Urina është përdorur:
- Si ilaç
- Si zbardhues
- Në prodhimin e lëkurëve
- Në lyerjen e tekstileve me bojë
- Si lëndë e parë për prodhimin e nitratit të potasit
- Në përdorime të tjera
Urina sa del nga trupi është sterile. Ajo përmban, ndër të tjera, ure dhe amonjak. Në sajë të tyre ajo ka veti bazike, gërryese dhe anti-bakteriale, prandaj është përdorur në mjekësi, si pastruese etj..
Me ndenjen e saj, nën efektin e bakterieve, rritet përqëndrimi i amonjakut dhe zvogëlohet përqëndrimi i uresë. Prandaj për disa përdorime ajo lihet të ndenjet.
- Si ilaç
Përdorimi i urinës si ilaç njihet në disa kultura: romakët e lashtë, indianët, kinezët, popujt arabë etj. Sëmundjet për të cilat rekomandohet nga mjekësia popullore janë nga më të ndryshmet: për disinfektimin e plagëve, të lëkurës, për infeksione të brendshme etj.
Në mjekësinë popullore në disa sëmundje rekomandohet pirja e urinës si ilaç. Sipas studimit të doktorit Donald Kaye “Urina e vullnetarëve të testuar pasi këta kishin pirë ure kishte një rritje të theksuar në vetitë e saj antibakteriale, në krahasim me urinën përpara pirjes së uresë”.
Pra kjo praktikë e pirjes së urinës mund të ketë shpjegime shkencore.
Në librin “Mjekësia popullore, kulturë e lashtë në shërbim të shëndetit”, e mjekut Hysni Ndoja, ne faqen 114, ka një shembull të përdorimit të urinës:
“14. Kur sëmundja e mishrave të dhëmbëve ishte acaruar e shoqëruar me dhëmbje, i jepnin për ta larë gojën të sëmurit me urinën e vet. Me këtë e shpërlanin gojën dy-tre herë në ditë’
Zakonisht urina është përdorur për vetitë e saj antibakteriale në rrethanat e pamundësisë së gjetjes së mjeteve të tjera më të përshtatshme.
- Si zbardhues dhe detergjent:
Romakët e lashtë përdornin urinën e ndenjur për zbardhimin e togave të leshta, për largimin e njollave të yndyrës nga rrobat (yndyra është acide, amonjaku është bazik prandaj ndihmon në largimin e yndyrës), për zbardhimin e dhëmbëve, për pastrimin e dyshemeve prej dërrase etj.
Fjala e urtë latine “pecunia non olet”, paraja nuk mban erë, e ka origjinën nga fakti që në shekullin e 1-rë pas erës sonë perandori romak Vespasian vendosi taksë mbi aktivitetin e grumbullimit të urinës që përdorej në disa aktivitete artizanale.
Djali i Vespasianit, Titus-i, ju ankua për pështirosjen që i jepte taksa. Si përgjigje babai i mbajti një monedhë përpara fytyrës dhe i tha “Nuk mban erë!”.
3. Në përpunimin e lëkurëve: urina është përdorur, njësoj si gëlqerja dhe finja, për regjen e lëkurëve përpara heqjes së qimeve. Prandaj në të kaluarën fabrikat e përpunimit të lëkurëve ndërtoheshin ne periferi të qyteteve, në lagje të varfëra.
4. Lyerja e tekstileve me bojë:
Shumë bojëra natyrale kërkojnë përdorimin e kimikateve që boja të fiksohet pas fibrave të tekstilit. Për fiksimin e bojërave është përdorur përveç tanineve, uthullës dhe kripës, edhe urina e ndenjur.
- Në prodhimin e nitratit të potasit:
Në shekullin e 20 nitrati I potasit prodhohej duke përzier jashtëqitjet e kafshëve me llaç ose hir druri, dhé si dhe materiale organike si psh. kashtë. Pirgu zakonisht kishte përmasa 1.5-2-5 metër. Pirgun e lagnin herë pas here me urinë, e mbanin të ruajtur nga shirat dhe pas rreth një viti e lanin me ujë për ti tretur substancat e dekompozimit.
Në një mënyrë tjetër prodhimi të nitratit të potasit të përshkruar nga LeConte urina e ndenjur vendoset në një kontenier kashte dhe lejohet të fermentohet për shumë muaj. Pas kësaj kripërat e mbledhura mbi kashtë treten në ujë. Lëngu i përfituar filtrohet përmes hirit të drurit dhe lihet të thahet në diell.
Në këtë proçes bakteriet e shndërrojnë urenë dhe amonjakun e urinës në kripëra kalcium nitrati. Këto kripëra shndërrohen në potasium nitrati nën veprimin e hirit të drurit.
- Përdorime të tjera:
Sipas fjalorit të Sidney Addys, i vitit 1888: “ …ruhej në një kontenier, përzihej me gëlqere, me këtë lyheshin farat e grurit përpara mbjelljes që zogjtë mos ti ngacmonin farat”.
Sally Magnusson në librin e saj “Mbi urinën: Historia e përdorimit të urinës” thotë se terroristët e përdorin në prodhimin e eksplozivëve, gjithashtu në Angli është përdorur në prodhimin e birrës dhe të bukës.
Burimet:
- “Antibacterial activity of human urine”, Donald Kaye, Department of Medicine, The New York Hospital-Cornell Medical Center, New York: 10021http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC297400/.
- “Urine therapy through the centuries”, botuar në revistën J Nephrol. 2011 May-Jun;24 Suppl 17:S123-5. doi: 10.5301/JN.2011.6463; me autorë: Savica V, Calò LA, Santoro D,Monardo P, Mallamace A, Bellinghieri G, Department of Nephrology, University of Messina, Messina, Italy: http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/21614793