Prof.Dr.Eshref Ymeri
Në fjalimin që mbajti para mjekëve dhe infermierëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Kryeministri Rama deklaroi:
“Transformimi rrënjësor i Spitalit Nënë Tereza është në themelin e rrugës së rilindjes së sistemit shëndetësor.”
Një shqetësim shumë i drejtë ky. Spitali është pasqyra ku dalin në pah vlerat e kulturës dhe të edukatës së një vendi. Duhet pranuar se spitalet tona, në tërësi, kanë mungesa të shumta në infrastrukturën e tyre. Por spitalet tona nuk mund të kthehen dot në vatra të lakmueshme të kurimit dhe të edukimit shëndetësor me investime nga buxheti i shtetit, me një përqindje vetëm njëshifrore. Kjo është e pamundur.
Çdo qytetari shqiptar ia do zemra që spitalet tona të modernizohen, si infrastrukturë, dhe të pajisen me aparatura mjekësore të fjalës së fundit, duke e ndjekur teknologjinë e re hap pas hapi. Le të shpresojmë se ky objektiv një ditë do të arrihet dhe spitalet tona do të ndrijnë nga bukuria e nga pastërtia dhe do të rrethohen nga një mjedis që noton në mes të gjelbërimit. Dhe paga e personelit mjekësor do të jetë në një nivel mjaft të kënaqshëm. Por… kjo përsëri është e pamjaftueshme.
Spitalet tona kanë nevojë edhe për më shumë bukuri dhe pastërti të shpirtit të personelit mjekësor. Por halli është se një bukuri dhe një pastërti e tillë nuk mund të sigurohet me kurrfarë investimesh nga buxheti i shtetit. Një bukuri dhe një pastërti e tillë duhet edukuar që në zanafillë të veprimtarisë së gjithë atyre individëve që kanë ndër mend t’i hyjnë karrierës mjekësore dhe t’u ringjallet në shpirt atyre që u mungon në formimin e tyre psikologjik gjatë ushtrimit të karrierës në fjalë.
Pra, edhe studentët e mjekësisë, edhe personeli i ri, edhe personeli më i moshuar i spitaleve tona, duhet të bëjnë betimin e Hipokratit, një betim solemn ky për besnikëri ndaj detyrës së mjekut. Në këtë betim shprehen parimet themelore etikomorale të qëndrimit të mjekut. Në këtë mes kemi të bëjmë me emërtimin e një betimi me përdorim të gjerë nga ana e gjithkujt që ka ndër mend të punojë si mjek. Betimet, në të cilat qenë formuluar normat morale të qëndrimit të mjekut, kanë qenë të njohura edhe në lashtësinë egjiptiane. Lindja e këtij betimi është shumë më e hershme sesa periudha kur ka jetuar Hipokrati (460 - 377p.e.r.). Sipas një gojëdhëne, betimi lidhet me pasardhësit e drejtpërdrejtë të Eskulapit, i cili, sipas mitologjisë së lashtë greke, ishte perëndia e mjekësisë dhe e kurimit. Ky betim, i regjistruar prej Hipokratit, qe përcjellë gojë më gojë brez pas brezi, si traditë familjare, dhe është hasur për herë të parë në Aleksandrinë helenistike, në kohën e mjekëve të lashtë grek Herofilit (Herophilos - 325-280 p.e.r.) dhe Erasistratit (304-250 p.e.r.). Ai pati shërbyer si dokument që prej shek. III. Sipas njoftimeve të shtypit, në vitin 2006, në Amerikën e Veriut dhe në Evropë, teksti i betimit qe zëvendësuar me një “kod profesional”.
Vetëm me vënien në jetë të betimit të Hipokratit, të quajtur tashmë kod profesional”, mjekët e spitaleve shtetërore do t’i shndërrojnë këto të fundit jo vetëm në qendra të specializuara për kurimin profesional të sëmundjeve, por edhe në vatra shembullore të shfaqjes së humanizmit të njeriut ndaj njeriut. Në të kundërt, në spitalet tona shtetërore do vijnë duke u thelluar shfaqjet e antihumanizmit, që fshehin brenda vetes hijet e kriminalitetit, dhe ato do të na kujtojnë gjykatat e kohës së Balzakut (1799-1850), për cilat, në librin “Shkëlqimi dhe rënia e kujtizaneve” ai thotë:
“Kurrfarë gjykatash nuk janë në gjendje ta parandalojnë kriminalitetin. Se gjykatat prandaj edhe janë shpikur, për ta pranuar krimin si një të keqe të pashmangshme”.
Santa Barbara, Kaliforni
10 tetor 2013