2016-10-07

‘Mjedja’, poet i shquar dhe veprimtar patriot.

Nga Flori Bruqi 

Ndre_Mjeda

Ndre Mjeda që vetë nënshkruante ‘Mjedja’, poet i shquar dhe veprimtar patriot. Lindi në Shkodër nga Jakë Zefi (Kryeziu) e Luçije (Dominika) Thaçi, me origjinë nga Mirdita nga i ati, e nga Malcit e Pukës nga e ëma. Si i ri me intelekt të zhvilluar, i talentuar dhe studioz, tërhoqi vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift. N’edukimin e tij patën ndikim shkrimtari jezuit Anton Xanoni (1863-1915) dhe poeti françeskan Leonardo de Martino (1830-1923). Ai vazhdoi më pas studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni Në fillim ndenji tre muaj në pranverë 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien afër Lavalit në perëndim të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian të Porta Coeli-t në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi për letërsi. Më 1883 e gjejmë në Kroaci, ku studion retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin dalmat. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në një kolegj që drejtohej atje nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci. Në këto vite Ndre Mjeda filloi të shkruajë poezi shqip, ndër to edhe vjershën melankolike mjaft të lexuar Vaji i bylbylit, botuar më 1887 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha Vorri i Skanderbegut. Tema e shqiptarit në mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga penda e tij u kushtohen temave të tilla kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij Leonardo De Martino, poetit katolik shkodran, përmbledhja poetike e të cilit e përpunuar bukur me 442 faqe e në dy gjuhë L’Arpa di un italo-albanese (Harpa e një italo-shqiptari) kishte dalë në Venedik më 1881. Po aq ndihet në vargun e Mjedës edhe ndikimi i poetëve bashkëkohës të Italisë: atdhetarit Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907), medituesit Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli, 1855-1912), të ndjeshmit Gabriele D’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938) si dhe i letërsisë latine të lashtësisë klasike. Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin Marko Xhirolamo Vida (Marco Girolamo Vida) në Kremona buzë lumit Po, qytet i kompozitorit Klaudio Monteverdi (1568-1645) dhe i Antonio Stradivarit (1644-1737). Atje, dhe në Soresina, ai vazhdoi të shkruajë poezi e njëkohësisht iu përkushtua përkthimit të letërsisë fetare. Më 1888 Propaganda Fide në Romë botoi librin e tij Jeta e sceitit sc’ Gnon Berchmans (Jeta e Shën Gjon Berhmansit), për një shenjtor jezuit nga Brabanti (1599-1621), kurse më 1892 T’perghjamit e Zojs Bekume (Përngjasim i Zojës së Bekueme), përkthyer nga spanishtja. Më pas ai do të botonte një përkthim nga Katekizmi i madh në tre vëllime, Historia e shejtë, dhe një jetëshkrim të Shën Alojsius nga Gonzaga (1568-1591). Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit në Poloninë katolike. Atje u njoh me veprat filologjike të albanologëve Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900) dhe Holger Pedersen (1867-1953). Vjersha e Mjedës Gjûha shqype, e shkruar në dhjetor 1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer, vepra monumentale e të cilit Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe) kishte qenë botuar një vit më parë në Strasburg. Veprat e Majerit dhe Pedersenit zgjuan te Mjeda interesimin për historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që do të vazhdonte edhe në vitet e mëvonëshme dhe do të kthehej në një ndihmesë për vetë problemin e alfabetit, nëpërmjet punës së tij me tekstet shkollore dhe studimet për autorët e vjetër katolikë Pjetër Budi (1566-1622) dhe Pjetër Bogdani (rr. 1630-1689). Më 1893 poetin e gjejmë në Goricia buzë kufirit italo-slloven, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Thuhet se më 1898, në gjirin e jezuitëve të Kraljevicës shpërtheu një konflikt, me sa duket për lidhjet e tyre me Austro-Hungarinë dhe me Vatikanin. Hollësitë e skandalit nuk njihen me saktësi, por dihet se Ndre Mjeda u përfshi njëfarësoj në këtë konflikt dhe menjëherë u përjashtua apo dha dorëheqjen atë vit nga Urdhri Jezuit. Më 1899, me ndihmën e të vëllait Lazër Mjeda, peshkop i Sapës që më 1896 e më pas kryepeshkop i Prizrenit e kryepeshkop i Shkodrës, e sidomos me ndihmën e Prenk Doçit (1846-1917), abati me influencë i Mirditës dhe vetë poet i lëvizjes kombëtare, Ndre Mjeda u emërua mësues në Vig, në krahinën malore të Mirditës. Gjithashtu mori pjesë në fillim në veprimtarinë e shoqërisë letrare Bashkimi, që ishte themeluar atë vit në Shkodër me mbështetjen austro-hungareze nga Preng Doçi, Ndoc Nikaj dhe Gjergj Fishta. Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë Agimi, e cila krijoi një alfabet (alfabet ky i nji komisioni t’Ministrisë s’punëve të jashtme t’Austro-Hungarisë, me bazë alfabetin kroat) dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Me këtë alfabet Ndre Mjeda dhe Anton Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, ndër to Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë, i cili përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga Mjeda. Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve, ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e palataleve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe). Interesimi i zjarrtë i Mjedës për çështjen e alfabetit të shqipes bëri që ai, pavarësisht nga problemet me autoritetet osmane, të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908, ku alfabeti i tij Agimi humbi para atij Bashkimi të Gjergj Fishtës. Më 1908 në Kongresin e Manastirit bashkë me At Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin si përfaqsues i Shkodrës dhe variantit të karaktereve latine, u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916–1917 ishte anëtar i Komisia Letrare Shqipe. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920–1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht 1937[2].

Veprimtarinë poetike Ndre Mjeda e nisi që herët. Poema romantike e njohur Vaji i bylbylit u shkrua më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martinin, N. Bytyçin etj. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917 kur pa dritën e botimit vëllimi me vjersha Juvenilia, Ndre Mjeda shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike I tretuni, në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit me bukuritë e saj, vjershaShtegtari, Malli për atdhe, Gjuha shqype, Bashkoniu !etj. Krahas krijimeve të përshkuara nga notat elegjiake, Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike, në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake të Rilindjes, si Liria (1910–1911). Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut më 1911, qëndresa dhe aspirata e tyre e zjarrtë për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Grishja e poetit që fshatarët të ngriheshin për t’u çliruar nga zgjedha e rëndë shoqërore, ndërthuret me besimin se lufta e vegjëlisë do të sjellë lirinë. Në këtë vepër gjeti pasqyrim demokratizmi i Ndre Mjedës, që përbën bashkë me patriotizmin, anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij. Vjersha “Mustafa Pasha në Babunë” fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj. Në poemën e njohur Andrra e jetës nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, autori zbuloi tragjedinë e malësorëve të varfër, që rronin në zgrip të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe, ku ata ishin kredhur. Botën shpirtërore të personazheve të poemës, ndjenjat dhe mendimet e tyre, poeti i dha me mjete të kursyera dhe mjeshtëri.

Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjeda e cila nisi pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima (sonete) “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve. Duke vijuar në këtë kohë traditën e poezisë së Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjeda shprehu kështu mospajtimin e tij me regjimin reaksionar që sundonte vendin.

Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës, zënë vend edhe vjershat për fëmijë. La edhe disa shqipërime të goditura nga Gëtja, T. Grosi, etj. Romantik në thelb, Ndre Mjeda bëri një hap përpara drejt realizmit, ai kishte kërkesa të larta dhe tregoi mjeshtëri të rrallë poetike

Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934), Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe (1902). Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).Ndre Mjeda është njëri nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Me një frymëzim të parë romantik e djaloshar ai ka krijuar poemën e mallit e të dhembjes personale (Vaji i bylbylit). Me njohjen e jetës autentike të botës shqiptare ai ka krijuar poemën e botës shqiptare (Andrra e jetës). Me kërkime në njohjen e rrënjëve kulturore e historike ai ka krijuar tufat e tingëllimeve (Lissus,Scodra). Me rebelimin e tij personal e rebelimin nacional ai ka krijuar poemën e revoltit dhe himnin e lirisë (Lirija).Mjeda mbetet mjeshtër i pashembullt i formës e i gjuhës poetike në shqip dhe mjeshtri më i madh i tingëllimit në shqip deri më sot. Vepra e Ndre Mjedës u botua e plotë në tri vëllime në Prishtinë në vitin 1982 nën përkujdesjen e Sabri Hamitit, dhe nji studim mjaft i vlefshëm me shtatë vëllime nga Mentor Quku.

Vaji i bilbilit



Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?

Pushoi murlani
Me duhi t’vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou mos rri shkret.

Gjith; fushët e malet
Blerim e mbëloj;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoj.

Ndër pyje e orgaja,
N’ma t’mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjith’kend.

E tuj gjimue
Shikon rreth e rreth
Nji prrue qi veret
Rrjedh nëpër gjeth.

A çil kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e orgaja,
Bylbyl, shpejto.

Kerkush ma hovin
Atje s’ta pret,
Me zeher haejen
Kerkush s’ta qet.

Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim,
E gjith ku t’rreshket
Shkon fluturim.

Nëpër lamije
Ke me gjet mel,
Për gjith’prendverën
Njajo buk t’del.

E kur t’zitë e di
ndër prroje pi,
Te njato prroje
Qi ti vetë di.

Tash pa frigë çerdhen
E ban ndoj lis;
Nuk je si’i nieri
Qi nuk ka fis

E kur t’vin zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.

Rreth e rreth gjindja
Me t’ndie rri;
Prej asi vendit
Dahen me zi.

A çilë kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

Ndër tranfofille,
Ndër zamakë nga;
Ku qeshet kopshti,
Idhnim mos mba.

Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Biylbyl i vorfën ,
Pse po gjimon?

DIMNI


Neper fushe e neper male
Fryn murlani me stuhi,
O murlan, at fryme ndale,
Ndal, ti, akull, mos me ngri,
Mos ma ngri ket pike gjak!
– Struku, struku, i shkreti plak,

Po del dimni me shkop n’dore,
Gjeth e bar i ka kosite:
Qet ballkoni pjalm me bore,
E plak-shkreta, tue merdhite,
I thot’ vedit me za pak:
– Struku, struku i shkreti plak


DY E NJI



Dy veshe na kemi e vec nji goje te vetme,
Se shume sende me ndi i duhet t’urtit,
Por fjal’t me i k’pute per s’shkurtit.

Dy sy prap kemi e vec nji goje te vetme,
Se shume sende me k’qyrun asht nevoja,
E pak me folun goja.



Gjuha shqipe



Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m’shungullon
përmbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan’ të bukra me themel
por prap’ kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.
Ku n’breg t’Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.

Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji a Shqipnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak’ e shkrime
çka natyra vet’ përpoq.

Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera
si nj’bij’ kjo që pa prind mbet:
për t’huej t’mbajshin dhenat tjera,
s’t’kishte kush për motër t’vet.

E njat tok’ që je tue gzue,
e ke zan’ tash sa mij’ vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.


LIRIJA



O shqype, o zogjet e malevet, kallxoni
a shndrit rreze lirie mb’ato maje?
mbi bjeshke te thepisuna e nd’ograje
ku del gurra e gjimon permallshem kroni?

A keni ndie ndokund kah fluturoni
neper shkrepa me ushtue kangen e saj
a keni ndien nji kange te patravaje?
o shqype, o zogjet e malevet, kallxoni.

Lirim, lirim bertet gjithckah Malsia;
a ka lirim ky dhe qe na shklet kamba,
a vec t’mjerin e mblon ane-mb’ane robnia?

Flutro, shqype, flutro kah c’flet lama,
siell’ju malevet perreth qe ka Shqypnia,
e veshtroje ku i del lirimit ama.

Neper fusha ku rrjedh Misisipia
ushtoi rrokull nji za si bubullima
krisi nder male si kerset ushtima
kur qiell e toke i turbullon duhia.

Con’ju sherbetoret e tokes, leni te shpia
shetnit e vangat e pergjyse, o trima,
leni parmendat; rokni pushket; vetima
iu duk per s’largu, e qe po vjen liria;

Vashingtoni na thrret. E djelmvet pika
rrani tuj hapun zjarrin; hija e morrizit
mujti keshtjellat atnore, mujti katedren.

E fushe e male ushtoi: vojt Amerika
mbas asi zani qe e pat thirre; e Inglizit
ia boi luani i Amerikes kulshedren.



Dashunija ndaj prindeve



Me sy cilun afer djepit,
Me kujdes e me dashtni,
Per vaj tem tue hjekun zi,
Tue shendue kur m’shifshi n’shend.

Babe e nane sa keni derdhe
Mbi shteg tem e hire e drite;
Ah, sa mire m’keni gatite
Per cdo kohe e per cdo vend.

Ju ma ndez’t nji flake ne zemer
Per pune t’nalta e per lumni
Per ju pra, o prind’t e mi,
Mend e zemra me lakmon.

Naum Panajot Bredhi : Le të hedhim farën e mirë...

Nga Flori Bruqi 




Naum Panajot Bredhi, i mbiquajtur Veqilharxhi, është pionieri i lëvizjes sonë kulturore patriotike të shekullit XIX. Ai është ideologu i parë i Rilindjes në Shqipëri, një nga ata që u hapën udhën ideve të reja politike e kulturore kombëtare.

N.Veqilharxhi lindi më 1797 në Vithkuq të Korçës. Ai pati mërguar në Rumani. I ndikuar nga idetë e lëvizjes kombëtare të popujve të Ballkanit, mori pjesë në revolucionin rumun të vitit 1821 kundër Turqisë, revolucion që pati karakter jo vetëm çlirimtar antiosman, por dhe antifeudal. Me formimin iluminist, Veqilharxhi e drejtoi vëmendjen tek atdheu i tij. Ai e kuptonte se gjendja e Shqipërisë në ato çaste historike shtronte para popullit të tij kërkesa të reja. Në vitet `40 të shekullit XIX lëvizjet çlirimtare në Shqipëri kishin marrë hov, por atyre u mungonte një program kombëtar dhe një platformë ideologjike e përpunuar. Veqilharxhi ka meritë se në shkrimet e tij formuloi i pari kërkesat themelore të Rilindjes.

Punën e tij si atdhetar iluminist e nisi me krijimin e një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe, të përbërë prej 33 shkronjash. Me këtë alfabet hartoi dhe libra për mësimin e shqipes. Të parin libër, që është e para abetare për mësimin e gjuhës shqipe, Veqilharxhi e botoi më 1844 me titullin “Evëtar„. Një vit më vonë, më 1845, e botoi të përpunuar e të zgjeruar, me titullin “Fare i ri evëtar shqip për djelm nismëtar„, të shoqëruar me një parathënie për djemtë e rinj shqiptarë. Këta libra të Veqilharxhit u pritën me entuziazëm nga patriotët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shumë njerëz mësuan të shkruanin me alfabetin e tij. Kërkesat e lëvizjes sonë kombëtare, Veqilharxhi i paraqiti në tri shkrime të tij: Në parathënien e botimit të dytë të Evëtarit, në një letër dërguar nipit të tij dhe sidomos në një “Enqiklikë„(letër qarkore).

“Enqiklikën„ ai ua drejtoi më 1846 bashkadhetarëve të tij. Ky dokument është konsideruar si manifesti i parë i lëvizjes sonë kombëtare, si një program pune për të. Ai flet me dhembje për gjendjen tepër të prapambetur të popullit shqiptar. Këtë e shpjegon me pushtimet e vazhdueshme të të huajve, me ndryshimet politike e fetare, sidomos me “lënien pas dore të lëvrimit të gjuhës sonë kombëtare„. Ata shqiptarë që shkolloheshin nëpër vende dhe shkolla të huaja, shpesh mërgonin larg atdheut në vend që të ishin “mirëbërës„, etër e mësonjës të atheut e të kombit tonë.

Por Veqilharxhi nuk e humbet shpresën dhe u bën thirrje bashkatdhetarëve të mbushen me hov e guxim. Me një stil të shkathët, të figurshëm, e plot optimizëm ai shkruan: “Le të hedhim farën e mirë dhe me siguri vetë natyra e shenjtë e ngjarjeve do të ndihmojnë për gjallërimin, mbirjen dhe rritjen e saj, pemët e bukura dhe shumë të ëmbla të së cilës do t’i korrë padyshim brezi i ardhmë që do të bekojë ata bujq dhe ata mbjellës të mirë„. Cila është kjo “farë e mirë dhe pemët e ëmbla që do të japë ajo?„ Veqilharxhi mendon se, që të dalim nga gjendja e rëndë, duhet të shkruajmë gjuhën tonë e të përhapim arsimin shqip, të përhapim farën e diturisë, e cila do të sjellë gjithë të mirat më pas. Padituria është fatkeqësi, mendon autori, një e keqe e madhe, që barazohet me skllavërinë. “Ato kombe që kanë mbetur në padije, u shëmbëllejnë thjesht skllevërve„. Një komb mund të dalë nga mjerimi dhe prapambetja, kur të fillojë të lëvrojë gjuhën kombëtare. Gjuhën tonë ne duhet ta shkruajmë me “shkronja të veçanta kombëtare„, na mëson Veqilharxhi. Kështu, shpreson ai, edhe ne do të vihemi në rradhën e kombeve të qytetëruara.

Në këtë mënyrë e formulonte ai njërën prej kërkesave të mëdha të lëvizjes sonë kombëtare, duke u nisur nga parimi i drejtë se një popull mund të kulturohet vetëm me anë të gjuhës së vet amtare. Vepra e Veqilharxhit luajti rol të madh gjatë Rilindjes. Rilindësit e njihnin si paraardhës dhe ushqenin për të një nderim të madh. Me idetë e tij iluministe dhe me veprimtarinë e tij në dobi të kombit e të gjuhës shqipe. Veqilharxhi fitoi dashurinë dhe respektin e bashkatdhetarëve patriotë, por edhe mërinë e armiqve të Shqipërisë, veçanërisht te grekomanëve. Më 1846, ai u helmua nga agjentët e Patriarkanës, duke qenë kështu jo vetëm i pari ideolog, por edhe i pari dëshmor i Rilindjes Kombëtare.



********

LUFTA NË MES SHQIPES DHE GREQISHTES

Me traditën që krijoi Bizanti në shekujt e kaluar, si trashëgues i gjuhës dhe kulturës helene, gjuha greke u bë gjuha e kulturës së Lindjes, po ashtu si latinishtja në Perëndim. Me fillimet e përpjekjeve për shkrimin e gjuhës amtare ndër popujt e ndryshëm të Europës, filluan edhe mosmarrëveshjet midis tyre lidhur me përzgjedhjen dhe mbështetjen në gjuhën dhe kulturën greke apo në gjuhën e kulturën latine. Fillimet e shkrimit të shqipes në Veri me ndihmën e alfabetit latin, duhen kërkuar me krijimin e shtetit të parë të Arbrit, në shek. XII-XIII. Shkrimi i shqipes në Jug njihet se ka filluar në shek. XIV, për t’u shtuar në shek. XVIII, sigurisht me alfabetin grek.

Në këtë periudhë, përpjekjet për gjuhën shqipe bëhen në dy drejtime: E para është shkrimi i shqipes me alfabetin grek, e dyta është përpjekja për të shkruar shqipen me alfabete të posaçme. Pas botimit të gramatikës së U. M. Likut dhe Evstrat Vithkuqarit (1814), me nxitjen e Ali pashë Tepelenës, dhe të gramatikës së Vangjel Meksit (para vitit 1819), mjeku i Ali pashë Tepelenës, me të cilat do të mësohej shqipja në shkolla, dhe veçanërisht, pas shqipërimit të Dhiatës së Re, po nga Vangjel Meksi (1821), në terren u ndeshen dy teza, ajo greke e Fanarit (sipas emrit të lagjes në Stamboll ku ndodhet Patrikana) dhe ajo shqiptare. Përpjekjet për të futur shqipen në kisha, përpjekjet për mësimin e shqipes në shkolla, përpjekjet për botime shqipe, sollën acarime midis kishës greke dhe shqiptarëve. Ishin vitet kur shqiptarët dhe fëmijët e tyre braktisnin në masë shkollat greke dhe, për më tepër, fenë ortodokse. Përballë kësaj situate, grekët përdorën një metodë të re: mësimin e greqishtes me ndihmën e shqipes. Në shërbim të këtij plani u botuan gramatika të greqishtes në gjuhën shqipe, fjalorë greqisht-shqip dhe tekste fetare, ku viheshin përbri e njëjta përmbajtje në dy gjuhë, greqisht dhe shqip, gjithmonë me alfabetin grek. Grekët u tërhoqën paksa.

Tashmë, shqipes nuk i mohohej shkrimi, në qoftë se bëhej në favor të greqishtes, për helenizimin, mjafton që shqipja të mos shkruhej me shkronja të posaçme, të provuara më parë nga Todhri dhe Jan Velarai, aq të urryera nga grekët. Por, Naum Veqilharxhi mendonte se sipas këtij plani, vërtet shqipja shkruhej dhe lëvrohej, por ideja e krijimit të kulturës shqiptare nuk realizohej dhe, për më tepër, shqiptarët do të vazhdonin të ishin të ndarë sipas feve, ose më mirë, sipas alfabeteve. Me veprën e tij, Naumi Veqilharxhi do të tejkalonte kështu qëndrimin e Vangjel Meksit dhe Grigor Gjirokastritit, që shqipëruan Dhiatën duke përdorur shkronjat greke. “Me alfabetin e tij të veçantë për gjuhën shqipe, përpos të tjerash, ai dëshironte që të flakte alfabetin grek nga trualli shqiptar” (Gj. Shushka, Vepra e N. Veqilharxhit, Prishtinë, 1994, f. 44).


“IDENTITETI I PËRBASHKËT” OSE HELENIZIMI I SHQIPËRISË SË JUGUT

Ngjarjet e fundit të shek. XVIII, që prireshin drejt konstruktimit të kombeve në juglindjen europiane, nuk mund të mos preknin edhe shqiptarët që ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me shoqëritë që kërkonin të formonin “identitete të reja kolektive”, serbe dhe veçanërisht greke.

Feja e përbashkët ortodokse dhe hegjemonia e gjuhës greke, si gjuhë e shenjtë, por edhe si gjuhë komunikimi e promovimi social, mbështeteshin me forcë dhe xhelozi nga shteti grek i sapoformuar. Nga ana tjetër, shkatërrimi i plotë dhe dëshpërimi i thellë që pllakosi shqiptarët pas vrasjes së Ali pashë Tepelenës goditi rëndë shpresën e tyre për një shtet të pavarur shqiptar dhe me shqipen si gjuhë zyrtare. Ky raport forcash ishte disa herë në favor të dallgëve helenizuese që vërshonin mbi Shqipërinë e Jugut, aq më tepër kur shqiptarët ishin të ndarë dhe gjuha shqipe nuk mësohej në shkolla. Por, dinamika e shkrirjes dhe asimilimit nëpërmjet afirmimit të një identiteti të përbashkët të sajuar, pra, midis fesë dhe kulturës (feja ortodokse dhe gjuha e kultura greke), nxori në pah një dallim të rëndësishëm midis grekëve dhe shqiptarëve. Ndryshimi qëndronte në gjuhën që flisnin shqiptarët, konstitucionin e tyre shpirtëror, atë mëvetësi të tyre që quhet ndryshe dhe identiteti kombëtar ose shqiptarizmi.

Ishte Naum Veqilharxhi ai që arriti të dallojë gjuhën si elementi më i veçantë, më i qenësishëm dhe më funksional i shqiptarëve si kolektivitet kombëtar. Mbi këtë bazë ai ideoi dhe punoi për të lëvruar gjuhën shqipe dhe për të ngritur shkollat shqipe, pasi vetëm kështu mund t’i bëhej qëndresë helenizimit të Shqipërisë së Jugut. Ishte kjo ndërmarrje e rilindësit Naum Veqilharxhi për gjuhën shqipe, që u ndoq nga shumë misionarë të shumtë jashtë dhe brenda hapësirës shqiptare…


NAUM VEQILHARXHI, JETA

Lindi në Vithkuq të Korçës, më 17 dhjetor 1799. I ati, Panajoti, tregtar i shkathët, i vendosur në ishullin e Itakës, furnizonte me ushqime ushtrinë angleze, që kishte pushtuar ishujt Jonianë në vitin 1811. Ndoshta kështu mund të shpjegohet që të tre djemtë e tij, Naumi, Theohari dhe Kostandini, kishin nënshtetësi britanike. Ka shumë të ngjarë që Naumi mësimet fillore dhe të mesmet t’i ketë kryer në ishujt Jonianë, ku ka rënë në kontakt me lëvizjen patriotike shqiptare dhe me përpjekjet për shkrimin e shqipes. Më pas, emigroi së bashku me familjen në Rumani. Në vitin 1821, mori pjesë aktive në kryengritjen kundër robërisë osmane, si një nga drejtuesit e saj, së bashku me shumë shqiptarë të tjerë, të cilët shpresonin se, pas çlirimit të Rumanisë, do t’i vinte radha edhe atdheut të tyre. Me thyerjen e kryengritjes, Naum Veqilharxhi mundi të largohej nga Rumania. Ai shkoi në Austri, ku ndoqi studimet e larta për drejtësi. Në Vjenë, hyri në kontakt me bashkësinë e shqiptarëve të atjeshëm, e cila u bë për të burim i rëndësishëm informacioni për gjendjen ekonomike, politike, kulturore si edhe për sistemin arsimor në mbarë Shqipërinë. Në vitin 1824, Naumi kthehet në Rumani dhe vendoset përfundimisht në portin lumor të Brailës, ku ushtroi profesionin e avokatit. Tashmë i burrëruar, veçanërisht nga përvoja e kryengritjes kundërosmane, por edhe i shkolluar në Perëndim, N. Veqilharxhit iu shuan iluzionet e ndezura nga “Filiqi Eteria” për kinse “barazinë e popujve të Ballkanit të çliruar nga zgjedha turke”. Naum Veqilharxhi njohu bashkëpunimin e bojarëve vendës me feudalët e huaj pushtues, ndjeu shovinizmin e Patrikanës si dhe djallëzinë e shefave eteristë. Për Naumin u bë e qartë se interesat e popullit të vet nuk përkonin me ato të grekëve dhe se do të ishin vetë shqiptarët që do t’i mbronin ato, veçse këtë radhë të bashkuar dhe të ditur. Fakti që në vitin 1824, po atë vit që u kthye në Rumani, do t’i kushtohej përpilimit të alfabetit të gjuhës shqipe, tregon qartë se ai tashmë kishte një mendim të kristalizuar për çështjen kombëtare dhe rolin që ai vetë do të luante në lëvizjen tonë kombëtare.


GJUHA JONË AMTARE SI MJET NGJIZËS PËR NACIONALIZMIN SHQIPTAR

Naum Veqilharxhi nuk kishte përgatitje të veçantë linguistike, por falë intelektit, kulturës dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare, dalloi se pika e ribashkimit të shqiptarëve, thellësisht të ndarë në atë periudhë historike, do të ishte gjuha jonë amtare. Për Naum Veqilharxhin ishte e qartë se gjatë shekujve të historisë tyre, shqiptarët u rezistuan pushtimeve dhe ndikimeve asimiluese të perandorive më të fuqishme të kohës dhe ruajtën identitetin e tyre si komb, kryesisht falë qëndrueshmërisë së gjuhës së tyre. Naum Veqilharxhi kishte arritur në përfundimin se një popull në robëri, që të dalë në dritën e lirisë, duhet, së pari, të çlirojë gjuhën e tij, ta lëvrojë atë dhe të mblidhet rreth saj, ashtu si rreth flamurit kombëtar.

Përcaktimet e tij për rëndësinë e gjuhës shqipe do të bëheshin gjithnjë e më të qarta dhe Naum Veqilharxhi do t’i shpaloste te “Qarkorja” në të cilën shkruante : “Prapambetja e popullit lidhet, përveçse nga pushtimet e shumta të huaja, nga hyrja e dogmave fetare, por kryesisht nga moslëvrimi i gjuhës sonë kombëtare dhe zëvendësimi i saj me një gjuhë të huaj” (Qarkorja, 1846).Gjuha shqipe në fillim të shekullit XIX, as shkruhej, as lexohej, e as nuk mësohej në shkolla. Mbijetesa e saj, si e tillë, i ka rezistuar shekujve dhe kjo ka ngjallur interesimin e të huajve. Sipas U. M. Lik, gjuha përbën një tipar sui generis për shqiptarët dhe mbijetoi “…falë maleve dhe shpirtit të banorëve të tyre”. Gjuha shqipe, që flitej në disa dialekte përgjithësisht të ndërkuptueshme, ishte mjaft e varfër në fjalë të sferës diturore dhe e mbushur me huazime turke, greke, italiane dhe sllave. Në ato kohë, te shqiptarët dygjuhësia ose shumëgjuhësia ishte dukuri e zakonshme dhe çdonjëra nga gjuhët e përmendura më sipër përdorej në situata të veçanta edhe në varësi të pozitës gjeografike e të raporteve me popujt fqinjë. Shqipja ishte gjuha e zemrës, përdorej në jetën e përditshme, veçanërisht në shtëpi, turqishtja ishte gjuhë e administratës, ndërsa italishtja dhe greqishtja ishin gjuhë të tregtisë dhe të veprimtarive të tjera ekonomike. P.sh., gratë himarjote flisnin vetëm shqip, ndërsa burrat e tyre, që merreshin me tregti, flisnin edhe greqisht e italisht. I përgatitur teorikisht dhe i ndezur nga dashuria për kombin, Naum Veqilharxhi, duke pranuar të gjitha përgjegjësitë, nisi menjëherë punën për përpilimin e alfabetit të veçantë, duke vazhduar me qërimin (pastrimin) dhe pasurimin e gjuhës shqipe, me gramatikën, me afrimin e dy dialekteve dhe, së fundmi, me hartimin e abetareve dhe materialeve të tjera didaktike.


ALFABETI ME SHKRONJA TË VEÇANTA PËR TË BASHKUAR SHQIPTARËT

Si gjuhë kombëtare, gjuha shqipe duhej të shkruhej me një alfabet të veçantë që nuk do të ishte as arab, as grek, as latin, as edhe cirilik. Vetë Naum Veqilharxhi do të shkruante : “…kjo nuk fitohet ndryshe, veçse me shkronja të posaçme kombëtare që ishin filluar para meje, por për shkak të përzierjes me të huajt dhe intrigave të ziliqarëve, të gjitha mbetën pa fryt”(Qarkorja,1846). Duket se fjala është për Theodor Haxhifilipin (Dhaskal Todhri, 1730-1805) nga Elbasani, “që u përpoq për futjen e shqipes në shërbesat fetare dhe për mësimin e saj në shkollë. Ai krijoi gjithashtu në Elbasan, por që u përhap edhe në Berat dhe Kavajë, një traditë të shkrimit të shqipes me alfabetin e tij. Për ta penguar këtë, kisha fanarjote shtiu njerëz dhe e vranë dhe më pas i dogjën shkrimet në Elbasan në 1827″ (Dh. S. Shuteriqi, Shkrimet shqipe 1332-1850, Tiranë, 1965, f.136). Naum Veqilharxhi duhej të kishte dijeni edhe për alfabetin e Jan Velarait (1771-1823), mjeku dhe miku i Ali pashë Tepelenës, që ia dorëzoi këtë alfabet F. Pukëvilit, i cili e depozitoi në Bibliotekën Kombëtare të Parisit, ku ndodhet edhe sot.

Alfabeti i Naumit kishte 33 shkronja origjinale, që u përshtateshin plotësisht veçorive fonetike të gjuhës shqipe. Këto shkronja, për dekanin e albanologjisë, gjermanin J. G. Hahn, nuk ishin primitive dhe të vrazhda, por të punuara me estetikë dhe stil elegant (J. G. Hahn, Studime Shqiptare,1854, f. 292-293). Me këtë alfabet, në vitin 1844, Naumi botoi të parën abetare shqipe. Pas kërkesave të shumta që pati, e ribotoi pas një viti, më 1845, të plotësuar dhe të shoqëruar me një parathënie. Ai përgatiti gjithashtu një gramatikë të gjuhës shqipe, si dhe tekste mësimore e dorëshkrime të tjera, që nuk u botuan ose u dogjën pas botimit.


PASTRIMI DHE PASURIMI I GJUHËS SHQIPE

Naum Veqilharxhi është nismëtari për pastrimin e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja dhe pasurimin e saj me fjalë të gurrës popullore ose të formuara rishtas. Duke vlerësuar gjuhën si faktor themelor të mëvetësisë kombëtare, ai vlerësonte vetëm gjuhën e popullit, pa fjalë të huaja. Në faqet e ëvetarëve të Naumit, kanë parë dritën e shtypit për herë të parë fjalë si: fatkeq, fatkeqësi, fatmir, fletore, lesim (lehtësim), nismëtor, i paçmuar, detyrë, të pambaruara, vendlermi (vendlindja) etj. Naumi gjithashtu krijoi një varg termash gjuhësore, si zëtore (zanore), e zëshme dhe e pazëshme. Ai përdori i pari: fjalë e huaj, gjuhë e huaj. “Ai gjen rastin t’u këshillojë lexuesve të tij toskë që në vend të fjalëve të huaja pishmanosem (tq) ose metanoi (gr), të përdorin fjalën penohem (pendohem), të cilën e konsideron fjalë gegërisht dhe kjo fjalë nuk është i vetmi gegizëm në veprën e tij” (Emil Lafe, “Ndihmesa e Naum Veqilharxhit për terminologjinë gjuhësore shqipe”, Studime filologjike 1986, nr. 4). Në këtë mënyrë, duke kërkuar afrimin e dy dialekteve kryesorë të shqipes, ai promovon idenë e njësimit të saj. Naumi, i ndërgjegjshëm se pastrimi dhe pasurimi i gjuhës sonë është një proces pa fund, u drejtohej djemve të rinj shqiptarë: “Do të mundohi e do të vihi jo vetëm ta qëroni, por dhe sa të mundni ta shtoni.” (Parathënia e Ëvetarit, 1845). Dhe, në fakt, është kryer një punë e gjithanshme sistematike dhe me afat të gjatë për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe, që sigurisht duhet të vazhdojë pa reshtur.


Naim Frasheri,mendjelarti, zemërtrimi, vjershëtori si ai....

Nga Flori Bruqi 



Figura qëndrore e letërsisë shqiptare të Rilindjes, ai që u bë shprehës i aspiratave të popullit për liri e përparim, si poet i madh i kombit, është Naim Frashëri, bilbili i gjuhës shqipe. Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht. Që i vogël nisi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur “Zosimea”. Aty horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi, njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke e romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin francez. Duke përvetësuar disa gjuhë, si: greqishten e vjtër e të renë, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten, Naimi, jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu edhe poezinë e Evropës e të Lindjes. Të gjitha këto tradita poetike ndikuan në formimin e tij si poet. Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuar në Stamboll, por u prek nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri në klimë më të shëndetshme.

Gjatë viteve 1872-1877 Naimi punoi në Berat e në Sarandë si nëpunës. Kjo periudhë pati rëndësi të veçantë në formimin e tij. Atdhetar e si poet. Ai njohu më mirë jetën e popullit, zakonet, virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur e shpirtin poetik të njerëzve të thjeshtë, krijimtarinë popullore, bukurinë e natyrës shqiptare.

Ndërkohë vendi ishte përfshirë në ngjarjet e mëdha të lëvizjes çlirimtare, që do të sillnin formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizerenitmë 1878, udhëheqës i së cilës ishte Abdyli, vëllai më i madh i Naimit. Naimi dha ndihmesën e vet për krijimin e degëve të lidhjes në Jugun e Shqipërisë, përkrahu dhe përhapi programin e saj. Më 1880, kur veprimtaria e Lidhjes ishte në kulm, ai shkroi vjershën e gjatë “Shqipëria”, në të cilën shpalli idetë kryesore të Rilindjes. Me këtë krijim Naimi niste rrugën e poetit kombëtar. Më 1881 Naimi u vendos përfundimisht në Stamboll, ku u bë shpirti i Shoqërisë së Shkronjave dhe i lëvizjes së atdhetarëve shqiptarë. Gjithë forcat dhe talentin ia kushtoi çështjes kom

bëtare, punoi për ngritjen e shkollës shqipe dhe hartoi libra për të, shkroi vjersha, përktheu e botoi vazhdimisht, duke ndihmuar për zhvillimin e letërsisë sonë, për botim edhe të shumë veprave të autorëve të tjerë. Lëvizja kombëtare, idealet e çlirimit të Shqipërisë, të përparimit e të qytetërimit të saj, u bënë faktori themelor që ndikoi në formimin e Naimit si poet e atdhetar.

Krijimtaria e gjerë letrare e Naimit, me veprat poetike e didaktike, kap një periudhë të shkurtër prej 13 vjetësh (1886-1899). Vetëm në vitin 1886 ai botoi veprat “Bagëti e Bujqësia”, “Vjersha për mësonjtoret e para”, “Histori e përgjithshme” dhe poemën greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, “E këndimit çunavet këndonjëtoreja”. Më 1885 botoi përmbledhjen me vjersha persisht “Tehajylat” (Ëndërrimet) më 1888 botoi “Dituritë”, më 1890 “Lulet e verës”, më 1894 “Parajsa dhe fjala fluturak

e”, më 1898 “Historia e Skënderbeut” dhe “Qerbelanë” dhe më 1889 “Historia e Shqipërisë”. Sëmundja dhe lodhja e madhe ia keqësuan shëndetin poetit, zemra e të cilit pushoi së rrahuri më 20 tetor 1900, në moshën 54-vjeçare, i zhuritur nga malli për atdheun dhe me brengën që s’e pa dot të lirë.
Vdekja e poetit qe një zi e vërtetë kombëtare. Shqiptarët kishin humbur atdhetarin e kulluar, apostulin e shqiptarizmës, poetin e madh. Dhembjen dhe vlerësimin për Naimin e shprehu bukur elegjia e Çajupit, që niste kështu:

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqipëri,
mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai.

****************************

Naim Frashëri vuri themelet e letërsisë kombëtare shqiptar

e. Vepra e tij shënoi lindjen e një letërsie të re me vlera të vërteta artistike. Ajo shprehte aspiratat e shoqërisë shqiptare të kohës dhe ndikoi fuqishëm në luftën e saj për liri e progres.
Naimi krijoi traditën e letërsisë patriotike, qytetare, ai solli në letërsi botën shqiptare, aspiratat jetike të popullit.

Dashuria për Atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria kombëtare dhe besimi në të ardhmen, ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin romantik të veprës së tij. Naimi e afroi letërsinë me popullin, duke trajtuar tema të reja, të ndryshme nga ato të letërsisë së vjetër, temat e problemet e kohës.
Në formimin e Naimit si poet ndikuan disa faktorë, por faktori kryesor ishte jeta e popullit të vet dhe lëvizja e tij për çlirim kombëtar.

Naimi njohu disa tradita poetike të huaja, prej të cilave mori elemente që u tretën mjaft natyrshëm në veprën e vet. Por krijimtarisë së tij vulën e origjinalitetit ia vuri jeta dhe tradita historike e artistike e populli të vet. Traditat poetike popullore, që përbën një nga burimet e formimit të tij si poet, i dha shumë më tepër nga çdo traditë tjetër. Lidhja me të u shpreh jo vetëm në gjuhën e poezisë së Naimit dhe në figuracionin e pasur, por, në radhë të parë, në përmbatje dhe në frymën e saj.Naimi është bilbili i gjuhës shqipe, mjeshtër i fjalës. Vepra e tij vuri bazat e gjuhës letrare kombëtare shqipe, e cila do të njihte më vonë një zhvillim të mëtejshëm, për të arritur gjer në shqipen e sotme letrare kombëtare të njësuar e të zhvilluar. Tradita që krijoi Naimi, është e gjallë dhe frymëzuese edhe në jetën e shoqërisë sonë të sotme. Naimi më tepër se shkrimtar, është poeti më i madh i Rilindjes sonë Kombëtare, është atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit dhe i kulturës shqiptare.


Bagëti e bujqësi

O malet' e Shqipërisë e ju o lisat' e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q'u kam ndër mënt dit' e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt' e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s'e ka harruar.

Kur dëgjon zëthin e s'ëmës qysh e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
E ta trëmbin, ajy s'kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m'erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
Atje lint diell' i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat' i bardh' e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat'atje'shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
Në pyjet' e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.

Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.

Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhe unë t'ia thërres këngës e t'ia them;
Të shoh kedhërit' e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qiellin' e sbukuruar, dhenë me lul'e me dritë.

Vashë bukurosh'e bariut! që vjen me llërë përveshur,
Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që s'e kam gjetur ndë jetë.
Dashi sysk e me këmborë, q'e ke manar, po të vjen pas,
Dhe qeni me bes' i larmë të ndjek me dëshir' e me gas.
Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
- Pash' atje pas më të gdhirë,... ja atje përtej tek vinë!

O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet' e plotë! I bekoftë Perëndija!
Nëpër shesh' e nër bregore janë përhapurë shqerrat,
E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok,
Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.
Nxitojn' e s'lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija,
Secili futet në tufë, suletë ne mëm' e tija,
Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji,
Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi;
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele,
Bir' e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.

Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë!
E ç'nom të bekuar vure për çdo gjë q'është në jetë!

Sa më pëlqen blegërima, zër'i ëmbël' i bagëtisë,
Qëngji edhe kec'i bukur, që rri më gjunj' e pi sisë!
Përhapurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja,
Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja;
Bijen zilet' e këmborët e fyelli e xhuraja,
Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër një dëshirë,
Një gas t'ëmbël' e të shumë, o! sa bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëz'i bukur, lopës i vete viçi pas,
Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas,
Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
Me zemër të çelur shumë vete si trimi me pallë,
Zoqtë zënë këng' e valle dhe po kërcejn' e këndojnë,
E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë,
Larashi ngrihet përpjetë, thua q'i shpie Perëndisë
Një lëvdatë të bekuar për gëzimt të gjithësisë,

Qielli sa ësht' i kthiellt e sa është sbukuruar!
E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
Gjithë këto lule ç'janë, që u ngjallë menjëherë?
Ngaha qielli ke xbritur? Ver', o e bukura verë!
Çdo lulezë ka me vehte një emër e një fytyrë,
Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj'erë e një ngjyrë,
Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë;
Sa është e bukur faq' e dheut! S'të zë syri gjë të metë.

Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar,
A me të matht të ti' Zoti pej parajs'e ka dërguar?

Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer' e të brengosur,
Të këputur, të mjeruar, të grisur e të rreckosur;
Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi,
S'i ka mbetur gas në zemrë, se s'i la vënt idhërimi.
Eshtë njeri, si dhe neve, po epini, o të pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer' e buzëplasur,
Se përtimn' e zi, q'e pruri të gjorën më këtë ditë,
Nuk' e dimë vet' e zgjodhi, apo ia dhanë Perënditë.
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
Zëmëra s'thuhetë zëmrë me mos pasurë mëshirë.

Ah! edh' atje tej mbi udhë i duket i shkreti varri,
Rrethuar me lul'e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë e ka rarë lark shtëpisë,
Mërguar nga mëm' e motrë dhe pej gjithë njerëzisë;
Një zok i helmuar mi varrt i rri si mëmëzë dh'e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët edhe zi për të mjerë mban.

Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që rrij Zoti,
Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë qëmoti,
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt' e tu ke parë
Luftëra të mëdha shumë e punë që kanë ngjarë.
O malet' e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë!
Të patundurë përjetë jini, pa, kur oshëtini,
Udhëtarit në zemër frikë të madhe i vini;
Keni shkëmbënj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndë gji,
Përsiprë lulez' e gjethe dhe brënda ergjënt e flori,
E ju fusha bukuroshe edhe të majm'e pëllore,
Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore,
Q'u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
Zemërn' e varfërë time aty ndër ju e kam mbluar,
Tek buron nga gjithi juaj uj'i ftoht' e i kulluar;
Jam lark jush i dëshëruar edhe s'e duronj dot mallë,
Po s'e di si dua unë do t'u shoh një herë vallë?

Të paskësha vrapn' e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
Nxitimn' e lumit me valë, q'ikën me vërtik si plumbi,
E të vija në gjit tuaj, nj' ujë të ftohtë të pinja,
Edhe nëpër ato hije një copë herë të rrinja,
Syt' e ballit t'i xbavitnja, zëmërënë ta dëfrenja,
Gazë, që paçë njëherë, prap' aty ndër ju ta gjenja.
Opopo! Kshu pse më vini përpara syve pa pushim,
O ditët' e djalërisë, o moj kohëz' e të rit tim?

O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër erë,
As merr dhe zëmrënë time me vehtezë dhe ma shpjerë
Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt' e mija,
Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes lajthisë,
Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër'i bagëtisë;
Marrënë vrapn' e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë,
Dhëntë ndër shesh'e ndër brigje, dhitë në shkëmb e në rripë.

Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj' e shkarpa, sicilido ndih më nj'anë;
Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë.
Stopani, bër'i zi sterrë, shikon bulmetn' e bekuar,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar;
Udhëtar' e gjahëtorë, q'u bije udha ndër male,
U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale...
Kec'i mbeturë pa mëmë dhe i varfër' e i shkretë
Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë.
Dëgjohet nga mez'i pyllit krism' e sëpatës s'druvarit,
E sharrësë që bën lëndë, edhe fyell'i shterparit.

Shterpari s'i qaset stanit, po nër pyje bij'e ngrihet,
Nëpër maja, nër bregore, rri, këndon a gdhënt, a shtrihet;
S'i trembetë syri kurrë, vetëm ajy dit' e natë,
Nga ujku e nga kusari s'ka frik', as nga lis'i gjatë,
As nga shkëmbënjt' e nga pylli, as gogolëtë s'e hanë,
Armëtë ka shok e vëlla, mëm' e motërë xhuranë;
Miqt' e ti shqeratë janë, kecërit, dhitë, dhëntë,
Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë e më tepër qëntë,
Që s'flenë, po rrin' e ruajn bagëtinë dhe barinë,
Kur e shohin, tundin bishtin dhe me gas të math i vinë;
S'e hanë njerin' e mirë edhe mikun' e udhëtarë,
Se i njohën; po të liknë, egërsirënë, kusarë.
Vjen nata, e lë në t'errët, del hëna, i përhap dritën,
Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint' dielli, i bije ditën.
Yjtë, hëna, dielli, shënja, lindin e prapë perëndojnë,
Gjithë ç'lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë.
Mblidhen ret' e hapësira bënetë e zezë sterrë,
Vetëtimat e gjëmimet nisin e shiu zë të bjerë;
Bariu vë gunën në kokë, z'eshkën me herët të parë,
Ndes shkarpat sakaqëherë, e lisnë fyl, dhe bën zjarrë;
Fishëllen e thërret qentë sicilin me emër veçan,
Pa, kur derdhetë Baliku, ujkun' e zë edh'e përlan,
Se bisha, që bije dëmnë, errësir' e mjergull kërkon,
Papo bariu shum' ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon,
Dhe sokëllin me zë të madh, tunden malet e shkëmbenjtë,
Gumzhitin pyjet' e veshur e oshëtijnë përrenjtë!

Esht' e lehtë dhi e stanit, që kullot gjethen e malit,
Dhe bij'e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit;
Dhi e shtëpis' ësht' e plokshtë, fle në vath' e nënë strehë
E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë;
Esht' e butëz' edh'e qetë dhe e urtë si manare,
Nuk' është si malësorja, andaj i thonë bravare.

Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën ngadale, e del me kusi në dorë,
Rri në derëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur
I nget bagëtin' e delen, i mjel plakëz' e drobitur.
Plaku lë shkopnë mënjanë e bën gardhin a zë shteknë,
Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel sheleknë,
Nusja pshi e ndreq shtëpinë edhe bën bukën e gjellën,
I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën,
Mushkën, që ësht' e harbuar edhe bashkë me gomarë
Rrahënë të hedhin murë, të hanë bimën a barë.
Një grua vete në krua, e jatëra zë të tuntnjë,
Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjatëra bën çtë muntnjë.

Na hyjnë shumë në punë kafshëtë dhe bagëtija,
Na i dha në këtë jetë shok' e ndihmës Perëndija.
Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s'rronte dot në jetë,
Do të vdiste nga uria, do t'ish lakuriq e shkretë;
Gjë e gjallë na vesh, na mbath dhe na ushqen e na xbavit,
Kur shtohet e vete mbarë; jetënë tën' e përsërit.
Edhe dheu, që na ep drithë, sido ta kemi punuar,
Nukë pjell mirë si duam, po s'e patmë plehëruar.
O shokëtë e njeriut, Zoti u shtoftë e u bekoftë!
Dhe shpirti im mik përjetë, sindëkur ka qën' u qoftë.
Kafshët, edhe bagëtinë, që u ka kaqë nevojë,
Njeriu duhetë t'i shohë, t'i ketë kujdes, t'i dojë.
Të mos t'i mundojmë kurrë, po si fëmijë t'i kemi,
Eshtë mëkat edhe fjalë të ligë për to të themi.

Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
Dhe të k'ënda vahn' e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie
Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?
Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,
Q'është thier, bërë posi një pasqirë,
Duke këputur nga cmagu, që s'e kanë vartur mirë,
Apo vjen nga fush'e Korçës, nga vënd'i mir' e i gjerë,
Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot' e ndjerë?
A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje,
Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor' e pej Myzeqeje?

Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti,
Me gas të math do t'i vinjam Shqipërisë brënda në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh' Elbasan' e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat' e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit' e Tetovën;
Krojënë e Skënderbegut, q'i ka pas dhan ner Shqypnisë,
Tue bam me trimni luftë, e m'e munt mren e Tyrqisë.

Durres, o qytet i bukur, që je kërthiz' e mëmëdheut!
Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall' Ylqinë
Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?
Nukë më ngjan e s'e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.

Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,
Vëllezërit shqipëtarë, që venë në pun' e vinë,
Burrat trima me besë dhe shpirtmir' e punëtorë,
Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë.

O fushazëtë pëllore, që m'ushqeni Shqipërinë,
Do të këndoj bukurinë tuaj edhe bujqësinë.

Ti perndi e ligjërisë, që rri në malt të Tomorit,
Unju posht' e më ndih pakë, o motra im'e të gjorit!
Më ke leshrat të florinjta e të ergjëndtë krahrorë,
Ball' e gush' e faq'e llërë dhe këmb' e duar dëborë;
Sikundër do malësorët dhe pyjet e bagëtinë,
Duaj edhe fusharakët dhe arat' e bujqësinë,

Edhe ti, o mëmëz' e dheut, q'i fale dheut aq' uratë,
Sa pjell mijëra të mira e kurrë s'mbetetë thatë,
I dhe lul'e bar e gjethe, bim' e drith' e pem' e drurë,
Mlodhe gjithë bukuritë edhe kanisk ia ke prurë.

Të keqen, o symëshqerë, shikomë një herë në syt!
Si lulet' e si bilbili edhe unë jam djali yt.

Gjithë këto farë lulesh e këtë të bukur erë,
Këtë mblerim, këto gjyrë vallë nga ç'vent'i kesh nxjerrë!
O sa e madhe bukuri! As më thua ku e more!
O bukuroshe, t'u bëfsha, ngaha gjiri yt e nxore?
Apo me dorët të bukur e more nga gjir'i Zotit,
Nga qielli, nga parajsa, nga prehër' e plotë i motit?
Kudo shkel këmbëza jote, gëzohet vendi e mbleron,
Tekdo heth sythit e qeshur, bukuri' atje lulëzon!

Ti zbukuron faqen' e dheut, ti do e ushqen njerinë,
Më të gjallë, dhe pas vdekjes e pret duke hapur gjinë!
Vjen dimëri, t'i than lulet, ti me një frym' i ngjall prapë,
Napënë q'u heth përsiprë, ua heq me ver' e me vapë.

Bujkun e xgjuan me natë edhe vë përpara qetë,
Nisetë pa zbardhëllyer për punëzët të vërtetë;
Mer pluarin e parmëndën, zgjedhën, tevliknë, hostenë,
Kafshën, farën, shoknë, bukën, trajstënë, lakrorë, qenë...
Shërbëtor'i mëmës' së dheut, q'e ka zëmrënë plot shpresë,
Del kur hapet trëndafili dhe bari 'shtë gjithë vesë;
I falet Zotit t'vërtetë dhe zihet nga pun' e mbarë,
Zëmërzën e ka të bardhë dhe të qruar e të larë.

Pa lodhur e pa këputur, pa djersë e pa mundime,
Njeriu i gjorë në jetë nukë gjen dot as thërrime,
Si të punosh dit' e natë e të bësh ç'duhenë gjithë,
Ahere kërko nga Zoti të t'apë bukëz' e drithë.

Njeri, puno, mos psho kurrë dhe lark nga makutërija,
Zëmërnë kije të gjerë, mos ki keq, pa t'ep Perndija.

Puna ka duk e uratë, Zot'i math e ka bekuar,
Njerinë mi faqet të dheut e dërgoi për të punuar.

Ver' o e bukura verë, që na vjen nga i madhi Zot
Me mirësi, me bukuri, me gas të math, me duar plot,
Sindëkur çel trëndafilë, e i fal bilbilit zënë,
Ashtu na bije nga qielli një gas në zëmërt tënë.

Zot'i e i vërtetë për të ushqyer njerinë,
Për të zbukuruar dhenë, për të shtuar mirësinë,
I dha zjarr e flakë diellit, i fali dhe shinë resë,
Bëri dimërin e verën dhe zemrës san' i dha shpresë.

Për të arriturë rrushnë ç'ka punuar Perëndija,
Qielli, dheu, dielli, shiu, njeriu, tërë gjithësija!
S'është çudi pse na dëfren ver' e bukur zemrën tënë;
Ç'ka punuar Perëndija edhe njeriu, sa e bënë!
Ju shokë, kur pini verën, mos dehi, mos zëmërohi,
Mos u zihni, mos u shani, mos lëvdohi, mos qërtohi,
Se përçmoni Perëndinë, q'i ka falur hardhisë rrush,
Edhe kërkon dashurinë e ndodhet pshetazi ndaj jush;
Po gëzohi, prehi, qeshni, duhi, xbaviti, dëfreni,
Flisni fjalë të pëlqyer, loni, këndoni, kërceni,
Bëjeni zëmrën të gjerë edhe shtoni dashurinë,
Mirësinë, njerëzinë dhe besën e miqësinë,
Se në breng' e në të keqe, në punë e në të pirë,
Mirretë vesh njeriu i lik, njihetë njeriu i mirë.

A e shihni gjithësinë, yjtë, Diellinë, Hënën,
Dhenë, erën, retë, kohën, Kashtën' e Kumtërit, Shënjën,
Si janë përveshur gjithë edhe lëçijn' e punojnë,
Njëri-tjatërit i ndihin, ashtu punën e mbarojnë.
Në mest të këti rrëmeti, të punëtorëve shumë,
Njeriu duhet të lëçinjë, apo të bjerë në gjumë?

Mundohetë punëtori, po në zemërzët të qetë
Sa gas të math ndjen, kur njëra që hoth, i pjell dymbëdhjetë!
Kur e sheh kallin' e plotë të kërrusurë nga barra,
Dhe parajsën e vërtetë të tfaqurë nëpër ara,
Kur heth lëmën e mbleth toknë, ndan bykn' e kashtën mënjanë,
U heth kuajve e qevet, që janë lodhur, të hanë,
Kur e përmbush plot shtëpinë me drith' e me gjë të gjallë,
Shtrohet me uri në bukë e ha me djersë në ballë.

Sheh pjergullnë, manë, fiknë, thanënë, arrën, ullinë,
Mollën, dardhën, pjeshkën, shegën, vadhënë, ftuan, qershinë,
Kumbullatë, zerdelinë, ngarkuar me pemë gjithë,
Oborrë plot gjë të gjallë, shtëpinë mbushur me drithë,
Dhe zëmëra i gëzohet, pa i faletë Perëndisë,
Q'e çpërblen punën e djersën e mundimn' e njerëzisë.

Qysh rroit mblet' e uruar dhe ven' e vin e lëçijnë,
Ca huallinë ndërtojnë, ca nëpër lule shëndijnë.
O ç'punë me mënt punojnë, sa bukur e bëjn' e mirë!
N'apin dyllëtë, q'ep dritë, dhe mjaltë fjesht' ëmbëlsirë.
Dhe punëtorët' e mirë m'atë mëndyrë punojnë,
Edhe gjithë njerëzija me mundimt t'atyre shkojnë;
Njëri mih, jatëri lëron, njëri mbjell, jatëri prashit,
Kush t'harr, kush korr, kush mbledh duaj, kush shin, kush sharton, kush krasit,
Një bën pluar' e sëpatën, një parmendën, një shtëpinë,
Një pret e qep, një merr e ep, një mbath, një shikon mullinë,
Çdo njeri një farë pune bën në mest të shoqërisë,
Kjo ësht' udh' e Perëndisë, ky ë nom i gjithësisë.
Edh' ajo miza përdhese, ç'i duhetë për të ngrënë,
Eshtë rrahur e përpjekur e me kohëz' e ka vënë.
Ka një punë të punonjë si çdo gjë q'është në jetë,
Kshu e ka thënë me kohë Zot'i math e i vërtetë.

Bujku mundohet në verë, po në dimër rri e prëhet,
Sheh shtëpizënë më kamje, edhe zëmëra i bëhet,
Gratë të gjitha punojnë n'avlëmënt e në të tjera,
Edhe jashtë fryn e bije, por kur na trokëllin dera:
Eshtë nj'udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
I kanë ngrirë të mjerit vesh' e goj, e këmb' e dorë;
Ngrihet i zot'i shtëpisë edhe të huajthin e merr,
E vë në kryet të vatrës me njerëzi, me të math nder,
Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija,
Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndia,
Pa i bëjnë zjarr e ngrohet edh'e mbajnë me të mirë,
I sjellin shtresë të flerë edhe të ngrën' e të pirë.

Kështu të huajt' e miqtë njeriu q'është i uruar
I pret me krahëror hapur e i përcjell të gëzuar.

Në verë që çelen lulet, qielli ndrin si pasqyrë,
Sbukurohetë faq'e dheut e merr mijëra fytyrë;
Pa ngjallenë më çdo lule, më çdo bar e më çdo fletë
Gjëra të gjalla me mijë, rroitin nga dheu si mbletë.

Shpest' e mizatë këndojnë e kuajtë hingëllijnë,
Lulet' e bukura m'erë si ar e si flori ndrijnë,
Bujku nget pëndën e lëron, mbjell a bën gati ugarë,
Kalorësi i shkon njatë dhe i thotë -- puna mbarë --
Papo merr anën e lumit me zëmërë të gëzuar,
Këndon, fishëllen e vete ngadalë, duke mejtuar;
Vë re lumën e kulluar, që ikën me ligjërime,
E ndër ment të ti i bije ca t'ëmbla shumë mejtime.
Vashazëtë bukuroshe, posi shqerratë manare,
Si kapërollet e malit, si thëllëzatë mitare,
Venë të lajnë në lumë gjithë tok duke kënduar,
Me gas në sy e në buzë e me lulezë nër duar;
Përveshin llërët' e bardha dhe të majm'e të perndijta,
Pulpazëtë bukuroshe e këmbëzët' e kërthijta.
Dellëndyshja që fluturon e ndehetë përmi lumë,
U afrohetë si mike e u thotë fjalë shumë,
Dhe mëshqer' e përkëdhelur vjen në lumë të pij' ujë,
A të prëhetë në hije, a të bënjë gjë rrëmujë.

Bari, bima vatur më bres e bujku shum' i gëzuar,
Si bariu kur merr kërthinë edh'e përkëdhel ndër duar.

Bilbili ia thotë bukur, lumi vete gjithë valë,
Ep erën e Perëndisë trëndafili palë-palë.

Veç një vashëz' e mjerë qan të motrënë, q'e ka lënë,
O! është mbuluar në dhe vashëza fytyrëhënë!
Mëma dhe motëra mbetur në zi e në vaj të shumë,
Dhe shqerra manarez' e saj, e përzieshmez' e për lumë!
Të këput shpirtinë plaka, kur zë dhe nëmëron e qan,
Ah, i ziu njeri në jetë sa heq e sa duron e mban!

Vashën vërtet e mbuluan, po shpirt'i saj në qiej shkoi,
Hapi krahëthit e lehtë, në hapësirat fluturoi;
Bukuri e saj u përzje me bukurizët të prillit,
Me fjalëzët të bilbilit, me erët të trëndafilit,
Gjësendi s'humbetë kurrë e gjë s'vdes me të vërtetë,
Mase ndryshohenë pakë, po janë në këtë jetë;
As shtohet, as pakësohet, as prishetë gjithësija,
Vdesën e ngjallenë prapë si gjith' edhe njerëzija.
Këtu janë gjithë ç'janë e gjithë ç'gjë munt të jetë,
Engjëllitë, Perënditë dhe ajy Zot'i vërtetë!
Se një trup e një shpirt është gjithësia, që s'ka anë,
Të gjallë edhe të vdekur gjithë brënda në të janë.

Perëndija njerin' e parë e mori prej dore vetë,
E zbriti mi faqet e dheut, q'ish me lulez' e fletë,
Më të drejtënë të themi, mbi faqet të dheut e ngriti,
E bëri të zotthin' e dheut edhe kështu e porsiti:

Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtu, më paç uratë,
Mos u loth e mos psho kurrë, po përpiqu dit' e natë,
Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhe ti,
Të mos rrish kurrë pa punë e të vësh duartë në gji.
Mos u bëj i lik e i keq, i paudh' e i pabesë,
I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë,
Mërgohu nga të këqijat, pej çdo farë ligësije,
Pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhjeje, pej marrëzije,
Mos vra, mos merr tek s'ke vënë, edhe ki nom dashurinë,
Bes' e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë.
Në bëfsh mirë, liksht s'gjen kurrë, po, në bëfsh liksht, mos prit mirë,
Ki dëshirë për të mirë dhe në zemërë mëshirë,
Ji i but', i urt', i vyer e mos u bëj kurrë makut,
I egër e i mërzitur dh'i mahnitur si madut,
Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë iu nis pas;
Në dëgjofsh fjalët' e mija, do të jesh gjithënjë në gas.

Nga gjithë ç'pat gjithësia, të kam dhënë dhe ty pjesë,
Në u bëfsh si them, i mirë, emr'i math do të të mbesë.
Të kam dhënë mënt të mësosh, të vërtetën me të ta shohç,
Dhe zëmër' e vetëdijë, të mir' e të drejtën ta njohç,
Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregonjë,
Të të ndihnjë më çdo punë, të të psonj' e të të zgjonjë.
Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar,
Po gjësendi në shesh s'nxjerr dot pa dirsur e pa munduar;
I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thell' e më thellë,
C'do gjë që të duhet, kërkoje, barku i ti do ta pjellë.
Sa gjërërazë të vlera do të gjesh ti këtu brenda,
Edhe përsipërë soje, e sa do të t'i ket ënda!

Me fuqit që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë
Të marrç udhën e së mirës e të gjesh të madhe dritë,
Të marrç vesh dalengadalë sa punëra që kam bërë,
Diell, hënë, yj, dhe, qiej e gjithësinë të tërë!

Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje,
Ndryshe, qofsh i mallëkuar edhe mërguar prej meje!

Të parit tënë perndia këto fjalë vetëm i tha,
I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la.
Det i p'an'i mirësisë, q'emrin tënd s'e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë;
Epu sheshevet lul' e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj' e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë;
Epi pjergulls' e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë;
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj' e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn' e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.

Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh' e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn' e gjithë mirësisë.

Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë.




Gjuha jonë


Vëllezër shqipëtarë!
Të prekim urtësinë,
Të zëm' udhën e mbarë,
Të ngjallim Shqipërinë.

Shqipëria ka qënë
Edhe po do të jetë,
Po sot në ditët tënë
Të metë të mos ketë.

E ka nderuar zoti
Gjithënjë Shqipërinë,
Ish fort mirë qëmoti,
Do bëhet dhe taninë.

Sa ishte trimëria
N'atë kohë të vjetrë,
Kish emrë Shqipëria,
Sa s'kish nonjë vënt tjetrë.

Sa burra kordhëtarë
Ka nxjerrë Shqipëria
Më pastaj e më parë,
Q'i shkruan istoria!

Ajo ish koh' e zjarrtë
Dhe kish mundime tepër,
Po sot pëndë dhe kartë
Na duhet, nukë tjetër.

O burra, shqipëtarë,
Të marrim dituritë,
Se s'është koh'e parë,
Tani lipsetë dritë.

Të shkruajm' gjuhën tënë,
Kombinë ta ndritojmë,
Gjithë ç'është e ç'ka qënë
Ngadalëzë ta msojmë.

pa shihni ç'gjuh' e mirë!
Sa shije ka e hije,
ç'e bukur'edh'e lirë,
Si gjuhë perëndie.

Shum'e bardhë kjo ditë
Për gjithë shqipëtarët,
Do na sjellë një dritë,
Që s'e kishin të parët.

Kjo dritë do na bjerë
Të gjitha mirësitë
Dhe gjithë do t'i ngrerë
Dëmet e marrëzitë.

Si lum kush zë të mbjellë,
Lum kush vë këtë pemë!
Se kjo ka për të pjellë,
S'mbulohetë me remë.


Fjalet e qiririt

Në mes tuaj kam qëndruar
e jam duke përvëluar,
që t'u ap pakëzë dritë,
natënë t'ua bënj ditë.


do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
që t'u ndrinj mir' e të shihni,
njëri-tjatërin të njihni.


për ju do të rri të tretem,
asnjë çikë të mos mbetem,
të digjem e të qanj me lot,
se dëshirën s'e duronj dot.


unë zjarrit nuk i druhem
dhe kurrë s'dua të shuhem,
po të digjem me dëshirë,
sa të munt t'u ndrinj më mirë.


kur më shihni se jam tretur,
mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall' e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,


unë jam në shpirtin tuaj,
mos më kini për të huaj,
m'është falurë durimi,
andaj po digjem si trimi,


se ma k'ënda t'u bënj mirë,
të mos mbeti n'errësirë.
jakëni rreth meje rrini,
flisni, qeshni, hani, pini,


në shpirt kam dashurinë,
pa digjem për njerëzinë,
lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,


dua ta djek trupn' e kretë
për atë zotn' e vërtetë.
me zjarr ta djek mushkërinë
e të tretem për njerinë,


bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
unë dua njerëzinë,
mirësin' e urtësinë.


në bëhi shokë me mua,
në më doni si u dua,
njëri-tjetërin në doni,
të paudhë mos punoni.


o zëmëra fluturake,
qasju pakë kësaj flake!
mase krahët t'i përvëlon,
po dhe shpirtin ta shënjtëron.


unë duke përvëluar,
njerëzit i kam ndrituar.
kam qënë mik me njerinë,
andaj i di e më dinë.


gjithë tuajt' i kam parë,
mëm' e at' e fis e farë,
si tani gjithë i kam ndër mënt,
që rrininë më këtë vënt.


edhe sot nër ju ata shoh,
se shpirtin e tyre ua njoh,
dhe unë si ju jam ndruar
e jam përzjer' e ndryshuar,


pa jam bërë shumë herë
zjar e uj' e balt' e erë.
jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.


edhe ndër qiej fluturonj,
edhe brënda në det qëndronj,
shumë herë fle në baltë,
diku ndodhem dhe në mjaltë


bënem qëngj e kec i pirë,
lul' e bar e gjeth i mbirë.
dua shumë fjalë t'u them,
po trëmbem mos i bënj ujem.
e ku shkruhenë në kartë
fjalët' e gjuhësë zjarrtë?




Skënderbeu


Kush nuk e di Skënderbenë,
që nderojti
mëmëdhenë?...
Dhe sot nga armët e tija
Kullon fjeshtë trimërija!
E di njerëzi e tërë
Atë Zot ç’punë ka bërë:
‘Kur hiq Skënderbeu
Shpatë
Trimave u jepte datë!
Burra të veshur në hekur,
Dhe luftëtarë të pjekur,
Q’ishin në luftë kaluar
Përmbi kuaj’ të harbuar,
Kur hiq me kordhët të prehtë
Q’ishte si pendëz’ elehtë,
Porsi pjepërin e priste,
Në vdekje pa ndjer i klliste,
Njerin’ e kalin e çante,
Të dy më katër i ndante!
Mirësin’ e trimërinë,
Me mendjen e urtësinë
T’ati Zoti njeri kurrë
S’e ka pasur nonjë burrë.
Vet’ aty burr’ e trim ishte,
Edhe shokëtë që kishte:
Si Tanushi me Uranë,
E Mojsiu me Hamzanë
Si Maneshi e Muzaka,
Që hidheshin posi flaka,
E si Lekë Dukagjini,
Si Perlati e Mardini
Zenebisha, Araniti.
Gjon-Koka, q’ish si hastriti,
Kont, prens, mbretër e të tjerë,
Burra të vler e të ndjerë,
Qenë trima të vërtetë,
Nuk u bënë rop në jetë,
Opopo, ç’kanë lëftuar,
E ç’punë kanë punuar!
Sa mbretër e prensë qenë
Njohnë të madh Skënderbenë,
Zun’ udhën e urtësisë,
Ishin larg marrëzisë...
Madhëritë nuk i donin,
Po kishin vëllazërinë,
S’e qasninë djallëzinë,
Pa lan’ emërë për jetë.
Zotërinjtë e vërtetë...
S’kishin ata thash`e theme
Të këqija e të rreme,
Donin gjithë mëmëdhenë
Dhe kombin e Skënderbenë.


Trathëtorëtë

Shokë, kemi ne mest tënë
Shum' armik' e trathëtorë!
Popo! mos u qoftë thënë!
Veç që s'kanë gjë në dorë.

Harruanë mëmëdhenë
Dh' e lanë kombinë tënë
E një tjatërë na gjenë!
Popo! mos u qofte thënë!

Lanë zonjën e lëvduar
E zunë një kurvë shtrigë,
Të ndyr' e të mallëkuar,
Të fëlliqur e të ligë.

Lanë mëmën të xhveshur
Dhe mundohenë për botë,
Pa dhe bota duke qeshur
U thotë: mundohi kotë!

Qysh u bënë Efialtë
E nuk e njohin të mirën,
Uthullën pandehin mjaltë
Edhe dritë errësirën!

Buk' e mëmëdheut zëntë
Tradhëtorët e pabesë!
Dhe Zoti dërrmën u dhëntë,
Kurrë mos paçinë pjesë!

Miqt' armiq i kanë bërë,
Armikëtë miq i zunë,
Qysh janë fyell të tërë!
Ç'është kjo e madhe punë!

Fajn' e math kur do ta njohin
Njerëzit e mallëkuar?
Dritënë pse nuk e shohin,
Apo janë të verbuar?

Janë së gjithash të marrë
Dhe të liq me të vërtetë,
Mëmëdheut bëjnë varrë,
Po do të bienë vetë,

Se mbretëron e vërteta,
S'del kurrë gënjeshtr' e shkretë
T'ish ashtu, qe prishur jeta,
S'kish mbetur gjë e vërtetë.

Ata turpinë fitojnë,
Nderr' e tyre posht' e hedhin
Dhe armikëtë gëzojnë
E në errësirët bredhin.

Nuk është kurrë haruar
Dh'e mira dh'e lig' e shkretë,
Të gjitha janë paguar,
S'ka mbeturë gjë në jetë.

Lerini, pa do ta gjëjnë,
Të vërtetën do ta njohin,
Se tani s'e dinë c'bëjnë,
Janë të verbër e s'shohin.

O, popo ç'turp kanë marrë!
Janë bërë tradhëtorë
Dhe s'janë më shqipëtarë,
Se nga kombi hoqnë dorë.

Me të huajnë u bënë,
Me armikn' e Shqipërisë,
S'duanë gjuhënë tënë
Armikët' e Perëndisë!

Ndjej, o Zot, se nukë dinë
Se ç'bëjnë, janë mahnitur,
Rrahin të prishin shtëpinë
Pun' e lig' edh' e mërzitur.

Të gjorët janë në gjumë,
Të vërtetënë s'e dinë,
Do të mundohenë shumë,
Pasdaj mënttë do t'u vinë.

Vëllazërin' e harrojnë
Dhe kombin e mëmëdhenë,
Dhe armikëtë dëgjojnë
Edhe s'dinë se ku venë.

Hiqni dorë, hiqni dorë!
Mblithni mëntt' e tupërohi,
Mos u bëni trathëtorë,
Se pasdaj do të pendohi.


Përse?

pse s'vjen,,odit'e mirë
Pse vallë nuk vjen ?
Gjer kur ne errësirë?
Mos Zoti te pëlqen?

As hidhe gardhë,
Dhe shpejto pakë
O dit'e bardhë,
Dhe jakë,jakë

Se te pres,
Nuk vdes

Jak'o dit'e uruar
Që lind nga perendon ,
At'an e ke ndrituar
E ne pse na harron

Dritëz'e jetës
Edhe e motit
Dhe se vertetës,
Dhe gaz i zotit,

Ndritna
E zjgohna



Gavril Dara : Të zezat tona






Nga Flori Bruqi 



Fotoporteti

Zanafillën e vet lëvizja letrare arbëreshe e pati në ngulimet e Siçilisë, me studjues e letrarë të ndryshëm, si: Matrënga në shekullin e XVI, Brankati, Filja, Keta, Gavril Dara(plaku) dhe Andrea Plaku në shekullin e XVIII. Në kohën kur kjo lëvizje fitoi karakter të ri kombëtar u përfaqësua nga Gavril Dara(i riu), që vijoi traditën e nisur nga i ati dhe i gjyshi. Lindi në Palac Adriano më 6 janar 1827. Mësimet e para i mori në seminarin arbëresh të Palermos. Po në këtë qytet ai kreu studimet e larta për drejtësi. Udhën e krijimtarisë e nisi herët, në moshën 13-15 vjeçare. Në fillim shkroi vjersha që më tepër ishin intime. Shkëndia që i dha zjarr talentit të tij, ishin idetë liridashëse, ideali i bashkimit të Italisë dhe dëshira për ndryshime demokratike. Këto ide janë derdhur në vëllimin “Disa poezi”, shkruar në italisht, që doli në dritë në vitin më të zjarrtë të revolucionit më 1848. Vëllimi është si një ditar i lëvizjes revolucionare të asaj kohe. Në të spikat një brendi ideore e pasur dhe disa tipare të individualitetit krijues të Darës, si fryma luftarake optimizmi dhe begatia e figuracionit. Vlerën artistike të vëllimite dëmtojnë karakteri abstrakt dhe retorizmi.
Në shkurt 1858 Dara u bë themelues dhe drejtues i një gazete që ishte si një manifest kryengritës, “Palingenesi” (Përtëritja e jetës). Në artikujt që botoi aty ai tregoi aftësi prej prozatori, kritiku, esteti dhe historiani. Në çastet më të rëndësishme të luftës për çlirimin e Italisë ai, si edhe arbëreshët e tjerë, mori pjesë aktive në lëvizjen revolucionare italiane kundër zgjedhës austriake dhe sundimit të Burbonëve. Madje ishte një nga udhëheqësit krahinor të asaj lëvizjeje, si anëtar i komunitetit revolucionar të Xhirxhentit dhe sekretar i përgjithshëm i qeverisë revolucionare të Garibaldit, më 1860.

Në të njëjtën kohë ai s’i ndahet krijimtarisë letrare. Më 1864 shkruan një poemë të gjatë italisht, po me subjekt shqiptar “Ana Maria”. Poema është shkruar në vargje njëmbëdhjetërrokësh, është e gjatë (1.300 vargje) dhe e ndarë në dy pjesë. Ka dy protagonistë: Bozdar Stresin, nipin e Skënderbeut, të cilit i kushtohet pjesa e parëdhe Ana Maria Kominiatën, mbesën e Donikës, gruas së Skënderbeut, së cilës i kushtohet pjesa e dytë, më e gjatë. Dara mishëron në këto dy personazhe idealin e burrit dhe të gruas shqiptare. Poema tingëllon si një himn për atdheun e të parëve. Këto personazhe i patëm gjetur edhe te De Rada, po ai i paraqet si heronj romantikë që kryejnë një faj tragjik dhe shkojnë për këtë drejt fundit tragjik, kuse Dara i ri thekson aspektin heroik të karakterit të tyre.

Në poemë spikatin për vlerën e tyre estetike pjesët lirike. Në vitet 1871-74 Darën e gjejmë në Romë ku drejton gazetën politike “La Reforma”(Reforma), që shpreh ide përparimtare të së majtës .
Më vonë, ndoshta i shtyrë nga pakënaqësia e përgjithshme e arbëreshëve për rezultatet e arritura për bashkimin e Italisë, Gavrili la gazetarinë dhe politikën.

Pikërisht në këto vite Dara shkruan italisht vjershën epistul “Të zezat tona”, ku jepet një tabllo rrëngjethese e gjendjes së vendit, e shtypjes dhe e mjerimit të dyfishuar që rëndonte mbi popullin.

Ai e pikturon këtë tablo me epitete epitete dhe metafora nga më të vrazhdat, nga më të ashprat, që të kujtojnë penën e Dantes në përshkrimin e skenave të Ferrit. Vjersha demaskon me realizëm të mprehtë shtetin e ri borgjez, me mjerimin, taksat, gënjeshtrën dhe korrupsionin. Patosi mohues është tepër i fuqishëm, ndihet revolta e poetit demokrat. Tema politike trajtohet sërish në poemën “Djalli dhe Muza”.

Vitet e fundit të jetës së Dara i Ri i kaloi në Xhirxhenti, ku punoi si avokat dhe u mor me arkeologji e me studime filozofike. Aty vdiq në nëntor të vitit 1885 në mjerim duke lënë gjashtë fëmijë ende të mitur.

Ai e kishte ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare, duke marrë anën e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit dhe duke kuptuar me mprehtësi rrezikun e synimeve të shovinistëve fqinjë si dhe të imperialistëve austriakë dhe italianë ndaj Shqipërisë. Ai ishte për një bashkëpunim të ballkanasve, kundër zgjedhës osmane.


KENGA E SPRASME E BALES


Mori bije, bije e Lales,
Moj e bukur, e trishtuar,
Pse m`kujton motin e shkuar?
Ja, ku mjegulla erret
Rrokulliset mal me mal!
Sa lind dielli malit t`Gropes,
Tundet,qesh i thelli shpat.
Porsi ti, e bardhe, e kthjellet
Cipeza e qiellit shtrihet
Me nje rreth-o te pasosur,
E rimet si nineza jote.
Nga zjarret e pranveres
Sec ndriqojne gjith`kodrinat
Edhe tymi ngjyre hiri
Me ret`vete e perzihet,
Ngjare kenges se trishtuar,
Qe sjell era per se largu.
Ja, dhe vashezat pa brez,
Zen` te gjitha dor`me dore,
Te therresin ty nder vallet.
Pa kujdes kemba e djemve
Hidhet rende nder kangjellat,
Se e kan`zemren te ti.
O ti , lulja e holle e maleve,
O ti , e para e vajzerise,
Ec atje ku ne hare
Derdhet ari i moshes s`re
Edhe zemren gezo
N`endrren e embel te mengjesit!
Lerja plakut , lerja Bales
T`errtet lisa, zhurm`n e lumit,
Qe, rrembyer malit t`eger,
Thellon shtratin me perrenjte,
Si mendimi im i shkrete,
Qe me bren e me pervlon
Me te motcmet kujtime.
Dyzet here krahu i dimrit
Ra mbi Honin e mbi Brinjen
E i mbuloi e i zbardhelloi
E aq her` bleruan arat
E ugareve te Fushes,
Qe kur mblodhi dheu i huaj
T`ikurit e te pafatet;
Dhe gezimi q`atehere
Me nuk shkrepi keso nate,
Qe trut` krejt m`i erresoi.
Para sysh me fluturojne
Vite, trima e pun` te shkuara,
Sikur era nderron rete,
I shperndan e i zvarris
E i perze me fryme e gji.
Moti shkon pa u kuptuar
Per te shkretin bari,
Por mbi balle te ushtarit
Bien si plumba keto dite,
Sepse me duar te ftohta
Brenda mu ne varr e shtine.
E keto dite pushimi
Te helmuara si vdekja
Jan` per Balen, mori vajze ;
Pse ky krah, tashti i dobet,
Shum `here ushten e vertiti
Nder ushtare e bemat tona
Shume her` te bukrat vajza
Na i levduan e i kenduan.
Tashti qe eci ne shkretetire
Edhe mbeta gjalle e shkrete,
Vrulli i rinis` me le
Te harruar ne nje skaj.
Por vec ti (si rreze qielli
Lehte e lehte dimrit t`eger
Shkon e gjen t`mjerin bari
Zbjerre tek humbja e Llazit
Dhe gezon me afsh e drite)
Dhembje ndjen per t`keqen time,
Vjen me mua n`erresire.
Dhe ja, para sysh me dalin
Gjith` bujaret e fuqishem,
Te helmuar e te vrenjtur,
si m`u duken per se largu
Cukat e maleve t`dashur
Kur iu fala qe nga deti
T`fundit here e me si pashe.
Ju , o bij te motit t`madh,
Hapet nje te ndritur udhe
Ne te vjetevet thellesi.
Zulma juaj ndricoi si djell
Permbi boten e permbysur;
Ajo eshtrat jua shkelqen
Ashtu si dielli mbulon,
Edhe pasi perendon,
Valet e trazuara
Me zjarr edhe me shkendija.
Por ushtaret s`duan helme,
S`duan qare… por , po deshe,
Emri Yt ketu m`kujton
Nje perralleze plot lote.



II

Perralleza


Derdhi nata gjithe mjegullat
Mbi te zezat fusha t`luftes;
Fryu era e shprishi uret
Atje tek po flinin trimat.
Trupat e tyre te beshem
Permbi truall shtriheshin,
Endrrat venin ne ushtri.
Here e here roje t`nates
Kemberende canin hijen…
…………………………
…………………………
…………………………
Atje ku shtrin lisi i Mbretit
T`gjatat dege permbi majen
E kodrines s`Balshit-o,
Lart u ndez nje zjarr i madh
Per darken e bujarevet
Dhe u perzie rreth e rrotull
Gazi e hareja e gotavet.
Flaka e bardhe,shprishur eres,
Rrihte ballin e ushtarevet
Mbledhur rreth zotit te luftes,
Duke u dridhur mbi parzmoret
Si shkreptima mbi tallazet.
Skenderbeu po gezonte
Me ata trima vellezer
Se ne zemer-o i fliste
Fuqia e rritur syresh
Mbi krah`t e se zezes zhkabe.
Prane tij,prapa shkembit,
Mbi mburojen mbeshtetej
e mocmja fuqi e Dares.
Fara e tij si dege lisi
Mbledhur degjonte mesimet
E vjetvet,qe kishin shkuar.
Flok`t e bardhe,shprisur eres,
Dukeshin si bor`, shperndare
Maje Gur-Madhit te zhveshur.
Por te hija e lisit t`helmit,
Vec te gjith`ve, ballefshehur,
Rrinte i madhi i Golemevet
Me syte ngulur perdhe;
Gjiri leshator i hidhej
Si kusia kur valon.
Nga te erretat qepalla
Helmi i zemres i derdhej,
Pse ne zemer kujtimi
I dites se marrezise
Mu si gur ne det i ra.
Si ne enderr po kujtonte
Levdatat plot embelsi,
Qe katundet i drejtonin,
Kur “Dragoi i Dibres” mbrrinte,
Duke e quajtur “ i pari i luftes,
Nderi i ushtres,malli i vajzave
Edhe trimi i kengeve…”
E tashti te turpruar
E mbulon nata e shkrete!
Mbreti i urte e kuptoi,
Vrer`n e hidhur te bujarit
E me dhembshuri i foli
Si puhia e mesdites.
“O ti, Zot“ i Perroi-Shtogut,
Ushtar` i vjeter i Llazit,
I Darenjevet i pari,
Krahu yt dukej si zjarr,
qe shpatin e percellon;
Perball` teje gjithe armiqte
Qen` si mjegull , qe kalon.
N`ato mote shume ushtri
Dhe shum` luftera u pane
Qe kjo kohe nuk i sheh…
Por ah!Vrulli i tyre u shua,
Fitoi qeni e perdhe rane
Flamur,kordha e trimeri.
Nata e helmi te mbulofte,
Dite vrasje, dite dhune!
Gjithe te shtunat le te vijne,
E shtun`e Shales mos ardht`kurre!
Edhe moti te perzente,
Dite e zeze, e piseruar!
Por cfar` qe?...Nje ze kumboi
Mbi ato male si gjemim,
Qe, duke shpetuar resh,
Ere ngre e dredhuri :
E te urtet na u ngritne,
Turpin lane ata me gjak,
Zulma e mire prape u ngrit.
Thuaju t`rinjvet, o i ditshem,
Se faj`i te mirevet
Lahet nga bemat e ndershme;
Porsi guri i pacmuar,
Te larte ishin, te larte jane,
Kthyer ne udh`n e drites s`tyre
E prandaj mbi gjysherit ngrihen,
Porsi bora e Sharit tone
Mbi te uletat kodrina.
Mbreti heshti, i turbulluar
N`t` erret humbi, lene shprese,
Mendja te vdekja i shkoi.


III

Kenga e Henezes


Me notine e puhizes
Nje zeth erdhi aso nate,
I helmuar, i pakuptuar
Si psher`tima e vajzes se re,
Kur i fryn malli i pare
Gjine e njom` e ajo s`e di.
I bekuar ti me qofsh,
Zot i kengeve te bukura,
I larti vllastar i Petes!
Zerin tend s`e ka njeri…
Kur do Niku, derdhen lote,
Kur te doje,ndizet vrulli.
Pa u ndier, te magjepsur
Vam`tek kenga na terhoqi.
Ulur ish ai mbi gur,
Mbi gurin e perroit-o.
Dhe nje rreze henetare,
Qe ndriqonte permes resh,
I peshtillte t`verdhet floke
Me kurorezen e qiellit.
Dukej enderrza e mire,
Kur nga lulja n`lule shkon
E shket lehtas mbi tallazet
Dhe me eren bashk`kendon;
Pastaj shkon e fluturon
Si nje yll,shpejt kalon.
Kenga e Nikut shkonte larg,
Larg-o tek e bukura,
E trishtuar, per te qare;
„ Ec, o Henez, vrapo
Ne t`pafundmen kaltersi!
Ketu s`esht` liqen` i argjendte
Dhe as deti si pasqyre,
Ku t`i shihesh e stolisesh,
Kur i dashuri i ndezur
Te qafon ne shtat`n e thelle;
Ketu sheh shkembenje e lisa,
Koha shkon e ai te pret
Udha jote eshte e gjate;
Ec , vrapo , o bij` e bardhe!
Pse qendron?C`droje ke?
Mos vall` rete e zeza sterre
Te nderliksen neper kembe
E ti trembesh mos, e shuar
Rrymes s`krahevet te ftohte,
Mbetet nata si nje e ve?
Zemra jote e`dro,si imja,
Drite e hijshme e pa hare
Brymen e syvet e derdh,
E strukur me ndonje hije?
Dhe n`ato shtepi te ndritshme
Arrika kjo zi e shkrete?
Ti po qesh?...Henez, kthehu,
Me degjo nga qerrja jote!
Kur i lumi sy te bjere
Permbi krojet e mermerta
Dhe te t`mberrije era e lulevet,
Mos me ik, o zonje e nates,
Po m`ia derdh te buten drite!
Atje para do te shohesh
Bijen kryelart` t`Kaurit,
Zog`n e Lales gershetprishur
Me gji t`bardhe si tallazi
Dhe me sy te vrare helmit.
I largohet gazit, diellit,
Naten vetem lart ne shpat
Qan me sy e bisedon.
E si soset drita jote
Atje tej-o larg ne det,
Te percjell me psheretimat
E pastaj ne shtrat te mbyll.
Diten vetem filli bredh
Neper kullat mbetur shkrete,
Pa longare dhe pa fyell.
Qe menat`zene e kercejne
Qente e saj hundefryre,
Veshengritur… Porse hesht
Gropa e Dhelpres, se ne gjah
Me e bukura nuk shihet
Duke ndjekur pas kaprojte.
Drenjte vene edhe bredhin
Neper t`kopshteve driza,
Lulet vyshken pa kujdes.
Asaj mendja i shkon larg,
Pse atje asnje gjahtar
Nuk i hyn fare ne sy.
Jashte shpellavet te motit
Nxorri kryet dit` e premtuar,
Pra ne zbrazesi u zhduk;
E peshtjelle eres s`luftravet
Ora e pritur po menon!
Ec, o Henez, vrapo,
Dhe me rrezet e qafo,
Se mos nateza te soset.“
Ai heshti, Dara i foli
Me nje fjalez shum `te urte:
„ Era kallezit perkul
Edhe korresit perkedhel;
E ti , i biri i Lisanes,
Gezon natezen me kenge.
Ty t`zien zemra dhe t`fryhet
Si bule uji te kulluar;
Ti per kordhe ne ushtri
Dhe per kenge je i shquar!
Po pergjigjmu ,djale i petes,
Malli yt s`ka ren`ne pleh?
Hijeshite e vajzes s`huaj
A nuk jane helm, qe mbyt?
Kauret na u permbysen
Me gjith`kullat e te parevet
Dhe i mbuloi nje gjume i gjate
Ne nje nate pa mbarim.
Gjaku i tyre u turbullua
Si perroi larg nga kroi,
Si re e zeze pa shkreptime.
Ajo vajze leu mes lulesh
Dhe mes lajkash eshte rritur.
Qe te qelburit i benin.
Fara jote si te shkoje,
Si te shkoje e te shkelqeje
Ne ate gjak-o te trazuar?
Cipa e nderit i mbeshtjell
Grate tona me nder rritur;
S`kerkojn` fushezat me lule
As flladin e holl` s `e duan,
Por vec dimrit i gezohen,
Tmerri i pyjeve u pelqen
Edhe deti qe gjemon;
Per ato jan`dasem luftrat,
Prandaj syresh lindin trima.
Dushku i Petes, ketu kthehu
E nga rrenja e dheut tend
Mblidh burbuqe e trendafila;
Gjetke s`gjen ende te mire.
Pse te zu ty zekthi i huaj?
Ndersa bota erresohet,
Harro kezen…ja, t`vret syte
Zbardhellimi i shpatavet!“
Iu gjegj Niku buzeqeshur
E i tha: „ Ne lufte shpesh
Vajtur kam e shume here
Thembrat t`ikurve u kam shkelur;
Dita gjithe djerse e nderit
Perher` me shkelqeu mbi ushte,
Vec levdimeve u jam ruajtur;
Te ky gji kumbon nje ze,
Nje ze i fort`, vec une e ndjej.
Do me shkoje?Dhe, kur ngrire
Prehet kordha, faj do quhen
Te kethjelltat mendime?
Po ta them : Un`dua nje vajze,
Dua nje vajz` te mir`, te ndershme,
Qe esht` flake e nuk me shuan;
Ja, degjo si me ka ndezur.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...