2014-06-12

Drejtori i zyrës së Brukselit për fondacionin gjerman “Shkenca dhe Politika”Dushan Reljiç: Hashim Thaçi duhet t’u afrohet opozitarëve për të mbajtur pushtetin


Dushan Reljiç
DW: Tri parti opozitare, LDK, AAK dhe Nisma bashkohen në një koalicion për të pasur mazhorancën e nevojshme me kryeministër Ramush Haradinajn, ndërkohë që fituesit pa mazhorancë të zgjedhjeve Hashim Thaçit e koalicioni t të tij i duhet njëri nga këta partnerë për të mbajtur postin e deritanishëm të kryeministrit. Kishit llogaritur me një zhvillim të tillë?
Reljiç: Një gjë është e qartë: Partitë opozitare duken të vendosura të pengojnë qeverisjen e mëtejshme të zotit Thaçi. Kështu që është kryeministri Thaçi, ai që duhet t'u afrohet tani atyre, për të mbajtur së paku një pjesë të pushtetit, dhe ndoshta të ketë edhe ca mbështetje, në rast se këtë verë ndodh që kundër tij ngrihet akuza në lidhje me krime lufte në vitin 1999. Por në fund të fundit, si gjithmonë në rajon, janë ndikimet nga jashtë ato, pra qëndrimi i shteteve perëndimore që do të luajnë rolin më të madh në këto zhvillime.
DW: Po në rast se Kosova do të kishte ndryshime në qeverisje, si do të vazhdohej me fatin e dialogut më tej me një kryeministër të ri, në këtë rast Haradinajn? Dihet që Thaçi akuzohet nga grupi opozitar për lëshime ndaj Serbisë, megjithëse marrëveshja e mirënjohur e prillit (2013)vetëm pjesërisht është jetësuar...
Reljiç: Duhet thënë se megjithëse Haradinaj është lënë i lirë dy herë nga Tribunali Ndërkombëtar për krime lufte për ish-Jugosllavinë, për shumicën e palës serbe, ai nuk është një pjesëtar i pranueshëm në procesin e dialogut. Qeveria në Beograd do ta ketë edhe më të vështirë të ulet me Haradinajn në tavolinën e bisedimeve, se sa me Thaçin. Mosbesimi i dyanshëm mbetet ende shumë i madh. Do të jetë më e nevojshme rritja e presionit perëndimor, me qëllim që të arrihen rezultate në procesin e negociimit.
Megjithë fitoren e Thaçit pa mazhorancë apo pavarësisht se kush qeveris, - Thaçi premton rritje rrogash 25%, opozita premton kthesën e madhe, - problemet e Kosovës mbeten të jashtëzakonshme, papunësia në një popullsia kaq të re është në nivele rekord.
Kosova si edhe më parë ka përqindje shumë të mirë të rritjes së popullsisë, edhe pa iu afruar numrit të vendeve të punës për një popullsi të tillë. Realisht vetëm rritja e emigracionit, pra atyre që do të punojë jashtë për familjet mund të sjellë zbutjen e problemeve të tilla, sidomos për të rinjtë. Këtë e kanë theksuar disa herë në raportet e tyre për Kosovën Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Nga ana tjetër Europa kërkon forca të kualifikuara punëtore në drejtimin teknik. Vetëm në Gjermani në vitet e ardhshme do të kërkohen me dhjetëra mijëra punëtorë maunesh për shembull. Qeveria e Prishtinës duhet të ketë më shumë guxim të kërkojnë lëvizjen e lirë të punëtorëve nga Kosova në bisedimet me BE.
Që zhgënjimi në Kosovë për shkak të gjendjes ekonomike është shumë i madh këtë e tregoi edhe pjesëmarrja e ulët në zgjedhje në nivele rekord. Megjithatë qeveria fiton më shumë vota, sigurisht pa kapur mazhorancën, nuk ka kundërshti këtu?
Një sërë studimesh sociologjike në vitet e fundit tregojnë një masë të madhe mosbesimi në popullsi kundrejt institucioneve politike dhe politikanëve të tyre. Pakënaqësia ndaj politikës sigurisht që lidhet me gjendjen e vështirë socio-ekonomike, por ajo lidhet edhe me statusin ndërkombëtr të Kosovës, që nuk është zgjidhur përfundimisht. Fakti që forcat politike të deritanishme sërish morën më shumë vota, lidhet më shumë me varësitë e krijuara: Vetëm po qe se mbështet një qeveri të caktuar, mund të shpresosh për një vend pune apo ndonjë avantazh tjetër. Në këtë pikë as Kosova nuk ndryshon nga vendet e tjera të rajonit.
DW: Ndërkohë pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje ishte edhe më e ulët, pa harruar faktin pozitiv që për herë të parë u votua në të gjithë Kosovën. Një provë që serbët duan ende shumë kohë të pranojnë institucionet e Kosovës.
Reljiç: Serbët në Kosovë u ndanë me dhunë nga shteti i tyre nënë dhe ndoshta nuk do ta pranojnë ndonjëherë statusin e qytetarit në një shtet të dominuar me shqiptarë. Sjellja e tyre në jug është pragmatike, votohet me qëllim për të penguar që megjithë shumicën serbe të një pjese të komunave të sundojnë strukturat shqiptare. Në Kosovën e Veriut duket qartë që zgjedhësve atje nuk u pëlqeu kthesa e Beogradit dhe kjo pjesë e refuzon kërkesën për njohjen e institucioneve shqiptare.
DW:…domethënë pajtimi sërish i përket një të ardhmeje të largët?
Reljiç: Në Tirolin Jugor, Irlandën e Veriut ka zgjatur disa dhjetëra vjeçarë derisa është kthyer një normalitet relativ. Në hapësirën postjugosllave rruga deri aty është ende shumë e gjatë. Por sa më shumë këto shtete të bëhen pjesë e procesit të integrimit në Europë, aq më shumë mund të shpresohet që kjo rrugë mund të shkurtohet.
DW: Vetëvendosja një parti që i bën herë pas here të djersijnë politikanët në Bruksel me kërkesat e deklaratat saj nuk doli fitimtare siç shpresonte. Mendoni se tonet nacionaliste nuk mund t'i ndezin më zgjedhësit kosovarë?
Reljiç: Sipas një sondazhi të Gallup-Europë dhe sondazheve të institutive të tjera demoskopike në Kosovë ka një mazhorancë stabël prej 80% që e mbështet shkrirjen e të gjitha territoreve me shqiptarë. Por duket se aktualisht problemet socioekonomike janë kaq të mëdha saqë vërtet mobilizimi nacionalist ka kaluar në rang të dytë. Nga ana tjetër është i madh edhe presioni i Perëndimit që të mos dalë si parësor projekti i bashkimit të territoreve .
DW: Një pikë delikate mbetet përballja me të shkuarën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kemi edhe Gjykatën Speciale që do të hetojë akuzat për krime. Nuk mund të ketë rrezik destabilizimi?
Reljiç: Faktorët e jashtëm kanë pasur gjithmonë stabilitetin si qëllimin kryesor duke u trembur se një veprim konsekuent ndaj personave në poste të larta mund të sillte trazira. Drejtësia vendase, si e kemi parë edhe në raportet e progresit të BE-së nuk është në gjendje të sigurojë sundimin e ligjit. Deri më tani nuk kemi pasur progres të madh në zbardhjen e së shkuarës së re në Kosovë. Kjo është edhe arsyeja pse EULEX do të qëndrojë. Por edhe EULEX nuk ishte shumë efektiv, siç theksoi edhe institucioni i kontrollit të financave të BE-së vitin e shkuar.
DW: Dhe së fundi lidhur me Shqipërinë, që pret statusin kandidat, pas rekomandimit pozitiv të Komisionit, sa realist është statusi tani?
Reljiç: Shpresa si edhe më parë është që këtë herë statusi kandidat do të merret. Me shqetësim duhet parë që qeveria çeke për shkak të një çështjeje bilaterale ekonomike mund të ngrejë veton kundër Shqipërisë. Kjo tregon se shtete të ndryshme e keqpërdorin procesin e integrimit, si edhe Sllovenia bllokoi Kroacinë. Këtë problem nuk e ka zgjidhur Komisioni Europian, kështu që ende mbeten shtetet e fuqishme ato që mund të ndikojnë shtetet e vogla për t’i kthyer në rrugën e arsyes.

Mustafë Emini - Populli votoi për kafshatën e gojës së vet

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura pra dy ditësh në vendin tonë u përshëndetën pothuajse nga të gjithë. Fakti se u përshëndetën nga ndërkombëtarë dhe vendës tregon për një fitore të popullit tonë. Madhështia e kësaj fitoreje është edhe më e madhe kur dihet fakti se kjo “fitore” ishte e pasuar nga një fitore tjetër (zgjedhjet lokale të vitit të kaluar). Pra, duket se tani po e krijojmë një mentalitet fituesi dhe zgjedhjet demokratike, të lira dhe fer po bëhen kulturë e shoqërisë sonë.
Një pikë e vogël që po e prish shkëlqimin e kësaj fitoreje është numri jo i madh i pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje. Siç duket, asnjë subjekt politik nuk po e gjen formulën që t’i vërë para kutive të votimit më shumë se gjysmën e popullsisë me të drejtë vote.
Zgjedhjet nxorën një strukturë politike jo të papritur. Edhe pse së paku tri parti synonin të dilnin si partia e parë në zgjedhje, dihej se gara për vendin e parë do të zhvillohej mes dy subjekteve kryesore të skenës politike të Kosovës së çliruar. Pra, gara për lider të skenës politike ishte mes PDK-së dhe LDK-së. Dhe, ajo që është më kryesorja, Partia Demokratike e Kosovës në koalicion parazgjedhor me disa parti të vogla doli fituese e zgjedhjeve. Interesant mbetet fakti se PDK-ja i fitoi këto zgjedhje pa përkrahjen e mbi 80 për qind të dy komunave të Drenicës (Skenderajt dhe Drenasit). Kjo nënkupton se më nuk kemi të bëjmë me baza të caktuara provinciale të PDK-së, por me një shtrirje në gjithë Kosovën, afërsisht të balancuar.
Edhe partitë opozitare që kishin qenë në legjislativin e kaluar (LDK, VV, AAK), por edhe NISMA, gjatë gjithë kohës së fushatës i prezantuan programet e tyre. Përveç shpalosjes së programeve të tyre, ato gjatë dhe para fushatës zgjedhore e përdorën edhe kapitalin e tyre kryesor, “retorikën” antiqeveritare. Kritika të ashpra ndaj qeverisë “Thaçi 2” përdori edhe AKR-ja, edhe pse vetë ishte pjesë e kësaj qeverie. Mirëpo, shigjetat më të mprehta të partive opozitare u drejtuan ndërmjet vetë atyre. Dhe, kjo ia përcolli qytetarit të Kosovës dy mesazhe shumë të qarta: E para, se LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje janë pajtuar se rivali i tyre, PDK-ja, do të jetë i pari dhe se ato po luftojnë që të përfitojnë sa më shumë pas saj, dhe e dyta, tregoi joseriozitetin e tyre para popullit për ta udhëhequr atë. Këtu duhet të përmendim se VV-ja e përdori si armë kryesore të fushatës gjendjen e Komunës së Prishtinës pasi e mori nga LDK-ja.
Edhe tri partitë e tjera, AAK-ja, AKR-ja dhe NISMA, e zhvilluan një fushatë më shumë vizuale dhe spektakli, se sa përmbajtjesore. Një fakt që shihej gjatë gjithë aktivitetit të tyre ishte “besimi” në elektoratin e zgjedhjeve të kaluara lokale. Dihet se AAK-ja besonte se e kishte mbështetje kryesore Dukagjinin, AKR-ja Mitrovicën dhe Gjakovën, kurse NISMA një pjesë të Kosovës qendrore.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte një program tepër ambicioz dhe vështirë për t’u bindur se mund të jetë realist. Aleanca Kosova e Re theksonte në çdo prezantim se e kanë programin më të mirë për zhvillim ekonomik, edhe pse në fakt e demantonte veten, kur dihet se ishte pjesë e qeverisë së kaluar dhe dihen rezultatet e saj (AKR) brenda asaj qeverie. Ndërkaq, NISMA më shumë proklamonte se do ta sillte ndryshimin e nevojshëm në skenën politike. Mirëpo, ndryshimi ishte vështirë për t’u besuar, kur dihet se ndryshimin e kishin shumë më të lehtë udhëheqësit e kësaj partie kur kishin funksione të larta shtetërore.
Por, kujt i besoi populli! Gjithsesi, votën ia besoi kafshatës së bukës së gojës së vet. Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, si kryeministër i Qeverisë së shkuar, me gjithë buxhetin solid që ka vendi, arriti t’i ngritë pensionet për dy kategoritë e pensionistëve të Kosovës. I ngriti pagat për të gjithë mësimdhënësit, për shërbyesit civilë dhe për kategori të tjera të të punësuarve. Si kryeministër mori vendime që t’i përkrahë bujqit, studentët, nxënësit, por edhe fëmijët e sapolindur. Ishin këto vendime ato që e përcaktuan fituesin e zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit.
Prandaj, nuk mund t’i premtosh dikujt çorbë për të ardhmen e fëmijëve të tij, kur atij i mungon buka e kripa për darkë.
 

Aleksandër Çipa - Fituesi i rrethuar me vetmi

Rasti “ndryshe” i rezultatit zgjedhor në Kosovë, natyrisht që ka lidhje me transferimin e qeverisjes nga ish-kryeministri Hashim Thaçi në koalicionin e opozitarëve të deridjeshëm të tij. PDK u mposht edhe pse doli e para ndër gjithë partitë. Kjo ngjau sepse logjika e konsumimit deri në mandatin e tretë të pretenduar, u eklipsua nga dëshira për të qenë qeverisës më tej.
Mungoi dramatikisht bujaria e kryeministrit në detyrë Thaçi, sipas së cilës do të duhej të realizonte parandarjen e pushtetit me dikënd tjetër, para se të vinte suksesi i pretenduar zgjedhor. E thënë ndryshe, ai shkoi në betejën zgjedhore pa aleatë, domethënë “dhe i vetëm trim në zgjedhje”. Mirëpo, mëritë e grumbulluara nga të mundshmit aleatë të tij, gjetën destinacion të përbashkët, u shndërruan në koalicion kundërshtarësh, i cili tashmë rezulton si përqindja më e madhe e shënuar ndonjëherë në skenën politike të vendit: gati 70 për qind e votuesve pjesëmarrës. Në këto kushte, ai, i suksesshmi Thaçi, nuk u shndërrua dot në fitues, por mbeti “fitues në nevojë” gati të papërmbushura.
Tri ditë më parë, ndërsa ishin orët e para të mbylljes së procesit zgjedhor, solla përmes gazetës “Shqip” shkrimin: “Hashim Thaçi një fitues në nevojë”. Nevoja e Thaçit për ortakë mbeti vetëm ide dhe përballë tij, në kohë të menjëhershme, u krijua koalicioni postzgjedhor i menjëhershëm, i cili në kohë rekord dhe pa debate të njohura ndau në parim postet e larta të qeverisjes dhe të institucioneve kushtetuese. Pra, këto zgjedhje të parakohshme, si kurrë më parë u mbyllën njëkohësisht duke u arritur një marrëveshje ndër tre partnerë për ndarjen edhe të posteve të kryeministrit, Presidentit të Republikës dhe kryetarit të Parlamentit.
Në këtë marrëveshje është respektuar në tryezë partia e dytë me rezultat më të madh në këto zgjedhje, ajo e LDK-së e kryesuar nga Isa Mustafa, duke u lënë në parim posti i kryetarit të Parlamentit dhe në respekt të kushtetutshmërisë, në të ardhmen, edhe ai i Presidentit. Ndërkohë që ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i ardhuri nga Haga me ambicien e parashpallur për të qenë sërish Kryeministër i Kosovës, me sa duket mbetet shumë afër realizimit të profecisë së vet. Natyrisht, kjo është një marrëveshje e mundshme, por që në ditët dhe muajt e ardhëm mund të përballet me sfida penguese që vijnë prej diplomacisë ose ndërhyrjes ndërkombëtare.
Ndërkohë, subjekti politik postzgjedhor vazhdon ende. Sipas gjasave, koalicioni opozitar do të përcaktohet pashmangshmërisht si shumica e re parlamentare në Kosovë. Kjo paralajmëron një moment të ri konflikti politik mes partisë që rezulton e para dhe grupit të partive që krijojnë në tryezë shumicën.
Shenjat po jepen. Njëra palë, ajo e Kryeministrit në detyrë, Thaçi, po i mëshon pretendimit për pakushtetutshmëri të vendimit politik të koalicionit Mustafa-Haradinaj-Limaj. Ndërkohë që në mediat që mbështesin koalicionin e ri po publikohen referenca realitetesh të ngjashme apo në reminishencë me formulën e re të koalicionit postzgjedhor.
E përditshmja “Koha ditore” nënvizon në shënimin: “Kosova ndjek shembullin e Luksemburgut”: “Në një prej vendeve më të zhvilluara në botë, me traditë të lartë demokratike si Luksemburgu, kemi dëshminë se si partia më e fortë, e cila për dhjetë për qind në zgjedhje doli para asaj në vendin e dytë, është sot në opozitë. Fjala është për Partinë e Jean Claude Junckerit, ish-kryeministrin e Luksemburgut, i cili sot është kandidat për kryetar të Komisionit Evropian (Partia Sociale Kristiane), e cila me 33 për qind të votave kishte dalë fituese relative e zgjedhjeve në Luksemburg vitin e kaluar dhe ka 23 vende në Parlament…”
Gjithsesi Luksemburgu nuk është ngjashmëri adekuate me rastin në zhvillim në Kosovë dhe ky rast nuk pati jehonë apo mbështetje referenciale në debatin e sapohapur në Prishtinë. Sikundër përkundër tij, mund të merret shembulli i Bersanit në Itali.
Kjo situatë vijuese post-zgjedhore në Kosovë, po evidenton disa reminishenca me përvojën dhe praktikën politike të hasur në Shqipërinë e dy dekadave të fundit. Përcaktueshmëria ose jo e së drejtës kushtetuese të koalicionit të ri pretendues për qeverisjen e re, sipas gjasave, do të çelë debatin për interpretim të Kushtetutës. Zëvendëskryeministri në detyrë, Hajredin Kuçi, e shprehu qartë këtë në prononcimin e djeshëm. Nga ana tjetër, kandidati për Kryeministër Haradinaj, nxitoi kontaktet me përfaqësues të diplomacisë në Prishtinë për të zyrtarizuar aktin marrëveshës mes krerëve të koalicionit të ri. Dy pika ndikuese, ose më saktë forca të pakrahasueshme me njëra-tjetrën, në këtë situatë janë Lëvizja Vetëvendosje dhe AKR që pret ende disa vota për të konfirmuar hyrjen ose jo në Parlament.
Vetëvendosja rezulton forca me qëndrimin më serioz dhe largpamësi politike. Subjekti politik që po investon zgjuarsisht ruajtjen e vetvetes nga konsumimi dhe mosikja prej parimeve me peshë, ka për të qenë aktori me rëndësi të paeklipsueshme jo vetëm në jetën e ardhme parlamentare, por edhe në funksion të demokracisë institucionale të Kosovës.
Nga ana tjetër AKR e Pacollti, duket se më shumë pretendohet të jetë një element alibik që Thaçi të fitojë vobektësisht, një aleat në miniaturë, përballë koalicionit kundërshtar dhe imponues. Edhe me kaq, Thaçi e ka të pamundur ta kapërcejë “rrethimin e rezultatit” edhe pse atë e kryesoi, por rezultoi vetë i rrethuar me vetmi.

Kushtetuta “dërgon” drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Kushtetuta “dërgon” drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme
Vendosmëria e krerëve të LDK-së, AAK-së, NISMA-së, si dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që ta “pensionojnë” kryeministrin në largim, Hashim Thaçi, sipas analistëve, mund të ndikojë që vendi të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme. Sipas tyre, interpretimi i dyanshëm i Kushtetutës, ka prodhuar një gjendje të paqartë.
Analisti Halil Matoshi, ka thënë për Telegrafin se pas marrëveshjes në mes tri partive politike (LDK-AAK-NISMA), është krijuar një situatë goxha problematike.

Sipas tij, kemi të bëjmë me dy tabore të cilat interpretojnë Kushtetutën e Kosovës në mënyra të ndryshme, duke shtuar se marrëveshjet politike janë legjitime dhe në bazë të tyre mund të veprohet.

“Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ardhur në pozitën e saj si pasojë e marrëveshjes, aso kohe, në mes tri partive politike (LDK,AKR PDK). Enver Hasani në komentarin e tij, bërë kësaj gjendje, po e thotë të kundërtën me këtë që ka ndodhur me rastin e Presidentes. Nëse i referohemi nenit 95.1 i Kushtetutës së Kosovës, ka të bëjë me shumicën parlamentare, e jo me atë zgjedhore. Koalicioni që arrin të ketë 61 deputetë, atëherë ata kanë të drejtë ta formojnë qeverinë. Partia e Thaçit po përballet me një bllok i krijuar nga opozita, që po dëshiron të formojnë qeverinë pa partinë e tij”, ka thënë Matoshi.

Madje Matoshi, ka deklaruar se nëse interpretimi i gjykatës kushtetuese e pamundëson një qeveri të përbërë nga LDK, AAK dhe Nisma, vendi shumë lehtë mund të shkoj përsëri në zgjedhje.

Analisti Krenar Gashi, ka deklaruar se iniciativa e partive politike: LDK, AAK dhe NISMA, e cila ka rezultuar me marrëveshje në mes tyre për formimin e qeverisë, nuk është antikushtetuese dhe e pamoralshme.

Megjithatë, sipas tij, gjendja e krijuar ka prodhuar një situatë e cila është konfliktuoze, për shkak se kemi të bëjmë me interpretimin e Kushtetutës, praktikat institucionale dhe parimet e demokracisë.

“Kushtetuta e parasheh që ata që e kanë shumicën e numrave në Kuvendin e Kosovës, ta marrin mandatin për formimin e qeverisë, ndërsa praktika institucionale tek ne ka qenë, që partia fituese e zgjedhjeve të mandatohet që ta formoj qeverinë”, ka theksuar ai.

Ndërsa i pyetur se si do të dilet nga ky ngërç, Gashi ka thënë se, nga situata e krijuar, pret që vendi t’i nënshtrohet edhe njëherë procesit zgjedhor.

Dafina Zeqiri, një seri mahnitëse fotografish


Dafina, një seri mahnitëse fotografish

Në këtë botë kemi njohur dhe takuar shumim njerëz të bukur që rrezatojnë nga jashtë dhe që menjëherë mendojmë: “Çfarë fati”. Të lindësh i bukur është fat, ti nuk bën asgjë, thjesht vjen në jetë dhe njerëzit që të rrethojnë dashurohen me fytyrën, sharmin, trupin dhe shkëlqimin tënd. Dafina Zeqiri është njëra prej tyre, një vajzë që ka thyer mitet duke treguar se bukuria që ajo trashëgoi, i ka shërbyer për të realizuar gjëra të bukura në jetë dhe për të kultivuar gjithashtu një shpirt të bukur që buron nga thellësia e saj.

E kompletuar me formatin e këngëtares, ajo po sjell një model të ri me profilin e saj, i cili pa dyshim që do të ndiqet me admirim nga fansat besnikë.
Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Foto: Arton Humolli
Dafina, dukeni shumë seksi, madje keni shkuar deri në ekzaltim, por jo... deri në vulgarizim. Ju duket se e keni tepruar?
Kam menduar një kohë të gjatë për fotot e tilla dhe, disi e lash paksa anash, sepse nuk ishte lehtë të gjeja një fotograf, i cili do ta kuptonte atë që dëshiroja unë të arrija. Pastaj, pas takimit me fotografin e dëshmuar Arton Humollin, u dakorduam që të realizojmë një projekt, i cili do të prezantohej edhe jashtë. Disi, planet tona u puqën, dhe ia dolëm. Me Artonin njihem prej kohësh dhe bashkëpunimi ynë ka qenë në vazhdimësi, kurse tashti ai bashkëpunim po merr një tempo më të shpejtë. Veç të tjerash, tashmë është fituar besimi reciprok, edhe më duket se syri i tij, ma lexon edhe shpirtin deri në thellësi.
Keni ‘vuajtur’ shumë nga paragjykimet e mjedisit, por duket se ato i keni lënë mënjanë dhe ju bëni atë që doni, gjithmonë?
Paragjykimet gjithmonë kanë për të ekzistuar, madje shumë herë ato neve artisteve na ndihmojnë të ecim përpara. Unë kam menduar të bëj çfarëdo që më bën të ndihem mirë dhe gjithmonë kam pasur dëshirë të realizoj. Origjinalitetin e nxjerrim kur e gjen vetveten dhe brenda vetes, kur e pranon dëshirën për të jetuar jetën ashtu siç do ti dhe jo siç donë të tjerët.
Dukeni e sinqertë kur deklaroni se shpesh keni qenë ‘pré’ e sinqeritetit tuaj, por duket se tashmë jeni mësuar dhe vështirë se dikush mundet ‘t’jua hedhë’, pra jeni imunizuar, por shpesh edhe të tillët i keni injoruar?
Unë gjithmonë kam qenë dhe do jem kështu, e sinqertë. Ajo çka kam mësuar në këto vite të jetës sime, është që nuk duhet besuar shumë te njerëzit, prandaj tash jam e lumtur që kam një rreth shumë të vogël, por mjaft me vlerë.
Sharmi juaj i theksuar del në pah dhe kjo juve ju bën që të merrni vetëbesim dhe njëlloj magjie për të fluturuar drejt majave të famës dhe të artit?
Mendoj që sharmi është pjesë e suksesit të cilin unë e kam arritur. Por aty është talenti, i cili është dhuratë nga Zoti dhe puna e madhe pa të cilën këto të dyja nuk do të kishin vlerë.
A duhet që femra të ketë ego të fortë dhe dinjitet, në mënyrë që ta ruajë kredibilitetin e vet?
Dinjiteti është ajo që një femër duhet ta ketë, ndërsa egoja të mos jetë e tepruar.
Hiti juaj më i ri "Veç me t'pas ty" sikur shpalos një nostalgji dhe ju rikthen sërish në dashuri. A e gjeni veten ju në këtë tekst dhe, nëse po, kujt i përgjëroheni kaq shumë deri në gjunjëzim.
Kënga "Veç me t’pas ty" është një vijë melodike, të cilën unë e kam punuar, ndërsa tekstin Vigan Shala (Kaos). Mendoj që ka mundësi ta gjej veten në këngë, në qoftë se do të isha e dashuruar.
Teksti është një fabul e fortë dhe apelon për një ribesim në dashuri. A ka njeriu dy dashuri apo dashuri numër 2?
Çdo dashuri që ne e përjetojmë gjatë jetës është ndryshe dhe ka rëndësi të veçantë për ne.
Ndryshimi i ‘stajlingut’ lidhet me gjendjen psikologjike të njeriut. A tregon frizura juaj e re ndonjë fillim të ri në jetë?
Sikur të vlente kjo edhe për mua, i bie që unë gati çdo javë të filloj një jetë të re... Por, gjithsesi, t’i lë anash shakatë, gjithmonë kam pasur qejf të eksperimentoj me pamjen time, por kjo nuk ka lidhje me atë se çfarë jam brenda.
Thuhet që shpirti dhe trupi duhet të jenë në harmoni. A e ruani këtë balancë edhe kur shkoni në trening dhe kur ushtroni?
Unë këtë balancë mundohem ta mbaj gjithmonë, jo vetëm me ushtrime, por edhe falë muzikës.
Për çdo ditë jeni e rrethuar me një numër njerëzish. Sa miq të vërtetë keni takuar dhe a ju ka zhgënjyer ndonjëri nga ta?
Si artiste më bie që të takoj e të rri me shumë njerëz, por kjo nuk do të thotë që ata janë njerëz të mi të afërt. Sigurisht që edhe unë, sikur çdo njeri tjetër, jam zhgënjyer, por kam marrë mësim edhe tash jam më e rezervuar se kë e quaj mik të afërm.
I besoni miqësisë mashkull-femër?
Kohë më parë, ka qenë femra në shtëpi e burri në punë dhe ajo çka i ka bashkuar, ka qenë romanca. Por, tash atyre u bie që të punojnë bashkë, munden të kenë kolegë pune, shokë fituesi. D.m.th., ata ndajnë edhe interesa të përbashkëta: muzikë, sport, etj. Kështu që, besoj në miqësi mashkull-femër.
Në lidhje dashurie a është më i rëndësishëm seksi apo dashuria?
Pa dashuri, nuk ka seks; kështu këto janë të ndërlidhura, nuk shkojnë ndaras.
Cila është receta për ta harruar ish-dashurinë?
Thjesht, duhesh të dish që jeta vazhdon, njerëzit humbin njerëz të familjes dhe vazhdojnë sërish. Kështu që, edhe nëse ndodh të ndahesh prej të dashurit, duhet t’ia kujtosh vetes që t’i vlen dhe ke shumë arsye të tjera për të jetuar.
Çfarë duhet të ketë çdo femër në çantën e saj, ndërkaq mashkulli në kuletë?
Femra duhet të ketë në kuletë parfum dhe buzëkuq, kurse mashkulli duhet ta dijë se për çka vlen kuleta.
Çfarë nuk mund të blihet me para?
Shëndeti, morali dhe dashuria.
Shumica e damave, që nga mosha e re, kanë ëndërruar të bëhen këngëtare, duke ushtruar lëvizjet para pasqyrës. A ka qenë kjo edhe ëndërr jotja apo dashuria ndaj muzikës ka lindur spontanisht?
Muzika nuk ka qenë diçka spontane për mua. Si e vogël, mbyllesha në dhomën e gjumit duke kënduar dhe pretenduar që arushat janë audienca ime.
Secili nga ne i ka idhujt e vet. Cili ka qenë idhulli juaj, shumë i rëndësishëm për jetën, por edhe për të lundruar në ujërat e muzikës?
Ajo është Aaliyah Dana Houghton.
Çka është vendimtare për të arritur sukses: talenti, fati, lidhjet e mira apo diçka tjetër?
Talenti dhe puna janë çelësi i suksesit, por edhe duhet pasur pak fat që të ndodhesh në kohën e duhur dhe vendin e duhur.
Ju gjithmonë mundoheni të jeni origjinale, madje edhe model për këngëtaret e tjera, megjithatë zemërngushtët sikur nuk ju lënë rehat duke thënë se ju imitoni yjet e skenës botërore?
Këto paragjykime kanë ekzistuar dhe do ekzistojnë gjithmonë, por unë mundohem që të jem vetja dhe të mos e humb veten edhe nëse inspirohem prej dikujt.
Çfarë keni ju, ndërkaq nuk kanë Rihana, Beyonce apo Jessie J.?
Kam nënshtetësinë shqiptare dhe jam krenare.
Jeni një këngëtare e kompletuar, megjithatë ndodh që njeriu të zhgënjehet. Për çfarë je penduar që nuk e ke bërë siç duhej deri më sot?
Kam besuar në njerëz të gabuar.
Thuhet se në mesin e këngëtareve ka shumë xhelozi. Pse është kështu dhe a ka shërim kjo, më në fund?
Sepse është natyra e njeriut dhe s’besoj që ka shërim, përderisa njeriu nuk është i kënaqur me vetveten. Shërimi do ishte që secili t’i shikonte punët e veta.
Çka e qetëson më lehtë temperamentin tuaj të zjarrtë?
Një gotë ujë.
Çka ju ngre adrenalinën? Dashuria, frika, padrejtësia...
Adrenalinën ma ngre shpejtësia e veturës edhe parashutizmi.
Keni ndonjë pasion? Ndonjë “ves” të vogël?
Gjithçka çfarë ka të bëjë me kreativitetin dhe artin unë jam e pasionuar, kurse, për sa i përket vesit, unë jam e obsesionuar për pastrim dhe organizim të sendeve të mia personale.
Kur ka qenë hera e fundit që jeni bërë nervoze?
Haha, "nuk e mbaj mend".
Si e mundni ditën e keqe?
Shkoj në fitnes dhe ha akullore.
Keni ndonjë këngë apo këngëtar të veçantë, që ju prek më shumë zemrën dhe shpirtin?
Është Collie Buddz – ‘Let Me Know’, e dëgjoj çdo herë dhe nuk më bëhet bajat.
Po, përveç muzikës së zhanrit tuaj, ç’muzikë tjetër ju pëlqen?
Deep House.
Çfarë do të dëshironit të lexonit për veten nga të tjerët sapo kërkonit emrin tuaj në internet?
Asnjëherë nuk hy të lexoj për veten.
Cili është vendimi më i rëndësishëm që të është dashur të marrësh në jetë?
Shpërngulja ime këtu, duke e lënë familjen në Suedi, në moshën 17-vjeçare.
A mund të na thoni se sa tatuazhe dhe pircinge keni në trupin tuaj dhe a paraqesin ato diçka të vlefshme për ju?
Kam 6 tatuazhe, 5 pircinge dhe çdo tatuazh e ka një domethënie për mua, në lidhje me jetën time.
Do ta bëje tatuazh emrin apo germën e parë të emrit të njeriut që do?
Unë i kam emrat e mamit dhe motrave të mia, kurse do të kem tatuazh edhe me emrat e fëmijëve kur të bëj familjen timen.
Kur e ke dhënë puthjen e parë?
Kur isha 16-vjeçare.
Mendon se djali të cilit ia dhurove këtë puthje e meritonte atë?
Ishte diçka fëmijërore, nuk hyra shumë në detaje.
E mban mend shijen e puthjes së fundit?
‘Colgate’, hahaha.
Çka mund t’u thoni atyre që dëshirojnë t’ju dëgjojnë dhe t’ju shohin, ku mund t’ju gjejnë verën e sivjetme?
Unë do të jem, gjithkund ku ka shqiptarë.
Diçka për fund?
Pritni shumë surpriza gjatë këtij viti dhe gjithashtu, albumin tim të tretë. /Telegrafi/

2014-06-09

Shansi i trete i botuesve shqiptar

Botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora marrin pjesë sivjet në Panairin e 16-të të Librit në Prishtinë, i cili do të mbahet me datë 3-8 qershor.
Shoqata e Botuesve e Kosovës ka bërë të ditur se këtë vit do të prezantohen rreth 1200 tituj të rinj librash dhe rreth 4000 tituj të tjerë të viteve të fundit. Panairi tashmë me traditë të konsoliduar dhe fizionomi të qartë, do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore, si: William Shekspiri, Jeronim de Rada, Zef Serembe, Shtjefën Gjeçovi, Octavio Paz, Marguerite Duras, Sterjo Spasse dhe Mehmet Gjevori.

Juria speciale e cila do të nderojë me Trofeun e Panairit, librat më të mirë në prozë, poezi, kritikë, studime letrare, eseistikë, publicistikë, përkthim letrar, projektin kapital dhe për stendën më të vizituar, do të jetë ajo që ka qenë edhe vitin e kaluar.
Foto
Juria këtë vit do të jetë në përbërje të: Ilire Zajmit, Anila Xhekaliut dhe Naim Kelmendit.
Këtë vit pritet që edhe mediet të ndajnë çmime dhe vlerësime, siç veprohet kudo në botë.

Gjatë pesë ditëve edhe sa do të jetë i hapur ky panair do të ketë aktivitete promovuese, debate, nënshkrime librash nga autorë të pranishëm, si dhe do të ketë informim për lexuesit, vizitorët e shumë aktivitete tjera.


*****
Foto

Në ditët e fundit të Panairit të Librit, që këtë vit ishte edicioni i tij i 16-të, fluksi i vizitorëve ka qenë më i madh.

Ndryshe nga vitet e tjera, botuesit dhe organizatorët thonë këtë vit ka pasur më shumë të interesuar për të qenë pjesë e Panairit dhe për të blerë libra, duke e shndërruar kështu, Prishtinë në kryeqytet të librit.

Jahir Ahmeti, përfaqësues i shtëpive botuese “Toena”, “Duduaj”, “Artini” e “Onsca”,"Rugova-Art" është shprehur se panairet zakonisht janë festat e librit, siç thotë, këtë vit me të vërtetë ka qenë festë e librit.

“Ka pasur goxha interesim për librin, ka pasur shumë vizitorë si asnjëherë më parë në këto vitet e fundit dhe kjo na jep një shpresë se në këtë aktivitet mund të vazhdojmë, sepse vërtet do të vazhdojë interesimi i njerëzve siç ka qenë këtë javë”, ka thënë Ahmeti.
foto e Abdullah Zeneli
Sipas tij, derisa viteve të fundit ka pasur rënie të drastike të njerëzve të interesuar për libra, këtë vit kjo gjë ka ndryshuar.

“Jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri nuk lexohet, ky është fakt. Të themi se jemi shtatë milionë shqiptarë në Ballkan dhe të botohet libri me tirazh prej 500 kopjeve kjo është e mjerueshme për leximin, për tregun tonë”, thotë Jahir Ahmeti, teksa thotë se zhvillimi i teknologjisë duhet të shfrytëzohet për t’i bërë reklamë librit.

“Zhvillimin i teknologjisë duhet ta shfrytëzojmë jo për ta sfiduar librin, por për ta reklamuar atë dhe nëse dimë t’i përdorim këto mjete siç duhet në favor të librit dhe kulturës, mendoj se do të ketë rritje të numrit të lexuesve”, ka treguar Ahmeti.
Foto
Eduard Doka, menaxher në shtëpinë botuese “Onufri” ka thënë se për vizitorët e Panairit ofrojnë libra të ndryshëm të librave.

“Kjo ka qenë një jave e lumtur, e gëzuar, me emocione të veçanta sepse thjesht prania në këtë Panair do të thotë obligim më i madh për ne si shtëpi botuese, sepse përballemi me lexuesin, me kritikën. Është një sfidë e vërtetë, sepse mund të tregojmë se çfarë je i zoti për t’i ofruar lexuesve”, është shprehur Doka, derisa thotë se “Onufri” ka për qëllim që ta njohë publikun me librat që ofrojnë.

“Interesimi i njerëzve për të blerë libra është i kënaqshëm, por për ne më e rëndësishme është ekspozimi, njohja e publikut me librat dhe me çdo gjë që ne si shtëpi botuese ofrojmë”, ka treguar Eduard Doka.

Gladim Pllana, libraria “Galdimi”, që është përfaqësuese e “A-edition” shtëpi botuese në Shqipëri, thotë se interesimi për të blerë libra ka qenë edhe nga fëmijët, edhe nga të rrituri, ani pse në tendën e tyre ka kryesisht libra për fëmijë.
Foto: Kujtimi i Parisit, Kujtimi i Prishtinës!
“Veçanërisht, kemi libra për fëmijë të moshave të ndryshme, duke u nisur nga librat atraktiv, që janë për vizatime, për mësimin e shkronjave, numrave, kemi edhe përralla, ka libra për ninulla, libra enciklopedik, atlase, histori dhe të tjera”, është shprehur Pllana, teksa ka thënë se në krahasim me kushtet e objektit, janë të kënaqur me organizimin.

Për Panairin e Librit, siç thotë ai duhet punuar edhe më shumë dhe të jenë kushte edhe më të mira.

“Në krahasim me vitet e kaluara numri i të interesuarve për të blerë libra është më i madh. Rol të madh për këtë kanë luajtur edhe rrjetet sociale, “Facebook” në veçanti, aty njerëzit kanë mundësi t’i shohin librat, të cilat pastaj kanë ardhur dhe i kanë kërkuar”, ka treguar Gladim Pllana.

Arianit Krasniqi, i cili në duar mbante qeset e mbushura me libra, thotë se ka vite që është vizitori rregullt i Panairit të Librit dhe mundohet që të blejë sa më shumë libra.

“Për ditët sa zgjatë Panairi e vizitoj çdo ditë dhe blej libra sa më shumë që mundem. Më shumë më pëlqejnë librat shkencorë, por nuk është se i lë anash librat e tjetër”, ka thënë Krasniqi. Ndërsa, Saranda Hasani, shprehet se është adhuruese e letërsinë botërore, por ngase ka shumë shkrimtarë të preferuar ajo thotë se mundohet të bëjë një lloj zgjidhje.
Foto
“Ka shumë shkrimtarë që i dua e që do të doja t’i kisha në bibliotekën time, por meqenëse është e pamundur që t’i blej të gjithë, mundohem që të paktën t’i kem librat e shkrimtarëve që i kam më për zemër se të tjerët”, thotë Hasani.

Besian Zeneli, nga Shoqata e Botuesve të Kosovës është shprehur se kanë qenë me një dozë rezervë sepse Panairi i Librit ka koinçiduar me datën e zgjedhjeve, duke iu referuar kësaj ai thotë se kërkesat kanë qenë pak më të arsyeshme edhe në pritje, por ndodhi e kundërta.

“Ishte një interesim jashtëzakonisht i madh, i cili vlen për t’u lavdëruar, një pjesë e madhe të meritës e kanë edhe mediet, të cilat i kanë dhënë hapësirë jashtëzakonisht shumë, ndoshta edhe paraprirja e organizimit, shpërndarja e materialit promovues, mundësia e promovimit që është bërë në shesh, por pa dyshim edhe solidarizimi i botuesve me oferta që i kanë bërë, duke i zbritur çmimet, njerëzit e kuptuan se ka oferta të mira”, ka thënë Zeneli, sipas të cilit gjithë ky bashkëpunim ka dhënë rezultatet e veta.

“Kam qenë në secilën hapësirë ekspozuese, tek botuesit veç e veç, 99 për qind të botuesve thonë se janë të kënaqur edhe me kërkesën edhe me promovimin edhe me shitjen. Sepse pjesa më e madhe e botuesve më fund të fundit gjithçka i masin me shitje, sepse shitja gjatë Panairit u mundëson që të krijojnë një bazë që të kenë prurje të reja, tituj të rinj”, është shprehur ai, për të shtuar këtë vit numri i vizitorëve ka qenë dukshëm më i madh.

“Në hyrje të Panairit mund të shohësh numrin e madh të vizitorëve. Nuk është se ka vetëm vizitorë që veç duan të vijnë, shumë prej tyre mbajnë nga tre deri në katër qese me libra dhe kjo flet vetë”, ka thënë Zeneli.

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare pretendent për Çmimin Europian të Holandës

Në janar të këtij viti, një juri e përbërë nga përfaqësues të 15 librarive më të mira në Holandë, zgjodhi një listë të gjatë prej 20 romanesh, të përkthyera në holandisht nga 12 gjuhë të ndryshme dhe të botuara gjatë vitit të kaluar. Nga kjo listë do të dalë fituesi i Çmimit Europian për Letërsinë 2014, që Holanda do të japë për romanin më të mirë të huaj.

Juria, e përbërë nga profesori i Universitetit të Amsterdamit, Alexander Rinnooy Kan; shkrimtari Chris Taan Weijts; asistent profesor i Universitetit të Amsterdamit, Eric Metz; dhe librarët Joost Baars e Karien Hilbers, ka shpallur sot listën e shkurtër me 5 shkrimtarë, nga pesë gjuhë të ndryshme: spanjisht, gjermanisht, frëngjisht, polonisht dhe shqip.

Mes 20 romaneve të përkthyera në holandisht pretendentë për ta fituar këtë çmim janë shpallur “E Penguara” e Ismail Kadaresë, përkthyer nga shqipja prej Roel Schuyt (Botues: Van Gennep), “The flight” i Jesús Carrasco, përkthyer nga spanjishtja prej Arie van der Wal (Botues: Meulenhoff) , “The sermon on the fall of Rome” i Jérôme Ferrari, përkthyer nga frëngjishtja prej Jan Pieter van der Star dhe Reintje Ghoos (Botues: The Busy Bee), “Fuck America” i Edgar Hilsenrath, përkthyer nga gjermanishtja prej Elly Schippers (Botues:

Anthos) dhe “Pale Niko” i Tomek Tryzna, përkthyer nga polonishtja prej Karol Lesman (Botues: De Geus). Çmimi Europian për Letërsinë do të jepet këtë vit për të katërtën herë. Ky çmim ka vlerën monetare prej 10 000 eurosh për shkrimtarin dhe 5000 euro për përkthyesin e librit fitues. Çmimi Europian për Letërsinë është një iniciativë e Fondacionit Holandez për Letërsinë, e Qendrës Akademike dhe Kulturore, e librarive De Groene Amsterdammer dhe Athenaeum dhe financiarisht mbështetet nga Fondacioni Holandez për Letërsinë dhe Lira Fund. Çmimi do të jepet në 7 shtator të këtij viti.





përfaqësues të 15 librarive më të mira në Holandë, zgjodhi një listë të gjatë prej 20 romanesh, të përkthyera në holandisht nga 12 gjuhë të ndryshme dhe të botuara gjatë vitit të kaluar. Nga kjo listë do të dalë fituesi i Çmimit Europian për Letërsinë 2014, që Holanda do të japë për romanin më të mirë të huaj.



Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...