2013-12-07

Nga Prof. Dr. Zejnepe Alili – Rexhepi-Për librin “ Nimfa e një zemre të lënduar”, me autor Asllan Qyqallën



PËRMES ARTIT, PËRCILLET QARTË MESAZHI I ATDHEDASHURISË…



Vizioni ndaj botës krijuese, imagjinatës dhe përjetimit, të mbledhura tok në nënqiellin, ku bashkëvepron autori i librit: “Nimfa e një zemre të lënduar”(tregime e skica), Asllan Qyqalla të lë përshtypjen se frymëzohet prej emocionesh, të cilat mjeshtërisht e formësojnë strukturën kompozicionale të tregimit.
Teksa e mora dorëshkrimin e Asllan Qyqallës, sikur një parandjenjë më orientonte në personalitetin e autorit, me faktin që bën jetë artistike. Dhe, vërtet, në brendinë e prozave pikasa aftësinë krijuese të tij, si një ndërlidhje e pashkëputur me atë, që njihet “vetëdije e personazhit”, përmes të cilës kornizohet vetë jeta, që nga formimi intelektual e moral dhe, gjithashtu, formimi i vetëdijes kombëtare.
I ndarë në dy pjesë, pra tregime dhe skica, libri ofron gërshetim të bukur tematik, me shumë fraza të krijuara me shije artistike, përmes të cilave ngërthehet tharmi i jetës. Madje, vetë procesi i thyerjes së njësive tematike, kur nga tema erotike kalohet në atë sociale, meditative, pastaj në atë të atdhedashurisë. Sidoqoftë, në të fashiten vizione për një perspektivë të përgjithshme, në suaza të artit të shkruar.
Në disa nga tregimet, si bie fjala, ai që hap siparin e këtij libri të bukur, me titullin intrigues “Nimfa e një zemre të lënduar”, e pasuar nga “Nën pushtetin e stinës” dhe skica “Bukurinë ua vodhe luleve”, janë frymëzim i asaj ndjenje përndezëse, që gjithësecilit i bëhet flakadan moshe, që i ndrit ëndrrat rinore. Këto proza, janë ndësrthurur si një simfoni e bukur, melodia e të silës u ngjiz nga ëndje të pafundme të kopshtit edenik. Pra, në epiqendër vihet erotizmi, si një stoli delikate, siç është vetë femra. Poashtu, narracioni i dendur dhe dinamizmi i frazave në to, të lënë përshtypjen se brenda tyre ka një dell ftillimi prozash poetike.
Vijnë bukur, në këto proza, edhe disa shkëputje imagjinative, nganjëherë në formë kujtimesh dhe përcillen me dialog. Kjo gjë, zakonisht, përçon entusiazëm, ndonëse mund të jenë dialogje të paktë. Por ato arrijnë të të tërheqin në labirintin e leximit, që më pas të të joshin me stilin rrëfimor. Edhe këtu, herë-herë, ndodh alternimi i dialogut, teksa i lë vendin narratorit të nënkuptuar.
Libri “Nimfa e një zemre të lënduar”, pra, karakterizohet edhe me dukurinë e narratorit, i cili dukshëm është i përfshirë për lidhjet detajore, herë pas here, duke ia lëshuar vendin dialogut,iI cili e rritë intensitetin e veprimit dhe përqëndrimin e personazheve, që së bashku bëjnë pjesën e pandashme të ngjarjeve. Personazhet, gjegjësisht kryeheronjtë, megjithëse janë të paktë, ata e fosforizojnë veprën, për të mos krijuar imazhin se çdo gjë është e blertë, optimizëm me çdo kusht, do thoja, por përkundrazi, e ndjerë e reale, si sajesa, që logjikshëm e pleksin shtjellimin. Kështu, prozat: “Kalvar rrugësh” dhe “Në grafikën e shpirtit të një azilanti”, e reflektojnë shkathtësinë artistike, për të përçuar po emocione të veçanta përjetimesh edhe te lexuesi.
Tregimi “Një natë e acartë” dhe skica “Në grafikën e shpirtit …”, pasqyron sagën kosovare, mjaft tronditëse për botën e civilizuar dhe, mbi të gjitha, për bijtë e saj, brenda dhe jashtë atdheut. Në këto dy proza, sakrifica e shqiptarëve përshkruhet përmes një dhimbjeje të thellë, por të matur, veçmas në tregimin e cituar. Ajo, pothuajse, i përngjet përshkrimit tronditës të Janis Ricos, te vepra “E largëta”, ku kufomat e shpërndara gjithandej, flasin si statuja të heshtur. Pra, dhe tregimi i Qyqallës shpreh dhimbjen, ashtu të matur, ku megjithatë, të duket sikur mbizotëron pavarësia e heshtjes. Sepse, fundja, arti ka subtilitetin e vet, që nganj herë ngulmon të mbetet në konturat e ëndrrës dhe së bukurës.
Tëhuajësimi e dhimbja e individit, e përshkruar nga autori në tregimin “Një natë e acartë”, përafron mjaft me artin migjenian, në veçanti me një tregim të së njëjtës tematikë, “Bukuria që vret”, një konceptim i hollë për socialen, si gjendje reale e atdheut. Po, vallë, a mund të zhbëhen sot pamjet tronditëse të përshkrimit migjenian? Thjesht, është e pamundur, ato vazhdojnë të mbeten relikte të çdo kohe!
Proza “Në grafikën e shpirtit …”, e vë lexuesin para kulminacionit të konfliktit, aty ku do të duhej të gjendet zgjidhja e atyre njerëzve, që në ëndrrat e tyre e kishin sajuar parajsë, me një trajektore si: vendlindje – Igelheim. Ndërsa atje, ku i kishte shpënë udhëtimi pa kahje të sigurtë, ata gjetën vetëm lodhjen, përbuzjen dhe trishtimin për të nesërmen edhe më të pasigurtë. Kjo, në të vërtetë, ishte trajektorja e brengëdhimbjes së shqiptarit azilant. Përgjithësisht, prozat e Asllan Qyqallës i kanë të dyja pamjet, pikërisht, si vetë trishtimin dhe lumturinë e jetës, sfidat e të sotmes, për rimëkëmbjen e të nesërmes.
Po me një shpresë të fuqishme për jetën, për të ardhmen më të bukur, janë kompozuar skicat: “Se mos nga ti do marrë dikush mësime”, “Të kisha një vajzë si Mira”, “Vesa” dhe “Bija ime, na gëzo”. Gjithashtu, këtij sfondi tematik, mendoj se i përket edhe skica “Sikur të fitoja”. Në këto proza, heroina bartëse të ngjarjeve dalin kryesisht femra entuziaste, të cilat e luftojnë patriarkalizmin e mbetur në fshatrat e largëta të malësisë. Pavarësisht sfidave, ato nuk dorëzohen përpara barrierave të shumta. Prandaj secila prej tyre, qoftë Mira, Hava ose Vesa, dinë si ta ndryshojnë jetën në të mirë të tyre. E, me këtë, janë të vetëdijshme se do ta ndryshojnë mbarë shoqërinë shqiptare. Prandaj, me të drejtë, edhe autori i librit, si mbështetës i optimizmit të tyre, i koncepton ato si rreze dielli, që vijnë pas një dimri të acartë, sepse shpresa e tyre, dikur e largët, e paarritshme, ndonëse e vënë përballë pengesash të shumta, sa vjen e bëhet realitet.
Të gjitha këto shqetësime të autorit, A. Qyqalla, në parim, vijnë nga bota e çiltër e një krijuesi, i cili përmes artit përcjell mesazhin kuptimplotë e të qartë të atdhedashurisë, si shqetësim parësor i gjendjes, në të cilën ndodhet atdheu i tij. Dhe, realisht, ky është mozaiku i harkuar i një shpirti të ndjeshëm ndaj mallit për vendlindjen, nënën, lulet e zogjtë, ato që shumëkujt i japin lumturinë e pafundme. Prozat në libër ndërthuren prej mjaft metaforash, si figura më të spikatura, po shpesh edhe pyetja retorike e eksklamacioni, janë përdorur me sens, në disa skica.
E tërë vepra vjen si një grafikë, ku shpirti që bredh me kohën, ka ruajtur me shumë dashuri, frymëzimet e një moshe, përjetimet e veçanta të jetës, ku pasioni nuk ndrydhet nga bota shpërfillëse. Ky frymëzim shpërthyes, në veprën e Asllan Qyqallës, është i pritshëm, apo…? Mendoj se s’kishte si të ndodhë ndryshe, sepse shpërthimin ideo-emocional, që e sjell një frymëzim i fortë, një mall i patretur strukur skutave të shpirtit, nuk e ndrydh dot as përgjumja, madje as …ëndrra! Ai frymëzim, një ditë, mjeshtërisht jetësohet në prozë. Urojmë që po këto gjurmë, të prijnë në shpirtin e lexuesve, me botë artistike brenda tyre!
(Shënim: Autori i këtij libri është kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Naim Frashëri”, në Fushë-Kosovë. Recensent i tij është dhe Xheladin Mjeku)

Nga Xhafer LECI-BETEJA E LAVDISHME E KOSHARES DHE VRASJET E DYSHIMTA NGA PUSITË


U bënë 14 vjet nga vrasja e komandantëve legjendarë Salih Çekaj dhe Agim Ramadani. Flitet se dikush i vrau nga pusia në pabesi? Këtë s’mund ta besojë askush. Dhe nëse kjo është e vertetë, atëherë pse  nuk flitet haptazi. Pse heshtin shokët e tyre të luftës, të cilët ishin afër tyre kur u vranë!? Sepse është e pabesueshme që askush të mos dijë të vërtetën se si dhe në çfarë rrethanash janë vrarë dy komandantët më kryesorë të betejës më të lavdishme të luftëtarëve shqiptarë kundër ushtrisë serbe gjatë luftës së fundit, siç ishte ajo e Koshares. Dhe nëse janë vrarë nga pusia, shtrohet pyetja se kush i vrau. Ata që dinë më shumë për vrasjen e tyre duhet ta thonë të vërtetën ashtu siç ka qenë dhe pa ngurrim. Historia e një populli duhet të shkruhet drejt. Andaj u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë informata rreth mënyrës së vrasjes së S. Çekajt dhe A. Ramadanit ta thonë fjalën e tyre publikisht, sepse mbajtja fshehtë e të së vërtetës nuk sjell asgjë të rëndësishme në historinë e luftës së Koshares, përkundrazi e dëmton shumë atë, sidomos në aspektin politik të saj. Sa më gjatë që të heshtet e vërteta rreth këtyre aq më i rëndë do të bëhet kujtimi për këta dy komandantë të UÇK-së. Shpeshherë dëgjohet se Salihu është vrarë me një plumb në qafë prej një gjuajtje anash. Vrasësit, nëse janë shqiptarë, familjet e tyre u farofshin. Ata askujt nuk i kishin borxh, por dikush ua kishte frikën, se ata do mbeteshin heronjë e komandantë të gjallë. Disa ditë u festua epopeja e lavdishme e komandantit legjendar Adem Jashari. I ishte kënaqësi e nder i madh, por çuditërisht Salih Çekut askush nuk ia permendi emrin edhe pse të gjithë e dinin se Salihu ishte shokut i Adem Jasharit i orëve të para të luftës. Për këto dy vrasje në Koshare është më lehtë të zbulohen rrethanat se sa ato nga pusia e kolonelëve të vrarë Ahmet Krasniqit dhe e Tahir Zemajt, si dhe e shumë komandatëve dhe ushtarakëve tjerë. Pse është më lehtë, sepse në front kishte ushtarë të shumtë të cilët në ato çaste ishin pranë këtyre dy komandantëve legjendarë të Betejës së Koshares. Edhe të tjerët mund të flasin një ditë.
MË 1992 KOSAVA RIKOLINIZOHEJ
Serbët e sjell në Kosovë nga Shqipëria, Kroacia dhe Bosnja okupatori serb i vendosi në Baballoç të komunës së Deçanit. Kolonët e vendosur në këtë lokalitet të ndërtuar enkas për ta, të përkrahur nga policët serbë filluan që t’i rrahnin shqiparët vendas, deri në masën sa njëri prej tyre vdiq nga plagët e marra me thikë, ndërsa dy të tjerë u plagosen rëndë. Për këtë arsye në shenjë hakmarrjeje ndaj këtyre krimeve që filluan t’i bëjnë ndaj shqiptarëve, aksionet e para guerile kundër ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë i bëri Sali Çekaj, komandanti legjendar i UÇK-së bashkë me disa shokë të tij. Në ato akcione në stacionin policor serb u vranë dhe u plagosen disa policë serbë, por kurrë nuk është ditur numri i sakt i tyre, sepse serbët nuk tregonin kurrë për të vrarët në radhët e tyre. Kolonët serbë, pasi që njëri prej tyre ishte vrarë dhe disa tjerë u plgosen, filluan të mendojnë se aty nuk mund bëjnë më jetë të qetë dhe të lumtur, ngase filluan ta kuptojnë se ai ishte vend i huaj dhe se aty ishin sjellë me zor me porosi të pushtetarëve kriminelë të Beogradit. Në vitet e 90-ta, Salihu me shokë ishte, pra njeriu i parë që në mënyrë të organizuar futi  armë nga Shqipëria në Kosovë, të cilat më vonë gradualisht u shpërndanë në Dukagjin, Drenicë, Llap si dhe vende tjera të Kosovës.
”Këtu më poshtë po sjellim një pjesë nga libri i autorit Nimon Muçaj (f. 195-196) Për komanantin Salih Çeku, ish ushtari e tij Flamur Kajtazi sjell këtë kujtim: Po më kujtohet me një rast një armë që e patëm zanë këtu të okupatorit, e cila quhej 20 mm. Dhe e tërhoqëm prapa në këtë pjesën këtu. Vend më i sigurt. Dojshim me e pastrua. Filluem me e pastrue por na ishim ushtarë të rinj. Arritëm me e pastrue, por nuk mujshim me e montue taman për me e përdorë. Si më duket aq u mërzit komandant Salihu dhe nuk mujsha me paramendue se ka pasë merzi më të madhe se ate moment dhe shkoi të kolegët e tij Fadil Hadërgjonaj, Milazim Maraj të cilët ishin naltë atje. Kur erdhi më tha; çka u ba Istog, se Istog më quante ashtu. Çka po ta merr mendja se a asht gati për zjarr. I thash ma merrë mendja se u ba. Si sot e dij kur a kanë aty. A kanë një ulëse. E kam fillue me qitë atje. Nuk di çfarë gëzimi më të madh ka pas në jetën e vetë. Aq shumë sa nuk ua merr mendja juve as çdonjerit. Nuk kam pa njeri më të gëzueshëm se ate në ate moment, sepse ka qenë një armë shumë shumë e mirë. Ka arritë çdo vendi dhe caku, se çfarë caku ke pasë me ia qëllu, ajo e ka mbërri. Prej thyerjes së kufirtit ku kanë qenë në këtë pikë që quhet rrasa e Koshares. Salih Çekaj  përherë ka qenë në këtë pikën këtu dhe ai gjithmonë e ka vrojtuar vijën e frontit. Grykën e Botushës dhe pozicionet atje. Salih Çekaj, si te them se çdo levizje që asht ba dhe çdo veprim e ka pasur nën kontrollën e vet. Më kujtohet kur me dy kolegë të mi kam qenë i pozicionuem këtu në këte vend. Ai çdo herë na ka dhanë moral sa më të madh dhe sa më shumë. Ai çdo herë ka punuar me neve, jo na që jemi kanë ushtarë të tij, por si me thanë ai edhe vet si ne ka punuar me 12.7 mm. Më kujtohet mirë Salih Çekaj mu në këte vend. Vetëm unë jam konë me të. Kur erdhën dhe e kërkuen për ndihmë. Se kishin nevojë për te në Rrasë, atje naltë. Dhe po e pyes se isha vetëm unë me të. Dhe i thash; komandant çka me ba tash. Qysh me i ba? Kemi çka me ba boll. Tha, ti duhet të rrijsh këtu dhe nuk guxon asnjë shka me u ngjitë për grykë të Botushës. Çdo gja duhet me e pasë nën kontroll. Kjo pikë nuk guxon me u lëshue. Unë, tha po shkoi atje naltë dhe menjeherë kthehna. E dij si sot që ka pasë diçka tue ngranë. Më ka lanë aty dhe më tha; Flamur qeta asht për ty. E ka marrë armën qe e ka posedue. Në dorë armën dhe a nisë përpjet. Ndërkohë kam pritë me u kthye...Por...ma në fund komandant Salih Cekaj, por...nuk arriti. Kishra...Heshtje...Kushedi a thirri. Dëshmitarë ka e nuk ka?! Ndoshta thirri e thirri, sa ushtoi e gjithë bjeshka e Koshares der te Rrasa e Zogut. Gjeravica a dëgjoi? Pushka e tij habertare po jepte kushtrimin e lirisë. Por një thirrje tjetër tinzare bashkë me një plumb ia prenë udhën drejtë lirisë. Ishte pushka e armikut shekullor që qëllonte panderprerë në lulet më të bukura të Kosovës. Ajo pushkë e shtriu për toke Salih Çekajn. Përsëri zbrazje pushkës. Më në fund ai përsëri po bënte përpjekjet e fundit që të nisej drejt shokëve më këngë e me krisma si në luftë, se luftë ishte. Luftë për çlirimin e Kosovës. Pra, mbi Rrasën e Koshares disa plumba ia prenë udhën që e kish nisur tash e mbi 100 vjet edhe gjyshi i tij, kaçak mali. Salih Çekaj ra në vlugun e ecjes së tij drejt tokës së Kosovës që shihte më mirë se kushdo tjetër dritën e lirisë. Gjaku skuqi tokën e lirë. Jehuan bjeshkët, por gjëma e plumbave dhe mortajave nuk u ndal. Trimi kishte rënë përmbys duke përqafuar dheun e tij të ri e të lashtë. Ra me armë në dorë! Sa e kishte dashur armën? Gjatë gjithë jetës dëshironte të ishte me të bekuarën që të vriste vetëm armiq të këtij trolli. Në vendin ku ra heroi Salih Çekaj, lulet e zbukuruan bjeshkën dhe Rrasën e Koshares. Në rrënjët e gurit u poq pema e lirisë. Lejlekët u trëmbën dhe bashkë me shqipet sollën lajmin se një pranverë e re po lulëzonte në Kosovën e mbuluar nga tymi e flaka.”

Ryzhdi Baloku: Estetika e shkrimit dhe vlerat e mendimit filozofik

Nga krijimtaria eseistike e shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha


Nga: Ryzhdi  Baloku

Duke i lexuar shkrimet eseistike të shkrimtarit dhe publicistit Sejdi Berisha nga Peja, mund të konstatohet se krijimtaria e tij i ngjanë orkestrimit në filarmoni, ku ekzekutimi bëhet nga një numër i madh dhe i shumëllojshëm instrumentesh, me ç’rast çdonjëri prej tyre në kohën e duhur inkorporohet në partiturën e caktuar.

Shkrim me peshën e fjalës që dhemb,
që ndërgjegjëson, që trazon e vetëdijeson

Me qëllim të një vështrimi gjithëpërfshirës të eseistikes së S. Berishës, do t’i trajtoj radhazi shkrimet-ese të publikuara në të përditshmet kosovare dhe në mjete tjera të informimit të cilat i kemi vënë si objekt shqyrtimi.
Në këtë vështrim, sipas renditjes do të filloj me trajtimin esesë të publikuar me titulli provokues: “Lamtumirë shkrimet e mia …!”, që në fillim të bën të mendosh se autori ka rënë në një depresion apo në pesimizëm të thellë! Por, mesazhi i këtij shkrimi nuk mund të nxirret nga interpretimi i titullit, sepse, nga analiza e përmbajtjes shihet se ideja e shkrimit përçon një mesazh me ngarkesë të pasur kuptimore dhe filozofike. Këtë ese, autori e fillon me një diskurs të ndjeshëm poetik, për bulëzimin e jetës. Që në hyrje, krijon një imazh dhe na ofron stil gjuhësor të ngjashëm me atë të krijimtarisë letrare gojore, me ç’rast arrin ta krijojë një tablo dhe kronotopi të legjendës kur shkruan: “ … me rastin e lindjes sime, … ishin gëzuar edhe çatitë e shtëpive, edhe rrugët, edhe gurët e bjeshkët, edhe fushat e malet !  Kështu më pat thënë njëherë nëna ime, të cilën, o Zot, po aq shumë e kam dashur, edhe tash e dua.
…Por, ky gëzim nuk e di pse kishte qenë aq i madh për lindjen time?!… …Që nga ajo kohë, nëna më kishte ëndërruar… Kjo ëndërr dëshire e nënës, sikur menjëherë ishte futur në qenien dhe trupin tim, e cila për asnjë moment nuk më la të vetmuar por as të qetë, dhe u bëra ky që jam!…”.
Po kështu, me një gjuhë metaforike, autori nuk harron pa e përmendur edhe më të dashurin tjetër për ta arritur efektin psikologjik sublim në vazhdimin e ngjarjes.
Me një gjuhë të pasur idiomash popullore temën e këtij shkrimi, siç e potencon autori si “rrugëtimin dhe dhembjen”, e vazhdon në formë trilogjie me ngjarje prekëse, emocionuese, por edhe të trajtuar me tehun e kritikës, qortimit e përpjekjes për ndërgjegjësimin lidhur me dukuritë e ndryshme negative që hasen tek njerëzit apo tek një kategori e shoqërisë sonë, si në rastin konkret me vozitësin torollak apo siç thekson autori: “një të qeshur idiotësie të shoferit”, mandej për ndërgjegjësimin lidhur me ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë kombëtare, kur thotë: “ … Kështu, pas sa kohe, që më ka ikur motra; edhe përpara por edhe tash, ktheva tek varrezat që nuk ekzistojnë më, sepse, ne e kemi vergi të mos i ruajmë shenjat, gjurmët dhe dëshmitë tona ashtu si duhet, …”.
 
Sejdi Berisha, përmes një gjuhe të frymëzuar e poetike, thotë: “… Por, mirë është kur kënga të bëhet dhe mbetët shoqërues i përhershëm së bashku me lotin që përcëllon dhe që e shpon edhe tokën, i cili i rritë dhe e nxitë dashurinë dhe urrejtjen si binjakë…”.
Gjuhën metaforike autori e përdor me një mjeshtri të veçantë, dhe përmes shprehjeve figurative shumështresore arrin t’ia zgjojë ndërgjegjen lexuesit, sikurse në këtë pjesë të shkrimit që përkon me fjalën që shqetëson, me fjalën që trazon, edhe me vetë titullin e esesë, në kuptim të ecjes vertikalisht për ta shprehur qëndresën e mosdorëzimit me thënien: “…Kur të takohem, apo kur të arrij në këtë fundin që po shihet, as nuk kisha dashtë, por as nuk kam guxim për ta zgjatur dorën e “lamtumirës”, sepse, një varg poezie më është fshehur diku thellë në mua, i cili po m’i dikton shumë gjëra dhe gjithnjë më kërcënohet për t’i mos i thënë lamtumirë askujt, e më së paku shkrimeve të mia!…”
Në shenjë të ndërgjegjësimit shoqëror për të kaluarën dhe të tashmen, autori e vazhdon rrëfimin me shprehje të revoltës si në këtë rast: “Krahas shkollimit, shpirti gjithnjë më rebelohej nga padrejtësitë të cilat m’u kishin bërë tunxh në zemër e zjarr në mendje. Pakëz e “tradhtova” babanë për premtimet… , sepse, në shkollë çdo ditë një bust më dilte para dhe ma zinte frymën, kështu që një ditë e bëra copë e grimë. Këtë e bëra së bashku me shokun e bankës. Pasoi përjashtimi nga shkolla, pastaj lotët dhe dridhjet e babait për fatin tim, por edhe zotimi im sërish me betimin para plakut se do ta tejkaloj edhe këtë, e cila edhe u realizua ashtu….”, për ta vazhduar rrëfimin me një ton më të qetë por përsëri me një dozë mllefi për padrejtësitë e tashme: “Dhe, erdha ku erdha. Ku jam edhe tani. Punova, dhe mendja më thotë se arrita diçka. Shkrova e botova diçka, të cilat gjëra tani, sikur më duket se janë një hiq nga ajo çfarë kam dëshiruar t’ia dhuroj njeriut dhe kësaj toke…! Andaj, ja ku jam tani! Edhe tash rrugëtim i zorshëm, i mundimshëm, por që vertikalisht më mban vetëm familja ime, nderi e puna,…”.
Në këtë shkrim mbase edhe filozofik, S. Berisha vazhdon me përshkrim të rrjedhës së jetës me shpresë për të ardhmen. Mirëpo, siç dihet, bota nuk është tepsi. Është me kodra e bjeshkë, me befasi e shumë pengesa të cilat duhet tejkaluar, për ta përmbyllur esenë me një eveniment të rëndësishëm që ka të bëjë me veprimtarinë e tij krijuese prej dyzet vitesh.

Simbolika, ironia dhe rrugëtimi si katalizator jete e historie
 Në esenë me titull: “Pushimi në dhomën time, ose leximi i lumturisë që nuk ekziston …!” , autori ia nis shkrimit me “kohën” si një ndër vlerat më të çmueshme për njeriun, duke e marrë për sinonim “ikjen e trenit”, apo siç e thekson në këtë ese me shprehjen: “treni i trenave”, për t’ia filluar pastaj me histori.
Si në shkrimet tjera, edhe në këtë, autori përdor gjuhën figurative lidhur me një arketip të legjendës së Gurit të Vashës, e cila simbolizon sakrificën dhe atdhedashurinë. Ajo legjendë i bëhet frymëzim edhe për të tanishmen, andaj, në meditim thotë: “E ngulita shikimin tek një shkëmb, Guri i Vashës, i thonë. Në këtë rast, nuk desha të mendoj gjë tjetër pos dashurisë. Megjithatë, nuk zë vend as kjo. Para vetes shoh shumë shkëmbinj të tjerë, rrasa guri, pisha e pishnaja, të cilat më bëhet se pëlcasin nga marazi për historinë që kanë dhe, … ”, për ta vazhduar pastaj shpjegimin metaforik të ngjarjes me fjalët: “Tërë kjo i ngjan atyre faqeve të historisë, të cilat kur i lexon, të ngacmojnë …”.
Gjuhën figurative letrare, autori në këtë ese e vë në paralele me ngjarjet që therin, që e ngacmojnë zemrën dhe mendjen, që nga pyetjet e parashtruara të vejnë para shumë dilemave të cilat kërkojnë përgjigje.
Gjatë përshkrimit të ngjarjeve, ai formulon shprehje të ngritura poetike me ngarkesë të fortë emocionale dhe filozofike, si bie fjala në këtë rast: “… gjatë tërë kësaj kohe, sa mijëra e mijëra njerëz bëhen të lumtur vetëm me ëndrra e me shikim, …”, ose kur thotë: “…dikur të duken se janë sukses dhe punë. Sepse, me to pedatesh duke vrarë mendjen e duke gjykuar të kaluarën për të pasur kujdes për të tashmen,… edhe për të nesërmen! Ndalem, dhe sërish shikoj me siklet e ironi plot. …”, mandej mendimi tjetër: “…Kështu pra, ai çmimi i rrugëtimit ka ikur, apo e kanë vjedhur për të bërë karrierë rrenash e pafytyrësish…” për ta vazhduar monologun me fjalët: “…Kështu, të ikën edhe ai treni, ai treni i trenave. Ama bash ai treni i të gjithave. Pastaj, ngelesh pranë binarëve duke ngarë mendjen pas trenit, duke folur me binarë të cilët nuk flasin! Kurse, duke pritur fjalën e tyre, dielli e pritja të përcëllojnë e të kallin…! …”, për ta përfunduar shkrimin me fjalët: “Dua të them se e kuptoj rrjedhën e lumit, por të jetës, jo si të lumit… E, Ju… nuk e di…! ”.

Shëmtia dhe bukuria-mendim filozofik dhe mëkati i rrëfimit…

Gjatë leximit të esesë me titull:“ Mëkati i rrëfimit dhe simbolika e pikëpyetjes…! ”, mund të hetohet se ngjarjet përshkohen nga mendimi filozofik i autorit, sikurse edhe në shkrimet tjera të tij.
Në këtë rast, autori e nis rrëfimin me një pësim tragjik, nga koha shkrimit të esesë. Mirëpo, jo sa për ta evidentuar atë në kronikën e zezë. Ai, këtë ndodhi e shtjellon nga një tjetër premisë, siç thotë: “Hiç më tutje nuk do të komentoj, sepse,… kjo del si dardhë me bisht ! Por dua të them, se pikërisht tash, duke shkruar këtë fjali, mu kujtua shkrimi im dikur i botuar: “Oh, kah po shkojnë këta djem të ri”! E pra, kjo është si dardhë me bisht, apo edhe mëkat i rrëfimit…! ”. Autori, ngjarjet i trajton edhe me gjuhën e alegorisë duke i ndërthurë me mendime filozofike si më këtë rast kur shprehet: “Shëmtia dhe bukuria, janë dy gjëra si shoqe të pandashme. Si binjake! Por, për ta përqafuar të bukurën, duhet luftuar të keqen, të shëmtuarën,… E, për ta mbëltuar të shëmtuarën, patjetër se duhet shkelur e nëpërkëmbur të bukuren. Por kjo, si shumë përralla të tjera, është e gjatë dhe do mendjen e hollë për ta kuptuar e komentuar ”.
Duke i renditur ngjarjet njërën pas tjetrës, autori vazhdon me metaforën e jetës së një emri shumë të rëndësishëm të këngës shqipe që dikur i kishte dhënë një kontribut të çmueshëm kulturës shqiptare, për ta vazhduar këtë histori me fjalët: : “…me telefonatën që ma kishte bërë, më ktheu mbrapshtë dhe m’i detyroi shfletimet e rrugëtimit-trakullimë…”, në mënyrë që pastaj ta përmbyllë këtë kaptinë historike me një mendim filozofik autorial, si vijon: “Sa pamëshirshëm ecën jeta,… sa rrufeshëm mbyllen kapitujt dhe fletët e librit, ndonjëherë apo edhe shumë herë, pa i shkruar dhe as pa i lexuar ato…! ”.
Autori e rrumbullakon ngjarjen në këtë ese me mendime personale të stërholluara filozofike me fjalët: “ …sikur më thoshte: s’mund të më njohësh, jo ! Pra, nuk isha unë ai njeriu që dukej në pasqyrë. Thash vet më vete: më kurrë nuk do të shikohem në pasqyrë,… sepse ajo gënjen.” , për ta përmbyllur me një kolazh metaforik si vijon : “ …Edhe tash ngela kacavjerrë,… nga vetvetja! Pas tërë kësaj dhe pas shikimit në pasqyrë, në mbarim të këtij “kalërimi” të të shkruarit, mu imponua si përfundim përforcimi i pyetjes se, të gjitha këto “shkrola” që i bëra, a janë ato mëkat i rrëfimit apo simbolikë e pikëpyetjes?! Ndoshta, janë të dyja. Por, jo. As njëra as tjetra, nuk janë të vërteta. Do të përpiqem-i për ta gjetur se cila është e vërteta…! ” .

Forma specifike e metaforës dhe çelësi si simbol jete

Me vështrim të përmbajtjes së eseve të titulluara: “Studimi i vetvetes ose matja e jetës me hijen e mëngjesit …! ; “Pesha e hidhërimit dhe lotët e pedagogut …!”, vërejmë se autori në këto shkrime përdor gjuhë të pasur figurative, për ta begatuar strukturën përmbajtjesore dhe kuptimore, por njëkohësisht për t’ia dhënë asaj edhe dimensionin therës e sarkastik. Pos kësaj, mendoj se veçori e shkrimeve të këtij krijuesi, është edhe aplikimi i mendimit filozofik në dhënien e mesazhit, për çfarë e bën lexuesin të mendojë, të analizojë e pastaj të gjykojë.
Tek eseja: “Mëkati i rrëfimit, simbolika e pikëpyetjes dhe ora letrare në Valbonë…!”, mendja m’i pikati fragmentet:“ Dy vëllezër e sollën njëri-tjetrin përgjithmonë në gjumë!”, ku mandej autori i këtij shkrimi e fut lexuesin në meditim me fjalët: “Mendoni çfarë të doni dhe sa të doni, nëse mund t’ia qëlloni çelësit për ta hapur derën…!”, për ta vazhduar mendimin metaforik: “… çdo gjë u shkri në një. Çdo gjë u bë bashkë. Bjeshka me bjeshkë, dielli me hënën, fushat kodra, ndërsa, lumi Valbona u shndërrua në ujin i cili shëron plagë ”, mandej tutje vazhdon: “… si lak në fyt mu lidhen turpi dhe uria përnjëherë!”, për ta përmbyllur me mendimin filozofik: “… përrallë e gjatë edhe Ora letrare në Valbonë. Kush mund ta kuptojë…?! ”.
Këto meditime të poetit më shpijnë në botën e trashëgimisë tonë të pasur, në mitet e lashta kosmogonike për krijimin e botës, por njëkohësisht më kthejnë në realitetin e sotëm, në realizimin e ëndrrës tonë shekullore…
Pas leximit të përmbajtjes së esesë me titull: “Mallkimi i vetvetes dhe filozofia e heshtjes…! ”, vetvetiu mendja shkon tek libri i At Zef Pllumbit: “Rrno për me tregue”, dhe më këtë rast citati i fjalëve profetike të meshtarit të vjetër At Marin Sirdanit, drejtuar autorit të kësaj vepre me fjalët:“Zoti asht i madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, … Edhe kta do t’desin nji ditë, e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue. A e kupton ç’ka due me t’thanë ? …” .
Sipas mendimit tim, edhe në esenë “Mallkimi i vetvetes dhe filozofia e heshtjes…! ”, Sejdi Berisha, duke u thelluar në ngjarjet e caktuara të kësaj kohe gjakon që këto mos të bëhen pre e harresës. Nga vetë titulli, mund të hetohet se ai e përdor një koncept të veçantë të mendimit filozofik në diskursin e tij. Ai pohon: “… konceptin e fillimit me zemërim e hodha në shportë, … ”, në mënyrë që pastaj me një shkathtësi të veçantë e krijon efektin e kundërt për ta kulmuar sa ma fuqishëm hapjen e shtegut në portretizimin e ngjarjes, vijon me temë: “E mora atë letër të bërë me yndyrë … E vazhdova atë shkrim,…”.
Sejdi Berisha, në këtë shkrim, i shpalos ngjarjet me mjeshtëri, duke i shqiptuar me një gjuhë të pasur figurave dhe me domethënie të thellë filozofike, si në rastin konkret kur thotë: “ … më bëhej se jeta s’është gjë tjetër përveç se një letër e shkruar me gjithfarë ngjyrash, ..” për ta vazhduar: “ndodhitë e tilla, në të njëjtën kohë shpesh i ngjajnë tragjedisë pa akte, …”, pastaj: “…vdekja as nuk mund të jetë akti i fundit dhe as i fillimit, por as rekapitullim jete.”, ose: “ … turpin e njeriut s’ka kandar që mund ta matë… ” etj. etj., për ta përfunduar esenë me një mendim të fuqishëm të kësaj filozofie me fjalët: “ … ndoshta ka sy e vesh historia. Mirëpo,… nëse është e shurdhët ajo, atëherë,… a mund të vdes,… njeriu dhe historia?! Jo, more,… Të themi, kurrë…!”.
Shkrimet eseistike të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berishës reflektojnë botën e tij të pasur krijuese prej njeriut të veçantë dhe të sinqertë ndaj sfidave dhe përplasjeve të jetës dhe njeriut, duke begatuar mendimin fisnik dhe frymën e thellë filozofike.



FLISTE HESHTJA PËR TRAJTIMET MIZORE...!




Nga: Ryzhdi Baloku



Për të siguruar sa më shumë prova materiale rreth veprimtarisë së pjesëtarëve të ilegales, që kohë më parë ishin arrestuar dhe tashmë gjendeshin në paraburgim, milicia, sigurimi i shtetit, gjyqtari hetues dhe prokuroria publike e qarkut zhvilluan hetime intensive për disa muaj resht. Mbështetur në provat e grumbulluara të hetuesisë, me 6 gusht të vitit 1964 prokurori i këtij institucioni shtetëror Miro Matoviç ngriti aktakuzën e përbashkët për të dy organizatat ilegale, në të cilën mes tjerash shkruan: Të akuzuarit gjatë veprimtarisë së tyre ilegale ishin angazhuar me tërë potencialin posedues për ta rrënuar rendin kushtetues, me pretendim që Kosovën dhe trojet tjera në Jugosllavi që janë të banuara me shumicë shqiptare t’ia bashkëngjisin Shqipërisë.

Meqë sipas procedurave paraprake tanimë kishin përfunduar të gjitha përgatitjet përkatëse për mbajtjen e këtij gjykimi, kryetari i trupit gjykues e caktoi datën për nismën e seancës gjyqësore. Lidhur me këtë, edhe avokatët e palëve në procedurë u njoftuan me kohë, përmes ftesave që i morën brenda afatit të paraparë ligjor.

Kur deshi të nisë shqyrtimi kryesor i këtij gjykimi, korridoret e gjykatës u mbushen me milicë e udbashë. Nga numri i madh i njerëzve që ishte brenda dhe vapa e madhe që mbretëronte jashtë, në gjykatore ndjehej një zagushi prej të cilës zihej fryma. Ndërkaq te hyrja e kësaj ndërtese dhe rrugëve përreth vërehej një përqendrim i shtuar i milicëve të armatosur me pushkë e automatikë, e që një tendosje e tillë hetohej edhe në qytet.

Nga burgu në gjykatë, të akuzuarit u sollën të lidhur me pranga, nën përcjelljen e dyfishuar të milicëve. Ata ngarendnin njëri pas tjetrit në resht shkallëve përpjetë. Kur arritën në katin e epërm, kolona e tyre dukej e pafund në korridorin e gjatë që çonte kah salla e gjykimeve. Ndonëse të drobitur, të pandehurit përpiqeshin për të ecur pa u përkulur, edhe pse paraprakisht iu kishin thënë nën kërcënim se do të ndëshkohej secili prej tyre që nuk do ta mbajë kokën ulur me shikim teposhtë.

Nga përvoja e përjetuar më herët, dihej se të pandehurit trajtoheshin me fasha të lagëta e medikamente mjekuese disa ditë para se t’iu fillonte gjykimi, ngase nëpër procedura të tilla kishin kaluar edhe shumë tjerë s’i këta. Një gjë e tillë bëhej me qëllim që nga opinioni publik t’i fshihnin pasojat e torturave, megjithëkëtë nga fytyrat e vrenjtura të të arrestuarve që iu përshkonte një tis i ndritur së bashku me shoqërimin e ndonjë prej hijeve çivit të mbetura në mollëzat e disave prej tyre, fliste heshtja që tregonte se nëpër çfarë trajtimesh mizore kishin kaluar ata, gjatë periudhës së marrjes në pyetje.

Në sallën e madhe të gjykatores, të pandehurit i rreshtuan me nga një milic në mes, në rendin e parë të ulëseve. Përball tyre ishte renditur trupi gjykues i përbërë prej pesë anëtarësh, në krye të të cilit qëndronte Zhivojin Cvejiçi në mes, që ishte njëherësh edhe kryetarë i kësaj gjykate qarku në Pejë, ndërkaq përkrah tij rrinte ulur Ngazëllim Sarhoshi, i cili gjithashtu e mbante postin e kryetarit të gjykatës komunale në këtë qytet. Anash tyre nëpër karrige kapardiseshin me azgani gjyqtarët porotë: Shebek Boshkoka, Trajka Angjelkoviç e Serasqer Batakçiu si anëtarë të trupit gjykues dhe po ashtu procesmbajtësja Zorica Malikoviç, që ishte nëpunëse e kësaj gjykate.

Pasi që kryetari i këtij trupi gjykues e hapi seancën gjyqësore me një qëndrim prej vojvode, prokurori publik i qarkut Bozhidar Babiç si një serdar nisi ta shpalosë aktakuzën e ngritur nga kolegu i tij Miro Matoviç, e cila kryesisht mbështetej në procesverbalet e të pandehurve dhe dëshmitarëve të marrë në pyetje nga organet e sigurimit shtetëror, gjyqtarit hetues Novak Tajiç dhe vetë atij, për çfarë pastaj në përmbyllje të këtij leximi iu drejtua trupit gjykues me kërkesë që këto akte të të akuzuarve t’i kualifikojë si vepra të rënda penale.

Në parim, provat e paraqitura në këtë aktakuzë, nuk i mohuan as të pandehurit e pranishëm, por gjatë marrjes në pyetje, secili prej tyre që fliste, në përgjigje shtonin: Për ta stimuluar shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, ky regjim po ua mohon atyre të gjitha drejtat njerëzore, me qëllim që pastaj këto treva t’i kolonizojë me serbë e malazezë. Pos kësaj, secili i pandehur po ashtu sqaronte pa e fshehur synimin që e kishte pasur për çlirimin e të gjitha trojeve të okupuara nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, duke konsideruar këtë si një të drejtë universale që i takon çdo populli për të jetuar i lirë në shtetin e vet. Mirëpo të këto komente, ndërhynte kryetari i trupit gjykues me fjalë kërcënuese, se nuk do t’i tolerojë e as t’i lejojë që të flasin jashtë pyetjeve të parashtruara.

Meqë numri i të akuzuarve dhe dëshmitarëve ishte bukur i madh, gjykimi zgjati për disa ditë rresht.

Në ditën e përmbylljes së kësaj maratone gjyqësore, mbretëroi një qetësi varri. Të gjithë që ishin në sallë u ngritën në këmbë kur fjalën e mori Zhivojin Cvejiçi, kryetar i këtij trupi gjykues, i cili po ashtu ishte edhe violina e parë e orkestrës së koncertit të muzikës funebër që ekzekutohej nga UDB-ja jugosllave në krye me ministrin e brendshëm Aleksandër Rankoviç dhe xhelatët tjerë të udhëhequr nga partia komuniste. Të gjithë nga publiku u bënë sy e vesh për ta dëgjuar me kujdes shpalljen e këtij aktgjykimi, që nisi ta lexojë ai. Në gjykatore, fytyrat e familjarëve dukeshin të mpira, sikur të ishin para pushkatimit. Të pandehurit u shpallen fajtorë. Të gjithëve me radhë iu shqiptuan dënimet, që kryesisht silleshin në kohëzgjatje prej katër e deri në katërmbëdhjetë vite burg të rëndë, duke e llogaritur aty edhe kohën nga dita e arrestimit.

Kur trupi gjykues u tërhoq, familjarët nisen me dalë të kalamendur nga salla. Me fytyra të ngrysura, kolona e tyre ecte korridorit si një kortezh i përmortshëm. Me kokë të ngritur e çehre të vrenjtur Sokol Malësori ecte në mesin e njerëzve duke i lëvizur hapat ngadalë, ndërsa menjëherë mbrapa tij i shkonte mbas e reja Tringa në një gjendje kujtese krah përkrah me vjehrrën e saj Zojën, që në pamje shihej se nga pikëllimi zemra po i pikonte gjak. Përgjatë kësaj kolone, diku pak më tanë shihej edhe e shoqja Zekës - Nifa, e cila mezi mbahej në këmbë, e që e reja e saj Hana ia kishte vënë dorën nën krah me qëllim që ta ndihmonte për të ecur me lehtë, ndërkaq Petriti i cili ishte sugari i kësaj shtëpie, ecte avash para tyre me një pamje zemërimi.

Të nesërmen, sipas të dhënave nga agjencia e lajmeve “Tanjug”, mediumet shtetërore e bënë publike përfundimin e këtij gjykimi. Në tekstet e publikuara, radioja dhe gazetat kryesisht parafrazuan fjalët: “Grupet terroriste që vepruan kundër Jugosllavisë, i morën dënimet e merituara”.

Menjëherë pas këtyre publikimeve, si një lukuni ujqish që lëshohet mbi pre, strukturat e caktuara të Partisë komuniste dhe Lidhjes socialiste kaluan në ofensivë për t’i dhënë përkrahje pushtetit lidhur me këto dënime.

Kësaj lufte speciale psikologjike, e cila në Kosovë u përhap si epidemi, iu bashkëngjiten edhe organizatat tjera politiko-shoqërore.

Pos mbledhjeve të shpeshta që ato filluan t’i mbanin me strukturat e veta në çdo nivel, nëpër organizatat e Lidhjes socialiste të lagjeve, iniciohej izolimi dhe “leçitja” e të gjitha familjeve të të burgosurve politikë. Po ashtu u dha urdhër që institucionet shtetërore e publike, kooperativat e ndërmarrjet ekonomike të vihen nën kujdestari përnatë.

Me këtë rast, anëtarët e partisë komuniste u bënë vasalët më aktivë të UDB-ës, ndërsa e ashtuquajtura “milicia popullore”, intensifikoi patrullimet nëpër fshatra e lagje të qyteteve, sa që me veprimet e veta u ngjanin langonjve kur lëshohen në gjah.

Murat Gecaj -BISEDË PËR DY LIBRA TË VEÇANTË, ME MËSUESEN E PASIONUAR LUMTURI VLADI…

( Ose: “Zjushë Lumja”, përherë e rrethuar nga nxënësit e saj, me ngrohtësi dhe dashuri )


image


Lumja, ndërmjet nxënësve të dashur…


Kësaj radhe, dëshiroj t’i njoh lexuesit me një mësuese emërmirë, si për nxënësit dhe prindërit e tyre, nga kryeqyteti ynë Tiranë. Jemi takuar bashkë jo vetëm sivjet, në Panairin e 16-të të Librit, “Tirana-2013”, por edhe më parë, në Panairet e 14-të e 15-të të Librit, në shoqërinë e mjaft shkrimtarëve dhe poetëve të afirmuar. Ndër ta, ka qenë kolegu e miku ynë i përbashkët, Sadull Zendeli-Daja, nga Gostivari dhe që jeton tash afër 50 vjet në Suedi. Ky vetë ka botuar disa libra, me poezi e fjalorë etj.Por dhe për atë janë shkruar libra.…Atëherë, po përurohej libri “Dashuri engjëjsh”, të cilin e kishte përgatitur shkrimtari Skënder Hasko. Për të, aty foli edhe shkrimtari i njohur Bardhyl Xhama. Ndërsa, më pas edhe unë pata kënaqësinë ta përmendja në shtyp, këtë libër të një lloji tepër të veçantë. Prandaj, tani po zhvillojmë një bisedë të thjeshtë, si për kata dy libra, planet e Lumes për botime të tjera dhe, shkurt, për shumë vite të saj, në punën për edukimin dhe mësimin e brezit të ri.



1.Siç të janë drejtuar, me shumë nderim e respekt, breza të tërë nxënësish, po tëë them edhe unë kështu…Pra, “zjushë Lume”, a mund të na tregosh dicka më tepër rreth librit të parë, “Dashuri engjëjsh”, si lindi mendimi për ta hartuar atë, si u realizua botimi i tij dhe çfarë përmban?


-Ju falënderoj shumë për këtë bisedë, prof. Murati! Konkretisht, po u përgjigjem: Botimet e librave të mi kanë nisur fare thjeshtë. Kisha vite, që mblidhja shkrime nga nxenesit e mi. Ishte 7-8 Marsi i vitit 2007, kur po hyja në shtepi. Vjen një taksist dhe pyet të njohurën time për shtëpinë, se ku banoja. Me dashamirësi, ajo ia tregoi. Ai mbante dy buqeta me lule të freskëta në duar dhe, pasi m’u afrua buzagas, më përshëndeti. Sigurisht, e falëndërova dhe e përqafova me ngrohtësi. Ndërsa po hyja në shtëpi, drejtoresha e Shtëpisë Botuese “Toena”, Irena Toçi më pyeti se nga kush i kisha ato buqeta me lule, duke i cilësuar shumë të bukura.
Ndërkaq, padashur, më ranë përtokë disa kushtime. Ajo u përkul dhe i mori në duar. Nga kureshtja, i lexoi shpejt e shpejt. Në vijim, më pyeti nëse kisha të tjera krijime të tilla, nga nxënësit e mi. Ashtu siç qe fakti, iu përgjigja se numri i tyre ishte i shumtë. Me kaq, e përfunduam atë bisedë.

Dr. Myzafere Mustafa -Poetika dhe elemente mitike të përrallës arbëreshe

Dihet se përralla[1] është njëra ndër format më të rëndësishme dhe më komplekse të prozës gojore, këtë e kushtëzon universi i saj, pasuria tematike dhe motivore, struktura e konsoliduar kompozicionale, figurat e botës reale dhe mitike, aksionet e shumta dhe të papritura të heroit, gjuha simbolike, motivet e sublimuara etj. Të gjithë këta përbërës realizohen në një botën të pasur që është unike për përrallën e cila ka një kronotopi specifike, nëpërmjet të së cilës rënohen kufijtë hapësinorë dhe kohorë.

Duke qenë fryt i imagjinatës, përralla e zhvendos veprimin nga bota tokësore në botën qiellore dhe në atë nëntokësore. Në universin e saj mrekullitë janë të natyrshme, ndërsa magjitë janë rregull. Elementi mbinatyror si përbërës qenësor përfaqëson substancën, ligjshmëritë dhe frymën e saj. E mrekullishmja është element i veprimit dhe pranohet si e vetëkuptueshme dhe është shprehje e stilit abstrakt[2], e ideve të përrallës dhe modeleve përkatëse të universit të saj. Në përrallë veprojnë një sërë personazhesh, qeniesh mitike dhe mjetesh mitike të cilat atë e pasurojnë në planin sintagmatik dhe paradigmatik. Personazhe të përrallës janë njerëzit e rëndomtë apo edhe njerëzit me veti të trashëguara mitike, por edhe kafshët dhe qeniet e ndryshme mitike.

Heroi i përrallës vepron dhe është në marrëdhënie me antagonistët. Marrëdhëniet në përrallë ndërtohen sipas sistemit të opozitave (i mirë - keq, i veti - huaji, kjo botë- ajo botë ) , i cili sistem përbën botën e saj. Përveç heroit, në përrallë aktivizohen dhe veprojnë edhe qeniet apo figurat mitike, e që në përrallën arbëreshe kryesisht i takojnë arealit mitik kombëtar.

Ndër figurat mitike më të njohura të përrallës arbëreshe janë: fatazit, orku, brigandtë, e Bukura e jets, dragoi, burri i egër etj.

E Bukura e jets, është sinonim i të Bukurës së Dheut të përrallës shqiptare dhe të përrallës arbëreshe, pra nënkupton të njëjtën figurë. Ajo është simbol i të bukurës dhe i të përkryerës. Synimi i heroit për arritjen e saj shënjon realizimin e dëshirave dhe të idealit jetësor të tij, ndërsa kërkimi i saj shënjon hyrjen në peripeci, vështirësi, vetëmohim, formim të identitetit etj. Arritja te e Bukura e jets, përvetësimi i saj dhe martesa me të është simbolikë e integrimit të personalitetit të heroit dhe e ndërrimit të statusit të tij familjar dhe shoqëror.

Fatëzat janë figura mitike që në planin sintagmatik janë në funksion të ndihmësve, apo këshilldhënësve apo thënë me terminologji të Klod Bremonit, në funksion të aleatit.

Brigandtë, orku, dragoi janë në funksion të figurave antagoniste me të cilat ballafaqohet heroi. Në sistemin e opozitave i veti – i huaji; i mirë – i keq ; kjo botë - ajo botë, këto figura i takojnë pjesës së dytë. Këto qenie mitike jetojnë në botën tjetër, zakonisht në pyll, në botën nëntokësore por edhe në botën qiellore.

Bota tjetër ka konotim negativ meqë konsiderohet se në të jetojnë fuqitë e panjohura dhe forcat e papastra. Vetëm shtëpia për heroin e përrallës konsiderohet vend që konoton sigurinë, hapësirën e mbrojtur, ku nuk mund të depërtojnë forcat e panjohura.

Shtëpia është arketip universal i sigurisë së njeriut, pra edhe i heroit të përrallës. Takimi i heroit me qeniet mitike provokon dhe nxit ambiciet e tij për ta njohur botën e panjohur dhe për t’u ballafaquar me qeniet mitike, në mënyrë që ta zotërojë atë botë por edhe të ballafaqohet me problemet botës së vet të brendshme, në mënyrë që pas tejkalimit të peripecive të dalë i ndryshuar dhe i transformuar si në aspektin psikologjik ashtu edhe në aspektin e statusit social.

Në një sërë përrallash arbëreshe personazhe janë Vajza e Hënës apo e Diellit, Djali gjarpër apo Vajza gjarpër, apo Vajza me diellin apo hënëzën në ballë. Të gjitha këto figura kanë veti mitike. Mirëpo, figura të shpeshta të përrallës arbëreshe janë edhe Shën Pjetri, Shën Mëria, Shën Mikel Arkangjulli. Këto figura arketipe biblike në planin sintagmatik janë në funksion të aleatit, që ndihmon kryerjen e detyrave dhe të veprimeve të heroit të përrallës, ndërsa në planin paradigmatik dhe semantik janë pjesë e universit botëkuptimor të njeriut.

Tematika dhe syzheu i përrallës arbëreshe është pjesë e fondit të lashtë indoeuropian, prandaj edhe pjesa më e madhe e këtyre përrallave gjejnë vendin në indeksin e tipeve të syzheve të Aarne-Thompsonit. Por një gjë është me rëndësi të theksohet, se përkundër faktit se syzhetë e tyre i takojnë fondit ndërkombëtar të përrallës, ato në strukturën tekstore dhe kuptimore përmbajnë specifika të botës dhe të mendësisë të etnisë arbëreshe, të filozofisë, të etikës dhe urtisë popullore. Përkundër faktit se përralla nuk e preferon përcaktimin e vendeve dhe të personazheve, në përrallën arbëreshe hasen shpesh mbiemrat përcaktorë dhe pronorë, vashëz arbëreshe, katundth arbëresh, Kuvendi Frasnits, Sheshi Pulinit. Heroi emërtohet Kostandin, ndërsa heroina Rina etj., që në përrallë marrin kuptim përgjithësues, por të arbëreshët këta emra kanë edhe kuptim identifikues.

Rrëfimtari arbëresh i përrallës bën përpjekje që gjatë rrëfimit të brumosë edhe ndonjë detal që është specifik për arbëreshët, apo që shpreh veçori te jetesës apo të etikës arbëreshe dhe të botëkuptimeve dhe të filozofisë popullore. Kështu bie fjala në përrallën “Vajza e bukur e i biri i regjit “, pas takimit të vajzës (heroinës së përrallës) me të birin e regjit(mbretit MM) rrëfimtari bën këtë koment:

“ Nderi i nji vajzeje isht si nji pasqyre; edhe ahti e vren” Këtu rrëfimtari jo vetëm që është bartës i një tradite letrare gojore shumë të rëndësishme, por edhe komenton normat morale popullore.

Në përrallën “ Binoshet “ rrëfimtari e thotë këtë mendim nëpërmjet të heroit të përrallës kur ai rrezikon jetën e vet :

” - Ka rreziqe më te keqe se vdekja ! Ndo herë, njeriu fiton jetë të pasosme tue vdekur ; si te luftat për të mirë të vëndit, a për të mpruar të drejten, grat të grymosurit…Po këtu, bashk me jetën, humbet edhe nderi” .

Edhe pse përralla nuk i preferon komentet, këtu jo vetëm që nuk bie intensiteti i rrëfimit, por përkundrazi përralla fiton peshë si në rrafshin artistik ashtu edhe në planin etik dhe edukativ. Përralla këtu përçon mesazh të hapur se për arbëreshin mbrojtja e atdheut dhe vdekja për atdhe është barabartë me jetën e pasosme, përjetësinë .

Rrëfimtari i përrallës arbëreshe gjithnjë bën përpjekje të vërë në pah atë që është specifikë e identitetit kombëtar, meqë e ndien se po i rrezikohet ai identitet.

Edhe pse përralla si zhanër nuk i preferon përshkrimet detale, qoftë të gjendjes shpirtërore të heroit, qoftë të ambientit që e rrethon atë, megjithatë herë pas herë hasen edhe përshkrime shumë të qëlluara të bukurisë së personazheve, të gjendjes së tyre shpirtërore dhe të ambientit që i rrethon personazhet. Përshkrimet e tilla jo vetëm që nuk e lëndojnë strukturën e kodifikuar të përrallës, por e ngritin në nivelin e veprave me vlerë artistike. Epitetet dhe krahasimet e qëlluara ia rrisin bukurinë e përrallës arbëreshe. Kështu bie fjala përralla “ Vajza e bukurë e i biri i regjit “ ka këtë situatë hyrëse :

“ Një herë e një herë ish një bujar, që i kish tri bija . E madhja ish e zezë si nata, e dyta ish e zeshkë si mbrëma, e vogla e bukurë si mënata.

Si kishën faqën ashtu kishen edhe zembren. E para ish e ligë si murtaja ; e mesmëja ish e keqe si uria ; e treta ish e mire e e butë si një qëngjeze.

Në këtë situatë iniciale të përrallës rrëfimtari arrin disa qëllime, së pari me epitete të zgjedhura bën tipizimin e personazheve pjesëmarrëse në veprim, pamja e tyre e jashtme determinon jo vetëm karakterin e tyre njerëzor por edhe veprimet e mëtutjeshme.

Nga kjo situatë iniciale supozohet se motra më e vogël “ e mirë e e butë si një qëngjëze”, që në fillim do të jetë viktimë e dy motrave më të mëdha, e për pasojë do të jetë bartëse e veprimit, pra heroinë e përrallës. Dy motrat e mëdha do t’i shkaktojnë dëme motrës së vogël. Evitimi i dëmit do të bëhet shkas për hyrjen e heroinës në peripeci të shumta, të cilat do të ndikojnë në zhvillimin dinamik të veprimit të mëtutjeshëm.

Vlen të theksohet edhe një gjë që ka rëndësi për krijimtarinë letrare gojore e sidomos për përrallën, është kjo lashtësia e saj, meqë dihet letërsia gojore ndër të gjithë popujt e botës i ka paraprirë letërsisë së shkruar. Shumë nga popujt me kulturë dhe ekonomi të zhvilluar kanë arritur që krijimet letrare gojore t’i shënojnë apo edhe t’i botojnë shumë herët. Te ne shqiptarët fatkeqësisht krijimtaria letrare gojore është shënuar, dhe botuar vonë.

Një faktor që dëshmon lashtësinë e një krijimi letrar gojor shqiptar apo të një motivi të njohur ndërkombëtar është edhe elementi arbëresh i cili me vete mori edhe kulturën shpirtërore materiale që nga shekulli i XV, të cilën e ruajti me xhelozi deri në ditët e sotme. Kështu bie fjala shumë nga këngët për Skënderbeun dhe për bashkëluftëtarët e tij janë ruajtur më të plota te arbëreshët sesa ndër shqiptarët e viseve etnike, kështu ndodh edhe me disa përralla të cilat kanë motive të njohura ndërkombëtare. Ndodh bie fjala që disa përralla në viset etnike shqiptare të rrëfehen pak ose aspak e për pasojë të harrohen, ndërsa te arbëreshet vazhdojnë të ruhen dhe të barten brez pas brezi. Në këtë kontekst mund të flasim për përrallën me motivin e bukuroshes së fjetur e cila njihet ndër shumë popuj të botës. Kjo përrallë nuk haset të jetë shënuar në vëllimet e prozës popullore shqiptare të Tiranës as në përrallat e mbledhura dhe të botuara nga prof. Anton Çetta, mirëpo e hasim te Zef Skiroi me titull “Boshti “ subjekti i së cilës është rënia e bukuroshes në gjumë të thellë. Fatin e saj, pra rënien në gjumë të thellë në një periudhë njëqindvjeçare, e kishin përcaktuar Fatëzat me rastin e pagëzimit. Gjumi i rëndë do të pasojë, në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, (pra në moshën e pas pubertetit) pas therjes së saj në boshtin e tjerrjes së leshit.

Rënia në gjumë të thellë simbolizon fazën e kontemplacionit pas pubertetit e cila fazë shpie kah vënia e ekuilibrit shpirtëror, pas të cilit do të pasojë formimi i personalitetit të pjekur fizikisht dhe psiqikisht në nivelin më të lartë. Vajza bie në një gjumë të thellë dhe gjatë asaj kohe rreth pallatit të saj rriten gjemba të shumta që e bëjnë të pamundshme hyrjen në pallat. Gjatë tërë kohës shumë trima provojnë të arrijnë deri te e Bukura e fjetur, por nuk ia dalin dot. Pas kalimit të kohës të paracaktuar nga fatëzat vjen princi afër pallatit, gjembat hiqen vetvetiu dhe ai shkon te e Bukura e fjetur, arrin ta puthë atë dhe pason zgjimi dhe martesa e lumtur. Me atë rast zgjohen edhe të gjithë anëtarët e familjes dhe pjesëtarët e pallatit mbretëror.

Është kjo një përrallë me një simbolikë të pasur lidhur me formimin e personalitetit të fëmijës dhe kalimin nga faza e fëmijërisë në fazën e pjekurisë. Falë mbledhësit Zef Skiroi dhe mbledhësit dhe studiuesit Luca Perone kjo përrallë ruhet e shënuar dhe i bashkohet fondit të përbashkët ndërkombëtar të përrallave me këtë syzhe.

Përrallat arbëreshe kanë një strukturë të konsoliduar kompozicionale e cila kryesisht përkon me strukturën e përrallës shqipe por edhe të asaj evropiane. Struktura e saj e kanonizuar shihet nëpërmjet të veprimeve të personazheve por edhe nëpërmjet të sistemit modelativ të konsoliduar. Përmbajtja e pasur, tematika e larmishme, personazhet, figurat mitologjike dhe ato të religjionit përfaqësojnë një thesar të kulturës së traditës sonë letrare gojore përkatësisht arbëreshe. Gjuha specifike arkaike shqipe edhe pse e përzier me barbarizma është po ashtu një dimension me vlerë i krijimtarisë së letërsisë folklorike të arbëreshëve.




[1] Për këtë punim kam përdorur veprat: Giusepe Schiro, Canti Tradicionali Ed Altri Saggi Delle Colonie Albanesi Di Sicilia,Napoli, Stab. Tip. Luigi Pierro & Figlio, MCMXXIII dhe Novellistica Italo – Albanese, Testi orali raccolti dal Prof. Luca Perrone, Firenze Leo S. Olschki Editore, MCMLXVII.

[2]Stilin abstrakt të përrallës, e trajton studiuesi i njohur zviceran Max Luthi në veprën e tij Përralla evropiane

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...