2014-06-13

Ca çaste të këndshme me Dr. Bujar Leskaj



Prof.dr. Eshref Ymeri



Me Dr. Bujar Leskaj, Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u njoha një vit më parë dhe pikërisht më 13 qershor të vitit 2013, në mjediset e Teatrit “Petro Marko” në Vlorë, me rastin e një aktiviteti të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, e cila i dorëzoi Diplomën “Personalitet i Shquar i Labërisë”. Pas asaj ceremonie, në një lokal pranë teatrit, kaluam pak kohë së bashku edhe me disa anëtarë të shoqatës në fjalë.
Në Tiranë, një ditë prej ditësh, u takuam rastësisht aty afër Presidencës dhe e bëmë me fjalë që të shiheshim dikur dhe të rrinim pak më gjatë. Por nuk na u bë kollaj, aq më tepër që unë, në muajin shtator, u largova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pasi u ktheva në Tiranë para pak kohësh, një ditë i bëra një telefonatë Dr. Bujarit dhe ai më la takim në orën 11:30 të datës 10 qershor. Më priste në kabinetin e vet.

Në kabinetin e Dr. Bujarit kalova ca caste të këndshme. Nuk mund të rrija më gjatë, sepse telefoni nuk pushonte orë e çast, qoftë telefoni i instaluar, qoftë telefoni i dorës. Domosdo. Kontrolli i Lartë i Shtetit është një institucion me shumë peshë dhe me shumë përgjegjësi në strukturën e shtetit shqiptar. Prandaj edhe problemet që qëndrojnë para tij, janë të shumta dhe kërkojnë profesionalizëm të lartë për zgjidhjen e tyre.
Mendoj se caktimi i Dr. Bujar Leskaj në krye të këtij institucioni këtu e dy vjet të shkuara, ka qenë një zgjedhje mjaft e qëlluar e parlamentit shqiptar.

 Drejtimi i këtij institucioni kërkon jo vetëm profesionalizëm, por edhe përkushtim dhe gatishmëri intelektuale, për t’u dalë përpara të gjitha shqetësimeve që lindin gjatë kryerjes së detyrave që shtron zhvillimi ekonomik i vendit dhe respektimi i ligjshmërisë në ecurinë e tij.

Dr. Bujari ka ardhur në krye të këtij dikasteri pas një përgatitjeje të admirueshme akademike. Ai ka përfunduar tre fakultete: Fakultetin Gjeologji-Miniera, degën e inxhinierisë së naftës (1990); Fakultetin Ekonomik, degën e financës (1998); Fakultetin e Drejtësisë (2002). Përveç kësaj, ai është specializuar në Departamentin e Menaxhimit të Universitetit të Nebraskës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në periudhën shkurt-qershor të vitit 2003.

Në muajin shkurt të vitit 2005, ka bërë një specializim për Financat Publike në Universitetin Bamberg të Gjermanisë. Veç kësaj, ai ka mbrojtur gradën shkencore “Master në Financë” në vitin 2006, kurse gradën “Doktor i Shkencave Ekonomike” e ka mbrojtur në vitin 2009 në fushën e financës pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës.



Përvoja e gjatë si doganier dhe si drejtues i doganave, përvoja shumëvjeçare si pedagog i brendshëm dhe i jashtëm në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, karriera politike si deputet dhe si Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe i Sporteve, përbëjnë prapavijën akademike të Dr. Bujarit, si specialist mjaft i përgatitur dhe me shumë përvojë në fushën e financave dhe të legjislacionit shqiptar, përvojë kjo, të cilën ai e ka derdhur edhe në gjashtë libra të botuar, si edhe në revista periodike shkencore, në artikuj në shtypin e përditshëm dhe në konferenca shkencore.



Në bisedë e sipër, Dr. Bujarit iu drejtova me një pyetje se si i trajton Kontrolli i Lartë i Shtetit ankesat apo letrat që i vijnë nga qytetarët e thjeshtë. Këtë pyetje ia bëra me qëllim që të mësoja diçka konkrete se cili është pulsi i punës në atë institucion. Sepse qëndrimi i administratës shtetërore ndaj ankesave dhe letrave të qytetarëve, nxjerr në pah faktin se cila është “frymëmarrja” e saj në raport me popullin: a “merr frymë” lirshëm kjo administratë, duke komunikuar me masën e gjerë të njerëzve, sa herë që këta shtrojnë probleme për t’u zgjidhur, apo kjo administratëështë shndërruar në një institucion “azmatik”, duke i anashkaluar shqetësimet e popullit, duke mos ua vënë veshin halleve të tij.




Këtë pyetje ia drejtova qëllimisht Dr. Bujarit, nisur nga një rast i papëlqyeshëm që unë pata me një titullar të një dikasteri qendror të administratës së lartë shtetërore. Titullarit të atij dikasteri qendror, më datën 06 maj 2014, i pata nisur një kërkesë me tre rreshta e gjysmë. Por ai titulllar në adminitratën e lartë të qeverisë së zotit Rama, për mjerimin e vet intelektual, nuk më ka kthyer përgjigje edhe sot e kësaj dite, paçka se kanë kaluar 39 ditë.



Unë sapo e nxora pyetjen nga goja, Dr. Bujari u çua menjëherë nga kolltuku, shkoi te tryeza e punës dhe dha porosi në telefon t’i sillnin të fotokopjuara të gjitha evidencat e shqyrtimit të ankesave dhe të kërkesave, drejtuar Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke filluar nga 6-mujori i parë i vitit 2011. Ato evidenca m’i solli zoti Bedri Çoku, një figurë shumë e nderuar nga radhët e ish-të përndjekurve politikë, i cili u burgos në moshën 20-vjeçare dhe doli në liri në moshën 43 vjeçare, duke i ngrysur vitet më të bukura të jetës së tij prapa hekurave të ferrit komunist. Ishte pikërisht zoti Bedri Çoku ai që, në revoltën e kampit famëkeq të Spaçit, ngriti lart flamurin kombëtar, pa yllin në krye të tij.



Nga ato evidencamësova se në 6-mujorin e parë të vitit 2011, kur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit ishte dikush tjetër, kishin ardhur gjithsej 7 ankesa. Kurse në periudhën që Kryetar vazhdon të jetë Dr. Bujari, pra, në vitet 2012, 2013 dhe në harkun kohor janar-prill 2014, respektivisht, kishin ardhur 358, 401 dhe 143 ankesa.



Më bëri shumë përshtypje fakti që këto ankesa, që të gjitha, ishin trajtuar me kujdesin më të madh nga sektorët përkatës të Kontrollit të Lartë të Shtetit, me porosinë e drejtpërdrejtë të Dr. Bujarit.
Pasi u përshëndeta me Dr. Bujarin, dola nga kabineti dhe, me porosinë e tij, zoti Bedri Çoku më shoqëroi në mesoren e institucionit, për t’u njohur nga afër me muzeun-ekspozitë të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku ishin afishuar dokumente të tij mjaft interesante, duke filluar që nga periudha e Mbretërisë Shqiptare dhe deri në ditët tona.



Dukej që ishte bërë një punë shumë profesionale, për të nxjerrë në pah traditën e kahershme të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pa harruar që të ekspozoheshin edhe fotografitë e drejtuesve të këtij dikasteri të rëndësishëm. Ky muze-ekspozitë ishte ngritur nën kujdesin e drejtpërdrejtë të dr. Bujarit, të cilin e urova me gjithë zemër për respektin që ka treguar ndaj punës pararendëse që është bërë në këtë institucion të rëndësishëm të shtetit shqiptar.

Tiranë, 14 qershor 2014


--------------------------------------------------

Skeda:Bujar Leskaj.jpg

Bujar Farudin Leskaj ka lindur në 3 korrik 1966, në Vlorë. Doktor i Shkencave ekonomike. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Edukimi:

UT, Fakulteti Gjeologji-Miniera - 1990; Inxhinier nafte;UT, Fakulteti i Ekonomisë, Dega Financë - 1998; Ekonomist;UT, Fakulteti i Drejtësisë - 2002; Jurist;Universiteti i Nebraskës - Lincoln, SHBA, Departamenti i Menaxhimit (Diplomë për mësimdhënie në nivel masteri në Administrim publik) - shkurt-qershor 2003;UT, Dhoma Kombëtare e Avokatëve, titulli Avokat - 2004;Universiteti Bamberg, Gjermani - specializim për Financat publike - 2005 (shkurt);Shkolla e Studimeve të thelluara pasuniversitare pranë Fakultetit të Ekonomisë (2002-2006);Master në Financë ( Qershor 2006 )

Doktor i Shkencave ekonomike (në fushën e financës), dizertacioni i mbrojtur pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti Ekonomik me temë: "Senjorazhi dhe disa probleme të tij në Shqipëri" (2009).


Veprimtaria profesionale:



1993-1994: doganier në Degën e Doganës, Vlorë,1994-1997: Kryetar i Degës së Doganës, Vlorë,1997 (prill-gusht): Nëndrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave,2000-2005 pedagog në UT, Fakulteti i Ekonomisë, Departamenti Financë, Lektor i lëndës “Paraja dhe Banka”,2005 - 2009 pedagog i jashtëm në UT, Fakulteti i Ekonomisë,Tetor 2009 e në vazhdim pedagog në UT, Fakulteti i Ekonomisë, Departamenti Financë, Lektor i lëndëve “Paraja dhe Banka”, “Financë”.


Veprimtaria politike:



1997 (janar): anëtar aktiv i PD-së;2001-2005: anëtar i Bordit financiar të PD-së;2001 e në vazhdim: anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së zgjedhur nga Kuvendi i 7-të, i 8-të (2005) dhe i 9-të (2009), Kombëtar të Partisë;2005 - 2009: Deputet i Kuvendit te Shqipërise Legjislatura: XVII, Zona zgjedhore: 94, Qarku: Vlorë, Nr. i votave: 6272, Përqindja: 48%Shtator 2005 - Mars 2007: Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit 2007 - 2009. Anëtar i delegacionit të përhershëm të Parlamentit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.


Librat e botuar:


1 - "Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë, 1912-2009", Tiranë 2009

2 - "Brenda dhe Jashtë…PARLAMENTIT (maj 2007-maj 2009)", Tiranë 2009

3 - "Senjorazhi” – Punim Doktorature, Tiranë 2009

4 – “Paraja dhe Banka” (Cikël Leksionesh), Tiranë 2011

5 – “Leksione në Financë” (Pjesa e I), Tiranë 2011;

6 – “Muzat e Qëndresës” (Nëpër libra të kryqëzuar) – Tiranë 2011.


Të tjera:


- Botime në Revista periodike shkencore.

- Artikuj ne shtypin e perditshem

- Pjesëmarrje në Konferenca shkencore.


Biografia është përgatitur nga Agjencioni Floripress(Flori Bruqi)

2014-06-12

Arbnor Dehari vlerësohet si një punëtor i madh, trim e modest

Arbënor Dehari rrjedh nga një familje patriotike me prejardhje nga Kumanova. Ai ishte aktivist i devotshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që nga vitet e para të formimit të saj, duke marrë pjesë në shumë aktivitete, aksione, protesta dhe demonstrata. Ka qenë i ngarkuar me detyra konkrete dhe përgjegjësi brenda Lëvizjes, duke qenë me vite anëtar i Sekretariatit Për Media dhe Komunikim të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

 Prej vitit 2012, i ndjeri ka qenë sekretar organizativ i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, duke qenë ndër aktivistët kryesorë dhe më meritorë në fushatën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si në zgjedhjet lokale ashtu edhe në ato të përgjithshme.

 Vdekja e tij është humbje e madhe si për familjen poashtu edhe Lëvizjen VETËVENDOSJE! Në këto moment të rënda, shprehim ngushllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, dashamirëve dhe aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, thuhet në një komunikatë për media të Lëvizjes Vetëvendosje.



Arbnor Dehari vlerësohet si një punëtor i madh, trim e modest


https://www.youtube.com/watch?v=z-TU7-uygKQ

Si një njeri energjik por modest , shokë shumë i mirë, trim e i qëndrueshëm, kështu u vlerësua sot 28 vjeçari, Arbnor Dehari , aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili dje ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike.
Babai Avniu dhe nëna Xhemilja pritën dhe përcollën miq e dashamirë të birit të tyre, e të cilët kishin ardhur për të ia dhënë lamtumirën e fundit Arbnorit.
Avni Dehari, në mbledhjen komomorative që u mbajt sot, porositi të gjithë miqtë e Arbnorit që idealin që kishte ai, ta qonin deri në fund.
Dehari: Ideali i Arbnorit të qohet në fund
“Në emër të familjes sonë iu falënderoj që keni ardhur sot ta ndani dhembjen e madhe dhe krenarinë për birin tonë të dashur, Arbnor Dehari. Unë e kam ditur por sot po bindem edhe më shumë se Arbnori nuk ka qenë vetëm i yni, Arbnori ka qenë i të gjithëve, Arbnori ka qenë i Kosovës, i lirisë, i ardhmërisë dhe idealeve deri në bashkim kombëtar. Andaj si prind, edhe pse janë shumë i bindur, kërkoj që idealet e Arbnorit, natyrisht që i ka marrë në Lëvizjen Vetëvendosje, shokët e tij të bëjnë përpjekje më të mëdha që t’i qojnë deri në fund”, ka thënë ai.
Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje që sot shënuan edhe 9 vjetorin e kësaj lëvizje, e kujtuan mikun e tyre si një nder njerëzit më të qëndrueshëm në aktivitetet e demonstratat e organizuara të Lëvizjes Vetëvendosje.
E lideri i kësaj lëvizje, Albin Kurti, tha se ende nuk mund ta besoj vdekjen e Arbnorit. Ai me fjalë tregonte mendimet e tij, ku e paramendonte Arbnorin të gjallë aty në mesin e tyre dhe jo brenda arkivolit që po i afroheshin të gjithë.
Kurti: Ende nuk po mund ta besoj që Arbnori ka vdekur
“Ka qenë një aktivist tejet i gjallë por edhe i heshtur , shumë punë ke parë se si u kryen u përfunduan por pa autor, nuk ka qenë protagonist, nuk ka qenë një person i cili ka dashur që punës së tij të ia vejë emrin në fund. Ai ka punuar edhe për ngritjen dhe zhvill imin e qendrave të Vetëvendosjes në mërgatë, prandaj Arbnorin ne edhe sot edhe çdo ditë pas ditës së sotme sa të jemi gjallë, pas nesh do ta gjejmë kudo ku është organizata e koncepti i lëvizjes sonë. Pra, ai ka qenë i gjallë e aktiv gjithmonë por në të njëjtën kohë edhe i qetë dhe modest, kjo gjallëria e tij e qetë është vetë përjetësia, kjo gjallëri e mbijeton atë. Prandaj unë të iu them të drejtën nuk po mund ta besoj ende që Arbnori ka vdekur. Po më duket që nesër të zyra do të vijë prapë, ndoshta teksa po përgatiten që të shkojnë në një aktivitet diku ai po diskuton me Visarin a Zgjimin. Ne mund të flasim pa fund për kontributin e Arbnorit, e punën e tij por dhimbja jonë sot është më shumë se kaq”, ka thënë ai.
Kurti përshkruante sjelljet e Arbnorit modeste e të qeta, duke thënë se ai ka dhënë një kontribut të madh për vendin por me shumë modesti.
Ai tha se vështirë po e përballon këtë humbje, duke iu thënë familjarëve të Arbnorit se kanë humbur një djalë por kanë fituara me mijëra bijë e bija të popullit të Kosovës.
Kështu, Arbnor Dehari humbi jetën tragjikisht dje rreth orës 09:30, duke rënë nga kati i gjatë i nanesës ku jetonte. Ai ishte aktivist i Vetëvendosjes që nga formimi i saj, si anëtar i Sekretariatit për Media dhe Komunikim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gëzim Mekuli-Gazetarët, këta aktorë pornografik!

Gazetarët, këta aktorë pornografik!

A është gazetari kjo, bre? A ka humanizëm në jetën tonë, bre? A ka rrespekt për institucionin e shejtë, familjen, bre?
A ka empati në zemrën dhe mendjen e gazetarisë shqipe, bre? Arbënor Dehari shkoi! Iku! Po na mungon he burrë i dheut! Shumë po na mungon, Arbënor!
Askush nuk e di, si ike Arbënor! Askush! As Zoti vet se di; Se po ta dinte, nuk do të merrte, Arbënor!
Zoti se di, o trim o patriot! Por, sipas asaj që pamë e lexuam, kuptojmë se për tragjedinë më mirë di gazetaria, se policia!?
Lexuam lajmin tragjik me titull «Vetvrasje»! Shkrimet gazetareske rreth kësaj tragjedie bënë që Arbënori të «vritet» për së dyti herë. Pyes përsëri; A ka etikë në gazetarinë tonë? A ka vlera njeriu e vdekja? E si të ketë nderë vdekja kur në shoqërinë tonë nuk nderohet Jeta? Përsëri, konsekuent deri në fund: A ka redaktorë ky vend, hej? A ka humanistë kjo tokë?
Etikë e humanizëm nuk do të thotë që të paragjykohen tragjeditë dhe fatkeqësitë. Si dhe në cka u bazua gazetaria jonë se i ndjeri Arbënor bëri «Vetvrasje»? E panë gazetarët se si ndodhi tragjedia? Nëse po, kush e pa? A ka emër e mbiemër ky gazetar, hej? Po obduksionin, e lexoj kush? Raportin policorë e pa kush nga këta gazetarë?
Mediat tona janë në mungesë të (pa)kryeredaktorëve?
Gazetaria jonë e keqe, dhe egoiste, nuk tregoj fije respekti për viktimën, për familjen e as për njerun në përgjithësi.
Gazetat e internetit dhe ato të shkruara nuk “u lodhën” fare për të ngushëlluar dhe për të nderuar familjen e Arbënorit të madh. Nuk u tregua kujdes edhe në paraqitjen dhe publikimin e videsekuences ku në të, i shtrirë, e i pajetë, shihej viktima. Si është e mundur që gazetaria të jetë më e etshme për «karrierë» e pas lajmit të shpejtë, sesa për informim dhe edukim.
U mendua se cfarë don të thot fjalia «Arbënori bëri Vetvrasje», apo «Vetëvritet Sekretari i Lëvizjes “Vetëvendosje” Arbnor Dehari»? Menduan gazetarët se cfarë pasojash ka fjalia e tillë? A e dinë këta njerëz se cfarë pasojash etike e morale ka fotografia apo videoja e tillë?
Shpesh shumë gazetarë e gazetare kan ambicije personale që artikulli i tijë apo i saj të publikohet në faqe të parë të gazetës, internetit, apo në fillimin e lajmeve dhe emisioneve radiotelevizive. Po ashtu edhe gara mediatike për të qenë i pari me artikuj po kalon kufirin e etikës gazetareske.
Në këtë rast u vërejt një mungesë e thellë e empatisë. Është e dhimbshme dhe njëkohësisht tragjike se si një grup i madh i gazetarëve treguan paaftësi për të futur vehten e tyre në jetën dhe ndjenjat e të tjerëve. Kjo mungesë e empatisë ka themelin dhe fillimin në vrapin pas parasë, etjen për vëmendshmëri, status, garim për të përfituar më shumë lexues dhe, kështu, natyrisht, sigurimin e parave nga fitimi i reklamave. Cmenduri por edhe poshtërsi!
Detyrë e parë e gazetarit dhe gazetares është që të tregohet rrespekt për njeriun, e vecanërisht për viktimën.
Secili nga ne ka dinjitetin, unin dhe personalietin.
Krejt në fund kam një pyetje; a vetëvrahen trimat e sojit të Arbnor Deharit, bre?

Faik Krasniqi -Egoizmi i njeriut!

Me studimin e egoizmit merret etika. Ka nga ata që thonë qe njeriu në çdo hap që bën, ai gjithnjë propulsohet dhe vepron bazuar në interesat e veta, pavarësisht se ai mund edhe të tentojë e t'i fsheh ato mbas motivesh më të pranueshme, si p.sh. dëshira për të ndihmuar të tjerët apo ndjenja e detyrës. Kundërshtari më i madh i këtij interpretimi të egoizmit është David Hume, i cili përdor nja gjashtë shembuj për të vërtetuar se nuk është e vërtet që egoizmi është forca lëvizëse në aktet e njerëzve, dhe se altruizmi është po ashtu i pranishëm në natyrën e njeriut, siç është edhe në botën e kafshëve.

Në fakt, qenia njerëzore e ka të lindur egoizmin pasi lind me instinktin e mbijetesës e të reagimit instiktiv ndaj çdo rreziku të mundshëm të perceptueshëm në moshë të vogël, si dhe reagon nga çdo mos plotësimi nevojë, sa më shumë që rritesh, niveli i egoizmit është në raport me gjendjen kulturore e emocionale në të cilën ndodhesh. Por, në personat që posedojnë një nivel inteligjence pak më të lart se mesatarja, egoizmi shërben si një motor shtytës për arritjen e objektivave që i kanë vënë vetes të arrin, e në këtë rast është egoizëm pozitiv.
Përgjithësisht, njeriu fillon tek unë jam, ekzistoj, arrin tek ne jemi, ekzistojmë e përfundon tek unë nuk jam, nuk ekzistoj.
Ka nga ata që thonë se njeriu duhet të jetë egoist. Madje sa ç'është racionale të jesh egoist e të ndjekësh realizimin e interesave të tua, po aq irracionale do të ishte mos ndjekja e tyre. Por, kundër një pozicioni të tillë mund të sillen plot argumente. Më klasiku është ai i "Prisoner's Dilemma", me anë të të cilit mund të argumentohet se bashkëpunimi midis dy të akuzuarve është shumë më i favorshëm për të dy ata, se sa rasti i kundërt kur secili prej tyre ndjek interesin e ngushtë personal. Por, në jetën e përditshme zgjidhja e fundit predominon. Ata që zgjedhin rastin e parë ne zakonisht i quajmë "shenjtë".
Ka nga ata që në ekuacion, e zëvendësojnë logjikën me moralin dhe thonë se është e moralshme të realizosh interesat e tua. Dhe, këtu sillet shembulli i një planeti Tokë që banohet nga një qenie e vetme. Kjo qenie s'mund të jetë asnjëherë gabim, sepse ajo nuk do të ketë vështirësinë e zgjedhjes midis moralesh konkurruese. I vetmi siklet për të do të jetë përcaktimi i prioritetit të interesave. Por, idilizimin e kësaj bote e merr përsipër ta prishë Kanti me idenë e tij mbi detyrën, kur thotë se ka veprime të cilat duhen bërë pa marrë parasysh nëse ne fitojmë apo humbasim.
Ka të tjerë që thonë se egoizmi është i pranueshem në qoftë se ai përpiqet të realizojë objektiva (qëllime) moralisht të pranueshme. Sipas atyre që mbështesin këtë pikëvështrim mbi egoizmin (dhe A. Smith ishte një nga ata), egoizmi që do ta dëmtonte shoqërinë duhet ndaluar dhe në përgjithësi ai duhet t'i nënshtrohet një kategorie superiore të moralit, siç është interesi i përbashkët i një shoqërie, e mira publike.
Tashti për tashti paraja është mediumi me të cilin ne e materializojmë egoizmin tonë. Dikur ky medium kishte formën e një thesi me kripë apo atë të një grushti guacash të mëdha të marra nga ndonjë gji deti sekret. Nesër ai mund të jetë në formën e një cope plastike që do të jetë në gjendje të ndryshojë ngjyrë sipas vlerës që ka. Me guacat njerëzit rregulluan shpellat, me kripën ndërtuan muret e qyteteve, me paratë ngritën rrokaqiejt e sotëm, kurse me copat e plastikës është një enigmë e tërë ajo që do të mund të bëhet.
Por, çfarëdo që të jetë, rrugën për atje ka më shumë mundësi të na e tregojë egoizmi se sa altruizmi. Egoizmi i ka të gjitha gjasat të jetë burimi i nevojshëm i adrenalinës që duhet për të shkuar atje ku nuk është shkuar asnjëherë më parë.

Arben Llalla - Ju rrëfej "ortodoksët"

Më 11 qershor, profesori i katedrës së gjuhës greke në Universitetin e Gjirokastrës, prof. dr. Panajot Barka, në gazetën Shekulli, botoi një shkrim me titull “Antishqiptare nuk është Ortodoksia...”. Ai ngre shqetësimet e tij për zërat kundër pranisë së përjetshme të kryepeshkopit të Shqipërisë, Hirësisë së tij, Anastasit dhe deklaratave antishqiptare të Patriarkut serb, Irinej. Z. Barka, që në fillim të shkrimit të tij, e nis me titullin provokues sikur ortodoksinë shqiptarët e kanë kuptuar si antishqiptare, por në të vërtetë i rikujtoj z. Barka se shqiptarët janë ata që e sollën ortodoksinë në Ballkan, te grekët, serbët dhe bullgarët.
Shenjtorët e parë të ortodoksisë ishin shqiptarë, por është gjë tjetër që Greqia dhe Serbia i përvetësuan këta shenjtorë. A është ortodoksia antishqiptare? Mendoj që pyetja nuk duhet shtrohet a është ortodoksia antishqiptare, por a janë ortodoksët sllavë dhe grekë antishqiptarë? A e keqpërdorin sllavët dhe grekët ortodoksinë për interesat e tyre shtetërore?
Nëse do t’i referohemi historisë së kombit tonë, ushtritë greke e sllave me kryqin në dorë dhe në emër të kishës ortodokse kanë kryer masakra mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare, qoftë muhamedane apo të krishterë. Kujtesën e kemi të freskët për luftën në Kosovë dhe masakrat e ushtarëve serbë që i bënin me kryqin ortodoks, pa folur për ato vrasjet e shekujve XIX-XX.
Profesori Panajot Barka në opinionin e tij tenton të na ringjallë të vdekurit e mëdhenj grekë, që t’i shfrytëzojë për nevojat e veta kombëtare, duke i rrëfyer në versione në të cilat nuk kanë qenë kurrë. Ju, z. Panajot Barka, në shkrimin tuaj përmendni Riga Fereun, i cili në poemën e tij i bën thirrje popujve të Ballkanit që të ngrihen kundër Perandorisë Osmane. A e dini ju z. Barka se Riga Fereu nuk e përmend asnjëherë fjalën grek apo helen dhe shqiptarët i quan arvanitas? Përse?
Ju në shkrimin tuaj më tej shkruani se në Tiranë dhe në Shqipëri u shkrua një faqe në historinë e saj, që linte pas rëndësinë e inaugurimit të katedrales si monument dhe se u mblodh gjithë primati i ortodoksisë botërore, i cili kishte shekuj të terë që nuk mblidhej. Z. Barka lërini përrallat për studentët tuaj që diplomohen duke ngrohur karriget nëpër kafene, sepse e vërteta është krejt ndryshe.
Po ju sjellë disa fakte ku është mbledhur Primati Botëror i Ortodoksisë. Ai është mbledhur më 19 nëntor në Serbi, me rastin e vdekjes së Patriarkut Pavle. Më 5 tetor 2013 në Beograd u mbajt mesha me rastin e 1700-vjetorit të nënshkrimit të Ediktit të Milanos, 313. Kjo meshë u festua në katedralen e Kryeengjëllit Mihal me nisjen e lutjeve nga Patriarku i Stambollit, Bartholomeu.
Më 6 tetor 2013, për në qytetin e Nishit, në vendlindjen e Kostandinit të Madh ata u mblodhën sërish. Falja e ditës u krye në kishën e sapondërtuar të Shën Kostandinit dhe Elenës. Pas ritualeve fetare, Patriarku i Serbisë, Irinej, u ndau medalje të arta të akorduara nga Sinodi i Shenjtë i Kishës së Serbisë, “Perandori Kostandin”, drejtuesve të kishave ortodokse botërore, midis tyre dhe kryepeshkopit të Shqipërisë, hirësisë së tij, Anastas Janullatosit.
Më 7 tetor 2013, krerët ortodoksë, si Patriarku i Stambollit Bartholomeu, Patriarku i Jerusalemit, Theofili III, Patriarku i Rusisë, Kirili, Patriarku i Serbisë, Irineji, Kryepeshkopi i Qipros, Krisostomos, Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastasi, Kryepeshkopi i Vrashavës, Sava, vazhduan turneun për në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricës, ku mbajtën meshën në katedralen e “Ngjalljes së Shën Sotirit”. Mund t’ju sillja edhe fakte të tjera për takimet e Primatit Botëror të Ortodoksisë, por mjaftojnë këto të kohëve të fundit.
Më tej z. Barka na amniston Shën Kozmain, ku sipas tij, ai përhapte ortodoksinë në gjuhën zyrtare greke ndaj rrezikut të përhapjes së mëtejshme të islamit në tokat e perandorisë otomane. Ky nuk është argument për ta amnistuar Shën Kozmain te shqiptarët, sepse e dimë fare mirë misionin e tij. Shën Kozmai është babai i përhapjes së greqizmit për asimilimin e shqiptarëve (arvanitasve) dhe për asimilimin e shqiptarëve në Shqipëri. Këtë na e dëshmojnë shumë dokumente historike, si edhe shkrimtari grek Thoma Paskidhus.
Shën Kozmai përhapi gjuhën greke nga Suli i Çamërisë e deri në Krujën e Skënderbeut. Një dokument për Shën Kozmain i prof. Delvinës, botuar në një të përditshme, shkruante: "Dërgojini fëmijët tuaj të mësojnë greqisht për arsye se kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri sot, do t‘i porosis të gjithë të krishterët që t‘i flasin dhe do t‘ia shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do ta gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra" (Predikimi 7 drejtuar shqiptarëve të Epirit).
Një dokument tjetër për greqizmin e fshatrave shqiptare të bërë nga propaganda e Shën Kozmait janë Frashtani dhe Lugari në Dropull. Frashtani dhe Lugari banohen nga shqiptarë ortodoksë dhe kur kaloi andej Shën Kozmai, deklaroi që këto fshatra duheshin të greqizuar.
Ju, profesor Barka, në tërë opinionin tuaj nuk përmendët faktin e provokimit të Patriarkut serb Irinej dhe ngritjen e flamurit serb brenda territorit e Katedrales “Ringjallja e Krishtit”, ku përfaqësuesit e kombeve të tjera që ishin të ftuar nuk e ngritën flamurin e tyre kombëtar atë ditë, duke respektuar mikpritjen shqiptare.
Ne, shqiptarët që mendojmë dhe veprojmë me zemër e mendje shqip, nuk kemi frikë nga ringjallja e ortodoksisë shqiptar, por kemi frikë nga asimilimi i ëmbël i ortodoksëve shqiptarë në ortodoksë grekë dhe sllavë.
Në përfundim z. Braka, ju rikujtoj që ju nuk e keni të drejtën të diskutoni për ortodoksinë shqiptare, sepse s’jeni me kombësi shqiptare. Për ortodoksinë shqiptare lërini të diskutojnë vetëm shqiptarët, sepse ne kemi figura të ndritura që na kanë lënë disa amanete, si: “Ne vërtetë kemi bajram dhe pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë”. Prandaj, nuk kemi nevojë për këshilla nga ata që s’ia duan të mirë Shqipërisë dhe shqiptarëve, ku bëni pjesë edhe ju, këtë jua dëshmoj me fakte.
Ç’ju lidh juve z. Barka me drejtuesit e disa organizatave ekstremiste greke që luftojnë për aneksimin e jugut të Shqipërisë? Në çfarë cilësie merrni pjesë në festimet për shpalljen e Autonomisë së Vorio Epirit, ku ndodheni në podium në këtë foto me ekstremistin Harrallambos–Babis Karathanos, deputetin Virona G. Polidhoras? Për çfarë qëllimi z. Barka i keni dërguar raport mbi gjendjen e minoritetit grek Institucioneve Ndërkombëtare në vitin 2003, ku përmendni edhe autonominë e Vorio Epirit? Ky raport është përgatitur nga ju, ekstremisti grek Babis Karathanos, A. Soku dhe K. Saferatis.

Më 14 qershor Eulexi ndryshon mandatin


Intervistë me Bernd Borchard, shefi i misionit të BE në Kosovë Eulex. Zgjedhjet kane kaluar shumë mirë në sektorin e sigurisë, ndërsa misioni ynë ndryshon prej 14 qershorit, pohon Borchardt.
DW: Zoti Borchardt, si e vlerësoni ecurinë e zgjedhjeve në Kosovë dhe në veçanti gjendjen e sigurisë për të cilën edhe ju keni pasur një pjesë të përgjegjësisë?
Bernd Borchardt: Gjatë zgjedhjeve ne jemi marrë me çështjen e sigurisë së bashku me Policinë e Kosovës. Dhe mund të them se jam shumë i kënaqur sepse të gjitha kanë kaluar shumë mirë. Nuk kemi pasur asnjë problem serioz, ndërsa imtësitë që janë paraqitur, janë zgjidhur shumë shpejt. Më duket se në ditën e zgjedhjeve nuk kam pasur asnjë thirrje telefonike, që do të thotë se problemet ka qenë lehtë të zgjidhen. Sa i përket ecurisë së zgjedhjeve për këtë do të deklarohen vëzhguesit e Bashkimit Evropian. Kjo nuk është në kuadër të mandatit tonë. Ndërkohë që tani presim me interesim të madh se si do të duket koalicioni i ardhshëm qeveritar.
DW: Koalicioni i ardhshëm qeveritar me siguri që është një çështje shumë e rëndësishme edhe sa i përket bashkëpunimit të ardhshëm me misionin tuaj. Çfarë prsini në këtë drejtim: mendoni se do të vazhdojë politika e tanishme, apo shpresoni se do të ketë ndryshime serioze në qeveri, të cilat do të ndikojnë edhe në bashkëpunimin tuaj?
Bernd Borchardt: Ne kemi pasur me qeverinë e deritanishme një bashkëpunim shumë të mirë. Bashkëbiseduesit tanë kanë qenë ministri i Drejtësisë dhe i Brendshëm dhe në këtë drejtim nuk mund të ankohem për asgjë. Natyrisht kemi bashkëpunuar edhe me kryeministrin dhe as këtu nuk mund të ankohem. Kryeministri mund të mbetet i njëjti, sepse partia e tij ka fituar më së shumti vota. Cilët do të jenë ministrant e ardhshëm nuk dihet, por ne jemi fleksibël dhe do të gjejmë nivelin e duhur të bashkëpunimit me partnerët tanë. Bashkëpunimi ynë varet edhe nga ajo se çfarë pret pala partnere.
DW: Ju jeni në Kosovë prej më shumë se një viti dhe me siguri që jeni njohuar me të gjitha probemet. Cilat janë sfidat dhe problemet më serioze me të cilat do të përbalket qeveria e ardhshme e Kosovës?
Bernd Borchardt: Këtu mund të them vetëm mendimin tim privat. Unë jam në kontakt të përhershëm me miqët e mi kosovarë të cilët thonë se ekzistojnë tri tema qendrore: ekonomia, ekonomia dhe ekonomia. Pra zhvillimi ekonomik i Kosovës.
DW: Më 14 qershor do të ndryshojë roli i Eulexit. Cilat do të jenë ndryshimet e këtij misioni?
Bernd Borchardt: Me qeverinë e Kosovës ne kemi pasur një shkëmbim letrash i cili ka përfunduar në mes të prillit mes presidentes Jahjaga dhe përfaqësueses së lartë të BE Ashton. Elementet më të rëndësishme në këto letra janë që mandati ynë ekzekutiv do të ndryshojë. Ne do t'i çojmë deri në fund rastet që kemi filluar. Por vetë nuk do të hapim asnjë rast të ri. Natyrisht që është e mundur që kosovarët të na kërkojnë që të marrim përsipër ndonjë rast. Ne këtë mund ta kërkojmë prej kosovarëve, që me dëshirë do të trajtonim ndonjë rast. Por dallimi kualitativ është që vendimet merren nga përfaqësuesit e Kosovës. Ndryshimi i dytë i rëndësishëm është që të gjitha institucionet e rëndësishme do të drejtohen prej kosovarëve. Prokuroria e Posaçme për Krimet e Rënda (SPAK) është drejtuar deri tani nga një bashkëpunëtor i Eulexit, ndërsa në të ardhmen do të drejtohet nga një koleg kosovar. Instituti për Mjekësinë Forenzike është bashkëdrejtuar nga një bashkëpunëtor i Eulexit, i cili në të ardhmen do të jetë zëvendësdrejtues. Ne duam që kosovarët të marrin më shumë përgjegjësi. Ndryshimi i tretë i rëndësishëm është që gjykatësit e Eulexit kanë përbërë shumicën në trupat gjykues. Ka pasur raste kur edhe në të kaluarën kemi qenë në pakicë, por në të ardhmen do të jetë rregull që ne jemi në pakicë. Shumicën mund ta kërkojmë vetëm nëse kemi argumentimentet e duhura.
DW: A do të ketë raste ku Eulexi do të ketë fjalën kryesore?
Bernd Borchardt: Përpunimi i rasteve të filluuara nga prokurorët tanë do të zhvillohet sipas rregullave të vjetra. Ajo që tregova pak më parë ka të bëjë me rastet e reja qe do të hapen.
DW: Për sa raste bëhet fjalë?
Bernd Borchardt: Fjala është për më shumë se 200 raste të filluara, por këtu ka dhe raste ku që tani mund të thuhet se nuk do të ketë proces gjyqësor, sepse nuk kemi argumente të mjaftueshme.
DW: Kush do ta drejtojë Tribunalin për Krimet e Luftës dhe cili do të jetë roli i Eulexit në këtë gjykatë?
Bernd Borchardt: Kjo gjykatë speciale do të merret me rastet e fajësimeve në raportin e Dick Marty, ku flitet për sulme dhe gjëra të tmerrshme në kohën e luftës. Rastet janë hetuar nga një prokurori speciale, e cila në skemën organizative i përket Eulexit, por punon plotësisht e pavarur. Kështu do të jetë edhe me gjykatën e cila në skemën organizative i përket Eulexit, por si dhe të gjithë gjykatësit e tjerë do të jetë plotësisht e pavarur. Marrëveshja mes BE-së dhe Kosovës përmes shkëmbimit të letrave përmban edhe një pjesë më të gjatë për këtë gjykatë speciale. Esenca është që kjo gjykatë duhet të punojë në bazë të ligjeve të Kosovës, në kohën kur janë bërë këto vepra. Selia e kësaj gjykate nuk do të jetë vetëm në Kosovë, por edhe në një shtet tjetër, për të mbrojtur dëshmitarët.
Dë: Zoti Borchardt a mund ta siguroni ju mbrojtjen e dëshmitarëve dhe sa janë të mbrojtur ata?
Bernd Borchardt: Mbrojtja e dëshmitarëve është këtu një problem shumë i madh. Në vendet e tjera mbrojtja e dëshmitarëve nënkupton që të merret një identitet tjetër dhe këta persona të jetojnë në një pjesës tjetër të vendit. Por në një vend të vogël si Kosova kjo do të thoshte se duhet të merret një identitet tjetër dhe të shkojnë në një vend tjetër të jetojnë. Sipas përvojave tona, numri i atyre që janë të gatshëm të bëjnë këtë është shumë, shumë i ulët. Pra gatishmëria e njerëzve që të shkojnë në një vend tjetër dhe të marrin një identitet tjetër, të shkëputen tërësisht nga familjet e tyre, është shumë e vogël.
DW: Po si do të zgjidhet problemi me mbrojtjen e dëshmitarëve në rastin e Gjykatës speciale për krime lufte?
Bernd Borchardt: Numri më i madh i dëshmitarëve, me sa jam i informuar, vjen nga vende të tjera. Ndaj situata është ndryshe. Ndërkohë që edhe Policia e Kosovës është në fazën e krijimit të një programi për dëshmitarët e mbrojtur. Përvojat e tona nga rastet e fundit dëshmojnë se dëshmitarët nuk janë në gjendje të bindin gjykatësit për fajin e të akuzuarve. Pra nuk është fjala vetëm për mbrojtjen e dëshmitarëve, por edhe për besueshmërinë e dëshmitarëve. Në muajt e fundit në dy raste, një kundër serbëve dhe një kundër shqiptarëve, sipas akuzave për dhunime si krime lufte, kemi pasur dy vendime për lirim, sepse dëshmitarët nuk kanë mundur t'i bindin gjykatësit.
DW: Si qëndron puna me personelin e Eulexit, a do të ketë shkurtime dhe ndryshime?
Bernd Borchardt: Ne do ta zvoglojmë misionin, në tetor por deri tani nuk dihen numrat e saktë. Vendimi duhet të merret këtë të mërkurë. Shpresojmë se kështu do të jetë.
DW: Kur priten aktakuzat e para në këtë gjykatë dhe sa do të zgjatë ajo?
Bernd Borchardt: Për të ngritur aktakuzë duhet të ngrihet gjykata, e ajo ende nuk ekziston. Para hapjes duhet të arrihet një marrëveshje me vendin fqinjë të selisë tjetër, ndaj është shumë vështirë të thuash tani se kur do të bëhet hapja.
DW: Domethënë rastet do të trajtohen nga Eulexi, por me mbështetjen e qeverisë së Kosovës?
Bernd Borchardt: Parlamenti i Kosovës ka marrë një qëndrim shumë të mirë me mbështetjen e gjërë të vendimit për krijimin e gjykatës. Ky vendim ka qenë shumë i mirë, sepse këto kritikat janë si një re e madhe mbi Kosovën, e cila duhet të spastrohet një herë e përgjithmonë, përmes lirimeve apo dënimeve. Gjykata teknikisht do t'i takojë Eulexit, por si të gjitha gjyatat e tjera do të jetë plotësisht e pavarur. Gjykatësit do të jenë ndërkombëtarë.
DW: A janë të pjekura sa duhet gjykatat e Kosovës dhe sistemi juridik për të trajtuar rastet më të rënda të korrupsionit dhe kriminalitetit, pa mbështetjen e Eulexit?
Bernd Borchardt: Sikur vendet e BE të mendonin se institucionet e Kosovës janë të pjekura plotësisht për të zgjidhur të gjitha problemet me siguri që ky mision do të kthehej në shtëpi. Vendet e BE mendojnë se Kosova ende duhet të ketë mbështetje. Ne kemi bërë përparime të mëdha në sektorin e policisë, Policia e Kosovës konsiderohet prej qytetarëve si policia më e pakurruptuar në të gjitha vendet e rajonit. Por në sektorin juridik ka nevojë për më shumë mbështetje.
DW: Cili do të jetë roli i Eulexit në veri të Kosovës?
Bernd Borchardt: Misioni ynë në veri do të jetë më i ngjashmi për misionin e tanishëm. Ne do të mbetemi edhe më tej të pranishëm në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, për të mbështetur doganat dhe policinë. Çështja tjetër ku po ndihmojmë është integrimi i strukturave policore serbe në Policinë e Kosovës. Edhe këtu në masë të madhe jemi të kënaqur me rezultatet e arritura. Kemi pasur disa përvoja të mira, por edhe disa dështime. Në përgjithësi mund të themi se po shkojmë në drejtimin e duhur. Sektori i tretë është integrimi i sektorit juridik, por këtu duhet të arrihet marrëveshja përfundimtare mes Prishtinës dhe Beogradit, në dialogun që duhet të vazhdojë në Bruksel.
DW: Në bazë të përvojave të deritanishme dhe marrëveshjeve, deri kur vlerësoni se Eulexi do të mbetet në Kosovë?
Bernd Borchardt: Ne kemi rënë dakord që misioni i Eulexit të vazhdojë deri në qershor të vitit 2016.

Në Kosovë krijohet blloku opozitar për krijimin e qeverisë së re

Tri parti politike, LDK, AAK dhe Nisma nënshkruan një Marrëveshje për krijimin e qeverisë së re. Ky koalicion pritet të mbështetet edhe me votat e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk do të jetë pjesë e qeverisë.

Ramush Haradinaj - Isa Mustafa - Fatmir Limaj
Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK dhe subjekti më i ri politik, Nisma, nënshkruan këtë të martë (10.06) një marrëveshje për krjimin e koalicionit qeveritar. Ky koalicion i pamundëson Hashim Thacit dhe Partisë Demokratike të Kosovës; e cila fitoi zgjedhjet e tetë qershorit të formojë qeverinë. Në një deklaratë të lëshuar nga partia e Ramush Haradinaj, AAK, deklaratë e nënshkruar nga Isa Mustafa Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, thuhet se LDK, AAK dhe Nisma, janë bashkuar dhe kanë vendosur që vendit ti japin një qeveria të kthimit të shpresës.
“Qeveria e kthimit të shpresës do të fokusohet në zhvillim ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, luftë të pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupisionit. Qeveria do të punojë me ngulm për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian. Në bashkarisht kemi vendosur që Ramush Haradinaj të jetë i nominuari ynë i përbashkët për kryeministër, kryetari i kuvendit ti takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës e po ashtu edhe presidenti në harmoni më Kushtetutën. Nisma do të përfaqësohet me një zëvëndëskryeministër. Të gjitha përgjegjësitë e tjera politike dhe institucionale do të ndahen proporcionalisht sipas fuqisë politike në kuvend. Zotohemi ti vazhdojmë konsultimet me pjesën tjetër të spektirit opozitar dhe partitë e komuniteteteve”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Ky koalicion qeverisës thuhet se do ta ketë edhe mbështetjen e lëvizjes Vetvendosja, mirëpo, kjo lëvizje nuk do të jetë në qeveri. Nga rezultatet preliminare të zgjedhjeve, PDK, mori, 30.71%, LDK 25.75,% Vetvendisja, 13.51%, AAK, 9.61% dhe Nisma 5.24%.
Partia Demokratike e Kosovës dhe lideri i saj, Hashim Thaci, akoma nuk janë deklaruar lidhur me marrëveshjen e arritur ndërmjet LDK, AAK dhe Nismës për krjimin e qeverisë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...