Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/10/07

‘Mjedja’, poet i shquar dhe veprimtar patriot.

Nga Flori Bruqi 

Ndre_Mjeda

Ndre Mjeda që vetë nënshkruante ‘Mjedja’, poet i shquar dhe veprimtar patriot. Lindi në Shkodër nga Jakë Zefi (Kryeziu) e Luçije (Dominika) Thaçi, me origjinë nga Mirdita nga i ati, e nga Malcit e Pukës nga e ëma. Si i ri me intelekt të zhvilluar, i talentuar dhe studioz, tërhoqi vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift. N’edukimin e tij patën ndikim shkrimtari jezuit Anton Xanoni (1863-1915) dhe poeti françeskan Leonardo de Martino (1830-1923). Ai vazhdoi më pas studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni Në fillim ndenji tre muaj në pranverë 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien afër Lavalit në perëndim të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian të Porta Coeli-t në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi për letërsi. Më 1883 e gjejmë në Kroaci, ku studion retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin dalmat. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në një kolegj që drejtohej atje nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci. Në këto vite Ndre Mjeda filloi të shkruajë poezi shqip, ndër to edhe vjershën melankolike mjaft të lexuar Vaji i bylbylit, botuar më 1887 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha Vorri i Skanderbegut. Tema e shqiptarit në mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga penda e tij u kushtohen temave të tilla kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij Leonardo De Martino, poetit katolik shkodran, përmbledhja poetike e të cilit e përpunuar bukur me 442 faqe e në dy gjuhë L’Arpa di un italo-albanese (Harpa e një italo-shqiptari) kishte dalë në Venedik më 1881. Po aq ndihet në vargun e Mjedës edhe ndikimi i poetëve bashkëkohës të Italisë: atdhetarit Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907), medituesit Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli, 1855-1912), të ndjeshmit Gabriele D’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938) si dhe i letërsisë latine të lashtësisë klasike. Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin Marko Xhirolamo Vida (Marco Girolamo Vida) në Kremona buzë lumit Po, qytet i kompozitorit Klaudio Monteverdi (1568-1645) dhe i Antonio Stradivarit (1644-1737). Atje, dhe në Soresina, ai vazhdoi të shkruajë poezi e njëkohësisht iu përkushtua përkthimit të letërsisë fetare. Më 1888 Propaganda Fide në Romë botoi librin e tij Jeta e sceitit sc’ Gnon Berchmans (Jeta e Shën Gjon Berhmansit), për një shenjtor jezuit nga Brabanti (1599-1621), kurse më 1892 T’perghjamit e Zojs Bekume (Përngjasim i Zojës së Bekueme), përkthyer nga spanishtja. Më pas ai do të botonte një përkthim nga Katekizmi i madh në tre vëllime, Historia e shejtë, dhe një jetëshkrim të Shën Alojsius nga Gonzaga (1568-1591). Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit në Poloninë katolike. Atje u njoh me veprat filologjike të albanologëve Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900) dhe Holger Pedersen (1867-1953). Vjersha e Mjedës Gjûha shqype, e shkruar në dhjetor 1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer, vepra monumentale e të cilit Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe) kishte qenë botuar një vit më parë në Strasburg. Veprat e Majerit dhe Pedersenit zgjuan te Mjeda interesimin për historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që do të vazhdonte edhe në vitet e mëvonëshme dhe do të kthehej në një ndihmesë për vetë problemin e alfabetit, nëpërmjet punës së tij me tekstet shkollore dhe studimet për autorët e vjetër katolikë Pjetër Budi (1566-1622) dhe Pjetër Bogdani (rr. 1630-1689). Më 1893 poetin e gjejmë në Goricia buzë kufirit italo-slloven, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Thuhet se më 1898, në gjirin e jezuitëve të Kraljevicës shpërtheu një konflikt, me sa duket për lidhjet e tyre me Austro-Hungarinë dhe me Vatikanin. Hollësitë e skandalit nuk njihen me saktësi, por dihet se Ndre Mjeda u përfshi njëfarësoj në këtë konflikt dhe menjëherë u përjashtua apo dha dorëheqjen atë vit nga Urdhri Jezuit. Më 1899, me ndihmën e të vëllait Lazër Mjeda, peshkop i Sapës që më 1896 e më pas kryepeshkop i Prizrenit e kryepeshkop i Shkodrës, e sidomos me ndihmën e Prenk Doçit (1846-1917), abati me influencë i Mirditës dhe vetë poet i lëvizjes kombëtare, Ndre Mjeda u emërua mësues në Vig, në krahinën malore të Mirditës. Gjithashtu mori pjesë në fillim në veprimtarinë e shoqërisë letrare Bashkimi, që ishte themeluar atë vit në Shkodër me mbështetjen austro-hungareze nga Preng Doçi, Ndoc Nikaj dhe Gjergj Fishta. Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë Agimi, e cila krijoi një alfabet (alfabet ky i nji komisioni t’Ministrisë s’punëve të jashtme t’Austro-Hungarisë, me bazë alfabetin kroat) dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Me këtë alfabet Ndre Mjeda dhe Anton Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, ndër to Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë, i cili përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga Mjeda. Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve, ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e palataleve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe). Interesimi i zjarrtë i Mjedës për çështjen e alfabetit të shqipes bëri që ai, pavarësisht nga problemet me autoritetet osmane, të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908, ku alfabeti i tij Agimi humbi para atij Bashkimi të Gjergj Fishtës. Më 1908 në Kongresin e Manastirit bashkë me At Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin si përfaqsues i Shkodrës dhe variantit të karaktereve latine, u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916–1917 ishte anëtar i Komisia Letrare Shqipe. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920–1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht 1937[2].

Veprimtarinë poetike Ndre Mjeda e nisi që herët. Poema romantike e njohur Vaji i bylbylit u shkrua më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martinin, N. Bytyçin etj. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917 kur pa dritën e botimit vëllimi me vjersha Juvenilia, Ndre Mjeda shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike I tretuni, në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit me bukuritë e saj, vjershaShtegtari, Malli për atdhe, Gjuha shqype, Bashkoniu !etj. Krahas krijimeve të përshkuara nga notat elegjiake, Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike, në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake të Rilindjes, si Liria (1910–1911). Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut më 1911, qëndresa dhe aspirata e tyre e zjarrtë për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Grishja e poetit që fshatarët të ngriheshin për t’u çliruar nga zgjedha e rëndë shoqërore, ndërthuret me besimin se lufta e vegjëlisë do të sjellë lirinë. Në këtë vepër gjeti pasqyrim demokratizmi i Ndre Mjedës, që përbën bashkë me patriotizmin, anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij. Vjersha “Mustafa Pasha në Babunë” fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj. Në poemën e njohur Andrra e jetës nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, autori zbuloi tragjedinë e malësorëve të varfër, që rronin në zgrip të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe, ku ata ishin kredhur. Botën shpirtërore të personazheve të poemës, ndjenjat dhe mendimet e tyre, poeti i dha me mjete të kursyera dhe mjeshtëri.

Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjeda e cila nisi pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima (sonete) “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve. Duke vijuar në këtë kohë traditën e poezisë së Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjeda shprehu kështu mospajtimin e tij me regjimin reaksionar që sundonte vendin.

Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës, zënë vend edhe vjershat për fëmijë. La edhe disa shqipërime të goditura nga Gëtja, T. Grosi, etj. Romantik në thelb, Ndre Mjeda bëri një hap përpara drejt realizmit, ai kishte kërkesa të larta dhe tregoi mjeshtëri të rrallë poetike

Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934), Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe (1902). Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).Ndre Mjeda është njëri nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Me një frymëzim të parë romantik e djaloshar ai ka krijuar poemën e mallit e të dhembjes personale (Vaji i bylbylit). Me njohjen e jetës autentike të botës shqiptare ai ka krijuar poemën e botës shqiptare (Andrra e jetës). Me kërkime në njohjen e rrënjëve kulturore e historike ai ka krijuar tufat e tingëllimeve (Lissus,Scodra). Me rebelimin e tij personal e rebelimin nacional ai ka krijuar poemën e revoltit dhe himnin e lirisë (Lirija).Mjeda mbetet mjeshtër i pashembullt i formës e i gjuhës poetike në shqip dhe mjeshtri më i madh i tingëllimit në shqip deri më sot. Vepra e Ndre Mjedës u botua e plotë në tri vëllime në Prishtinë në vitin 1982 nën përkujdesjen e Sabri Hamitit, dhe nji studim mjaft i vlefshëm me shtatë vëllime nga Mentor Quku.

Vaji i bilbilit



Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?

Pushoi murlani
Me duhi t’vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou mos rri shkret.

Gjith; fushët e malet
Blerim e mbëloj;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoj.

Ndër pyje e orgaja,
N’ma t’mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjith’kend.

E tuj gjimue
Shikon rreth e rreth
Nji prrue qi veret
Rrjedh nëpër gjeth.

A çil kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e orgaja,
Bylbyl, shpejto.

Kerkush ma hovin
Atje s’ta pret,
Me zeher haejen
Kerkush s’ta qet.

Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim,
E gjith ku t’rreshket
Shkon fluturim.

Nëpër lamije
Ke me gjet mel,
Për gjith’prendverën
Njajo buk t’del.

E kur t’zitë e di
ndër prroje pi,
Te njato prroje
Qi ti vetë di.

Tash pa frigë çerdhen
E ban ndoj lis;
Nuk je si’i nieri
Qi nuk ka fis

E kur t’vin zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.

Rreth e rreth gjindja
Me t’ndie rri;
Prej asi vendit
Dahen me zi.

A çilë kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

Ndër tranfofille,
Ndër zamakë nga;
Ku qeshet kopshti,
Idhnim mos mba.

Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Biylbyl i vorfën ,
Pse po gjimon?

DIMNI


Neper fushe e neper male
Fryn murlani me stuhi,
O murlan, at fryme ndale,
Ndal, ti, akull, mos me ngri,
Mos ma ngri ket pike gjak!
– Struku, struku, i shkreti plak,

Po del dimni me shkop n’dore,
Gjeth e bar i ka kosite:
Qet ballkoni pjalm me bore,
E plak-shkreta, tue merdhite,
I thot’ vedit me za pak:
– Struku, struku i shkreti plak


DY E NJI



Dy veshe na kemi e vec nji goje te vetme,
Se shume sende me ndi i duhet t’urtit,
Por fjal’t me i k’pute per s’shkurtit.

Dy sy prap kemi e vec nji goje te vetme,
Se shume sende me k’qyrun asht nevoja,
E pak me folun goja.



Gjuha shqipe



Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m’shungullon
përmbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan’ të bukra me themel
por prap’ kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.
Ku n’breg t’Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.

Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji a Shqipnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak’ e shkrime
çka natyra vet’ përpoq.

Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera
si nj’bij’ kjo që pa prind mbet:
për t’huej t’mbajshin dhenat tjera,
s’t’kishte kush për motër t’vet.

E njat tok’ që je tue gzue,
e ke zan’ tash sa mij’ vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.


LIRIJA



O shqype, o zogjet e malevet, kallxoni
a shndrit rreze lirie mb’ato maje?
mbi bjeshke te thepisuna e nd’ograje
ku del gurra e gjimon permallshem kroni?

A keni ndie ndokund kah fluturoni
neper shkrepa me ushtue kangen e saj
a keni ndien nji kange te patravaje?
o shqype, o zogjet e malevet, kallxoni.

Lirim, lirim bertet gjithckah Malsia;
a ka lirim ky dhe qe na shklet kamba,
a vec t’mjerin e mblon ane-mb’ane robnia?

Flutro, shqype, flutro kah c’flet lama,
siell’ju malevet perreth qe ka Shqypnia,
e veshtroje ku i del lirimit ama.

Neper fusha ku rrjedh Misisipia
ushtoi rrokull nji za si bubullima
krisi nder male si kerset ushtima
kur qiell e toke i turbullon duhia.

Con’ju sherbetoret e tokes, leni te shpia
shetnit e vangat e pergjyse, o trima,
leni parmendat; rokni pushket; vetima
iu duk per s’largu, e qe po vjen liria;

Vashingtoni na thrret. E djelmvet pika
rrani tuj hapun zjarrin; hija e morrizit
mujti keshtjellat atnore, mujti katedren.

E fushe e male ushtoi: vojt Amerika
mbas asi zani qe e pat thirre; e Inglizit
ia boi luani i Amerikes kulshedren.



Dashunija ndaj prindeve



Me sy cilun afer djepit,
Me kujdes e me dashtni,
Per vaj tem tue hjekun zi,
Tue shendue kur m’shifshi n’shend.

Babe e nane sa keni derdhe
Mbi shteg tem e hire e drite;
Ah, sa mire m’keni gatite
Per cdo kohe e per cdo vend.

Ju ma ndez’t nji flake ne zemer
Per pune t’nalta e per lumni
Per ju pra, o prind’t e mi,
Mend e zemra me lakmon.

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...