2016-02-10

WC-te ekologjike


Shndërrimi i fekaleve dhe urinës në pleh organik bën që nutrientët e tyre ti rikthehen tokës dhe të parandalohet degradimi i saj.
Sikurse përmendim në artikullin mbi tranzicionin në bujqësi pas pikut të naftës plehërat organikë do të rifitojnë rëndësinë e tyre në ruajtjen e pjellorisë së tokës për shkak të pakësimit të plehërave kimikë.
Fekalet dhe urina (po i quajmë humanurë, sipas librit të dëgjuar me të njëjtin titull) kanë përqindje të lartë azoti, fosfori, kaliumi, karboni dhe kalciumi. Humanura në vlera ushqimore është e barazvlefshme me plehun organik të blerë në dyqanet e luleve. Kompostimi i saj përveçse rrit pjellorinë e tokës ndihmon dhe në konservimin e ujit të pijshëm (i cili me WC-të tradicionale bëhet pjesë e ujërave të zeza, të papërdorshme për bujqësinë);  shmang ndohtjen e ujërave nëntokësorë si dhe pakëson konsumin e energjisë (i nevojshëm për transportimin dhe përpunimin e ujërave të zeza).
Për kompostimin dhe shfrytëzimin e humanurës ka disa metoda:
WC-ja me dy gropa (Fossa alterna):
Në foto: Si funksionon fossa alterna
Unaza me tulla ose çimento rreth gropës ndihmon që gropa të mos shembet.
Pas çdo defekimi në gropë shtohen pak mbeturina të kuzhinës dhe/ose gjethe, dhe/ose dhé. Kjo ndihmon në kompostim duke shtuar karbon dhe mikroorganizma.
Kur gropa e parë mbushet, pas rreth 12-24 muajsh, në varësi të madhësisë së gropës dhe përdoruesve, WC-ja kalon mbi gropën e dytë. Gropa e parë mbulohet dhe materiali në të lihet të dekompozohet në pleh. Kompostimi kërkon rreth 6-12 muaj. Pasi kalon kjo periudhë gropa zbrazet nga plehu dhe, pasi është mbushur gropa e dytë, ripërdoret. E njëjta gjë bëhet me gropën e dytë.
WC-ja arborlo:
Wc-ja ndërtohet në natyrë mbi një gropë, kur kjo mbushet hapet një gropë e re dhe WC-ja kalohet mbi këtë. Mbi gropën e mëparshme mbillen pemë.
 WC-ja me bimë (Tree bog quhet në anglisht):
Ndenjësja e WC-së ndërtohet të paktën 1 metër mbi tokën. Poshtë ndenjëses vendoset një rrjetë metalike në dy shtresa që  të pengohet futja e minjve, kafshëve të vogla dhe fëmijëve.  Hapësira brenda rrjetës mbushet me sanë e cila përthith urinën e tepërt. Urina e tepërt mund të krijojë erëra të këqija. Sana pengon dhe shikimin e përmbajtjes së WC-së duke mos penguar në të njëjtën kohë ajrimin e humanurës.
Ndërtesa rrethohet nga 2 rradhë të mbjella dendur me shelg ose hithër. Shelgu dhe hithra të cilat zhvillohen shpejt për shkak të ushqimit të bollshëm që gjejnë mund të priten rregullisht dhe të shfrytëzohen  për qëllime të tjera.
Rrënjët e pemëve kanë mikro-organizma të tokës të cilat dekompozojnë humanurën dhe lëndët ushqyese në të i bëjnë të përthithshme.
WC-ja kompostuese moderne
E tillë nuk di të shitet në Shqipëri prandaj besoj është me pak interes për lexuesit.
Më  poshtë  mund të  lexoni citime nga libri “The humanure handbook: A guide to composting human manure” (“Libri mbi humanurën: Udhëzues për kompostimin e jashtëqitjeve njerëzore”), e Joseph Jenkins, i cili tregon se sa e paqëndrueshme është praktika aktuale e derdhjes së jashtëqitjeve njerëzore në ujërat e pijshëm:
“Kur kultivohen bimë në tokë bujqësore, ka rëndësi që mbeturinat organike të atyre bimëve, përfshirë dhe jashtëqitjet e kafshëve, ti rikthehen tokës ku bimët u kultivuan. Riciklimi i mbeturinave organike në tokë duhet të jetë universale në një bujqësi të qendrueshme. Megjithatë, përfaqësuesit e shoqatave të bujqësisë së qendrueshme heshtin kur vjen fjala për përdorimin e jashtëqitjeve njerëzore (humanurë) në bujqësi. Pse?
Ndoshta sepse ka një mungesë të thellë të njohjes së “ciklit të ushqyerjes së njeriut” dhe nevojës për ta mbajtur atë cikël të pa-ndërprerë. Ky cikël është: a) kultivo bimë, b) haji, c) grumbullo dhe përpuno mbeturinat organike (fekalet, urinën, mbeturinat ushqimore dhe materialet e tjera organike, dhe d) rikthe materialet organike të përpunuara në tokë. Toka kështu pasurohet dhe prodhimi ka rendiment më të lartë. Ky cikël përsëritet, pa fund. Ky është një proçes i qendrueshëm, i cili imiton ciklet natyrale të natyrës dhe forcon aftësinë tonë për të mbijetuar si civilizim. Nëse mbeturinat hidhen dëm si të panevojshme, ky cikël i natyrshëm ndërpritet, duke krijuar probleme si ndohtja, humbje e pjellorisë së tokës, dhe abuzim i burimeve ujore.
Në SHBA çohen dëm rreth 454 kg humanurë çdo vit, kjo hidhet në kanalizimet e ujërave të zeza dhe në WC-të. Shumica e humanurës përfundon në landfille, bashkë më mbeturinat e tjera të ngurta, të cilat janë rreth 454 kg në vit për person. Për një popullsi prej 250 milion njerëzish kjo do të thotë rreth 250 milion tonë mbeturina urbane çdo vit, nga të cilat të paktën gjysma janë të dobishme për bujqësinë.
Praktika që zakonisht aplikojmë për menaxhimin e mbeturinave është primitive: Hapim gropa në tokë, i hedhim aty mbeturinat, pastaj e mbulojmë gropën. Kjo quhet landfill dhe për shumë vjet teknika e tyre ka qenë kaq e thjeshtë. Kurse landfillet e sotme “higjenike” janë të veshura me çarçafe sintetike hidroizoluese të cilat pengojnë filtrimin e lëngjeve të mbeturinave në ujërat nëntokësorë. Vetëm 1/3 e landfilleve në SHBA janë të veshura. E lezetshme është se këto landfille të veshura u ngjajnë pampersave gjigandë njëpërdorimsh. Ato janë kontenierë  gjigandë, plastikë, ku plehërat e konsumerizmit tonë rrinë kot, të varrosura si në muzoleume që duan të ruajnë llumin tonë për brezat e ardhshëm. Llumi i tyre transportohet në këto landfille pampersa gjigandë, dhe varroset aty.
Nuk po sugjeroj që ujërat e zeza të përdoren në bujqësi. Për mendimin tim, nuk duhet të përdoren. Ujërat e zeza janë të përziera me materiale toksike si psh. mbeturina industriale, mbeturina mjekësore, kimike, të gjitha të përziera bashkë në kanalizimet e ujërave të zeza. Gary Gardner (në “Gjendja në botë”, 1998) thotë: “Me mijëra substanca toksike dhe kimike të përdorura në industri, përfshirë PCB-të, pesticidet, dioksinat, metalet e rënda, azbesti, derivatet e naftës dhe tretësit industrialë, janë pjesë e ujërave të zeza”. Përveç këtyre janë dhe mikrobet patogjene. Kur në vitin 1949 në Berlin u përdor llum i papërpunuar, i akuzua si shkak i përhapjes së krimbave parazitë. Në vitet 1980 dyshohej si shkaktari i etheve të tifos në Santiago. Kurse në vitet 1970 dhe 1991 u akuzua si shkaku i epidemive të kolerës respektivisht në Jeruzalem dhe Amerikën e Jugut.
Kurse humanura, nëse nuk përzihet me ujërat, grumbullohet dhe përpunohet (kompostohet), përbën një pleh të mirë për bujqësinë. Nëse kombinojmë humanurën me mbeturinat ushqimore, përzierja shërben si ushqim dhe përpunohet nga disa mikroorganizma të dobishme.
Agjensia e Mjedisit e SHBA-së vlerëson se në SHBA prodhohet çdo vit rreth 22 milion tonë mbeturina ushqimore. Në të gjithë SHBA-në, mbeturinat ushqimore vlerësohen të kenë qenë rreth 48 milion tonë në vitin 1995. Këto mund të përdoren si material organik për kompostimin bashkë me humanurën. Por në vitin 1994 vetëm 2.4 % e mbeturinave ushqimore në SHBA u kompostuan. Pjesa tjetër, 97.6 % u dogj ose përfundoi në landfille.
Në vitin 1998 vendet e industrializuara riciklonin vetëm 11% të mbeturinave të tyre organike. OECD, një vend me anëtarë vende të zhvilluara, vlerëson se ~36% e mbeturinave në vendet e saj anëtare janë mbeturina organike dhe të kopshteve. Nëse llogarisim dhe mbeturinat e letrës atëhere mbeturinat organike përbëjnë 2/3 e gjithë mbeturinave. Në vendet në zhvillim materialet organike përbëjnë ½ deri në 1/3 e gjithë plehrave. Sipas agjensisë së mjedisit të SHBA, pothuajse 80% e mbeturinave të ngurta neto në SHBA është material organik.
Është gjithmonë e më e qartë se nuk është e mençur të përdoren landfillet për hedhjen e mbeturinave të riciklueshme. Landfillet mbushen dhe për zëvendësimin e landfilleve të mbushura duhen ndërtuar të reja. Kostua e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së një landfilli të liçencuar është rreth 125 milion dollarë dhe është në rritje. 8000 landfillet në funksion në SHBA në vitin 1988, u pakësuan në 5,812 në fund të vitit 1991. Në vitin 1996, mbetën vetëm 3091.
Në fakt është mirë që landfillet po mbyllen kaq shpejt. Ata janë famëkeqe për ndohtjen e ujit, tokës dhe ajrit.  20% tani vlerësohen si zona me ndohtje të rrezikshme. Një raport i vitit 1996 i shtetit të Floridës zbulon se ndohtja e ujërave nëntokësorë nga landfillet e vjetra, të paveshura mund të përhapet deri në 3.4 milje larg dhe se 523 burime të ujërave të përdorur në Florida janë më afër se 1 milje nga të paktën 1 landfill i mbyllur, kurse 2700 burime janë brenda 3 miljesh nga të paktën 1 landfill i mbyllur. Padyshim situata është e ngjashme dhe në pjesën tjetër të SHBA-së.
Mbeturinat organike të depozituara në landfille krijojnë sasi të mëdha metani, kontribues i rëndësishëm në ngrohjen globale. Landfillet e SHBA-së janë ndër “kontribuesit më të mëdhenj në emetimet globale të metanit, ” sipas Këshillit të Mbrojtjes së Burimeve Natyrore. Sipas agjensisë së mjedisit të SHBA-së, metani është 20-30% më i fuqishëm se CO2 në efektin serë.
Tarifat për depozitimin e mbeturinave në landfille, pas vitit 1986, janë rritur dy herë më shpejt se inflacioni. Në fakt që atëhere ato janë rritur 300% dhe pritet të rriten akoma me këtë shpejtësi.
Në vendet në zhvillim, gjendja e landfilleve nuk është e mirë. Në Brazil psh, pothuajse të gjithë mbeturinat organike përfundojnë në landfille, ¾ e 90,000 tonëve në ditë përfundojnë në landfille të hapura. Dalëngadalë po e kuptojmë se ky shpërdorim duhet të ndalohet. Nuk mund të vazhdojmë të çojmë dëm lëndë të dobishme duke i varrosur në landfille ndohtëse, të përkohshme, gjithmonë e më të kushtueshme.
Prandaj riciklimi po përhapet gjithmonë e më shumë në SHBA. Midis 1989 dhe 1992, riciklimi u rrit nga 9 në 14 %, sasia e mbeturinave organike urbane që përfundoi në landfille në SHBA u pakësua me 8 %.Mesatarja kombëtare e riciklimit të gjithë materialeve në SHBA vajti 27% në vitin 1998. Kompostimi po përhapet mjaft në disa vende të botës. Në SHBA, punishtet e kompostimit u rritën nga 700 në vitin 1989 në 3200 në vitin 1996. Megjithëse ky është një trend i mirëpritur nuk adreson siç duhet një temë e cila ende kërkon vëmendje: çfarë të bëjmë me humanurën, e cila rrallë riciklohet në vendet perëndimore.
Nëse do të mblidhnim të gjithë jashtëqitjet njerëzore në botë dhe do ti shpërndanim në tokën e punuar në vitin 1950, në çdo 1 milje katror do të aplikonim ~200 tonë (rreth 690 paund për akër). Ne vitin 2000, sasia e jashtëqitjeve është dyfishi sepse popullsia botërore është një rritje, kurse toka bujqësore jo. Në fakt toka bujqësore po ngadalësohet vazhdimisht dhe po humbet çdo vit një sipërfaqe sa Kansasi. Popullsia në rritje e botës po prodhon një sasi në rritje mbeturinash organike të cilat duhen përpunuar me përgjegjësi dhe kujdes. Nuk jemi herët të kuptojmë se mbeturinat organike të aktiviteteve njerëzore janë burime të vyera të cilat janë të shkëlqyera për riciklim.
Në vitin 1950, vlera në dollarë e nutrientëve të humanurës globale ishte 6.93 miliardë dollarë. Në vitin 2000, vlera do të arrijë 18.67 miliard dollarë (llogaritur me çmimet e vitit 1975). Këto janë para të hedhura në landfille dhe të shpërdoruara si ndohtje. Çdo kanalizim ka një dalje: çdo gjë e hedhur “tutje” thjesht nga një vend përfundon në tjetrin. Njësoj dhe për humanurën dhe mbeturinat e tjera organike. Jo vetëm po hedhim në wc “pasuri”, por po paguajmë dhe shtrenjtë për ta realizuar këtë. Kostua është jo vetëm ekonomike, por edhe mjedisore.
“Shkenca tashmë e di se plehu organik më i mirë dhe pjellor është ai i përgatitur nga jashtëqitjet njerëzore . . .
A e dini se çfarë janë këto jashtëqitje . . . Këto janë një lëndinë me lule, bar i gjelbër, është nenexhiku, trumza dhe sherebela…është gruri, buka në tavolinën tuaj, është gjaku i ngrohtë në venat tuaja.”
Victor Hugo
Duke hedhur në wc nutrientët e tokës, ne rrisim nevojën për plehëra kimikë. Sot, ndohtja nga bujqësia, e shkaktuar nga erozioni për shkak të përdorimit të tepruar ose të gabuar të plehërave kimikë, është burimi më i madh i përhapur i ndohtjes së ujit në lumenjtë, liqenet dhe përronjtë tanë. Plehërat kimikë janë burime komode të azotit, fosforit dhe kaliumit në tokat e varfëra. Megjithatë vlerësohet se 25-85% e azotit kimik të plehëruar në tokë dhe 15-20 % e fosforit dhe kaliumit humbasin në ujëra dhe  ndohtin ujërat nëntokësorë. Kjo ndohtje shfaqet në pellgjet e vogla të cilat mbipopullohen me alga për shkak të sasisë së madhe të azotit. Në vitin 1992 psh. në shtetin e Floridës, u nevojit ndërtimi i 35,000 akrave këneta për të filtruar ndohtjen nga fermat të parkut natyror Everglades. Nga viti 1950 deri më 1990, konsumi global i plehërave kimikë u rrit me 1000%, nga 14 milionë tonë në 140 milionë tonë. Në vitin 1997, fermerët e SHBA-së përdorën 20 milionë tonë plehëra kimikë dhe gjysma e gjithë plehërave kimikë të prodhuar deri tani është konsumuar pas 1982. Ndërkohë që me qindra milionë lëndësh organike të kompostueshme prodhohen në SHBA çdo vit, këto ose depozitohen në landfille, digjen ose lihen në ambjent si mbeturina të padobishme.
Ndohtja nga nitratet e plehërave kimikë është sot një nga problemet më serioze të ndohtjes së ujit në Europë dhe Amerikën Veriore. Kjo ndohtje mund të shkaktojë kancer, madje dhe dëmtim të trurit dhe vdekje në foshnjet. Shumë raste helmimesh foshnjash ndodhin kur formula bëhet me ujë të ndohtur me nitrate. Në vitin 1984 agjensia e mjedisit e SHBA-së në një testim të saj zbuloi se nga 124000 puse të studiuar 24,000 kishin nivele të larta nitratesh dhe 8000 ishin ndohtur përmbi nivelet e lejuara (10 mg/l). Në fakt, një studim i vitit 1990 i agjensisë së mjedisit tregoi se 4.5 milion amerikanë ishin të ekspozuar ndaj niveleve të larta të nitrateve në ujërat e puseve.
Shpërdorimi i burimeve tona ujore dhe ndohtja nga ujerat e zeza dhe plehërat kimikë vjen pjesërisht nga besimi se jashtëqitjet e njeriut dhe mbeturinat ushqimore janë plehëra të padobishëm dhe jo burime natyrore të shfrytëzueshme. Por ka një alternativë.Humanura dhe mbeturinat ushqimore mund të kompostohen dhe si pasojë të bëhen të pastra për përdorim në bujqësi dhe bahçe. Shumica e vendeve lindore e riciklojnë humanurën. Ato kanë ditur gjatë mijëra viteve se humanura është një burim i vyer i cili duhet ti rikthehet tokës, ashtu sikurse dhe jashtëqitjet e kafshëve.
Fermerët e dinë se jashtëqitjet e kafshëve janë të dobishme. E dinë se jashtëqitjet e kafshëve janë mbeturina të ushqimeve, se ushimet janë produkt i tokës, ujit, ajrit dhe diellit, dhe se mënyra më e mirë e përdorimit të jashtëqitjeve është rikthimi i tyre andej nga e kanë burimin. Prandaj fermeri i rikthen jashtëqitjet e kafshëve në tokat bujqësore, kështu pastron stallat, kursen plehërat kimikë dhe e mban tokën të shëndetshme. Duket diçka e arësyeshme. Atëhere përse nuk veprohet njësoj me jashtëqitjet e njeriut?
Humanura është pak më ndryshe. Nuk mund të spërkatet nëpër fusha e freskët dhe e ndyrë. Ajo duhet përpunuar nga bakteriet një herë, proçes i njohur si kompostim. Kjo me qëllim që të shkatërrohen patogjenët e mundshëm. Kjo është hallka që mungon në riciklimin e burimeve të ushqimit të njeriut. Proçesi është i ngjashëm me atë të çdo kafshe. Njeriu kultivon bimët për ushqim në fushë, apo bahçe. Bimët konsumohen dhe kalojnë në sistemin e tretjes ku trupi thith çfarë i duhet, nxjerr lëndët e panevojshme apo të patretshme, dhe i jashtëqit ato.
Në disa vende të botës, si psh. Në Azi, humanura hidhet e papërpunuar në fusha. Kontenierët me humanurë nxirren jashtë ndërtesave të banimit dhe ngarkohen natën për tu çuar në fusha. Përmbajtja e këtyre kontenierëve, për shkak të kësaj, quhet “toka e natës. Ky libër nuk rekomandon praktikë të tillë.
Humanura e papërpunuar ka potencial të madh për të shkaktuar sëmundje. Këto sëmundje, si psh. nga krimbat parazitë, hepatiti, kolera, dhe tifoja shkatërrohen nga kompostimi kur kompostimi ndodh në temperaturë të ulët për një kohë të gjatë të mjafrueshme, 2 vjet zakonisht, ose kur kompostimi ndodh në temperaturë të lartë të brendshme, e cila mund ti vrasë patogjenët për disa minuta. Kompostimi në temperaturë të lartë shkatërron patogjenët e mundshëm dhe nëse zgjat mjaftueshëm  komposti është i përshtatshëm për përdorim bujqësor.
“Bota është e ndarë në dy kategori njerëzish: ata që jashtëqitin në ujin e pijshëm dhe ata që nuk e bëjnë këtë. Ne në botën perëndimorë hyjmë në grupin e parë. Në jashtëqimit në ujë, zakonisht ujë i pijshëm, i pastër. Pasi e kemi ndyer ujin me jashtëqitjet tona, e nxjerrim në kanalizimet e ujëraave të zeza, pa e ditur dhe pa u shqetësuar se ku shkon.
Ky ritual i jashtëqitjes në ujë mund të jetë i domosdoshëm për të qenë i respektuar në shoqërinë perëndimore. Nëse nuk i depozitoni fekalet në kontenierin me ujë të pijshëm rrgullisht, mund të konsideroheni si i poshtër, i pacivilizuar, i pistë apo i varfër. Mund t’ju etiketojnë si anti-konformist apo radikal.
E megjithatë, derdhja e jashtëqitjeve të njeriut në ujëra ka ndikim në cilësinë e ujit; e ndoht ujin. Sa herë që përdorim tualetin, nxjerrim ~20 litra ujë të ndohtur në ambjent. Kjo është njësoj si të jashtëqisim një një enë uji dhe ta derdhim ujin përpara se të tjerët të kenë mundësi të pijnë. E njëjta gjë kur urinojmë. E bëjmë këtë çdo ditë, disa herë në ditë. Shumëzojeni këtë me 250 milionë njerëz në SHBA.
Edhe pasi uji i ndohtur është trajtuar në impiantet e ujërave të zeza ai mund të jetë akoma i ndohtur me nivele të larta nitratesh, klori, ilaçesh farmaceutike, kimikatesh indutriale, detergjentësh dhe ndohtësish të tjerë. Uji pas trajtimit derdhet direkte në ambjent.”
Burimet:

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...