Shkruan: Ornela MUSABELLIU
Trishtimi iu fanit si ëmbëlsira pas darke, i rëndë, jo i shëndetshëm dhe burim ëndrrash të këqija, por gjithsesi i ëmbël, si vetë ëmbëlsira. Asnjëherë nuk kish qenë e marrosur pas ëmbëlsirave, por pas trishtimit po; thua se ai ishte i vetmi burim energjie për të përballuar jetën. Edhe në çaste lumturie të thellë, sytë e saj ngjyrosnin trishtimin e ëmbël. Herë-herë këtë gjë e konsideronte si hajmali kundër syrit të keq, kundër prishjes së magjisë së çastit.
Ishte egoiste, e donte jetën mbi gjithçka dhe për vete, por kjo ndjenjë nuk i tingëllonte aspak e çuditshme, edhe kur mendonte se mbështillej nga një tis infantilizmi. E në fund të fundit, botën e shihte dhe pranonte ndryshe, ndonëse në dukje ish e thjeshtë, më e thjeshtë se ajo që njerëzit e quanin normale. Ish gjithmonë një ëndërr e lënë përgjysmë, një mollë e kafshuar përgjysmë, një jetë e jetuar përgjysmë. Nuk ndihej aspak normale, e për më tepër nuk ndihej aspak pjesë e atij normaliteti të dhjerë të botës. E nëse do të kish mundësi, botën do ta ndërtonte brenda një nate me fantazinë e saj plot ngjyra e jetë, aty ku njerëzit nuk do të merrnin leje për të bërë dashuri me dashurinë. Ndoshta ish e tepruar ajo përkujdesje si e një Zoti ndaj krijimit ndryshe të botës, po përderisa nuk kish fuqitë e duhura, mjaftohej me ndjesitë e mrekullueshme që i falte imagjinata. Në to lundronte dhe jetonte një jetë pa reagime, pa mbrapshtësi, pa ndjesitë e kota të egoizmit. Ish dhe nuk ish ajo; por fantazia ish, e si e tillë edhe ajo. Trishtimin e veshi si këmishën e natës. Ndjeu një boshllëk në gjithë qenien. Mes saj dhe vetvetes kish një ndarje në hapësirë dhe kohë. Diçka që nuk e kish provuar më parë me atë forcë padijeje dhe ndijimi. Ish e para gjë që po provonte për herë të parë në ato kohë të fundme. E kapërdiu këtë ndjesi si diçka të mrekullueshme që po i ndodhte; qenia e saj po lartësohej prej njohjes së hapësirave të pazbuluara më parë. Lumturi dhe trishtim; gjendje e papërshkrueshme ezoterike. Ish ajo dhe ajo, vetja dhe vetja, e mes tyre një hapësirë ndijimi bosh që duhej njohur para se të mbushej. Jo, jo nuk përfaqësonte daljen nga vetja, që shpeshherë provonte në çaste kritike. Të dalët nga qenia si një fantazmë dhe rendja pas veprimeve të vetvetes teksa ajo ha, pi, fle, bën dashuri. Në këtë gjendje kish provuar sa e sa herë ndjesi të çuditshme, por tashmë ishin të njohura për të, e dinte ku nisnin dhe ku mbaronin, njihte shkakun dhe pasojën. Mund ta shihte veten me lehtësinë më të madhe të shkëputur nga qenia e saj dhe mund ta trajtonte me dashurinë dhe përkujdesjen e rastit. Tashmë ish psikologia e saj, pra e vetvetes. Por si në çdo profesion dhe në çdo jetë të jetuar, surprizat dhe të papriturat nuk kishin mbarim. Kjo gjendje e fundit kërkonte kohën e mjaftueshme për hulumtime dhe konkluzione të qarta; kohë e vështirë për të. Ajo me një boshllëk mes saj. Kushdo që mund ta dëgjonte dhe lexonte përshkrimin e shkruar në një copë letre, do të ish lodhur nga panorama që do t’i servirej. Ashtu si me një tregim bajat të shkruar për faqe të zezë. Kushdo po, kushdo që do ta kish lexuar, por për të jo, pasi jo çdokush mund të ndiente të njëjtat gjëra që përjetonte dhe skiconte ajo në gjithë qenien e çuditshme.
Distancë e pashpjegueshme, e ngjashme paksa me atë gropën e madhe që të hapet në stomak sa herë që zorrët fillojnë revolucionin. Por ndryshe. Ajo dhe ajo, me një distancë në mes.
Ajo e dashuruar dhe njëkohësisht duke urryer dashurinë.
Ajo e ngopur dhe njëkohësisht duke urryer ushqimin.
Ajo e jetuar dhe njëkohësisht duke urryer jetën.
Ajo e trishtuar dhe njëkohësisht duke urryer trishtimin.
Riti i zbulimit të vetvetes zgjati pak a shumë gjashtë ditë, aq sa Zotit iu desh të ndërtonte një botë të tërë. E ndjeu veten të vogël, para hapësirës së madhe “të të bërit shkencë”. Nuk u lut, nuk bëri as joga, nuk e futi veten labirinteve të zbulimeve ezoterike Tao apo Zen. Nuk paralelizoi asgjë me leela, as me të kuptuarit e egzistencës apo joekzistencës së unit, nuk e lidhi veten me realitetin kozmik, as e ndau prej tij. Asgjë prej tyre, por si pa dashje, e etur për të ardhur, ish diçka: SANNYAS- jetoi çast pas çasti, pa brenga dhe përkushtime nga e kaluara. Nuk hezitoi të jetonte, të provonte, por as të merrte vendime ndaj asgjëje. Nuk vendosi ta jetonte jetën; thjesht jetoi. Nuk pretendoi të dashuronte dhe të dashurohej; thjesht dha dhe mori, nuk planifikoi të nesërmen as edhe në një detaj; nuk dinte ç’mund të priste prej saj. Udhëtoi mes orëve të ditëve dhe netëve, lundroi mes ëndrrash të dhuruara prej gjumit të qetë, flladiti me dorë lulet plot aromë, kundroi e qetë perëndimin e diellit dhe mbi të gjitha vështroi drejt në sy atë që e kish bërë të vishte trishtimin si këmishën e natës. E pa gjatë dhe kuptoi se gjendja e shkaktuar prej distancës së vetes nga vetja i vinte prej tij dhe këndvështrimit të jetës. Ato të dyja nuk përputheshin asfare me atë që jeta i ofronte si një SANNYAS. Kuptoi se të dashuronte dhe jetonte nuk kish asnjë lidhje me qëllimin në vetvete, me egoizmin, me paramendimin. Me krenarinë e unit ndaj të dashurit të saj. Nuk kish kuptim që ndaj tij të tregohej egoiste dhe krenare; duhej vetëm të jetonte dhe dashuronte; gjithçka. Tashmë kish mundur të gjente fillin e asaj enigme, por jo vetëm. Ai ish një fill që do ta tirrte gjatë, shumë gjatë, madje dhe për të luftuar ndaj çdo njohje dhe kuptimi të mëparshëm të jetës.