Përdorimi i insekticideve sintetike është shumë i përhapur në ambjentet shtëpiake. Këto janë të rrezikshme për fëmijët, janë të dëmshme për shëndetin, dhe ngarkojnë buxhetin e familjes.
Ka mënyra natyrale për largimin nga ambjentet e shtëpisë të:
1. Myshkonjave, mizave.
2. Pleshtave.
3. Molës.
4. Milingonave, bubuzhelave.
5. Morrave.
1. Myshkonjave e mizave
- Ziejmë lëkurat e limonit ose portokalles dhe gjethet e mentes dhe e lëmë lëngun të ndenjet gjatë natës. E filtrojmë dhe e përziejmë me alkol 70%. E hedhim përzierjen në shishe spruco. Mund të përdoret në vend të insekticidit.
- Bima e borzilokut, lavanda i largon mizat. Mund të vendosni në shtëpi disa vazo me borzilok.
- Era e hudhrës gjithashtu mendohet se i largon myshkonjat dhe mizat. Nëse konsumoni hudhra në darkë (ndihmojnë dhe për gjumin) gjatë natës mund të shqetësoheni më pak nga insektet. Ose, mund të varni hudhra të shtypura në dyert e shtepisë (nëse nuk prisni vizitorë!)
- Në dhomë vinin një saksi me bimën e recinës (bar ujthi). Mizat kur bien në kontakt me bimën ngordhin.
- Në dhomë, përpara fjetjes, digjnin një dorë bar pleshti, myshkonjat largoheshin nga tymi.
- Një grusht farash shikakuqe (herdha qeni) i thërrmojmë, i shtypim dhe i hedhim në një 1 vaj. E lëmë përzierjen të regjet në një vend të ngrohtë për 15 ditë. Me këtë lyhet koka, pjesët metalike dhe të drunjta të shtretërve dhe të orendive të tjera të shtëpisë.
- Rrënjët e Inula Helenium nëse i varim në hyrje të derës ose dritares, mizat dhe myshkonjat ngjiten pas saj.
- Gjethet e mentes, të shtypura, i mbështjellim me burulluk dhe i varim në ambjente të ndryshme të shtëpisë. Era e gjetheve të mentes largon dhe minjtë.
- Thërrmonin një grusht fare hashashi dhe i zienin në një xhezve treshe, lëngun ja hidhnin ujit të gëlqeres që përgatitnin për lyerjen e dhomave.
- (Sipas Kodit Penal përdorimi vetjak dhe në doza të vogla i substancave narkotike dhe psikotrope, si dhe i farërave të bimëve narkotike nuk përbën vepër penale.)
2. Pleshtat
- Bimën e barit të pleshtit, e thërmonin, me të pluhurosnin krevatin përreth, dyshemenë, mobiljet e tjera.
- Gjembat e njomë të qinglës, i thërmmonin dhe i vendosnin nëpër dysheme, krevate, mobilje.
- Tri duar gjethe ose lëvore arre, i thërrmonin, i zienin në dy litra ujë për ½ orë, mbasi i shtrydhnin i kullonin. Me lëngun lyenin shtratin, mobiljet e infektuara me çimka.
- Dy duar lule kamomili i regjnin në dy litra uthulle të fortë, i regjnin për 3-4 ditë, me këtë lyenin vendet e infektuara me çimka.
- Zienin dy duar gjethe e kërcej duhani në 5-6 litra ujë, në këtë shtonin dhe 1/3 kallëp sapun rrobash, si e kullonin, të ngrohtë, njomnin me anë të një druri një copë nape dhe me këtë lyenin muret e dërrasat e infektuara me çimka.
3. Mola
- Nëpër rroba shpërndajmë lëkura të thara portokalli.
- Bimën e lavandos të tharë e mbështjellin me burulluk dhe e lënë në tesha.
4. Milingonat, bubuzhelat
- Një mjet vrasës i miliongonave dhe bubuzhelave është acidi borik. Acidi borik është shumë më pak helmues se insekticidet sintetike. Pluhuri i acidit borik përzihet me sheqer, tretet në ujë dhe spërkatet në vendin ku kalojnë milingonat, bubuzhelat. Sheqeri shërben për të tërhequr milingonat. Përzierja lihet të paktën disa jave për të kryer efektin. Pasi thahet uji kristalet e acidit mbeten të përhapura në ambjentet e spërkatura. Kristalet ngjiten pas këmbëve të bubuzhelave, milingonave dhe këto ngordhin nga kristalet.
- Soda e bukës përzihet me sheqer, në raportin 1:1. Vihet në enë të hapura, në vende ku kalojnë bubuzhelat. Pranë tyre vihen enë të hapura me ujë. Mendohet se bubuzhelat tërhiqen nga sheqeri, e konsumojnë, pastaj pijnë ujë dhe kombinimi i sodës së bukës me ujin bën që stomaqet e bubuzhelave të pëllcasin. Përzierjet duhen ruajtur nga fëmijët dhe kafshët shtëpiake.
5. Morrat:
Mënyrat e mjekimit:
- Vaji i anasonit: mjaftonte lyerja e kokës dy-tri herë për ti zhdukur. Vaji i anasonit këshillohet dhe kundër myshkonjave dhe mizave.
- Gratë mbasi e lanin më parë kokën me finjë të kulluar e me sapun, i fërkonin flokët me uthull të fortë rrushi. Merrnin një litër nga kjo dhe i hidhnin një grusht kripë, të shkrirë në pak ujë të ngrohtë. Mbas 24 orësh e lanin përsëri kokën me ujë të ngrohtë e me sapun. Këtë mjekim e vazhdonin 3-4 herë.
- Merrnin një grusht nga gjethet e bimës të quajtur ryz ose bari i rucës dhe e zienin në më pak se 1 litër ujë. Si e kullonin, me lëngun e tyre fërkonin kokëk. Po me gjethet e kësaj bime, të bëra pluhur, e pudrosnin kokën pas fërkimit.
- Merrnin një kokërr qepe të mesme, 5-6 thelpinj hudhre dhe i shtypnin në havan. Këto i hidhnin në gjysëm litre uthulle të fortë ku i linin 5 ditë. Si i shtypnin mirë, uthullën e kullonin dhe me të lyenin kokën gjithnjë pas larjes me finjë ose sapun.
- Trangullin faroç e grinin në rendë pa e qëruar, me gjithë farë. Të grirë e hidhnin në një napë, ku e kullonin. Me lëngun ia lyenin kokën duke ja mbështjellë . Këtë e bënin tri netë rresht. Kokën e mbante të lidhur gjithë natën.
- Për zhdukjen e morrave të trupit, rrobat i zienin për një kohë të gjatë në një finjë të fortë. Si thaheshin pak i hidhnin në shëllirë duke i lënë dy-tri orë, pastaj i shpëlanin.
- Për të pastruar shtresat dhe mbulesat nga morrat, mbulonin me to kalin e djersitur duke ja lënë në trup dy orë. Kaq mjaftonte për zhdukjen e tyre.
- Hapnin një gropë në dhé e fusnin në të batanijet duke i lënë një skaj të tyre përjashta. Në këtë skaj mlidheshin morrat ku i pastronin menjëherë.
- Si pastrohej koka me ujë e sapun, ia pudrosnin me pluhur piperi, duke ia lidhur për 3-4 mbrëmje. Po, në këtë mënyrë përdorej dhe bari i pleshtit, i përzier me vaj ulliri, ose duke e pudrosur si pluhur.
- Merrnin dy duar lëvore nga arra e njomë, si i shtypnin, i zienin në dy litra ujë. Me këtë lëng në gjendje të ngrohtë, laheshin e pastroheshin. Mjekimin e vazhdonin 2-3 mbrëmje.
Në çdo rast higjena dhe mbajtja e ambjenteve të thata është mjeti kryesor i largimit të insekteve nga shtëpia.
Insektet janë problematike dhe për farat që ruajmë në shtëpi. Psh. fasulet, mielli, trahanaja etj. mund të pushtohen nga insektet. Para disa kohësh zbulova se 5 kg fasule që sapo mi kishin dhuruar u mbushën me miza. Këshilla e parë ishte tu hidhja fostoksinë, një pesticid. Në vend të kësaj provova një këshillë interneti: i lashë në furrë në 100 oC për 1 orë. Kjo duhej të ngordhte larvat. Pas kësaj, në 3 javët në vazhdim fasulet duken të pastra nga mizat. Sipas grave të vjetra, speci djegës po ashtu i largon mizat nga fasulet. Për të larguar mizat hedhim 1 varg me speca djegës të copëtuar (kushton 130 lek vargu) në 5 kg fasule.
Literatura:
http://floripress.blogspot.com/2013/06/ceshte-programi-dddne-kompanine-flomed.html
Flori Bruqi: Ç'ËSHTË PROGRAMI D.D.D.NË KOMPANINË FLOMED PRISHTINË?
- “Mjekësia Popullore, kulturë e lashtë në shërbim të shëndetit”, Hysni Ndoja, Shtëpia Botuese “Apollonia”, 1995
- “Libri i madh i mirëmbajtjes në shtëpi”, Barti Phillips, Shtëpia Botuese Cserepfalvi