Ymer Çiraku
Do t’i quaja ngjarje shkencore, botime të librave të karakterit fondamental, siç është Filozofi e gjuhës (Shtëpia botuese Arbëria), botuar kohëve të fundit, nga linguisti i njohur Prof. Shezai Rrokaj. Gjuha, si akt komunikimi, realizon, veç një morie referencash interkomunikative, edhe thurjen e dijeve filozofike të fushave të ndryshme, si: filozofi e historisë, filozofi e doktrinave juridike, sociale, religjioze, të artit etj. Por gjuha ndërkaq, ashtu siç ndërton me mjetet e saj doktrina filozofike e gjithçka tjetër të rrafshit të komunikimit human, edhe vetë – ndërtohet brenda një sistemi sui generis, mbi disa principe, që sado variuese, kanë një komandë qendrore (ta themi), që dëshmon sofistikimin dhe misterin e kësaj gjuhe, brenda zhvillimit të saj pa limit e shënjimeve, të ashtuquajtura arbitrare.
Gjuhët pësojnë në mënyrë të pashmangshme zhvillime, dhe nëpër këtë rrugë zhvillimesh, ato ndërkaq largohen nga fazat më të hershme, aq sa krijojnë mjegulla që vijnë nga instancat e largëta e për pasojë, vështirësi për të vështruar qartazi nëpër rrjedhat diakronike të ciklimeve të tyre. Por janë ekzistuese sistemet bazale mbi të cilat ngrihen e funksionojnë gjuhët (sado jo lehtësisht të kapshme), njohja dhe studimi i të cilave krijon mundësi për të hulumtuar në itinerarin e këtyre universeve. Autori i beson fort tezës të ardhur që nga Hajdegeri se gjuhët janë streha e qenies së njeriut: mu aty projektohet gjithë arsenali i vetëdijes dhe pavetëdijes së tij, që do të thotë se studimet gjuhësore nga kahje të ndryshme, e bëjnë më të mundur edhe njohjen e njeriut integralisht.
Qarkullojnë teori të ndryshme mbi lindjen e gjuhëve: që nga ato me burim hyjnor e deri tek ato mbi një fillesë tek një vatër e pastaj përhapje centripetale, apo mbi lindje në disa vatra njëherësh e pastaj kryqëzime e zhvillime të pandërprera të tyre… Brenda këtij misteri, studiuesit janë endur e vazhdojnë të enden gjatë, duke hulumtuar e hamendësuar dhe autori i librit e shpalos hartën interesante të kësaj problematike, duke dëshmuar edhe pikëpamjen e vet. Si në këtë rast dhe në të tjera, ai nuk priret nga përfundimet kategorike, por ndërton sistemin e komunikimit të hapur e jo të mbyllur shkencor, që është prirje e shkencës dinamike e jo statike apo kanonike.
Problematikën e filozofisë së gjuhës, autori e sheh që nga antikiteti: me dijetarë të shquar si Platoni, Aristoteli, Stoikët, duke vazhduar me Tomas Akuinin e pastaj me Dekartin, Hajdegerin, Sosyrin, Jakobsonin, Comskin, Lakan, Fuko etj. Libri, duke qenë një pranëvendosje e shumë orientimeve dhe shkollave filozofike për çështje të gjuhës, arrin të shquajë mirë kontributet thelbësore të tyre, që i bëjnë dhe përfaqësues dinjitarë të teorive të mëdha, mjaft impresionuese, dhe për këtë arsye, të ndjekura nga dishepuj të shquar. P.sh. Sosyri vështrohet si themelues i strukturalizmit në gjuhësi, Gadameri si projektues i konceptit të ciklit hermenautik mes tekstit dhe interpretuesit (vështruar si raport dialogjik), Çomski për trajtimin e kompetencës gjuhësore, Lakani për zgjerimin e teorisë frojdiane deri në konceptin se pavetëdija është e strukturuar në gjuhë, ku njeriu e ka humbur mjaft protagonizmin e tij. E vërteta është se brenda një kornize të limituar, siç është formati i një libri, ka shumë personalitete, me tezat përkatëse të përfaqësuara prej tyre, që krijojnë një informacion të ngjeshur e gati të presuar në libër, në pamje të parë – i vështirë për t’u zotëruar në nivelin e përvetësimit të sigurt. Gjykoj, se autori e ka konceptuar në mënyrë të ndërgjegjshme kësisoj: me synimin që të nxitë reflektimin dhe hulumtimin e pavarur, të cilit i shërben bibliografia e pasur rekomanduese dhe referencat e dendura nëpër gjithë kapitujt. Ndërkaq, libri e ka të synuar dhe karakterin enciklopedik, d.m.th. sjelljen e informacionit të sistemuar, rreth çështjeve më të mprehta të filozofisë së gjuhës.
Librin e shoh të shkruar me një frymë. Kjo, e kuptuar si vrull i autorit për të hulumtuar e hedhur në letër me ritmin e lartë të punës, gjë që dhe personalisht e kam ndjerë nga kontaktet me të, ku ka qenë mjaft prezente tema e hartimit të këtij libri. Por të shkruarit me një frymë, e kuptoj, para së gjithash, të realizuarit e saj si vepër me konceptualitet të brendshëm, konseguent e vijues. Sado të ndryshme konceptet e paraqitura, në libër nuk krijohet kurrsesi ndjesia e një kolazhi mekanik tezash e doktrinash mbi filozofinë e gjuhës. Në thelb, studiuesi ka për prijës konceptin se në udhën e tij, njeriu është i shoqëruar përherësisht nga një proces gjuhësimi, (më duket i gjetur ky term), përmes të cilit ai realizon njohjen e vetvetes dhe njohjen e mjedisit.
Libra si ky i drejtohen një rrethi të gjerë specialistësh, jo vetëm nga gjuhësia, për vet karakterin interdisiplinar të qasjes së studimit. Ndihet volumi i madh i shfletimeve dhe sidomos ligjërimi i karakterit abstragues, që kanë sjellë lodhjen e mundimin, por autorit kjo punë e ngulët i është shpërblyer paq me një kontribut të çmuar që na ka sjellë, aq më shumë, një kontribut i ri që pasuron tipologjinë e studimeve tona, deri në formatin e një vepre të plotë.