2015-01-26

SHKRIMTARI ADEM DEMAÇI: PROTESTAT JANË LUFTË PËR PUSHTET


Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi ka vlerësuar se opozita po bën protesta për të përfituar politikisht dhe për të marrë pushtetin.


Këtë qëllim të partive opozitare Demaçi e vlerëson metodë të gabuar, e cila nuk do të ketë sukses. Ai ka thënë , se me mospjesëmarrjen në protestë të shoqatës “Thirrjet e nënave” dhe shoqatave të luftës po vërtetohet se këto protesta janë luftë për pushtet. Demaçi ka bërë me dije se problemi i Kosovës nuk është Jabllanoviq, por sistemi aktual politik. Sipas tij, ministri Jabllanoviq është pjelle e sistemit politik të Kosovës.

Sot në ora 12 :00 ,protestë në Prishtinë

Partitë opozitare në Kosovë kanë thirrur për sot protestë për, siç kanë thënë, shkarkimin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq, dhe për shpalljen e Trepçës ndërmarrje të veçantë publike.
Edhe sot protestë në Prishtinë

Protesta do të nisë në orën 12:00 në Prishtinë. Ajo vjen pasi kryeministri Isa Mustafa ka refuzuar ultimatumin e opozitës për të përmbushur kërkesat në fjalë.

Për të njëjtat qëllime është protestuar edhe të shtunën.

Ministri Jabllanoviq i ka quajtuar “egërsira” nënat protestuese në Gjakovë, edhe pse, ditë më parë, ka kërkuar falje për komentet e tij.

VV GATI PËR PROTESTË

Aktivistë të kësaj lëvizje, kanë nisur edhe përgatitjet për të marrë pjesë në protestën e sotme. Thirje për protestë kanë bërë edhe kreu i AAK-së, Haradinaj dhe ai i NISMA-s, Fatmir Limaj.



Lëvizja Vetëvendosje edhe njëherë do të kundërshtojë sot deklaratat e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandër Jabllanoviq dhe do kërkojë që ndërmarrja ‘Trepça’ të kthehet në pronësi të shtetit.

Aktivistë të kësaj lëvizje, kanë nisur edhe përgatitjet për të marrë pjesë në protestën e sotme. Në këtë fotografi, shihet se si në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë ditës së djeshme janë punuar flamujt dhe pankartat me të cilat edhe do të protestojnë.

Këto janë masat që do ti marrë Polica në protestë

Image result for skender hyseni
    

Ministri i MPB-së Skender Hyseni dhe Drejtori i PK Shpend Maxhuni



08:19 ​Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën/demonstratën e paparalajmëruar siç parashihet me Ligjin mbi tubimet publike, e cila pritet të mbahet sot në orën 12:00 në Prishtinë, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar urdhrin operativ.

Qëllimi strategjik i këtij urdhri operativ është:

*Siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit.

*Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës.

*Ndërmarrja e masave të nevojshme operative policore, për të siguruar që protesta të kalojë pa ndonjë incident dhe qytetarët-pjesëmarrësit të shprehin në mënyrë demokratike në kuadër të suazave ligjore protestën e tyre.
Këto janë masat që do ti marrë Polica në protestë
*Ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative dhe akteve kriminale që mund të shkaktojnë jostabilitet, që në çfarëdo mase do të rrezikonte qetësinë publike etj.

Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve.

Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.

Zbatimi i ligjit, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, lëvizja e lirë dhe mbarëvajtja e qetë e kësaj proteste është prioritet i planit të PK-së, mirëpo nuk do të tolerohet shprehja në çfarëdo forme e akteve të dhunës, sulmeve të mundshme ndaj personave fizikë, juridikë si dhe dëmtimit të pronës shoqërore dhe atyre private.

Policia e Kosovës beson në kulturën e lartë të qytetarëve dhe shpreson se protesta do të kalojë e qetë pa incidente dhe nuk do të bien pre e provokimeve të mundshme.

Besimtarët e krishterë e myslimanë, që të gjithë, janë të bindur që Zoti ekziston


Fetë, profetët, kombet dhe … shqiptarët

Nga Mustafa Nano


Besimtarët e krishterë e myslimanë, që të gjithë, janë të bindur që Zoti ekziston e që ai është një i vetëm, i plotfuqishëm, krijuesi i tokës dhe i qiejve, krijuesi dhe i njeriut; janë të bindur më tej që Zoti u ka dhënë audiencë private fare pak njerëzve, mes të cilëve edhe Jezu Krishtit e Muhametit, ka folur gjatë e shtruar me këta të fundit, më saktë u ka dhënë porosi apo urdhërime, u ka dhënë dhe misionin që këto porosi apo urdhërime t’i shpalleshin njerëzimit si fjalë e Zotit, dhe mbi këtë bazë janë shkruar pjesë të rëndësishme, më të rëndësishmet, e Biblës dhe Kuranit. Besimtarët janë të bindur pra se këta dy libra të shenjtë, në thelbin e tyre, nuk janë gjë tjetër, veçse teksti që ka dalë nga transkriptimi (zbardhja) që u është bërë këtyre bisedave të Zotit me lajmëtarët e Tij.

Sikur Krishti e Muhameti ta shihnin me vend që të ktheheshin për një vizitë të shkurtër e të papritur këtej nga anët tona, mendja ta thotë se me siguri (apo është e kotë të thuhet “me siguri” në një diskutim të tillë?), si gjë të parë, do të kërkonin të verifikonin nëse është bërë në mënyrë korrekte, apo jo, transkriptimi i asaj që është thënë në audiencat që ata kanë pasur me Zotin.

Mendja ta thotë pra se Ata do kishin kërshërinë e ngasjen (e di, termat “kërshëri” e “ngasje” nuk kanë shumë kuptim kur është fjala për profetë, por unë po vijoj të flas për ta, paturpësisht, me një logjikë tokësore) për ta kryer një verifikim të tillë, pasi ky transkriptim nuk është se është bërë po atë ditë që janë mbajtur dhe audiencat, dhe nuk është se është bërë i diktuar apo i mbikëqyrur prej vetë profetëve. Ka pretendime, në fakt, që pjesë të Kuranit, apo i gjithë Kurani, kanë qenë zbardhje e atypëratyshme e asaj që Zoti, apo ndonjë engjëll në emër të Tij, i ka përcjellë Muhametit herë pas here, por të shumtët e studiuesve janë të mendimit se versioni kanonik i Kuranit, ai version pra që pranohet njëzëri nga të gjithë myslimanët e botës, është përpiluar nja njëzet vjet pas vdekjes së profetit.

Po kështu dhe Ungjijtë që përbëjnë thelbin e dogmës së fesë së krishterë janë përpiluar 50-100 vjet pas vdekjes (e ringjalljes) së Krishtit. Me të fjetur mendjen se ky transkriptim do ishte kryer në mënyrë besnike (nëse do të ishte kështu, kuptohet), ata do kërkonin të merrnin vesh nëse librat e shenjtë janë lexuar ashtu si duhet, nëse janë kuptuar deri në fund, nëse janë kuptuar pjesërisht, nëse janë keqkuptuar apo nëse nuk janë kuptuar asnjë çikë. Me këtë rast do të merrnin vesh edhe se cili nga interpretimet (ne e dimë tanimë që janë të shumta, në mos të pafundme, interpretimet që u bëhen këtyre Librave) është ai i sakti. Ose ndoshta do të merrnin vesh se të gjitha interpretimet janë të pasakta. E sikur të ish kjo e fundit, mund të binin dakord të afronin fundin e botës.

Shkrimtari rus, Dostojevski, që është dhe një nga më të mëdhenjtë e letërsisë botërore, e ka përfytyruar në mënyrën e vet një ngjarje të tillë. E ka bërë në librin e tij ‘Vëllezërit Karamazov’. Në një kapitull të këtij libri me titullin ‘Inkuizitori i madh’, ai tregon për një bisedë mes dy prej vëllezërve “Karamazov”, Ivanit e Aljoshës, gjatë së cilës i pari i thotë në mirëbesim të dytit se ka shkruar një roman a poemë, ku flitet për një vizitë të Jezu Krishtit në Tokë. Ne e dimë që kjo është një vizitë e pamundur ngaqë, kështu thuhet në Dhiatën e Re, Krishti do të rikthehet veç një herë, do të rikthehet në ditën e fundit të botës, që do të jetë dhe dita kur mbretëria e Zotit do të triumfojë, por Dostojevskin nuk e pengon asgjë që ta sjellë Krishtin në tokë për hesap të vet.

Dhe ka zgjedhur si kohë të kësaj vizite shekullin XVI. Ndërsa si destinacion të vizitës Spanjën, ku çdo ditë, pas vendimesh të tribunaleve të Inkuizicionit, organizoheshin djegie në turrën e druve. Mes të gjithëve binte në sy një kardinal i shtyrë në moshë, që ish shumë i zellshëm e shumë i pushtetshëm në aksionin për ndëshkimin e heretikëve, d.m.th. në ndëshkimin e “atyre që, për shkak të shpirtit të pushtuar nga djalli, guxonin të ngriheshin kundër kishës katolike”.

Krishti kthehet, dhe njerëzit përreth e njohin. Nuk është se ai prezantohet. Nuk ka nevojë të prezantohet. Ai duket që është Ai. Dhe me të mbërritur, zë të bëjë atë që di të bëjë, shëron njerëz të sëmurë, ngjall ndonjë të vdekur, i jep sy ndonjë të verbëri, etj. Impakti tek gjindja është ai i pritshmi, si në Bibël. Njerëzit e rrethojnë, e nderojnë, i luten, i shtrihen barkas, dhe kjo turmë e madhe pranë tij tërhoqi vëmendjen e kardinalit plak. Kur ky i fundit u afrua pranë turmës, pa Atë që po shihnin të tjerët.

Dhe e njohu. E ndonëse e njohu, apo pikërisht ngaqë e njohu, ai urdhëroi rojet e tij që ta arrestonin. Krishtit i vunë prangat, dhe e futën në qeli, ku pas pak do të hynte dhe kardinali. Jo për ta marrë në pyetje e për ta dënuar si “heretik”, por për t’i thënë se kish bërë gabim që kish ardhur për herë të dytë në tokë, ku kisha e Tij, për të mirën e njeriut, nuk ishte ndërtuar sipas porosive të Tij, e ku rendi “fetar” i gjërave ish ngritur mbi premisën që njeriu në jetën tokësore ka nevojë për siguri, e jo për liri.

Liria ishte një barrë për të shumtit, ndërsa siguria ishte një nevojë e të gjithëve. Dhe me këtë, sipas kardinalit, Krishti kish gabuar edhe gjatë “vizitës” së parë, kur kish dashur t’u thosh apostujve, e nëpërmjet të tyre gjithë botës, se nuk është puna të mbushësh barkun me bukë, por të mbushësh shpirtin me besim, dhe se rëndësi ka paqja e përjetshme që sigurohet nëpërmjet besimit, e jo avantazhet e karari në jetën tokësore (përmendet parabola e takimit të djallit me Krishtin, që kish dyzet ditë që rrinte pa ngrënë në shkretëtirë, dhe përpjekja e të parit për ta vënë të Dytin në provën e tundimeve). Krishti nuk flet asnjë fjalë në qeli; veç dëgjon; e në fund afrohet te kardinali, dhe e puth në buzë. Afërmendsh, nuk është gjest erotik e homofilik. Është qartazi një gjest mirëkuptimi. Kështu ka dashur Dostojevski që të jetë.

Dhe duhet thënë këtu se secili mund ta përfytyrojë në mënyrën e vet një vizitë të profetëve në Tokë. Dhe ky përfytyrim përcaktohet shumë edhe nga koha që jetojmë, edhe nga mënyra se si secili prej nesh e përjeton këtë kohë. Ja, unë do t’ju ftoja juve që ta bënit në stilin tuaj këtë lojë dostojevski-ane. Madje, po ju tregoj se si unë vetë e kam bërë këtë lojë, në një mënyrë shumë narcizoide (ky do të ishte kulmi i kulmit të narcizizmit të një robi). Teksa po mendoja se ç’duhet të thosha në këtë takim me ju, kam përfytyruar në mënyrën më trillane të mundshme sikur në Tokë mbërritën tok që të dy profetët, Krishti e Muhameti.

Dhe nuk zgjodhën për destinacion Seviljen e Spanjës, as ndonjë qytet pranë Detit të Vdekur, ku mund t’i çonte malli prej njeriu apo kujtimet prej profeti. Zgjodhën Shqipërinë. Tiranën. Dhe këtu, nuk dihet për ç’arsye, vendosin të hyjnë në një librari, ku u tërheq vëmendjen kopertina e një libri me titullin ‘Pax Albanica’. Marrin nga një kopje në duar, dhe zënë ta shfletojnë. Ata, në gjendjen e tyre humane, nuk kanë ditur të lexojnë. Edhe sikur të dinin, do të njihnin veç aramaikishten e arabishten (në fakt, në një a dy prej Ungjijve lihet të kuptohet se Krishti dinte të lexonte), por ata sapo kanë zbritur prej qiejve, dhe nuk do mend që janë në gjendje të lexojnë në çdo gjuhë të mundshme.

Dhe kështu vihen të lexojnë në gjuhën shqipe. Sytë u mbeten tek titulli i një kapitulli: Kombi është i pari, feja vjen e dyta. Shohin në sy sho-shoqin, dhe është e qartë se që të Dyve fraza u ngjan satanike. Kërkojnë të takojnë autorin, por ky i fundit fshihet, ngaqë gjithë kohën e ka përfytyruar me frikë rrethanën e një ballafaqimi të mundshëm e të ardhshëm me profetët, apo me ndonjërin Syresh. Pas kësaj kërkojnë të takohen me botuesin Besnik Myftari, të cilin e pyesin: Ç’është ky autor idiot që shkruan gjëra të tilla?

Dhe B. Myftari, në stilin e tij të qetë, dhe i pushtuar nga emocionet e rastit, arrin t’u thotë se “nuk është autori, por historia e kombit shqiptar që e thotë këtë gjë; ka shqiptarë që janë myslimanë e ka të tjerë që janë të krishterë, dhe sikur t’u vihej veshi atyre që kanë interpretuar pas jush revelation-et tuaja, këtyre anëve do shkonte gjaku deri në gju, siç ka ndodhur me kombe të tjera, e kombi shqiptar do të ishte shuar tanimë; dhe që kjo të mos ndodhte, shqiptarët kanë rënë dakord që, krahas besimit, madje përpara besimit (dhe kjo nuk do të thotë “kundër besimit”), të mbanin para syve kombin; dhe prandaj, kombi shqiptar ka mbetur gjallë deri më sot.” Pas këtij shpjegimi, të dy profetët iu afruan botuesit të Saras-it, dhe njëri pas tjetrit e puthën në buzë. Dhe ky gjest, ashtu si në romanin e Dostojevskit, ishte një gjest i madh mirëkuptimi.



*Ky shkrim është (me pak ndryshime) fjala që Mustafa Nano mbajti në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës, në një veprimtari me temë “Bashkëjetesa mes feve, një mit apo një realitet”, e organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës dhe e drejtuar nga Albatros Rexha

Sherri i Jabllanoviqit

Protestat, përgjegjësia dhe demagogjia

Protestat, përgjegjësia dhe demagogjia

Nga Milaim Shefkiu


Një deklaratë e ministri serb, Aleksander Jabllanoviq, e menduar apo e lëshuar si një pijanec që nxjerr nga brendësia gjithë mllefin, ngriti në këmbë gjithë Kosovën. Vetëm të shtunën, në Prishtinë u bashkuan rreth 20 mijë shqiptarë, të cilët shprehën pakënaqësinë, disa kundër ministrit serb, të tjerë për “Trepçën”, ndërsa shumica kundër Qeverisë.

U bë sebep Jabllanoviqi, që secili ta shprehë pakënaqësinë e vet, që e ka akumuluar për vite të tëra. E në mesin e protestuesve, dolën edhe ata që i kanë merak demonstratat violente, duke provokuar Policinë, duke demoluar pronën e përbashkët, madje duke vandalizuar edhe pronën private.

Këto protesta të rikthejnë në kohë, në vitin 2007, kur u vranë dy protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. E nëse përsëritet skenari i të shtunës, që të sulmohet objekti i Qeverisë, ose pronat shoqërore e private, atëherë është rreziku më i madh që Kosova të përfshihet nga trazirat, si në vitin 2004 dhe gjithë kjo që u bë deri më tani në konsolidimin e shtetit, të shkatërrohet për disa ditë.

Ata që merren me organizimin e protestave, një gjë duhet ta kenë të qartë, se shkalla e pakënaqësisë sociale ka arritur vlimin dhe secili qytetar pret një moment për ta nxjerrë “vrerin” që ia ka turbulluar lukthin. Nëse ka grupe piromanësh që gëzohen me ndezjen e zjarrit, justifikimet se “ata persona nuk i takojnë radhëve tona”, nuk do të pranohen sepse “është pirë duhani në mes të kashtës”.

Sherri i Jabllanoviqit

Në anën tjetër, kush është ministri serb Jabllanoviq që u bë kapsollë detonuese për ndezjen e pakënaqësive në Kosovë. Pse është kaq i rëndësishëm ky ministër për Qeverinë e Isa Mustafës, që nuk ka guxim për ta shkarkuar?
Edhe nëse në vend të tij, vjen një ministër i të njëjtit kalibër (ose edhe më i keq), ai duhet të shkarkohet. Dalja në demonstrata të dhjetëra mijëra shqiptarëve, e justifikon largimin e tij. Madje edhe nëse Jabllanoviq konsiderohet si “shtylla” bazë që mban “urën me harqe” të Qeverisë, prapë ai duhet të largohet.

Këtij ministri i duhet edhe pak kohë derisa të “piqet”, të kuptojë se në Kosovë në vitin 1998-1999 ka pasur luftë, janë vrarë 13 mijë shqiptarë, ndërsa për gjenocidin ndaj civilëve janë dënuar shumë eprorë e politikanë serbë nga Gjykata e Hagës.
E po ashtu këtij ministri i duhet edhe një leksion tjetër.

Në vitin 1974, në ndryshimet kushtetuese të ish-Jugosllavisë, Kosovës iu hoq epiteti “Metohija”. Ky epitet ka mbetur vetëm në trurin e shpëlarë të Kishës Serbe dhe ultranacionalistëve serbë që jetojnë me iluzione. Prandaj, për shumë arsye ky ministër duhet të shkarkohet, edhe nëse është fundi i Qeverisë, e që realisht nuk është. Me këtë logjikë duhet të qeverisë edhe kryeministri Isa Mustafa, e jo të deklarohet se “Jabllanoviqin nuk jua solla unë, por atë e gjeta këtu”.

Djegia e pronave personale

Po kthehemi edhe një herë te protesta e së shtunës, që nxori në sipërfaqe tri të këqija ordinere. Thyerjen e xhamave të Qeverisë, thyerjen e një lokali përballë objektit qeveritar dhe sulmi ndaj gazetares serbe të RTK2.

Këto akte janë të paarsyeshme, sidomos për qëllimin e protestës.

Pyetja është se i kujt është objekti i Qeverisë, i Isa Mustafës apo i popullit të Kosovës?

Nëse është i Kosovës, atëherë meremetimi bëhet me paratë e kontribuuesve kosovarë, me paratë tona. E në rastin tjetër, dëmtimi i pronës private gjithashtu bën vepër penale dhe krijon një peizazh të errët në sytë e ndërkombëtarëve. Ndërsa, sulmi ndaj gazetares serbe të RTK2, përbën tablonë tjetër etiketuese të Kosovës.
Derisa klerikët fetarë shqiptarë reflektuan diversitet, kulturë e harmoni në Paris në Marshin e Paqes, kjo e të shtunës ndaj gazetares serbe, krijon imazhin e kundërt të asaj që u pa në mbështetje të “Sharli Edbo”-së.

Konsekuencat dhe përgjegjësia

Protestat mbesin e drejtë e garantuar demokratike për shfaqjen e pakënaqësive. Ato kanë një organizator dhe kanë një ide. Në këtë rast Lëvizja “Vetëvendosje” dhe dy partitë tjera opozitare që e kanë mbështetur protestën, AAK dhe “Nisma”, duhet ta bartin përgjegjësinë edhe në rast eskalimi të situatës. Justifikimi se personat e dhunshëm nuk janë të asnjë partie, nuk pranohen sepse nuk janë racionale, sikurse konsiderohen demagogjike përfitimet politike me protesta dhe dhunë.
Organizatori gjithmonë e bart përgjegjësinë, edhe për të shtunën edhe për të martën nëse vazhdojnë protestat.

Përgjegjësia duhet të jetë edhe politike edhe institucionale.

Kjo vlen për organizatorin e protestës, por edhe për kryeministrin Mustafa, që të reflektojë karshi ministrit që po i kërkohet “koka”.

KADAREJA DYSHON TE IDENTITETI I VET


Prof.Dr.Rasim Bebo

Ismail Kadare shkruan: “Kombi shqiptar s’ka pse të vuajë nga komplekset e identitetit të dyfishtë …duhet të bindet se është evropian me rrënjë, gjuhë dhe histori...” Ky shkrimtar është përfshirë disa herë në debate historike, sa i përket identitetit të shqiptarëve dhe ndikimin e Turqisë myslimane në Shqipëri e Kosovë. Por e vërteta historike ka dëshmuar se, identiteti ynë është çimentuar këtu e “10 mijë vjet histori: Pellazgë > Shqiptarë”. Në qoftë se stërgjyshi i Kadaresë nuk do të ishte kthyer në mysliman, sot Kadareja do të kishte emrin “Kadareas, ose Kadaroviç” dhe nuk do të ishte më me identitet shqiptar, por do të ishte grek ose sllavo-sërb. Ky debat që bën Kadareja, u vlen grekëve dhe sllavëve.
Ismail Kadare, më 3 mars 1992, në një debat në “Le Figaro” na thotë se: “Islamizimi është një fatkeqësi kombëtare e shqiptarëve. Islamizmi është një nga pengesat kryesore që Shqipëria të integrohet në perëndim”. (Forumi horizont 28-12-2002). Të njëjtën gjë thotë dhe historiani grek Eleftherias Nikollaidhis: “Islamizimi përbën rrezikun vdekjeprurës për kombin grek”. (Janinë 1979). Me fjalën “Islamizim”, historiani grek kupton Turqinë, së cilës ia kanë frikën. Grekët nuk e harrojnë betejën e Anadollit dhe të Thrakës, që e filluan më 15-maj-1919 dhe vazhdoi deri më 9-9-1922. Duke u vërtitur si nëpër gjumë, për të mbledhur mjegullën në thes, u rrëzuan nëpër rrëpira dhe humnera aq keq, sa thyen jo vetëm turinjtë po se po, por edhe kokën. Pas 4 vjet kacafytjesh, u dërrmuan si mos më keq dhe u shkatërruan nga ushtria turke qemaliste, që i përplasi në bregdet ku gjetën vdekjen, nga
deti, plumbi e zjarri dhe shpëtuan më pak se gjysma e ushtarëve të ushtrisë greke, që i tërhoqën anijet angleze.
AJO QË NUK I FALET Ismail Kadaresë: Para vitit 1990, ndodhi vizita e parë e familjes Shtraus, për t’u lidhur me Gjermaninë. Shansi për të realizuar këtë hop të ri në Shqipëri, e kanë pasur 4 njerëz: Ramiz Alia, Ismail Kadare, Fatos Nano dhe Sali Berisha. (E. Zaloshnja “ILLYRIA”, 21-12-2006, f.12). Por këta donin të vazhdonte komunizmi në Shqipëri, prandaj nuk u lidhën me Gjermanin, por u lidhën me Greqinë mjerane. Mandej këta pranuan edhe kryepriftin grek, që përpiqet ta kthejë Shqipërinë në deshqiptarizim. Pra, në një shtet grek brenda shtetit shqiptar, kundër myslimanizimit dhe ti quaj këta, kolonë turq, siç e quajtën Çamërinë, e cila tani për grekët, është “INEKZISTENTE”. Po të ishim lidhur me Gjermaninë, ku do të ishte Shqipëria Sot?... Kjo është tradhtia më e madhe që i keni bërë ju kombit shqiptar dhe si pasojë e kësaj, erdhi katrahura e luftës civile të vitit 1997, e gatuar nga
greku me drejtues emisarin e saj Janullatos, që vepronin bashkërisht me qeveritaret Nano dhe Berisha dhe pse jo, edhe me ju që e shikonit me dylbi nga Parisi, i solidarizuar edhe me renegatin Kiço Mustaqi, me 400 andartë grekë, që e piketonte kufirin në jug të rrjedhjes së lumit Vjosa, si tokë të pushtuar greke.
Në atë kohë sekretaria e SHBA, Magdalena Ollbrajt, i tha Pangallosit: “Ju keni ndërmend të pushtoni Shqipërinë e Jugut, por ne nuk e ndalojmë Turqinë që tu bjerë juve”. Kryeministërja turke i dha ultimatum grekut, që të kthehej brenda kufirit të saj dhe greku u kthye me bishtin në shalë në Greqi. Kështu, z. Ismail Kadare është ruajtur identiteti shqiptar dhe s’ka nevoje të bësh debate dhe të dyshosh ndërmjet dy feve mysliman dhe ortodokës. Sepse identiteti është pasaporta e një kombi, ndërsa fetë janë pa pasaportë. Por për ne, feja myslimane u bë mur i madhe që na mbrojti kundër thithjes greko-sllave. Shqiptarët pranuan fenë islame. “Që nga dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XVI deri në gjysmën e shek XVII, pohon Gordinjano, prej popullit shqiptar 1/3 është bërë muhamedane”. (F. Gordinjano “Gjeografia kishtare e Shqipërisë, 1934). Në gjysmën e dytë të shek XVII, kemi kthime masive të
shqiptarëve nga të krishterë në myslimanë, rreth 80 përqind e popullsisë përqafuan fenë islame.
Aristidh Kola shpjegon: “Sulltan Murati i IV, lëshoi një urdhër sipas Kuranit, ku tha: “Sa të krishterë kanë feude, të myslimanizohen dhe do ti marrin ato, në rast të kundërt do t’i humbin, përveç pasurisë u hiqet edhe liria”. Kështu shqiptarët duhej të zgjidhnin midis krishterimit dhe lirisë. Kur u gjenden në dilema të tilla, shqiptarët kanë parapëlqyer lirinë, dhe pasurinë bashkë me pushkën e shpatën. Myleri thotë: “Feja e krishtere mbështetet tek mëshira. Shqiptari nuk e do mëshirën por admirimin.”
Z. Ismail Kadare, unë, artikullshkruesi, u pyes: Si do të ishte harta politike e Ballkanit, sikur ne shqiptarët do të vazhdonim të luteshim në kishat serbe të Savës dhe në kishat greke, në gjuhët e këtyre dy kombeve?!... A do të ishim asimiluar prej tyre?... Faik Konica Thotë: “Shqiptarët po të mos ishin bërë myslimanë, Shqipëria do të ishte e madhe, por nuk do të ishim Shqiptarë.”
Shqiptarët u bënë myslimanë për të ruajtur individualitetin dhe identitetin e tyre kombëtar. Kjo është vazhdimësia e lënë trashëgim nga stërgjyshi ynë Pellazg që vazhdoi gjatë tri perandorive, të Romës, Bizantit dhe Turqisë, mbi 2000 vjet, nga viti 168 p.e.s, deri në vitin 1912.
Prof. George Shtadtmyller thotë: “Islamizimi tek shqiptarët nuk ishte religjioz, por i llojit juridik dhe ekonomik. “
Kadare vazhdon ende sipas konjukturës Janullatiste: “ Sot nëpërmjet fesë Islame, Turqia përpiqet përsëri të ndikojë dhe të modifikojë konceptin tonë të jetës sociale. Perandoria Otomane duket se po vjen në një tjetër formë”. Z. Ismail Kadare, jeni në një linjë me Janullatosin, me qeverinë Shqiptare dhe Akademinë e Shkencave. Ajo që urren më shumë kjo treshe, është Shoqata “QENDRA E STUDIMEVE PELLAZGJIKE”. Janë bërë deri sot tre Simpoziume dhe asnjë nga këta, nuk respektoi ftesën për pjesëmarrje, po ashtu edhe ju. Prof. Gene Haddieburg, kryetar i shoqatës heleniste në universitetin Georgetoun: thotë:
“E kemi sajuar Greqin e lashtë”.
Kadare, në paraqitjen e fundit kishte kritikuar deputetë dhe udhëheqës të shtetit për tjetërsim të identitetit të shqiptarëve. Dhe pyetja: “ç’po ndodh? Është e natyrshme”, ka shkruar Kadare, në librin “Mëngjeset në kafe Rostand”. Gjithashtu në të njëjtin libër, ai shkruan: “Në 620 vjetorin e Luftës së Kosovës, një deputet nga parlamenti, e shpalli Gjergj Kastriotin vrasës të myslimanëve, pra tradhtar të kombit. Kryeqyteti tjetër, Tirana, shpallet e themeluar nga një oficer osman. Në një xhami të Kosovës kryeministri turk lëshoi thirrjen Kosova është Turqi”. Së fundi qershia mbeti mbi tortë”. (Gazeta 55 më 8-1-2015). Jo, zoti Kadare, deputeti që akuzon Skënderbeun gënjen, por e vlerësoni dhe ju që e shkruani në librin tuaj. Këto janë manipulimet greke. Në kohën kur ka jetuar Skënderbeu, s’ka pasur këmbë myslimani, jo në Shqipëri por as në Ballkan. Ndërsa Tirana është
themeluar nga shqiptarë dhe jo nga oficerë turq. Qeveria turke, vjen pas Amerikës në përkrahje të sinqertë me vepra dhe jo me fjalë. Z. Kadare, grekët gëzohen kur ju i vendosni në Luftën e Trojës, si kundërshtarë të Trojanëve. Ndërsa grekët kanë ardhur nga Sinaj i Afrikës në Ballkan pas 600 vjetëve të Luftës së Trojës. Gjynah, a nuk është kjo një lajthitje e juaja?... Si ka mundësi shkrimtari më i përkthyer shqiptar, në më shumë se 45 gjuhë të huaja, të bashkohet në një mendim, me një deputet tej masës intrigant dhe shpifës për Skënderbeun, duke e shënuar këtë trillim në libri e tij “Mëngjeset në kafe Rostand”?!...
Përfundimisht, zoti Kadare, dua të theksoj se emri juaj mysliman “Ismail”, nuk ju ka penguar aspak të arrini këtë njohje që keni sot në letërsinë perëndimore. Por kam mendimin, se kur lexoni dhe shkruani për historinë, duhet ta kthjelloni më mirë vështrimin mbi të vërtetat e pamohueshme historike të kombit shqiptar dhe të identitetit të tij kombëtar.

Rasim Bebo, Adison, Çikago janar 2015


(Rasim Bebo ka lindur më 14 prill të vitit 1926 në Shalës, të Çamërisë, në territorin shqiptar. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë si dhe doktoruar në shkencat historike.  Ka qenë viktimë e luftës së klasave gjatë regjimit komunist. Prej vitesh ai vijon aktivitetin e tij si studiues në mërgim në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Deri tash ka  shkruaj dhjeta  libra si dhe mija shkrime publicistiko-shkencore nga lëmia e historiografisë shqiptare , greke,sllave etj.)

LETËRSIA DHE FABRIKIMI


entela-queen-safeti

Shkruan: Entela SAFETI-KASI

Midis botës së librit qëndron jeta e përditshme e çdo shkrimtari dhe çdo lexuesi, dhe midis tyre, letërsia mbetet retorika e përhershme, e cila përballet me kufijtë e përkohshëm, të fabrikimit të librit dhe politikave për të fabrikuar letërsi.Ky fabrikim, kjo tregëti e librit ecën paralel me atë çka lexuesi kërkon???Kur nisa të mësoj Anglishten, me shpresën për të hapur një dritare komunikimi me botën, arsyeja themelore ishte të lexoja kryeveprat e letërsisë të shkruara në këtë gjuhë të madhe, e në një nga metodat e gjuhës më pati bërë përshtypje ky shembull:

Një studente i tregonte profesorit të saj për një libër të famshëm që kishte lexuar së fundmi, dhe po e pyeste nëse edhe profesori i nderuar e kishte lexuar librin.Profesori e pyeti se për cilin libër bëhej fjalë, dhe ajo gjithë entuziazëm i tha se ishte një libër i famshëm që ishte botuar për herë të parë, disa muaj para, e se ky na ishte një “bestseller”
“ Edhe unë kam qënë duke lexuar kohët e fundit, një libër të famshëm, që nuk është aspak bestseller: Komedinë Hyjnore të Dante Aigerit. Studentja tha:- Kur është botuar ky libër? Nuk kam dëgjuar që të jetë “bestseller”.Kush është Dante Aligeri?

Ky shembull ka anën e vet komike dhe tragjike, pasi ajo që besohet të jetë e famshme sot në brezin e studentëve dhe të rinjve, duhet patjetër të jetë bestseller dhe po ashtu në modë, e nëse nuk është në ekranet e faqet e shtypit, nuk ka mundësi të jetë libër i shkëlqyer.Në fakt, unë nuk kam asgjë kundër, këtyre që quhen bestseller, por ajo që reklama e fabrikimit të librit po i bën publikut, po bën përditë e më shumë që lexusit e letërsisë të jenë profesorët seriozë, shkrimtarët seriozë, por edhe lexuesit që janë vazhdimisht në kërkim të letërsisë, e ky lloj lexuesi është një lexues përtej të zakonshmes.

Na ndodh shpesh të kthehemi pas në kohë, dhe sa herë që unë kthehem pas në kohë, këkroj targjedianët grekë, e konkretisht Eskilin. Është thënë se Eskili ka shkruar më tepër se tragjeditë që ne njohim sot, e se numuri më i madh i tyre kanë humbur.Nëse unë hyj sot në një librari dhe pyes: Cilët janë librat që lexuesi kërkon sot, rezulton që shumë pak njerëz kërkojnë Eskilin dhe shumica këkron atë që është në modë, apo qoftë edhe e lehtë, e ky libër i lehtë i modës është bestselleri.Paralel me këtë mendimet e mia shkojnë tek Servantesi, e më konkretisht tek Don Kishoti.
Shembull: Një shkrues po shfaqte në skenë një lojë interesante rreth dashurisë të një zonje me një kalorës, e audience po duartokiste, e shkruesi i skenës ishte i lumtur për suksesin dhe famën. Don Kishoti shfaqet këtu, e lufton me shpatë e me fjalë, e ndërkohë shkruesi i cili pretendonte të ishte Komedian e pyet se përse ai po i shkatërronte punën, famën, dhe suksesin.Don Kishoti u përgjigj: Letërsia nuk është për të luajtur, e nuk është aspak e lehtë!
Por çfarë është letërsia në fakt?
Bota e sotme po merr një tjetër formë dhe me aq sa unë kuptoj shkrimtari nuk është gruaja apo burri i skenës, apo gruaja dhe burri i famës. Të jesh në skenë është krejt ndryshe nga të shkruash e të jesh shkrimtar në arenën e letërsisë të shkëlqyer. Le të kthehemi në pas në kohën jo shumë të largët të vendeve të izoluara ku libri dhe shkrimtarët drejtoheshin nga pushteti poiltik dhe ideologjik i diktaturave, apo qoftë edhe direkt nga shteti. Në këtë ftohtësi të menduari pas afro 20 vitesh është fare e qartë që ka tre kategori: Shkrimtarë që kanë krijuar letërsi të shkëlqyer në kushtet e absurdit, dhe që vazhdojnë të jenë edhe në kohën e lirisë shkrimtarë të letërsisë së shkëlqyer.
Të tjerë që u fabrikuan si shkrimtarë, e që libri I tyre nuk tejkaloi as kohën e ekzistencës së tyre fizike.
Dhe disidentë, të cilët kanë libra, për të cilët ende koha nuk ka folur.
Le të marrim një shembull:
Në Shqipërinë e vitit 89, ende pa mbërritur vitet 90, kur unë isha nxënëse e shkollës së mesme, ishim detyruar të lexonim dy autorë, një burrë dhe një grua, për të cilët po na thuhej se ishin të mëdhenj dhe të famshëm. Duke mos qënë edhe shumë e sigurtë për veprën e të dyve,i kërkova mendim një njeriut tim të afërm. Ai nuk tha asnjë fjalë.
Diktatura ra, e Shqipëri u bë një vend i hapur, njerëzit filluan të flasin lirisht dhe pas afër 20 vitesh janë botuar dy libra të një poeti të ekzekutuar në Shqipëri gjatë diktaturës në vitin 1976, e është zbuluar dhe vërtetuar me dokumenta që janë marrë në shërbimin sekret shqiptar se dy autorëve, emrat e të cilëve tashmë s’kanë aspak rëndësi, dua të them të dy autorëve që brezit tim para viteve 90 po i servireshin si të famshëm, e që ne na kishin detyruar tu lexonim librat, kishin ndërtuar karierën e tyre letrare duke shkruar ekspertiza letrare për këtë poet.
Ky poet disident për të cilin po ju flas sot, është Vilson Blloshmi, i cili u ekzekutua në luginën pranë fshatit të tij i shpallur fajtor nga shteti shqiptar për poezitë që kishte shkruar dhe përkthimet që kishte bërë, e me këtë rast desha të theksoj mendimin se me sa duket ata dy personat që shkruan aktekspertizat letrare, fabrikimi i politikës së shtetit të asaj kohe i bëri të tregëtojnë jetën e një njeriu, të një poeti !!!

Por le të ndryshojmë atmosferën, më lejoni të sjell midis nesh Don Kishotin!
Në një konkurs të rëndësishëm letërsie, Don Kishoti I thotë një shkrimtari: nëse ti vlerësohesh me çmimin e dytë, kjo do të thotë që je shkrimtar, sepse çmimin e parë duhet ta marrë përgjithmonë një burrë i politikës, e nuk është e rëndësishme që ky të jetë shkrimtar!

Bota e librit duket se ka ende të njëtën problematikë si në kohët antike, mesjetare apo edhe në kohën tonë moderne. Fabrikimi i famës prej politikave dhe influencave të politikës, preferencave të grupeve të intersit edhe në fushën e librit, ku libri tashmë është edhe tregëti, duket sikur po orienton lexuesin drejt një produkti i cili nuk është aspak i shëndetshëm për botën shpirtëtore. Përpjekja e fabrikimit të famës për bestsellera të kësaj kategorie nuk ka asnjë lidhje me vlerat e letërsisë së shkëlqyer.Me aq sa unë shoh dhe kuptoj, me aq sa edhe koha ka provuar, kjo Famë e ky Luks bestsellerash nuk shkon as përtej kohës fizike të autorëve dhe as përtej kohës fizike të politikave të tregëtimit të librit nga grupe interesi të lidhura shumë ngushtë me politikën e,sidomos në vende që kanë qënë të bllokut lindor, si Shqipëria.
Historia e letërsisë dhe koha na kanë treguar pamëshirë se vetëm letërsia e shkëlqyer ka arritur të thyejë kufijtë e kohës, madje edhe të ekzistencave të përkohëshme fizike njerëzore të shkrimtarëve pasi këta përveç se shkrimtarë janë edhe njerëz me dhe natyrisht që kanë edhe një fat njerëzor.
A lexojmë ne ende targjedianët grekë, Dante Aligerin, Servanetsin, Ismail Kadarenë, Ibsenin, Franc Kafkën, Emili Dikinsonin, Kamynë, Xhojsin, e Umberto Ekon? A këkrojmë ne ende letërsinë e shkëlqyer? A I këkron edhe lexuesi veprat e tyre? Po.

Letërsia ka atë që Romakët e quajnë “Fortuna”, e pranojmë dot apo jo, letërsia është fati I atij që Ka këtë “Fortuna” për të qënë shkrimtar!!!Të jesh shkrimtar është kaq ndryshe nga të ëndërrosh të jesh shkrimtar, por edhe të ëndërrosh të jesh shkrimtar është diçka e bukur, kur ke kuptuar dallimin midis letërsisë dhe asaj çka mund të jetë gjithçka tjetër por jo letërsi!!!
Nuk di ndonjë shembull që fabrikimi I librit dhe politikave të fabrikimit të famës të gjithçkaje tjetër të kenë mbëritur letërsinë, apo të kenë tejkaluar qoftë edhe kohën e vet fizike!
Ajo që di është se fabrikimi i librit, dhe politikave të çdo kohe kanë luajtur në mënyrën më barbare dhe banale me letërsinë e shkëlqyer dhe shkrimtarët e shkëlqyer, lojën e përkohëshme të intrigës të skenës,ose edhe të prapaskenës, pasi nuk kanë mundur asnjëherë të hyjnë në arenën e letërsisë, e cila sikur e ka thënë Don Kishoti nuk është aspak e lehtë. Ajo që unë di shkëlqyer dhe që bota di shumë mirë është, se njerëzimi ka patur fatin e madh të ketë midis Shkrimtarët e letërsisë të shkëlqyer, që nga dita e parë!!!

E me këtë rast dua të them se letërsia nuk mund të matet as me politikë, as me pozicione gjeografike,e as me kufij gjuhësorë, sepse kur ajo ndodh të jetë e tillë të gjithë kufijtë gjuhësorë dhe gjeografikë shemben, dhe se politika qoftë edhe më absurdja nuk mundet ta përmbajë atë.A nuk ka bota letrare shembuj të pafundëm që na i kianë provuar këtë të vërtetë? A nuk është Ismail Kadare shembulli i shkrimtarit të shkëlqyer, i kësaj të vërtete të pamohueshme? Letërsia ka vetëm një fat, të jetë ose të mos jetë letërsi dhe për shkrimtarin e letërsisë të shkëlqyer, pavarsisht origjinave gjuhësore, gjeografike, dhe kohës, atdheu i tij mbetet bota e letërisë së shkëlqyer.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...