2015-01-19

Ndahet nga jeta Pjetër Arbnori

Pjetër Arbnori, i paepuri i  "luftës për të mbetur njeri"

Ish-Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, shkrimtari dhe publicisti Pjetër Arbnori vdiq në një spital në Napoli. Shëndeti i zotit Arbnori ishte përkeqsuar ditët e fundit, në këtë mënyrë ai nuk i ka bërë dot ballë një hemoragjie celebrale. Pjetër Arbnori ishte njëri prej themeluesve të Partisë Demokratike, me një jetë politike të pasur në 15 vjetët e fundit. Pjetër Arbnori vuajti 25 vjetë burg për motive politike gjatë diktaturës komuniste. Emri i tij ishte përmendur rishtaz si një kandidat i mundshëm për President të Republikës.

Bota shqiptare humbi politikanin dhe njeriun e madh, simbolin dhe legjendën e qëndresës antikomuniste

Ndahet prej nesh Pjetër Arbnori

Pjetër Arbnori, politikan, ish-deputet në Kuvendin e Shqipërisë, shkrimtar, ka ndërruar jetë në një spital në Napoli (Itali) nga sëmundja e hemoragjisë cerebrale.

Kush ishte simboli i qëndresës dhe persekutimit

I njohur si Mandela e Shqipërisë, Ish Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, deputet në pesë legjislatura,(1992-2005) një nga kundërshtarët e regjimit komunist, i burgosur politik për 28 vjet,

Pjetër Arbnori u lind në qytetin e Durrësit ë 18 janar 1935. Gjatë 71 viteve të jetës së tij, ai është nderuar me titujt "Mësues i Popullit", "Pishtar i Demokracisë", "Qytetar Nderi" i qytetit të Vaut të Dejës.

Asambleja parlamentare e vendeve frëngjishtfolëse i ka dhënë titullin "Oficer i Madh i Urdhrit të Plejadës". Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, i ka dhënë medalionin e argjendë "Nënë Tereza" dhe prerjen e artë "Georgus Castriotus-Scanderbeg" 27.11.1996, Instituti Biografik i Kembrixhit dhe Instituti Biografik Amerikan kanë futur biografinë e Pjetër Arbnorit në "Ëho is Ëho" të intelektualëve dhe në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar botimi 26-27. Ka marrë medaljen e shekullit XX për merita. Akademia Kulturore Romë i ka dhënë medaljen "Scodrinon" dhe diplomën 2001.

Pavarësisht nga fakti se mbaroi shkollën e mesme me medalje, nuk iu dha e drejta për të vazhduar studimet e larta. Më 1953 filloi punën si mësues. Më 1954 pushohet nga puna për motive politike. Më 1956 filloi punën si punëtor krahu në bujqësi.

Me anë të dokumenteve të rreme mundi të fillojë studimet në Universitetin e Tiranës. Mbaroi në dy vjet e gjysmë, nga pesë vjet që ishte, studimet me korrespondencë në Fakultetin e Filologjisë dhe u diplomua me motivacionin "shkëlqyeshëm". Më 1960, mësues letërsie. Që në moshën 14 vjeç u përfshi në aktivitetet e grupeve ilegale kundër komunizmit. Shtypi e shpërndau trakte e së bashku me intelektualë të tjerë mori pjesë në themelimin e një organizate ilegale socialdemokratike, programin e së cilës e hartoi vetë.

Në pranverën e vitit 1961, zoti Arbnori u arrestua për krimin e krijimit të Partisë Social Demokrate dhe pas një procesi të gjatë prej dy vjetësh u dënua me vdekje. Mbas tre muajsh dënimi iu kthye në 25 vjet burgim. Ai vazhdoi aktivitetin kundër diktaturës, duke shkruar dhe organizuar të burgosurit kundër regjimit. Për këtë, iu shtuan edhe dhjetë vjet të tjera burg me akuzën "për agjitacion dhe propagandë, si dhe për arsye të shkruarjes së një romani dhe tregimeve të ndryshme të shkurtra. Mbasi kreu dënimin më tepër se 28 vjet, u lirua në gusht të viti 1989, dhe më pas punoi si punëtor në një zdrukthtari.

Që në fillimet e lëvizjes demokratike mori pjesë aktivisht dhe në demonstratën e parë antikomuniste, më 14 janar 1990, në qytetin e Shkodrës, për të rrëzuar bustin e Stalinit. Më 12 dhjetor, në tribunën e mitingut themelues të PD-së, i dorëzoi Azem Hajdarit dhe Sali Berishës një mesazh nga Shkodra demokratike dhe antikomuniste. Më 13 dhjetor 1990 qe njëri nga organizatorët e demonstratës antikomuniste në Shkodër, ku u hodh në erë busti i diktatorit Enver Hoxha.

1991-1992 Kryetar i Degës së PD-së Shkodër
1991-2001 Anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PD-së
1991, 31 mars - Deputet i Partisë Demokratike, Zona Laç Shkodër
1992, 22 mars - Deputet i Partisë Demokratike, Zona Shkodër qytet
1996, 26 maj - Deputet i Partisë Demokratike, Zona Laç Shkodër
1997, 29 qershor - Deputet i Partisë Demokratike, Zona Bushat Barbullush, Hajmel
1992-1996 - Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë
1996-1997 - Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë
1991-1992 - Nënkryetar i Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut
1997-2000 - Sekretar i Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut
2001- 2005 Deputet i Kuvendit të Shqipërisë për zonën Bushat, Barbullush, Hajmel 1999, shtator - Sekretar i PD-së për Marrëdhëniet me Publikun
2005-2006-Anëtar i Kryesisë së PD


Pjetër Arbnori Shkrimtar

Ka shkruar ditarin sekret me titull "Lufta për të mbetur njeri", që ka mundur ta mbajë gjatë 28 viteve të burgut dhe nuk ka parë ende dritën e botimit. Ka përkthyer shumë libra nga anglishtja, frëngjishtja, italishtja dhe rusishtja.

Veprat e botuara nga viti 1992, deri në vitin 2000

"Kur dynden vikingët" novelë, 1992
"Mugujt e mesjetës" roman, 1993
"Bukuroshja me hijen" novelë, 1994
"E bardha dhe e zeza" roman, 1995
"E panjohura" - Vdekja e "Gebelsit" novela, 1996
"Shtëpia e mbetur përgjysmë", roman 1997, për të cilin Pjetër Arbnorit iu shtuan dhjetë vjet burg
"Vorbulla", roman, 1997
"Letër nga burgu"
"Nga jeta në burgjet komuniste", studime historike 1992
"Brajtoni, një vetëtimë e largët", roman 2000
"Lufta për të mbetur njeri" - intervista 1990-2000
"Andre Morua, Historia e Anglisë", përkthim 1996

Në pranverën e vitit 1961, zoti Arbnori u arrestua për krimin e krijimit të Partisë Social Demokrate dhe pas një procesi të gjatë prej dy vjetësh u dënua me vdekje. Mbas tre muajsh dënimi iu kthye në 25 vjet burgim. Ai vazhdoi aktivitetin kundër diktaturës, duke shkruar dhe organizuar të burgosurit kundër regjimit. Për këtë, iu shtuan edhe dhjetë vjet të tjera burg me akuzën "për agjitacion dhe propagandë, si dhe për arsye të shkruarjes së një romani dhe tregimeve të ndryshme të shkurtra. Mbasi kreu dënimin më tepër se 28 vjet, u lirua në gusht të viti 1989.



Vendim i Këshillit të Ministrave në nderim të kujtimit të Arbnorit

E diela shpallet Ditë Zije Kombëtare

Këshilli i Ministrave shpalli ditën e diel, 9 Korrik 2006, Ditë Zije Kombëtare. Për të nderuar kujtimin e burrit të shquar të kombit, zotit Pjetër Arbnori, kryeministri Berisha nënshkroi dje vendimin e posaçëm, që detyron institucionet shtetërore dhe publike të ulin flamurin kombëtar në gjysëm shtize.

"Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, "Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre", si dhe të pikës 8, kreu VI, të vendimit nr.229, datë 23.04.2004, "Për miratimin e ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë", të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, për të nderuar kujtimin e burrit të shquar të kombit, humanistit Pjetër Arbnori-it, legjendës së qëndresës së njeriut për liri dhe dinjitet njerëzor, simbolit të sakrificës dhe triumfit të vlerave të lirisë, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi shpalljen ditë zije kombëtare, ditën e dielë, datë 9.7.2006, në nderim të humanistit, të ndjerit Pjetër Arbnori. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysëm shtize."

Berisha: Kombi humbi kryeparlamentarin e lirisë

Mbrëmë, në një spital të Napolit, u nda nga jeta burri i shquar i kombit shqiptar, politikani, ish-kryeparlamentari i vendit, njëri ndër themeluesit dhe udhëheqësit kryesorë të Partisë Demokratike, shkrimtari dhe humanisti i njohur, Pjetër Arbnori.

Me vdekjen e Pjetër Arbnorit, familja humbi bashkëshortin, prindin, familjarin e shkëlqyer dhe shembullor, kurse Shqipëria dhe kombi shqiptar humbën "Mandelën" e tyre dhe të mbarë Europës, legjendën e qëndresës së njeriut për liri dhe dinjitet njerëzor, kryeparlamentarin e lirisë.

Partia Demokratike humbi udhëheqësin dhe themeluesin e saj të mençur, të vendosur, të shquar; letrat shqipe, njërin prej kalorësve të tyre më në zë; shoqëria shqiptare, humanistin e madh, bashkëvuajtësin, simbolin e qëndresës dhe sakrificës së tyre mbinjerëzore.

Sot, çdo shqiptar përulet me nderim të madh para kujtimit të veprës së Pjetër Arbnorit dhe ndjehet i pakësuar me humbjen e tij. Ju ftoj të nderojmë kujtimin e Pjetër Arbnorit me një minutë heshtje. I paharruar kujtimi i tij!

Topalli: Arbnori-mbrojtësi i paepur i të drejtave të njeriut

Kryeparlamentarja Topalli, gjatë një konference për shtyp, shprehu në emër të Kuvendit ngushëllimet për humbjen e mikut, politikanit të madh, simbolit të rezistencës ndaj regjimit komunist dhe simbolit të besimit tek vlerat e demokracisë. Jam këtu, për të shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet më të thella, në emër të Kuvendit, por edhe personalisht, për humbjen e politikanit të madh, mikut tim, të familjes time, mikut të të gjithëve, për humbjen e simbolit të rezistencës ndaj regjimit komunist, simbolit të "luftes për të mbetur njeri", i besimit te vlerat e demokracisë. "Pjetër Arbnori, përfaqësuesi i denjë i letërsisë jozyrtare shqiptare, të shkruar në kushte terrori e me rrezik për jetën, do të mbetet një ikonë e historisë së re të pluralizmit shqiptar, përfaqësues dhe zëdhënës i shtresës më të nëpërkëmbur të shqiptarëve gjatë 50 viteve të diktaturës.

Si politikan, deputet i plejadës së parë politike të viteve '90, ai është pjesë e filozofisë liberal-demokrate, me frymë të theksuar sociale, shenjë e tolerancës dhe kulturës politike. Ndërsa, si Kryetar i Parlamentit, si deputet dhe si burrë shteti ai do të mbetet në kujtesën e të gjithëve si një personalitet që të kujton figurat më të ndritura shtet-formuese shqiptare", tha znj. Topalli. "Kuvendit, politikës dhe të gjithë shqiptarëve do t'i mungojë politikani me mentalitet paqësor perëndimor, frymëzuesi i qëndresës dhe mbrojtësi më i paepur i të drejtave të njeriut", shtoi ajo. Znj Topalli tha se: "Kuvendi është i përkushtuar maksimalisht për t'i bërë të gjitha nderimet shtetarit të madh Pjetër Arbnori së bashku me familjen e tij".

Topi: Arbnori, figura e qëndresës qytetare

Drejtues dhe përfaqësues të partive politike shqiptare vlerësuan figurën dhe kontributin e ish-Kryetarit të Kuvendit, Pjetër Arbnori, i cili u nda nga jeta në një spital në Napoli (Itali). Kreu i deputetëve të PD-së, Bamir Topi, Kryetari i Grupit parlamentar të PS-së Pandeli Majko, kreu i deputetëve të LSI-së, Sabit Brokaj dhe Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, në prononcimet e tyre vlerësuan figurën e zotit Arbnori, si një nga politikanët e veçantë që ka njohur tranzicioni shqiptar, si një figurë të përmasave kombëtare, simbol të demokracisë dhe anti-komunizmit.

Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi, shprehu keqardhjen më të thellë për humbjen e ish-Kryeparlamentarit Pjetër Arbnori. Zoti Topi në një prononcim tha se, "në sytë e të gjithë demokratëve shqiptarë, por edhe në pjesën më të civilizuar të kombit, zoti Arbnori mbeti figura e qendresës qytetare ndaj sistemit komunist totalitar". "Pa dyshim, për ne që kemi punuar me të, ai mbetet një intelektual me horizont të gjerë dhe me një urtësi shembullore, humbjen e të cilit ne do ta ndjejmë", tha zoti Topi.

Moisiu: Arbnori, simbol i disidencës politike

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu priti me hidhërim të madh lajmin e ndarjes nga jeta të politikanit, shkrimtarit dhe shtetarit të njohur, Pjetër Arbnori. Në komunikimin me familjen e të ndjerit, Presidenti Moisiu shprehu ngushëllimet e tij të thella për humbjen e personalitetit politik dhe familjarit të devotshëm, si dhe vlerësimin e tij më të lartë njerëzor dhe zyrtar për jetën dhe veprimtarinë politike e shoqërore që Pjetër Arbnori realizoi në 71 vitet e jetës së tij. "Pjetër Arbnori ishte shembulli i një njeriu me vlera të larta qytetare, simbol i disidencës antikomuniste, krijues me talent të rrallë dhe modeli i një politikani të ndershëm dhe me vizion, i cili me punën e tij i dha nder Shqipërisë", - u shpreh Presidenti Moisiu.



INTERVISTE E PJETER ARBNORIT DHENE ANTON CEFES:

Anton Cefa : Në krahasim me politikën, vështirësitë, rrugët e rrugicat e saj, zhgënjimet e dështimet e saj, ju keni vlerësuar më shumë hapësirën e ndriçme të artit letrar; por, në momente të caktuara e periudha të veçanta, epërsinë e ka pasë e para. Si e konceptoni shtysën e brendshme shpirtërore ndaj këtyre dy veprimtarive, që kanë karakterizuar më së shumti jetën dhe personalitetin tuaj?

Pjetër Arbnori: Veprimtaria politike dhe letrare janë të ndërthurura në jetën time dhe nuk shkëputen dot nga njëra-tjetra. Që në fëmini kam pasur një jetë shumë të dendur me ngjarje dhe shumë të ngjeshur me mbresa të pashlyeshme qofshin të mira qofshin të dhimbshme. Vështirësitë e jetës dhe gëzimet e pakta më kujtojnë ditët e vranta
kur dielli për disa çaste e nxjerr syrin e ndriçëm, të cilin e mbyll sapo fillon rrebeshi. Kryesorja në jetë ka qenë grumbullimi i përshtypjeve që shtresohej muaj pas muaji, vit pas viti. Jo vetëm shikoja, ndieja por edhe mbaja mend dhe nxirrja përfundime. Për natyrë nuk kam qenë njeri agresiv, as ekspansiv, por jam përpjekur t’i bluaj ato që kam jetuar. Jo gjithmonë e kam shprehur atë që përjetoja, kështu që rruga më e mirë ka qenë në fillimet poezia ajo që më ndihmonte të shpreh shpirtin tim të ndjeshëm. Me mësime kam shkuar shumë mirë, kështu gjatë viteve jo vetëm që kam dalë i pari i klasës, po më dukej krejt e natyrshme që të isha i pari. Ambicja positive më ka shoqëruar gjithë jetën: “kam luftuar të ndërtoj një strehë për vete pa lënë tjetrin në shi; të siguroj një kafshatë bukë pa ia hequr tjetrit kafshatën nga goja.; të përpiqem të shkollohem pa e lënë tjetrin në errësirë; të rropatem në pranga për të ndriçuar robërinë time pa ia rënduar jetën shokut pranë.” Është krejt e natyrshme që në këto rrethana është letërsia ajo që do të më tërhiqte për të paraqitur gjithçka që kisha provuar dhe ndier. Që në fëmini kam lexuar shumë. Babai më ka lënë një pasuri të madhe: një bibliotekë që e kam shfrytëzuar si duhet. Jam rritur me Fishtën, Lasgushin, Mjeden, Nolin, Konicën, Migjenin, Koliqin, Kutelin. Nuk e fsheh se kam dashur t’u ngjas sadopak këtyre. Po këtu hyn politika: tre prej tyre isha i detyruar t’i lexoja fshehtas, se i quanin reaksionarë. Veç kësaj, në fillim të vitit 1948, më futën motrën në burg për arsye politike. Nënën dhe motrën tjetër, m’i kanë pushuar disa herë nga puna, sado që ato bënin punë të rëndë krahu. Veç kësaj, pas vitit 1945, filluan kontrollet, arrestimet, gjyqet e pushkatimet në qytetin tim, Shkodrën, madje në gjithë Shqipërinë.
Të gjitha këto bënë që të përzihej politika me letërsinë dhe të pasqyroja mbresat dhe ndjenjat duke shkruar ndonjë poezi apo duke mbajtur ndonjë ditar, që natyrisht shpesh grisej ose digjej nga frika e kontrolleve. Vuajtja më bëri të merrem me politikë, politika më çoi me ndërgjegje drejt burgut; burgu më pasuroi shpirtërisht dhe më bëri të njoh anë të paprovuara të jetës; në kushtet e një mbylljeje hermetike, iu drejtova letërsisë për të dytën herë me dëshirën të pasqyroj të vërtetën.
Kur u arrestova, shumicën e shkrimeve të rinisë m’i konfiskuan dhe m’i zhdukën. Që kur munda të marr shënime në burg, nisa të mbajë një ditar të fshehtë me titullin e dukshëm: Pjetër Arbnori-Folklor (mbledhur nga goja e popullit ose vjelë nga shkrime të ndryshme)-Proverba-Gjë e Gjëza-Toponomastikë-Gazmore-Këngë popullore-Grimca historike, etj., etj. Titulli i fshehtë ka qenë: LUFTA PËR TË MBETUR NJERI. Një pjesë të këtij ditari të fshehtë, të mbajtur për afër 28 vjet, e kam nxjerrë me shumë kujdes, sakrificë e rrezik dhe shpresoj që heret a vonë ta botoj pas deshifrimit tepër të vështirë që i duhet bërë. Kush ka vizituar studion time-papafingo- e ka parë, shfletuar dhe fotografuar.
Të gjitha këto i kam bërë i shtyrë nga lufta për ta bërë padrejtësinë drejtësi. Kuptohet që kjo mbetet një përpjekje që nuk mund të realizohet kurrë plotësisht as në realitet, duke u marrë qoftë me politikë qoftë me letërsi. Në letërsi je më i lirë se në politikë.

Edhe pse pjesën më të mirë dhe më të bukur të jetës e keni kaluar në robërinë e errët të burgut, ju e keni ndjerë veten gjithnjë shpirtërisht të lirë. Cila do të ishte marrëdhënia mes lirisë shpirtërore dhe letërsisë artistike, si atribut shpirtëror, në kushtet e robërisë fizike, në veçanti, dhe në kushtet e një jete normale, në përgjithësi?

Kam shkruar në ligjëratën mbajtur në Universitetin e Romës “La Sapienza”: “Jeta është një përpjekje për të zgjëruar çdo ditë kufijtë e lirisë, për të hapur çdo ditë kufijtë e kontaktit me botën, me realitetin. Kur nuk mund t’i thyesh kufijtë që të rrethojnë ka edhe një mënyrë tjetër për të hyrë në botën e lirisë që është mjaft e mundimshme, por më efikase: zgjërimi i lirisë në veten tënde, në mendjen dhe në shpirtin tënd. Kjo bëhet me anën e punës serioze intelektuale, me anë të mendimit, diskutimit dhe shkrimit”.
Në burg, në diktaturë mendimi nuk mund të ndalohet dot, përkundrazi nxitet edhe më tepër, diskutimi është me shumë rreziqe, po jo i pamundur; ndërsa shkrimi është një provë materiale në bazë të së cilës mund të dënohesh për të dytën herë, siç më ka ndodhur mua kur më shtuan dhjetë vjet për romanin “Shtëpia mbetur përgjysmë”. Shkrimi në burg është shkrirja e përvojës tënde, e kujtimeve, e vëzhgimit të përditshëm, e diskutimeve. Mendja të ndihmon për të sajuar metoda që realisht të bëjnë përherë e më të lirë derisa i afrohesh lirisë absolute. Unë kisha gjetur një metodë që më dukej origjinale. Duke qenë se për çdo mendim të shprehur mund të gjindej shkaku për të të dënuar, shumicën e veprave të mia unë i kam quajtur të përkthyera nga anglishtja, nga frëngjishtja, nga italishtja, nga rusishtja apo nga gjermanishtja. Vija poshtë kopërtinës: përkthyer nga Pjetër Arbnori. Autorin e vija ose tepër të madh ose të panjohur. Kisha edhe një metodë tjetër: ngjarjet ose i ndërroja në kohë ose vende. Ngjarjet apo personazhet ishin të ndodhura në Shqipëri dhe unë i kaloja në Gjermaninë naziste (1933-1939): “Kur dynden vikingët” ose në Bashkimin Jugafrikan (1960-1970): “E bardha dhe e zeza” ose në Irlandë e Angli, në kohën e luftës së irlandezëve për pavarësi: “Brighton-një vetëtimë e largët” ose ngjarjet e arrestimit të Grupit të Rezistencës (1950) i kaloja në ngjarjet tek “Vorbulla” e pas Lidhjes së Prizrenit 1878-1882, e kështu me radhë. Analogjia më ndihmonte për të përshkruar personazhe reale që i kisha njohur vetë në liri apo në burgje, apo për të cilët iasha dëgjuar nga bashkëvuajtësit. Në këto rrethana “të sajuara” kam qenë krejtësisht i lirë në plazmimin e personazheve, të dialogeve, të ngjarjeve, aq sa tani që i kam shpëtuar, nxjerrë e botuar romanet, kur m’i lexojnë shokët e vuajtjes që kanë mbetur gjallë, më thonë “sa bukur e ke përshkruar Ndrekë Kakarriqin apo filanin e filanin, pra më thonë emra personash të vërtetë dhe jo personazhesh të romanit.
Përshkrimi i burgut dhe i të burgosurve, hetuesve dhe policëve a gardianëve te romani “Vorbulla” është identik me ato që kam parë me sytë e mi ose dëgjuar prej shokëve të mi që njiheshin për besnikëri përshkrimi. Kur lexoja faqet e shkruara emocionohesha vetë po aq sa emocionoheshin shokët që i lexonin.

Cilën arritje tuajën vlerësoni më shumë në fushën e politikës, të letërsisë artistike dhe të vetë jetës?


Kam luftuar për të drejtën me anën e më të dobëtit; kur kam arritur të bëhem i fortë me fitimtarët nuk i kam vënë këmbën në fyt kundërshtarit. Në letërsi kam përshkruar të vërtetën pa e lustruar, kam dialog të gjallë dhe humor të shëndoshë: romani “Shtëpia e mbetur përgjysmë”. Në jetë nuk e kam humbur besimin edhe kur isha në grykën e varrit; në të gjitha rrethanat të gjej anën gazmore, edhe në kushtet tragjike. Ndjek parimin: po të thuash mirë, bëhet mirë.

Ku e ndjeni veten më të talentuar: në politikë a në letërsi dhe cila ju ka dhënë më shumë kënaqësi në jetë?

Kam qenë i detyruar të merrem me politikë, megjithatë gjithë jetën e kam bërë pa hile qoftë ndaj shokëve qoftë ndaj kundërshtarëve. Për natyrë unë ia them cilitdo të vërtetën në sy (pa mendimin që ta denigroj ose që t’ia fus stërkëmbësën). Krenohem që nuk kam tradhtuar miqtë në kushte të vështira. Si shembull talenti në politikë: një herë duke folur në Kuvend u thashë spontanisht kundërshtarëve: ju nuk jeni socialistë por jeni “specialistë”. Unë shpresoja t’i indinjoj, t’i bëj të bërtasin, por të gjithë djathtas e majtas shpërthyen në gaz. Kanë kaluar vite dhe ende qoftë njerëz të thjeshtë qoftë me pozitë, të njohur e të panjohur, si me gojë si me shkrim ma përsërisin”Pjetër ia ke gjetur pikën: “nuk janë socialistë, por specialistë”. Në letërsi shkrimtari është si babai që ka shumë fëmijë dhe nuk dallon asnjërin veçanërisht, por unë kam më kanakar romanin “Shtëpia e mbetur përgjysmë” për realitetin e Shkodrës më 1943-1944, për humorin në vuajtje dhe për dialogun e gjallë. Ajo është arritja ime. Në jetë shokët më mbajnë mend që nuk kam bërë njëherë uh! , as oh!, as në prak të vdekjes, as në hekura, as gjatë më se 28 vjetëve në burg. Gjeta nënën gjallë dhe më pa të martuar, deputet të respektuar. Talenti im i madh është se kam një djalë e një vajzë si pëllumba, të bekuar nga Nënë Tereza vetë, siç më ka bekuar edhe mua dhe gruan time. A ka talent më të madh dhe arritje njëherësh.

Letërsia e krijuar në burgje u bë e njohur mbas rënies së diktaturës. Cili është mendimi juaj për këtë letërsi: sa e si e dëshmon ajo veten si një kapitull i veçantë i historisë së letërsisë sonë? Lidhur me këtë, kjo letërsi, përveç jush, njeh krijues të tillë të fuqishëm si Trebeshina dhe Zhiti. Ka emra të tjerë që i bëjnë vetes një vend të merituar këtu?


Synimi i diktaturës ishte që të zhdukte do gjurmë të mendimit të lirë dhe çdo faqe artistike të krijuar në kushtet e burgut, internimit ose fshehtësisë. Dihet se veprimi i parë që bëhej nga njerëzit e ndjekur kur kërcënoheshin nga arrestimi ishte djegia e letrave të shkruara ose fshehja e tyre. Janë shumë të paktë krijuesit, qoftë edhe ata tepër të kujdesshëm, që nuk kanë pasur një fletë për të zhdukur, kur janë kërcënuar ose kanë pasur dyshim se do të kontrolloheshin. Unë vetë, megjithëse shumicën e kohës kam ndenjur i izoluar ose me shoqëri të kufizuar burgu, mund të dëshmoj se kam njohur një numër njerëzish të talentuar që në kushtet më të vështira kanë shkruar një faqe, dy faqe, dhjetë faqe që i kanë qarkulluar në shokë tepër të besuar. Letërsia, përgjithësisht arti, nuk mund të gjallojë pa i lexuar njeri krijimet, pa i parë ose pa i dëgjuar kush. Në burgun e Burrelit qarkullonin poezi që u recitoheshin shokëve e miqve gjatë ajrosjes (kurrë nuk recitoheshin me zë në dhomë), këndoheshin këngë me zë të ulët në ajrosje (pasi kënga në dhomë ishte e ndaluar me kërcënimin e ndeshkimit). Nuk duhet harruar se kontrollet e imta bëheshin çdo javë, duke nxjerrë dyshekët në oborr, ushqimet, librat, fletoret. Rrëmoheshin edhe fletët e pusullat e vogla. Më e pakta asgjësoheshin. Di që shkruheshin dhe kam lexuar prej tyre ese nga Mirash Ivanaj e Xhevat Korça, leksione juridike nga Engjëll Çoba, leksione estetike dhe logjike nga Koço Tasi, leksione filozofike nga At Pjetër Meshkalla. Kam dëgjuar këngë të bukura nga Gac Çuni dhe Tanush Kaso; kam lexuar poezi të ndjera nga Kudret Kokoshi, Jorgo Bllaci, Pano Taçi, proza poetike nga Astrit Delvina. Por mund të them se secili autor i ruante krijimet e veta vetë dhe mendonte si mund t’i kalonte jashtë, gjë që nuk ishte aspak e lehtë.
Edhe unë si ju mendoj se emëri i Kasëm Trebeshinës dhe i Visar Zhitit janë të spikatur, por i takon kritikës kompetente dhe të ndershme të thotë fjalën e vet për të tjerët.

Vihet re rëndom, në këtë periudhë të trysnisë së çoroditur politike, të kësaj gjendjeje shpirtërore traumatike dhe të këtij çorientimi të përgjithshëm kulturor, përveç mungesës së një kritike të shëndoshë letrare, edhe një përpjekje dashakeqe për ta lënë në heshtje këtë letërsi, mos edhe për ta përbuzur dhe bile për t’ i nxjerrë namin e keq.


Përgjigjja është e thjeshtë. Kritika e shëndoshë letrare është e mangët dhe ka qenë e dukshme përpjekja dashakeqe e një kategorie të caktuar për ta lënë në heshtje këtë letërsi disidente, madje edhe është denigruar ajo me qëllim. Sidomos për shkakun se mijëra firma, miliona faqe e miliarda lekë të shpenxuar për të ngritur në qiell një ideologji të rreme, një letërsi të shpifur, një lavdi të fryrë si tollumbace doli bosh. Ish-shkrimtarëve u dhimbset letra e shpenzuar kot dhe u vjen edhe më keq që nuk mund të krijojnë në liri vepra të reja për të qenë, prandaj janë dashakeqës ndaj të tjerëve.

Letërsia rreh të zbulojë botën e brendshme të njeriut, në përpjekje për të depërtuar në thellësitë e saj më të panjohura dhe për ta humanizuar atë. Çfarë mendimi keni për letërsinë e realizmit socialist, që lulëzoi në vendin tonë, duke u nisur nga fakti që ajo pati një hero të rremë, pasqyroi një realitet të shpikur dhe jetësoi një mesazh të pamoralshëm?

Realizmin socialist unë e kam quajtur publikisht RRENALIZMI SOCIALIST dhe jo pa arsye.

Në veprat më të arrira të realizmit socialist u ngjiz një kontradiktë e fuqishme mes mjeshtërisë së lartë artistike dhe mesazhit të saj negativ, gjë që dëmtoi së tepërmi formimin e bereznive të reja. Si i gjykoni këto vepra ?

Me gjithë përpjekjet për rrafshimin e mendjeve dhe talenteve, edhe diktatura kishte nevojë për disa mjeshtra të spikatur të fjalës artistike, të cilët përpiqej t’i kishte nën kontroll dhe të lavdërohej me ta nëpër botë. Këta mjeshtër herë pas here goditeshin më rëndë ose më lehtë sipas planifikimit. Ndodhte rrallë që ata i dilnin edhe nga kontrolli diktaturës siç ka ndodhur me shkrimtarin Ismail Kadare, i cili në shumicën e rasteve i kapërcente kornizat. Ky shkrimtar i shquar më kujton një thënie të Bedri Spahiut, ish-udhëheqës komunist më vonë disident në burgjet e diktaturës, i cili më thoshte: “Unë jam i lirë në ujë, por nuk jam i lirë nga uji. Kur më vjen dëshira e madhe për pavarësi kërcej disa herë si peshku mbi sipërfaqe, shikoj botën po edhe më shikon bota siç jam dhe sa vlej…”

Sado e egër që qe diktatura, tek ne pati një disidencë politike të hapur e të organizuar dhe ju keni qenë një ndër përfaqësuesit e saj më të mëdhenj. Si e shpjegoni që nuk ndodhi një gjë e tillë në fushën e krijimtarisë artistike, ku, në këtë drejtim, pati vetëm përpjekje të veçuara të ndonjë personaliteti?

Jam i rezervuar për pohimin tuaj. Ka pasur përpjekje dhe tentativa serioze për disidencë politike të hapur dhe të organizuar që nga 1945 deri më 1990, por diktatura ka qenë e pamëshirshme, madje provokuese. Është për t’u nderuar inteligjenca shqiptare dhe shtresat e ndryshme të popullsisë për rezistencën që i bënë komunizmit. Këtë e vërtetojnë grupet e ndryshme të dënuara, mijëra njerëzit e pushkatuar, të burgosur, të internuar dhe të arratisur. Kjo tregon papajtueshmërinë e popullit tonë me ideologjinë e kuqe. Nga ana tjetër ka pasur edhe shumë gjyqe false të cilat sajoheshin për t’i futur frikën pjesës tjetër të popullsisë.
Po kështu ka ndodhur edhe në fushën e krijimtarisë artistike, ku shkrimtarët e afirmuar vdiqën në burg : Vinçenc Prennushi, Ethem Haxhiademi; bënë burg: Mitrush Kuteli, Petro Marko, Kasëm Trebeshina, Visar Zhiti, Jorgo Bllaci, Pano Taçi, etj. . Ata që nuk u burgosën jetuan nën trysni, gjithmonë të kontrolluar: Lasgush Poradeci e tjerë, të cilët dogjën vetë dorëshkrimet ose ia dogjën të afërmit e tyre nga frika. Sot është e kotë të vajtojmë për vlerat e humbura, por t’u japim vlerën e vërtetë atyre që kanë mbetur si relike të një kohe që duhet pasqyruar medoemos me vërtetësi në mënyrë që të mos përsëritën shëmtirat e një murtaje intelektuale që brezi i ri duhet ta njohë.

Prof. Gradilone i Institutit të Studimeve Shqiptare të Universitetit “La Sapienza” të Romës, në monografinë për veprat tuaja, pasazhe të ndryshme të tyre i ka përqasur me emra të tillë botërorë si Verga, Manxoni e deri te Homeri. Po ashtu, novela juaj, “Kur dynden vikingët”, në parathënien e Shefki Hysës, është krahasuar me “Fatin e njeriut” të Shollohovit, “Shkretëtirën tatare” të Dino Buxatit, “Plakun e detin” të Hemingueit. Cilët nga autorët e letërsisë botërore ju pëlqejnë më shumë dhe cili prej tyre mendoni se mund të ketë ndikuar në punën tuaj?

Profesor Giuseppe Gradilone, nxënës dhe pasues i Ernest Koliqit, ka shkruar një monografi me titullin “Pjetër Arbnori – Shkrimtar”. E falënderoj për analizën serioze dhe dashamirëse me të cilën më ka paraqitur. Sa për përqasjen me emra botërorë, mua nuk më rritet lehtë mendja, vetëm se ia shtoj detyrën vetes për t’u përngjarë sadopak atyre titanëve dhe më duhet të mos e ndaj limën nga dora. Me që më pyesni, unë do të them se adhuroj Shekspirin edhe pse nuk kam mundësi të shkruaj asnjë tragjedi, dramë apo komedi; kam nderim për Tolstoin sadoqë ky i fundit kishte mendim të gabuar për vlerat e Shekspirit. Ndër prozatorët pëlqej në mënyrë të posaçme Çehovin, Sarojanin, O’ Henrin, Heminguein e Buxatin. Kam lexuar pa kufi gjithmonë. Kur kisha kohë nuk kisha libra, tani kam libra nuk kam kohë. Lexoja çdo gjë që më binte në dorë, lexoja shpejt në mënyrë diametrale. Po kur më bie në dorë një vepër e mire, e lexoj dy herë, madje edhe dhjetë here, kur është fjala për një autor si Shekspiri.
Shkrimtari i mirë nuk mund të kopjohet, se bëhesh qesharak, por mjeshtri i madh depërton me metodën e tij sa të hyn në të gjitha qelizat tuaja. Nuk e kam për turp të ndikohem nga veprat e mëdha botërore, por gjithmonë jam kujdesur që të kem të dallueshme firmën time.

Po i derjtohem prapë Gradilone-s që ju ka cilësuar si shkrimtar që “i përket brezit të rritur nën regjimin komunist, por me kujtesë edhe parakomuniste”. Sa e si është pesha e kësaj kujtese në krijimtarinë tuaj?

Vërtet jam i rritur në regjimin komunist, por kujtesat e fëminisë i kam përherë të freskëta. Pa adhuruar asgjë të mykur, kam pëlqyer jetën e lirë e të pakomanduar. Po të jetë për të besuar, nuk kam dashur kurrë të adhuroj perënditë e tokës por perëndinë në qiell, që është më i gjerë, më i lartë, më i pafund. Idetë komuniste nuk më kanë marrë kurrë mendjen.

Pjesën më të madhe të veprave tuaja i keni shkruar në burg, ku kishi kohë, kushte jo. Tani që jeni i lirë ndodh e kundërta. Mendoj që kohën më të madhe ia kushtoni politikës. A është e vërtetë?

Unë çdo gjë e marr seriozisht në jetë, edhe politikën. Vazhdoj të punoj edhe në letërsi. Nuk kam bërë ndonjë gjë të madhe, po jo edhe pa vlerë. Politika më ka zënë derën, letërsisë ia kam zënë derën dhe nuk them se më ka dëbuar. Ngrihem çdo ditë mëngjes heret, shpesh në katër e gjysmë ose pesë. Gruaja dhe fëmijët flejnë, unë lexoj ose shkruaj. E ndiej që gjithnjë kam shumë gjëra që duhen kryer, plotësuar. Në politikë shpejt njerëzit harrohen. Përpiqem që njerëzit mos të më kujtojnë për keq. Në letërsi, një pjesë e njerëzve kujtohen më gjatë. Dëshiroj që brezat e ardhshëm, nëse do të qëllojë që të më kujtojnë, të mos thonë se i kam gënjyer, mashtruar ose kam shkruar me mllef.

Cili është mesazhi i jetës dhe i veprimtarisë suaj për breznitë e ardhshme ?

Mos qaj, mos vajto, qëndro gjithmonë drejt, jo në gjunjë, po u rrëzove, ngrihu përsëri në këmbë dhe ec përpara. Thuaj dhe shkruaj gjithmonë të vërtetën, dhe mbroje në çdo rrethanë e me çdo kusht. Po besove gjithnjë, do ta kesh rrugën të hapur.

Është bërë zakon ndër intervista të bëhen pyetje për planet e së ardhmes.

Kur të pushoj së punuari, së menduari, së shkruari, atë herë kam vdekur. Edhe në marrsha frymë pastaj, gjalloj më kot.

Veprat e botuara të Arbnorit:

Letërsi artistike:
-“Kur dynden vikingët”, novelë, 1992
-“Mugujt e Mesjetës”, roman, 1993
-“Bukuroshja me hijen”, novelë, 1994
-“E bardha dhe e zeza”, roman 1995
-“E panjohura – Vdekja e ‘Gebelsit”, novela, 1996
-“Shtëpia e mbetur përgjysmë”, roman 1997, për të cilin autorit iu shtuan 10 vjet burg.
-“Vorbulla”, roman, 1997
-“Brajtoni, një vetëtimë e largët”, roman, 2000

Letërsi dokumentare e publicistike:
-“Letër nga burgu”
-“Lufta për të mbetur njeri”, intervista 1992- 2000
-“Pjeter Arbnori: shkrimtar-politikan-njeri” 2001, botim i ilustruar autobiografik.
-“10300 ditë e netë në burgjet komuniste”, 2003, (botuar në shqip dhe në anglisht).
-“Martirët e rinj në Shqipëri – i nuovi Martiri in Albania”, 2004, (botuar në shqip dhe në italisht).
-“Martirët në Shqipëri – The New Martyrs in Albania”, 2004, botuar në shqip dhe në anglisht).

Përkthime:

-Andrea Morua “Historia e Anglisë”, 1998
-William Shirer “Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë” (në dy vëllime), përkthyer në burg, në vitin 1988.



Topalli tha se komisioni ka propozuar që një rruge pranë Kuvendit t’i vihet emri i Pjetër Arbnorit

Arbnori, bust, edhe një rrugë do të marrë emrin e tij

TIRANË- Një rruge pranë Parlamentit do t’i vihet emri i ish-kryetarit të Kuvendit, Pjetër Arbnori dhe paralelisht kanë filluar përgatitjet edhe për ngritjen e një busti të tij. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në cilësinë e drejtueses së Komisionit për Organizimin e Ceremonisë Mortore të Varrimit të ish-kryetarit të Kuvendit, deklaroi dje se është propozuar që një rruge pranë Parlamentit t'i vihet emri i Pjetër Arbnorit. Në përfundim të homazheve të zhvilluara dje në sallën e seancave plenare, ku ishte vendosur trupi i ish-kryetarit të Kuvendit, Pjetër Arbnori, i ndarë dy ditë më parë nga jeta, Topalli tha se komisioni që ajo drejton ka propozuar që një rruge pranë Parlamentit t'i vihet emri i Pjetër Arbnorit. Po ashtu, sipas saj, do të sigurohet një fond për ngritjen e një busti të tij. “Kjo që ne mund t'i bëjmë, në fakt, është pak, krahasuar me vuajtjet e tij, me modelin e tij, si politikani më tolerant që ka parë ndonjëherë Shqipëria, në këto 15 vjet", tha ajo. Kryetarja e Kuvendit shtoi se Parlamenti i dha lamtumirën e fundit Pjetër Arbnorit, deputetit, ndër të parët pas pluralizmit, të zgjedhur me votën e lirë, “kryeparlamentarit të parë të pluralizmit shqiptar, logos së rezistencës shqiptare, njeriut që diti sa të buzëqeshte, aq edhe të qëndronte për vlerat e mëdha". Topalli, e shoqëruar dhe nga dy nënkryetarët e Kuvendit, Fatos Beja dhe Ylli Bufi, nga zëvendëskryeministri Ilir Rusmali, kryetarët e grupeve parlamentare të PD-së dhe PS-së, Bamir Topi dhe Pandeli Majko, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, nderuan dje përmes kurorave me lule kujtimin e Pjetër Arbnorit gjatë homazheve që u zhvilluan në kujtim të tij në sallën e seancave plenare. Deputeti i pesë legjislaturave, i cilësuar si “Mandela” shqiptare, Pjetër Arbnori, u nda nga jeta dy ditë më parë në një spital në Napoli të Italisë

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...