Libri i Profesor Akil Kocit,anëtar i Akademisë se Shkencave dhe Arteve Shqiptaro Amerikane ne Njujork “Vibracionet e shpirtit shqiptar” si botim i shtëpisë botuese “Haemus” nga Bukureshti me tri promovimet që ka pasur këto ditë në Tiranë,Londër dhe Zagreb ka zgjuar interesim të madh të qarqeve mediatike për vlerat e larta profesionale,që burojnë nga njohja me themel e muzikologjisë nga zbërthimi analitik i krijimtarisë së kolegëve të vet nga përvoja e tij e madhe në hulumtimet kritike,publicistike,estetike dhe filozofike e cila daton nga vitet e largëta të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar,1958 i cili në këtë libër është përpjekur që të parashtroj jo vetëm qasje të mirëfillta muzikore mbështetur në kodet muzikiologjike,por edhe me mbresat vetjake,të shoqëruara me mendimin estetik ,artistik dhe filozofike.
Kohë më parë si botim i veçantë i Shtëpisë botuese “Koha ditore”duel nga shtypi libri i tij më i ri ”Elementet filozofike dhe estetike në simfonitë e Betovenit”ku Akademik Koci paraqet Beethovenin,si krijues i cili me tërë imagjinatën e tij të madhe, është mishëruar në fshehtësitë e muzikës si kohezion emocional dhe ka zgjeruar thellë horizontin e pikëpamjeve dhe të vlerave estetike, sepse gjithnjë ka qenë i mendimit se arti, e, sidomos muzika, duhet të bazohet në frymën morale të shpirtit, duke u mbështetur në thënien platoniane se”shpirti i botës është shtruar nga harmonia muzikore”.
Prezantohen 15 librat Prof. dr.sc. Akil Mark Kocit
Në Agjencionin Floripress qe e redaktohet nga Editori Flori Bruqi do të prezantojmë 15 librat e Pof.dr.sc.Akil Mark Kocit të shkruara gjatë karrierës së tij të gjatë mbi 60-vjeçare. Do të thotë do të prezantohet të thuash gjithë krijimtarinë e tij që nga koha kur e ka shkruar artikullin e parë dhe botuar në faqet e gazetës së vetme shqipe në Kosovë “Rilindja” (botohej atëherë dy herë në javë) të datës 20 maj 1958 me titull “Suksesi që premton”. Këta libra do t’i përcjell me shkrime të kolegëve të tij, ose me shkrime që i shkruan autori. Si shkrim i parë do të prezantohet ai i akademik Kopi Kyçykut, si pasthënie për librin Vibracionet e Shpirtit Shqiptar, botuar nga Librarium Hemus - Bukuresht 2008.
Shkruan Prof.Dr.Sc.Akil Mark Koci
Parathënie
Për një krijues apo studiues të artit nuk është aspak e lehtë, madje përbën një sfidë të vërtetë, me shumë të panjohura, guximi për të shkruar rreth veprimtarisë krijuese të kompozitorëve shqiptarë të një periudhe të caktuar.
Thënë ndryshe, të flasësh dhe të hulumtosh veprat e personaliteteve që kanë bërë histori në lëmin e artit muzikor, do të thotë të jesh i ndërgjegjshëm për faktin që ata mishërojnë alfën dhe omegën në njërin prej lëmenjve artistikë, shkencorë dhe kulturorë, përderisa veprat e tyre, qofshin muzikore, apo etno-muzikologjike, kanë lënë gjurmë të thella në krejt krijimtarinë muzikore shqiptare.
Në ndërmarrjen e kësaj nisme, më ka nxitur e më ka dhënë zemër fisnikja Xhejlane Broqi.
Edhepse ka vite që ka ndrruar jetë, ngrohtësia e fjalës e jehonat e këshillave të saj më kumbojnë ende në vesh e në zemër.
Kjo interpretuese e mirënjohur e këngës popullore, më pat ndenjur oreçast pranë, në ditë të mira e të vështira, jo vetëm si bashkëshorte shembullore, por edhe si kolege, si shoqe jete e devotshme dhe si burim i pashtershëm frymëzimi.
1 Në fakt, libri që po botojmë, përbën në vetvete “parathënien” e një serie punimesh shkencore kushtuar muzikës dhe atyre që e kanë lëvruar muzikën gjatë kohërave, në trevat shqiptare dhe jashtë tyre: personalitete të kulturës sonë mbarëkombëtare, por edhe të vendeve e popujve të tjerë. Kjo nismë e kompozitorit, muzikologut, eseistit Akil Koci, figurë e mirënjohur e kulturës sonë, pa dyshim do të ndihmojë ndjeshëm në lartësimin e nivelit intelektual të lexuesve tanë.
Vibracione të shpirtit shqiptar
Me të pohuar këto, në një farë mënyre seria e librave që po nis sot, përbën homazh për këtë zonjë, që muzikën në përgjithësi, dhe atë kombëtare në mënyrë të veçantë, e pati ushqim shpirtëror. E shijoi vetë, por edhe e ndau me bujari me të gjithë dashamirët e panumurt të artit.
* * *
Po të këqyren nga pozitat e kodeve të mirëfilltë të kritikës dhe të estetikës muzikologjike, subjektet e veprave artistike të personaliteteve që po analizojmë, mbartin jo vetëm karakterin informues, por edhe struktura komplekse, pra përgjithësisht faktorë të rëndësishëm në historinë e muzikës sonë.
Nga ana tjetër, shtrirja kohore e krijimeve të tilla paraqet një vështirësi tjetër, ngaqë kritiku a muzikologu ndeshet me probleme të llojllojshme gjatë shqyrtimit të tyre, nga njëra anë të natyrës teknike, siç është, bie fjala, sigurimi i literaturës përkatëse dhe, nga ana tjetër, me kërkesat e mëdha e shumëplanëshe që lyp zbërthimi i thellë profesional i krijimeve të lartpërmendura.
Madje, një gjë e tillë mund të bëhet shkak për një paraqitje më të thukët, sidomos kur intervali kohor nëmes krijuesit dhe analistit të veprës së tij, ka shtrirje të gjerë. Veç sa sipër, krijimtaria e autorit që bëhet objekt studimi, mund të jetë e gjithanshme, sepse pos veprave muzikore të mirëfillta,
mund të na ketë lënë edhe shkrime muzikologjike, të cilat përfaqësojnë njëherazi lëndë të parë fort të çmueshme, por edhe brengë nga këndvështrimi i vështirësisë së pasqyrimit të shkallës së ndihmesës së akcilit krijues, që mishëron një epokë më vete, siç është rasti me disa nga autorët tanë më në zë në fushën e muzikës.
Përvojën time në hulumtimet kritike, eseistike dhe publicistike në përgjithësi e quaj modeste, edhe pse me këto gjini merrem prej një kohe të gjatë: që nga shkrimi im i parë, që daton në vitin e largët 1958, në faqet e “Rilindjes”, e vetmja gazetë shqipe që dilte dy herë në javë, të enjten e të shtunën.
Qysh atëhere e deri më sot kam shkruar pandërprerje: mbi 250 artikuj, kritika muzikore, ese, trajtesa, analiza, studime, punime shkencore, si dhe dy libra: Portrete të kompozitorëve shqiptarë në Jugosllavi, botim i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës dhe Edukatë muzikore për klasën VII dhe VIII, botim i Entit për Botimin e Librit të Kosovës. Në këtë listë përfshihet edhe punimi i Magjistraturës, një studim më i gjatë me titull Elemente të folklorit popullor shqiptar në veprat e kompozitorëve tanë dhe të huaj,
Nëntë simfonitë e Ludvig van Beethovenit, si dhe disa të tjera
(në dorëshkrim).
Në punimet e lartpërmendura jam përpjekur të parashtroj jo vetëm qasje të mirëfillta muzikore mbështetur në kode muzikologjike, por edhe mbresat vetjake, të shoqëruara me mendimin estetik për koncerte të caktuar e, pse jo, edhe vlerësime shkencore për ndonjë vepër muzikore apo etnomuzikologjike.
Në gjithçka që hedh në letër, prirem e synoj të mos jap shkas për debate pa bukë dhe nuk i ve vetes qëllimin të “zbuloj të metat” e veprës, ku janë e ku s'janë, por të nxjerr në pah anët më pozitive dhe më të spikatura të saj.
Në këtë aspekt kam mbajtur mirë parasysh që, në çdo notë muzikore është shkrirë djersa dhe angazhimi profesional i autorit, sepse çdo vepër e krijuar, përveç vlerave artistike dhe estetike, paraqet përvojën dhe ecurinë e autorit e të krijimtarisë së tij në tërësi.
Gjithmonë kam qënë e vazhdoj të jem i mendimit se respekti i vërtetë për punën e madhe të çdo autori dhe Vibracione të shpirtit shqiptar vlerësimi real i veprave artistike sipas bindjeve profesionale përkatëse, arrihet vetëm duke u mbështetur me besnikëri dhe pa ngurrim në kodet e vërteta artistike dhe estetike, në shkencën muzikologjike.
Gjithashtu jam i vetëdijshëm se kanë mbetur ende shumë gjëra për t’u ndriçuar në universin artistik-estetik të hapësirës mbarëshqiptare, ku krijuesit e panumurt e përherë e më cilësorë, po përpiqen me sukses që parimet universale e të gjithëpranuara ontologjike t'i veshin me “kostum kombëtar”, si parakusht për pasurimin e pentagramit muzikor botëror me nota shqiptare burimore, të kumtuara nga un-i individual, me nivel profesional të lakmueshëm e në pajtim me kërkesat e kohës.
Për kësi lloj shkrimesh është me interes të ceken mendimet e shkrimtarit të madh francez Honoré de Balzak e të dramaturgut pa aq të shquar gjerman Berthold Breht. Ky i fundit vëren: ”Kritika është një armë që mund të shpartallojë edhe regjime, të rregullojë edhe nivelin e lumit, të mbjellë drufrutorët dhe njëharazi është model i artit “.
Bertold Brehti, si njohës i mirë i kritikës botërore, pohon e njëkohësisht shfaq shqetësimin për ndonjë mohim të mundshëm të meritave të veprës, varësisht se nga cili këndvështrim shkruhet, analizohet, vlerësohet ose denigrohet.
Pra, kritika duhet të ketë synim objektivitetin shkencor dhe artistik.
Le të kthehemi sërish tek Balzaku, i cili njihet si shkrimtar, që gjithnjë ka pasur vërejtje për kritikën e kohës. Në përgjigjje të një sulmi, që nuk linte gur pa lëvizur për t'ia përdhosur veprën, Balzaku shprehet: ”Ai që mezi flet gjuhën e tij, thotë se qënkam purist dhe mohon stilin, kur një libër ka një stil të bukur; mohon planin, kur ka Akil Mark Koci një plan; mohon gjithçka që ka të mirë një vepër dhe lavdëron gjithçka që ajo nuk ka: kjo është metoda e tij.
Vëzhgon ato anë që krijuesi ia del mbanë dhe kur ia ka njohur cilësitë reale, mbështet akuzat e veta duke deklaruar: kjo nuk është kështu”.
Ideja për t’i përmbledhur në një libër, që e kam titulluar Vibracione të shpirtit shqiptar, disa nga shkrimet e mia ( të rishikuara), kushtuar jetës dhe veprës së katërmbëdhjetë prej kompozitorëve e lëvruesve më të njohur shqiptarë, të botuara në gazetën “The Albanian”të Londrës, në “Illyria” të Nju Jorkut, në shumë gazeta të tjera, si: “Fokus”, ”Koha ditore”, ”Zëri”, “Fjala” e ”Iliria Post” të Prishtinës,"Floripress" më pas në mjaft organe dhe faqe virtuale të Internetit, është e kahershme dhe pa pretendime të mëdha.
Por, shndrrimin në vendim të idesë së sapopërmendur, po e kryej disi me vonesë, bash tani, në moshën e tretë të jetës, përmes hedhjes në letër të gjithçkaje që kam lexuar, jo vetëm ”si prirje e specifikës narrative, si mjeshtëri artistike”, por edhe me dëshirën për të ndriçuar anë të ndryshme, për shumë aspekte me përmasa artistike dhe estetike, pa u mjaftuar vetëm me caqet e këndvështrimit thjesht vetjak.
Shtysa vjen natyrshëm, ngaqë kam pasur rastin fatlum të shoh, të dëgjoj e, brenda mundësive të mia, të përcaktoj vlerat e vërteta të krijimeve të kompozitorëve shqiptarë. Këtë detyrë e kam përmbushur sidomos përmes ligjëratave të shumta që kam mbajtur para nxënësve të shkollës së mesme muzikore, studentëve të Fakultetit të Arteve që nga viti 1975, në kuadër të lëndës “Njohuri e literaturës muzikore”; referateve dhe kumtesave që kam paraqitur në konferenca, simpoziume, kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare e sidomos në Vibracione të shpirtit shqiptar auditoret e Akademisë së Arteve në Tiranë. Pra, mund të them se vështrimet e opsionet më kanë shërbyer si “nxitje e brendshme... për veprim”.
Siç e zura në gojë më sipër, kam botuar shumë për veprimtarinë e kolegëve dhe të personaliteteve të tjera të fushës së muzikës, por një drejtim tjetër i vëmendjes sime ka qënë t'ia bëj të njohura, me mënyra e mjete të ndryshme, arritjet tona artistike në përgjithësi, opinionit të gjerë, kryesisht me shkrime, së pari në gazetën “Rilindja”, si gazeta e vetme shqipe, që nga viti 1958; pastaj në ”Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit, “Jeta e Re”, revistë letrare, “Zëri i Rinisë”, ”Përparimi” – revistë shkencore; “Zvuk” e ”Pro musica” - revista muzikore të ish-Jugosllavisë. Informimin e qytetarëve e kam kryer edhe me cilësinë e redaktorit e të bashkëpunëtorit të Enciklopedive të ish-Jugosllavisë: kroate, sllovene dhe shqiptare, sidhe të shumë revistave e gazetave, jo vetëm në shqip, por edhe në disa gjuhë të tjera.
Këtu hyjnë gjithashtu emisionet e panumurta në Radio-Prishtina, që i kam përgatitur për rubrikën “Takimi në orën 14:02” (në periudhën 1962-1975), për rubrikën ”Fjala dhe muzika” (në vitet 1970-1982), krahas vështrimeve dhe kritikave që transmetoheshin në ditar si emisione informative e deri te ato muzikore të mirëfillta, me komente, kritika dhe ese.
Këtë traditë e vazhdoj edhe sot e kësaj dite: kam emisione në faqet e internetit, përmes Podcast-it të parë në gjuhën shqipe, të cilat teknikisht realizohen nga im bir, Arbëri, i diplomuar për Filozofi dhe Shkencë në Economic School të Londrës, një nga dhjetë universitetet më të njohur të botës.
Sidoqoftë, më duhet të pohoj se nuk kam shkruar aq sa duhet, ngaqë më kanë revoltuar debatet e shpeshta, të ushqyera jo nga procedimet artistike normale, por nga prapaskenat e intrigat misterioze, krejtësisht të papërcaktuara, që, me dykuptimësitë e pashpjegueshme, jo rrallë kanë krijuar situata të zymta. Për këtë “sëmundje”, në “Kritika e dialektikës”, Teodor Adorno thotë me dëshpërim: ”Përse të shkruaj kur gjithçka rreth meje është sklerotike dhe e dyshimtë?”.
Sa për vete, megjithë pengesat objektive dhe më fort subjektive, që kanë nxjerrë krye kurdoherë dhe nga s'ta pret mendja, gjithmonë kam qënë optimist, kam besuar jo vetëm në përvojën time pozitive, por edhe në mendimet e njohura se “Arti i vërtetë përkryhet edhe me përplasje; në luftë mund të ketë edhe të mundur”, por “kjo nuk na pengon, - vëren Pol Elyari në Ese dhe shkrime të tjera kritike, - të kuptojmë se, duke u nisur nga ata, mund të nisë shpresa dhe të fillojë përsëri lufta”.
Këtu më duket se është me interes të preket edhe një çështje. Tek ne shkruajnë artikuj kritikë edhe ata, të cilët jo vetëm s’e kanë profesion muzikën, por kurrë nuk na i ka zënë syri në mjedise muzikore. Le pastaj të ashtuquajturit “muzikologë”, të cilët, megjithse me vite të tëra nuk shkojnë në koncerte e as në ngjarje të tjera muzikore, i japin të drejtën vetes që, jo vetëm të shkruajnë, por edhe të kritikojnë ex catedra. Këtu duhen përfshirë edhe disa të tjerë, të cilët ngrenë në qiell vepra të dobta nga çdo pikëpamje.
Kam shtruar shpesh herë pyetjen: Ku është këtu funksioni i kritikës së vërtetë, që ka qenë dhe mbetet zëri i ndërgjegjes?
Vibracione të shpirtit shqiptar
Por, me sa po shohim, në përgjithësi fjala është zhvlerësuar deri në atë shkallë, saqë nuk ia vlen barra qiranë të shkruhet, edhepse kritika duhet të lidhet me kërkesat pragmatike, pavarësisht nga lavdia, pompoziteti apo trivialiteti. Rrezikshmërinë dhe dëmin që u sjellin paçavuret e të ashtuquajturve kritikë, në radhë të parë vetë autorëve të veprave muzikore, Balzaku e ka përshkruar në faqe të tëra në Iluzione të humbura, duke folur për faktin që “në të shumtën e rasteve kritika shitet dhe blihet”, ngaqë “gazetat e botuesit e tyre janë të molepsur nga korrupsioni”.
”Kritika - ve në dukje Balzaku, - sot shërben vetëm për diçka: të mbajë gjallë kritikun”. Mllefin ndaj kësaj të ashtuquajture kritike, Balzaku e ka derdhur edhe në romanet Savarusi dhe Shkëlqimi e mjerimi i oborrtareve, duke i damkosur kritikët si të paaftë për të krijuar, njëlloj si “oborrtaret” (kurtizanet), të cilat kurrë nuk janë në gjendje dashurojnë”.
Balzaku ka bërë shumë vërejtje për kritikët e dobët, për kritikët që nuk merren vesh se ç'thonë, që nuk kanë dinjitet, njohuri dhe as profesionalizëm. Ndërkohë tërheq vëmendjen se kritikë duhet të shkruajë në radhë të parë krijuesi i mirëfilltë, i cili e njeh procesin krijues.
Prandaj edhe shton: ”Një shkrimtar i zoti që është krijues dhe e njeh procesin krijues, mund të shkruajë më së miri dhe të kritikojë, sepse e do artin”.
Mjerisht, tek ne, ashtu si në kohën kur ka jetuar e krijuar Balzaku, shkruajnë kritikë jo vetëm ata që s’e njohin dhe s'e dinë procesin krijues, por që s’e duan as artin. Ç'është më e keqja, këta palokritikë nuk e shohin të arsyeshme që, para se të shkruajnë për veprat e një Akil Mark Koci autori, të zhvillojnë me këtë të fundit ose me ndokënd tjetër, qoftë edhe një bisedë të vetme dhe sidomos t’i kenë para vetes krijimet, për të cilat do të bëjnë fjalë.
Këtë e them nga përvoja ime e gjatë. Për shumë vepra muzikore të miat kanë shkruar “kritika” jo vetëm pa i dëgjuar e pa i parë veprat e mia, por edhe pa biseduar me mua.
Prandaj, në morinë e kritikave për krijimtarinë time, ka edhe të atilla që më bëjnë të skuqem sidoqë janë të mbushura me plot lavde. Ndër autorët e shkrimeve të kësaj kategorie, fatkeqësisht, prijnë “muzikologët e diplomuar”.
E, pra, kritika mund të jetë e shëndoshë, domethënëse, dobiprurëse dhe sidomos e paanshme, vetëm kur kritiku do të gjejë sa më shumë pika të përbashkëta me krijuesin e veprës muzikore, sepse është e domosdoshme që kritiku, para se ta zbërthejë e ta analizojë veprën, të gjurmojë, të hulumtojë, të zhbirojë, sidhe të kërkojë e të dëgjojë me respekt mendimin e kompozitorit bash në valën e procesit krijues.
Duhet të veprojë pikërisht kështu dhe jo ndryshe, sepse kjo është me përfitim jo vetëm për autorin e veprës, pra për kompozitorin, por, para së gjithash për vetë kritikun, sepse do të ketë rastin e mundësinë të hedhë në letër një shkrim apo ese të argumentuar, të besueshëm nga lexuesit e të dobishëm për ecurinë e mëtejshme e për rritjen e autoritetit të kritikës artistike.
Për fat të keq, një marrëdhënie e tillë, krijues-kritik, nuk ekziston. Këtu e kanë burimin kritikat në hava, kritikat roma për toma, servile, denigruese, të cilave ka ardhur koha t'ua zenë vendin kritikat e pjekura, dashamirëse, nxitëse e Vibracione të shpirtit shqiptar inkurajuese, të bazuara në kodet e shkencës muzikologjike dhe të estetikës. Vetëm kësisoj, e përsërisim, do të ngrihet rejtingu, jo vetëm i krijuesit, por edhe i kritikut.
Me këtë përmbledhje shkrimesh, të përfshira në librin Vibracione të shpirtit shqiptar, nuk pretendoj se opinionet që kam shprehur për katërmbëdhjetë nga krijuesit e lëvruesit e shquar të muzikës shqiptare dhe për veprat e tyre, janë fjala e fundit, të cilën nuk e luan as topi.
Këto janë shkrime që pasqyrojnë mbresat e mia, ndjenjat vetjake, respektin ndaj krijuesit dhe punës së tij të madhe, pa kujtuar se po arrij majat e analizës shkencore. Ato kanë para së gjithash karakter njohës, informues për krijimtarinë dhe veprimtarinë dinjitoze të kolegëve të mi, që janë në mesin tonë ose në amshim. Nga ana tjetër nuk kam dashur që disa nga xhelozia e ulët profesionale të kryejnë eutanazinë mbi veprat e tyre.
Jam i vetëdijshëm për dobësitë e mundshme, për mangësitë dhe të metat e punës sime individuale. Por, në të njëjtën kohë, jam i bindur se këto që kam shkruar këtu do të ndikojnë sadopak që krijimtaria e kolegëve të mi të mos harrohet e të mos anashkalohet pa u vlerësuar, sepse ”arti - thonë filozofët - nuk është lojë, nuk është vetëm formë;arti është ndjenjë dhe ide. Arti nuk ka qënë e nuk ka për të qenë kurrë mjet argëtimi për t'u harruar. Arti shtron probleme, nxitide, mendime. Mjet argëtimi i rëndomtë mund të jetë vetëm antiarti ”.
Duke u bazuar në thënien e filozofit të njohur Albert Rasell, i cili konstaton se ”krijuesit muzikorë janë të vetmuar në mes të botës, me gjuhën e tyre pak a shumë të pakuptueshme”, u duhet dhënë krijuesve vendi i merituar, Akil Mark Koci sepse me veprimtarinë që zhvillojnë e kanë pasuruar jo vetëm opusin e tyre, por edhe atë kombëtar e më tej.
Në këtë hulumtim, analizë dhe rrëfim në veten e parë për kolegët e mi, gjallon pa dyshim një arketip i diskursit komentues dhe i diskurseve muzikologjike.
Këtu mbështetet edhe koncepti themelor i shkrimeve të mia, të cilat synojnë të jenë shtjellime investiguese, me vlerësime artistike, pse jo edhe shkencore, dhe njëherazi të kenë tiparet e studimeve kërkimore empirike të krijimtarisë artistike, në këtë rast të një periudhe me përmbajtje konsistente.
Dihet se muzika nuk është art i heshtjes, siç është arti pamor, por është edhe “art, i cili sapo lind, menjëherë vdes, çka nuk ndodh me artin pamor”, na mëson Leonardo da Vinçi.
Besoj se mendimet e mia do t’u shërbejnë lexuesve të nderuar, madje edhe historianëve e muzikologëve, për të ofruar njohuri e informim më të gjithanshëm për këta krijues dhe për veprimtarinë e tyre si figura koherente që marrin kuptimin e një vlere kombëtare.
Duke i falenderuar paraprakisht lexuesit për shfletimin e librit tim modest, sërish shpreh besimin se këto faqe do të ngacmojnë sadopak kurreshtjen e lëvruesve dhe dashamirëve të muzikës dhe mbase do të shërbejnë si katalizator për ndërmarrje studimesh të tjera në këtë fushë, sa të gjerë, aq edhe fisnike.
Në fund, u shpreh mirënjohjen shkrimtarit e drejtorit të gazetës “The Albanian”, Petrit Kuçana, në Londër, shkrimtarit Frrok Kristaj, redaktor në “Iliria Post” në Prishtinë, shkrimtarit Mehmet Kraja, redaktor në “Koha Ditore” në Prishtinë, shkrimtarit Ibrahim Kadriu, redaktor në gazetën “Zëri,, në Prishtinë,
Vibracione të shpirtit shqiptar shkrimtarit Dalip Greca, redaktor i gazetës “Illyria” në Nju Jork dhe shumë të tjerëve, që m’i botuan këto punime, dhe në mënyrë të posaçme prozatorit, poetit, eseistit e kritikut Prend Buzhala, redaktor në të përjavshmën “Fokus” të Prishtinës, Shoqërisë Kulturore Shqiptare Haemus të Bukureshtit, Shtëpisë së saj Botuese Librarium Haemus dhe drejtuesve të tyre, akademikut Kopi Kyçyku dhe shkrimtarit Ardian-Christian Kyçyku,që mundësuan daljen e këtij libri dhe së bashku besoj se e pasuruam mendimin kritik për krijimtarinë muzikore shqiptare në tërësi.
-------------------------------------------------------
Gazeta "The Albanian" ne Londër: Mirënjohje Noel Malcolmit dhe Akil Kocit
Nga Muhamed Veliu
Akil Koci është kompozitor i shquar dheshumë i njohur, i lindur në Prizren në vitin 1936. Njihet me kompozim në të gjitha gjinitë; atë të këngës popullore, argëtuese dhe serioze. Është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, është shpallur qytetar nderi i qytetit të Prishtinë në vitin 1974 po ashtu edhe në Kroaci.
Në vitin 1976 shkroi baletin e parë shqiptar në Kosovë Sokoli e Mirusha, pas Tish Daisë, që shkroi baletin e parë shqiptar Cuca e Maleve.
Njihet si krijuesi i parë i muzikës avangarde (muzika pak më ndryshe). Për çdo vit ndahen disa çmime me emrin e tij. Çmimi i kompozitorit Akil Koci jepet edhe në “Takimet e Don Mikelit,, Stubëll-Viti.
Për vitin 2006 e ka fituar kleriku Dr. Don Gjergj Gjergji për librin e botuar, Martirët e Karadakut’, kurse për vitin 2007 e ka fituar poeti Sarë Gjergji, për librin e poezive kushtuar Nënës Tereze. Akil Koci në Takimet e At Shtjefen Gjeqovit O .F. M. në Zym-Prizren, ku jepet Unaza e Katit, aktores tonë të famshme donator i të cilit është kompozitori i ynë i mirënjohur Akil Koci që jeton dhe vepron në Londër – Britani e Madhe.
Pas një sondazhi të përvitshëm nga gazeta e komunitetit shqiptarë në Britaninë e Madhe “The Albanian”, Malcolm dhe Koci rezultuan si dy prej më të votuarve. Çmimet u ndanë në katër vjetorine kësaj gazete, cila është kthyer në zërin e shqiptarëve që jetojnë në ishullin britanik. “Është kthyer në traditë që gazeta e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar “The Albanian” dhuron çmime për në përvjetorët e saj.
Këto çmime që janë shprehje e mirënjohjes për miqtë e mëdhenj britanikë, për kontributin që kanë dhënë për shqiptarët dhe çështjen shqiptare, synojnë ndërtimin dhe fuqizimin e urave shqiptaro-britanike. Ndërsa çmimet për shqiptarët që jetojnë në Britani, synojnë evidentimin e vlerave dhe kontributeve shqiptare në këtë ishull”, thotë Petrit Kuçana, themelues dhe drejtor i “The Albanian”.
Këtë çmim e ka dorëzuar ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar zoti Zef Mazi, i cili ka vlerësuar punën e “The Albanian” dhe rëndësinë e informimit në komunitetin shqiptar. Ai ka theksuar se është kënaqësi kur në faqet e kësaj gazete lexon për shqiptarë të suksesshëm, që me të vërtetë janë diplomatët më të mirë të Shqipërisë në botë. Kompozitori Akil Koci i emocionuar ka marrë çmimin me motivacionin “Ambasador i kulturës shqiptare në botë”.
Zoti Koci, i cili për punën e tij është shpallur edhe Qytetar nderi i Kroacisë, u shpreh se ai në të shkuarën ka marrë shumë çmime. “Ky është më i veçanti pasi nuk vjen nga ndonjë organizëm shtetërorapo institucion kulturor siç ka ndodhur në të shkuarën. Por vjen nga bashkëkombësit e mi shqiptarë në Britani që kanë votuarnë këtë sondazh të realizuarnga “The Albanian”, tha ai. Çmime të ngjashme vitin e shkuar kanë marrë zonja Patricia Nugge për koleksionine librave të shkruar për Skënderbeun dhe Pip Willson, i cili ka ndihmuar emigrantët shqiptarë në lindje të Londrës.