Hasan Gremi
Ditët e fundit të dhjetorit në Tiranë janë të shkurtëra dhe shpesh të mbushura me re që nxitojnë në drejtime të ndryshme e, herë- herë mbështjellin majën e Dajtit me një kapuç të hirtë, pastaj vrapojnë në horizont mbi kryeqytet, duke e ngjyrosur atë herë në gri të çelët, e herë në gri të errët. Nga ky sfond me perzierje ngjyrash nuk vonojnë shumë pikat e shiut që përplasen furishëm mbi çatitë e shtëpive, xhamat e dyqaneve dhe në rrugë. Dikush nga kalimtarët struket nën ndonjë strehë, e dikush ecën i mbrojtur nën çadër. Herë pas here, kjo cohë e ngjyrosur e hapësirës qiellore griset nga një dorë e padukshme e shigjetave gjigante të diellit që ndriçojnë qytetin e lagur...
Në këtë kohë mbrëmjeve qyteti vesh rroben shumëngjyrëshe të festave të fundvitit. Kudo nëpër rrugë vërshojnë lumë njerëzish që vizitojnë supermarketet apo butiqet për të kënaqur njerëzit e tyre të dashur me dhurata për Krishtlindje apo për festën e fundvitit, Vitin e Ri. Ata që e ndiejnë më tepër këtë atmosferë kaq festive janë fëmijët. Atyre u rrëshqet një ngazëllim i lehtë nëpër fytyrë, teksa mbajnë nëpër duar dhuratat e zgjedhura. Këtë gëzim e ndjen edhe Aldriti nëntëvjeçar që ka dalë me mamin e vet, Erëmirën, për t’i blerë babit dhuratë për ditëlindje, të cilin e pret me padurim t’i vijë këto ditë të festave nga emigracioni. E djeg malli shumë për të atin, se ka një vit pa e parë. Ecën me mamin prej dore përpara vitrinave verbuese, kalojnë në sheshin “Skënderbej” që llamburit nga dritat shumëngjyrëshe, vendosur nëpër fasadat e ndërtesave që e rrethojnë. Aty mbajnë këmbët të dy dhe i hedhin një sy pemës së Vitit të Ri, që ngrihet shtatëlartë në qendër, mbuluar nga mijëra xixëllimash të larmishme dritash dhe më pas vazhdojnë rrugën për nga qendra e re tregtare, që sapo është hapur. Mban të ëmën prej dore dhe mendon për dhuratën, që do të blejë. Do që ta kënaqë sa më shumë të atin, prandaj i bën së ëmës pyetje të shumta:
- Mami, dhuratën do t’ia zgjedh vetë babit. Do të marrë më të bukurën, - dhe nëpër fytyrë i kalon një nënqeshje e lehtë e sytë i shkëlqejnë nga një ngazëllim i brendshëm.
- Mirë shpirt, mirë! - përgjigjej e heshtur e ëma.
Hyjnë në qendrën e re tregtare ku hapësirat e mëdha të saj janë mbushur me gjithfarë mallrash. Vështrojnë nga çdo anë, po sytë e vogëlushit mbetën te një këmishë bashkë me gravatën që shkëlqenin nën ndriçimim verbues.
- Këtë mami, këtë, - tregoi ai me gisht.
E ëma nuk ia prishi djalit, po i tha shitëses që t’ia paketonte. Kur shitësja po e paketonte, atij nuk iu durua pa i thënë:
- Teta, ma paketo bukur, se e dua për babin!
- Ta paketon teta bukur, që ta kënaqësh babin!- ia ktheu ajo me një buzëqeshje të lehtë përkëdhelëse dhe, duke i dhënë pakon, e uroi:
- Ta gëzojë babai!
Ecte me pakon në dorë dhe ngazëllimi i tij vërshonte nëpër pyetjet e shumta:
- Mami! Mbushe tavolinën me gjellë e ëmbëlsira që i pëlqejnë babit!. Dhuratës do t’i vë edhe një kartolinë urimi. Do ta shkruaj bukur. Më pas do t’i vendos në tavolinë.
- Patjetër, zogu i mamit. Do ta rregullojmë sa më bukur tavolinën dhe, bashkë me dhuratën, do t’i japim edhe buqetën me lule, - dhe në çast asaj i rrëshqitën dy pika loti nëpër faqe, nga gëzimi që vinte i shoqi, apo se i biri ndjente shumë mungesën e tij, ose të dyja bashkë, por vazhdimi i pyetjeve të vogëlushit, e shkëputën nga ai përjetim jo i këndshëm:
- Po ne, kur do të shkojmë atje ku punon babi?- pyeti vogëlushi duke mehur zërin, kur pa të ëmën pak të brengosur. Heshti deri sa arritën në shtëpi. Tani fantazia i fluturonte në vizitat e shumta që do të bënte me të atin. Pas pak u ulën për të ngrënë darkë, po atij s’i rrihej pa folur. Kështu bashkëbisedimi sa vinte e shtohej. Në çast, zilja e telefonit i ndërpreu të folurat. Ai fluturoi menjëherë te receptori dhe, sa dëgjoi zërin e largët, thirri:
- Babi, babi! Si je ? Hajde, më ka marrë malli shumë! Po të presim! E kemi rregulluar shtëpinë bukur, - dhe kështu nëpër tel vërshonin pyetje pas pyetjesh.
Pastaj telefonin ia kaloi të ëmës, e cila e pyeti për shëndetin dhe i tha se djali dhe ajo ishin mirë, po për të kishin merak. Ai i dha lajmin e gëzuar se të premten do të vinte me avionin “Alitalia” që mbrrinte në Rinas në orën 1445. Ky ishte një lajm që e bëri vogëlushin të hidhej përpjetë duke thirrur me të madhe : “Pasnesër vjen babi! Babi im! Do rri me babin! Babi do më sjellë gjëra të bukura!”. Kështu ai nuk pushonte së thirruri e duke u hedhur si ketër nëpër kuzhinë. E ëma e shikonte dhe nëpër buzë i endej një nënqeshje e lehtë. Pastaj i tha së ëmës::
- Mami! Do të shkojmë bashkë ta presim në aeroport. Është i lodhur nga rruga, vjen nga larg.ai.
- Patjetër!- iu përgjigj ajo me zë të tingullt, - se vjen me dy avionë.
-Pse me dy mami?
-Udhëton nga Brukseli në Milano dhe nga Milano në Rinas.
…Mbrëmja e së nesërmes që do të nisej, erdhi shpejt dhe Dritani, atje larg, në dhe të huaj, pasi bëri shoping, u kthye në dhomën e vet, ku rrinte me qera. Filloi të sistemonte pakot e shumta nëpër valixhe, të cilat mezi po i mbyllte. Kurse, për Aldritin, kishte marrë një Babonatalia të madh, gati sa vetë ai, me bateri që ecte dhe fliste. “Me këtë do të kënaqet duke luajtur”, - mendoi. E vendosi atë me kujdes në një valixhe të veçantë dhe e mbylli. Çelësat i futi në xhepin e vogël të xhaketës. Kontrolloi edhe një herë, se mos kishte harruar ndonjë gjë pa marrë dhe, pasi u sigurua se të gjitha i kishte vënë nëpër valixhe, u shtri të merrte një sy gjumë, se nesër do të nisej herët me taksi në aeroport. Në mugëtirën e mëngjesit të akullt, të aeroportit të Brukselit, hipi në avion dhe u nis drejt Milanos.. Hapësira gri, që shikonte nga dritarja e avionit, i fuste drithma në shpirt. Nuk e kishte ngrohtësinë e vendit të vet. Por mendimet shpesh i fluturonin te djali e gruaja dhe një vale e ngrohtë ia përshkonte trupin. Donte t’i shikonte sa më shpejt.
. Kur dielli po ngjitej në horizont, avioni u ul në aeroportin e zhurmshëm të Milanos. Dukej rrëmujë, por secili gjente drejtimin e duhur. Sa zbriti, Dritani u drejtua nga monitorët e shumtë për të parë orarin e linjës së Tiranës. Gjeti emrin e qytetit të tij të dashur, diçka drithëruese ndjeu në trup. Por…avioni nisej pas dy orësh. I duhej të priste ca. U ul në ndenjëset e ambjentit. Koha i dukej sikur s’ecte. Piu një kafe, po prapë koha s’po afrohej. Bëri si bëri, u ul prapë dhe mendja i fluturonte në qytetin e lindjes. Zëri i megafonëve, që lajmëronin udhëtarët e Tiranës të përgatiteshin, se "Alitalia“ do të nisej, e shkundi nga mendimet. Rrëmbeu bagazhet dhe u drejtua nga kontrolli... Kur avioni u shkëput nga toka dhe mori kursin drejt Tiranës, shikonte nga dritarja hapësiren e pafund dhe i dukej sikur krahët e avionit i lëvizte ai për të arritur sa më shpejt në qytetin e lindjes, ku me të e lidhnin shumë kujtime...
…Aldriti me mamin prisnin në Rinas dhe shpesh dilnin jashtë ambjentëve të pritjes të të parë tej në largësi horizontin, se mos dallonin ndonjë avion. Asgjë s’ dukej. Ora po afronte, vogëlushit po i shtoheshin ankthet. S’ rrinin dot në një vend. Aldriti, duke parë me vëmendje në largësi të hapësirës, dalloi një si shpend të vogël që po afrohej. Nuk u përmbaj, thirri menjëherë: “Shikoje mami, shikoje! Po vjen!”. Dhe trupi i shpendit metalik po bëhej gjithnjë e më i madh, i shoqëruar nga bubullima e një zhurme që po bëhej shurdhuese. Avioni mori kursin, u ul dhe vrapin e ndali në drejtimin e duhur. U grumbulluan njerëz në dalje, që prisnin të afërmit e tyre. Pas pak filluan u hapën dyert dhe një varg njerëzish po dilnin nga kontrolli, Aldriti dalloi të atin që tërhiqte një grumbull valixhesh. Nuk iu durua, thirri: “Babi, babi!”, dhe vrapoi drejt tij, iu hodh në qafë dhe me këmbët e vogla e shtërngoi fort pas trupit të vet. Nuk pushonin së puthuri njeri-tjetrin. Pastaj Dritani, e lëshoi të birin dhe përqafoi të shoqen. Ngarkuan bagazhet në një taksi dhe u nisën drejt shtëpisë… Në shtëpi biseda rridhte e ngrohtë e plot mall. Pyetjet nuk i linin radhë njera – tjetrës. Pasi u çmallën, i ati afroi valixhet dhe i hapi me radhë. Në fillim nxori gjërat që kishte blerë për të birin, dhe ia vinte përpara. Ato ishin aq shumë, sa vogëlushi s’po i dallone se çfarë ishin, se gëzimin më të madh e kishte për të atin, se sa për to. Vazhdoi me ato që kishte sjellë për të shoqen e për shtëpinë. Më pas me dhuratat që kishte marrë për të afërmit. Njera nga valixhet nuk u hap. Kurreshtja nuk e la vogëlushin të mos pyeste:
- Po këtë, këtë babi?- prekte ai valixhen e pahapur..
- Një ditë tjetë, të keqen babi!- dhe e ledhatoi të birin në kokë.
Në korridor, diçka me zë të ulët, bisedoi me të shoqen dhe ajo e mori atë valixhe dhe e vendosi në një cep të dhomës së gjumit.
Të tre ishin tepër të gëzuar se ishin bashkë pas një viti. Ditën tjetër shkuan për vizitë te gjyshërit. Çuan edhe dhuratat. Një ditë më pas shkuan te tezja, po Aldriti nuk shkoi, se e kishte lënë me shokët të luanin. Mbeti vetëm në shtëpi. Kërshëria për valixhen e pahapur e brente. Mendonte: "Pse nuk e hapi babi“? E mori dhe u mundua ta hapte, po dryni ishte i pabindur. Nuk hapej. Kontrolloi nëpër sirtarë, asgjë s’ pa. Në letrën e bardhë te njeri sirtar që kishte shtruar e ëma për të mbajtur sendet pastër, dalloi diçka poshtë që ia prishte rrafshinën asaj. Ngriti cepin e letrës dhe një palë çelësa të vegjël shkëlqyen. I mori dhe provoi të hapte valixhen. Ajo u hap. Rrufe hapi pakon dhe u mahnit. Në të qendronte shtrirë një goxha plak i Vititi të Ri. E rrëmbeu dhe e vuri në këmbë. Lëvizi një çelës që ishte prapa dhe Babonatalia filloi të ecte duke folur. Aldriti u ngazëllye nga kjo dhuratë e rrallë që i kishte sjellë i ati. Mendoi një çast se ç’ duhej të bënte. Shpejt e gjeti zgjidhjen. Mori pakon bosh e mbylli mirë me ngjitëse, ashtu siç ishte dhe e futi në valixhe. E mbylli dhe çelësat i vuri në vendin që ishin, në sirtar dhe valixhen atje ku e mori. Kurse plakun e Vitit të Ri e shtriu prapa palltove të mëdha që vareshin në garderobë dhe visheshin rrallë. E fshehu mirë e mirë, që të mos dukej. “Këtu nuk e gjejnë dot“, tha me vete dhe doli të luante me shokët.
… Natën tjetër, të tre nuk i zinte vendi nga gëzimi që, sa vinte po shtohej, se erdhi festa e madhe, e ditëlindjes së të atit bashkë me atë të Vitit të Ri. Për ta bërë atmosferën familjare, sa më festive, Aldriti ndezi dritat e pemës së Vitit të Ri, Xixëllima të shumta flakëruan pemën dhe zbukuruan hollin. Pastaj filloi të ndihmonte të ëmën për të shtruar tavolinën. Kur gjithçka ishte vendosur në tavolinë,sipas gustos së tyre, të tre u ulën përrreth tavolinës dhe festa filloi me trokitjen e gotave për Dritanin, duke e uruan njeri pas tjetrit: “U bëfsh edhe njeqind e të jesh bashkë me ne!”, Atij s’iu mbajtën lotët. I përqafoi të dy bashkë. Vogëlushi u ngrit me mamin. Ajo mori lulet, kurse ai dhuratën me kartolinën. Ia dhanë Dritanit, e përqafuan dhe e uruan edhe njëherë nga malli. Atij lotë të nxehtë vazhdonin t’i rrëshqisnin nëpër faqe. Trupi i dridhej. Kurrë s’ kishte ndjerë gëzim e dashuri kaq të ngrohtë. Pasi mblodhi pak veten, u ngrit nga tavolina dhe shkoi te sirtari, mori çelësat dhe hapi valixhen që kishin lënë mënjëanë. U shtang, kur pa pakon bosh. Tinas thirri të shoqen. Ajo, sa e pa, hapi gojën përgjysëm, nxori një “uaaa!” pa zë të fortë, që të mos dëgjonte i biri dhe i tha me zë të ulët:
- Mos e ke harruar në dhomë, ku rrije?
- Jo!- u përgjigj i sigurt ai. Përplasi lehtë duart dhe mendja i shkoi te ajo dhomë e errët, në , në atë vend të ftohtë, se mos e kishte harruar në ndonjë cep të saj, atë Babagjysh, që e kishte blerë me aq qejf për të birin, tashmë, ndoshta ai qendronte i vetëm në atë errësirë të akullt. Heshti, pastaj vazhdoi i sigurtë,- jo, e vendosa me këto duar në valixhe.
- Mos janë ngatërruar valixhet në avion?, - vazhdoi e shoqja gati me lotë në sy.
Ai mohoi me një levizje të lehtë kokës. Pasiguria qendronte pezull, e pazgjidhshme përpara tyre.Të brengosur u ulën prapë në tavolinë, po gëzimi i festës u pre në mes. Hareja u fashit, gjithçka përrreth tavolinës sikur ngriu. Nuk flisnin. Atëherë vogëlushi nuk duroi më. U ngrit dhe, pa folur, shkoi atje, ku kishte fshehur Babagjyshin. E mori, takoi butonin dhe, duke e mbajtur prej dore të dy po hynin në kuzhinë duke folur, po zëri i Aldritit ishte më i forte se ai i Babonatalies: “Erdhi Babagjyshi i Vitit të Ri! Ja, po hynë në shtëpinë tonë!”
Nga kjo e papritur prindërve u shpërtheu një gaz i paparë. Dritanit nuk iu durua më, u çua në këmbë, kapi të birin, e ngriti në krah duke thënë: “Ah kolopuçi babit, kolopuç! Në vend të të bënim ne surprizë, na bëre ti!”
Puthi të birin dhe festa u bë më e hareshme.