Mbase eksperimenti që na solli Dino Mustafiqi nga aspekti regjisorial ideor dhe estetik për qarkun e zhvillimeve teatrore këtu e në rajon qe njëri nga modelet më interesante të sjella nga ai në këto vitet e fundit. Rrathët e ringut erdhën kurrë më të përafërt me rrjedhën politike ballkanike. Politika shqiptare ka zgjedhur rrugën e denigrimit të gjithë kapitalit historik të mbledhur në arkën e hartës së vlerave kombëtare. Bajrush Mjaku dhe Teatri Oda me këtë shfaqje trasuan rrugë të reja teatrore mes këngës dhe veprimit fizik, të mbështjellë me djersë psikologjike, të cilat, shfaqjen do ta lartësojnë në një piedestal të ri, si qasje, si gjetje, si mbresë, si vrull, si kulturë shikueshmërie, mbase, rrallë atakohemi me këtë nivel ringu, kështu, duke fol me vetveten, djersët e dyshimeve në raport me shterpësinë dhe identitetin e regjisë kohore të çojnë kah mulliri me erë. Formati i ringut nuk ishte zbulim porse vendosja e një teksti kaq përmbajtjesor e filozofik në një rrafsh bizariteti siç është arena e boksit, ku do të luhej loja për të thyer hundë e eshtra, për të thyer kurrizin mendor e fizik të shtresave intelektuale, për ti bërë invalid njëherë pastaj për të shpallë heronj para kamerave, droja se do të bie e gjithë elita intelektuale në kokërr shpine do të reflektohej si mesazh real, mbase me vetëdije është instaluar kjo logjikë kutërbimi edhe te kokat e skalitura. Gjendja momentale dhe ndërhyrjet kirurgjikale të politikës te një pjesë e kopertinave mediale, depërtimet e ujërave të zeza në secilën rrugë e shesh me emra heronjsh, denigrimi i forcës familjare dhe duartrokitja që do ti bëhet asaj filozofie denigruese, duke instaluar e promovuar poshtërsinë miqësore para objektivit të kamerës si miqësi ideale, pastaj, dhuna, gënjeshtra, korrupsioni të cilat do të shndërroheshin në përfitime televizive duke i thyer dhëmbët forcës mendore për ti hyrë në palcën e kurrizit familjes shkencore, ky doli të ishte koncepti ideofilozofik i Mustafiqit. Shfaqje qe teatër i shtrenjtë përderisa peshon nga aspekti aktoresk, nga regjia, skenografia, kostumografia, muzika, ajo peshon si dekor i përgjithshëm përderisa secila hallkë ecën natyrshëm me rrjedhën e platformës regjisoriale. Shfaqja nga aspekti analogjik do të provokojë mendje, do të reflektojë njëherësh do të mishërojë para syrit magjik gjendje të tipit të orës policore, mbush kupën me mllef proteste, shkakton drithërima në adresë të audiencës dhe mbaron me fjalë shprese të ndërthurura me mjaltë ti hidhur.
Zhveshja
Nga perspektiva mizanskenike një tekst filozofik ku mendimi bashkë me fjalën kanë peshën e verdiktit popullor, regjisori nëpërmes platformës së tij do ta zhveshë "cipricullak" euforinë klasike duke verifikuar edhe një herë mentalitetin e tij prej një projektuesi, ose arkitekti të arenave spektakulare.
Ringu teatror, mikrofonat, kamerat, televizorët, janë realitet i arenave spektakulare botërore, publiku bashkë me aktorët janë lojtar të përbashkët, këto detaje teatrin do ta kualifikonin në një arenë televizive të përafërt me formulën e shiritit filmik.
Aktrimi
Aktrimi i Bajrush Mjakut ishte në shkallë përsosmërie. Ai tashmë ka përpiluar çelësin e kulturës skenike në raport me kërkesat e ringut të teatrit modern. Alban Ukaj, Adrian Morina një dyshe e mishëruar me gjestin, fjalën, interpretimin, të cilët administronin fuqishëm situatat dhe gjendjen e përgjithshme brenda dhe përtej ringut. Atraktiviteti i shfaqjes ishte dhe Arta Selimi e Fisnik Zeqiri në të kënduar, moderuar, dhe interpretuar. Po ashtu, Bislim Muçaj dhe Salaudin Bilalli ishin të mbërthyer ndjeshëm brenda kostumeve të tyre. Ndërsa, Ilire Vinca qe balanca e shfaqjes përderisa nxori në ring potencën e një gruaje dhe një nëne të fort, e cila, me interpretimin e saj qoftë edhe në të kënduar, do të përpij dhunën për ta mbajtur në këmbë kultin familjar. Ishte një nënë tipike boksere përderisa transmetonte forcë shprese në të kundërt mllefin, dhembjen, fëlliqësirat, me ujë do t'i laj, do ta shuaj zjarrin e saj të brendshëm, do të lajë amoralitetin çnjerëzor të bërë ndaj çikës dhe bashkëshortit të saj. Ringu njëherësh kënga qenë dy element bazë që e determinojnë shfaqjen të duket ndryshe në raport me gjithë rrjedhat teatrore. Kori përgjatë gjithë rrjedhës i dha dimension të jashtëzakonshëm shfaqjes, ndërsa monologët e inkorporuar nëpërmes ekranit në shfaqje me gjithë tendencën e mirë ngadalësonin procesin dhe dolën nga binarët e tiktakeve të shfaqjes. Marrë në tërësi, shfaqja "Armiku i popullit" e punuar nga dy shtëpi teatrore private, do të ngelet njëra nga shfaqjet më unike në raport me rrjedhat e teatrit modern.
(Autori është dramaturg, skenarist dhe kritik)