Protestat, përgjegjësia dhe demagogjia
Nga Milaim Shefkiu
Një deklaratë e ministri serb, Aleksander Jabllanoviq, e menduar apo e lëshuar si një pijanec që nxjerr nga brendësia gjithë mllefin, ngriti në këmbë gjithë Kosovën. Vetëm të shtunën, në Prishtinë u bashkuan rreth 20 mijë shqiptarë, të cilët shprehën pakënaqësinë, disa kundër ministrit serb, të tjerë për “Trepçën”, ndërsa shumica kundër Qeverisë.
U bë sebep Jabllanoviqi, që secili ta shprehë pakënaqësinë e vet, që e ka akumuluar për vite të tëra. E në mesin e protestuesve, dolën edhe ata që i kanë merak demonstratat violente, duke provokuar Policinë, duke demoluar pronën e përbashkët, madje duke vandalizuar edhe pronën private.
Këto protesta të rikthejnë në kohë, në vitin 2007, kur u vranë dy protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. E nëse përsëritet skenari i të shtunës, që të sulmohet objekti i Qeverisë, ose pronat shoqërore e private, atëherë është rreziku më i madh që Kosova të përfshihet nga trazirat, si në vitin 2004 dhe gjithë kjo që u bë deri më tani në konsolidimin e shtetit, të shkatërrohet për disa ditë.
Ata që merren me organizimin e protestave, një gjë duhet ta kenë të qartë, se shkalla e pakënaqësisë sociale ka arritur vlimin dhe secili qytetar pret një moment për ta nxjerrë “vrerin” që ia ka turbulluar lukthin. Nëse ka grupe piromanësh që gëzohen me ndezjen e zjarrit, justifikimet se “ata persona nuk i takojnë radhëve tona”, nuk do të pranohen sepse “është pirë duhani në mes të kashtës”.
Sherri i Jabllanoviqit
Në anën tjetër, kush është ministri serb Jabllanoviq që u bë kapsollë detonuese për ndezjen e pakënaqësive në Kosovë. Pse është kaq i rëndësishëm ky ministër për Qeverinë e Isa Mustafës, që nuk ka guxim për ta shkarkuar?
Edhe nëse në vend të tij, vjen një ministër i të njëjtit kalibër (ose edhe më i keq), ai duhet të shkarkohet. Dalja në demonstrata të dhjetëra mijëra shqiptarëve, e justifikon largimin e tij. Madje edhe nëse Jabllanoviq konsiderohet si “shtylla” bazë që mban “urën me harqe” të Qeverisë, prapë ai duhet të largohet.
Këtij ministri i duhet edhe pak kohë derisa të “piqet”, të kuptojë se në Kosovë në vitin 1998-1999 ka pasur luftë, janë vrarë 13 mijë shqiptarë, ndërsa për gjenocidin ndaj civilëve janë dënuar shumë eprorë e politikanë serbë nga Gjykata e Hagës.
E po ashtu këtij ministri i duhet edhe një leksion tjetër.
Në vitin 1974, në ndryshimet kushtetuese të ish-Jugosllavisë, Kosovës iu hoq epiteti “Metohija”. Ky epitet ka mbetur vetëm në trurin e shpëlarë të Kishës Serbe dhe ultranacionalistëve serbë që jetojnë me iluzione. Prandaj, për shumë arsye ky ministër duhet të shkarkohet, edhe nëse është fundi i Qeverisë, e që realisht nuk është. Me këtë logjikë duhet të qeverisë edhe kryeministri Isa Mustafa, e jo të deklarohet se “Jabllanoviqin nuk jua solla unë, por atë e gjeta këtu”.
Djegia e pronave personale
Po kthehemi edhe një herë te protesta e së shtunës, që nxori në sipërfaqe tri të këqija ordinere. Thyerjen e xhamave të Qeverisë, thyerjen e një lokali përballë objektit qeveritar dhe sulmi ndaj gazetares serbe të RTK2.
Këto akte janë të paarsyeshme, sidomos për qëllimin e protestës.
Pyetja është se i kujt është objekti i Qeverisë, i Isa Mustafës apo i popullit të Kosovës?
Nëse është i Kosovës, atëherë meremetimi bëhet me paratë e kontribuuesve kosovarë, me paratë tona. E në rastin tjetër, dëmtimi i pronës private gjithashtu bën vepër penale dhe krijon një peizazh të errët në sytë e ndërkombëtarëve. Ndërsa, sulmi ndaj gazetares serbe të RTK2, përbën tablonë tjetër etiketuese të Kosovës.
Derisa klerikët fetarë shqiptarë reflektuan diversitet, kulturë e harmoni në Paris në Marshin e Paqes, kjo e të shtunës ndaj gazetares serbe, krijon imazhin e kundërt të asaj që u pa në mbështetje të “Sharli Edbo”-së.
Konsekuencat dhe përgjegjësia
Protestat mbesin e drejtë e garantuar demokratike për shfaqjen e pakënaqësive. Ato kanë një organizator dhe kanë një ide. Në këtë rast Lëvizja “Vetëvendosje” dhe dy partitë tjera opozitare që e kanë mbështetur protestën, AAK dhe “Nisma”, duhet ta bartin përgjegjësinë edhe në rast eskalimi të situatës. Justifikimi se personat e dhunshëm nuk janë të asnjë partie, nuk pranohen sepse nuk janë racionale, sikurse konsiderohen demagogjike përfitimet politike me protesta dhe dhunë.
Organizatori gjithmonë e bart përgjegjësinë, edhe për të shtunën edhe për të martën nëse vazhdojnë protestat.
Përgjegjësia duhet të jetë edhe politike edhe institucionale.
Kjo vlen për organizatorin e protestës, por edhe për kryeministrin Mustafa, që të reflektojë karshi ministrit që po i kërkohet “koka”.