2014-06-14

Ishim krenar me profesorin:Jakup Nushi


Profesor Jakup Nushi lindi më 4 tetor të vitit 1938 në Gjakovë, ishte teknolog dhe profesor universiteti.

Në Gjakovë kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Studimet i bëri në Fakultetin Teknologjik- Drejtimin e Xehetarisë- Gjeologjisë-Naftës, në Universitetin e Zagrebit në vitin 1965. Magjistroi në Universitetin e Beogradit në vitin 1982 dhe doktoroi në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë të Universitetit të Prishtinës në vitin 1990.

Punoi si gjeolog dhe udhëheqës teknik në Minierën e Kromit "Deva" në Gjakovë. Në vitin 1976 zgjedhet asistent, pastaj ligjërues dhe docent në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë të Universitetit të Prishtinës për lëndët Bazat e gjeologjisë, Vendburimet e mineraleve të dobishme dhe Petrologjia. Ishte anëtar i disa komisioneve profesionale dhe i asociacioneve gjeologjike, bashkëpunëtor i Komitetit Gjeologjik për Bashkëpunime UNESKON/IGCP. Publikoi 12 punime shkencore dhe një tekst universitar nga petrologjia.

Profesor Jakup Nushi u vra nga forcat ushtarako-policore serbe, më 3 prill të vitit 1999 në Gjakovë.

Grykasi mburret me trimin Ragip Halilaj

Fotoporteti

Ragip Halilaj u lind më 2 maj 1967 në fshatin e shumë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë, në Grykas (ish-Terdefc) të Drenasit, në një familje me tradita atdhetare, ku në vazhdimësi kultivohej dashuria për Atdheun dhe urrejtja për armikun. Fshati Grykas është i njohur për qëndresën heroike kundër çdo pushtuesi, e sidomos pushtuesve jugosllavë. Për këtë më së miri flet fakti se Grykasin kolonizatorët sllavë e dogjën katër herë: së pari më 1924 kur po luftonin për krah çetave kacake të Azem e Shotë Galicës, pastaj më 1945, kur po Grykasi po luftonte përkrah komandantit të Kryengritjes së Drenicës, Shaban Polluzhës, dhe së fundit në shtator 1998 dhe prill 1999 Grykasi u bë shkrumb e hi nga hordhitë barbare të kolonizatorëve serbë.

Fëmijëria dhe Shkolla



Babë Hasani dhe nënë Ziza (e bija e Hasan Saraçit nga Bivolaku) lindën shtatë fëmijë: Sabitin, Xhavitin, Sherijen, Ragipin, Razën, Mërgimin, dhe Haliden. Te Ragipi që në moshë të vogël dalloheshin tiparet e një fëmije inteligjent, të shkathët dhe të guximshëm. Ishte i shoqërueshëm dhe gojëmbël. Fytyra e tij serioze, sytë e tij plot dritë, lëvizjet, entuziazmi, humori i tij i hollë të linin përshtypjen se përpara kishte një njeri të pjekur në moshë. Dinte aq mirë të futej thellë në zemrën e shokëve, për këtë edhe ishte bërë i dashur dhe i respektuar nga të gjithë. Edhe në shkollën fillore u dallua ndër nxënësit më shembullorë. Shkollën fillore e mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm (dy klasat e para i mbaroi në Abri ndërsa klasat tjerat në Drenas). Tri vitet e shkollës Teknike i mbaroi në Drenas, në drejtimin elektroteknik. Por në vitin e katërt të shkollës së mesme kolaboracionistët e përjashtojnë nga shkolla si të "Papërshtatshëm", që atë herë donte ti thoshte se je armik i shtetit Jugosllav. Mirëpo Ragipi ilegalisht rregulloi formalitetet administrative dhe i vazhdoi mësimet në paralelet e ndara në Bardh të Madh (ish-Bellaqefc) dhe e përfundoi me sukses edhe vitin e katërt të gjimnazit, më 1986.

Por përkundër dëshirës për të t'i vazhduar studimet, pushteti i atëhershëm fashist nuk ia lëshon karakteristikat pozitive dhe kështu pengohet regjistrimi i tij në Fakultetin Teknik të Prishtinës. Policia serbe e kishte arrestuar Ragipin dhe shokët e tij dhe i kishte keqtrajtuar, por kjo vetëm sa e kishte forcuar bindjen e tij se këtij pushteti fashist i duhet vetëm një gjuhë, e kjo është gjuha e grykave të pushkëve për liri. Ragip Halilaj ka një veprimtari të spikatur atdhetare. Ai qysh sa ishte nxënës i klasës së shtatë të shkollës fillore, bashkë me Ilir Hamzën shprëndante trakte e shkruante parulla - "Kosova Republikë" - etj. Organet e policisë e zbulojnë veprimtarinë ilegale të këtij pionieri militant dhe shumë herë ia bastisin shtëpinë, dhe në çantën e Ragipit, në mesin e librave dhe fletoreve, gjejnë portretin e heroit Mic Sokoli dhe e kërcënojnë Ragipin e mitur ta griste, por ky ua përplasi policisë serbe në fytyrë këto fjalë : "Jo vetëm unë, por as ju nuk guxoni ta prekni heroin e kombit !" Kjo sjellje kaq kategorike e kishte tërbuar pushtetin fashistë dhe drejtoria e shkollës ia thejnë notën e sjelljes. Këto presione dhe shantazhe vetëm sa ia forcuan edhe më shumë atdhedashurinë. Në çdo 28 Nëntor ai vishej me rroba kuq e zi. Më 2 prill 1981, si nxënës i klasës shtatë, Ragipi merr pjesë në demonstratat mbarëpopullore në Drenas, ku bashkë me shokët e tij theu foton e Marshallit Tito, që ishte e vendosur nga pushtit fashistë. Ragip Halilaj, për aktivitetin e tij politik arrestohet në Stacionin policor të Drenasit, ku maltretohët rëndë nga disa shqipfolës.

Shërbimi Ushtarak dhe Mërgimi = Në ndërkohë e marrin në shërbimin ushtarak në Kazemrën e Mostarit, mu aty ku ishte vrarë Nazmi Abdullah Muja nga Dodona (ish-Gradica) më 25 maj 1982, me akuzën e inskenuar se ai me shokët e tij paskan formuar organizatën ilagale - RINIA REVOLUCIONARE E KOSOVESË. Pasi e mbaron shërbimin ushtarak në atë burg-armatë fashiste, Ragipi merr rrugën e mërgimit në Gjermani. Më 1990 kthehet nga Gjermania dhe merr pjesë në manifestimin e madh të faljes së gjaqeve dhe ngatërresave më 1 maj te Verrat e Llukës në Deqan. Në Gjermani kthehet me bindjen se ky popull i robëruar duhet të organizohet edhe më shumë që energjia e tij të drejtohet vetëm kundër okupatorit kolonizatorë serbo-maqedono-malazez. Më 1996 Ragipi e braktis Gjermaninë dhe kthehet në gjirin e familjes. Më 1992 ai ishte martuar me Lumturije Ymerin me të cilën kishin lindur dy fëmijë: Drinin dhe Drenisin.

Në Ushtrim Çlirimtare të Kosovës - UÇK

Me daljen e Ushtrisë Çlirimtare në skenën e historisë, sidomos pas epopesë legjendare të Prekazit më 5, 6 dhe 7 mars 1998, dhe rënies heroike në fushën e nderit të 59 Jasharëve, Ragipi bashkë me vëllanë, Sabitin, rrokën armët e lirisë dhe u mobilizuan në radhët e UÇK-së. Në muajin maj 1998, bashkë me Rasim Kiçinën i prijnë grupit të 100 luftëtarëve të rinj nga Drenica për në Shqipëri për të bërë stërvitje ushtarake dhe për t'u furnizuar me armë dhe municion. Për një muaj ditë ata 100 rekrutë liridashës bëjnë ushtrime intensive në Bajram Curr. Gjatë kthimit në Kosovë grupi bie në pritën armike në zonën e Padeshit. Luftimet nuk u ndalën për pesë ditë me radhë, dhe falë shkathtësive të Ragipit dhe Rasimit dhe intervenimit të rrufeshëm të heroit Bekim Berisha - Abeja, Bedri Shalës edhe disa trimave nga Shqipëria, luftëtarët tanë arritën të çajnë darën e rrethimit, por me 7 ushtarë të vrarë dhe 33 të plagosur. Për shkak të rraskapitjes së gjatë luftimeve, pa bukë e pa ujë, Ragipi detyrohet të qëndrojë edhe 10 ditë për shërim në spitalin e Bajram Currit.

Më 7 gusht 1998 Ragip Halilaj bashkë me Hysni Thaçin dhe Rafet Ramën kalojnë malet e Pashtrikut bashkë me 25 luftëtarë të lirisë të ngarkuar me armatim dhe municion dhe vendosen në pikën "Guri" në Abri të Epërme. Komanda UÇK-së ia beson Ragipit detyrën e shefit për mirëmbajtjen e armatimit dhe mjeteve tjera teknike të Brigadës 111 "Adem Jashari", Njësia Speciale Komando.

Më 2 shtator 1998 forcat armike ndërmarri një ofensivë të madhe. Njësia komando zhvillon luftime të ashpra në fshatin Rezallë. Për dy ditë me radhë në këto përleshje armikut i shkaktohet dëme të mëdha. Në ndërkohë formohet edhe njësia për intervenime të shpejta "Tigrat e Zi" me komandant Jahir Demakun. Njësiti elit u formua në fshatin Abri, te vendi i quajtur - Lugi i Kronit. Ky njësit bënte sulme të vazhdueshme mbi forcat armike, dhe dy herë e detyroi armikun të tërhiqej nga Rezalla, Likoci e Makërmali.

Më 22 shtator 1998 armiku ndërmori ofensivën më të madhe që nga fillimi i luftës, sepse në të njëjtën kohë sulmohej nga të gjitha anët nga katër brigadat e Zonës Operative të Drenicës: Brigada 111, Brigada 112, Brigada 113 dhe Brigada 114. Luftëtarët e njësitit komando të Brigadës 111 "Adem Jashari" pozicionohen në relacionin Tërstenik-Reziztencë-Abri. Për katër ditë me radhë forcat armike u gozhduan në vend. Me gjithë përpjekjet e pareshtura armiku nuk arriti të depërtonte brenda vijës së pozicioneve të UÇK-së. Me një aksion të rrufeshëm të njësitit special, aty te Zabeli i Baderlakut në Abri, armiku iu shkaktuan humbje të mëdha. Dhe për t'u hakmarrë për shkak të këtyre humbjeve, forcat armike ndërmarrin më 26 shtator 1998 në Abri një fushatë ndëshkimore mbi popullatën civile, me ç'rast u masakruan 23 anëtarët e familjes së Ymer Deliut.

Njësia elite tani kishte pozicione në pikat strategjike në Abri, Rezistencë, në Grykas dhe në Rezallë. Vendqëndrimet e njësisë elite ishin bazat në Abri, në shtëpinë e Jahir Demakut, në Grykas ne shtëpinë e Sinan Halilaj (axhës së Ragip Halilaj i vrarë më 28.3.1999), në Rezistencë dhe në shtëpinë e Rasim Kiçines, ku u vendos edhe komanda e tërë Zonës Operative të Drenicës. Këtu ishin komandanti i Zonës, Sylejman Selimi "Sulltani", Ragip Halilaj "Baci", Rasim Kiçina "Qeli", Jahir Demaku, Ferid Berisha "Shkupi".




Më 10 nëntor 1998 Shtabi i Përgjithshëm i jep urdhër që të gjitha pikat strategjike dhe postblloqet ushtarko-policore të sulmoheshin me një sulm rrufe dhe të përnjëhershëm. Njësiti përbëhej prej 30 vetash ndahet në pasë pika strategjike dhe sulmi kryhet në të njëjtën orë mbi këto pozicione:

1. Mbi stacionin e trenit në Drenas, ku ishin pozicionuar forcat policore;

2. Mbi stacionin e policisë në Drenas;

3. Mbi Postën e qytetit Drenas;

4. Mbi hotelin "Drenica" dhe

5. Mbi shtëpinë e Xhafer Qorrit, një polic i Serbisë dhe kolaboracionist me damkë.

Në orën 18 e 55 u bë sulmi i rrufeshëm mbi të gjitha pikat e postblloqeve armike me të gjitha llojet e armëve. Armiku pati humbje të mëdha, por edhe shthurje totale dhe panik. Me këtë sulm të rrufeshëm e të përnjëhershëm u dëmtuan të gjitha dezinformatat që i kishte plasuar armiku përmes mediumeve informative se UÇK-ja është likuiduar edhe ka marrë fund lufta çlirimtare. Në Sllatin një grup i përbëre prej Ragip Halilaj, Bejtë Rexhepit, Hasan Hasanit e zënë të gjallë kryetarin e komunës së Fushë Kosovës, Zvanko Bojaniqin, një kryeçetnik i cili kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka. Në fillim të janarit 1999 Ragip Halilaj bashkë me Bejtë Rexhepin dhe Besim Malen "Murrizin" e sulmojnë postbllokun policor në Drenas dhe një objektiv afër Postës së Drenasit. Sulmi u krye rreth orës 23 dhe ishe shumë i suksesshëm.

Me 10 maj 1999 fillon ofensiva e madhe e armikut me sulme nga të gjitha anët, ku Komanda e UÇK-s detyrohet të tërhiqet me një pjesë të popullatës civile në drejtim të Berishës. Më 16 maj 1999 njësia elite marrin vendim të tërhiqen për shkak të mungesës së municioneve dhe shpërndahen në të gjithë zonën për të vepruar nëpër grupe më të vogla guerile. Një pjesë e njësitit shkon në Berishë, ndërkaq pjesa tjetër në përbërje - Jahir Demaku, Ragip Halilaj, Rasim Kiçina, Skënder Halilaj, me urdhër të komandës së Zonës u nisën në Prekaz. Pasi kalojnë rrethin e hekurt armik arrijnë të bëjnë kontrollimin e grupeve të njësisë komando në Qyqavicë. Një natë pushojnë në Prekaz dhe të nesërën e përcjellin deri në Berishë komandantin e ZOD Sami Lushtakun. Në Berishë qëndrojnë 5 ditë dhe sërish nisen për në Prekaz, më 26 maj 1999. Gjatë këtij rrugëtimi përmes Kizhnarekës e Vukofcit e kishin minuar rrugën ku mund të kalonin autokolonat armike. Nga Prekazi më 27 maj u nisën drejt Llaushës, Ticës, Plluzhinës dhe Abrisë së Ulët ku bënë kontrollimin e njësiteve komando. Në Abri të Epërme qëndrojnë dy ditë.

Rrënja heroike


Më 29 maj 1999 njësiti gueril del në Pikën Zero, në Kosmaq, dhe bëjnë vëzhgimin paraprak të terrenit. Natën e 30 majit 1999, ne orën 19, njësiti u nis në drejtimi të Berishës në këtë përbërje - Jahir Demaku, Ragip Halilaj, Rasim Kiçina, Ymer Xhemajli, Arben Xhemajli dhe Sokol Krasniqi (i cili ishte edhe udhërrëfyes i grupit). Aty rreth orës 21, afër rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë, në lagjen e Bujupëve të Arllatit, njësiti bie në pritën e forcave armike. Për 30 minuta Ragipi bashkë me shokët e tij luftuan ballë për ballë me armikun, duke rënë heroikisht bashkë me shokun e luftës të nderit e të pushkës Rasim Kiçinen, duke rën për të mos vdekur kurrë. Dhe në emër të Liris bënë sakrificën sublime, vunë jetën e tyre në altarin e shenjtë të Atdheut.

Përkujtim pët trimin e Çabratit-Yll Morina


Yll Morina lindi në Gjakovë më 11 gusht të vitit 1972, ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1998 -1999. Pas plagosjes së gushtit të vitit 1998 ai u tërhoq për tu shëruar dhe vdiq në spitalin e Novi Sadit më 15 mars të vitit 1999.



Yll Morina u lind në Gjakovë më 11.08.1972. Ai i përket një familjeje të vjetër gjakovare. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje. Më pas, vazhdoi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike ‘’Bajram Curri’’ në Gjakovë, ku për pak mbeti pa u diplomuar për shkak të përndjekjeve nga policia serbe.

Përndryshe, Yll Morina ishte një ndër trimat e parë që iu bashkëngjit njësive të UÇK-ës nga fundi i prillit të vitit 1998. Ai jo vetëm që ishte një ndër ushtarët më të zellshëm, por edhe shkëlqente me manovrimet e tij kundër makinerisë millosheviçiane. Kështu që, duke fituar merita të mëdha në luftë, ai u emërua epror i lartë i njësisë speciale te UÇK-së.

Pas luftimeve maratonike me ushtrinë e policinë serbe, ai u plagos rëndë në Gramaçel, më 10.08.1998. Pas plagosjes ai tërhiqet në fshatin Krushevc, nga një bashkëluftëtar i tij. Pastaj, për shkak të rrezikimit të këtij fshati, ai dërgohet në Breshanc (fshat afër Malishevës). Nuk zgjat shumë kohë dhe Ylli transferohet në Irzniq, ku në xhaminë e po këtij fshati dr.Avdyl Krasniqi ndërmerr një intervenim të suksesshëm kirurgjikal në plagët e rënda të Yllit. Fatkeqësisht, pas nja tri jave, ai së bashku me të plagosurit tjerë, respektivisht me shokët e tij të luftës, bie në duart e xhelatëve serbë, si pasojë e tradhtisë që iu bë atyre nga disa njerëz që flisnin shqip, e mendonin sllavisht.

Mirëpo, për koincidencë, aty arrin Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ku me këmbëngulësinë e tyre arrijnë që Yllin ta transferojnë në spitalin e Prishtinës,më 11.09.1998, që fatkeqësisht, tash e tutje, do të ishte nën “përkujdesin” e policëve e doktorëve serbë.
Foto
Ylli, duke mos dashur kurrsesi të binte në duart e tyre dhe me gjithë urrejtjen gjigante që kishte ndaj tyre,ai gjithmonë i kundërshtonte “rojet” që i rrinin pranë shtratit duke i ofenduar me plot pezëm e vrer. Kështu që, maltretimet ndaj Yllit shtoheshin dita ditës. Ndër autorët e këtij krimi ishte edhe Dr. A.T. (drejtor i repartit të kirurgjisë pranë klinikës universitare të Prishtinës). A.T. famëkeq, jo vetëm që e maltretonte Yllin në mënyrën më barbare, por edhe i kishte kryer 6 operacione kirurgjikale në Yllin, (gjoja se ka për qëllim shërimin e pacientit) duke e shndërruar trupin e tij në një “poligon” kirurgjikal.

Nga dëshira që Ylli të “shërohej”, Tomanoviqët u “kujdesën”që ta plotësojnë dëshirën e familjes; më 13 Mars 1999 ia lejuan “shërimin” e mëtutjeshëm në Klinikën e Fakultetit të Mjekësisë në Novi Sad. Pas përballimit të dobët të udhëtimit për në Novi Sad, mjekët arrijnë që Yllit t’ia përmirësojnë gjendjen shëndetësore, por dora e të “kujdesshmëve” u zgjat edhe atje, dhe më 15 Mars 1999, Yllit i pushuan të gjitha dhembjet.
Foto
Yll Morina ishte, mbeti dhe do të mbetet figurë e ndritshme e faqeve të historisë së luftës e qëndresës,e urtësisë djaloshare, djalë, vëlla, baba, burrë, nip e shok i mrekullueshëm, e mbi të gjitha luftëtar i paepur e i pastër në luftë për liri.

Më 17 Mars 1999 Yll Morinës iu bënë nderimet më të mëdha që meriton një luftëtar. Gjakova e Kosova humbi Yllin, por fitoi shumë yje të tjera, fitoi të bardhën liri, fitoi themelet e një shteti të pritur kaherë. Ylli me shokë nuk vdiq, ai dhe ata janë kudo, sepse pavdekshmëria u takon atyre që ia falin jetën atdheut.

Në vend të përkujtimit për profesorin tonë të dashur:Bardhyl Çaushi

Bardhyl Çaushi, lindi në Gjakovë, më 15 gusht të vitit 1936, ishte gjykatës, mësimdhënës dhe veprimtar politik, shqiptar nga Kosova.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Prishtinë. Fakultetin Juridik e kreu në Shkup, ndërsa studimet pasdiplomike i kreu në Universitetin e Beogradit në vitin 1978. Doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit me 10 maj 1989.


Punoi si gjyqtar në Gjykatën Komunale të Gjakovës, gjyqtar në Gjyqin e Qarkut në Pejë dhe kryetar i Gjykatës Komunale në Gjakovë.

Në vitin 1970, Bardhyli zgjedhet asistent, pastaj ligjërues dhe profesor inordinar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, për lëndën E drejta romake.

Bardhyl Çaushi, në vitin 1999 u kidnapua nga forcat ushtarako-policore serbe dhe konsiderohet i zhdukur.


Bardhyl Çaushi, në disa prej shkrimeve të veta të mëvonshme,i bëri një vështrim me interes historiko-krahasues autonomisë së vullnetit dhe interpretimit të kontratave dhe “doli në sipërfaqe”si një analist i thellë i problemeve nga fusha e të drejtës civile të cilës në fakt i takoi, sepse në shumë artikuj dhe studime trajtoi aspekte të ndryshme të së drejtës së parablerjes sipas së drejtës zakonore shqiptare;kontratës së dorëzanisë në të drejtën romake;kontratës së huas sipas të drejtës romake;kontratës së shitblerjes në të drejtën romake,etj.

Bardhyl Çaushi mbahet në mend si një studiues i besës, të cilën e kualifikoi ndër mbështetjet e vazhdimësisë iliro-shqiptare. Besës iu referua nga domethënia e vetë “fjalës të dhënë për diçka të rëndësishme”, kuptimi dhe qëllimi i saj si “premtim që jepet me dëshirë dhe me sigurinë se do të mbahet”deri tek “fjala e nderit për të plotësuar medoemos një detyrim që merret përsipër”.

Në paraqitjet e veta e afirmoi në mënyrë të veçantë “besën shqiptare”dhe “në emër të saj”u dallua si veprimtar në faljen e gjaqeve në rrethin e Gjakovës dhe me gjerë,me ç’rast arriti të pajtojë shumë familje që vuanin nga një brengë e kohës. Bindja në “çiltërinë e ndershmërinë e tij” ndihmoi shumë familje që të shtrijnë “dorën e pajtimit”,duke i kontribuar drejtpërsëdrejti “besëlidhjes”që në vitet e nëntëdhjeta u ngrit në një lëvizje me përmasa shumë të mëdha në të gjitha viset shqiptare,veçanërisht në Kosovë.

Arsimimi juridik i Bardhyl Çaushit shkrinte në vete qoftë arsimimin si informacion,qoftë arsimimin si kompetencë që,do të thotë se ai nuk ishte vetëm i informuar për të drejtën në përgjithësi dhe të drejtën romake në veçanti,po ishte dhe njohës kompetent i tyre. Sfidë të madhe e kishte hartimin e tekstit universitar nga “E Drejta Romake”.

Nuk u vonua, po e kuptoi si detyrë që “nuk kapërdihet lehtë”.Ndihej “i hendikepuar”me respektin që i bënte figurës së madhe të profesorit të tij, Ivo Puhan dhe veprës së tij të papërsëritshme nga “E Drejta Romake”,të cilën e shqipëroi dhe u la studentëve si “një kujtim të paharrueshëm”.

Bardhyl Çaushi shquhej me zërin e matur,ndonjëherë edhe qortues,për padrejtësitë që ndodhnin me shqiptarët,me theksin e mprehtë dhe fjalën përmbajtjesore, argumentuese dhe bindëse,njëkohësisht.

Si njeri i etur për të mësuar për drejtësi,po edhe më të etur për të ligjëruar për të. Dallohej si njëri ndër profesorët më elokuent të Fakultetit Juridik dhe të gjithë universitetit.

Ballafaqimi me të vërtetën përherë është treguar i hidhur.U tregua edhe me rastin e kumtimit të lajmit se profesor Çaushi,si qindra e mijëra viktima të “mbajtura peng”në Serbi,nuk është ndër të gjallët.

Besimi në të pamundshmën u tregua i pathemeltë dhe si të ishte i themeltë kur dinim se kishim të bënim me një regjim që ndoqi,torturoi,vrau dhe masakroi njerëz të pafajshëm dhe të cilëve,pa të drejtë,”iu dha ofiçin”e terroristit,edhe pse më asgjë nuk u dëshmua se ata kishin bërë ndonjë vepër të dënueshme.Kështu ndodhi edhe me profesor Çaushin,njeriun që të tjerët i mësoi për drejtësi, e vrau padrejtësia.

Mirënjohjet
- Me 3O shtator 2005 - Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me dekret të veçantë e ka dekoruar Profesor Bardhyl Çaushin me Medaljen e Artë të Pavarësisë për merita të Tij për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës gjatë viteve '90.

Ky dekorim bëhet me rastin e gjetjes së eshtrave dhe varrimit të Prof. Dr. Bardhyl Çaushi

- Me 12 maj 2009 – Presidenti i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu, dekoroi Prof. Dr. Bardhyl Çaushin me Medaljen e Artë “Mësues i Merituar”.

Në vend të përkujtimit për kolosin e atdhetarisë avokatin Bajram Kelmendi




Ishte avokati që mbrojti me dhjetëra e dhjetëra shqiptarë viktima të regjimit të kohës, avokati që gjatë viteve të 90-ta me profesionalizëm guxim dhe energji të paparë mbrojti aktivistë të Lëvizjes për pavarësinë e Kosovës. Mbrojti aktivistë të politikës, arsimit, kulturës dhe të shëndetësisë, mbrojti gazetarë e publicist dhe pjesëtarë të mbrojtjes së Policisë së Kosovës, mbrojti ushtarë të UÇK-së, mbrojti qytetarë të Kosovës të cilët torturoheshin mizorisht nëpër qelitë e burgjeve në zyrat e UDB-së vetëm pse kërkonin të jenë të lirë në Kosovën e Lirë....





Bajram Kelmendi i njohur si Avokat Kelmendi, ishte jurist, aktivistë në Këshillin për Mbrojtjen e të drejtave e lirive të njeriut, shqiptarë nga Kosova, më 25-26 mars të vitit 1999 në Prishtinë u vra nga Doktrina e shenjt serbe.

Vrasia e avokatit Kelmendi dhe dy bijve të tij, ishin fillimi i likuidimeve brenda Kosovës, të njohura për opinionin e gjerë.

Vrasja

Bajrami ishte aktiv në Këshillin për Mbrojtjen e të drejtave e lirive të njeriut dhe gjatë vitit 1998 i kish dhënë informacion Gjykatës për Krimet e Luftës. Ai ish shumë i respektuar për aftësitë e tij si një avokat mbrojtës në gjyqe të shumta politike gjatë gjithë dekadës së fundit. Së fundi, ai kish mbrojtur gazetën në gjuhën shqipe Koha Ditore, e cila akuzohej në gjyq për publikimin e një deklarate të përfaqësuesit politik të UÇK-së, Hashim Thaçi.

Natën e 24 marsit, që përkon me fillimin e bombardimeve të NATO-s, pesë policë me uniformë u futën me forcë në shtëpinë e Kelmendajve në rrugën “Vellusha” të Prishtinës. Sipas gruas së Bajramit, Nekibe Kelmendit, edhe ajo një juriste e njohur, Kastrioti telefonoi policinë për t’u thënë se dikush ish futur me dhunë në shtëpi, por policët i mbyllën telefonin.



Nekibja u përpoq të bënte të njëjtën gjë dhe ata nuk lanë as atë të fliste. Anëtarët e familjes u detyruan të shtriheshin barkas. Policët i than Bajramit qe ti vriste 2 djemet e ti vrist por ai refuzoj oferten e tyre kshtu qe i vran 2 djemet e tij dhe pastaj e vran edhe Bajramin pastaj i bënë një kontroll në shtëpi, por nuk vodhën ndonjë gjë. Rreth orës 1:30 pasdite, dolën e morën me vete Bajramin, Kushtrimin e Kastriotin, në makinën e këtij të fundit. Kushtrimit i thanë “të puthte fëmijët e tij për herë të fundit”.

Në mëngjesin e 26 marsit, Nekibja u informua se kufomat e Bajramit e të dy djemve të saj ishin gjetur në një distributor gazi në rrugën që lidh Prishtinën me Fushë Kosovën. Ishin vrarë që të tre.


 Vrasja e Bajram Kelmendit dhe e djemve të tij terrorizoi Prishtinën dhe profesoratin shqiptar në Kosovë – dikush me një profil publik si politikan, dikush veprimtar i të drejtave të njeriut, gazetar, artist apo akademik. Në Prishtinë u përhap paniku, pasi dyshohej se forca të papërgjegjshme do të likujdonin personalitete të jetës publike kosovare. Ndërsa ishin në pritje për të marrë lajme mbi vdekjen e Kelmendasve, shumë shqiptarë vendosën ta linin Kosovën.

Në vend të përkujtimit:Hamdi Gashi

Dr. sc. Hamdi Gashi lindi më 1 korrik të vitit 1945 në Mramor të komunës së Prishtinës.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen (bujqësore) në Prishtinë. Studimet e rregullta dhe pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Novi Sadit, ku paraqiti edhe tezën e doktoraturës, të cilën për shkak të diferencimit politik, nuk arriti ta përfundonte. Doktoroi në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Hamdiu ishte punonjës shkencor në Institutin për Hulumtime Shkencore në Bujqësi në Pejë, gjithashtu ishte mësimdhënës në Lypjan, inspektor dhe nëpunës i lartë i bujqësisë pranë KK të Prishtinës dhe KAI "Agrokosova".

Në vitin 1977, zgjedhet asistent në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës. Përjashtohet nga puna për shkaqe politike, por kthehet sërish në vitin 1992.

Në vitin 1995 zgjedhet në thirrjen e ligjëruesit për lëndën Pedologji me Agrogjeologji, ndërsa në vitin 1997 zgjedhet prodekan i Fakultetit të Bujqësisë.

Ishte bashkautor tekstesh dhe projektesh shkencore e punuese.

Profesor Hamdi Gashi u vra nga forcat ushtarako-policore serbe në maj 1999.

Dëshmoret e kombit nuk vdesin kurrë: Isa Kastrati, Sokol Sopi dhe Afrim Vitia


Skeda:Isakastrati.jpg

Në njërën nga ofensivat me 18 prill 1999 në Gollap në përleshje me forcat ushtarake e policore armike, ndeshen me Brigadën 153 të UÇK-së, Brigada udhëhiqej nga Komandant Adem Shehu nga Shqipëria dhe krahu i djathtë i tij komandanti për moral dhe politikë i shëndritshmi Isa Kastrati.

Në vije të parë me shumë shokë bashkëluftëtarë ishte edhe Isë Kelmendi, pak me larg edhe Sokol Sopi, Afrim Vitia e shumë bashkëluftëtarë të tjerë, Isë Kelmendi lidhur me betejën në fjalë thotë :

"Dy ditë luftuam pa ndërprerë me Isa Kastratin dhe bashkëluftëtarët e tjerë në vijën e pare të frontit por të madhit Isa Kastratit as qerpiku i syrit s’i luante e me një heroizëm te pashoq qëndroj si një burrë që nuk dinte kurrë mpapa të shkonte, zëri dhe fjala i kumbonin deri në qiell bashkë me krismat, morali i tij i pazëvendësueshëm dhe tregonte kjartë se Liria e Kosovës kishte marrë rrugën që Isa Kastrati e kishte kërkuar plot një jetë".

Në mbrëmjen e së martës së 20 prillit 1999, në frontin e Vitisë në Marec u plagosën rëndë Sokol Sopi e Afrim Vitia, me një urgjencë u tërhoqën nga vija e frontit dhe u sollën në shtëpinë e Bajram Vitisë, të nesërmen në mëngjesin e të mërkurës me 21 prill 1999 nën breshërinë e fuqishme të granatave çetnike i tërhjek Isa Kastrati dy të plagosurit në spitalin e improvizuar të "Skifterave”në Zllash, ishin nën përkujdesje të Doktoreshës Teuta Hadri deri në orët e pasditës por në mungesë të mjeteve Doktoresha nuk mundi të bënte më shumë dhe për të shpëtuar ata duhej dërguar në Llap në spital ushtarak.

Mblodhi fuqinë dhe lëshon zërin nën dhimbjen e hidhur të plagëve Sokol Sopi: vetëm me Bacën Isë do ta mirrja këtë rrugë, kështu shprehet edhe Afrim Vitia duke iu drejtuar Isa Kastratit me një buzëqeshje: "Do të na dërgosh baca Isë ?"

“Është fjalë kjo Sokol” sikur me nguti ia kthen Isa,“Qysh mos t’i qoj Baca trimat e vet...

Për ju do tja mësyja madje edhe vet zjarrit vetëm e vetëm mos të harroni se shpejt do të ju mbyllen plagët e tevona do të ktheheni e do e largojmë këtë bishë sllave nga çdo pllëmbë e Kosovës sonë, na pret edhe dasma e Afrimit ku baca Isë do të kërcej në valle nga toka në qiell, e shihni se si do të vallëzoj Isë Kastrati ! A po Afrim ? Por ti je më i vogël, njëherë do ta martojmë Sokolin e ky besa është edhe vëlla i 6-të motrave...

Ishin kta zërat e krenarisë së maleve tona dhe vendoset që në mbrëmje të nisen për në LLAP.

Me 21 prill 1999 (e mërkurë) para mbrëmjes nisen dy (2) xhipa dhe një kombi me ushtarë të plagosur, në xhipin që e drejtonte Isa Kastrati ishin dy ushtarët e plagosur Sokol Sopi dhe Afrim Vitia.

Gjatë udhëtimit dhe rrugës tejet të dëmtuar si pasojë kombi ngelë në baltë me çrast xhipi i dytë fillon tërhekjen e tij, gjendja shëndetësore e dy të plagosurve Sokol Sopi dhe Afrimi Vitia po keqësohej dhe Isa Kastrati vazhdon rrugën dhe papritur bëhet një ngatërrim i rrugës në një kryqëzorë dhe se në vend që të merrte drejtimin e Prapashticës, niset kah "bullajt" lagje në Marec dhe si pasojë bie në pritë të forcave ushtarake çetniko-serbe.

Pas alarmimit të forcave armike me të shtëna, Isa Kastrati ia del që t’i nxjerr nga xhipi dy të plagosurit dhe më pastaj për të vazhduar luftën me forcat çetnike.

Bazuar në deklaratat e fshatarëve të lagjës aty ishte bërë luftë heroike dhe shumë e rreptë, luftë tejet e pabarabartë ngase Isa Kastrati ishte vetëm. Zhvillonte luftë ballore dhe në afërsi deri në 10 m, në saje të gjurmeve, ishte dëshmija se kishin mbetur 5 policë të vrarë.

Isa Kastrati bie heroikisht ndërsa më pastaj vriten edhe dy të plagosurit, Afrim Vitia dhe Sokol Sopi, nga resistenca dhe humbjet që bishat çetnike psuan në këtë luftë me Isa Kastratin, sikur s’i besonin as armëve të veta dhe në trupin e pajetë të Isës në shenjë revolte dhe dëshpërimi kishin shti breshëri plumbash ndërkaq në kokë ishte i goditur edhe me Kazmë. Ra për të mos vdekur kurrë. Rrënja e Isa Kastratit Sokol Sopit dhe Afrim Vitisë ishte humbje e madhe për UÇK-në dhe mbarë Kosovën.




*****


Isa Kastrati u lind më 9 Prill të vitit 1947 në fshatin Hogosht të Komunës së Dardanës. Rrjedh nga një familje me traditë të pasur si në aspektin kulturor, patriotik ashtu edhe në atë atdhetaro-kombëtar, thjeshtë rrjedh nga familja e cila kurrë s’pranoj ligjet e një shteti që njihej me emrin Jugosllavia.


Shkollën fillore Isa Kastrati e kreu në vendlindje-Hogosht ndërsa gjimnazin në Gjilan, më pastaj apsolvoi në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Prishtinës, Dega e Matematikës.

Demonstratat Studentore të vitit 1968, Isë Kastratin e gjejnë jo vetëm si pjesëmarrës aktiv por edhe si organizator direkt të tyre çka si pasojë e aktivitetit që kishte zhvilluar, arrestohet dhe dënohet nga me 60 ditë burgim ku afër kishte edhe shokët e idealit ; Rexhep Mala dhe Sami Dermaku.

E vuan dënimin dhe për të vazhduar punën e mëtutjeshme në sferën politike dhe atdhetare, fillon punën si Profesor në Shkollën e Mesme Ekonomike të Gjilanit e pak më vonë edhe në gjimnazin e Dardanës.

Ndiqej dhe përcillej në çdo hap, nuk e kursenin kurrë as ata mercenarë dhe UDB-ash serbë e shqiptarë e këta të fundit e neverisëshin më së tepërmi, si pasoj e bindjeve të tij politike, dhe vizionit të tij patriotik e largojnë nga procesi edukativo – arsimor.

I larguar nga procesi edukativo-arsimor, Isa Kastrati detyrohet që edhe një herë të rifilloj jetën studentore por tani në Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës Ruse, i vetmi drejtim që iu lejua, dhe diplomoi me sukses.

"Shtëpia e dytë" - BURGU

Gjatë një vizite që ia bëri i Ati Sabit Kastrati me të vëllanë (xhaxhain e Isës) Qemajlin, në stinën e Verës shohin dorëzat e zeza në duart e Isës, dorëza ato që ia mbulonin vrragët nga pasojat e torturave që po përjetonte dhe nga gjakderdhjet që ia shkaktonin ndytësirat fashiste.

Por çështë e vërteta se atdhetari, intelektuali, vizionari, strategu dhe simboli i rezistencës kombëtare Isa Kastrati as vitet me ato tortura mesë brutale në burg nuk e ndanë nga veprimtaria e tij atdhetare, ishte i dënuar me 6 vite me shume shokë të idealit Grupi i Adem Demaçit ku Isa Kastrati ishte në vuajtje të dënimit, pa dalur nga burgu dënohet edhe me 6 vite burgim si anëtarë i grupit në fjalë, në këtë grup ishin edhe Skënder Kastrati (djali i Muharrem Fejzë Kastratit), Rexhep Mala, Sami Dermaku e shumë të tjerë.

Ndonëse i pjekur nga të parët që burgun e shtetit serbo-sllav e kishin si shtëpi të dytë, Isa Kastrati dënohet edhe për të tretën herë pa dalur fare nga burgu, dënohet me 3 vite e gjysmë, kësaj radhe me pretekst që shkaku i pakënaqësive kishte qëndruar 21 ditë në grevë urie, dhe pas një përleshje me gardianët e burgut e dënuan sërish pa dalur nga ato dyer të ndyta. Qëndroj plot 10,5 vite i burgosur por i pathyeshëm dhe thoshte përherë se për mëmëdheun duhet bërë edhe më shumë andaj kurrë nuk ra nën ndikim të provokimeve të cilat ia bënin qoftë serbët apo edhe mercenarët shqiptarë.

Jeta Bashkëshortore

Me 17 korrik 1986 lirohet nga burgu i Spuzhinit te Podgoricës. Në fund të këtij viti Isa Kastrati martohet me Tevide Pllanën nga Kastrioti ku gjatë 13-të vitesh martesë, lindin 7-të fëmije nga të cilët fëmiju i parë iu vdes ndërsa 5 djemtë dhe vajza janë me plot shëndet e plot krenari për veprën e të Atit dhe të parëve të tyre.

Isa Kastrati i donte shumë fëmijët dhe paralel kohës që jetonte dhe situatës që ndodhej Kosova, Emrat e fëmijëve i pagëzonte dhe i lidhte ngushtë me vlerat e tokës amë, Lirisë, Qëndresës, Gëzimit, Krenarisë dhe Festimit të Republikës së Kosovës shtet i pavarur dhe përgjithmonë jashtë kufijve të Serbo-sllavisë fashiste.

Megjithëkëtë, edhe pas daljes nga burgu (pas 17 korrikut 1986), ndiqej dhe përcillej në çdo hap nga Shërbimi Sekret i Punëve të Mbrendshme dhe e lodhnin me të ashtquajturat ”biseda informative” nga të cilat rëndom edhe kërcohej me likuidim fizik, gjë që s’ju trembej syri kurrë këtij atdhetari ngase për realizimin e synimeve atdhetare kishte mësuar nga të parët dhe të thyhet s’lejoi në asnjë moment te jetës së tij.

Skeda:Permendorja.jpg


Një vit pas daljes nga burgu, në vitin 1987, Isa Kastrati me familje vendoset në Prishtinë, filloj me një përkushtim studimet posdiplomike në Degën e Gjuhësisë dhe la të papërfunduar edhe dorëshkrimin e Magjistraturës që e kishte përgatitë me një dëshire dhe përkushtim të veçantë.

Gjatë periudhës kur nuk kurseheshin as shkollat shqipe nga gjakpirësit shekullor, për shkak të mospranimit te ligjeve të Arsimit Serbosllav, Shkollat mbylleshin dhe nxënësit dëboheshin me gjithë mësimdhënësit e tyre, këtë kohë, shtëpia e Isës u shndërrua në vatër diturie, në shkollë ku mësimet i ndoqën nxënësit e Gjimnazit “Dr. Ali Sokoli”, në këtë periudhë Isa Kastrati punonte në Kshillin Komunal të Financimit dhe njëkohësisht edhe në SHMT “28 Nëntori në Prishtinë.

Rrëzimi i Komunizmit famkeq


Rrëzimi i regjimit komunist dhe dalja në skenë e LDK-së si lëvizje gjithëpopullore e gjejnë Isa Kastratin si aktivist me plot energji, ishte dy mandate Kryetar i Degës së III-të të LDK në Prishtinë. Më pastaj ishte edhe Kryetar ndërpartiak për Degët e LDK për Prishtinë dhe Gollak.

Isa Kastrati iu përkushtua me tërë qenien lëvizjes politike për Çlirimin Kombtar, ndihmoj fuqishëm Lëvizjen Studentore që i kishte dhuruar aromë dhe energji të re.

Në vitin 1997 ishte ngushtë i lidhur me shumë veprimtarë si : Hazir Borovci, Gani e Mustafë Sopi, Sali Mustafa, Ibrahim Mehmeti, Sejdi Matoshi, Sabit Krasniqi, Nezir Gashi, Shyhrete Kastrati e shumë te tjerë, që të gjithë shokë të një ideali e të një gjuhe “Çlirimin e Kosovës nga Okupatori i ndytë Serbo-sllav”.

Gjithmonë në shërbim të atdheut

Isa Kastrati ishte organizator i dy protestave të Marsit të vitit 1998 (kryetar i këshillit organizativ të demonstratave të 2 dhe 9 marsit 1998) bashkë me veprimtaren dhe humanisten Flora Brovina në Prishtinë kundër masakrave qetnike në Çirez e Likoshan.

Dalja në skenë e UÇK-së dhe fillimi i rezistencës së armatosur e inkurajojnë mbarë familjen Kastrati e cila në radhët e UÇK-së radhiti tetë(8) anëtarë të familjes.

Shtëpia e Isa Kastratit në këtë periudhë kohore sa ishte në vatër diturie-shkollë , u shndërrua edhe në shtëpi strehimi ku gjetën strehim mbi 20 familje me mbi 100 anëtarë, në shtëpinë e tij e cila u ba edhe shtëpi shëndetësore u shëruan nëntë ushtarë të UÇK-së, ndër të strehuarit ishte edhe famë e Dr. Lecit (Lec Gradica) për të cilin pas vrasjes dhe masakrimit të tij, në shtëpinë e Isës edhe bëhet pritja e ngushëllimeve.
Pas dhunës së egër të pushtuesit barbar, nga Drenica dhe viset tjera të Kosovës, filloj zhvendosja e qindra banorëve në drejtim të Kryeqendrës sonë, me iniciative të Isa Kastratit themelohet Këshilli i emergjencës për Prishtinën me çrast e zgjedhin Kryetar të Këshillit ku energjia e palodhshme e detyronte që natë e ditë të ndihmojë të zhvendosurit në të gjitha format që kërkohej.

Përkundër ndihmave dhe punës në këshillin e Emergjencës, Isa Kastrati me guxim të pashoq organizonte dhe masivizonte strukturën ushtarake të UÇK-së në Prishtinë dhe rrethinë me emrin “Guerilja B I A – Baza –Skifterat në qytetin e Prishtinës. "BIA" e emëruan kështu në shenje respekti të heronjve të kombit Bahri Fazliu, Ilir Konushevci dhe Agron Rrahmani.

Isa Kastrati-“GACA” bashkë me veprimtarët Hazir Borovci (ish anëtar i guerilës "BIA"), Gani Sopi e Sabit Mshica arrestohen në vitin 1998-të, pas një keqtrajtimi jo njerëzorë dhe brutal, dënohen me nga 30 ditë burgim, dënimin e vuajnë në burgun e Lypjanit. Ndonëse i dërmuar nga torturat , megjithëkëtë Isa Kastrati dhe shokët e tij s’u gjunjëzuan dhe ngelën të pamposhtur para fytyrave gjakpirëse dhe s'mundën t’ia dalin të mësojnë diçka për Guerilën “BIA” të Prishtinës.



Rënia e Isa Kastratit tronditi thellë zemrat e shokëve, bashkëluftëtarëve e në veçanti preku thellë Familjen Kastrati nga Hogoshti, Dardana, Gjilani, Prishtina, Tetova e Shkupi, Zvicra e deri në SHBA-në e largët.

Megjithëkëtë Isa Kastrati do të kujtohet përherë si shembull i krenarisë Kombëtare, si intelektual dhe luftëtar i cili ishte origjinal në jetë dhe origjinal në mendime, shumë - dimensional, trim e human me virtytet më të larta të një atdhetari.

Në shenjë të respektit dhe dashurisë, në shenjë nderi dhe krenarie, emri i Isa Kastratit ndodhet gjithkund i shënuar me germa të arta, rruga e cila nisët nga varrezat e dëshmorëve në Prishtinë e deri tek lagjeja e Spitalit, lidhët me rrugën “Muharrem Fejzë Kastrati”, pra bashkohen Nip e Xhaxha pikërisht në at kryqëzim rrugësh në Prishtinën e lirë, në qendër të fshatit të lindjes në Hogosht, iu është ngritur përmendorja, ndërkaq Dardana ka edhe Shtëpinë e Kulturës me emrin e të madhit Isa Kastrati. Me rastin e 10 vjetorit të ditës së çlirimit të Hogoshtit, me 15 qershor 2009 në fshatin Bujnoc që ndodhet në periferi të fshatit Hogosht në prani të një delegacioni nga Komuna e Dardanës, përfaqësues të fshatit Prekaz nga Drenica, deputetë e shoqata të dalura nga UÇK-ja dhe nga një prani e shumë qytetarëve të viseve të ndryshme të Kosovës u zbulua pllaka përkujtimore "Brigada 172 Isa Kastrati".

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...