Nga Flori Bruqi
Ndonëse subjekti zhvillohet në atmosferën e turbullt të Shqipërisë së viteve ’20 të shekullit të kaluar, trazuar nga luftërat ballkanike dhe prania e ushtrive të huaja, në thelb romani “Koburja nga Evropa” është një roman psikologjik për fatin e gruas së izoluar dhe të parealizuar, e cila duke e pasur burrin prej vitesh në mërgim, një ditë përfundon në krahët e një ushtari italian që shërben në Himarë. Pikërisht pas kësaj ngjarjeje vjen tragjedia.
Dhimitër Anagnosti
Vorbulla e gjykimeve dhe paragjykimeve do të përfshijë familjet nën krushqi, fshatin, për të shkuar pastaj si kumt i mbushur me stisje imagjinare deri në qytetin evropian të Lionit (Francë), ku punojnë e robtohen burri dhe vëllai i kësaj gruaje fatkeqe, të dy miq dhe shokë të ngushtë. Dhe “nyjen” do e marrë përsipër ta zgjidhë jo burri i gruas, por vëllai i motrës. Ai, edhe pse e ka njohur modelin europian të sjelljes dhe bashkëjetesës, edhe pse e ka shkelur edhe vetë besnikërinë bashkëshortore, do ta ndëshkojë motrën në stilin tradicional shqiptar.
Studiuesja e letërsisë Floresha Dado shprehet se “Dhimitër Anagnosti shfaqet si mjeshtër i përshkrimit të shpirtit, ose më mirë të instinktit njerëzor, të atij pushteti misterioz që shpesh e tërheq njeriun atje ku ai vetë e kupton se nuk duhet të shkojë. Qasjet frojdiane mund t’i japin shpjegim dialogut të brendshëm, të çoroditur, marrëdhënieve të dhimbshme me të pamoralshmen të personazhit kryesor, Lenës së bukur, por fatzezë”.
Me tej Dado thekson se, jo vetëm subjekti e bën tërheqës romanin e Anagnostit, por sipas saj “Ajo çka e bën të rrjedhë, të gurgullojë stilin rrëfimtar është edhe fakti tjetër: krahas rrëfimit të drejtpërdrejtë, si dhe pleksjes së tij me përroin e rrëmbyer, që trondit së brendshmi personazhin, vijnë, në ndonjë moment, edhe notat e një lirizmi poetik si jehonë e lirikës popullore mbi bukurinë e femrës”.
Gjatë promovimit shkrimtari Nasho Jorgaqi dhe studiuesi Shaban Sinani janë shprehur edhe rreth faktit se romani “Koburja nga Evropa” mund të ngjallë shumë diskutime lidhur me boshtin kuptimor të tij: a është ai një roman për dramën që solli kurbeti në jetën e shqiptarëve, dje, apo dhe sot? Apo filozofia është më e thellë, lidhur me pushtetin e instinktit mbi vetëdijen e njeriut, në situata specifike? Florehsa Dado shrehte kontretisht rreth ketyre diksutimeve se “Lexuesi është i lirë ta përjetojë si t’i vijë.
Letërsia e vërtetë, që nuk e ka vlerën thjesht tek volumi, por te filozofia që përcjell në mënyrë metaforike, ka aftësinë ta fusë atë në kurth. Sido që ta përjetojë, lexuesi ka të drejtë. Shkrimtari e hap veprën pikërisht për ta futur atë në kurthin e vet. Ky është emocioni i vërtetë artistik, që Dhimitër Anagnosti e sjell befasishëm në prozën e sotme”.
Regjisori Anagonsti, këtë herë si shkrimtar me ngjarjet e këtij romani duket se kërkon të evidentojë më tepër brishtësinë e qenies njerëzore që mund të thyhet për arsye më të thella që lidhen me dilemat dhe motivet bazë jetësore dhe jo me faktorë të jashtëm.
Regjisori i njohur, Dhimitër Anagnosti, gjatë karrirës së tij është vlerësuar me titujt më të lartë, “Artist i Popullit” në vitin 1987 dhe “Nderi i Kombit” më vonë për kontribute në kulturën shqiptare, veçanërisht në kinematografi. Ndërkohë krijimtaria e tij artistike si skenarist e regjisor është vlerësuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kush është Dhimitër Anagnosti :
Dhimitër Anagnosti është regjisori shqiptar më i rëndësishëm i shekullit të kaluar, ka lindur në Vuno të rrethit të Vlorës më 23 janar 1936. Mbaroi shkollën e mesme "Ali Demi" në Vlorë, ku u dallua për prirjet e tij për letërsi. Studimet e larta i kreu me nota të shkëlqyera në Institutin Kinematografik "VGIK" të Moskës, ku u diplomua për kinooperator. Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin "Njeriu kurrë nuk vdes", një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematgorafike, që u zhvillua në Holandë më 1961.
Filloi punë si operator në Kinostudion "Shqipëria e re" në 1961, me filmin "Debatik" (1961) e më pas me filmin "Toka jonë" (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra "Gurët dekorativë". Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën , "Komisari i dritës" dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin "Dueli i heshtur". Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Anagnosti është njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajo qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.
Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 pril 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën "Fan Noli", duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë. Në vitin 2001 shkroi dhe vuri në skenë në TK dramën e vetme "Nata e trokitjeve në xham". Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit "Gjoleka, djali i Abazit", film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali. Regjisori është i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti.
Veprat artistike
Ai është autor i shumë filmave shqip:
Gjoleka i biri i Abazit (2006) (English: Father and Godfather)
Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989) (English: Return of the Dead Army)
Përrallë nga e kaluara (1987) (English: Tale from the Past)
Gurët e shtëpisë sime (1985) (English: Stones of my House)
Kujtime nga Gjirokastra (1983) (English: Memories from Gjirokaster)
Vëllezër dhe shokë (1982) (English: Brothers and Friends)
Në shtepinë tonë (1979) (English: In our Home)
Monumenti (film)|Monumenti (1977) (English: The Monument)
Lulëkuqet mbi mure (1976) (English: Poppies on Walls)
Kur hiqen maskat (1975) (English: When Masks are Taken Away)
Cuca e maleve (1974) (English: The Girl of the Mountains)
Përjetërsi (1974) (English: Foreverness)
Motive nga dita e diel (1973) (English: Motives from a Sunday)
Malet me blerim mbuluar (1971) (English: Mountains of Green Filled)
Parafabrikatet (1970) (English: Parafabrics)
Plagë të vjetra (1968) (English: Old Wounds)
Duel i heshtur (1967) (English: Silent Duel)
Komisari i dritës (1966) (English: Commissary of the Light)
Njeriu kurrë nuk vdes (1961) (English: The Man Never Dies)
Referenca:
"Dhimiter Anagnosti". Retrieved 15 July 2010
Sejko, Roland (26 January 2009). "Dhimitër Anagnosti, the cinema as a conscience". L'Albanese d'Italia (in Albanian). Retrieved 20 July 2010.
Bamir Topi, Dhmimiter Anagnosti. Dhimiter Anagnosti, "Nderi i Kombit" - Vizion Plus - News - Lajme [Dhimiter Anagnosti, "Honor of the Nation" - Vizion Plus - News] (YouTube) (in Albanian). Vizion+ TV. Retrieved 9.10.13.
PEÇI, Admirina, Tirana në vitet '14 - '80 Shfaqen filmimet e rralla [Tirana in the years '14-'80, the rare registrations are shown] (in Albanian), Shqiptarja.com, retrieved 9.10.13, Regjisori i shquar Dhimitër Anagnosti “Nder i Kombit” ka në karrierën e tij shumë pak filma dokumentarë... [The distinguished director Dhimiter Anagnosti, Honor of the Nation, has a few documentary films in his career...]
"Dhimiter ANAGNOSTI, Awards & Prizes". Albania Art Institute. Retrieved 20 July 2010.
Biberaj, Elez (1999). Albania in Transition: The Rocky Road to Democracy. Westview Press. p. 177. ISBN 0-8133-3688-0. Retrieved 2010-07-15.
Vickers, Miranda; Pettifer, James. Albania: from anarchy to a Balkan identity. p. 262. ISBN 0-8147-8805-X. Retrieved 2010-07-15.
"Fan Noli Foundation" (in English and Albanian). Retrieved 15 July 2010.
"Father and Godfather". Retrieved 15 July 2010.