Dafina Kabashi
Krijimtarinë e tij e ndan, në tri ditë, siç i quan ai, përmes të cilave paraqet motivet, idetë, e vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar artisti, që është i lidhur ngushtë në historinë e vendit të vet. Në ekspozitën e tij të hapur në galerinë “Shtëpia e Fellbahut”, në Suharekë, janë ekspozuar rreth 40 piktura të artistit Demush Avdimetaj.
Artistit nuk i kanë ikur pamje të rëndësishme, që ende janë aktive në mendjen e tij, janë pamje nga fshati i tij që ende e motivojnë e bashkë me këto janë edhe shumë burra të punës e trimërisë jetësore, rrugicat, kullat, burimet, lisat, mullinjtë dhe shumë motive të tjera të një jete të egër e të mundimshme për të mbijetuar.
“Individualja ime dje, sot e nesër impulson të vërtetën kolektive e shpërfaqje të krijimeve të mia, që unë i kam sot para jush - siç thotë i madhi poeti ynë Azem Shkreli: “Atdheu është dheu i birit e i atit e i shpirtit të shenjtë’”, është shprehur Demush Avdimetaj.
Ai ka rrëfyer etapa të ndryshme të krijimtarisë të tij artistike, derisa është bërë pjesë e botës së artit, puna e tij do të vazhdojë me shumë klithje krijimesh vizuale, skica, vizatime, studime figurative, grafika, relieve, skulptura, që gati tek ai kishin ardhur krejtësisht në mënyrë autodidakte.
“Dita e tretë më dhuroi shumë pasion e dituri për të qenë edhe më i fortë, më i fuqishëm në konstruksionin e formësimit (personalitet krijues) dhe më së shumti figurë e qëndrueshme, stabile, besnike për kulturën - në ato pamore”, ka thënë artisti, i cili me artin e tij udhëton në mite, legjenda, e në të njëjtën kohë brenda kufijve të fatit melankolik civilizues për të qenë vetja në emblemën e dhimbjeve në tokë, ujë, ajër, brendësi këto në qenien e tij.
“Unë në imagjinaren dhe realen, vetminë, botën time ndërtova, përjetova në të gjitha poret tektonike në të tri ditët e krijimtarisë sime.
Njeriun e kombin tim, gjithnjë në kërkim të idolit tim nëpër tokë, ujë e hapësira ajrore, i gjithë ky një konglomerat gëzimesh, dhembjesh, histori identiteti, tmerre e katastrofa krimesh, mitin e legjendat, për Ilirinë e Dashurinë, Rozafën, nënën shqiptare, Skënderbeun dhe profilin shqiptar”, thotë mes të tjerash Demush Avdimetaj, për të shtuar se impresioni i tij kombëtar është plot dashuri e respekt, origjina e dhembjes së tij shuhet e reprodukohet në forcë për të vazhduar prore në kërkim për të bukurën artistike, vlerën e saj për të qenë shënim valid në historinë e tij jetësore e kombëtare.
-----------------------------
Folklori, arkitektura, kullat, portalet, muret prej guri, janë imazhet kryesore në të cilat piktori ka gjetur inspirim. Posaçërisht vepra e tij është e fokusuar në portretin e njerëzve, nudo dhe jetën e shpezëve. Piktori Demush Avdimetaj ka përmbledhur punën e tij disavjeçare, duke e finalizuar atë me ekspozitën personale të tetëmbëdhjetën me radhë.
Galeria e Ministrisë së Kulturës “Qafa” ka qenë stacioni ku janë takuar artistë dhe artdashës. I pranishëm ka qenë edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Blerim Kuçi, i cili ka përkrahur artistin dhe njëkohësisht ka ndihmuar në finalizimin e punës për katalogun e kësaj ekspozite.
Refki Gollopeni, menaxher për kulturë në Drejtorinë e Komunës të Suharekës, ka lexuar fjalimin e profesorit Nebih Muriqi.
”Muret me dritare dhe portale, zogjtë dhe nudot, janë tri tërësi tematike nga krijimtaria në fushën e vizatimit”, ka thënë Muriqi.
”Ai percepton botën reale që e rrethon me saktësi prej artisti që sheh tej murit të padukshëm, e ndien intuitivisht, e nuancon me shkallëzim tonal plastikor në një strukturë të dendur poetike”, ka shtuar ai.
”Avdimetaj është Homeri, i cili pikturon legjendat shqiptare”, ka thënë Gollopeni, duke përmbyllur fjalimin e tij me surprizën që i kishte bërë piktorit, kur i ka kumtuar lajmin për rrugëtimin e ekspozitës së tij. Me trembëdhjetë dhjetor të këtij viti, ekspozita e tij do të hapet në Shkup.
”Më gëzon fakti për pjesëmarrjen tuaj në ekspozitën time, kjo e nderon personalitetin dhe punën time”, ka thënë Avdimetaj në fund.
Avdimetaj është laureat i disa çmimeve. Ka marrë mirënjohje nga Kuvendi i Suharekës për kontributin e dhënë në artin figurativ (2005, 2011) nga Akademia Evropiane e Arteve në Belgjikë (2006), kurse në Gostivar më 2010 në Sallonin mbarëkombëtar mori çmimin e parë për vizatim.
http://floripress.blogspot.com/2012/03/imazhet-marramendese-te-piktorit.html