2013-12-18

Kulmi i shantazhimit, nëse dërgon email me pyetje - përfundon në polici(Zëri)


Në Kosovë është bërë shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur që gazetarët ta bëjnë punën e tyre.
Dikur, në momentin që ata tentonin të hulumtojnë diçka më thellë për një temë të caktuar persona të ndryshëm do të “lëviznin gishtin” dhe me këtë çështje do të filloj të merret Prokuroria dhe Policia e Kosovës duke mos lënë që hetimet të shkojnë më tutje.
Përpos sulmeve nga ndërtues ilegal siç ka ndodhur të martën me ekipin e Kohavisionit, të njejtën ditë, një prokurore dhe Policia e Kosovës, dërgimin e një emaili me pyetje nga një gazetar e kanë konsideruar si “ngacmim”.
Brenda pak ditësh gazetari Visar Duriqi është marrë në pyetje vetëm pse kishte vendosur të shkruante për mediumin ku punon, gazetën Express.
Të martën, ai është intervistuar nga Policia me urdhër të një prokuroreje pse gazetari ka dërguar email me pyetje në drejtim të një zyrtareje të “Croatia Sigurimi”.
“Ky në fakt është keqpërdorim i të drejtave procedurale”, ka thënë Arianit Koci, avokat i gazetës Express.
Ditë më parë gazetari i Express ishte thirrur në gjysmë të natës për t’u intervistuar nga Policia e Kosovës pasi që u publikua një raport që Zëvendësguvernatori Lulzim Ismaljli po shantazhohet me anë të një videoje pornografike. Polica e Kosovës për dy ditë kishte vazhduar terrorin e sa ndaj Express, veprim i cili qe dënuar nga gazetarët dhe organizatat që mbrojnë të drejtat e gazetarëve.

Lumturie Blakaj & Besiana Xharra-Kosova e trazuar nga “MUP-ovcat” e Serbisë


Laura Hasani
Ish-policët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) të cilët e kanë sfiduar për vite të tëra shtetin e Kosovës, kanë filluar një trajnim dyjavor në Shkollën e Policisë në Vushtrri. Edhe pse ky proces për lidershipin kosovar konsiderohet historik, transformimi i tyre nga MUP-i në MPB konsiderohet shumë konfuz, madje një enigmë që nuk po zbërthehet.
Opozita kosovare, por edhe analistë politikë, këtë proces vazhdojnë ta shikojnë me dyshim rreth verifikimit të së kaluarës së këtyre ish-pjesëtarëve.
Edhe pse në qeveri thonë se të gjithë këta pjesëtarë kanë kaluar nëpër filtrat e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), prapë ka dyshime nëse kjo është e vërtetë, apo është frazeologji demagogjike politike.
Tashmë 17 ish-pjesëtarët e MUP-it kanë nënshkruar kontratat me Policinë e Kosovës dhe nga e hëna (dje) kanë nisur trajnimin në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri për siç është thënë, që të pajisen me njohuri lidhur me legjislacionin e Republikës së Kosovës, organizimin e brendshëm të PK-së, parimet dhe procedurat etj.
Por, më shumë se kaq, asnjë zyrtar i Kosovës nuk jep detaje lidhur me atë se si janë siguruar ata që këta policë me të vërtetë kanë të kaluar të pastër, dhe nëse të dhënat e tyre janë të sakta.
Agjencia Kosovare e Inteligjencës është përgjegjësi kryesor për verifikimin e të kaluarës së tyre. Edhe pse ditë më parë kreu i saj, Bashkim Smakaj, ka raportuar në Komisionin që bën Mbikëqyrjen e këtyre Policëve, duke thënë se çdo gjë e kanë nën kontroll, anëtarët e Komisionit vazhdojnë të mos jenë të sigurt për atë që është deklaruar.
Haki Demolli, anëtar i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, thotë se në bazë të informatave që disponon, struktura e MUP-it serb do të kyçet në Policinë e Kosovës, pa kurrfarë verifikimi paraprak të tyre.
Proces i ngutshëm dhe i turbullt
“Kemi informata se ata do të kyçen pa kurrfarë verifikimi dhe pa procedurën e konkursit”, tha ai. Demolli shton se sipas informatave që ka, policët serbë të MUP-it pasi që të pensionohen në MUP-in serb, menjëherë me lista zyrtarët pas një trajnimi disaditor do të jenë pjesë e policisë kosovare.

“Kjo është shumë shqetësuese dhe lë vend për dilema se në radhët e PK-së do të kyçen njerëz të paverifikuar që eventualisht dyshohet se kanë kryer krime, dhe aq më parë që kanë punuar dhe do të punojnë kundër shtetit të Kosovës”, tha Demolli.
I pasigurt për këtë proces, shprehet edhe zëvendëskryetari i komisionit, Fadil Demaku.
“Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e çështjes, ne nuk duhet të lejojmë që në institucionet tona për asnjë lloj pazari të përfshihen njerëz të cilët kanë të kaluar të dyshimit”, ka thënë ai, duke rikujtuar se është në përgjegjësinë e AKI-së që të bëjë verifikimin e pjesëtarëve serbë në PK.
Por, Bekim Haxhiu, po ashtu anëtar i këtij Komisioni nga radhët e PDK-së, thotë se opinioni po dezinformohet me deklarata jo të sakta, pasi që, sipas tij, AKI-ja është përgjegjëse vetëm për verifikimin e zyrtarëve të lartë, të atyre menaxherialë, që kanë qasje në dokumente sekrete të shtetit. “E për policët e thjeshtë përgjegjës për verifikimin e të kaluarës së tyre është Policia e Kosovës”, tha Haxhiu.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i kontaktuar nga “Zëri”, thotë shkurt se verifikimi u është bërë, por për detaje të mëtutjeshme është Policia e Kosovës ajo që jep informatat.
E zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, e konfirmon duke thënë se “17 pjesëtarët e ish-MUP-it serb, para nënshkrimit të kontratave me Policinë e Kosovës, i kanë parapri procesit të verifikimit të identitetit nga Agjencia e Regjistrimit Civil të MPB-së dhe të verifikimit të së kaluarës së tyre nga Policia e Kosovës dhe e EULEX-it”.
Por, njësoj si pjesëtarët e opozitës, edhe analistët nuk janë të prirë për t’iu besuar deklaratave të zyrtarëve shtetërorë. Ata shfaqin dyshime për të kaluarën e këtyre policëve serbë.
Përgjegjësit po i mbyllin sytë
Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se në çfarëdo forme duhet bërë verifikimi i secilit pjesëtar që synon të bëhet pjesë e Policisë së Kosovës. Megjithatë, sipas tij, ashtu sikurse po shkojnë gjërat, institucionet e sigurisë që janë përgjegjëse për verifikimin e secilit qytetar, po i mbyllin sytë karshi përfshirjes së pjesëtarëve të MUP-it në Policinë e Kosovës.
“Është e domosdoshme çështja e verifikimit të pjesëtarëve serbë në Policinë e Kosovës dhe të dihet e kaluara e tyre. Me nënshkrimin e kontratave u pa se institucionet tona po i mbyllin sytë karshi një procesi të tillë dhe se po i shkelin parimet kryesore të policisë që ka të bëjë me verifikimin e së kaluarës”, ka thënë ai.
Edhe analisti politik, Muhamet Kelmendi, shfaq drojën se inkuadrimi i serbëve në Policinë e Kosovës do të bëhet “bllanko” pa pasur verifikim të tyre.
“Në Policinë e Kosovës do të shohim çetnikë, shovinistë, njerëz të dhunës dhe terrorit, me njerëz që kanë vrarë civilë të pafajshëm gjatë luftës në Kosovë, me njerëz që kanë kryer veprimtari antishtetërore kundër Kosovës. Pra kemi të bëjmë me njerëz që duhet të ndiqen penalisht për krimet e kryera, kurse në anën tjetër vetë institucionet tona me vetëdije të plotë lejojnë inkuadrimin e tyre”, thotë ai.
Sipas Kelmendit, edhe kontingjenti i parë, por edhe në të ardhmen do të shohim inkuadrim tërësisht të pjesëtarëve të MUP-it serb në Policinë e Kosovës. Mosverifikimi i pjesëtarëve serbë në Policinë e Kosovës, ai thotë se është rrjedhojë e marrëveshjes së dëmshme që ka arritur kryeministri Thaçi me homologun e tij serb, Daçiq, më 19 prill të këtij viti.
Nga ana tjetër, politikanë serbë të Kosovës thonë se gjatë verifikimit të këtyre policëve duhet pasur parasysh Ligjin për Amnisti. Oliver Ivanoviq, politikan në veri të Mitrovicës, thotë se është Ligji për Amnisti që duhet të merret parasysh nga Prishtina zyrtare, edhe pse, sipas tij, verifikimi është i domosdoshëm.
“Normalisht që nëse këta pjesëtarë duhet shikuar nëse kanë qenë pjesë e krimeve të ndryshme, por është Ligji për Amnisti po ashtu që duhet të merret parasysh”, tha Ivanoviq për “Zërin”. Sidoqoftë, ai shton se procesi i integrimit të këtyre policëve në Policinë e Kosovës është duke shkuar shumë ngadalë. Ai merr shembull komunat në veri që kanë shumë pak policë, dhe se kjo krijon pasiguri në popull.
“Në Zubin Potok dhe Zveçan janë gjithsej nga 3, 4 policë. Çfarë sigurie mund të ofrojnë një numër kaq i vogël I tyre. Pra mendoj se ky proces duhet të shpejtohet”, tha Ivanoviq.
Ai po ashtu e sheh të panevojshëm dhe humbje kohe trajnimin që po u bëhet atyre.
“Duke pasur parasysh që ata kanë qenë policë, me përvojë të gjatë nuk po e shoh të arsyeshme tani një trajnim 2-javor, nuk e di sa mund të përfitojnë prej saj”, tha Ivanoviq.
Ligjin për Amnisti, Qeverisë së Kosovës ia ka kujtuar edhe kryeministri serb, Ivica Daçiq. Ai ka deklaruar se derisa është ligji që fal të kaluarën e tyre, pse duhet nënshtruar verifikimit të tyre.
Në anën tjetër, thuhet se do të jenë rreth 300 pjesëtarë të MUP-it serb që do të inkuadrohen në Policinë e Kosovës, sipas deklaratave të zyrtarëve serbë.
Por Qeveria e Kosovës ende nuk ka dalë me shifra të tilla. Inkuadrimi i ish-pjesëtarëve të MUP-it serb në Policinë e Kosovës është rezultat i marrëveshjes së 19 prillit mes Prishtinës e Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve.

Resmije Ballazhi-Kosova si Tanzania


Foto: Laura Hasani
Me gjithë nivelin e lartë të korrupsionit, organet ndjekëse janë treguar të paafta për ta luftuar këtë dukuri. Kështu është thënë të hënën gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.
Merita Mustafa, nga KDI, ka thënë se Kosova mbetet një ndër shtetet me një nivel të lartë të korrupsionit. Sipas saj, më të korruptuara janë gjykatat dhe partitë politike, pastaj vjen shëndetësia, administrata publike, dogana dhe prokurimin publik, ku është forma më e shpeshtë e pasurimit të zyrtarëve të lartë.
“Më 3 dhjetor organizata Transparency International, ka publikuar indeksin e perceptimit të korrupsionit i cili Kosovën e tregon si një ndër shtetet me një nivel të lartë të korrupsionit, ku ne qëndrojmë keq edhe me rajonin, përpos me Shqipërinë që është në një situatë pak më të rëndë se ne. Ne vazhdojmë të krahasohemi me një grup të shteteve që janë shumë të largëta, siç janë: Nigeria, Etiopia, Tanzania, Egjipti”, ka thënë ajo.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, ka treguar se gjykata po përballet me një numër të madh të lëndëve të vjetra nga të cilat kanë arritur që vetëm 62 për qind prej tyre t’i zvogëlojnë.
Edhe Besim Kelmendi, Prokuror në Prokurorinë Speciale, u ka bërë thirrje të gjithëve që të punojnë sa më shumë në këtë fushë që të arrijnë deri te luftimi i korrupsionit.
Ndërkaq, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se janë disa aspekte që duhet analizuar te lufta kundër korrupsionit në Kosovë.
“E para kompetencat ekskluzive të EULEX-it për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në të cilën sferë ka dështime të mëdha. Dhe e dyta te përgjegjësitë e institucioneve vendore, përfshirë ekzekutivin dhe legjislativin, që bëjnë politika dhe miratojnë ligje dhe pushtetin gjyqësor, i cili duhet t’i zbatojë ato politika dhe ligje”, ka thënë ai.
Edhe Avni Zogiani, nga organizata “Çohu” ka thënë se EULEX-i nuk ka funksionuar asnjëherë në asnjë rast të rëndësishëm.
“Si është e mundur që në asnjë rast të rëndësishëm EULEX-i nuk ka funksionuar. Nuk do të funksionojë asnjëherë derisa Kosova do të ketë negociata, sepse të njëjtit zyrtarë bëjnë shtëpi me ka 2000 metra katrorë, të njëjtit zyrtarë të cilët familjarët e vet i kanë shndërruar në milionerë brenda një mandati, të cilët bëjnë ndërtime pa leje, kanë disa kompani”, ka thënë ai.

Dafina Kabashi-“Jeta e re” ruan frymën e letërsisë elitare


Dhjetori i këtij viti, i ftohtë si edhe herëve të tjera, ka sjellë numrin më të ri të revistës letrare “Jeta e re”. E mbushur me prozë, poezi, dramë, kritikë, intervista, etnos dhe me rubrikën e veçantë “Dossier”, revista me 400 faqe në numrin e saj të tretë për këtë vit, i ofron ngrohtësi çdo lexuesi të saj.
Kryeredaktori i “Jetës së re”, Agron Gashi, ka treguar për “Zërin” se në këtë numër janë publikuar më shumë autorë dhe tekste, nga letërsia botërore dhe shqipe. Duke folur për përmbajtjen e revistës, ai ka treguar se çfarë e karakterizon rubrikën e prozës.
“Për adhuruesit e prozës kemi zgjedhur nobelistin Isaac B. Singer me njërin nga tregimet e tij antologjike, ndërsa për herë të parë në shqip vijnë edhe dy tregime të Bukowskit”, ka thënë Gashi. Përveç tyre, ai ka thënë se do të ketë edhe prozatorë shqiptarë, derisa ka përmendur emrat si Ardian Klosi, Lazër Stani, Kujtim Rrahmani, Rudi Erebara dhe Ragip Sylaj.
Poetë të huaj e shqiptarë edhe kësaj radhe e pasurojnë rubrikën e poezisë të “Jetës së re”, duke u sjellë lexuesve tema, motive, ide e stile të ndryshme.
“Redaksia është përkujdesur që lexuesit të saj t’i ofrojë poezi dhe cikle poezish nga autorë të huaj si: J. T. Gillet, Pier P. Pasolini, Tom Philips, për t’u shoqëruar nga poetët shqiptarë: Eqrem Basha, Visar Zhiti, Agim Vinca, Haxhi Vokshi e Blerina Rogova-Gaxha”, ka treguar Agron Gashi.
“Jeta e re” ka edhe dy rubrika të tjera, që janë intervista, që sjell nobelisten e këtij viti Alice Munro, dhe rubrika “Dossier” në të cilën sjell shkrimtarin dhe eseistin e njohur Claudio Magris i cili prezantohet me katër tekste në prozë, njëri prej të cilëve është shkëputur nga kryevepra e tij “Danubi”.
Rubrika e kritikës, nis me autorët Cl. Pichois dhe A. M. Rousseau. Pastaj është një studim për çështje të referencës tekstuale nga Linda Hutcheon, dhe studiuesi francez, Paul Van Teighem, me një studim teorik nga komparativistika. Me esetë dhe interpretimet e tyre janë prezantuar autorë si: Abdulla Tafa, Muhamet Hamiti, Zija Çela, Xhavit Alickaj, Edmond Çali e tjerë.
Adil Olluri, redaktor i revistës “Jeta e re”, ka thënë se viti 2013 ka qenë i suksesshëm për revistën, ngase, sipas tij, ajo ka arritur të ruajë frymën serioze të një letërsie elitare, me të cilën identifikohet.
“Në tre numrat e këtij viti kemi botuar krijime të veçanta me vlera të mirëfillta letrare, si nga letërsia botërore, po ashtu edhe nga ajo shqiptare”, ka thënë Olluri. Ai ka treguar se këtë vit janë përpjekur t’i botojnë një sërë krijimesh të shkrimtarëve e studiuesve të gjeneratës së re, të cilët përmes revistës “Jeta e re” dalin në pah dhe po mirëpriten nga opinioni letrar. Ai ka thënë se “Jeta e re” është një storie e suksesit në Kosovën e vitit 2013.
Revista letrare “Jeta e re” financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kajtaz Gecaj:Spitali verior me mjekë të Beogradit


Spitali Rajonal në veri të Mitrovicës, i cili udhëhiqet vetëm nga serbët dhe nuk ka madje të punësuar asnjë shqiptar, do të ndihmohet nga mjekë të VMA-së (Akademia Ushtarake Mjekësore) së Beogradit, sipas një marrëveshjeje që kanë nënshkruar kryeshefi i VMA-së, dr. Marijan Novakoviq dhe drejtori i përgjithshëm i Spitalit Rajonal në veri të Mitrovicës, dr. Millan Ivanoviq.
“Në shumë raste, ekspertë të VMA-së kanë ardhur këtu në Mitrovicë, sidomos mjekë që na mungojnë. Marrëveshja është lidhur me kryeshefin e VMA-së, dr. Novakoviq dhe tani ekziston mundësia që mjekët e VMA-së të vijnë në Mitrovicës në masën sa ajo të jetë e nevojshme, por të paktën një herë në muaj”, ka thënë Ivanoviq, të hënën.
Ai ka sqaruar se do të vijnë mjekët që mungojnë në SR veriut, por ka mundësi edhe për dërgimin e pacientëve në VMA, por edhe të kuadrove për t’u specializuar në këtë institucion shëndetësor. Ivanoviq shtoi se deri te ky bashkëpunim i rëndësishëm në interes të qytetarëve dhe të pacientëve, ka ardhur falë mirëkuptimit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë dhe Zyrës për Kosovën. Ivanoviq precizoi, se bazuar në këtë marrëveshje, me 26 dhe me 27 dhjetor, në Spitalin Rajonal në veri do të vijnë nga 2 endokrinologë dhe kardiologë, si dhe një hematolog nga VMA-ja.
Drejtori Ivanoviq, ka shfrytëzuar takimin me gazetarë për të dhënë disa statistika për vitin 2013 për Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Sipas tij, në Repartin e Gjinekologjisë janë lindur 20 për qind më shumë fëmijë se në vitin 2012. Sipas tij, në vitin 2013 kanë ardhur në jetë 752 foshnje, ndërsa në vitin 2012 ishin kryer 664 lindje.
Ivanoviq ka theksuar se Spitali Rajonal i veriut duhet të mbetet pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë.
“Ne mund t’u japim trajtim dhe mbrojtje shëndetësore banorëve vetëm në këtë mënyrë, si pjesë e sistemit shëndetësor të Republikës së Serbisë. Gjithçka tjetër do të thoshte pamundësi e mjekimit këtu, do të thoshte shkurtim i një prej bazave kryesore të të drejtave të njeriut dhe spastrim etnik”, ka thënë ai. 

1721 shqiptarë të zhdukur

Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore,kohë më parë në rrjetin social Facebook  tha se nuk është sukses vetëm numri i të zhdukurve , por ka plane ditore dhe javore që bëhen për të zhdukurit në Kosovë.
“Pothuaj çdo mëngjes niset ekskavatori për të gërmuar në lokacione për të zhdukurit në Kosovë, por në të shumtën e rasteve kjo punë bie ngase lokacioni del i rrejshëm.

Ai ka fajësuar institucionet qeveritare që nuk po bëjnë sa duhet për ketë çështje, duke vlerësuar se puna e tyre është me shumë politike dhe procesi për të zhdukurit varet nga puna e tyre.

Zbulimi i një varreze masive në Rashkë të Serbisë ku mendohet se janë varrosur qindra trupa të shqiptarëve të Kosovës, ka nxjerrë në pah kërkesën imediate të familjarëve të të zhdukurve, por edhe organizatave të tjera vendore, që çështjen e të pagjeturve ta shtrojë në bisedimet e Brukselit. Madje kjo çështje konsiderohet më parimore sesa bisedimet për konvertimin e MUP-it në Policinë e Kosovës.

Për këtë varrezë, ku janë betonuar 250 deri në 400 trupa shqiptarë, duhet të diskutojë edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së, e jo në bisedimet e Brukselit, konsiderojnë familjarët. Madje ata akuzojnë Qeverinë e Kosovës se nuk po bën zë në këto çështje, madje e ka shtrirë qafën karshi presionit të Beogradit.

Dy ditë më parë është zbuluar varreza masive, në Rudnicë afër Rashkës në Serbi, ku janë gjetur mbetje mortore: rroba dhe eshtra të viktimave të vrarë nga lufta e fundit në Kosovë.

Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës, thotë se jo një herë, por disa herë kanë kërkuar nga Brukseli që në tavolinë të bisedimeve të shtrohet edhe çështja e të zhdukurve, por ajo që kanë marrë janë premtime. “Disa herë e kemi kërkuar që në Bruksel të diskutohet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Na është premtuar se do të jetë në tavolinë të bisedimeve”, është përgjigjja që ka dhënë për Kuçi.

Por, jozyrtarisht gazeta nga burimet e saj në Bruksel ka mësuar se kjo çështje nuk do të jetë temë që do shtjellohet në nivel ndërkombëtar. “Tash për tash nuk dihet edhe nëse do të ketë tema të reja në Bruksel. Fokusi mbetet vetëm tek implementimi i marrëveshjes së 19 prillit, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Dhe më tutje do të jenë qeveritë ato që do merren direkt me temat e tjera”, tha ky zyrtar në Bruksel.

Se fokusi i Brukselit tani është vetëm marrëveshja e 19 prillit e thotë edhe Maja Kocijanqiq, zëdhënëse e baroneshës Catherine Ashton. “Siç mund ta shihni, fokusi tani është implementimi i marrëveshjes së prillit”,

Nysrete Kumnova, kryetare e shoqatës “Thirrje e Nënave”, kritikon Brukselin që më shumë është i interesuar që të plotësojë kushtet e Serbisë, të njerëzve që bënë krime më të rënda, se sa të zbulojë fatin e të pagjeturve. Ajo kujton ditën kur u gjet kjo varrezë, të njëjtën kohë Thaçi e Daçiq po shtrëngonin duart në Bruksel për tema që shkojnë në interes të Serbisë, dhe këtë ajo e quan shumë poshtëruese.

“Ne po duam që të qetësohen shpirtrat e familjeve të të zhdukurve. Të heqim ankthin, kemi humbur njerëz e jo kafshë”, u shpreh ajo. Kumnova tha se tema e të zhdukurve do duhej të ngrihej jo vetëm në Bruksel, por edhe në nivel më të lartë, atë të Këshillit të Sigurimit.

Nga ana tjetër, Behxhet Shala, nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, thotë se mënyrën se si po përpiqet Brukseli të normalizojë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, në fakt nënkupton që të harrohet e kaluara, duke i qitur në heshtje personat e zhdukur, krimet e luftës, dëmet e luftës të gjitha këto, që realisht ish dashur të jenë tema kyçe të Brukselit. “E në këtë mënyrë nuk ka shanse që të ndërtojnë të ardhmen, vetëm do të mbetet peng. Normalizimi politik është zgjidhje e përkohshme”, tha Shala.

Luigj Ndou, zyrtar politik për Kosovë në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur, thotë se për ata nuk është me rëndësi a ngrihet kjo temë në nivel ndërkombëtar apo jo, vetëm të ketë rezultate







Dhimbja dhe ankthi janë rizgjuar, ashtu si në ditën kur forcat serbe ua morën nga duart fëmijët, burrat, baballarët, nënat, vëllezërit, e motrat... Foto të vendosura në mure, kujtime për ta që ripërsëriten në çdo ndejë familjare, por jo varre, apo shenjë nga trupat e tyre, është tabloja e të pagjeturve në Kosovë. Mbi dymijë familje në Kosovë vazhdojnë të jetojnë nën ankthin se trupat e kujt do të identifikohen në varrezën masive të gjetur në Rashkë të Serbisë.

“A thua janë tanët, apo nga ndonjë komunë tjetër”, është refreni që përsëritet në çdo familje që ka anëtarë të zhdukur gjatë luftës e të pagjetur pas mbarimit të saj në Kosovë. Pesëmbëdhjetë vjet pas luftës, familjarët shprehin mllefin e tyre ndaj institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare, të cilat sipas tyre nuk bënë aq sa duhet për të gjetur të zhdukurit, kurse bisedimet me Serbinë i quajnë “gozhdë në shpirtin e tyre”.

1721 shqiptarë të zhdukur

Është e enjte, 12 dhjetor, ora 13:30, ende nuk është marrë vesh se në Rashkë gjendet një varrezë masive me trupat e shqiptarëve. Në zyrat e shoqatës “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, kuja ka zënë vend në mesin e nënave prezentë aty dhe anëtareve të shoqatës. Zemrat e nënave sikur kanë parandier se një lajm i kobshëm po vjen te to.

Shumë shpresuan se bijtë i kanë gjallë. Ende nuk ka vdekur te disa ajo shpresë... Gjysmë ore më vonë, kryetarja e kësaj shoqate, Nysrete Kumnova, teksa niset për në shtëpi, merr një telefonatë nga kabineti qeveritar i Kosovës se një varrezë në Rashkë është identifikuar, por nuk dihet se eshtrat e cilëve të zhdukur janë. “Lajmi për gjetjen dhe për hapjen e vendit në Rashkë- Serbi, ka qenë shumë i rëndë për familjet dhe shumë i dhimbshëm”, thotë Kumnova se në anën tjetër është mirë të dihet se shqiptarët nga kriminelët serb u vranë si të pafajshëm për t’u hedhur e mbuluar me gur e asfalt trupat e tyre në Rashkë të Serbisë, që të zhduken gjurmët e krimit.

Kumnova thotë se janë 1721 shqiptarë që figurojnë të zhdukur gjatë luftës dhe të pagjetur. Në mesin e këtyre shqiptarëve ajo ka edhe birin e saj të vetëm Albionin. Për të e ka më vështirë të flasë, dhe zëri i saj fillon të dridhet, kurse dhimbja i shtohet nga heshtja e madhe e institucioneve të Kosovës....

Engel: I thash Facebook-ut ta njohin Kosovën


“Secila ditë e punës sime më lidhë me Kosovën, qoftë me ligjvënës të tjerë, qoftë me ambasadorë vendesh të ndryshme me qëllim të forcimit dhe zgjerimit të njohjeve ndërkombëtare të saj”, u tha shqiptaro-amerikanëve kongresisti amerikan, Eliot Engel, përfaqësues i shtetit të New York-ut tash 24 vjet në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan.

Sulejman Gashi - New York

Engel, nën organizimin e gazetës Illyria, mori pjesë në një takim-darkë me disa veprimtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan në “Restaurantin Joseph’s” në Wall Street në New York, në një nga takimet mbështetëse për fushatën e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Mandati i kongresistëve amerikanë është vetëm dy vjet dhe ata pothuajse gjenden gjithmonë në fushatë rizgjedhjeje.
Engel: I thash Facebook-ut ta njohin Kosovën
Engel tha se krenohej që Rrjeti social Facebook përfundimisht kishte njohur edhe shtetin e Kosovës duke e vënë në hartën globale të shteteve ndërkombëtare. “Ajo që më bënë krenar në punën time të gjatë është edhe çështja shqiptare dhe në veçanti Kosova për të cilën fillova të interesohem që nga viti 1989”, tha Engel.

Kongresisti amerikan do të jetë një nga mbështetësit më të fuqishëm dhe do të bëhej një avokat i palodhshëm përgjatë dy dekadave të fundit i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Engel foli edhe për angazhimin amerikan dhe rolin udhëheqës të Washingtonit në ndërhyrjen ushtarake të NATO-së derisa fliste për gjendjen e rëndë dhe luftën afër tri vjeçare në Siri.

“Më 1999 Kosova ishte me fat,” tha Engel. Ai shtoi se sot bota shqiptare në Ballkan ka ndryshuar politikisht dhe ekonomikisht dhe ky ndryshim sipas tij ka ndodhur edhe falë angazhimit të komunitetit shqiptaro-amerikan.

“I thash Facebook-ut se Kosova ishte një shtet legjitim, i njohur nga më shumë se 100 shtete”, tha Engel duke cituar deklaratën e tij të botuar të enjten në gazetën The New York Times lidhur me angazhimin e tij që Facebook ta njihte Kosovën si shtet të pavarur.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...