2013-10-12

Daniela Mecaj-Ndërsa ecën e shpenguar rrugëve të Torinos


Duke ecur e shpenguar rrugëve të Torinos, ndërsa mendon për situatën e vendit, gjendja dhe andrallat e tua familjare, ky shi që për ditë të tëra duket sikur nuk ka ndërmend të pushojë, syri të kap figurën e një gruaje nëpër postera reklamuese. Për mua që jam shqiptare duket një fytyrë e njohur. Nuk është një nga fqinjat e mia, por më duket se është….

Ah, po! Tani e kuptova pse më dukej figurë e njohur. Ka fizionominë e burrneshave tona. Po prit pak… Po lexoj edhe Albanese poshtë figurës… Nuk mund të mos ndaloj … Në djall problemet, i them vetes. Ndalu e lexo me kujdes…
Tesori del Patrimonio Culturale Albanese, hapur deri më datë 7 Prill.
Duhet patjetër të shkoj ta vizitoj. Madje duhet të vijë dhe ime bijë. Ajo e ka shëtitur mjaft Shqipërinë, vëndin e saj të lindjes, por kanë qenë të pakta Muzetë që ka vizituar. Kështu do bëj, do marr dhe ndonjë nga familjet e miqve të mi italianë e të paktën do kem ç’tu tregoj për kulturën e vendit tim.
Atë fundjavë Fai (Fondo Ambiente Italiana) një shoqatë që merret me përhapjen dhe mbrojtjen e kulturës, artit dhe traditave Italiane, po bombardonte me të gjitha mjetet reklamuese, përfshirë dhe televizionin, që ishin hapur për publikun një mori muzesh e qendrash arti, falas për një periudhë të caktuar. Nuk ke se si të mos shkosh. Të jepet një mundësi e tillë, duhet ta shfrytëzosh. Në këto momente kaq të vështira nëse të jepet mundësia të kursesh diçka, nuk duhet ta lësh të të ikë nga duart. Pastaj flitet për artin.
Pas dreke dolëm të gjithë për të vizituar ndonjë muze e qendra arti. Flitej për vila të ndërtuara nga arkitektë të famshëm dhe kopshte të ndërtuara e zbukuruara. Po shiu nuk kishte ndërmend të pushonte atë ditë. Nuk është e këndshme të dalësh nga shtëpia një të dielë me shi e aq më tepër për të vizituar vepra arti, por ke dhe shpresën që shumë të tjerë do jenë tërhequr për shkak të motit e nuk do të të duhet të mbash radhë disa orëshe për të hyrë. Por ishim gabuar rëndë. Përreth vilave që mund të vizitoheshin nuk gjeje asnjë vend për të parkuar makinën. Shikoje një varg të gjatë çadrash shumë ngjyrëshe dhe nuk i besoje syve…
-Ja që qenkemi gabuar ne! E tani si i bëhet? Zonjë më falni sa kohë keni që mbani radhën?
-Rreth 45 minuta.
Fillojmë të ecim rrugëve të Torinos duke shpresuar se tek një tjetër vilë nuk do gjejmë radhë të gjata. E pamundur! Fati nuk na ndiqte atë ditë… Tashmë në trupat tanë shiu kishte bërë të vetën. Ishim krejtësisht të lagur. Ishte gati fundi i marsit, por i ftohti nuk po i linte vendin flladit të ngrohtë të pranverës. Por ja që përballë forcës së natyrës jemi krejtësisht të pafuqishëm…
U gjendëm pranë Pallatit Madama në qendër të qytetit. Dhe ja, përsëri burrnesha shqiptare përballë nesh.
- Sot nuk mundëm të vizitojmë kulturën italiane, por kemi fatin të njiheni me kulturën e vendit tim. Boll më njohje të vendit tim të lindjes me ato ç’mund t’ju kem treguar unë apo të tjerët. Ne mund të jemi specialistë në rrëfimin e vuajtjeve dhe gëzimeve tona, mund të dimë diçka më shumë dhe për traditën, por kulturën duhet ta njihni të prezantuar nga ekspertët.
Emocionet më pushtuan sapo hymë në katin e parë të pallatit, po më merrnin frymën. Nxitoja, ndaloja, tregoja…. Ja Gjirokastra, Berati, o Zot veprat e Onufrit!!! Sa krenare isha! Nuk mund të mos këndoja nën zë këngën e Bareshës, atë që shoqëronte një reklamë për Shqipërinë. Gëzimin vajza ime dhe miqtë e mi ma lexonin në çdo pjesë të trupit. U mbylla për një çast në guaskën time dhe i lashë hapësirë zërit të cicerones e cila i shpjegonte një grupi fëmijësh të ardhur nga një qytet tjetër, historinë e kulturës së vendit tim.
Salla madhështore, e gjitha e bardhë, me gdhendje të mrekullueshme pranë tavanit, dukej sikur i vëzhgonte dhe mbronte ato xhevaire të kulturës sonë. Janë pak, e di dhe unë, por janë dhe duhet t’i mbrojmë të gjithë. I kishin grumbulluar aty nga e gjithë Shqipëria, si ato pjesët e puzzle që mblidhen për të dhënë një figurë të vetme. Mundi i atyre personave që me aq kujdes e delikatesë kishin mbledhur nga çdo cep i vendit për të treguar një pjesë të kulturës sonë, që nga Prehistoria, epoka Ilire, Greke, Romane e deri tek Arti Bizantin. Vëmendja e miqve për ato relike të kulturës shqiptare, ishte e madhe. Tek tuk shikoja dhe ndonjë patriotin tim, por kurioziteti më shtynte të vëzhgoja shprehjet dhe dialogjet e vizitorëve vendas.
Para se të dilja prita një çift i që sapo kishte mbaruar së vizituari ekspozitën dhe po linte përshtypjet e tyre mbi librin. Zotëria po zgjatej shumë. Kurioziteti im, rritej. Për një çast pata dyshimin se po shkruante ndonjë përshtypje jo të mirë, por menjëherë e largova atë mendim. Nxitova ta lexoja kur ata nuk ishin larguar akoma mirë….
“Një ekspozitë shumë interesante. Kulturë e bukur por jo shumë e njohur nga ne. Vlen të vizitohet nga afër. Falenderoj të gjithë bashkëpuntorët.”
Çlirova frymën që kisha mbajtur gjatë leximit… Ja që mundi i tërë atyre djemve dhe vajzave që kishin punuar për atë ekspozitë , kish dhënë frytet e tij. Ndoshta edhe falë saj, këtë vit vendi im mund të ketë dhe ndonjë turist më tepër. Dhe turisti është burim të ardhurash për çdo vend. Të shpresojmë.
Kthehesha për në shtëpi duke folur pa pushim për ç’ka kishim parë. Mezi prisja t’ia tregoja familjes sime në Shqipëri.
Telefoni po binte gjatë në shtëpinë e tim vëllai në Tiranë, por unë nuk mërzitesha. Herët a vonë dikush do më përgjigjej dhe unë do kisha ç’ti tregoja. Zëri i mbesës 11 vjeçare më shkëputi nga mendimet. Pasi bëmë përshëndetjet e fillimit të një bisede telefonike, i tregova për vizitën e asaj pasditeje.
-Ju besoj se shkoni në ndonjë muze aty, apo jo? Ju bëjnë eskursione siç na bënin neve, dhe njiheni me kulturën e vendit jo vetëm nëpërmjet librave por edhe direkt…
-Për çfarë po flet, o halla? Kush i ka parë ndonjëherë muzetë. Të vetmet që mbaj mend unë, janë ato që kam parë jashtë Shqipërisë. Këtu nuk na çon ndonjëherë shkolla…
M’u shua gjithë entuziazmi i asaj pasditeje me shi, por të veçantë për mua. Si është e mundur të mos çojnë fëmijët tanë të vizitojnë muzetë!? Si mund të rritet një brez duke shëtitur muzetë e botës, e pa njohur kulturën e vendit të vet?! M’u kujtua ai grup fëmijësh të cilët ndiqnin në qetësi ciceronin tek ilustronte e shpjegonte reliket tona…
Ironia e atij paradoksi, më shtyn të vë buzën në gaz, hidhur. Një ndjesi që më ndoqi gjatë. Uroj që të mos këte kaluar nga rreshtat e mi drejt lexuesit; nuk dua të jem shkaktare në shtimin e të vërtetave të hidhura të vendit tim. Desha thjesht të rrëfeja një pasdite të veçantë me shi në rrugët e Torinos…

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...