2015-06-06

Lamtumirë Ermal, lamtumirë dhëndër i bukur në Parajsë

  Nga Keze Kozeta Zylo
 

 
Familja e tij po përgatitej për ta bërë dhëndër të bukur, por ai iku dhëndër gjithë nur në parajsë. 
 
     Komuniteti shqiptar këto ditë në Staten IslandNew York dhe më gjerë u hidhërua pamasë nga lajmi tronditës i ikjes papritur nga kjo botë të të riut 27 vjeçar
Ermal Agim Zylaj. 
Ermal Zylaj ndërroi jetë befasisht, më 29 Maj, në muajin e trëndafilave, me aromë elbasanase në vendin ku u lind dhe u rrit, duke lënë pas në pikëllim prindërit e tij
Agim dhe Shkëndije Zylaj, vëllain e vetëm Eraldin si dhe të fejuarën e tij Greta Gjecin.
Ëndrrat e tij të bukura, rinore u prenë mjerisht në mes. 
Këto lajme të hidhura shokojnë të madh e të vogël kur e dëgjon, jo më ke kur ke lidhje gjaku dhe papritur përfshihesh si në një skenë drame shekspiriane, duke dëgjuar një lajm tragjik që nuk e rrok qiell e tokë. 
Personalisht më ngarkuan për të mbajtur eulogjinë, ishte një barrë e rëndë, e rëndë sa një mal për të folur në varrim, por krenare që mbaja mbiemrin Zylaj, mbiemrin e gjakut dhe të gjyshit të tij, Elmazit, që e donte aq shumë, dhe u detyrova shpirtërisht ta bëja këtë për ERMALIN, sepse meritonte të shkonte në qiell me nderimet më të larta nga të gjithë ne që e rrethuan, dhe të gjithë ne u bëmë të fortë dhe me kurajo për të përcjellë princin e bukur lart në qiell! 
Të gjithë njerëzit që e dëgjuan gjëmën erdhën si rrufe dhe u dogjën nga dhimbja shkrumbuese e ikjes së Tij papritur.
             Dita e mërkurë, dita e varrimit ishte një ditë zie, një ditë e rëndë nga se gjithë komuniteti të njohur dhe të panjohur kush e dëgjoi këtë gjëmë u hidhëruan pamasë nga lajmi tronditës i ikjes papritur nga kjo botë të të riut 27 vjeçar Ermal Agim Zylaj. 
Ai ndërroi jetë befasisht, më 29 Maj, në muajin më të bukur të vitit, në muajin e trëndafilave me aromë elbasanase, vendin në të cilin u lind dhe u rrit.
            Ermali në çdo shkollë që ka qenë qysh nga fillorja dhe deri në Universitet ka mbaruar shkëlqyeshëm çka të bënte të ndiheshe tejet krenar jo vetem si fis, por dhe si shqiptare.  Ai mbaroi studimet për shkencë, bio-kimi në Long Island University një universitet i mirënjohur dhe është nderuar për rezultatet e shkëlqyera në këtë universitet, ose siç quhet ndryshe këtu në Amerikë, ka qenë në "Honor program". 
            Mbas studimeve Ai punoi si mësues bio-kimie në një shkollë amerikane për pak vjet në qytentin historik te Lezhës. Atje u fejua me nje vajzë të bukur shqiptare, Gretën që tashmë është midis nesh, e cila erdhi ditën e dielë nga Shqipëria për t'i dhënë lamtumirën bashkëshortit të saj të shtrenjtë Ermalit.  Ermali kishte përvojë pune gjithashtu në farmaci si dhe vullnetar në spital duke ndihmuar të sëmurët dhe njerëzit në nevojë. 
Ai punoi për EMT, si teknik mjekësor i emergjencës ku jepte ndihmën e shpejtë për të sëmurët.  Kohët e fundit po punonte si menaxher në Metro PCS store në Brooklyn dhe po kërkonte të vazhdonte karierën e tij për të punuar në laborator kimik, farmaceutik për të cilën kishte mbaruar universitetin dhe donte ta ushtronte profesionin e tij. 
Ermali njihte dhe fliste rrjedhshëm disa gjuhë si: shqipen, anglishten dhe spanjishten.  Në këto rrethana të vështira dhe traumatike për familjen dhe fisin dhimbja për ikjen e tij shumëfishohet, veçanërisht ajo bëhet me përmasa më tragjike kur ndodh larg Atdheut, larg njerëzve të afërm të shpirtit dhe të zemrës. 
Duke u ndodhur përballë këtyre situatave njerëzit në këto vështirësi afrohen dhe më shumë dhe ju ndodhen pranë familjes ku ka ndodhur gjëma. 
            Ishte tejet tronditëse kur shikoje lotët e nënës së Ermalit, Shkëndijes, që rridhnin si llavë e nxehtë nga shpitri i saj i përvëluar.  Familja e tij po përgatitej për ta bërë dhëndër të bukur, por ai iku dhëndër gjithë nur në parajsë.  Nusja e tij shqiptare Greta erdhi nga Shqipëria e shoqëruar nga halla e Ermalit, Shpresa, e cila ishte ngarkuar me një peshë të rëndë dhimbjeje sa mali, peshën e dhimbjes për nipin, dhe peshën e dhimbjes për nusen për ta sjellë pranë të dashurit të zemrës, por Shpresa, një mësuese veterane diti ta përballojë si një grua kurajoze dhe i jepte vehtes dhe asaj forcë për këtë gjëmë që i pushtoi. 
            Ardhja e nuses ishte kujë, ishte lot i papushuar ishte si natyra që ka kaq ditë që derdh pikëllimin e saj, e cila duket sikur po merr pjesë në këtë hidhërim të madh. 
Ermali ishte nje djalë i shoqërueshëm, inteligjent, i edukuar, i dashur.
Ai ishte një djalë shumë simpatik, i bukur si drita, Zoti kishte derdhur pakursim bukurinë për Të.  Ermali kishte plot ëndrra të bukura për Gretën, familjen dhe të ardhmen.  Nusja e Ermalit pritej të vinte në këtë muaj, në datën 5 qershor me bashkim familjar, por fatkeqësisht ajo erdhi pak ditë para kohe për t'i dhënë lamtumirën në vend të kurorës...
            Njerëzit erdhën grupe-grupe për të ngushëlluar dhe për të qenë sa më afër familjes që u ndodhën aty, hallave të shtrenjta Dritës dhe Shpresës, dy prindërve intelektualë, ish mësuesëve të nderuar elbasanas, Agimit dhe Shkendijes si dhe vëllait të tij të shtrenjtë Dr.farmacist Erald Zylaj, të cilët humbën djalin dhe vëllain e tyre të vogël, djalin dhe vëllain që e donin aq shumë.
            Shërbimet u kryen në "A.Azzara" Funeral Home dhe prej andej trupi i tij u përcoll me dhimbje të madhe e lot në sy për në varrezat "Oceanview Cemetery", Staten Island, New York, atje ku prehen dhe shumë bashkatdhetarë të tjerë. 
 
Lamtumirë Ermal
 
Ti ike pranë yjeve,
Lart në qiell si princ,
Ndërsa poshtë oqeani çmendet dhe fryhet,
Nga lotët e dhimbjes për Ty duke ngritur dallgë mali
Dora e nuses si dorëzonjë të parfumosi lulen e bardhë në kostum,
Atë kostum që ta veshën prindërit e pikëlluar,
Dhe me krehër të argjendtë të krehën flokët,
Si aureolë degëz yjesh,
Duke të dërguar dhëndër gjithë nur në Parajsë.
Loti i borëbardhës që ra nga syri i saj si tingull funebre,
U bë unazë martese në gisht,
Si unazë kujtimi përjetësisht.
Porta e Parajsës të priti krah hapur,
Mundet t’i jesh dashur për t’i sjellë dashuri rinore,
Dashuri të pastër me sy ëngjëjsh qiellor, si ty i bukuri Ermal.
Fli Ermal, fli i qetë, fli me yjet lart në qiell,
Që kanë vetëm ndriçim,
Dhe prej andej derdh dashurinë tënde si lule zjarri,
Merr kitarën qiellore dhe me rrezet e yjeve si pentagram,
Ndriço dhe shëro nënën dhe babain tënd që të deshën aq shumë!
 
T’U PREHTË SHPIRTI NË PAQE!  LAMTUMIRË ERMAL!
LAMTUMIRË DHËNDËR I BUKUR NË PARAJSË!
 
3 qershor, 2015

Staten IslandNew York

Cubat, Lahuta e Malcis



Lahuta e Malcis, Cubat
Ty, o Zot, të kjoshim falë,
Se shum nana met pa djalë,
Se shum gjaku vojt rrkajë,
Shum u bâ gjama edhè va'i
N'at Maltzi - e në Shqypnië,
Kuer qaj Knjazi i Malitzi
Pat dyndë top, pat dyndë ushtrië,
Per me dalë n'Plavë e Gusië,
Per me shkelë Lekë e Malcië,
Edhè Shkodren m'e pushtue,
Keqas dhèn aj kshtû tue lndue,
Se shqyptarët s'po ishin kênë msue
Rob me ndéjë nen themer t'huej,
Pagë e t'dheta me i laë kujë!
Jo, po, rob sbâhet Shqyptari,
Pse atij fjalë i lanka i Pari,
Fjalë i lanka - fjalë t'vertetë,
Do e sido m'e shkue ket jetë.
Dikû mathë, po dikû zbathë,
Dikû ngranë, dikû pa ngranë,
Veç se lirë m'e shkue aj motin,
Mbi vedi tue njoftë por Zotin,
E kurrkujë n'kto troje t'veta,
Mos me i bâ kurr "tungjatjeta".
Prandej, kuer na doli zani,
Se ushtrien Knjazi gati e bani,
Per me msŷe ktej kahë Malcija,
Kahë kjo Plava e kahë Gusija,
Trup në kamë kà bâ Shqypnija;
Mirë kà lidhë nji besë të Zotit,
Kà rrokë armët ajo si motit,
E gjatë Cemit, m'atà curra,
Tue luftue burrat me burra,
- Po kisht' burra edhè n' Maltzi -
Të tanë botës kà bâ dishmië,
Se ajo gjallë s'i shtrohej kujë,
Se rob s'rrite nen kamë t'hujë.
E kje at herë qi pika e djalit
- Ku kjenë zgjedhë sokola malit
Nder Shqyptarë edhe nder Shkjè -
Sharruen mrendë e men'mbi dhè
Mish per shpêz e kaçabeta,
Pa kjà m'ta as nanat e veta.
Por, Zot pse qaj Knjaz Nikolla,
Tue kênë m'kamë Mbreti e Stambolla,
Asht lshue gaperr m'vende t'ona,
Kû si heret si n'e vona
Kà rritë nana - djelm si Zana? -
Pse Nikolla i Malitzi
Asht lshue gaperr mbi Shqypnië
Nuk âsht, besa, asnji habië;
Pse n'ket jetë, mâ t'shumen nieri
M'gjâ t'huej lshon hiri e pa hiri
Kuer mos t'kèt dangall e mgoje,
M'cak lakmiën qi t'ja pengoje.
Veç ti pvet, ka' i erdh kjo zêmer
Knjaz Nokollës, qi sod nên thêmer
Rob Shqyptarët po do me i shtrue,
Edhe'at tokë aj me pushtue,
Per të cillen vetoj motit
Shpata-rrfè Gjergj Kastriotit?
Zêmra i ardhka prej Moskovit!
N'Petrograd Cari i Moskovit
Nji bè t'madhe po kisht' bâ,
Me e ndië plak kalamâ:
Se aj natë t'madhe s'do t'kremtote,
Se aj kumarë as krushk s'do t'shkote,
Gostë as darsëm nuk do t'ngrifte,
S'do t'u late as do tu krifte,
As do t'dilte n'log t'kuvendit,
Per pa i hîë Stambollës permrendit,
Per pa i kcye mbî post të Mbretit,
Me u bâ zot i tokës e i detit
Edhè Europës tregun m'ja prè,
Mos m'e lânë me shitë, me blè,
Mos m'e lânë me çilë kund punë,
Por me bâ qi ajo perdhunë,
Per me çue 'i grimë bukë të shpija,
Rob të ngelte n'kthetra t'tija:
N'ato kthetra me gjak zhye,
Msue gjithmonë n'gjâ t'huej me rmye.
Por, pse ishte' i skile e vjeter,
Si per fjalë ashtû per leter,
Mos m'ju gjetë kund nji shoq tjeter,
Aj po e dite mirë e hollë,
Se isht' do punë me hîe n'Stamollë,
Se edhè Turku, mendje, s'thehej
Ashtû letë, si ati' i pelqehej,
Prandej zên aj me trillue,
M'shpinë Shkjeniën Turkut m'ja lshue
M'ja lshue m'shpinë Shkjèt e Ballkanit,
Qi me i qitë kta punë Sulltanit,
Me i qitë punë kta i herë mâ para
Me trazime e punë t'pamara
E mandej vetë prej Rusijet,
- Si harusha prej pusijet -
Me i rà Turkut fulikare,
M'e zhbîë m'vend, me qitun fare,
Per pa bâ me mend pleqnië,
Se me at pune botën unjië
Mujte, ndoshta, m'e pshtjellë n'zi ...
Kuer ket punë e kà pleqnue,
Kà marrë trimi e n'odë kà shkue,
Kà ndêjë m'tryezë e âsht vûe me shkrue,
Me u shkrue miqve kahë Serbija,
Kahë Zagrebi e kahë Sofija,
Me lidhë besen shkaf âsht Shkjà
Mbi Baltik m'Çanak - Kalà;
Edhè, tok kta ndermjet vetit,
Mos m'ja dà të keqen Mbretit;
Por m'e nzitë - por m'e merzitë,
M'ju vardisë si 'i ditë per ditë,
Herë per shtek, herë per kufî,
Tash me peng, tash me pleqnie,
Por gjithmonë, po, pa kanû,
Veç si t'mujnë n'teposhtë m'e vû.
Masandej, ky zogu i Shkinës,
Merr e i shkruen Knjazit t'Cetinës,
Merr e 'i leter ja angllatisë,
Me dredhië tue ja qendisë:
- Ti, qi jè qaj Knjaz Nikolla,
Falmeshndet Cari i Rusiës.
Se un zâ t'madh per ty kam ndië,
Qi jè trim e gerzhelië,
Qi jè burrë e kuvendtàr,
Me t'a drashtë hijen anmiku.
Por, me gjasë, kjo fjalët s'isht' gjâ;
Pse, qe, ti m'at gúr Cetine
Më kè ndêjë me 'i gjymsë opange,
E jè bâ, po, gazi i dheut,
Tue merzitë miq e kumarë,
Veç e per bukë thatë në gojë.
Mje sa Turku, per brîë tejet,
Dredhun çallimen m'vetull sŷnit,
Derdhë shallvarët aj pola-pola,
Rrin e bân kokrren e pallës,
E as m'e pà ti smund t'a shofish
Per mbas kodërs së pilafit ...
Po a, thue, t'la ty kama e dora,
A se njitë jè, ndoshta, n'rrogë,
Jo se hîë ke búlk n'e huejen,
Qi s'po ndihesh kund per s'gjalli?
Mo', bre burrë, se nuk ka hije,
Urtë me ndêjë cubi i Cetinës,
Edhè n'shpië me shkue aj motin,
Tuj u ndeshë nper furka t'gravet! ...
Po a s't'a mushë sŷnin Shqypnija
Me ato male të madhnueshme,
Me ato fusha të blerueshme,
Qi kurrkund s'jè ka orvate,
Me ja shkye 'i skundil per vedi? ...
M'tê, krahthatë, e mos rri fjetun!
Pse, pa lujtë ti kamë e dorë
S't'nihmon Zot as i Shen Nkollë:
Por, ti luej - nafaka luej,
Kà pasë thânë aj burri i huej.
Sà per bukë e per fyshek,
Piqu m'mue, se t'i qes vetë:
Edhè vêne ksulen m'sŷ,
Se të nget Mbreti i Stambollës,
Pse s'e lâ me t'prekë me pupel. -
Letren kshtû Cari e kà shkrue,
Edhe mirë e kà palue;
E kà mbyllë me dyll të zi;
Ja kà dhânë kasnecit t'ri,
Me ja çue Knjazit t'Malitzi.
Letren n'gji kà qitë kasneci:
Kà thekë kamët aj sa mund heci:
Kà lânë mbrapa fushë e zalle,
Kapercye kà bjeshkë e male,
Edhè dalë ka lum e shè:
Ka shtegtue per ujë e dhè,
Dèr qi 'i ditë, tue marrun dielli,
Në Cetinë kà behë aj filli,
- Shtjerrë opangat, grisun setren -
Knjazit n'dorë kû kà dhanë letren,
Me dyll Carit si e kisht' mshilë.
Kà marrë Knjazi edh' e kà çilë,
E kà çilë edh' e ka kndue,
Trië herë rresht aj e kà kndue,
Trië dit rresht edh' asht mendue,
Masandej aj fjalë kà çue
Njatij Vulo Radoviqit,
Qi me dalë me rà n'Cetinë,
Pa kqyrë shtek, pa kqyrun stinë -
Me flutrue si gjeraçinë,
Per me u pjekë të "Gospodari".
Njiky Vuloja serdari
Kishte kênë nji trim i çartun,
M'e pasë randë toka m'e bartun.
Pa tê prè kund s'ishte marrë,
Pa fjalè t'tij ngarkue s'isht barrè,
Pague s'ishte varrë as gjak,
S'kishte vûe nuse n'duvak,
As isht' dà gjŷgj a pleqnië,
Pse edhè turku i Malitzi
Po e kisht' pasû shqype mbi krye,
Mos me e lânë me e pà me sye:
- Se edhè 'i pûnâ ky zogu i Shkinës
Po e kisht' bâ m'at udhë t'Cetinës.
Paska marrë e shî në rrugë
Per terthuer vûeka nji strugë,
Edhè i çueka fjalë terthores,
Qi shka âsht turk i Cernogores,
Mos me mujtë me shkapercye,
Per pa là 'i dukat per krye -
Bre kisht' kênë edhe 'i farë burri,
Larg e larg me i dajtun turri.
Ftyra e tij, porsi duhija;
Sŷni i tij, tanë zjarm e shkndija;
Vetlla, trashë, ngerthye kulàr,
Porsi lesh derrit bugàr;
Vesh e m'vesh dega e mustakut,
Si dy korba lidhë per lakut;
Edhè i mrrîjte kryet më trà:
Burrë i atilkë me sŷ me u pà.
Veshë e mathë e m'armë shterngue,
Kishe thânë se asht lè drague.
Kë ê Knjazi fort e dote,
Fort e dote - edhè e ndigjote;
Pse edhè i urtë aj kishte ndollë.
Me ja prè mendja kaq hollë.
Prandej Knjazi i çueka fjalë
Në Cetinë per ngut me dalë.
Edhè Vulja bjen m'Cetinë,
Pa kqyrë shtek, pa kqyrun stinë -
Tue fluturue si gjeraçinë.
N'at Cetinë kuer Vulja zbriti,
Atê Knjazi mirë e priti,
Mirë e priti - e n'odë e qiti,
I qiti duhan e kafe,
Edhè nisi kshtû t'bajë llafe:
- Kû jè, Vulë, eh kopilane!
Se ti ujk, po, nè na u bane,
Ke s'po duke kahe Cetina,
Ku kè miq e pobratina,
Qi s'të ndrrojnë me sŷ të ballit? ...
Po a kè mujtë? ... a kè far hallit? ...
Si po t'shkon n'Vasoviq moti? -
- Per jetë t'ande! ... si do Zoti,
Zên e i thotë Vulo serdari:
Pse sivjet, lum "Gospodari",
Nuk kà pasë toka valigë,
E ka ardhë nji kohë e ligë,
Sa nuk dië si ka m'ju bâ,
Per me pshtue do rob e gjâ,
Pse edhè buka âsht tuj na lâne. -
- Hajt, eh qê! Knjazi i kà thânë ...
Se s'po gjênë cubi me ngranë ...
Se s'po gjênë skyferi mish ...
Se ti e xjerrë koren dyfish ...
Mjaft t'i bishë ndoj vendit prè,
Se po e bân me lopë e qè,
Sa me majtë njerzt e kujriës,
Jo se mâ gjinden e shpiës ...
Ndiej shka t'thotë ty "Gospodari":
Pshtiëlli bashkë njadisa cuba,
T'idhtë si gjarpni nder kaçuba,
T'letë e t'shpejtë si gjeraçina,
Edhè lshoj ti kahë Vranina,
Per me vrà e per me prè,
Per me djegun gúr e dhè,
Mrende tue vjedhë e tue plaçkitë,
Tue grabitë - e tue robitë,
N'daç me natë e n'daç me dritë,
Se un prandej të kam çue fjalë,
Dèr n'Cetinë nji herë me dalë;
Pse dishka mue tash m'ka kcye,
Prap me Turk me u kaperthye,
Prap me Turk, po, na me u vrà:
Pse edhe as hije, tham, nuk kà,
Urtë me ndejun Turk e Shkjà. -
E kështû tue ligjirue,
Krye më krye tue bisedue,
Hollë e gjatë e kà qortue,
Si me u sjellë e si me e prûe,
Per m'e là Vraninen n'gjak.
E si vesht jânë marrë me fjalë,
Knjazi m'bukë até e kà ndalë,
Edhè falë i kà do pare
E i kà falë nji "xheverdare",
Krej n'argjan kandakut ngrië,
Mos m'ju gjetë shoqja n'Maltizi:
M'e drashtë vjerrun në sergjië,
Jo mâ m'krah të nji luftarit,
Jo mâ m'krah t'Vulo Serdarit,
Qi isht' me brè hekur me dhamë.
At herë Vulja âsht çue në kamë;
Kà bâ Knjazit "tungjatjeta",
Edh' âsht nis malit perpjeta,
Udhës me mend aj tuj perblue,
Si Vraninen me shkretnue,
He! atà Zoti i pasët marrue!

Koha e Re, Lahuta e Malcis



Lahuta e Malcis, Koha e Re
Hej, moj Zânë, tý t’kjosha true,
Si s’po t’bje nder mend per mue,
Punë të hershme me m’kumtue;
Kangë e valle me m’fillue;
Por më rrin tue fluturue
Mollë më mollë e ftue më ftue
Me ato shoqe tue këndue,
Me ato shoqe tue vallzue -
Tue vallzue - e tue lodrue
Nper ledina - e nper rudina,
Np’r ata brej, aha e çetina,
Kû bân çerdhen gjeraçina.
Bulon molla e lulzon thâna
E prîjn valle Orë e Zâna
Neper rreze qi lshon hana.
Ardhun shtatit si "breshana",
Rreze diellit dora e lana,
Ftyra shtrue n’fletë t’drandofillit,
Kama matë per gjeth të lilit,
Shartue zâni m’zâ t’bylbylit,
Dishka borë e dishka brymë
Si njaj hylli me ferfllimë:
Mori sumlla sumullore,
Mori dardha dimënore,
Si t’shkoi moti kangë e valle -
Kangë e valle - e zanamare
Tash mbas flutrash neper zalle
Tash mbas lulesh nper livadhe
Herë ndiq sutat neper curra,
Zhytu e mbytu neper gurra
Ngallit shoqet n’shtiqe t’vshtira
Sí, perzèt, ty t’raftë e mira -
T’ raftë e mira si t’ká rá,
Bjeshkë e vrrî qi m’ké shkelqá!
A din shka moj gerxhelí,
Mori rrezja nper frangí:
Se mue kripit m’i rá bora
Se kah m’ lên âsht kama e dora,
Se edhè as vonë, tham, s’ká me shkue,
N’jetë pertej un pa u kalue,
Prej kah s’lânë kend me u kthye dalë...
Prandej ndgjoma ktû nji fjalë:
Lêni sod, moj Shtozovallet,
Lêni flutrat t’marrin zallet,
Lêni sutat t’marrin malet:
Shporru vjollcash edhe lilash,
Shporru gurrash e çurrilash
- Se, perzèt, kshtû, moj petritë,
Tuj m’u lá, tuj m’u flladitë
Herë nper hanë e herë nper dritë
Drue po m’ngrîhesh akull–ó
Drue po fikë mue e vedin–ó -
Edhe lshou prej Dukagjinit,
Kû m’a shkon të cemtë e dimnit
Neper biga e lvore blinit,
E fluturim neper ajrí,
Si njaj hylli qi shkëndí
Shkrepë prej mramjet neper eter,
Behma ktû n’ket Lissus t’vjeter,
Kû, larg zhurmet e poteret,
Dola edh’ un n’ket buzë Prandveret,
Per me kndue m’Lahutë t’Malcís,
Se si u end fati i Shqypnís,
Kúr pshtoi kthetrave t’Shkjenís
E duel zgjedhet të Turkís:
- Perendija si e kisht’ shkrue -
E zojë m’vedi edhè u ndertue,
Mbas sa gjakut qi pat dkue;
Pse kaq njerzit po i’n të kqí,
Sa qi askund m’ket shekull t’zí
Pá shkue gjaku ví e ví,
Nuk po gzohej, jo, lirí.
Prandaj sod - tý t’kjosha falë! -
Morì e Mira rritë në halë,
Dèr në Lissus ti me m’dalë,
Per me m’vû kangen per fille,
E tue m’ndritë menden me kshille,
E tue m’majtë mbrenda hullís
Së burrnís - e t’bujarís,
T’bâjsh qi fjala - e butë herherë
Si njaj flladi në Prandverë:
Tash e fortë, e rrebtë, dermuese,
Si duhija shungulluese -
T’m’ rrjedhë e marë e kund pa neje,
Qi t’rysë mendet, zemrat t’theje,
T’i reshë gjinden kah e mara,
Fén e Atdhén t’i lvisë perpara;
Pse, po m’u end kanga per s’marit,
Vonë e vonë fisi i Shqyptarit,
Manà, tý ká me t’urue,
Bjeshkë e vrrî me t’u lulzue,
Si don vetë moti me t’shkue:
Kangë nper hanë e kangë nper dritë.
Se edhe as ktû s’ké me u merzitë -
Me u merzitë jo cok nuk ké,
Ke në fllad t’ksajë stine t’ré,
N’jetë natyra tue shperthye,
Këtû gjên shka t’kande tý:
Vezullime - e xhixhillime,
Gurgullime - edhé blerime
Me lugina - e me kodrina
Me ledina - e me rudina,
Hije, kroje edhè çurrila,
Dejka, mjellme e n’shtek kojrrila,
Vjollca, lila - e karajfila
Drandofille në bubuqe,
Flutra t’larme e mollakuqe:
Kndo bylbylat nper filiza
Këcè dhijzit neper driza
Tue blegrua kingjat nper mriza,
Endë hardhija m’qeperiza,
Lulzon pjeshka e zerdelija,
Me u shêjë matet m’gem qershija
Bleron bungu e bleron vidhi
Shatorr fiku kokrrat lidhi
Njethet plepi bregut t’Drinit
Rahá t’mirë ep lulja e blinit
Kerset fyell e zanamare,
Ushtojn hijes kangë shqyptare:
Qiella kalter, toka blerë
Njeti dimen, ktû Prandverë:
Njimend stinë per Orë e Zana,
Me prî vallet tue ndritë hana
Mal e m’mal, rudinë m’rudinë.
Jo qi ktû, në ket krahinë,
Kû nper molla - gêmeholla,
Kû nper male - e mriza hale
E nper zalle - e nper hamalle
Shum po i kisht’ do Shtozovalle
Shoqe t’ua, qi po kndojshin -
Qi po kndojshin - e lodrojshin,
Larg e larg m’i u ndî jehona,
Bâne bén, si kah Valbona;
Se ky vend - se mbahet n’mend,
Po kisht’ kênun nji dervend -
Nji log Zanash m’nám e n’zâ,
Kû vigâ - e katallâ
- Edhè n’ kohë para se Iliri
Vend ktû zû Arbnori i biri -
Na i’ n ndeshë - na i’n shkelveshë,
Dikúr heret m’dhâmë tu ’u shkye,
Mâ vonë s’largu tuj u msý
Kush me zhgjetë - kush me baètë,
Njani m’mzdrak - tjetri m’ çomak,
E me lata - e me supata,
Me tagana e pushkë të gjata;
Edhè rán shakull per dhé,
Kush per Atme e kush per Fé,
Njani cub, tjetri dishmuer,
Kush gjaksuer - kush simahuer.
Se edhè ktû ti ké me pâ -
Ké me pá - po njat kalá,
Qi, m’nji koder titanike
Ngrefë mbi ledhe cyklopike,
Per trí mij e kusúr vjet
T’u kercnue ndêj, si shauret,
Mbí ç’do forca kundershtare,
Qi me mende grabitçare
Deshten ksajt me kalue ván.
Ké me ndî edhé si kján
Vala e Drinit prap n’ditë t’sotit
Per urë vorrit t’Gjergj Kastrijotit,
Shpata e t’cillit, dikúr motit,
Vezulloi m’hasem t’Shqypnís,
Si ajo rrfeja e Perendís.
Pse dikúr ktû edhè Berdyli
Me gjak hasemsh dhén kertyli,
E ajo Teuta mbretëneshë,
Vashë ilire sokoleshë,
Qi nuk dijte se shka â tuta,
Si ajo Shqypja skepekrruta,
Lshote hovin mbí Rromakë,
Pá dhimë Adrjen tue pergjakë.
Prap Kliniku ktû e Pleurati,
Hila, Agroni e Genci i ngrati
Kan jetue - e kan lulzue,
Mirë a keq atà tue psue,
Kush tue mbetë, kush tue fitue;
Se ktej Gali ka kalue,
Ktej Rromaku, po, âsht pershkue
Sllav e Turq ket truell t’bekue
Me agor t’vet e kan mnderue.
Prandej n’mbramjet tue rá hana
Mlidhen tubë Orë edhè Zâna,
Edhè kapen dora-dora
Dora-dora - bardhë si bora,
Ambel zânin tue dredhue,
Nisin vallen me këndue,
Tash si t’Parët na pa’n luftue
- Atà Ilirt e kohës s’shkue -
Tash idhtë fatin tue lotue
Të ksajë s'mjeres moj Shqypní,
Se si u pshtuell e mjera n’zí
Mbasi Turku mbrendë pat hî
- Turku, shplaka e randë e Zotit -
Per mbas deket t’Gjergj Kastrjotit.
E jehojn male - edhè zalle
N’ato kangë e n’ato valle.
Pra, po t’kapi tý merzija,
A se t’lodhen kangët e mija,
- Se pa tý, besa, moj Zanë,
Vshtirë se ‘i fjalë un mûj m’e thanë:
Fjalë qi t’jetë n’gojë per t’u zanë -
Ti po del naten nper hanë
A nper zheg, si t’kape zusha,
E n’daç malit, n’daç kahë fusha
Bâhe bashkë me shoqe t’ueja,
Edhé at herë me to ti thueje
Kangës e valles sa t'keshë n’krye,
Doradoras tue këcye,
Gjithsesi të kandet tý.
Por po deshte ti ndojhera
Me ndjekë suta, a me gjuejtë fjera,
Me ato shoqe ti, po, del
Nper Molung a se nper Vel;
Se atjè gjêni drêj e derra,
Molla, urtyta e mandaferra,
Mjaltë nder zgavrra, e gurra t’ngrîjta,
Mrize t’flladta e hije t’rîjta,
Me blegrime e me çokana,
Qi tý aq fort po t’ i kisht’ anda.
- Veç se shka, moj qifteli,
Me t’a vû due ‘i porosi
Per kúr t’dilni ju më Vel.
Kúr të dilni ju në Vel,
Per t’ a hasë kini nji shpellë
N’anë prej Rrêje, t’errtë e t’kthellë,
Me nji grykë porsi nji furrë,
Prej së cilles rrjedhë nji gurrë,
Sa me blue, po nji mullî:
Atý mbrendë ti mos me hî!
Asi uj’ ti, jo, atý me pí!
Pse n’at shpellë qaj Lleshi i Zi,
Nji i Gjomarkaj, Kefalí,
- Vesh e m’vesh mustaku i tij -
Nji natë gjamet e vetimet,
Me u dridhë toka prej bumllimet,
T’rrebtë kulshedren paska msý,
Edhè m’qafë i a ká merthye
Nji parë dana - t’gjata e t’randa,
Mirë nen allkë aj tue i ngujue,
Qi per t’gjallë me u shkapullue
Mos të mûjtte, edhè e branisë
Poshtë nper shpellë - n’do ujë të kthellë:
Edhè sod ndîhen tue krisë
Ato dana, sa herë t’luej
Shta’n kulshedra neper ujë;
Ke i kan mbetun ato dana
Vjerrë per qafë, porsi çokana
N’qafë t’nji skjapit brynatak.
Prandej shpesh rrjedhë gurra gjak
- Si shum kushi qi e ká pá -
Porsè danat, m’qafë tu’ e vrá,
S’i a lân varren me u perthá,
Qi i a çeli Lleshi i Zí,
Kúr i u turr nper at duhí.
Asì uj’ ti, jo, me pí!
Por as n’shpellë, jo, mbrendë me hî;
Pse atý sod, permbrenda shpellës,
Dájn orok Shtrigat e Kthellës
Me ato Shtrigat e Mirditës,
E me atò t’Zhubës e t’Selitës,
Kurdoherë duen me u bashkue,
Ndoj déll ujkut per t’fergue,
Qi me bâ ndokand gjytrým;
A me zí ndoj gjellë nper tým,
Per të lye me tê ndoj shpí,
Qi me i lshue dam e morí
Sí nder rob, si nder bagtí:
Mos me lânë me rritun fmí,
Tuj u ngranë zemrë e mushkní.
Kurrsesi ti mbrendë me hî;
Persè gjallë k’in me t’perpî.
E po bâni e t’ kcej dalldí
Bregut detit me u baritë,
Per me u lá, per me u flladitë,
Per n’mos daç kaluer me shkue
M’bedeví qi kem’ n’katue
- Bishtalec kripin trimnue -
Janë pulbardhat neper Drî,
Bardh si bora n’Haramí,
M’shpinë ndonjanes ké me i kcye...
Por, aman, týe t’kjosha true,
Per qafë t’sajë mirë me u shterngue...
Se ti jé nji rreze drite,
S’të ká randë pulbardha týe,
E mbi tê mandej vozite
Rrjedhes s’Drinit dér në dét.
Kúr të dalish n’ atê dét,
Atý bregut ké me pá
Floçka e Kshteza ndêjë n’shullâ,
Tuj u krefë, tuj u bubitë,
Shoqja shoqen tue ngallitë
Turr e vrap nper ranë të hjedhne,
Shkaterr flokët, rizat e zhdredhne,
Kmishat kapë me trîzë rreth vedit.
Se ato janë do grá të detit,
Qi, si ushujzat - e breshkujzat,
Po jetojshin n’ujë e m’ tokë,
E po flitshin si tue krrokë -
Si tue krrokë, si tue gervallë;
Por me pasë per t’i zânë gjallë
E me i mbajtë te shpija niri,
Me folë shqyp zêjshin mâ s’miri.
Se nji djalë, fisit t’Kelmendit,
Djalë i pushkës edhè i kuvendit,
- Si dishmí bâjn gjindja e vendit -
Shtatdhetë vjet mâ teper s'janë
Qi ‘i kso Floçkash paska zânë,
Edhè n’shpí e paska çue;
Kû ‘i herë shqyp atê e ká msue,
Mandej marrë e ká per grue,
Me tê bashkë kunorë tue vû.
Edhè u bâka shpijanike,
Tue rritë fmí, tue u majtë fisnike,
Me xhubletë e me shtjellak,
Si t’gjith shoqet n’at bajrak.
Veç se shka, binín e sajë
Létas nieri mund t’a dajë,
Ke i kan sýt si picigjatë
Edhè flasin per pá u matë;
Porsì me branisë zhamella
Ndokund malit neper shpella.
Edhè kshtû, nper hanë nper dritë
Tuj u argtue, s'ké me u merzitë,
E tý moti ká me t'shkue
Shend e verë, e tue galldue.
Qe Lahuta - jonebuta:
Nisja, Zânë - prá me i a thânë,
E un këndo e ti këndo,
Si kndon zogu i veres–ó.

Tef Palushi - Humor dhe barcaleta

Tef Palushi, Shtjefen Palushi

Tef Palushi


Ishte ulë Tefa në kafe dhe po pinte nji teke fernet. Në at çast hyn në kafe kontrolli shëndetsor dhe drejtohen te Tefa. Mbasi e përshëndesin Tefën, i thonë që t’u japë gotën.

- Posi jo – u thotë Tefa, dhe fap e ktheu pijen që ishte në gotë.

Ata të habitur nga veprimi i Tefës i thonë: Ne e kishim fjalën për pijen dhe jo për gotën. Dhe Tefa pa e prishë terezinë ju thotë:

- Më falni, më thatë për gotën, jo çka kishte në gotë!!

****

Futet Tefa në Kafe të Madhe, dhe i thotë banakierit mos kishte ndonji paketë “Partizani”.

- Pasha besën Tefë, asnji për bè, – ia ktheu banakieri Lin!

Ndërkohë vjen nji bukuroshe shkodrane, e njoftuna e Linit dhe nën zà i thotë:

- Lin, t’marrsha t’ligat nji “Partizan”, se e kam litarin n’fyt?

Lini ia ban me shenjë dhe i jep fshehtas dy paketa!

Tefa mbasi e pau krejt skenën i afrohet kamarjerit.

- Lin kam me të paditë, ke nisë me strehu edhe Partizan!

****

Shtjefën (Tef) Palushi e Paulin Selimi mbeten dy krijues të njoftun të humorit shkodran. Tefa ishte i shkurtë e i shtrembtë, Paulini i hollë e i gjatë ...

Si bashkëkrijues humori dhe shokë, ata shkonin e vinin shpesh për vizita te njeni-tjetri. Nji ditë, Paulini e merr Tefën në telefon, dhe i thotë se po kalonte andej kah shpija.

- Po mirë hajde! – ia kthen Tefa.

Mbas disa minutash, bien zilja e derës në shpinë e Tefës…

- Kush asht? – ndigjohet nji zà nga mbrenda.

- Unë Paulini jam, hape Tefë ...

- A ti Paulin je, futu nëpër plasë (çarë) të derës ... se të xen ... ia kthen nga mbrenda Tefa.

Mbas do ditësh, i njëjti rit përsëritet, po tash asht Tefa që i bie ziles në derën e shpisë së Paulinit.

- Kush asht? – pyet Paulini.

- Tefa jam, po hape derën ... pergjigjet Tefa

- Futu, nëpër birë të çilësit se po pritoj me u çu ... ia ktheu kusurin Paulini.

****

Pas një veprimtarie te revista “Hosteni”, Tefa dhe Kolec Pepa, humorist i njohur shkodran, mbërrijnë në hotel “Peza”. Si zakonisht, sportelisti u thotë se i kishte vendet e zëna. Pasi i premtuan një bakshish, sportelisti e “gjeti” dhomën.

- Kam një dhomë për fëmijë, pra, me krevate më të vegjël se të zakonshmit - i thotë sportelisti.

- Veç mos të ketë fëmijë aty, se nuk kena ça me i dhanë me pi - i përgjigjet Tefa.

****

Në Parrucë bahej varrimi i nji të vdekuni.

Tefa në shenjë nderimi kishte ndalu anash trotuarit. Në momentin që arkivoli po futej në makinë, para Tefës kalon nji shok i tij me biçikletë. Ky e shef Tefën që po kqyrte arkivolin që futesh në makinë dhe me të shpejtë i thotë:

- O Tefë, t’pafsha ty aty mbrendë (në makinën e vdekjes).

- T'lumtë goja, mirë e ke… Unë shofer… ti pasagjer!

****

Mbasi qe mërzitë prej komunizmit, Tefës i shkrep në mendja me u arratisë. Dhe niset e shkon në Zogajt ku ishte kufini, me shpresë të arratiset për në Mal të Zi. Po syni vigjilent i kufitarëve të kohës së Xhaxhit, pikas nji burrë shtrembaluq, që po i afrohej kufinit dhe mbasi e rrethojnë ushtarët e kapin dhe shohin se ishte Tefa, që e njifnin të gjithë. E marrin e hypin në një makinë dhe e nisin për në Shkodër. Kur mbërrijnë në Shkodër, policët e pyesin Tefën:

- Tefë, pse deshte me e thy kufinin?

- Po jo mor burra, as në mendje s’më ka shku, – ua kthen Tefa, – Po kisha mbetë në rrugë e s’dijsha si me u kthy në Shkodër. Atëherë thashë: A e din çka baj, ma mirë po i afrohem kufinit, ushtarët kanë me më kapë, e kanë me m’pru me makinë në Shkodër…!!

****

Nji ditë Tefë Palushi kishte marrë grepin dhe ishte ulë në lulishte dhe bante sikur gjuante
peshk. Kalonin njerëz dhe çuditeshin me Tefën.

Paska luejtë mendsh Tefa i shkretë! – thoshin

- Ça po ban mor Tefë? – e pyet njeni

- A s’e shef, po gjuej peshk!

- Hajt mor i marrë pijmë ka nji birrë, çfarë peshku n’lulishte! Dhe pinë nga nji birre e nji bërxollë. Mbarojnë dhe Tefa vazhdonte me grep në lulishte derisa erdh dikush tjetër edhe e pyet dhe u përsërit historia e nji birre mee bërxollë.

Kur kaloi nji i tretë dhe për me u tallë me Tefën i thotë:

- Hë mor Tefë, a t’ka ra ndonji peshk?

- Për njat zot, n’ma dhansh nji birrë, je i treti që ma han karremin! ia ktheu Tefa

****

Nji ditë Tefa shkon te Mapoja industriale me ble nji palë të mbathuna.

- Mirdita!

- Mirdita Tefë! Ça dëshiron me ble mor Tefë?

- M’duhen nji palë të mbathuna për vedi.
 Dhe shitësja menjiherë i vuni mbi banak nji palë të mbathuna numër i madh, dhe i thotë:

- Tefë, s’kam tjera veç kët numër kam!

Tefa ashtu i dobët e i vogël, i kqyr mbarë e mbrapsht të mbathmet dhe vendos me i marrë. Paguan paret, merr të mbathunat dhe niset me dalë. Kur…

- Tefë, Tefë ku po shkon?! Prit, se ke me marrë kusurin.


- Lene lene, kusurin ma jep b… – i thotë Tefa dhe tërheq derën.

****

Nji ditë vere, Tefa qe ulë te bordura para lulishtes “1 Maji” në Shkodër, nën hije të nji peme. Me dëshirën për me hy në muhabet po edhe për me e tallë pak, nji hetues, që kalonte me “Gaz” aty pari, i thotë humoristit shkodran:


- Ik prej aty mor Tefë, o hyp e t’çova në Degë.


- Unë mezi po rri në tokë, ti më thu me hypë në degë, – ia ktheu Tefa me humor.

****

E pyetën Tefën:

- O Tefë! Kush asht ma i gjati n’Shkodër…

- Unë, – tha Tefa, – pse a ka ma të gjatë se unë?

Ata që ishin rrotull ia dhanë gazit.

- Pse po qeshni – ju kthye Tefa – ba me u hekurosë dal dy metër!!

****

Shkon Tefa për drekë në nji restorant dhe porosit groshë. Kur kamarierja i sjell pjatën Tefa fut lugën në pjatë, e përzien langun dhe kur s’shef asnji kokërr groshe në pjatë i thotë kamarieres:

- Mos u largo se du me më ndihmue pak ...

- Me gjithë qejf – i thotë kamarierja ...

Dhe Tefa heq xhaketen ia le në dorë, heq këmishës dhe ia le në dorë dhe kur po bahej gati me heqë pantallonat… kamarierja e habitun e pyet:

- Ç’ka po ban mor Tefë, nuk asht as vapë”?

- Po zhytem n’lang t’groshës, se mos gjej ndoj kokërr”!

****

Kur e pyeti ish drejtori i kinema “Rozafatit” Dilaveri, Tefën:

- Pse tifoz i gjermanve qenke ti Tefë?

- Po pse me kë me u ba tifoz, me ty? Ti sa kje drejtor dogje kinema “Rozafatin”. Gjermanët kanë kalue nëpër Shkodër, e s’e kanë djegë nji jerevi!…”

****

Kishte raste që në tavolinën e Tefës uleshin shumë njerëz e që përfitonin edhe nga bujaria i tij dhe Tefa porosiste kujt një gotë, kujt nji kafe e në fund paguante ai. Po shpejt e kuptoi që disa nga këta ishin tipa i binin qylit. Nji mbramje shkon te tavolina e tyne dhe priti si do të silleshin ata. Asnjeni s’porositi. Pinin veç cigare dhe prisnin të porosiste Tefa. Edhe Tefa ndejti në lojën e tyne tuj pi cigare pa porositë asgja, veç tymoste duhan. Dikur, u mërzit, u çu nga vendi dhe ju thotë miqve të tavolinës:

- Ma bashi natën e mirë, e m’kallzoni kur po mblidhna herës tjetër me pi cigare?!

****
Tefa ishte në Tiranë me grupin e delegatëve shkodranë në Kongresin e Shkrimtarëve dhe Artistave. 
Te holli i hotelit, dikush i shërbimit, për ta ngacmu Tefën i thotë:

- Me cilin ke dëshirë me fjetë në të njejtën dhomë. Ke dy mundsi o me Tinka Kurtin a me Fadil Krajën?

- Po t’jetë puna me fjetë, ma mirë flej me Fadilin! – ia ktheu Tefa …

Nji herë Tefa, po rrinte n’breg të liqenit. Kalojnë dy djem andej pari e shofin Tefën dhe shkojnë ta ngacmojnë. E pyesin se çfarë po bante dhe ai u thotë:

- Po gjuj peshk mor djem!

- Po mirë – i thonë ata, – e shofim që po gjun peshk po tullën pse e mban aty?

Tefa si me të qeshun u thotë: Po ma qerasët nji kafe jua kallzoj!

Në fillim ata hoqën dorë, po kureshtja ishte e madhe dhe ia sollën kafen. Si të paduruem djemtë s’po e linin rehat për shpjegimin. Mbasi mbaroi kafen kthehet dhe ju thotë!

- Me grep nuk kam zanë asgja, ndërsa me tullë nja shtatë a tetë peshq.

****

Në stacionin e Laçit, në vagonin ku udhëtonte Tefa u fut edhe kompozitori Ruzhdi Keraj. Mbasi përqafohen, Tefa i zgjat paketën e cigareve “Partizani” dhe Ruzhdiu i merr nji cigare. E ndërsa Tefa po fliste me dikë tjetër, Ruzhdiun si pa u ndje i merr edhe tri-katër cigare tjera!

E shef Tefa dhe i thotë:

-O Ruzhdi! Që vjedh muzikë e kam dijtë, por që ke nisë me vjedhë edhe cigare sot po e marr vesh!

Kanga e të burgosunit.., Migjeni


Millosh Gjergj Nikolla, Migjeni


Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme
shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë
edhe shof diellin sa një pare serme
aq larg asht qielli nga e emja gropë.

E kjo gropë e eme e ka emrin burg.
E dini se burgu nuk asht për dëfrim.
Prandaj burg' i em asht shum i ultë
dhe më bani palmuç dhe më mbyti në trishtim.

Hekrat e kryqzuem dhe ndërgjegj' e eme,
dy anmiq të betuem, luftojnë dit' e natë;
por hekr' i fortë e mund ndërgjegjen teme
dhe në dëshprim përplasem si një qen i ngratë.

E kur nata vjen dhe xhixhillojnë hyjt
gëzohem fort, se hekrat nuk m'i kryqzojnë syt',
por t'u sjellmen mbrapa shof dritën e smutë
edhe hijën teme tu' u zgjatë në murt

si një kërcnim ligji, posi një dajak.
Dhe atëher tërbohem dhe urrej pa masë
dritën, hijën, vetën, muret edhe hekrat
edhe e ndjej vetën lua të ndryem në kafas.

Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme
shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë
dhe zemra e eme ndien po aq të breme
në mes të katër murve sii në një gropë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...