2013-10-08

Drama shqipe për fëmijë e lënë anash

Shkrimtarët pak shkruajnë për fëmijë, edhe ata që shkruajnë, dramat e tyre vështirë që inskenohen. Regjisorët dhe ata që merren me dramën për fëmijë bëjnë thirrje që gjërat të ndryshojnë në të mirë të fëmijëve. Regjisorja dhe aktorja e njohur për fëmijë Melihate Qena mendon se ka pak tekste dramatike për fëmijë. “Mendoj se është e vërtetë që qëndron pohimi se pak kemi tekste dramatike për fëmijë. Unë në punën time kryesisht i kam adaptuar vetë tekstet e shkrimtarëve të njohur. “Drama të gatshme nuk kam gjetur, ose ato pak tekste që shkruhen për fëmijë kam përshtypje se autorët pak e njohin skenën dhe botën e teatrit”, tha ajo. Melihate Qena thotë ka pasur raste kur një tekst ka qenë i dramatizuar, por nuk është paraqitur nevoja për ta përpunuar atë. “Është vështirë të inskenosh një tekst dramatik për skenën e teatrit të kukullave, sepse shfaqje që bëj unë janë për një moshë më të vogël, dhe që duhet përshtatur shijes dhe moshës së tyre”, u shpreh ajo.

description

Tekstet duhet përpunuar

Valdet Rama, aktor në teatrin e kukullave “Dodona”, thotë se nuk është fjala që nuk ka tekste dramatike për fëmijë, pasi të tilla ka mjaft, por problemi qëndron se sa mund të inskenohen ato tekste. “Pothuajse secili tekst dramatik i shkruar për fëmijë është dashur t’i nënshtrohet një rishikimi të madh, për t’u bërë gati për inskenim për fëmijë, sidomos për shfaqjet me kukulla. Tekste ka mjaft, por problemi është se sa janë të përdorshme ato, sepse dramë mund ta quash, por problemi është se a mund të përdoren ato për qëllimin që janë shkruar”, ka thënë Rama, duke shtuar se shumë drama për fëmijë para se të inskenohen duhet t’u bëhen adaptime të shumta për t’u përgatitur për skenë. “Mendoj se autorëve u mungon njohuria e teknologjisë se si duhet shkruar një dramë për fëmijë. Ka shumë drama që janë shkruar dhe po shkruhen për fëmijë, por që kërkojnë një përpunim rrënjësor. Përjashtuar raste të veçanta, shkrimtarët për fëmijë rrallë vijnë në teatër për të parë se si duket një shfaqje e inskenuar”, tha Rama.

Shkrimtarët e pastimuluar

Shkrimtari Ragip Sylaj pranon se drama për fëmijë është lënë anash. “Meqë drama në krahasim me gjinitë dhe llojet e tjera letrare ka funksion, të themi më praktik, ndër ne fatkeqësisht shkruhet dhe botohet më pak. Pohimet se drama shqipe për fëmijë në Kosovë, sidomos për moshat më të vogla mungon ndër ne, janë të sakta. Ky lloj i letërsisë që i dedikohet skenës së fëmijëve s’do mend se ka vlera të pakontestueshme. Kjo, sepse edukimi, respektivisht argëtimi dhe mësimi jetësor nëpërmjet skenës konsideroj se është i llojit të vet dhe i pazëvendësueshëm”, theksoi ai. Sylaj thotë se shkrimtarët për fëmijë kanë shumë tema dhe ata do të duhej që këtë gjë ta bëjnë. “Krijuesit e sotëm të dramës shqipe për fëmijë në Kosovë kanë çka të trajtojnë dhe besoj se do të mirëpriteshin nga të vegjlit, sepse magjinë e skenës nuk besoj se mund t’ua zëvendësojë magjia e filmit (e ekranit të madh), e televizionit (e ekranit të vogël) a e internetit. Mungesa e stimulimit të shkrimtarëve të këtij lloji, të them letrar e teatror, bën gjithmonë e më tepër që autorët të merren me punë të tjera krijuese, efekti i të cilave në jetën e tyre dhe në jetën shoqërore është sado-kudo më i madh. Kjo gjendje varet edhe nga planet, orientimet, vizionet dhe mundësitë e teatrove tona për ta dhënë kontributin e tyre në këtë lëmë. Sidoqoftë, krejt atë (s’)e bëjmë sot do të na kthehet në të ardhmen”, pohoi Sylaj. Dramaturgu Naser Shatrolli thotë se nuk ka interesim për të shkruar drama për fëmijë. “Drama shqipe e këtij formati nuk ma do mendja se do të gjejë strehë banimi te ndonjëra kupolë skenike. Më duket se teatrot nuk duan të kultivojnë këtë gjini arsyet dhe argumentet janë të shumta. Mirëqenia e përgjithshme shoqërore do të ndikojë te të gjitha kategoritë, mbase edhe te drama, e cila aspak nuk gjen respekt inskenimi ose lejueshmërie”, tha ai, duke shtuar se “në Prishtinë fëmijët janë më mirë në raport me teatrin. Teatri i kukullave funksion, publik ka, shfaqje ka, ndërsa në qytetet e tjera fëmijët teatrin e vizitojnë ndoshta kur të bëhen të zotët e vetvetes për të marrë rrugën drejt teatrit. Në këtë sens, ma do mendja se nuk ka interesim për të shkruar dramë”, mendon ai.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...