2015-01-21

Ibrahim Rugova: Kompromis për Kosovën është vetëm pavarësia







Sot shënohet 9 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Ai ka vdekur më 21 janar të vitit 2006 ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Në përvjetorin e nëntë të vdekjes së tij do të bëhen homazhe tek varri i tij në Velani dhe tek familja Rugova, ndërkaq në orët e pasdites në hotelin “Emerald” do të mbahet edhe një akademi përkujtimore.

Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.



Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi


Coffin
Ibrahim Rugova was buried in the martyrs' cemetery

---------------------------------

Papa Gjon Pali II ishte gjithashtu edhe shumë afër Kosovës gjatë kalvarit të saj, dhe jo vetëm shpirtërisht. Nga pozita e tij si një udhëheqës botëror dhe fetar, ai përpiqej që të zgjonte ndërgjegjen e botës mbi krimet që po ndodhnin në Kosovë.   Në një deklaratë "Urbi at Orbi", dmth. drejtuar Romës dhe botës, udhëheqsi i Kishës Katolike, prononcoi uratën e tij para botës, "Për tokën e martirizur të Kosovës, ku lotë e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vrarë, për ata që kanë mbetur pa shtëpi, për ata që janë larguar me forcë nga familjet e tyre, për ata që janë detyrua të ikin larg...Të mobilozohet solidariteti i të gjithëve anë e mbanë botës," vazhdoi Gjon Pali i II, "që më në fund të flitet serish për vëllazërim e paqë.



Si mund të qëndrojmë pasiv para lumit të dhimbshëm të burrave e grave të Kosovës që trokasin në derën tonë duke kërkuar ndihmë"?, sfidoi botën Papa Gjon Pali, për të bërë diçka për Kosovën martire.  Si një shëmbëll i seriozitetit të Papës për të sensibilizuar  botën mbi gjëndjen tragjike në Kosovë, dhe për thirrjet e tija për aktivizim ndërkombëtar në mbështetje të Kosovës, ish-presdienti amerikan Bill Klinton shënon në biografinë e tij, telefonatën që ai shkruan se mori nga Papa Gjon Pali II, me të cilën, Papa i drejtohet atij me kërkesën: “Zotëri President. Duhet të bëni diçka për Kosovën. Këjo gjëndje nuk mund të tolerohet më.”


Njëri ndër këta burra të Kosovës që trokiti në derë të Papës Gjon Palit II për t'i kërkuar ndihmë për Dradaninë e tij të vuajtur, ishte Presidenti Ibrahim Rugova, i cili ka patur disa takime me Gjon Palin II.  Pas vdekjes së Papës, Presidenti Rugova ka thënë se, "Papa Gjon Pali ishte një mik dhe At për Kosovën.  Ai ka merita të mëdha për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit tonë, Kosovës.  Mund të them se isha mik i një Pape dhe njeriu të Madh.  Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi, do ta kujtojnë si At të shënjtë të Madh, i cili ka bërë shumë për kombin tonë", ka thënë Ibrahim Rugova.


Xhorxh Bush, President i SHBA’ve:

Presidenti Rugova për shumë vite udhëhoqi fushatën për paqe dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës. Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë. Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t'ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare.



* * *





Zhak Shirak, ish President i Francës:

Sot, Franca i jep homazhe rolit historik dhe kurajës politike që animuan Ibrahim Rugovën për të mbrojtur gjatë viteve 1990 të drejtat demokratike të popullit kosovar dhe për të punuar në kthimin e paqes dhe pajtimit në regjionin tuaj. Mungesa e bashkëshortit tuaj, tani kur kanë filluar bisedimet për çështjen e statusit final, bëhet tani edhe më tragjike. Përgjegjësia tani i takon të gjithë përgjegjësve politik për të marrë përsipër amanetin e tij dhe të shpien në të mirë procesin e negociatave me një shpirt realizmi, tolerance dhe dialogu siç e kishte ai. Franca shpreh urimin që Kosova do i tregohet besnike këtij zhvillimi të thellësimit të pajtimit, provë kjo që Kosova do i tregohet besnike këtij zhvillimi të thellësimit të pajtimiy, provë kjo që Kosova duhet të kaloj për t'ju afruar Bashkimit Europian.

* * *


Toni Bler, ish Kryeminsitër britanik

Presidenti Rugova ishte një forcë e rëndësishme në jetën e Kosovës, për shumë vjet. Popullariteti i tij në mesin e popullit të Kosovës dëshmon për mbështetje të gjerë për përpjekjet e tij joviolente për të ardhmen e Kosovës. Jam shumë i lumtur që kam pasur rastin të takohem me të.

* * *




Sali Berisha, ish president  i Shqipërisë

Sot, me dhimbje të thellë, zi të rëndë, pikëllim të madh, çdo shqiptar mësoi lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, prijësit dhe legjendës së qëndresës qytetare, misionarit të madh të paqes, pavarësisë së Kosovës, mikut të madh, të çmuar të perëndimit në Ballkan. Doktor Ibrahim Rugova për 18 vjet udhëhoqi qëndresën legjendare të qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi, dinjitet. Ai u shndërrua në mishërimin e aspiratave, shpresave, idealeve më fisnike të qytetarëve të Kosovës, të cilat i mbrojti me një përkushtim të jashtëzakonshëm, me një qendresë epike, me sukses të madh. Sot, ai ndahet nga qytetarët e tij që aq shumë e deshën dhe e respektuan, ndahet nga familja, ndahet nga miqtë e tij, por jeta, shpirti, vepra e Ibrahim Rugovës shndërrohet në dritë, në frymëzim për të gjithë qytetarët e Kosovës, që me përkushtim, tolerancë, të çojnë përpara Kosovën, si një shoqëri demokratike të qytetarëve të barabartë përpara ligjit, si një vend të pavarur, i sigurtë në të ardhmen e tij europiane, integrimin në NATO dhe në BE.



Alfred Moisiu,ish  President i Shqipërisë

Ibrahim Rugova i dha trajtë politikës në Evropën Juglindore me personalitetin e tij të fuqishëm. Ai promovoi zgjidhje paqësore për konfliktin në Kosovë dhe punoi për të ardhmen e Kosovës pa menduar as për shëndetin e vet. "Austria do të vazhdojë me gjithë fuqinë e saj t'i mbështesë përpjekjet për arritjen e stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme në Kosovë. (Volfgang Shysel, Kancelar i Austrisë) * * * Humbja e Presidentit Rugova është një humbje e madhe dhe e rëndë, jo vetëm për Kosovën, por për cilindo që flet shqip dhe aq më tepër në një moment kaq delikat, kur Kosova po hyn në fazën e negociatave për të fituar Pavarësinë e saj. Presidenti Rugova prej mëse 20 vjetësh ka luftuar, është përpjekur dhe ka bërë çmos që problemi i Kosovës të dalë në rend ndërkombëtar... Gjithë populli shqiptar, gjithë shqiptarët ndjekin me dhimbje të dyfishtë dhe humbjen e Presidentit, e njeriut simbol për Kosovën, e njeriut flamur për Kosovën, e njeriut, i cili shkriu jetën, por fatkeqësisht nuk e arriti deri në fund të realizojë ëndrën e tij të shohë me sytë e tij Kosovën e lirë. Kujtimi i tij do mbetet i paharruar.

* * *

Stjepan Mesiq, Presidenti i Kroacisë:

Shqiptarët e Kosovës më vdekjen e Ibrahim Rugovës, kanë humbur udhëheqësin e tyre, politika e matur e të cilit ishte kruciale në momentin kyç politik në të cilin po futet Kosova. Shpresoj dhe besoj së përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve të Kosovës do të dinë ta vazhdojnë rrugën e nisur nga ai, duke marrë vendime të qarta për popullin e Kosovës por, duke i ikur ekstremizmit të mundshëm i cili do të ndalonte arritjen e qëllimeve të nisura.


* * *
image


Pervez Musharaf,ish  Presidentit të Pakistanit

Lufta e Presidentit Rugova për popullin e Kosovës do të mbahet mend për një kohë shumë të gjatë. Besoj se populli i Kosovës, edhepse i veshur në zi, do të gjejë forcë dhe do ta vazhdojë punën dhe për ta forcuar paqen dhe përparimin e Kosovës.

* * *








Ismail Kadare, shkrimtar

Ibrahim Rugova, tash dihet jo më në hapësirën shqiptare, por edhe në atë evropiane dhe botërore është pranuar si një lider i shquar i Kosovës, si një nga liderët më të shquar të kombit shqiptar një njeri që u gjend në kohën e duhur në një moment të historisë shumë, shumë të rëndësishme për Kosovën dhe për gjithë kombin shqiptar. Kjo dashuri e popullit shqiptar, ky nderim që i bëhet sot, kjo jehonë e tij e dëshmon më së miri këtë që thashë. (Ismail Kadare, shkrimtar) * * * Ibrahim Rugova, kryetar pa pallat e pa komb, luftëtar idesh, luftëtar i paqes, një burrë këmbëngulës dhe i vetmuar që e dërgoi popullin e vet drejt një të ardhmeje që nuk do të jete veçse e mirë, na përkujton angazhimin tonë dhe premtimet tona. Pa të, pa këmbënguljen e tij, pa rezistencën e refuzimit të tij, nuk do të kishte sot as Kosovë as shpresë së lirisë për të. Ai ishte një erudit, më me dëshirë autokrat, i paparashikueshëm dhe fleksibël njëkohësisht, njeri i dialogut, luftëtar këmbëngulës, shumë popullor dhe megjithatë i izoluar, gjithnjë i sjellshëm, aq sa druajtja e tij, kultura e tij e thellë dhe maturia e bënin ndonjëherë krenar. Dhe afër tij kaloi Historia.

* * *


Shlomo Avinier, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Jerusalemit

E takova Rugovën për herë të parë më 1990 në Cavtat, afër Dubrovnikut, kur Instituti Kombëtar Demokratik, me seli në Uashington, bëri njërën nga përpjekjet e fundit për të sjellë bashkë politikanët, shkrimtarët dhe intelektualët nga grupet e ndryshme etnike në Jugosllavinë që asokohe shpërbëhej me shpejtësi. U largova nga konferenca i bindur se treni tashmë ishte larguar nga stacioni dhe se grupet e ndryshme po shkonin secili në drejtimin e vet dhe të përkushtuar që këtë ta bënin me dhunë. Megjithatë, duke i dëgjuar zërat e ashpër të serbëve dhe të kroatëve, isha i befasuar nga butësia e Rugovës: ja ku ishte një udhëheqës i një grupi që është viktimizuar më shumë se të tjerët e megjithatë aty nuk kishte aspak hidhërim, asnjë sharje, aspak urrejtje. Rugova po ashtu kishe arsye të mjaftueshme personale për të mos falur: edhe babai edhe gjyshi i tij ishin vrarë nga komunistët e Titos në konfliktet civile pas vitit 1945. Duke reflektuar rreth këtij personi të pazakonshëm, patriotik dhe jo të dhunshëm, njeriu nuk mund të përmbahet nga mendimi se sa e ndryshme do të ishte skena jonë në Lindjen e Mesme po të kishin palestinezët një lider si ai. Rruga e Kosovës drejt pavarësisë ende është e shtruar me gurë, por me disa përjashtime të pakëndshme ajo nuk ka qenë e hapur me terrorizëm, dhunë dhe bombahedhës vetëvrasës. Populli i tij dhe bota duhet t'i falënderohen Ibrahim Rugovës për këtë: në butësinë e tij kishte çelik.

* * *



Dritëro Agolli, shkrimtar

Ibrahim Rugova ka qenë një udhëheqës i veçantë i popullit shqiptar në Kosovë, një udhëheqës që ndryshonte nga shumë udhëheqës shqiptarë, por edhe nga shumë udhëheqës në rajonin e Ballkanit.
Udhëheqës të tillë të një forme të afërt ka pasur në botë, siç ishte Gandi, që shumë e krahasojnë Rugovën me Gandin, por siç ishte edhe Martin Luter, por edhe siç ishte Alende i Kilit. Këta lloj udhëheqësish i bindën popujt me arsyet e tyre, që si mund të arrihet një liri dhe një fitore pa gjakderdhje dhe konflike të mëdha.

Edhe Ibrahim Rugova këtë rrugë ndiqte, edhe duke për-gatitur këtë fazë të pavarësisë së Kosovës, dhe më tej, për të zgjedhur përfundimisht çështjen shqiptare, pasi nuk mbaron çështja shqiptare vetëm me pavarësinë e Kosovës.

Ibrahim Rugova e përgatiti terrenin mbi të cilin duhet të ngrihet pavarësia, dhe më vonë, me ato lëvizjet e një grade tjetër, jo me dialog dhe me anë paqësore, siç ishte lufta e UÇK-së, por kjo nuk do të thotë që nuk kishte lidhje lufta që bëri UÇK-ja me terrenin e përgatitur nga Rugova. Ai e përgatiti këtë luftë ku më pas ndërhynë edhe forcat e huaja, siç dihet, por kjo gjë erdhi nga shtytja e luftës së UÇK-së.

Por lufta është e lidhur me terrenin që krijoi Rugova. Merita e madhe e Ibrahim Rugovës është që e bashkoi popullin në një popull të vetëm që të luftonte për pavarës-inë. Edhe ata që ishin për luftë në fund u bashkuan me Ibrahim Rugovën pasi ai ishte një burrë i mençur, dinte t'i zbuste gjakrat, dhe formoi një koalicion edhe me ato forca që kishin një drejtim tjetër për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

 Ibrahim Rugova ka qene një kritik dhe estet i njohur në të dyja anët e Drinit, që është Shqipëria. Ai ka qenë mjaft i njohur me veprat e tij në lëmin e kritikës dhe estetikës. Ai ishte një njeri tepër i kujdesshëm në analizat kritike të letërsisë shqiptare.
Gjithnjë ka ditur të mbajë një ekuilibër në kritikë ashtu si edhe në politikë. Ai ka folur shumë për poetë të njohur si Ali Podrimja, Azem Shkreli, Din Mehmeti por edhe për kritikë, ka folur për Ali Aliun, që e kishte mik në fillim, që është një ndër kritikët më të shquar, por ka qenë edhe nxënës i Rexhep Qosjes, pavarësisht nga kontradiktat që ka pasur më vonë, por unë flas për gjenezën.
Ndërsa për letërsinë shqiptare ka folur për Lasgushin, për Fishtën për Mjedën, për Ismail Kadarenë, Jakov Xoxën, etj. Ishte një njeri që shihte arritjet e kësaj letërsie por mendonte edhe për të ardhmen e kësaj letërsie se si do të ishte ajo.

Në përgjithësi ishte një njeri i arsyeshëm me zemër të butë. Unë e kam takuar në fund të viteve 60 dhe fillim të viteve 70, deri në 79-80 dhe kam bërë biseda me të në lëmin e letërsisë dhe politikës. Kam qenë në '92-shin në Kosovë ku kam hyrë dhe ilegalisht, i ftuar nga Azem Shkreli në një darkë, ku ndodhej dhe Ibrahim Rugova.

Ai e çmonte shumë Azemin, pasi e kishte edhe mik. Unë isha bashkë me time shoqe. Në atë drekë më shumë folëm për letërsinë sesa për politikën, Madje gjatë tryezës më tha me të qeshur se "nuk ishte një udhëheqës i rreptë". "Nuk jam si të tjerët", më tha.

Ai kishte një adhurim për letërsinë shqipe, e çmonte atë, dhe e fuste në vlerat e letërsisë botërore, ishte një njeri që donte të përparonte Shqipëria jo vetëm në kuptimin politik. por edhe në atë kulturor e letrar. Është një fat i madh që ai vinte nga letërsi; udhëheqës, e nuk vinte nga politika të bënte më pas vjersha.

* * *



Akademik Prof.Dr. Mark Krasniqi, shkrimtar 

Dr.Ibrahim Rugova është personaliteti më i madh i kohës së re, ai është autor i shkrimit dhe i bërjes së historisë së lavdishme të Kosovës në këto dy decenie të fundit. Presidenti Ibrahim Rugova ishte burrështetasi i parë e më imadhi i Kosovës i cili krijoi miqësi të përhershme me vendet demokratike të Evropës e botës, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dr.Ibrahim Rugova është lideri i parë i shqiptarëve u cili vuri themelet e shtetit të Pavarur të Kosovës. Ai është i pari Kryetar i Shtetit të Kosovës, i Kosovës së lirë e demokratike, i Kosovës së Pavarur. Burrat e mëdhenj e shkruajnë vetë historinë! Burrat e mëdhenj nuk vdesin kurrë! Presidenti Ibrahim Rugova, ishte një burrë i madh i Pavarësisë së Kosovës!

* * *



Akademik Prof.dr.Rexhep Ismajli

Intelektual që bëri emër qysh në vitet '70 të sh. 20 në fushën e studimeve letrare e të kulturës shqiptare, por njëherësh i angazhuar për të çuar përpara proceset e përgjithshme emancipuese në Kosovë dhe ndër shqiptarë, veprimtar i shquar në lëvizjen kulturore të studentëve me drejtimin e gazetës Bota e re, por edhe me botimin e revistës Dituria dhe të botimeve të veçanta, Dr. Ibrahim Rugova natyrshëm hyri në qarkun e elitës intelektuale të asaj kohe. Veprimtaria studimore në fushë të letrave dhe të kulturës shqiptare që Dr. Rugova ndërmori pas fazës studentore në Institutin Albanologjik solli si rezultat veprën e tij të gjerë që shënoi rritje të cilësisë së atyre studimeve dhe njëherësh ndikoi ndjeshëm në çlirimin e opinionit dhe të këndvështrimeve në ato fusha nga shtrëngesa të ndryshme ideologjike të kohës. Rrezatimet e tij butësisht çliruese intelektuale u përhapën jo vetëm përmes veprave të tij, po edhe përmes projekteve të shumta hulumtuese, udhëheqjes së revistave shkencore e kulturore dhe të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Me veprën e tij studimet shqiptare në fushat me të cilat ai u mor shënuan një hap cilësisht të ri. Në vitet '80 të sh. 20 në kohën e shtypjes së përgjithshme të shqiptarëve të Kosovës dr. Rugova bashkë me intelektualët e tjerë u ndodh në trysninë e përgjithshme të Serbisë, për çka u përdorën dhe mjetet e shtrëngimit të shtetit jugosllav. Qëndresa shqiptare shtypej egërsisht, ndërsa intelektualëve u binte barra që të hapnin rrugë për të shqyrtuar seriozisht kërkesat popullore për liri, barazi dhe emancipim. Në kohën e përshkallëzimit të trysnive mbi intelektualët në vitet 1988 9, Dr. Ibrahim Rugova, përmes Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës qe ndër zërat që arrinin të artikuloheshin publikisht në mbrojtje të interesave kombëtare, kulturore e të tjera shqiptare dhe fare natyrshëm u bë bashkëbiseduesi më i parapëlqyer i opinionit publik evropian në këtë fushë. Në tërë dekadën e fundit të sh. 20 dr. Ibrahim Rugova u njoh ndërkombëtarisht si lideri i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, lideri i lëvizjes së gjerë për emancipim, për çlirim kombëtar e për pavarësi të Kosovës. Personaliteti i tij u çmua lart për shpalosjen dhe begatimin e vlerave evropiane të kohës. Në vitet '90 dr. Ibrahim Rugova me Lidhjen Demokratike të Kosovës, së cilës i priu deri në çastet e fundit, u bë një nga figurat e shquara të lëvizjes politike në Ballkan drejt daljes nga shtrëngesat e përgjithshme të regjimeve komuniste, e në të njëjtën kohë drejt çlirimit kombëtar. Në këtë dekadë të rëndësishme për Kosovën Dr. Rugova dhe lëvizja demokratike së cilës i printe arriti ta ndërlidhte lëvizjen e Kosovës me përpjekjet për demokratizim në Shqipëri. Dr. Rugova ishte një nga bashkëbiseduesit substancialë në kontaktet e Perëndimit lidhur me Ballkanin. Përmes figurës së tij Kosova dhe lëvizja e saj për emancipim të përgjithshëm kombëtar, shoqëror e demokratik gjetën artikuluesin dhe zëdhënësin, u bënë të njohura dhe të pranishme në botën diplomatike të kohës në Evropë dhe SHBA.

* * *



Bob Doll, senator shumëvjeçar amerikan

Kur e kam takuar Ibrahim Rugovën për herë të parë, ai dukej si një zë i vetmuar, në betejë të vetmuar, duke bartur një shall që thoshte se do ta varte, vetëm kur ta sheh vendin e lirë. E shikoja duke ndjekur ëndrrën e popullit të vet nën kushte të jashtëzakonshme me urtësi dhe këmbëngulësi, dhe u bëra admirues dhe shok i tij. Çfarë kënaqësie ishte ta shoh më në fund në Prishtinë pa shallin e tij! Mbaj zi për ndërrimin e jetës, së bashku me tërë popullin e Kosovës. Derisa Kosova e fitoi lirinë nën udhëheqësinë e tij, tani përjetoi një humbje të tmerrshme në një pike kritike, kur shumë punë mbeten për tu bërë. (Riçrad Hollbruk, diplomat i njohur amerikan) * * * Dr. Rugova ishte një njeri i madh dhe heroik që personifikonte shpresat dhe aspiratat fisnike të popullit të Kosovës për një shtetet sovran, të pavarur dhe të njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Ka qenë privilegj për mua të punoja në aspektin profesional me Dr. Rugovën dhe ta konsideroja atë një nga miqtë e mi më të ngushtë gjatë rreth dy dekadave që kur u njoha me të. Përpjekja e madhe e Presidentit Rugova për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës ka të njejtat përmasa me fushatat e ngjashme paqësore dhe historike të Mahatma Gandidit, Nelson Mandelës dhe Martin Luther Kingut.

* * *


David Phillips

Dejvid Filips, ish  drejtor Ekzekutiv i Fondacionit "Eli Vizel për Njerëzimin"

Jam shumë i pikëlluar me rastin e vdekjes së presidentit Rugova. Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri. E kam dashur dhe e kam admiruar shumë. Rezistenca e tij e padhunshme ndaj shtypjes së Millosheviqit inspiroi botën. Me Presidentin Rugova jam takur shumë herë në Shtëpinë e Bardhë. Ka qenë kënaqësi, sa herë e kam takuar, sepse çdo herë më impresiononte me devotshmërinë dhe pasionin e tij për paqe, liri dhe për një të ardhme më të mirë për popullin e tij. Vdekja e Presidentit Rugova është humbje e madhe për Kosovën, por unë shpresoj se vdekja e Dr. Rugovës do t'i inspirojë të gjithë kosovarët që të vazhdojnë të punojnë më me ngulm për paqe dhe liri". (Bill Klinton, President amerikan 1992-2000) * * * Eshtë një realitet tragjik që të kujton Moisiun në Bibël, i cili për 40 vjet u end në shkretëtirë, por nuk u lejua të futet në tokën e shenjtë. Lëvizja për pavarësi në Kosovë është udhëhequr nga Dr. Rugova, por tani që po fillojnë negociatat ai nuk do të jetë në tryezën e bisedimeve. Eshtë e rëndësishme që trashëgimia e tij të çohet përpara.

* * *

Irene Sokolgarsky, ish presidente e Universitetit të Parisit VIII, 1996

Dr.Ibrahim Rugova, teoricien dhe kritik letrar para se shqiptarët të goditeshin përsëri nga gjëmat e errëta të historisë evropiane, është përcaktuar për aksion politik në mbrojtjen e 'ekzistencës'. Po ky nxënës i vjetër i Roland Bartit, i cili ka medituar dhe shkruar shumë mbi relacionet forcë-dije, nuk është angazhuar në një rrugë të çfarëdoshme, por universalizmi i tij është vullneti absolut për të luftuar për të drejtat e njeriut dhe për demokracinë. Kjo e ka shtyrë të praktikojë dhe të bëjë të ndiqet një politikë e mosdhunës, absolute, e cila dukej e parealizueshme në kontekstin e luftës dhe të vlimeve nacionaliste. I etshëm për tolerancë dhe hapje ndaj Evropës, Universiteti Parisi 8 është shumë i nderuar me pranimin në cilësinë e doktorit të nderit të Ibrahim Rugovës, shkrimtar pacifist dhe i guximshëm në rrugën e tij. Të mos pyesim ne sot 'se ç'presim nga Ibrahim Rugova', por më mirë të pyesim "se ç'pret një njeri i tillë nga ne".

* * *

Mari Fransua Alen, profesoreshë universiteti dhe koautore e librit "Çështja e Kosovës" 1996

Rugova erdhi në politikë në rrethana të veçanta dhe pasi që këtë e kërkonte nevoja e që mund ta krahasojmë me V. Havelin, i cili në vitin '86 thoshte: 'Për shkaqe të ndryshme të interesit të shkrimtarit, i cili mund të shkruajë për dashurinë, xhelozinë, për dështimin... për Zotin, ka një gjë të vërtetë që shkrimtari nuk mund ta evitojë kurrë, që është historia-situata sociale, epoka e tij që njëkohësisht do të thotë vetë politika'. Rugova është ky lloj shkrimtari që ka pranuar të mbajë mbi supe fatin e popullit të vet; është figurë e jashtëzakonshme, figurë e rrallë pacifisti jo vetëm në fjalë, por edhe në veprime. Këtë e ka vërtetuar tash shtatë vjet me gjithë pengesat dhe grackat e provokimet që ka. Rugova mban ekuilibrin mu nga ajo se si shkrimtar ka shkruar për përgjegjësinë dhe raportet e të mundshmes dhe pushtetit... Në vitin 1981 Kosova u bë pikë e kuqe e Evropës me manifestimet për liri e pavarësi që u shtypën me gjak. Procese politike, dënime të rënda. Në atë kohë Rugova ishte duke shkruar monografinë e Pjetër Bogdanit, shkrimtar i shekullit XVII, në Prizren, humanist dhe liberator i një pjese të Kosovës. Esetë e tij (1980) në 'Strategjinë e kuptimit', ishin shenja që nënkuptonin më vonë edhe në 'Refuzimi estetik', ku dëshmoi se letërsia është sipërore ndaj pushtetit, dhe se vetëm literatura ishte në formë të së mundshmes në veprimet e pushtetit. Rugova ishte i njohur me miqtë e tij Eqrem Basha e Rexhep Ismaili, të formuar në Francë, edhe pse në vitin 1985 mori qëndrim të guximshëm në mesin e shkrimtarëve, por edhe kur ishte në aksion të të shprehurit. Këtë e shpjegon në librin 'Çështja e Kosovës'. Denoncimi i terrorit së pari kaloi nga të shprehurit e letërsisë. Prej aty erdhi edhe miqësia për Francën, për studimet e tij nën disertacionin e dr. Roland Barthes (1976-1977). Semiologjia dhe strukturalizmi ishin arma e tij më e fortë. Ai ka deklaruar në libër se ka dy rrugë për intelektualin: të qëndrohet me librin dhe të merret me veprimin. Në vitin 1988 ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kur në 'Refuzimi estetik' thekson: 'Refuzim do të thotë të mos pranohet ajo që imponohet'. Më 1989 ai diferencohet, i larguar nga e drejta, i zhgënjyer; çdo i dyti shqiptar i ndaluar nga policia - do të thotë mbi 700.000 veta." ...E gjithë biografia e dr. Rugovës del nga angazhimi i literaturës që prodhoi tipin e veprimit që ai udhëheq sot: lirinë dhe demokracinë. Dr.Rugova është një çelës që hap një rrugë nga literatura në aksion politik. Rugova është përcaktuar të shkojë deri në fund të lojalitetit të tij. Politika për të është një shërbim (service), por u mbetet besnik angazhimeve të tij si shkrimtar. Kështu, sistemi i tij politik është fryt i elaborimit me situatën... E shohim atë në pozicion intermediar midis intelektualëve të Perëndimit dhe të Lindjes, duke u inspiruar, po e citoj, nga të parët për atë çka i takon teorisë, por duke e pasur të njëjtin fat me të dytët" Ai do të preferonte pa dyshim të mbetej pranë librave: në mënyrë modeste thotë: 'Nëse mbetet diçka prej meje në historinë shqiptare, ky do të jetë emri im intelektual".




Prof.Dr.Eqrem Kryeziu thotë se e kishte parë vetëm një herë të mërzitur ish-presidentin e Kosovës, Akademik Prof.Dr.Ibrahim Rugova.


Tha se atëherë Rugova kishte dhënë edhe mesazhin të cilin Kryeziu e quan 'Amaneti i Madh' por i cili, siç thotë ai, nuk u kuptua asnjëherë nga askush. E ai është brengosja për skamjen në vend.

Shkrimi i plotë i Kryeziut në Facebook:

Amaneti i Madh

Vetëm një herë e kam parë Presidentin Rugova të shqetësuar. "A e keni vërejtur se si njerëzit ecin rrugëve kokulur dhe të brengosur? Të mërzitur nga skamja, të zymtë e të pashpresë?"

Ja, kjo ishte.

Kur u kthye nga ekzaminimi në Gjermani, ishte fare i qetë dhe tha: "Doli se kam kancer të lokalizuar në mushkëri..."

Vetëm një herë e pata parë të tronditur. Ai ka qenë Amaneti i tij i Madh.

Për fat të keq, nuk pati njeri dhe nuk ka as tani që ta kuptojë.




Kryeministri në detyrë Hashim Thaçi ka përkujtuar punën e ish presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

Në ditëlindjen e 70-të të Presidentit të ndjerë Rugova, Thaçi ka thënë se populli i Kosovës është krenar me punën e tij të palodhshme për liri dhe pavarësi.


“Sot shënojmë ditëlindjen e Presidentit të ndjerë Dr Ibrahim Rugova. Kosova Republikë, e pavarur dhe demokratike, e orientuar thellësisht kah komuniteti euro-atlantik, ka qenë synim i Presidentit të parë me të cilin kam pasur bashkëpunim në momentet pivotale të historisë sonë të re. Familja e tij dhe populli i Kosovës sot janë krenarë për punën e tij e tij të palodhshme për liri dhe pavarësi”, ka shkruar Thaçi në Facebook.




Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se të gjithë shqiptarët do ta kujtojnë përjetë veprën e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

Në përvjetorin e 70-të të lindjes së presidentit Rugova, Haradinaj ka thënë se do ta kujtojë atë si udhëheqës të papërsëritshëm.

“Populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët përjetë do ta kujtojnë Presidentin Rugova dhe veprën e tij”.

“Sot, në 70-vjetorin e lindjes, e përkujtoj si udhëheqës të papërsëritshëm të popullit tim dhe si mik”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.


Vepra politike e Ibrahim Rugovës përfaqëson një trashëgimi të madhe jo thjesht për LDK-në, ka shkruar  Behgjet Pacolli në FB


Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacoli ka kujtuar 70 vjetorin e lindjes së ish-presidentit të ndjerë, dr. Ibrahim Rugova, duke thënë se LDK-ja e Rugovës sillej me dinjitet me partitë e tjera kundërshtare dhe mu për këtë, sot kur ai s’është më, rivalët e tij më të fortë i referohen trashëgimisë së tij politike si një monumenti të përbashkët kombëtar.

Pacolli ka shkruar në Facebook se Rugova ishte një mit i dobishëm për shtetndërtimin e Kosovës.

“Ibrahim Rugova, ditëlindjen e të cilit kujtojmë sot, kishte meritën historike se ishte i pari që e bëri botën të njohë Kosovën, të kuptojë genocidin mbi popullin e Kosovës, të vlerësojë luftën e Kosovës, t’i krijohet respekt për popullin dhe kombin tonë.

Pa këtë njohje, a ndërkombëtarizim siç e quajmë, s’do të kishte ardhur faza e ndërgjegjësimit të qendrave të mëdha të vendosjes për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës. Ishte më pastaj lufta çlirimtare që i përshpejtoi cilësisht proceset, mbështetur dhe mbi këtë trashëgimi të vyer të Ibrahim Rugovës.

Vepra politike e Ibrahim Rugovës përfaqëson një trashëgimi të madhe jo thjesht për LDK-në, e cila falë drejtimit të tij ishte parti udhëheqëse e skenës politike të Kosovës. LDK-ja e drejtuar prej Rugovës mishëronte një kuadër të gjerë interesash të qytetarit duke i harmonizuar ato më së miri, çka i garantonte dhe rezultate të larta zgjedhore. LDK-ja e Rugovës sillej me dinjitet me partitë e tjera kundërshtare dhe mu prej kësaj, sot kur ai s’është më, rivalët e tij më të fortë i referohen trashëgimisë së tij politike si një monumenti të përbashkët kombëtar. Vepra e tij bashkoi shumë para vdekjes, por akoma dhe më shumë pas vdekjes.

Popujt e vegjël kanë nevojë për mite, mbi të cilat themelojnë konceptin e tyre shtetëror të mëpastajmë. Rugova ishte dhe mbetet një mit i dobishëm për shtetformimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, me idetë e veta për aleancat ndërkombëtare të Kosovës, me sjelljen e vet të moderuar politike, me paqen që përcillte me sjelljet dhe fjalët e tij. Ja pse unë e kam quajtur atë themelues të pavarësisë së Kosovës, dhe një nga figurat më të mëdha shqiptare të fundshekullit të 20-të. Nderim të përjetshëm figurës së tij!”, përfundon postimi i Pacollit në FB.



Reagimi i akademikut Rexhep Qosja, njërit prej nënshkruesve të Marrëveshjes në Ramboulliet, që bëri rreth postimit të një fotografie të kryeministrit Hashim Thaçi në profilin e tij në Facebook, është vlerësuar si “non sesns” nga PDK.


Sipas një zyrtari të lartë të PDK-së, fotoja e publikuar në profilin e kryeministrit në Facebook nuk është prerë dhe as falsifikuar, siç pretendon akademik Qosja, por është marrë me kërkim në “google image”.

“Me postimin e kësaj fotografie nuk është bërë kurrfarë falsifikimi dhe as mashtrimi. Është përzgjedhur një foto që mund ta shohë secili me kërkim në ‘google image’. Aty ka edhe fotografi të tjera të nënshkrimit të kësaj marrëveshje, fotografi ku shihet edhe akademiku Rexhep Qosja dhe publicisti Veton Surroi, por është përzgjedhur ajo që është postuar me ish-presidentin, si ilustrim për 70-vjetorin e tij të lindjes”, ka thënë ky zyrtar i PDK-së.

Ky zyrtar ka thënë për lajmi.net me kusht anonimiteti se reagimi “non sens” i Qosjes nuk është marrë me seriozitet prej tyre, dhe se nuk dëshirojnë ta komentojnë “shijen” e akademikut Qosja.

“Ndoshta përzgjedhja e fotos nuk është bërë sipas shijes që do të dëshironte akademiku, por ne vërtetë nuk dëshirrojmë të polemizojmë rreth kësaj çështje, pasi bëhet fjalë për një reagim ‘non sens’ nga ana e tij”.

Fotoja e publikuar në “timeline” të faqes së kryeministrit në Facebook , e ka irrituar akademikun, duke e vlerësuar “këtë veprim” edhe si “vepër staliniste”, qëndrim ky i ashpër, por që është vërejtur tek Qosja edhe ditë më parë, në vlerësimit që ai i bëri arritjes së marrëveshjes për koalicion mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Vetëkuptohet se nuk do ta bëja këtë reagim për urimin e Kryeministrit në detyrë Hashim Thaçi me rastin e përvjetorit të lindjes së Ibrahim Rugovës sikur ky urim të mos ishte përcjellë me një falsifikat: me shkurtimin e fotografisë nga nënshkrimi i Marrëveshjes Shqiptaro-Serbe në Rambuje prej së cilës në mënyrë staliniste, jo vetëm në këtë rast, janë hequr fotografia e Rexhep Qosjes dhe e Veton Surroit”, ka shkruar qosja në profilin e tij në Facebook.

“A e këtillë duhet të jetë demokracia jonë? A e këtillë duhet të jetë historia jonë? Le të gjykojnë lexuesit. Mua s’më duhen fotografitë! Mua dhe krejt popullit shqiptar i duhen sot më tepër se kurrë përgjegjshmëri shtetërore dhe ndershmëri politike, demokratike dhe historike, që aq tmerrshëm po i mungojnë Kosovës në këtë kohë”, ka shkruar Qosja.



Adnan Merovci thotë se Ibrahim Rugova nuk ka qenë profet, por ka pasur profetizëm.

"Janë të pashmangshme edhe krejt kohërat dhe ecuritë, krejt çka përmendëm deri tash: Ka Kuti të Pandorës te Rugova rreth Rugovës dhe në LDK dhe ato do t'i hap historia, koha ngadalë-dalë", tha Merovci.

Në emisionin "Click" të TV21, analistë dhe ish-bashkëpunëtorë të Rugovës, vlerësuan figurën e Rugovës.

Adnan Mervovci ka deklaruar se ai nuk ishte profet, por kishte profetizëm.

"Profet nuk ka qenë, por profetizëm ka pasë", ka thënë Merovci.

Ndërkaq, Jusuf Buxhovi ka deklaruar se Rugova nuk ka qenë përjashtues ndaj UÇK-së.

"Rugova për gjithçka ka qenë i konsultuar me amerikanët. Rugova nuk ka qenë përjashtues ndaj UÇK-së. Ai ka punuar për rezistencën e armatosur në vend. Gjysma e Shtabit të UÇK-së ka qenë prej Kryesisë së LDK-së", ka thënë Buxhovi.

Ndërkaq Halil Matoshi ka thënë se Rugova ideoi shtetin me lëvizje paqësore.

"Rugova shtetin e ideoi me lëvizje paqësore dhe nuk rrezikonte dot para faktorit perëndimor të involvohej në lëvizje të dhunshme", ka thënë veç tjerash Matoshi.


Adnan Merovci, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit të parë të Kosovës, ka deklaruar se Ibrahim Rugova i ka pasur dy data të lindjes, këtë që sot ia kujtuan i madh e i vogël, dhe një tjetër më datën 2 shkurt të vitit 1944.

“E kam parë shpesh kur i ka mbushur dokumentet kur planifikonte ndonjë udhëtim jashtë vendit. AI shpesh e shkruante 02 – 02 – 1944”, i ka thënë Klan Kosovës Merovci, pa e sqaruar pse ka vepruar kështu ish Presidenti Rugova..

Ibrahim Rugova ditëlindjen zyrtare e ka 2 dhjetor 1944. Ai ka lindur në fshatin Cercë të Istogut, fshat ky që shumë shpesh e ka vizituar, sidomos kur e ka festuar ditëlindjen.





Si u bë Prof.dr.Ibrahim Rugova kryetari i LDK-së



Gjatë diskutimeve të gjata dhe të shumta dikush kishte provuar t’i propozoj Ibrahim Rugovës që të bëhej kryetar i LDK-së, aso kohe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve.

Në një ditë dhjetori të vitit 1989, tre gazetarët e faqeve të kulturës në gazetën Rilindja, Mehmet Kraja, Xhemail Mustafa dhe Ibrahim Berisha, në kafe Elida të Prishtinë, më përfshinë në një bisedë të hershme të tyre: mendonin rreth themelimit të një partie alternative shqiptare në Kosovë.

Gjatë vjeshtës të atij viti në hapësirën Jugosllave, e sidomos në Slloveni dhe Kroaci, ishin themeluar disa parti të tilla. Natyrisht, ideja e këtij grupi iniciues për të bërë një parti e tillë, kishte përballë disa nga vështirësitë dhe sfidat jo të lehta. Edhe për arsyen e njohur se demokracia në Lubjanë dhe Zagreb bënte firë deri sa mbërrinte në Prishtinë. Aq më shumë kur dihej se Kosova ishte thuaja në një gjendje të jashtëzakonshme ushtarako-policore.

Pra, një nga dilemat ishte kjo: e para, a do të mund të kalonin pa ndëshkim nxitësit dhe nismëtarët e themelimit të një partie që do ta sfidonte partinë komuniste dhe e dyta, edhe po të kalonte pa ndëshkim dhe burgosje, a do të kalonte filtrin e administratës federale, ku duhej të bëhej regjistrimi?

Një problem dhe hamendësim i këtij grupi ishte edhe problemi i kryetarit të partisë. Gjatë diskutimeve të gjata dhe të shumta mes katërshes inicuese, dëgjova se njëri nga grupi paskësh provuar t’i propozojë një rol të tillë Ibrahim Rugovës, aso kohe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, i cili paskësh refuzuar.

Këto dhe biseda tjera gati parapërgatitore zhvilloheshin me ditë, javë, kryesisht në lokalet e ëmbëltores Elida. Gjatë një debati të tillë, tani më i katërshes, në tavolinën tonë u drejtua Jusuf Buxhovi, edhe ai gazetar në Rilindje.

Kolegët e tij nuk e ndërprenë bisedën dhe u duk sikur u inkuadrua edhe i pesti në këtë nismë.

Për më shumë, gjatë ditëve më vonë, Buxhovi filloi të na pajisë me tërë dokumentacionin e duhur për themelimin dhe regjistrimin e partisë. Dhe, një ditë u caktua data e themelimit – 23 Dhjetori.

Njëra nga kërkesat e Ministrisë të Drejtësisë Federative në Beograd për themelimin e partive të reja ishte edhe firma e të paktën tridhjetë anëtarëve. Grupi në fjalë i mori të gjitha masat që të sigurohet prania e numrit të duhur për tridhjetë firmat e domosdoshme… Dhe deri ditën e fundit, ditën e themelimit të partisë, ne nuk kishim një kryetar të mundshëm të sigurt.

Dikush nga ne përmendi emrin e Rexhep Qosjes. Jusuf Buxhovi u paraqit vullnetarisht të bisedojë me të.

Takimi në Institutin e Albanologjisë ai e bëri ditën e themelimit të partisë, ora 9, meqë në orën 11 ishte caktuar tubimi themelues.

Gjithnjë tek Elida, Buxhovi kthehet nga ai takim duke thënë se as Qosja nuk pranoi.

Kur u nisëm drejt lokalit të Shoqatës së Shkrimtarëve, Mehmet Kraja, ashtu siç e ka thënë edhe në librin e tij, u nda nga tre të tjerët dhe më tha: Jusuf Buxhovi shfaqi dëshirën që të bëhet kryetar.

Do të ishte mirë që të provojmë edhe një herë, edhe ti edhe unë, të bëjmë presion mbi Ibrahim Rugovën që të pranojë. Nëse nuk do të mundemi, unë nuk do të hyj në kryesi me kryetar Buxhovin.

Me këtë synim hymë në lokalet ku numri i të pranishmëve ishte më i madh nga sa duheshin firma. Dhe kur u hap mbledhja u sqaruan idetë, synimet, forma e organizimit, prioritare u shtrua zgjedhja e kryetarit.

Insistimi këmbëngulës i Krajës dhe imi, duke bërë presion, më në fund Ibra pranoi postin e Kryetarit të LDK-së…( Akademik Prof.dr.Ali Aliut )






Shtatorja e Presidentit Ibrahim Rugova u inaugurua në Sheshin e Tij në Prishtinë, me ceremoni shtetërore dhe me prezencë të shumtë qytetare. Ky moment u quajt historik, ashtu siç konsiderohet edhe vetë Presidenti i Parë i Kosovës.

Shtatorja e Presidentit Ibrahim Rugova është vendosur sot në sheshin kryesor të Prishtinës, i cili mban emrin e tij.

Ky moment u quajt historik.

Qytetarë të shumtë kanë marrë pjesë në përurimin e shtatores mbi 4 metra të lartë në Prishtinë, të njeriut për të cilin u tha se “ishte zëri i vetëm human në atë egërsi” në kohën kur Rugova bënte thirrje për zgjidhje paqësore përderisa Kosova ishte e rrethuar nga luftërat.

Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se sot Prishtina po e nderon njeriun që e krijoi idenë e pavarësisë së Kosovës, njeriun që këtë ide e shndërroi në besim dhe që e përjetësoi këtë besim suprem me themelimin e shtetit të ri.

"Rugova bënte thirrje për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve shekullore në mes popujve përherë të hasmuar të Ballkanit Perëndimor. Ai ishte zëri i vetëm human në tërë atë egërsi, zëri që e tregonte rrugën e jetës e të paqes për të gjithë".

“Prishtina sot po e inauguron shtatoren e ikonës së pavarësisë, Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës, themeluesit dhe liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, njeriut që i priu Kosovës në rrethana të jashtëzakonshme në ditët më të rënda të historisë së saj”.

“Rugova ishte prijës largpamës, një politikan që betejën politike e bënte duke shpalosur pikëpamjet e tij. Ai ishte nismëtar i simboleve tona kombëtare. Ai propozoi flamurin e Dardanisë si shenjë e pranisë iliro-arbërore në këto treva. Ai natyrshëm afirmonte vetë shpirtin e Kosovës”, tha Mustafa

Presidentja Atifete Jahjaga tha se sot është ditë historike për Kosovën.

Jahjaga tha se Kosova e kishte fatin dhe është krenare që konceptin e lirisë dhe të pavarësisë së saj e ndërtoi intelektuali i përmasave europiane, Dr. Ibrahim Rugova.

“Nga sot, përjetësisht në këtë vend, në sheshin kryesor të Prishtinës, do të qëndrojë shtatorja e Presidentit, Dr. Ibrahim Rugova si përmendore që na kujton gjithë veprimtarinë e këtij intelektuali, këtij veprimtari, këtij burrështetasi, këtij vizionari i cili besoi dhe ndërtoi platformën politike dhe shtetin tonë, Republikën e Kosovës”.

“Ne që sot po e ndërtojmë shtetin dhe shoqërinë demokratike, e kemi shumë më lehtë sepse po e vazhdojmë rrugën që e ndërtuan të parët tanë, po e vazhdojmë programin që u bë themel i fortë i shtetit tonë”.


Përgatiti :Flori Bruqi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...