Nga Rita Strakosha
Në indeksin e korrupsionit të Transparency International, për vitin 2013, Shqipëria ndër 177 vende renditet e 116-ta. Vendet tona fqinjë, Mali i zi dhe Maqedonia janë në vend të 67, Serbia dhe Bosnja Herzegovina në vend të 72, Greqia në vend të 80-të. Jemi ndjeshëm prapa vendeve të rajonit. Sektori më i rëndësishëm i prekur nga korrupsioni është sistemi gjyqësor. Aktualisht po synohet një reformë e këtij sektori me qëllim ndër të tjera pakësimin e korrupsionit.
Një opsion për reformën është futja e sistemit të jurisë në gjykatat shqiptare. Në 21 vende të botës, përfshirë Italinë, Greqinë, Francën etj. juria përdoret në gjyqet e krimeve të rënda, në disa vende dhe në gjyqe civile. Ajo përbëhet nga 4-12 anëtarë të zgjedhur me short nga komuniteti, jo domosdoshmërisht me profesion jurist. Në Itali Corte D’Assise përbëhet nga 2 gjyqtarë profesionistë dhe 6 anëtarë jurie jo-profesionistë. Kjo gjykatë ka kompetencë të gjykojë krimet me dënim maksimal 24 vjet, zakonisht vrasjet. Vendimi merret nga gjyqtarët profesionistë dhe anëtarët jo-profesionistë bashkë e argumentohet. Anëtarët e jurisë zgjidhen me short nga një regjistër i përpiluar nga organet vendore. Ata paguhen për ditët e punës derisa të përfundojë gjyqi. Po sjell shembullin e Italisë, si vendin nga i cili sistemi ynë gjyqësor ka marrë e mund të marrë shumë eksperienca.
Korruptimi i anëtarëve të jurisë është më e vështirë. Identiteti i tyre nuk dihet derisa përzgjidhen gjatë seancës gjyqësore. Për shkak se në çdo gjyq zgjidhet me short një juri tjetër me anëtarë nga komunitetit, do të vështirësohej shumë ruajtja e anonimitetit të sekserit. Duke qenë një numër i madh personash për çdo juri, kostua e korrupsionit për një çështje gjyqësore do të shtohej ndjeshëm. Në vend të një gjyqtari, korruptuesi do të duhet të paguajë rryshfet për disa persona. Edhe në mungesë të dënimit, kostua e korrupsionit do të shërbente si gjobë e lartë për autorin e veprës penale.
Pasojat e një jurie të korruptuar po ashtu janë më të vogla se pasojat e një gjyqtari të korruptuar: juria vendos vetëm një çështje gjyqësore. Në çdo çështje zgjidhet një juri e re, me short. Kurse gjyqtari me mentalitet korrupsioni vendos për gjithë çështjet që i jepen. Nëse gjyqtari korruptohet një herë është më e lehtë të korruptohet përsëri.
Argumentet kundra përdorimit të jurisë në gjyqësor janë mungesa e profesionalizmit në gjykim, mungesa e detyrimit që juria të argumentojë vendimin e vet (kjo jo në çdo jurisdiksion), vështirësimi i prezencës së gjithë trupit gjykues në seancë kur ka shumë seanca gjyqësore. Në kulturën shqiptare institucion i ngjashëm me jurinë është kuvendi i pleqve të fshatit në kanunin e Lekë Dukagjinit. Përdorimi i jurisë gjyqësore mund të eksperimentohet në rrethe të caktuara gjyqësore për tu përhapur në gjithë Shqipërinë në rast të aplikimit të suksesshëm të saj.