diferencë të madhe:
instrumentisti është një interpretues i një vepre të caktuar, sigurisht që interpretuesi është shumë i rëndësishëm aq sa – sipas një koncepti – thuhet që nuk mund të ekzistojë një vepër e mirë, pa një interpretues të mirë, por para interpretuesit është dikush tjetër, është ai që përcakton gjithshka, është krijuesi, prandaj ka dhe këtë emër.
Në këtë aspekt, akti i kompozimit të jep një ndjesi shumë të ndryshme nga ajo e të interpretuarit, kompozitori nuk është i kushtëzuar nga asgjë, në ndryshim nga interpretuesi, i cili është i kushtëzuar pikërisht nga kompozitori.
Nëse instrumentisti komunikon me publikun duke qenë në kontakt fizik me të ( qoftë dhe nëpërmjet tingullit të tij), kompozitori komunikon nëpërmjet mendimit të tij. Nëse instrumentisti është i kushtëzuar nga vepra që luan, kompozitori është krejtësisht i lirë në atë çka ai kërkon t’i komunikojë publikut nëpërmjet veprës së tij, d.m.th, kompozitori gëzon statusin e një lirie absolute të shprehjes.
Diferenca është e ngjashme me atë të shkrimtarit që shkruan një vepër dhe aktorit që e deklamon atë.
Saktësi, seriozitet dhe frymëzim. Në ç’pozicion do t’i vendosnit këto koncepte në lidhje me muzikën tuaj dhe me mënyrën tuaj të të punuarit?
Është një raport shumë i rëndësishëm dhe nga ana tjetër, shumë delikat, që lidh saktësinë me frymëzimin, që lidh realen me irealen, që lidh konkreten me abstrakten, që lidh të kuptueshmen me të pakuptueshmen, që lidh logjikën me frymëzimin. Ndoshta, ky është një ndër aspektet që përbën anën e magjishme e të pashpjegueshme, veçanërisht në muzikë. Këtë, më mirë e kuptojmë kur dëgjojmë veprat e kolosëve të artit simfonik muzikor, kur dëgjojmë gjenialitetin virtuoz të Mozartit, logjikën monumentale të Beethovenit, kur dëgjojme Chopin, Listz, Rachmaninof, Verdi, Puccini, etj.
Muzika është art i përsosmërisë, është cilësuar dhe nga Platoni si një ligj moral që tregon rrugën për tek e mira, e drejta dhe e bukura, si një formë e padukshme dhe e përjetshme e tyre.
Për mendimin tim vetjak, muzika është gjuha më e përsosur dhe më e sofistikuar që mendja e njeriut ka zhvilluar, është aq e sofistikuar sa që, kur dëgjon veprat e kompozitorëve më të mëdhenj, të duket sikur në to ka diçka mbinjerëzore.
Unë mbetem një mbështetës i thënies së Leibniz : “ Muzika është një ushtrim i fshehur i shpirtit…”.
Ky është, në përgjithësi, koncepti që unë kam për muzikën.
Sigurisht që muzika nuk bëhet vetëm me instikt, por duhet një përgatitje kulturore e profesionale shumë e rreptë, që të mund të kërkosh e të shprehësh identitetin tënd në muzikën që do të bësh.
E thënë shkurt, është e mundimshme, është e lodhshme, është magjike.
Në Shqipërinë e sotme, cilat janë gjendja dhe niveli i formimit muzikor? Në çfarë mase, sistemi shkollor shqiptar nxit të mësuarit e muzikës?
Ka dy aspekte:
formimi profesional muzikor në përgjithësi është i mirë, ka një numër shumë të madh muzikantësh shqiptarë, që janë arsimuar në Shqipëri, të cilët kanë konkuruar me shumë sukses në skenat muzikore europiane e më gjerë. Kjo tregon që arsimi profesional muzikor në Shqipëri ka një nivel të përgjithëm mesatarisht të mirë. Ndërsa formimi muzikor në përgjithësi i popullatës, mendoj se është shumë i mangët.
Në shkollat tona të përgjithshme ( jo muzikore ) bëhet shumë pak – për të mos thënë aspak – për një edukim muzikor të plotë e të shëndetshëm. Akoma nuk kuptohet si duhet roli shumë i madh që ka edukimi muzikor në formimin dhe civilizimin në përgjithësi të njerëzve. Kjo edhe lidhet e përcaktohet nga niveli i zhvillimit të shoqërisë shqiptare në përgjithësi.
Dekorımı nga presıdentı Bamır Topı
Dekorımı nga presıdentı Bamır Topı
Sa mundësi punësimi ka sot në Shqipëri për të rinjtë e sapodiplomuar ,veçanërisht në fushën artistike e muzikore?
Tregu i punës për artistët në Shqipëri është shumë i vogël, ekzistojnë mundësi shumë të kufizuara punësimi e veçanërisht tani, me situatat specifike financiare që po kalon Europa, problemi bëhet më akut. Aktualisht në Shqipëri funksionojnë vetëm dy orkestra simfonike profesioniste. Ndoshta mundësia më e madhe e punësimit është ajo e pedagogjisë muzikore. Megjithatë, mendoj që ky është një problem jo vetëm shqiptar.
Trashëgimia muzikore shqiptare dhe zhvillimi i shoqërisë shqiptare.Cili është ritmi me të cilin ecin paralelisht këto dy fenomene?
Zhvillimet muzikore profesioniste në Shqipëri janë relativisht shumë të reja, ato fillojnë në mënyrë shumë sporadike në fillimet e viteve 1900, për t’u bërë vërtet të rëndësishme rreth viteve 1960, kur një grup kompozitorësh, dirigjentësh e muzikantësh shqiptarë, u kthyen nga studimet universitare që kryen në vendet e lindjes, si Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia, Polonia, etj.. Ata ngritën orkestrat e para simfonike profesioniste në Shqipëri, themeluan Akademinë e Arteve në Tiranë , e cila i hapi rrugën arsimimit të lartë të kompozitorëve, dirigjentëve, muzikantëve, instrumentistëve e këngëtarëve, duke i dhënë zhvillimeve muzikore në Shqipëri, një përparim mbi baza profesioniste.
Pra siç e shpjegova, zhvillimet profesioniste muzikore në Shqipëri janë shumë të reja dhe në bindjen time, janë zhvillime që, përsa i përket periudhës së para viteve `90, kanë qenë përgjithësisht nën ndikimin e një fryme të përgjithshme lindore ballkanike, ndërsa zhvillimet e periudhës së pas viteve `90, mendoj se janë të paqarta e akoma të pastabilizuara, zhvillime që reflektojnë një fazë tranzicioni të zhvillimit muzikor.
Për t’ju përgjigjur në mënyrë më direkte pyetjes suaj, duhet të them që shoqëri të zhvilluara, kanë dhe trashëgimi muzikore të zhvilluar. Kuptohet që shoqëria shqiptare nuk bën pjesë në konstatimin e mësipërm.
Me  Adi  Krasta  e Zhani Ciko  në  shfaqjen  “Ethet”
Me Adi Krasta e Zhani Ciko në shfaqjen “Ethet”
Vitet ’90. Emigracioni shqiptar…Sa ka ndikuar sipas jush,braktisja e katedrave shqiptare,nga ana e mësuesve të muzikës dhe largimi i tyre nga jeta artistike shqiptare?
Unë kam një mendim pak më të ndryshëm se ai që nënkuptohet nga pyetja juaj. Fillimisht fenomeni është perceptuar si i tillë, d.m.th braktisje, boshllëk, etj.
Me kalimin e viteve, nuk mendoj se duhet parë më si i tillë, madje nuk është i tillë.
Së pari, ka një interes mjaft të madh e në rritje, të artistëve shqiptarë që janë arsimuar në shkolla të ndryshme europiane, për të punuar në institucionet shqiptare. Në këtë aspekt sot nuk mund të flitet më për mungesa të burimeve njerëzore.
Së dyti, lëvizja e njerëzve , tashmë duhet parë si një fenomen normal që ndodh në të gjitha vendet, sigurisht dhe nga Italia emigron një numër i caktuar artistësh apo shkencëtarësh, kjo është diçka normale, është tregu ai që rregullon të gjithë këtë lëvizje të madhe njerëzish.
 Cili është kompozitori apo artisti – shqiptar ose i huaj – që adhuroni në mënyrë të veçantë?
Ndër kompozitorët shqiptarë, njeriu i cili ka qenë model për mua, është Çesk Zadeja, kompozitori më i shquar që kemi patur ndonjëherë, një njeri me një formim shumë të gjerë, me një personalitet kompleks, me një zgjuarsi të veçantë dhe me një shpirt shumë të madh.Jo vetëm një kompozitor i madh por, dhe themelues i shkollës shqiptare të kompozicionit dhe një pedagog , të cilit e vështirë t’i përcaktohet vlera – aq shumë i vlefshëm – jo vetëm për mua, por edhe për një numër shumë të madh krijuesish.
Zadeja është njeriu, i cili më ka tërhequr në rrugën e formimit tim profesional, është ai, i cili ka ndikuar më shumë në jetën time e të cilit i detyrohem pa fund. Unë jam një ndër njerëzit me fat që kanë patur mundësinë ta njohin nga afër profesorin e madh e të paharrueshëm.
Ndërsa nëse do të flisnim për kompozitorët e huaj, lista do të ishte shumë e gjatë…
Kur perceptoni që muzika nuk është e ndjekur për pasion, por për qëllime të tjera, cili është reagimi juaj dhe ç’këshillë do t’u jepnit të rinjve të sotëm, atyre që kanë ndërmend të nisin rrugën e artit, atë të muzikës në veçanti?
Kur jep këshilla, bëhesh i mërzitshëm e aspak interesant, sepse detyrohesh të shprehësh mendime që përgjithësisht janë ‘shabllonë’ dhe që dihen, tashmë nuk ka asgjë që nuk dihet. E sigurisht që, ndryshimin e përbëjnë ata njerëz që janë në gjendje të realizojnë ato gjëra që duhen bërë ( dhe kjo dihet…).
Megjithatë, meqënëse pyetja kërkon një përgjigje, më duhet të them që:
Në radhë të parë – gjithmonë duke folur për të ndjekur rrugën e artit në nivel profesional – nëse nuk keni prirje të mjaftueshme, është më mirë që të synoni në një drejtim tjetër dhe mos druani për të ndryshuar drejtimin, sepse talenti i pamjaftueshëm, në një moment të caktuar, do t’ju kthehet në një pengesë të pakapërcyeshme.
Së dyti, nëse nuk keni vullnet të fortë e të hekurt, nuk mund të arrini larg. Kjo është rrugë shumë e gjatë, që kërkon një sakrificë thuajse sublime, prandaj kërkon një përgatitje psikologjike të konsiderueshme për të përballuar këtë rrugëtim, i cili zgjatet për shumë e shumë vite dhe që, pa asnjë dyshim, do t’ju kushtëzojë dhe mënyrën e të jetuarit.
Së treti, nëse nuk keni një pasion të madh për muzikën, sërish ju këshilloj të tërhiqeni, sepse vetëm pasioni do t’ ju japë oksigjenin e nevojshëm në këtë rrugëtim të gjatë e të vështirë.
Dhe së fundmi, duhet të keni parasysh që të jesh i zakonshëm, në art, nuk vlen.
Sigurisht që, sa thashë më sipër, vlen për ata që duan të bëhen profesionistë të muzikës, ndërsa ata që duan ta ushtrojnë atë në nivelin amator, sigurisht që nuk kanë nevojë për shumë këshilla.Ata le të ndjekin dëshirën dhe instiktin e të marrin prej muzikës, kënaqësinë që ajo të ofron.
Përveç muzikës, cilave pasione të tjerë u jepni prioritet në jetën tuaj?
Pasione të tjerë? Që të jem i sinqertë, puna ime më rrëmben kaq shumë kohë saqë, pothuajse nuk kam menduar se çfarë mund të ishin pasione të tjerë të mi, ndoshta ngaqë muzika mbetet akoma një pasion shumë i madh dhe i ka zënë të gjitha hapësirat e mundshme.
Të merresh me muzikë nuk është vetëm një profesion, por është dhe një mënyrë të jetuari.Gjithmonë ke diçka që të shqetëson e një stimul që të shtyn përpara, të shtyn të kërkosh e të përpiqesh për të gjetur diçka që nuk e ke bërë më parë. Eshtë një profesion shumë tërheqës, ndoshta më i bukuri që ekziston, të paktën për mua.
Cilat janë projektet e juaja të ardhshme profesionale ?
Puna ime është e ndarë në dy pjesë të mëdha:
Puna në studion time personale të regjistrimit e të realizimit të këngëve e orkestrimeve të mia
dhe puna që unë kryej në Radio Televizionin Publik Shqiptar si prodhues muzikor e ku punoj prej 20 vitesh.
Projektet më të rëndësishme e më të afërta lidhen pikërisht me Radio Televizionin Publik Shqiptar, ku po punojmë për realizimin në fillim të muajit tetor, të një Festivali të Këngës Popullore Qytetare Shqiptare, si edhe për Festivalin e Këngës së Muzikës së Lehtë në RTSH, i cili mbahet në dhjetor.
Krahas tyre, kam dhe mjaft këngë e orkestrime, për realizimin e të cilave më duhet të punoj në studion time.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...