Letërsia bashkëkohore ka prodhuar shkrimtarë shumë të mirë, të cilët pa ndonjë hezitim do të mund të propozoheshin për çmimin “Nobel”. Letërsia shqipe sot, edhe kjo e krijuar në Kosovë, ka shkrimtarë të cilët me cilësinë e tyre letrare nuk qëndrojnë larg shumë nobelistëve të viteve të fundit. Por, letërsia shqipe ka një hendikep ta madh në këtë drejtim, sidomos kjo e krijuar në Kosovë. Pothuajse nuk përkthehet fare. Ndërsa, për të qenë pjesë e nominimeve, krijuesit e propozuar duhet të jenë të përkthyer, sidomos në gjuhën angleze. Kështu pohojnë se shkrimtarët dhe drejtuesit e shoqatave që mbledhin shkrimtarët. Edhe pse tani ekziston mundësia që edhe shoqatat kulturore apo ato që mbledhin krijuesit apo merren me letërsinë t’i dërgojnë propozimet për “Nobel”, ende asnjë nga to nuk ka dërguar ndonjë propozim për këtë çmim.
Puna nuk kryhet vetëm me propozime
Ardian Haxhaj, shkrimtar, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës, është shprehur se duke e parë përvojën e mëhershme të nobelistëve, edhe letërsia bashkëkohore shqipe ka personalitete letrare reprezentative, të cilët mund të jenë natyrisht kandidatë për çmimin “Nobel”. “Natyrisht se edhe letërsia shqipe ka personalitete letrare, të cilat lirisht mund të jenë kandidatë për çmimin “Nobel”. Gjatë përvojave dhe leximeve bibliografike të nobelistëve që kanë fituar, shohim se natyrisht e kanë një nivel në letërsinë e përbotshme dhe nacionale të tyre, që nuk kanë diç më shumë se shkrimtarët tanë të njohur”, ka thënë Haxhaj.
Në një prononcim z. Reshat Sahitaj, shkrimtar dhe kryetar i Unionit të shkrimtarëve dhe kritikëve shqiptarë, ka thënë se Kosova ka shkrimtarë potencialë, të cilët do të mund ta fitonin çmimin “Nobel”. Por, sipas tij, fatkeqësia qëndron se shkrimtarët tanë nga Kosova nuk janë të përkthyer në ndonjë nga gjuhët kryesore. “Një kusht që një libër të vlerësohet nga Komiteti i “Nobelit” është që ai libër të jetë i përkthyer në ndonjë nga gjuhët kryesore evropiane, kryesisht në anglisht. Juria nuk mund ta vlerësojë deri sa nuk është i përkthyer libri në gjuhë të huaj dhe këtu qëndron problemi kryesor”, ka thënë ai, duke shtuar se, përveç propozimit, duhet edhe një lobin mjaft i madh për ta mbështetur kandidatin e propozuar në të gjitha drejtimet. “Puna nuk kryhet vetëm me propozim. Pas propozimit vjen një makineri e tërë krijuesish, diplomatësh biznesmenësh, të cilët duhet të qëndrojnë prapa propozimit. Duhet një lobim edhe në mesin e krijuesve botërorë”, ka thënë Sahitaj. Duhet këmbëngulur në përkthimin e letërsisë shqipe të Kosovës, sidomos të romaneve në gjuhë të huaj, pasi në këtë aspekt, sipas tij, gjendja është e mjerueshme.
Një pritshmëri sikurse në metaforën duke pritur Godon
Studiuesi i problemeve socio-kulturore, Avni Rudaku, në një prononcim për “Kosova Sot”, ka thënë se një nga arsyet që institucione dhe shoqata kulturore kosovare nuk kanë dërguar në drejtim të Komitetit të “Nobelit” ndonjë propozim është shpresa gjithëshqiptare për Kadarenë. Por, ai ka përmendur edhe arsye të tjera. Sipas tij, ka një kohë të gjatë kur shqiptarët kanë pritur se Ismail Kadare mund ta marrë çmimin “Nobel” dhe, siç është shprehur ai, nuk duhet të krijojnë kandidat tjetër të mundshëm, për shkak se Kadare do të jetë më së afërmi. “Prandaj, është një periudhë e gjatë që shpresohet dhe kjo ka krijuar një pritshmëri sikurse në metaforën duke pritur Godon, pasi është një shpresë në ndërdijen kolektive të të gjithëve se Kadare mund të jetë një fitues potencial”, ka potencuar Rudaku, duke shtuar se ekziston edhe një kompleks inferioriteti nga institucionet tona kulturore se letërsia në Kosovë nuk i ka arritur ato kualitete që duhet dhe nuk mund ta sfidojë Kadarenë, Kongolin, apo ndonjë tjetër. “Po ashtu, ende nuk besohet në kualitetet letrare që prodhohen në Kosovë karshi atyre në Shqipëri dhe nuk besohet se ka dalë një ikonë tjetër për ta sfiduar Kadarenë”, ka pohuar Rudaku.
I.Vatovci