MIGENA ARLLATI
Lindi në Elbasan /Shqipëri në 06.09.1974 në një familje me tradita qytetare dhe arsimdashëse. Jeton në qytetin e Gjakovës në Kosovë që prej 20 vjetësh me bashkëshortin dhe tre fëmijët.
Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin Filologjik, dega gjuhë-letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, studimet e Magjistraturës në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë, ndërsa aktualisht është në vazhdim të studimeve të Doktoraturës.
Aktiviteti i saj paraprihet nga dhjetë vjet angazhimi në gazetarinë radiofonike, të printuar dhe televizive ku ka marrë disa herë çmime.
Punon në arsimin e mesëm si dhe është ligjëruese e gjuhësisë në Universitetin Publik “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Prej kohësh ka konfirmuar vullnetin ndaj hulumtimeve shkencore në gjuhësi dhe albanologji duke marrë pjesë në Konferenca të ndryshme shkencore të organizuara nga Universiteti i Tiranës, Prishtinës, Tetovës, Shkodrës, Elbasanit, Durrësit, Vlorës, me prezantime nga fusha e linguistikës.
Botimet:
Autorja deri tani ka botuar tre libra, ndërsa ka në proces pune të katërtin. Vëllimin me poezi “Mendime në kornizë” (2012), monografinë “Lindur për t’u bërë mjek” (2013), botimi studimor “Vështrim rreth shprehjeve frazeologjike në të folmen e Gjakovës” (2014).
Krijimet poetike të saj janë prezantuar në disa përmbledhje Antologjike të botuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Rumani. Po ashtu, është redaktore dhe recensente e dhjetëra botimeve të shkrimtarëve të ndryshëm.
Aktiviteti në shoqërinë civile:
Është Kryetare e degës së Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” në Gjakovë;
Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës;
Anëtare e Institutit Alb-Shkenca me seli në Tiranë, Prishtinë e Shkup;
Anëtare e Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë.
Qytetare Nderi në vendlindjen e saj, në Elbasan, prill 2015
Bashkia Elbasan e shpalli znj. M. Arllati “Qytetare Nderi” me Motivacionin: “Për kontributin e shquar të saj si gazetare, shkrimtare, hulumtuese ndaj gjuhësisë dhe albanologjisë, dhe një personalitet i shoqërisë civile në vend dhe diasporë”.
Vendimi u miratua në dt. 20 mars 2015 me votim të hapur nga Këshilli Bashkiak.
Vëllimi “Mendime në kornizë” është një përqafim poetik i ndjenjave dhe mendimeve të një vajze që shtrëngon në intuitën e saj përpjekjet për të vështruar dhe kuptuar botën. Dhe bota i përqaset në figura që paralelizojnë natyrën dhe perceptimet e njeriut.
Po cila është poenta kryesore në poezinë e Migena Arllatit? Është kontradikta e vullnetit të sendërtuar në të gjitha përmbajtjet jetësore përballë realitetit të cilin ajo nuk e do të tillë siç është dhe kjo krijon “përplasjen më të bukur poetike”. Dhe ka kulmime të tilla sa që e gjithë dëshira ngërthen fuqishëm një vajzë të veshur e të mbuluar me to: “Mos harro… mos harro…. mos harro të më puthësh e kur të më puthësh harro gjithçka”.
Nëse mbizotërojnë motivet e dashurisë, këto ngarkohen me përsiatje për rrënjët e lindjes së tyre. Dhe…? Mposhtje ndaj kaheve negative të jetës.
Në poezinë e Migenës ka parashtrime për universalitetin dhe qëndrimi për temat kardinale të jetës dhe vdekjes. Por këto nuk shihen as me pesimizëm as me fatalitet, as me logjikën metafizike, por me logjikën dialektike, kur ajo numëron lotët, të cilët megjithëse e përmbytin krejt dhe “zemra pikon gjak”, vijon çasti tjetër i kapërcimit të asaj ndjesie të turbullt e zhgënjyese në një qetësi e deri në entuziazëm. Mbizotëron tendenca e përjetimit dhe depërton në dashuritë e jetës.
Në poezinë e Migenës veshtullimi për kujtimet e mbetura krijon vizione të larmishme, herë përmbys mendimet e mëparshme, ato naivet që i ka çdo adoleshent, herë qesh me veten kur ato dalin diku në brendi, por nuk flirton, dhe pastaj, rriten mendimet e vërteta të cilat i vulos me shprehjen e ndjenjës.
Fjalët që “thurin gërsheta” kursehen brenda harmonisë mendim – ndjenjë. Dhe moria e figurave krijon bukurinë e vargjeve që mbeten në vetëdije.
Nëse kqyrim ndjenjat e shprehura, atëherë bëjmë pyetjen: “Po ç’është lumturia?” Po e veçoj këtë anë të jetës, sepse ndjehet që kjo vajzë ende e kërkon. E kërkon se ajo nuk mund të gjendet plotësisht, se janë shumë litarë të jetës që e mbajnë të mos kalërojë lirisht, se ajo “është kthyer në një barsoletë shekujsh”. Por Migena vazhdon të qëmtojë “orët e jetës” që kanë kurora, kanë syze, kanë matematikë me të cilat llogarisin kohën.(Agim Gjakova)
VDEKJE INDIFERENCËS
Iku edhe një natë.
Dielli vrapon të lindë
ndoshta paksa me vonesë.
Që mbrëmë,
në protokollet e të Madhit
atij iu dha itinerari.
Me të njëjtin shikim indiferent,
me të njëjtët flokë përvëlues,
arriti në mes të Kupës,
as që vuri re mungesën e një luleje.
Mbase gjatë natës,
era,
këmba e dikujt,
a kushedi kush,
e këputi për vdekje.
Vdekje, indiferencës!
Thërras der’atje lart
në kupë të qiellit:
Vdekje indiferencës,
se s’jam manekin
indiferencës t’i bëj strehë.
Kam mish e gjak e kockë,
dhe ndjej,
se si damarëve të mi
ka një rrjedhë
që jep e merr jetë,
pavarësisht se fustanet
i vesh e i zhvesh vetë.
Ndaj
manekin s’dua të jem!
JETA IME POEZI
Jeta ime
si cigare digjesh në këto duar,
prushi i lehtë sa ndizet fiket
iluzione më tymon papritur, pakujtuar
Dje isha unë
në të njëjtën histori
kur rrugët parakaloja
nji e nga nji
Sot jam po unë
historia ti,
jeta ime që më dhemb
veç tek dritë e syve tret
Nesër kush do të mbet
veç këtyre vargjeve mbushur fletë ?
Me degë dafine vijnë tek unë
kurorë flokësh rreth engjëjsh turmë
Poezia mësuar nga Mehmeti,
vargu huazuar nga Podrimja,
magji kreshtash ilustruar nga Shkreli,
skaliten poetët në ëndrrat e mia
Jeta ime poezi
tjetër ç’mund të pres nga ti?
Vdekjen shoh larg tek rri
shkarravis e shkruaj refren të ri
Jeta ime degë ulliri
mbushur ëndrra e dëshira,
përplasur vitesh po me këtë emër
hedhur humnerash, dergjur lëndinash
Një mal me brenga në shpinë do ta hedh
endacakut të parë eja me mua t’i them,
monedhën e fatit të dy ta luajmë
shortin e kësaj bote me shkelm ta gjuajmë
Një ciu atje tej s’më lë të vazhdoj
lauresha dëgjon dhe këngën ndalon,
e bukura e shenjta poezi
fjalë e pashkruar mos shko në harri!
UNË, PIANOJA JOTE
Merre me vete frymëzimin e qiellit
e mbi piano eja ulu sonte,
mos pusho së rëni melodisë sonë,
këngën e dashurisë mjellmat të vallëzojnë.
Përsërite refrenin
edhe njëherë tingujt të shpojnë qiellin,
mbushe nota pentagramin
solet mbi krahë të dyve t’na marrin.
Me timbrin e saj jetën rilinde,
kompozo dashuri, dhimbje, grindje,
një këngë të re fillo e shkruaj
unë muza jote deri në të aguar.
Këtu përballë dremis unë, pianoja jote
që gishtërinjtë e prekin sa butë, sa fort…
Zëri i saj mëngjesit lehtazi ledhaton
kur si fishkëllimë kanarine më zgjon,
si luan i stepës herë-herë vëngëron
kur hijet ngarkuar natës përjeton.
Mbi tastierën bardh e zi do flejmë sonte
të etur, zhuritur, untuar e shkrumbuar
muzikojnë për ne të gjithë Listët e Bet’hovenët
dashuria jonë, gjumin tutje harruar!
E PARA
E para ishte fjala.
Ne
e hëngrëm.
E për(punuam)typëm
në manifaktura rrenash!
NJË JETË KRENARI!
Flamuri Kuq e Zi mbi arkivol sot paloset.
I kuq gjaku, i zi dheu
nga agu në muzg në gjysmë qiell dielli.
Bataretë e plumbave rëndë shpojnë retë,
plisat e djemve mbesin kryepërpjetë.
Në Iliridë, Kosovë, Shqipëri
një minutë heshtje
një jetë krenari!
Kumanovë, 21. 05. 2015
ANTI
E pinte duhanin gjyshi im
tymoste mbi mustaqet trashë-trashë,
ulur këmbëkryq në vatrën e flaktë
me cigarishten shtatë pashë.
E pinte duhanin im atë
fjollat e hirta në shtëllunga i rriteshin,
nga cigarja deri tek metalurgjiku
mushkëritë me vello ngjyrë zi do t’i visheshin.
E pi duhanin edhe im shoq
me dy gishtat në buzë shtrëngon cigare e heshtje,
re qortimesh sa herë i dërgoj
fshihet në të nikotintës mjegull.
Po rritet si lis im bir,
me duart e mia shumë bekime ia dhashë,
por, në fytyrë do t’ia ndez flakë
nëse erën e duhanin në rroba ia pashë!