Dëshmoret e kombit nuk vdesin kurrë: Isa Kastrati, Sokol Sopi dhe Afrim Vitia


Skeda:Isakastrati.jpg

Në njërën nga ofensivat me 18 prill 1999 në Gollap në përleshje me forcat ushtarake e policore armike, ndeshen me Brigadën 153 të UÇK-së, Brigada udhëhiqej nga Komandant Adem Shehu nga Shqipëria dhe krahu i djathtë i tij komandanti për moral dhe politikë i shëndritshmi Isa Kastrati.

Në vije të parë me shumë shokë bashkëluftëtarë ishte edhe Isë Kelmendi, pak me larg edhe Sokol Sopi, Afrim Vitia e shumë bashkëluftëtarë të tjerë, Isë Kelmendi lidhur me betejën në fjalë thotë :

"Dy ditë luftuam pa ndërprerë me Isa Kastratin dhe bashkëluftëtarët e tjerë në vijën e pare të frontit por të madhit Isa Kastratit as qerpiku i syrit s’i luante e me një heroizëm te pashoq qëndroj si një burrë që nuk dinte kurrë mpapa të shkonte, zëri dhe fjala i kumbonin deri në qiell bashkë me krismat, morali i tij i pazëvendësueshëm dhe tregonte kjartë se Liria e Kosovës kishte marrë rrugën që Isa Kastrati e kishte kërkuar plot një jetë".

Në mbrëmjen e së martës së 20 prillit 1999, në frontin e Vitisë në Marec u plagosën rëndë Sokol Sopi e Afrim Vitia, me një urgjencë u tërhoqën nga vija e frontit dhe u sollën në shtëpinë e Bajram Vitisë, të nesërmen në mëngjesin e të mërkurës me 21 prill 1999 nën breshërinë e fuqishme të granatave çetnike i tërhjek Isa Kastrati dy të plagosurit në spitalin e improvizuar të "Skifterave”në Zllash, ishin nën përkujdesje të Doktoreshës Teuta Hadri deri në orët e pasditës por në mungesë të mjeteve Doktoresha nuk mundi të bënte më shumë dhe për të shpëtuar ata duhej dërguar në Llap në spital ushtarak.

Mblodhi fuqinë dhe lëshon zërin nën dhimbjen e hidhur të plagëve Sokol Sopi: vetëm me Bacën Isë do ta mirrja këtë rrugë, kështu shprehet edhe Afrim Vitia duke iu drejtuar Isa Kastratit me një buzëqeshje: "Do të na dërgosh baca Isë ?"

“Është fjalë kjo Sokol” sikur me nguti ia kthen Isa,“Qysh mos t’i qoj Baca trimat e vet...

Për ju do tja mësyja madje edhe vet zjarrit vetëm e vetëm mos të harroni se shpejt do të ju mbyllen plagët e tevona do të ktheheni e do e largojmë këtë bishë sllave nga çdo pllëmbë e Kosovës sonë, na pret edhe dasma e Afrimit ku baca Isë do të kërcej në valle nga toka në qiell, e shihni se si do të vallëzoj Isë Kastrati ! A po Afrim ? Por ti je më i vogël, njëherë do ta martojmë Sokolin e ky besa është edhe vëlla i 6-të motrave...

Ishin kta zërat e krenarisë së maleve tona dhe vendoset që në mbrëmje të nisen për në LLAP.

Me 21 prill 1999 (e mërkurë) para mbrëmjes nisen dy (2) xhipa dhe një kombi me ushtarë të plagosur, në xhipin që e drejtonte Isa Kastrati ishin dy ushtarët e plagosur Sokol Sopi dhe Afrim Vitia.

Gjatë udhëtimit dhe rrugës tejet të dëmtuar si pasojë kombi ngelë në baltë me çrast xhipi i dytë fillon tërhekjen e tij, gjendja shëndetësore e dy të plagosurve Sokol Sopi dhe Afrimi Vitia po keqësohej dhe Isa Kastrati vazhdon rrugën dhe papritur bëhet një ngatërrim i rrugës në një kryqëzorë dhe se në vend që të merrte drejtimin e Prapashticës, niset kah "bullajt" lagje në Marec dhe si pasojë bie në pritë të forcave ushtarake çetniko-serbe.

Pas alarmimit të forcave armike me të shtëna, Isa Kastrati ia del që t’i nxjerr nga xhipi dy të plagosurit dhe më pastaj për të vazhduar luftën me forcat çetnike.

Bazuar në deklaratat e fshatarëve të lagjës aty ishte bërë luftë heroike dhe shumë e rreptë, luftë tejet e pabarabartë ngase Isa Kastrati ishte vetëm. Zhvillonte luftë ballore dhe në afërsi deri në 10 m, në saje të gjurmeve, ishte dëshmija se kishin mbetur 5 policë të vrarë.

Isa Kastrati bie heroikisht ndërsa më pastaj vriten edhe dy të plagosurit, Afrim Vitia dhe Sokol Sopi, nga resistenca dhe humbjet që bishat çetnike psuan në këtë luftë me Isa Kastratin, sikur s’i besonin as armëve të veta dhe në trupin e pajetë të Isës në shenjë revolte dhe dëshpërimi kishin shti breshëri plumbash ndërkaq në kokë ishte i goditur edhe me Kazmë. Ra për të mos vdekur kurrë. Rrënja e Isa Kastratit Sokol Sopit dhe Afrim Vitisë ishte humbje e madhe për UÇK-në dhe mbarë Kosovën.




*****


Isa Kastrati u lind më 9 Prill të vitit 1947 në fshatin Hogosht të Komunës së Dardanës. Rrjedh nga një familje me traditë të pasur si në aspektin kulturor, patriotik ashtu edhe në atë atdhetaro-kombëtar, thjeshtë rrjedh nga familja e cila kurrë s’pranoj ligjet e një shteti që njihej me emrin Jugosllavia.


Shkollën fillore Isa Kastrati e kreu në vendlindje-Hogosht ndërsa gjimnazin në Gjilan, më pastaj apsolvoi në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Prishtinës, Dega e Matematikës.

Demonstratat Studentore të vitit 1968, Isë Kastratin e gjejnë jo vetëm si pjesëmarrës aktiv por edhe si organizator direkt të tyre çka si pasojë e aktivitetit që kishte zhvilluar, arrestohet dhe dënohet nga me 60 ditë burgim ku afër kishte edhe shokët e idealit ; Rexhep Mala dhe Sami Dermaku.

E vuan dënimin dhe për të vazhduar punën e mëtutjeshme në sferën politike dhe atdhetare, fillon punën si Profesor në Shkollën e Mesme Ekonomike të Gjilanit e pak më vonë edhe në gjimnazin e Dardanës.

Ndiqej dhe përcillej në çdo hap, nuk e kursenin kurrë as ata mercenarë dhe UDB-ash serbë e shqiptarë e këta të fundit e neverisëshin më së tepërmi, si pasoj e bindjeve të tij politike, dhe vizionit të tij patriotik e largojnë nga procesi edukativo – arsimor.

I larguar nga procesi edukativo-arsimor, Isa Kastrati detyrohet që edhe një herë të rifilloj jetën studentore por tani në Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës Ruse, i vetmi drejtim që iu lejua, dhe diplomoi me sukses.

"Shtëpia e dytë" - BURGU

Gjatë një vizite që ia bëri i Ati Sabit Kastrati me të vëllanë (xhaxhain e Isës) Qemajlin, në stinën e Verës shohin dorëzat e zeza në duart e Isës, dorëza ato që ia mbulonin vrragët nga pasojat e torturave që po përjetonte dhe nga gjakderdhjet që ia shkaktonin ndytësirat fashiste.

Por çështë e vërteta se atdhetari, intelektuali, vizionari, strategu dhe simboli i rezistencës kombëtare Isa Kastrati as vitet me ato tortura mesë brutale në burg nuk e ndanë nga veprimtaria e tij atdhetare, ishte i dënuar me 6 vite me shume shokë të idealit Grupi i Adem Demaçit ku Isa Kastrati ishte në vuajtje të dënimit, pa dalur nga burgu dënohet edhe me 6 vite burgim si anëtarë i grupit në fjalë, në këtë grup ishin edhe Skënder Kastrati (djali i Muharrem Fejzë Kastratit), Rexhep Mala, Sami Dermaku e shumë të tjerë.

Ndonëse i pjekur nga të parët që burgun e shtetit serbo-sllav e kishin si shtëpi të dytë, Isa Kastrati dënohet edhe për të tretën herë pa dalur fare nga burgu, dënohet me 3 vite e gjysmë, kësaj radhe me pretekst që shkaku i pakënaqësive kishte qëndruar 21 ditë në grevë urie, dhe pas një përleshje me gardianët e burgut e dënuan sërish pa dalur nga ato dyer të ndyta. Qëndroj plot 10,5 vite i burgosur por i pathyeshëm dhe thoshte përherë se për mëmëdheun duhet bërë edhe më shumë andaj kurrë nuk ra nën ndikim të provokimeve të cilat ia bënin qoftë serbët apo edhe mercenarët shqiptarë.

Jeta Bashkëshortore

Me 17 korrik 1986 lirohet nga burgu i Spuzhinit te Podgoricës. Në fund të këtij viti Isa Kastrati martohet me Tevide Pllanën nga Kastrioti ku gjatë 13-të vitesh martesë, lindin 7-të fëmije nga të cilët fëmiju i parë iu vdes ndërsa 5 djemtë dhe vajza janë me plot shëndet e plot krenari për veprën e të Atit dhe të parëve të tyre.

Isa Kastrati i donte shumë fëmijët dhe paralel kohës që jetonte dhe situatës që ndodhej Kosova, Emrat e fëmijëve i pagëzonte dhe i lidhte ngushtë me vlerat e tokës amë, Lirisë, Qëndresës, Gëzimit, Krenarisë dhe Festimit të Republikës së Kosovës shtet i pavarur dhe përgjithmonë jashtë kufijve të Serbo-sllavisë fashiste.

Megjithëkëtë, edhe pas daljes nga burgu (pas 17 korrikut 1986), ndiqej dhe përcillej në çdo hap nga Shërbimi Sekret i Punëve të Mbrendshme dhe e lodhnin me të ashtquajturat ”biseda informative” nga të cilat rëndom edhe kërcohej me likuidim fizik, gjë që s’ju trembej syri kurrë këtij atdhetari ngase për realizimin e synimeve atdhetare kishte mësuar nga të parët dhe të thyhet s’lejoi në asnjë moment te jetës së tij.

Skeda:Permendorja.jpg


Një vit pas daljes nga burgu, në vitin 1987, Isa Kastrati me familje vendoset në Prishtinë, filloj me një përkushtim studimet posdiplomike në Degën e Gjuhësisë dhe la të papërfunduar edhe dorëshkrimin e Magjistraturës që e kishte përgatitë me një dëshire dhe përkushtim të veçantë.

Gjatë periudhës kur nuk kurseheshin as shkollat shqipe nga gjakpirësit shekullor, për shkak të mospranimit te ligjeve të Arsimit Serbosllav, Shkollat mbylleshin dhe nxënësit dëboheshin me gjithë mësimdhënësit e tyre, këtë kohë, shtëpia e Isës u shndërrua në vatër diturie, në shkollë ku mësimet i ndoqën nxënësit e Gjimnazit “Dr. Ali Sokoli”, në këtë periudhë Isa Kastrati punonte në Kshillin Komunal të Financimit dhe njëkohësisht edhe në SHMT “28 Nëntori në Prishtinë.

Rrëzimi i Komunizmit famkeq


Rrëzimi i regjimit komunist dhe dalja në skenë e LDK-së si lëvizje gjithëpopullore e gjejnë Isa Kastratin si aktivist me plot energji, ishte dy mandate Kryetar i Degës së III-të të LDK në Prishtinë. Më pastaj ishte edhe Kryetar ndërpartiak për Degët e LDK për Prishtinë dhe Gollak.

Isa Kastrati iu përkushtua me tërë qenien lëvizjes politike për Çlirimin Kombtar, ndihmoj fuqishëm Lëvizjen Studentore që i kishte dhuruar aromë dhe energji të re.

Në vitin 1997 ishte ngushtë i lidhur me shumë veprimtarë si : Hazir Borovci, Gani e Mustafë Sopi, Sali Mustafa, Ibrahim Mehmeti, Sejdi Matoshi, Sabit Krasniqi, Nezir Gashi, Shyhrete Kastrati e shumë te tjerë, që të gjithë shokë të një ideali e të një gjuhe “Çlirimin e Kosovës nga Okupatori i ndytë Serbo-sllav”.

Gjithmonë në shërbim të atdheut

Isa Kastrati ishte organizator i dy protestave të Marsit të vitit 1998 (kryetar i këshillit organizativ të demonstratave të 2 dhe 9 marsit 1998) bashkë me veprimtaren dhe humanisten Flora Brovina në Prishtinë kundër masakrave qetnike në Çirez e Likoshan.

Dalja në skenë e UÇK-së dhe fillimi i rezistencës së armatosur e inkurajojnë mbarë familjen Kastrati e cila në radhët e UÇK-së radhiti tetë(8) anëtarë të familjes.

Shtëpia e Isa Kastratit në këtë periudhë kohore sa ishte në vatër diturie-shkollë , u shndërrua edhe në shtëpi strehimi ku gjetën strehim mbi 20 familje me mbi 100 anëtarë, në shtëpinë e tij e cila u ba edhe shtëpi shëndetësore u shëruan nëntë ushtarë të UÇK-së, ndër të strehuarit ishte edhe famë e Dr. Lecit (Lec Gradica) për të cilin pas vrasjes dhe masakrimit të tij, në shtëpinë e Isës edhe bëhet pritja e ngushëllimeve.
Pas dhunës së egër të pushtuesit barbar, nga Drenica dhe viset tjera të Kosovës, filloj zhvendosja e qindra banorëve në drejtim të Kryeqendrës sonë, me iniciative të Isa Kastratit themelohet Këshilli i emergjencës për Prishtinën me çrast e zgjedhin Kryetar të Këshillit ku energjia e palodhshme e detyronte që natë e ditë të ndihmojë të zhvendosurit në të gjitha format që kërkohej.

Përkundër ndihmave dhe punës në këshillin e Emergjencës, Isa Kastrati me guxim të pashoq organizonte dhe masivizonte strukturën ushtarake të UÇK-së në Prishtinë dhe rrethinë me emrin “Guerilja B I A – Baza –Skifterat në qytetin e Prishtinës. "BIA" e emëruan kështu në shenje respekti të heronjve të kombit Bahri Fazliu, Ilir Konushevci dhe Agron Rrahmani.

Isa Kastrati-“GACA” bashkë me veprimtarët Hazir Borovci (ish anëtar i guerilës "BIA"), Gani Sopi e Sabit Mshica arrestohen në vitin 1998-të, pas një keqtrajtimi jo njerëzorë dhe brutal, dënohen me nga 30 ditë burgim, dënimin e vuajnë në burgun e Lypjanit. Ndonëse i dërmuar nga torturat , megjithëkëtë Isa Kastrati dhe shokët e tij s’u gjunjëzuan dhe ngelën të pamposhtur para fytyrave gjakpirëse dhe s'mundën t’ia dalin të mësojnë diçka për Guerilën “BIA” të Prishtinës.



Rënia e Isa Kastratit tronditi thellë zemrat e shokëve, bashkëluftëtarëve e në veçanti preku thellë Familjen Kastrati nga Hogoshti, Dardana, Gjilani, Prishtina, Tetova e Shkupi, Zvicra e deri në SHBA-në e largët.

Megjithëkëtë Isa Kastrati do të kujtohet përherë si shembull i krenarisë Kombëtare, si intelektual dhe luftëtar i cili ishte origjinal në jetë dhe origjinal në mendime, shumë - dimensional, trim e human me virtytet më të larta të një atdhetari.

Në shenjë të respektit dhe dashurisë, në shenjë nderi dhe krenarie, emri i Isa Kastratit ndodhet gjithkund i shënuar me germa të arta, rruga e cila nisët nga varrezat e dëshmorëve në Prishtinë e deri tek lagjeja e Spitalit, lidhët me rrugën “Muharrem Fejzë Kastrati”, pra bashkohen Nip e Xhaxha pikërisht në at kryqëzim rrugësh në Prishtinën e lirë, në qendër të fshatit të lindjes në Hogosht, iu është ngritur përmendorja, ndërkaq Dardana ka edhe Shtëpinë e Kulturës me emrin e të madhit Isa Kastrati. Me rastin e 10 vjetorit të ditës së çlirimit të Hogoshtit, me 15 qershor 2009 në fshatin Bujnoc që ndodhet në periferi të fshatit Hogosht në prani të një delegacioni nga Komuna e Dardanës, përfaqësues të fshatit Prekaz nga Drenica, deputetë e shoqata të dalura nga UÇK-ja dhe nga një prani e shumë qytetarëve të viseve të ndryshme të Kosovës u zbulua pllaka përkujtimore "Brigada 172 Isa Kastrati".

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)