Prof.Dr.sci. Eshref Ymeri
Lidhur me bisedimet e famshme mes Serbisë dhe Kosovës për
Veriun e Mitrovicës, nga faqja e internetit vjen edhe ky informacion:
“Takimi i palëve bashkëbiseduese nga Kosova dhe Serbia në
Bruksel, në radhën e tetë të bisedimeve, ka dështuar, meqë pala serbe, tash për
tash, nuk po lëshon pe në kërkesat maksimale, duke pretenduar se Kosova është
pjesë e Serbisë dhe e kushtetutës së saj”
(Citohet
sipas:“Ka dështuar takimi i fundit formal në
Bruksel, meqë palët në bisedime nuk lëshuan pe”. Marrë nga faqja e internetit “Radio Kosova e Lirë”. 07 tetor 2013).
Pas
këtij informacioni, çdo shqiptar me mendje të kthjellët, në mbarë trojet tona
etnike, i shtron vetes pyetjen:
“Po si është e mundur, xhanëm, që
Hashim Thaçi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, ka pranuar të ulet në
bisedime me një kryeministër kriminel, si Daçiçi, i cili deri dje ishte
zëvendësi i Millosheviçit prandaj dhe Beogradi nuk e njeh pavarësinë e
Kosovës?”
Vallë
nuk e kuptuaka elita intelektuale kosovare që Brukseli dhe personalisht zonja
Eshton, po luajnë një komedi të turpshme me Kosovën, të cilën, për shkak të
tradhtisë së Hashim Thaçit, e kanë detyruar të ulet në bisedime me Serbinë?
Me Serbinë, e cila Kosovën e quan
pjesë të Serbisë dhe të kushtetutës së saj?
Po si është e mundur që Brukseli
dhe personalisht zonja Eshton të jenë kaq shumë të interesuar për kriminelët
serbë të Veriut të Mitrovicës dhe as që e çajnë kokën absolutisht për 2500
kosovarët e zhdukur gjatë luftës pa nam e pa nishan?
Si është e mundur që
Brukselit dhe zonjës Eshton as që u bëhet vonë fare për krimet e rënda që
Serbia kreu në Kosovë, ku shkatërroi gjithçka, vrau 11 mijë veta, midis tyre
edhe gra, pleq e fëmijë të pafajshëm, u vuri zjarrin 200 mijë shtëpive, ku
kriminelët serbë përdhunuan 20 mijë femra kosovare?
Po si është e mundur që
Serbia, deri më sot, nuk ka pranuar kurrfarë krimesh dhe as që ka ndër mend të
kërkojë ndjesë ndonjëherë para opinionit publik ndërkombëtar për krimet në fjalë?
Po si është e mundur që Brukselit dhe zonjës Eshton as që u ka rënë ndër mend
ndonjëherë të kërkojnë prej Serbisë të bëjë kompensimet e duhura për
shkatërrimet kolosale që kreu në Kosovë?
Përgjigjen
e këtyre pyetjeve e ka dhënë ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, admirali Gregori Xhonson, i cili, në
takimet që pati me krerët e Maqedonisë, para nënshkrimit të Marrëveshjes së
Ohrit, u kërkoi atyre të ulen në bisedime me shqiptarët se këta janë
mendjelehtë dhe mund t’u zhvaten lëshime.
Pra, Brukseli është i bindur në
mendjelehtësinë e shqiptarëve, prandaj plastikëpolitikanit Hashim Thaçi, ai ia
jep format sipas qejfit të Beogradit.
Kjo është një dëshmi skandaloze e faktit
që Brukseli, pas luftës, mori tërësisht anën e Serbisë, prandaj edhe tërë vëmendja
e tij është e përqendruar te kriminelët serbë të Veriut të Mitrovicës, të
cilët, në vend që të rrinë urtë dhe të ulin kokën për bashkëpunimin e tyre me
bandat kriminale të Millosheviçit, kërkojnë t’u sigurohet autonomia, deri në
shkëputjen përfundimtare?
Bisedime me Serbinë mund dhe duhet të
zhvillohen, por pasi Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Paskëtaj duhet të
bisedohet, por për probleme krejtësisht të tjera dhe jo për kriminelët e Veriut
të Mitrovicës, të cilët duhet të gëzojnë të drejtat e tyre, si një pakicë
kombëtare normale, si kudo në shtetet e tjera të botës, në kuadrin e një shteti
të pavarur dhe sovran.
Vallë a do të jetë në gjendje Kosova të
nxjerrë në krye të vendit një Kryeministër të tillë, i
cili të jetë me autoritet dhe me Brukselin dhe me Beogradin të dijë të bisedojë
me gjuhën e një shtetari me dinjitet kombëtar?
Gjuha e një plastikëpolitikani,
si ajo e Hashim Thaçit, Kosovës ia ka cënuar rëndë autoritetin e një shteti të
pavarur dhe sovran.
Santa Barbara, Kaliforni
08 tetor 2013
Shikoni :