2016-02-10

Sapuni: si ta bejme nga hiri dhe yndyra


Sapuni formohet nga reaksioni i një acidi (yndyra, që mund të jetë shtazore ose bimore) me një bazë (NaOH, sodë kaustikë ose KOH, potas kaustik). Në prodhimin artizanal si bazë përdoret finja, tretësira e KOH që del nga tretja e hirit në ujë, ose NaOH (sodë kaustike) e blerë.
Foto: Sapun i bërë në shtëpi
Në të kaluarën sapuni përgatitej në vjeshtë ose në pranverë. Në vjeshtë therreshin derrat dhe me dhjamin e përfituar nga therrja përgatitej sapun. Kurse në shtëpitë ku nuk rritej bagëti sapuni zakonisht përgatitej në pranverë me hirin e zjarrit të dimrit dhe me yndyrën e skuqur të gatimeve.
Nëse në prodhimin e sapunit përdorim hirin e tepruar nga zjarri i sobës me dru, yndyrën e skuqur, dhe e përpunojmë me metodën e ftohtë, sapuni del me pak kosto.
Hapat e prodhimit të sapunit në shtëpi:
Kujdes! Gjatë prodhimit të sapunit duhet të ruajmë lëkurën, sytë, sepse finja është GËRRYESE, DJEG. Nëse bëhemi pisë me finjë duhet të shpëlahemi menjëherë me ujë, dhe mundësisht me uthull (kjo neutralizon bazën).
Enët e rekomanduara për përgatitjen e sapunit janë prej materiali që nuk gërryhet si psh. xhami, çeliku, enameli, guri, qeramikë.
  1. Përgatitja e finjës: përdoret hi i pastër, pa blozë. Që hiri të jetë sa më i bardhë drutë digjen në zjarr të fortë. Hiri i pemëve me fara të zhveshura (pa lule) si pishat, bredhat, dëllinjat, selvitë nuk është i përshtatshëm për të bërë finjë, sepse ka rrëshirë. Për çdo 2 pjesë hi përdorim ~1 pjesë ujë. Ky raport është orientues, fortësia e finjës do të provohet gjithsesi përpara përdorimit dhe mund ti shtohet ujë ose ti hiqet sipas nevojës.  Sa hi na duhet për të bërë sapun? Shumë receta të vjetra përmendin një raport 36 litra hi për 2 kg dhjam.
Marrim një vazo lulesh qeramike me vrimë në fund, apo një ene plastike/barrele druri dhe i bëjmë një vrimë në fund ose anash afër fundit.
Foto: Vazo për përgatitjen e finjës.
Në fund të vazos vendosim një shtresë zhavorri. Mbi këtë vendosim një shtresë kashte apo gjethe pishe. Zhavorri dhe kashta pengojnë daljen e hirit bashkë me finjën. Mbi këtë shtresë ngjeshim hirin e ftohur. Sipërfaqen e hirit e bëjmë me pak pjerrësi drejt qendrës që drejtimi i ujit të ndihmohet drejt qendrës. Lëmë ~5-10 cm hapësirë të lirë në kovë për ujin që do hedhim.
E vendosim vazon mbi mbështetje, poshtë vazos vëmë një enë ku do të rrjedhë finja.
Uji për bërjen e finjës nuk duhet të jetë i fortë (me përqëndrim të lartë kripërash). Uji i shiut është më i miri, se nuk ka minerale dhe klor. Në mungesë të tij, përdorim ujë burimi oligomineral. Në mungesë të tij përdorim ujë të zakonshëm (ujë lumi, pusi) por këtë e provojmë për fortësinë përpara përdorimit, duke shkumosur një sapun në të. Nëse sapuni shkumos mirë, uji është i mirë. Nëse sapuni shkumos me vështirësi, i shtojmë ujit pak sodë buke, e tresim sodën dhe bëjmë prapë testin e shkumës, këtë test mund ta përsërisim derisa sapuni të shkumosë mirë.
E nxehim ujin deri në zierje dhe e derdhim në vazon me hi. Finja pas ca kohësh do fillojë të rrjedhë dalëngadalë nga fundi i vazos.  Dalja e gjithë finjës mund të kërkojë orë deri në ditë.
Si ta kuptojmë se finja është e fortësisë së duhur për ta përdorur për prodhimin e sapunit?
Mënyra e parë: Marrim një pendë pule a rose dhe e fusim në finjë. Nëse penda fillon të shkrijë finja është e fortë sa duhet.
Mënyra e dytë: Marrim një vezë të freskët, të pagatuar dhe e zhysim në finjë. Nëse zhytet plotësisht, finja nuk është e fortë sa duhet, prandaj ajo duhet forcuar. Për këtë e ziejmë që të avullojë ose e kalojmë finjën përsëri në hi.
Foto: Veza e freskët në finjë. Nëse veza pluskon dhe del me një ovale me gjatësi 2-3 cm sipër ujit, atëhere finja është e fortësisë së duhur.
Nëse veza pluskon pothuaj plotësisht mbi ujë, atëhere finja është shumë e fortë dhe duhet ti hedhim pak ujë dhe ta bëjmë prapë provën e vezës.
Finja mund të lihet të thahet në diell, e tharë ruhet më mirë.
Foto: Finjë duke u tharë në diell.
 2. Përgatitja e yndyrës:
Nëse do përdorim dhjam: e ndajmë dhjamin nga mishi, e presim copa-copa,
Shtojmë pak ujë në enën ku do e shkrijmë dhe e vëmë në zjarrë të ngadaltë që të shkrijë.
Foto: Dhjami duke u shkrirë në zjarr
Që dhjami të mos mbajë erë të fortë mirë është të mos e lëmë të digjet gjatë shkrirjes, prandaj e trazojmë shpesh.
Pasi ka shkrirë, për ta pastruar e kullojmë në një napë a kullesë.
Foto: Dhjami i shkrirë kalohet në kullesë.
Foto: Dhjamin e lëmë në vend të freskët të ngrijë.
Foto: Shtresa e ngrirë e dhjamit e hequr nga sipërfaqja e lëngut.
E heqim shtresën e dhjamit nga lëngu. E pastrojmë nga papastërtitë që mund të ketë në pjesën e poshtme.
Për ta pastruar më tej dhjamin, i shtojmë ujë, e vëmë të ziejë, pastaj e lëmë në vend të freskët që të ngrijë prapë. Dhjami i ngrirë ri sipër ujit, e heqim nga uji dhe i heqim papastërtitë që mund të ketë.
Nqs. për sapun do të përdorim yndyrë që e kemi përdorur më parë për gatim (psh. vajin me të cilin kemi skuqur patate, yndyrën e tepruar të mishit të pjekur etj.), kjo mban erë. Për ti hequr erën për çdo gotë yndyrë shtojmë 2 lugë lëng limoni ose uthulle, gjysëm gote ujë dhe i ziejmë bashkë (sipas http://www.pioneerliving.net/soapmaking.htm).
 3. Raporti finjë: yndyrë:
Meqë sapuni prodhohet nga reaksioni i yndyrës me finjën, raporti i këtyre duhet të jetë i tillë që të mos mbetet finjë apo yndyrë e pasaponifikuar. Sapuni me finjë të lirë djeg lëkurën, kurse ai me yndyrë të lirë prishet më shpejt.
Sot prodhuesit e sapunit në shtëpi masin saktësisht në peshë sasinë e yndyrës, të sodës kaustike apo potasit kaustik dhe të ujit që do të përdorin, duke i llogaritur sasitë me formula të gatshme. Një kalkulator për llogaritjen e sasive të nevojshme të përbërësve për prodhimin e sapunit mund ta gjeni në http://www.soapcalc.net/calc/SoapCalcWP.asp.
Qëllimi i këtij artikulli është të tregojë si prodhohet sapuni me mjete të thjeshta, prandaj po supozoj që nuk kemi peshore dhe nuk e dimë saktësisht çfarë përqëndrimi ka finja (por me provën e vezës e dimë se ka përqëndrim të mjaftueshëm për të saponifikuar yndyrën). Raporti i duhur yndyrë-finjë ndryshon në varësi të llojit të yndyrës së përdorur dhe fortësisë së finjës së lëngshme (fortësia e finjës varet nga lloji i drurit, nga raporti ujë-hi, mënyra e prodhimit etj.). Raporti i përafërt është: 3 pjesë yndyrë përzihen me 1 pjesë finjë, në peshë. Raporti rregullohet gjatë prodhimit të sapunit nëse vihet re se mbetet finjë ose yndyrë e lirë.
  1. Saponifikimi:
Kur finja përzihet me yndyrën ndodh saponifikimi. Temperatura e përzierjes mbahet në 38 oC-100 oC derisa të ndodhë saponifikimi.
Kur përzierja bëhet në temperaturë të ulët (38-48 oC), pas saponifikimit fillestar sapuni lihet të thahet disa javë, kohë gjatë së cilës saponifikimi vazhdon. Kur përzierja finjë-yndyrë bëhet në temperaturë zierjeje, saponifikimi ndodh i plotë gjatë zierjes dhe nuk ka nevojë për tharje disa javëshe.
Ngadalë, me curril, derdhim finjën e ngrohur në yndyrën e lëngët të ngrohur, duke trazuar me lëvizje të shpejta në formë 8. Gjithmonë hedhim finjën tek yndyra dhe jo yndyrën tek finja. Për sasi të mëdha sapuni mirë është të jenë 2 njerëz dhe sasitë e finjës dhe të vajit shtohen pjesë-pjesë gjatë përzierjes.
Foto: Finja dhe yndyra përzihen derisa përzierja të bëhet viskoze, të trashet si puding
Sasia e finjës dhe yndyrës rregullohet gjatë trashjes: nëse pas trashjes mbi përzierje formohet një shtresë yndyre apo në prekje duket e yndyrshme atëhere duhet të hedhim më shumë finjë; nëse përzierja nuk trashet atëhere duhet të hedhim më shumë yndyrë. Për sapunët e trupit ka rëndësi që të mos mbetet finjë e pasaponifikuar sepse kjo e djeg lëkurën.
Përzierja merr trashësinë e mjaltit të lëngshëm apo pudingut kur është gati. Nëse kur kalojmë  një lugë nëpër përzierje, luga lë gjurmë për disa sekonda atëhere sapuni është gati; ose kur lëshojmë pika mbi përzierje dhe këto mbeten sipër përzierjes për disa sekonda atëhere sapuni është gati për kallëp. Koha e trashjes varet nga temperatura, lagështia e dhomës dhe shpejtësia e trazimit. Nëse trashja nuk ndodh 15 minutat e para atëhere trazojmë 15 minutat e para, pastaj trazojmë për 5 minuta çdo 15 minuta.
Sapuni i bërë me finjë hiri del më i butë se sapuni industrial që bëhet me sodë kaustike, prandaj ka qenë zakon që pas saponifikimit i shtohej kripë, nën efektin e kripës sapuni precipitonte nga uji, uji derdhej. Për të forcuar sapunin e bërë me finjë shtohet gjysëm luge gjelle kripë për çdo ½ kg yndyrë (sipas http://www.countryfarm-lifestyles.com/make-lye.html).
Përfundimin e saponifikimit mund ta përcaktojmë dhe duke e shijuar përzierjen/sapunin me majën e gjuhës: nëse ka finjë të pasaponifikuar gjuha na djeg. Disa e krahasojnë me djegjen që ndjejmë kur prekim me gjuhë polin e një baterie 9 voltshe. Nëse nuk jemi të sigurtë nëse na djeg apo jo atëhere mund të shijojmë një sapun të blerë dhe sapunin që kemi bërë vetë, dhe ti krahasojmë. Sapuni i bërë vetë nuk duhet të djegë më shumë se sapuni i blerë.
Kur sapuni prodhohet në temperaturë të ulët provën e shijes e bëjmë pasi e lëmë disa javë të thahet (saponifikimi vazhdon gjatë tharjes).
5. Pasi sapuni është trashur mund ti shtojmë ngjyruesa, bimë aromatike, mjekësore. Pas kësaj e derdhim sapunin në kallëp. E lyejmë kallëpin me yndyrë përpara derdhjes së sapunit që ky të hiqet lehtë nga kallëpi.
Si kallëp mund të përdoret çdo enë, kuti, kontenier që nuk është prej kallaji, alumini, bakri, tefloni sepse reagojnë me finjën.
E mbulojmë kallëpin me batanije që të qëndrojë ngrohtë dhe të vazhdojë saponifikimi. E lëmë të rrijë 1-3 ditë.
Foto: Derdhja e masës së sapunit në kallëp
  1. Pasi 1-3 ditëve e nxjerrim sapunin nga kallëpi. Gjatë kësaj kohe sapuni është forcuar, saponifikimi ka vazhduar. E presim sapunin me thikë në madhësinë e dëshiruar.
  2. Copat e sapunit i lëmë në një vend të freskët, të errët, të thatë për 3-6 javë që të thahen.
Foto: Sapuni duke u tharë
Probleme në prodhimin e sapunit
Përzierja finjë-yndyrë nuk trashet: Kjo mund të vijë për shkak se: temperatura është e ulët, përzierja është shumë e ngadaltë, ose raporti finjë-yndyrë nuk është i duhuri .
Përzierja është me kokrriza. Temperatura ka qenë shumë e lartë, ose shumë e ulët, ose përzierja nuk ka qenë e shpejtë dhe e njëtrajtshme sa duhet.
Në sapun formohen njolla të verdha:
Foto: Sapun me njolla
Kur sapuni ka yndyrë të lirë të pasaponifikuar (sepse kemi përdorur më shumë seç duhet apo nuk kemi trazuar mjaftueshëm) kjo yndyrë me kalimin e kohë acidifikohet dhe në sapun duken njolla yndyre.
Gjithashtu sapuni ka yndyrë të pasaponifikuar kur në fërkim me dorën lë yndyrë. Për të korrigjuar gabimin e grijmë sapunin, e shkrijmë në pak ujë, i shtojmë finjë dhe e trazojmë derisa yndyra të saponifikohet.
Sapuni ka finjë të pasaponifikuar:
Foto: Sapuni i fortë, i thatë dhe që shkërmoqet.
Ose në kallëpin ku është sapuni krijohet lëng, ose në sipërfaqe të tij ka kristale të ndritshme finje. Kjo tregon se ka finjë të pasaponifikuar, sepse nuk kemi trazuar mirë, gjatë ose kemi hedhur shumë finjë. Njësoj si në rastin kur ka shumë yndyrë, gabimi rregullohet duke e ribërë sapunin: e grijmë, e shkrijmw në pak ujë, i shtojmë yndyrë dhe e trazojmë derisa finja të saponifikohet.
Sapuni thyhet kur hiqet nga kallëpi ose kur pritet. Mund të kemi shtuar shumë aditivë të thatë (bimë mjekësore psh.), ose mund ta kemi trazuar më gjatë seç duhet pasi është trashur.
Sapuni ka një shtresë të hollë bardhësie në sipërfaqe. Sapuni ka reaguar me oksigjenin në ajër. Ky është vetëm problem estetik.
Foto: Pluhur i bardhë mbi sapun.
Sapuni ka bulëza ajri. Mund ta kemi trazuar shumë shpejt, ose shumë gjatë.
Sapuni është më transparent në qendër se anash: Kur saponifikimi ndodh në temperaturë të lartë sapuni kalon në një fazë që quhet xhelifikim, gjatë së cilës merr ngjyrë më transparente. Kur xhelifikimi ndodh vetëm në brendësi të sapunit, atëhere pjesa e brendshme e sapunit ka ngjyrë më transparente se ajo e jashtme. Ky është vetëm problem estetik.
Foto: Sapun pjesërisht i xhelifikuar.
Shënim: Informacioni për këtë artikull është mbledhur nga burime të ndryshme në internet, pa pasur përvojë personale në prodhimin e tij.
Burimet:

WC-te ekologjike


Shndërrimi i fekaleve dhe urinës në pleh organik bën që nutrientët e tyre ti rikthehen tokës dhe të parandalohet degradimi i saj.
Sikurse përmendim në artikullin mbi tranzicionin në bujqësi pas pikut të naftës plehërat organikë do të rifitojnë rëndësinë e tyre në ruajtjen e pjellorisë së tokës për shkak të pakësimit të plehërave kimikë.
Fekalet dhe urina (po i quajmë humanurë, sipas librit të dëgjuar me të njëjtin titull) kanë përqindje të lartë azoti, fosfori, kaliumi, karboni dhe kalciumi. Humanura në vlera ushqimore është e barazvlefshme me plehun organik të blerë në dyqanet e luleve. Kompostimi i saj përveçse rrit pjellorinë e tokës ndihmon dhe në konservimin e ujit të pijshëm (i cili me WC-të tradicionale bëhet pjesë e ujërave të zeza, të papërdorshme për bujqësinë);  shmang ndohtjen e ujërave nëntokësorë si dhe pakëson konsumin e energjisë (i nevojshëm për transportimin dhe përpunimin e ujërave të zeza).
Për kompostimin dhe shfrytëzimin e humanurës ka disa metoda:
WC-ja me dy gropa (Fossa alterna):
Në foto: Si funksionon fossa alterna
Unaza me tulla ose çimento rreth gropës ndihmon që gropa të mos shembet.
Pas çdo defekimi në gropë shtohen pak mbeturina të kuzhinës dhe/ose gjethe, dhe/ose dhé. Kjo ndihmon në kompostim duke shtuar karbon dhe mikroorganizma.
Kur gropa e parë mbushet, pas rreth 12-24 muajsh, në varësi të madhësisë së gropës dhe përdoruesve, WC-ja kalon mbi gropën e dytë. Gropa e parë mbulohet dhe materiali në të lihet të dekompozohet në pleh. Kompostimi kërkon rreth 6-12 muaj. Pasi kalon kjo periudhë gropa zbrazet nga plehu dhe, pasi është mbushur gropa e dytë, ripërdoret. E njëjta gjë bëhet me gropën e dytë.
WC-ja arborlo:
Wc-ja ndërtohet në natyrë mbi një gropë, kur kjo mbushet hapet një gropë e re dhe WC-ja kalohet mbi këtë. Mbi gropën e mëparshme mbillen pemë.
 WC-ja me bimë (Tree bog quhet në anglisht):
Ndenjësja e WC-së ndërtohet të paktën 1 metër mbi tokën. Poshtë ndenjëses vendoset një rrjetë metalike në dy shtresa që  të pengohet futja e minjve, kafshëve të vogla dhe fëmijëve.  Hapësira brenda rrjetës mbushet me sanë e cila përthith urinën e tepërt. Urina e tepërt mund të krijojë erëra të këqija. Sana pengon dhe shikimin e përmbajtjes së WC-së duke mos penguar në të njëjtën kohë ajrimin e humanurës.
Ndërtesa rrethohet nga 2 rradhë të mbjella dendur me shelg ose hithër. Shelgu dhe hithra të cilat zhvillohen shpejt për shkak të ushqimit të bollshëm që gjejnë mund të priten rregullisht dhe të shfrytëzohen  për qëllime të tjera.
Rrënjët e pemëve kanë mikro-organizma të tokës të cilat dekompozojnë humanurën dhe lëndët ushqyese në të i bëjnë të përthithshme.
WC-ja kompostuese moderne
E tillë nuk di të shitet në Shqipëri prandaj besoj është me pak interes për lexuesit.
Më  poshtë  mund të  lexoni citime nga libri “The humanure handbook: A guide to composting human manure” (“Libri mbi humanurën: Udhëzues për kompostimin e jashtëqitjeve njerëzore”), e Joseph Jenkins, i cili tregon se sa e paqëndrueshme është praktika aktuale e derdhjes së jashtëqitjeve njerëzore në ujërat e pijshëm:
“Kur kultivohen bimë në tokë bujqësore, ka rëndësi që mbeturinat organike të atyre bimëve, përfshirë dhe jashtëqitjet e kafshëve, ti rikthehen tokës ku bimët u kultivuan. Riciklimi i mbeturinave organike në tokë duhet të jetë universale në një bujqësi të qendrueshme. Megjithatë, përfaqësuesit e shoqatave të bujqësisë së qendrueshme heshtin kur vjen fjala për përdorimin e jashtëqitjeve njerëzore (humanurë) në bujqësi. Pse?
Ndoshta sepse ka një mungesë të thellë të njohjes së “ciklit të ushqyerjes së njeriut” dhe nevojës për ta mbajtur atë cikël të pa-ndërprerë. Ky cikël është: a) kultivo bimë, b) haji, c) grumbullo dhe përpuno mbeturinat organike (fekalet, urinën, mbeturinat ushqimore dhe materialet e tjera organike, dhe d) rikthe materialet organike të përpunuara në tokë. Toka kështu pasurohet dhe prodhimi ka rendiment më të lartë. Ky cikël përsëritet, pa fund. Ky është një proçes i qendrueshëm, i cili imiton ciklet natyrale të natyrës dhe forcon aftësinë tonë për të mbijetuar si civilizim. Nëse mbeturinat hidhen dëm si të panevojshme, ky cikël i natyrshëm ndërpritet, duke krijuar probleme si ndohtja, humbje e pjellorisë së tokës, dhe abuzim i burimeve ujore.
Në SHBA çohen dëm rreth 454 kg humanurë çdo vit, kjo hidhet në kanalizimet e ujërave të zeza dhe në WC-të. Shumica e humanurës përfundon në landfille, bashkë më mbeturinat e tjera të ngurta, të cilat janë rreth 454 kg në vit për person. Për një popullsi prej 250 milion njerëzish kjo do të thotë rreth 250 milion tonë mbeturina urbane çdo vit, nga të cilat të paktën gjysma janë të dobishme për bujqësinë.
Praktika që zakonisht aplikojmë për menaxhimin e mbeturinave është primitive: Hapim gropa në tokë, i hedhim aty mbeturinat, pastaj e mbulojmë gropën. Kjo quhet landfill dhe për shumë vjet teknika e tyre ka qenë kaq e thjeshtë. Kurse landfillet e sotme “higjenike” janë të veshura me çarçafe sintetike hidroizoluese të cilat pengojnë filtrimin e lëngjeve të mbeturinave në ujërat nëntokësorë. Vetëm 1/3 e landfilleve në SHBA janë të veshura. E lezetshme është se këto landfille të veshura u ngjajnë pampersave gjigandë njëpërdorimsh. Ato janë kontenierë  gjigandë, plastikë, ku plehërat e konsumerizmit tonë rrinë kot, të varrosura si në muzoleume që duan të ruajnë llumin tonë për brezat e ardhshëm. Llumi i tyre transportohet në këto landfille pampersa gjigandë, dhe varroset aty.
Nuk po sugjeroj që ujërat e zeza të përdoren në bujqësi. Për mendimin tim, nuk duhet të përdoren. Ujërat e zeza janë të përziera me materiale toksike si psh. mbeturina industriale, mbeturina mjekësore, kimike, të gjitha të përziera bashkë në kanalizimet e ujërave të zeza. Gary Gardner (në “Gjendja në botë”, 1998) thotë: “Me mijëra substanca toksike dhe kimike të përdorura në industri, përfshirë PCB-të, pesticidet, dioksinat, metalet e rënda, azbesti, derivatet e naftës dhe tretësit industrialë, janë pjesë e ujërave të zeza”. Përveç këtyre janë dhe mikrobet patogjene. Kur në vitin 1949 në Berlin u përdor llum i papërpunuar, i akuzua si shkak i përhapjes së krimbave parazitë. Në vitet 1980 dyshohej si shkaktari i etheve të tifos në Santiago. Kurse në vitet 1970 dhe 1991 u akuzua si shkaku i epidemive të kolerës respektivisht në Jeruzalem dhe Amerikën e Jugut.
Kurse humanura, nëse nuk përzihet me ujërat, grumbullohet dhe përpunohet (kompostohet), përbën një pleh të mirë për bujqësinë. Nëse kombinojmë humanurën me mbeturinat ushqimore, përzierja shërben si ushqim dhe përpunohet nga disa mikroorganizma të dobishme.
Agjensia e Mjedisit e SHBA-së vlerëson se në SHBA prodhohet çdo vit rreth 22 milion tonë mbeturina ushqimore. Në të gjithë SHBA-në, mbeturinat ushqimore vlerësohen të kenë qenë rreth 48 milion tonë në vitin 1995. Këto mund të përdoren si material organik për kompostimin bashkë me humanurën. Por në vitin 1994 vetëm 2.4 % e mbeturinave ushqimore në SHBA u kompostuan. Pjesa tjetër, 97.6 % u dogj ose përfundoi në landfille.
Në vitin 1998 vendet e industrializuara riciklonin vetëm 11% të mbeturinave të tyre organike. OECD, një vend me anëtarë vende të zhvilluara, vlerëson se ~36% e mbeturinave në vendet e saj anëtare janë mbeturina organike dhe të kopshteve. Nëse llogarisim dhe mbeturinat e letrës atëhere mbeturinat organike përbëjnë 2/3 e gjithë mbeturinave. Në vendet në zhvillim materialet organike përbëjnë ½ deri në 1/3 e gjithë plehrave. Sipas agjensisë së mjedisit të SHBA, pothuajse 80% e mbeturinave të ngurta neto në SHBA është material organik.
Është gjithmonë e më e qartë se nuk është e mençur të përdoren landfillet për hedhjen e mbeturinave të riciklueshme. Landfillet mbushen dhe për zëvendësimin e landfilleve të mbushura duhen ndërtuar të reja. Kostua e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së një landfilli të liçencuar është rreth 125 milion dollarë dhe është në rritje. 8000 landfillet në funksion në SHBA në vitin 1988, u pakësuan në 5,812 në fund të vitit 1991. Në vitin 1996, mbetën vetëm 3091.
Në fakt është mirë që landfillet po mbyllen kaq shpejt. Ata janë famëkeqe për ndohtjen e ujit, tokës dhe ajrit.  20% tani vlerësohen si zona me ndohtje të rrezikshme. Një raport i vitit 1996 i shtetit të Floridës zbulon se ndohtja e ujërave nëntokësorë nga landfillet e vjetra, të paveshura mund të përhapet deri në 3.4 milje larg dhe se 523 burime të ujërave të përdorur në Florida janë më afër se 1 milje nga të paktën 1 landfill i mbyllur, kurse 2700 burime janë brenda 3 miljesh nga të paktën 1 landfill i mbyllur. Padyshim situata është e ngjashme dhe në pjesën tjetër të SHBA-së.
Mbeturinat organike të depozituara në landfille krijojnë sasi të mëdha metani, kontribues i rëndësishëm në ngrohjen globale. Landfillet e SHBA-së janë ndër “kontribuesit më të mëdhenj në emetimet globale të metanit, ” sipas Këshillit të Mbrojtjes së Burimeve Natyrore. Sipas agjensisë së mjedisit të SHBA-së, metani është 20-30% më i fuqishëm se CO2 në efektin serë.
Tarifat për depozitimin e mbeturinave në landfille, pas vitit 1986, janë rritur dy herë më shpejt se inflacioni. Në fakt që atëhere ato janë rritur 300% dhe pritet të rriten akoma me këtë shpejtësi.
Në vendet në zhvillim, gjendja e landfilleve nuk është e mirë. Në Brazil psh, pothuajse të gjithë mbeturinat organike përfundojnë në landfille, ¾ e 90,000 tonëve në ditë përfundojnë në landfille të hapura. Dalëngadalë po e kuptojmë se ky shpërdorim duhet të ndalohet. Nuk mund të vazhdojmë të çojmë dëm lëndë të dobishme duke i varrosur në landfille ndohtëse, të përkohshme, gjithmonë e më të kushtueshme.
Prandaj riciklimi po përhapet gjithmonë e më shumë në SHBA. Midis 1989 dhe 1992, riciklimi u rrit nga 9 në 14 %, sasia e mbeturinave organike urbane që përfundoi në landfille në SHBA u pakësua me 8 %.Mesatarja kombëtare e riciklimit të gjithë materialeve në SHBA vajti 27% në vitin 1998. Kompostimi po përhapet mjaft në disa vende të botës. Në SHBA, punishtet e kompostimit u rritën nga 700 në vitin 1989 në 3200 në vitin 1996. Megjithëse ky është një trend i mirëpritur nuk adreson siç duhet një temë e cila ende kërkon vëmendje: çfarë të bëjmë me humanurën, e cila rrallë riciklohet në vendet perëndimore.
Nëse do të mblidhnim të gjithë jashtëqitjet njerëzore në botë dhe do ti shpërndanim në tokën e punuar në vitin 1950, në çdo 1 milje katror do të aplikonim ~200 tonë (rreth 690 paund për akër). Ne vitin 2000, sasia e jashtëqitjeve është dyfishi sepse popullsia botërore është një rritje, kurse toka bujqësore jo. Në fakt toka bujqësore po ngadalësohet vazhdimisht dhe po humbet çdo vit një sipërfaqe sa Kansasi. Popullsia në rritje e botës po prodhon një sasi në rritje mbeturinash organike të cilat duhen përpunuar me përgjegjësi dhe kujdes. Nuk jemi herët të kuptojmë se mbeturinat organike të aktiviteteve njerëzore janë burime të vyera të cilat janë të shkëlqyera për riciklim.
Në vitin 1950, vlera në dollarë e nutrientëve të humanurës globale ishte 6.93 miliardë dollarë. Në vitin 2000, vlera do të arrijë 18.67 miliard dollarë (llogaritur me çmimet e vitit 1975). Këto janë para të hedhura në landfille dhe të shpërdoruara si ndohtje. Çdo kanalizim ka një dalje: çdo gjë e hedhur “tutje” thjesht nga një vend përfundon në tjetrin. Njësoj dhe për humanurën dhe mbeturinat e tjera organike. Jo vetëm po hedhim në wc “pasuri”, por po paguajmë dhe shtrenjtë për ta realizuar këtë. Kostua është jo vetëm ekonomike, por edhe mjedisore.
“Shkenca tashmë e di se plehu organik më i mirë dhe pjellor është ai i përgatitur nga jashtëqitjet njerëzore . . .
A e dini se çfarë janë këto jashtëqitje . . . Këto janë një lëndinë me lule, bar i gjelbër, është nenexhiku, trumza dhe sherebela…është gruri, buka në tavolinën tuaj, është gjaku i ngrohtë në venat tuaja.”
Victor Hugo
Duke hedhur në wc nutrientët e tokës, ne rrisim nevojën për plehëra kimikë. Sot, ndohtja nga bujqësia, e shkaktuar nga erozioni për shkak të përdorimit të tepruar ose të gabuar të plehërave kimikë, është burimi më i madh i përhapur i ndohtjes së ujit në lumenjtë, liqenet dhe përronjtë tanë. Plehërat kimikë janë burime komode të azotit, fosforit dhe kaliumit në tokat e varfëra. Megjithatë vlerësohet se 25-85% e azotit kimik të plehëruar në tokë dhe 15-20 % e fosforit dhe kaliumit humbasin në ujëra dhe  ndohtin ujërat nëntokësorë. Kjo ndohtje shfaqet në pellgjet e vogla të cilat mbipopullohen me alga për shkak të sasisë së madhe të azotit. Në vitin 1992 psh. në shtetin e Floridës, u nevojit ndërtimi i 35,000 akrave këneta për të filtruar ndohtjen nga fermat të parkut natyror Everglades. Nga viti 1950 deri më 1990, konsumi global i plehërave kimikë u rrit me 1000%, nga 14 milionë tonë në 140 milionë tonë. Në vitin 1997, fermerët e SHBA-së përdorën 20 milionë tonë plehëra kimikë dhe gjysma e gjithë plehërave kimikë të prodhuar deri tani është konsumuar pas 1982. Ndërkohë që me qindra milionë lëndësh organike të kompostueshme prodhohen në SHBA çdo vit, këto ose depozitohen në landfille, digjen ose lihen në ambjent si mbeturina të padobishme.
Ndohtja nga nitratet e plehërave kimikë është sot një nga problemet më serioze të ndohtjes së ujit në Europë dhe Amerikën Veriore. Kjo ndohtje mund të shkaktojë kancer, madje dhe dëmtim të trurit dhe vdekje në foshnjet. Shumë raste helmimesh foshnjash ndodhin kur formula bëhet me ujë të ndohtur me nitrate. Në vitin 1984 agjensia e mjedisit e SHBA-së në një testim të saj zbuloi se nga 124000 puse të studiuar 24,000 kishin nivele të larta nitratesh dhe 8000 ishin ndohtur përmbi nivelet e lejuara (10 mg/l). Në fakt, një studim i vitit 1990 i agjensisë së mjedisit tregoi se 4.5 milion amerikanë ishin të ekspozuar ndaj niveleve të larta të nitrateve në ujërat e puseve.
Shpërdorimi i burimeve tona ujore dhe ndohtja nga ujerat e zeza dhe plehërat kimikë vjen pjesërisht nga besimi se jashtëqitjet e njeriut dhe mbeturinat ushqimore janë plehëra të padobishëm dhe jo burime natyrore të shfrytëzueshme. Por ka një alternativë.Humanura dhe mbeturinat ushqimore mund të kompostohen dhe si pasojë të bëhen të pastra për përdorim në bujqësi dhe bahçe. Shumica e vendeve lindore e riciklojnë humanurën. Ato kanë ditur gjatë mijëra viteve se humanura është një burim i vyer i cili duhet ti rikthehet tokës, ashtu sikurse dhe jashtëqitjet e kafshëve.
Fermerët e dinë se jashtëqitjet e kafshëve janë të dobishme. E dinë se jashtëqitjet e kafshëve janë mbeturina të ushqimeve, se ushimet janë produkt i tokës, ujit, ajrit dhe diellit, dhe se mënyra më e mirë e përdorimit të jashtëqitjeve është rikthimi i tyre andej nga e kanë burimin. Prandaj fermeri i rikthen jashtëqitjet e kafshëve në tokat bujqësore, kështu pastron stallat, kursen plehërat kimikë dhe e mban tokën të shëndetshme. Duket diçka e arësyeshme. Atëhere përse nuk veprohet njësoj me jashtëqitjet e njeriut?
Humanura është pak më ndryshe. Nuk mund të spërkatet nëpër fusha e freskët dhe e ndyrë. Ajo duhet përpunuar nga bakteriet një herë, proçes i njohur si kompostim. Kjo me qëllim që të shkatërrohen patogjenët e mundshëm. Kjo është hallka që mungon në riciklimin e burimeve të ushqimit të njeriut. Proçesi është i ngjashëm me atë të çdo kafshe. Njeriu kultivon bimët për ushqim në fushë, apo bahçe. Bimët konsumohen dhe kalojnë në sistemin e tretjes ku trupi thith çfarë i duhet, nxjerr lëndët e panevojshme apo të patretshme, dhe i jashtëqit ato.
Në disa vende të botës, si psh. Në Azi, humanura hidhet e papërpunuar në fusha. Kontenierët me humanurë nxirren jashtë ndërtesave të banimit dhe ngarkohen natën për tu çuar në fusha. Përmbajtja e këtyre kontenierëve, për shkak të kësaj, quhet “toka e natës. Ky libër nuk rekomandon praktikë të tillë.
Humanura e papërpunuar ka potencial të madh për të shkaktuar sëmundje. Këto sëmundje, si psh. nga krimbat parazitë, hepatiti, kolera, dhe tifoja shkatërrohen nga kompostimi kur kompostimi ndodh në temperaturë të ulët për një kohë të gjatë të mjafrueshme, 2 vjet zakonisht, ose kur kompostimi ndodh në temperaturë të lartë të brendshme, e cila mund ti vrasë patogjenët për disa minuta. Kompostimi në temperaturë të lartë shkatërron patogjenët e mundshëm dhe nëse zgjat mjaftueshëm  komposti është i përshtatshëm për përdorim bujqësor.
“Bota është e ndarë në dy kategori njerëzish: ata që jashtëqitin në ujin e pijshëm dhe ata që nuk e bëjnë këtë. Ne në botën perëndimorë hyjmë në grupin e parë. Në jashtëqimit në ujë, zakonisht ujë i pijshëm, i pastër. Pasi e kemi ndyer ujin me jashtëqitjet tona, e nxjerrim në kanalizimet e ujëraave të zeza, pa e ditur dhe pa u shqetësuar se ku shkon.
Ky ritual i jashtëqitjes në ujë mund të jetë i domosdoshëm për të qenë i respektuar në shoqërinë perëndimore. Nëse nuk i depozitoni fekalet në kontenierin me ujë të pijshëm rrgullisht, mund të konsideroheni si i poshtër, i pacivilizuar, i pistë apo i varfër. Mund t’ju etiketojnë si anti-konformist apo radikal.
E megjithatë, derdhja e jashtëqitjeve të njeriut në ujëra ka ndikim në cilësinë e ujit; e ndoht ujin. Sa herë që përdorim tualetin, nxjerrim ~20 litra ujë të ndohtur në ambjent. Kjo është njësoj si të jashtëqisim një një enë uji dhe ta derdhim ujin përpara se të tjerët të kenë mundësi të pijnë. E njëjta gjë kur urinojmë. E bëjmë këtë çdo ditë, disa herë në ditë. Shumëzojeni këtë me 250 milionë njerëz në SHBA.
Edhe pasi uji i ndohtur është trajtuar në impiantet e ujërave të zeza ai mund të jetë akoma i ndohtur me nivele të larta nitratesh, klori, ilaçesh farmaceutike, kimikatesh indutriale, detergjentësh dhe ndohtësish të tjerë. Uji pas trajtimit derdhet direkte në ambjent.”
Burimet:

Si bëhet disinfektimi i ujit në diell


:

Uji përveçse me zierje dhe/ose klor mund të dizinfektohet dhe duke e ekspozuar në diell. Plastika po shtrenjtohet, transporti po ashtu, nuk është e largët dita kur nuk do të mundeni më të blini ujë burimi në dyqan dhe do të shtrëngoheni të pini ujin e çezmës.  Uji i çezmës me raste është i ndohtur me bakterie patogjene.
Duke e ekspozuar ujin e ndohtur në diell kemi mundësi ta dizinfektojmë në shtëpi, me pak kosto dhe pa i prishur cilësinë.
Rrezatimi diellor shkatërron organizmat patogjene në ujë sepse UV-A ndërhyn në metabolizimin e bakterieve dhe shkatërron strukturat e tyre qelizore si dhe vepron me oksigjenin e tretur në ujë duke prodhuar radikale të lira të oksigjenit dhe perokside hidrogjeni, të cilat dëmtojnë bakteriet.
Energjia diellore e ngroh ujin dhe nëse ky i fundit nxehet mbi 50 C dizinfektimi shpejtohet.
Rrezatimi diellor me intensitet të paktën 500 W/m2 (i spektrit të dukshëm) që zgjat të paktën 5 orë e dizinfekton ujin. Një dozë e tillë rrezatimi arrihet me 6 orë ekspozim në diell në mes të ditës, në verë, në gjerësi gjeografike mesatare, ku bie dhe Shqipëria.
Si bëhet disinfektimi në shtëpi?
  • Përdoren shishe plastike PET ose shishe prej qelqi që lejon kalimin e rrezeve ultraviolet. Shishet plastike prej polikarbonati, xhami i dritareve nuk bëjnë për dizinfektim sepse nuk lejojnë kalimin e rrezeve ultraviolet. Aftësia e xhamit për të lejuar kalimin e rrezeve ultraviolet varet nga përmbajtja e oksidit të hekurit në të. Xhamat Pyrex, Vycor (enët e xhamit që përdoren në furrë, për gatim me shumë mundësi janë prej Pyrexi ose Vycori, sepse këto janë xhama të qendrueshëm ndaj temperaturave të larta), Quartz lejojnë kalimin e rrezeve ultraviolet por janë më të vështirë për tu siguruar se shishet PET.
Sa më e vogël të jetë trashësia e enës me ujë aq më mirë përshkuhet uji nga rrezet diellore.Shishja mbushet me ujë dhe lihet në diell të paktën 6 orë. Në ditë me pak ndriçim uji lihet 2 ditë në diell.
  • Nqs. uji është shumë i turbullt ai duhet filtruar njëherë (përmes rërës psh.), pastaj ekspozohet në diell. Uji është shumë i turbullt nëse kur vëmë një gazetë poshtë fundit të shishes nuk jemi në gjendje të lexojmë titullin e saj nga gryka e shishes përmes ujit.
  • Intensiteti i rrezatimit të ujit është më i lartë nëse shishet vendosen mbi metal pasqyrues si psh. alumin, me kënd të pjerrët ndaj diellit.

Burimet

Perdorimet industriale te urines


Urina është përdorur:
  1. Si ilaç
  2. Si zbardhues
  3. Në prodhimin e lëkurëve
  4. Në lyerjen e tekstileve me bojë
  5. Si lëndë e parë për prodhimin e nitratit të potasit
  6. Në përdorime të tjera
Urina sa del nga trupi është sterile. Ajo përmban, ndër të tjera, ure dhe amonjak. Në sajë të tyre ajo ka veti bazike, gërryese dhe anti-bakteriale, prandaj është përdorur në mjekësi, si pastruese etj..
Me ndenjen e saj, nën efektin e bakterieve, rritet përqëndrimi i amonjakut dhe zvogëlohet përqëndrimi i uresë. Prandaj për disa përdorime ajo lihet të ndenjet.
  1. Si ilaç
Përdorimi i urinës si ilaç njihet në disa kultura: romakët e lashtë, indianët, kinezët, popujt arabë etj. Sëmundjet për të cilat rekomandohet nga mjekësia popullore janë nga më të ndryshmet: për disinfektimin e plagëve, të lëkurës, për infeksione të brendshme etj.
Në mjekësinë popullore në disa sëmundje rekomandohet pirja e urinës si ilaç. Sipas studimit të doktorit Donald Kaye “Urina e vullnetarëve të testuar pasi këta kishin pirë ure kishte një rritje të theksuar në vetitë e saj antibakteriale, në krahasim me urinën përpara pirjes së uresë”.
Pra kjo praktikë e pirjes së urinës mund të ketë shpjegime shkencore.
Në librin “Mjekësia popullore, kulturë e lashtë në shërbim të shëndetit”, e mjekut Hysni Ndoja, ne faqen 114, ka një shembull të përdorimit të urinës:
“14. Kur sëmundja e mishrave të dhëmbëve ishte acaruar e shoqëruar me dhëmbje, i jepnin për ta larë gojën të sëmurit me urinën e vet. Me këtë e shpërlanin gojën dy-tre herë në ditë’
Zakonisht urina është përdorur për vetitë e saj antibakteriale në rrethanat e pamundësisë së gjetjes së mjeteve të tjera më të përshtatshme.

  1. Si zbardhues dhe detergjent:
Romakët e lashtë përdornin urinën e ndenjur për zbardhimin e togave të leshta, për largimin e njollave të yndyrës nga rrobat (yndyra është acide, amonjaku është bazik prandaj ndihmon në largimin e yndyrës), për zbardhimin e dhëmbëve, për pastrimin e dyshemeve prej dërrase etj.
Fjala e urtë latine “pecunia non olet”, paraja nuk mban erë, e ka origjinën nga fakti që në shekullin e 1-rë pas erës sonë perandori romak Vespasian vendosi taksë mbi aktivitetin e grumbullimit të urinës që përdorej në disa aktivitete artizanale.
Djali i Vespasianit, Titus-i, ju ankua për pështirosjen që i jepte taksa. Si përgjigje babai i mbajti një monedhë përpara fytyrës dhe i tha “Nuk mban erë!”.
3. Në përpunimin e lëkurëve: urina është përdorur, njësoj si gëlqerja dhe finja, për regjen e lëkurëve përpara heqjes së qimeve. Prandaj në të kaluarën fabrikat e përpunimit të lëkurëve ndërtoheshin ne periferi të qyteteve, në lagje të varfëra.
4. Lyerja e tekstileve me bojë:
Shumë bojëra natyrale kërkojnë përdorimin e kimikateve që boja të fiksohet pas fibrave të tekstilit. Për fiksimin e bojërave është përdorur përveç tanineve, uthullës dhe kripës, edhe urina e ndenjur.
  1. Në prodhimin e nitratit të potasit:
Në shekullin e 20 nitrati I potasit prodhohej duke përzier jashtëqitjet e kafshëve me llaç ose hir druri, dhé si dhe materiale organike si psh. kashtë.  Pirgu zakonisht kishte përmasa 1.5-2-5 metër. Pirgun e lagnin herë pas here me urinë, e mbanin të ruajtur nga shirat dhe pas rreth një viti e lanin me ujë për ti tretur substancat e dekompozimit.
Në një mënyrë tjetër prodhimi të nitratit të potasit të përshkruar nga LeConte urina e ndenjur vendoset në një kontenier kashte dhe lejohet të fermentohet për shumë muaj. Pas kësaj kripërat e mbledhura mbi kashtë treten në ujë. Lëngu i përfituar filtrohet përmes hirit të drurit dhe lihet të thahet në diell.
Në këtë proçes bakteriet e shndërrojnë urenë dhe amonjakun e urinës në kripëra kalcium nitrati. Këto kripëra shndërrohen në potasium nitrati nën veprimin e hirit të drurit.
  1. Përdorime të tjera:
Sipas fjalorit të Sidney Addys, i vitit 1888: “ …ruhej në një kontenier, përzihej me gëlqere, me këtë lyheshin farat e grurit përpara mbjelljes që zogjtë mos ti ngacmonin farat”.
Sally Magnusson në librin e saj “Mbi urinën: Historia e përdorimit të urinës” thotë se terroristët e përdorin në prodhimin e eksplozivëve, gjithashtu në Angli është përdorur në prodhimin e birrës dhe të bukës.
Burimet:

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...