Dafina Zeqiri, një seri mahnitëse fotografish


Dafina, një seri mahnitëse fotografish

Në këtë botë kemi njohur dhe takuar shumim njerëz të bukur që rrezatojnë nga jashtë dhe që menjëherë mendojmë: “Çfarë fati”. Të lindësh i bukur është fat, ti nuk bën asgjë, thjesht vjen në jetë dhe njerëzit që të rrethojnë dashurohen me fytyrën, sharmin, trupin dhe shkëlqimin tënd. Dafina Zeqiri është njëra prej tyre, një vajzë që ka thyer mitet duke treguar se bukuria që ajo trashëgoi, i ka shërbyer për të realizuar gjëra të bukura në jetë dhe për të kultivuar gjithashtu një shpirt të bukur që buron nga thellësia e saj.

E kompletuar me formatin e këngëtares, ajo po sjell një model të ri me profilin e saj, i cili pa dyshim që do të ndiqet me admirim nga fansat besnikë.
Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Foto: Arton Humolli
Dafina, dukeni shumë seksi, madje keni shkuar deri në ekzaltim, por jo... deri në vulgarizim. Ju duket se e keni tepruar?
Kam menduar një kohë të gjatë për fotot e tilla dhe, disi e lash paksa anash, sepse nuk ishte lehtë të gjeja një fotograf, i cili do ta kuptonte atë që dëshiroja unë të arrija. Pastaj, pas takimit me fotografin e dëshmuar Arton Humollin, u dakorduam që të realizojmë një projekt, i cili do të prezantohej edhe jashtë. Disi, planet tona u puqën, dhe ia dolëm. Me Artonin njihem prej kohësh dhe bashkëpunimi ynë ka qenë në vazhdimësi, kurse tashti ai bashkëpunim po merr një tempo më të shpejtë. Veç të tjerash, tashmë është fituar besimi reciprok, edhe më duket se syri i tij, ma lexon edhe shpirtin deri në thellësi.
Keni ‘vuajtur’ shumë nga paragjykimet e mjedisit, por duket se ato i keni lënë mënjanë dhe ju bëni atë që doni, gjithmonë?
Paragjykimet gjithmonë kanë për të ekzistuar, madje shumë herë ato neve artisteve na ndihmojnë të ecim përpara. Unë kam menduar të bëj çfarëdo që më bën të ndihem mirë dhe gjithmonë kam pasur dëshirë të realizoj. Origjinalitetin e nxjerrim kur e gjen vetveten dhe brenda vetes, kur e pranon dëshirën për të jetuar jetën ashtu siç do ti dhe jo siç donë të tjerët.
Dukeni e sinqertë kur deklaroni se shpesh keni qenë ‘pré’ e sinqeritetit tuaj, por duket se tashmë jeni mësuar dhe vështirë se dikush mundet ‘t’jua hedhë’, pra jeni imunizuar, por shpesh edhe të tillët i keni injoruar?
Unë gjithmonë kam qenë dhe do jem kështu, e sinqertë. Ajo çka kam mësuar në këto vite të jetës sime, është që nuk duhet besuar shumë te njerëzit, prandaj tash jam e lumtur që kam një rreth shumë të vogël, por mjaft me vlerë.
Sharmi juaj i theksuar del në pah dhe kjo juve ju bën që të merrni vetëbesim dhe njëlloj magjie për të fluturuar drejt majave të famës dhe të artit?
Mendoj që sharmi është pjesë e suksesit të cilin unë e kam arritur. Por aty është talenti, i cili është dhuratë nga Zoti dhe puna e madhe pa të cilën këto të dyja nuk do të kishin vlerë.
A duhet që femra të ketë ego të fortë dhe dinjitet, në mënyrë që ta ruajë kredibilitetin e vet?
Dinjiteti është ajo që një femër duhet ta ketë, ndërsa egoja të mos jetë e tepruar.
Hiti juaj më i ri "Veç me t'pas ty" sikur shpalos një nostalgji dhe ju rikthen sërish në dashuri. A e gjeni veten ju në këtë tekst dhe, nëse po, kujt i përgjëroheni kaq shumë deri në gjunjëzim.
Kënga "Veç me t’pas ty" është një vijë melodike, të cilën unë e kam punuar, ndërsa tekstin Vigan Shala (Kaos). Mendoj që ka mundësi ta gjej veten në këngë, në qoftë se do të isha e dashuruar.
Teksti është një fabul e fortë dhe apelon për një ribesim në dashuri. A ka njeriu dy dashuri apo dashuri numër 2?
Çdo dashuri që ne e përjetojmë gjatë jetës është ndryshe dhe ka rëndësi të veçantë për ne.
Ndryshimi i ‘stajlingut’ lidhet me gjendjen psikologjike të njeriut. A tregon frizura juaj e re ndonjë fillim të ri në jetë?
Sikur të vlente kjo edhe për mua, i bie që unë gati çdo javë të filloj një jetë të re... Por, gjithsesi, t’i lë anash shakatë, gjithmonë kam pasur qejf të eksperimentoj me pamjen time, por kjo nuk ka lidhje me atë se çfarë jam brenda.
Thuhet që shpirti dhe trupi duhet të jenë në harmoni. A e ruani këtë balancë edhe kur shkoni në trening dhe kur ushtroni?
Unë këtë balancë mundohem ta mbaj gjithmonë, jo vetëm me ushtrime, por edhe falë muzikës.
Për çdo ditë jeni e rrethuar me një numër njerëzish. Sa miq të vërtetë keni takuar dhe a ju ka zhgënjyer ndonjëri nga ta?
Si artiste më bie që të takoj e të rri me shumë njerëz, por kjo nuk do të thotë që ata janë njerëz të mi të afërt. Sigurisht që edhe unë, sikur çdo njeri tjetër, jam zhgënjyer, por kam marrë mësim edhe tash jam më e rezervuar se kë e quaj mik të afërm.
I besoni miqësisë mashkull-femër?
Kohë më parë, ka qenë femra në shtëpi e burri në punë dhe ajo çka i ka bashkuar, ka qenë romanca. Por, tash atyre u bie që të punojnë bashkë, munden të kenë kolegë pune, shokë fituesi. D.m.th., ata ndajnë edhe interesa të përbashkëta: muzikë, sport, etj. Kështu që, besoj në miqësi mashkull-femër.
Në lidhje dashurie a është më i rëndësishëm seksi apo dashuria?
Pa dashuri, nuk ka seks; kështu këto janë të ndërlidhura, nuk shkojnë ndaras.
Cila është receta për ta harruar ish-dashurinë?
Thjesht, duhesh të dish që jeta vazhdon, njerëzit humbin njerëz të familjes dhe vazhdojnë sërish. Kështu që, edhe nëse ndodh të ndahesh prej të dashurit, duhet t’ia kujtosh vetes që t’i vlen dhe ke shumë arsye të tjera për të jetuar.
Çfarë duhet të ketë çdo femër në çantën e saj, ndërkaq mashkulli në kuletë?
Femra duhet të ketë në kuletë parfum dhe buzëkuq, kurse mashkulli duhet ta dijë se për çka vlen kuleta.
Çfarë nuk mund të blihet me para?
Shëndeti, morali dhe dashuria.
Shumica e damave, që nga mosha e re, kanë ëndërruar të bëhen këngëtare, duke ushtruar lëvizjet para pasqyrës. A ka qenë kjo edhe ëndërr jotja apo dashuria ndaj muzikës ka lindur spontanisht?
Muzika nuk ka qenë diçka spontane për mua. Si e vogël, mbyllesha në dhomën e gjumit duke kënduar dhe pretenduar që arushat janë audienca ime.
Secili nga ne i ka idhujt e vet. Cili ka qenë idhulli juaj, shumë i rëndësishëm për jetën, por edhe për të lundruar në ujërat e muzikës?
Ajo është Aaliyah Dana Houghton.
Çka është vendimtare për të arritur sukses: talenti, fati, lidhjet e mira apo diçka tjetër?
Talenti dhe puna janë çelësi i suksesit, por edhe duhet pasur pak fat që të ndodhesh në kohën e duhur dhe vendin e duhur.
Ju gjithmonë mundoheni të jeni origjinale, madje edhe model për këngëtaret e tjera, megjithatë zemërngushtët sikur nuk ju lënë rehat duke thënë se ju imitoni yjet e skenës botërore?
Këto paragjykime kanë ekzistuar dhe do ekzistojnë gjithmonë, por unë mundohem që të jem vetja dhe të mos e humb veten edhe nëse inspirohem prej dikujt.
Çfarë keni ju, ndërkaq nuk kanë Rihana, Beyonce apo Jessie J.?
Kam nënshtetësinë shqiptare dhe jam krenare.
Jeni një këngëtare e kompletuar, megjithatë ndodh që njeriu të zhgënjehet. Për çfarë je penduar që nuk e ke bërë siç duhej deri më sot?
Kam besuar në njerëz të gabuar.
Thuhet se në mesin e këngëtareve ka shumë xhelozi. Pse është kështu dhe a ka shërim kjo, më në fund?
Sepse është natyra e njeriut dhe s’besoj që ka shërim, përderisa njeriu nuk është i kënaqur me vetveten. Shërimi do ishte që secili t’i shikonte punët e veta.
Çka e qetëson më lehtë temperamentin tuaj të zjarrtë?
Një gotë ujë.
Çka ju ngre adrenalinën? Dashuria, frika, padrejtësia...
Adrenalinën ma ngre shpejtësia e veturës edhe parashutizmi.
Keni ndonjë pasion? Ndonjë “ves” të vogël?
Gjithçka çfarë ka të bëjë me kreativitetin dhe artin unë jam e pasionuar, kurse, për sa i përket vesit, unë jam e obsesionuar për pastrim dhe organizim të sendeve të mia personale.
Kur ka qenë hera e fundit që jeni bërë nervoze?
Haha, "nuk e mbaj mend".
Si e mundni ditën e keqe?
Shkoj në fitnes dhe ha akullore.
Keni ndonjë këngë apo këngëtar të veçantë, që ju prek më shumë zemrën dhe shpirtin?
Është Collie Buddz – ‘Let Me Know’, e dëgjoj çdo herë dhe nuk më bëhet bajat.
Po, përveç muzikës së zhanrit tuaj, ç’muzikë tjetër ju pëlqen?
Deep House.
Çfarë do të dëshironit të lexonit për veten nga të tjerët sapo kërkonit emrin tuaj në internet?
Asnjëherë nuk hy të lexoj për veten.
Cili është vendimi më i rëndësishëm që të është dashur të marrësh në jetë?
Shpërngulja ime këtu, duke e lënë familjen në Suedi, në moshën 17-vjeçare.
A mund të na thoni se sa tatuazhe dhe pircinge keni në trupin tuaj dhe a paraqesin ato diçka të vlefshme për ju?
Kam 6 tatuazhe, 5 pircinge dhe çdo tatuazh e ka një domethënie për mua, në lidhje me jetën time.
Do ta bëje tatuazh emrin apo germën e parë të emrit të njeriut që do?
Unë i kam emrat e mamit dhe motrave të mia, kurse do të kem tatuazh edhe me emrat e fëmijëve kur të bëj familjen timen.
Kur e ke dhënë puthjen e parë?
Kur isha 16-vjeçare.
Mendon se djali të cilit ia dhurove këtë puthje e meritonte atë?
Ishte diçka fëmijërore, nuk hyra shumë në detaje.
E mban mend shijen e puthjes së fundit?
‘Colgate’, hahaha.
Çka mund t’u thoni atyre që dëshirojnë t’ju dëgjojnë dhe t’ju shohin, ku mund t’ju gjejnë verën e sivjetme?
Unë do të jem, gjithkund ku ka shqiptarë.
Diçka për fund?
Pritni shumë surpriza gjatë këtij viti dhe gjithashtu, albumin tim të tretë. /Telegrafi/

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)