2013-10-12

FATMIRA NIKOLLI-Dokumenti, si hetohej Xhevahir Spahiu nga regjimi




E nisur si një detyrë e thjeshtë gjimnazi, Fiona Kopali mundi në fund të realizojë një libër-album ku parakalojnë Faik Konica, Fan Noli, Gjergj Fishta, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, etj., përmes relikeve si fotot, shkrimi i dorës apo intervistave me autoren. Një fragment është përshkrimi i takimit me Kadarenë në shtëpinë e tij: "...Ju jeni gjimnaziste, ë? - Po, tek 'Gjuhët e huaja'. Nxënësve u ka rënë ca interesi për të studiuar gjuhë të huaja. Në Shqipëri dëgjoj kudo: ka rënë, ka rënë.... Çfarë është ngritur në Shqipëri?! Epo, - i thamë, - nxënësit nuk njohin vargjet e Poradecit, por dinë përmendësh këngë mediokre. Kjo është një dukuri e njohur botërore, por është për të ardhur keq. Brezi i ri po helmohet nga ky bombardim. I takon atij ta ndryshojë këtë Shqipëri. Nga ky brez pritet, por kur ky ushqehet me banalitete... I treguam edhe idenë për t'i përmbledhur në një libër intervistat dhe ai shprehu dëshirën që kjo intervistë të mos botohej në ndonjë gazetë...

Një nga gjetjet më interesante në libër është zbulimi i jetës së poetit Xhevahir Spahiu në një moment delikat, kur u kritikua nga Enver Hoxha për prirjet "moderniste". Publikohet një dokument antologjik për raportet e shkrimtarit me diktaturën, hartuar nga policia e fshehtë e asaj kohe. Është fjala për të famshmin simpozium shkencor me temë "Klasikët e Marksizëm-Leninizmit dhe rakia", i formuluar si shaka e hidhur e poetit për ideologjinë totalitare. Në një copë letër, Xhevo kishte shkruar: "Simpozium për rakinë", dhe rreshtoheshin disa "tema" e "kumtesa", si :

1) Ç'kanë thënë klasikët e Marksizëm-Leninizmit për rakinë;

 2) Lufta kundër ideologjisë borgjeze që nënvlerëson rolin e rakisë në revolucion... 

3) Etimologjia e fjalëve "raki" e "zamzane", etj.

Dokumenti

Dokumentit autentik që botohet i plotë në libër hedh dritë mbi vështirësitë e poetit në regjimin komunist. Ai mban datën 1 qershor 1979 dhe është miratuar nga zv.ministri i Punëve të Brendshme, Feçri Shehu. "Gjatë ndjekjes dhe zbulimit të veprimtarisë armiqësore të grupit armik e antiparti në sektorët e artit e të kulturës (fjalë e palexueshme, mbase kryesuar) nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja e Dashnor Mamaqi, rezulton në ngarkim të Xhevahir Spahiut, kanë dalë këto materiale. I pandehuri Fadil Paçarami ka deponuar: Në poezi hermetike, të cilat në vetvete paraqisnin paqartësi, linin shumë kuptime, ishin të errëta dhe paraqisnin keqkuptime, e ide të shtrembëta tek lexuesit. Më të dhënë për këtë çështje kanë qenë Fatos Arapi e Xhevahir Spahiu. Kjo është tendencë e njohur në botën perëndimore dhe ka marrë një zhvillim kohët e fundit në vendin tonë....

Ajo shkaktoi pasoja të rënda në ndarjen e brezave të krijuesve, dhe në hedhjen luftë mes tyre... Me pikëpamjen e ndarjes së brezave ka qenë dhe Spahiu. Si rezultat i kësaj ndodhën gabime të llojeve të ndryshme".

Nga Floripress


Skeda:Xhevahir Spahiu.JPG

Xhevahir Spahiu lindi më 1 mars të vitit 1945 në Malind të Skraparit, është shkrimtar i njohur shqiptar.Studioi në fakultetin histori-filologji, dega gjuhë-letëresi shqipe.Që nga viti 1968 ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor në revistën “Nëntori”, mësues dhe libretist në Teatrin e Operas e Baletit në Tiranë.
Është i nderuar me çmimin “Migjeni” dhe dhe është fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.

Tituj të veprave


Mëngjes sirenash (1970)
Ti qytet i dashur (1973)
Vdekje e perendive (1977)
Dyer dhe zemra të hapura (1978)
Bashkohësit (1980)
Agime shqiptare (1981)
Zambakët e Mamicës (1981)
Kitaristët e vegjël (1983)
Nesër jam aty (1987)
Heshtje s´ka (1989)
Dielli i lodrave (1990)
Poezia shqipe (1990)
Kohë e krisur (1991)
Udha (2005)

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...