2016-10-07

Zef Serembe,njohu tiraninë politike dhe padrejtësitë shoqërore.


Nga Flori Bruqi




Një figurë origjinale dhe e ndërlikuar, që spikat në letërsinë tonë është ajo e Zef Serembes. Vepra e tij pasqyron atë etapë të Rilindjes kur lëvizja kombëtare kishte marrë hov, prandaj dhe tema patriotike merr nën penën e tij një tingëllim kushtrues të hapur dhe aktual. Nga ana tjetër, në krijimtarinë e tij gjeti shprehje atmosfera e pakënaqësisë që kishte lindur tek arbëreshët në vitet 1860-1870, kur bashkimi i Italisë jo vetëm që nuk solli ndryshimet shoqërore të shpresuara, por, përkundërazi, e thelloi mjerimin e tyre. Poezia e Serembes pasqyron kontradiktat e kësaj kohe. Zef Serembja lindi më 6 mars 1844 në fshatin arbëresh San Kozmo Albaneze të Kalabrisë ose Strigari, si i thonë vendësit, ku zakonet dhe gjuha shqipe janë ruajtur deri sot. Fshati ndodhet mbi një kodër të veshur me vreshta, me portokalle dhe limonë, me pamjen e detit Jon nga lindja. Kjo natyrë e ëmbël dhe e ashpër, që të kujton deri diku Shqipërinë, u bë një element me rëndësi i veprës së poetit. Personaliteti i Serembes si krijues u formua në vitet e zjarrta të lëvizjes kombëtare italiane të viteve 1848-1860, ku i ati mori pjesë aktive, aq sa u dënua me vdekje në mungesë nga qeveria burbone dhe u detyrua të endej maleve si komit. Që në moshë të njomë, Zefi i vogël njohu tiraninë politike dhe padrejtësitë shoqërore, gjë që u dha vjershave të tij vulën e pakënaqësisë nga realiteti, frymën e revoltës aq të fuqishme. Në zhvillimin e talentit, që i lindi herët në mënyrë të vetvetishme dhe në brumosjen e Zefit me ndjenja patriotike e liridashëse luajtën rol të rëndësishëm studimet në kolegjin e Shën-Adrianit, ku pati mësues De Radën, me të cilin më vonë u bë mik. Varfëria dhe shëndeti i keq e detyruan Seremben të ndërpresë shkollën dhe të kthehet në fshatin e lindjes. Ndërkaq lëvizja kombëtare në Itali po merrte përpjestime të gjera. Ishte koha kur Garibaldi po triumfontekudo në Italinë e Jugut dhe arbëreshët po i përgjigjeshin thirrjes së tij.
Serembja u bë këngëtar i kësaj lëvizjeje, i shtyrë jo vetëm nga ndjenjat liridashëse, po edhe nga prirja për të parë tek ajo një shprehje të trimërisë së arbëreshëve dhe një shpresë për pjesmarrjen e tyre të mëtejshme për çlirimin e atdheut të të parëve. Ndërkaq, lëvizja kombëtare në Shqipëri u fuqizua, u shpeshtuan kontaktet e arbëreshëve me këtë lëvizje. Edhe Serembja tregoi interes të gjallë ndaj përpjekjeve për liri të vëllezërve përtej detit. Madje, ai ishte i pakënaqur nga dobësia e kësaj lëvizjeje dhe i hodhi shigjeta, satira të dhimbshme në vjershën “Vrull”, kurse në një vjershë kushtuar Dora d’Istrias poeti ngriti zërin për lirinë e Shqipërisë, hodhi kushtrimin për luftë të armatosur dhe për bashkimin e shqiptarëve.
Në këto vite Serembja shëtiti nëpër fshatrat arbëreshe të Siçilisë e të Kalabrisë, i ra anembanë Italisë, duke u lidhur më tepër me zakonet, me folklorin, me të folmet e ndryshme të arbëreshëve, me ndjenjat dhe ëndërrimet e tyre, me ndjenjën e madhe të çlirimit të atdheut të të parëve. Po nuk gjeti asgjëkundi qetësinë e shpresuar. Gjatë këtyre shtegtimeve ai improvizonte poezi dhe i recitonte ato kudo që vinte, si një poet popullor. Disa prej këtyre vjershave qarkulluan si poezi popullore. Gjurmë të thella të dhimbshme në shpirtin dhe krijimtarinë e poetit la dashuria e pafat për një fshatare arbëreshe, që më vonë kishte emigruar në Brazil, ku edhe vdiq pas pak kohe. Dëshira për të parë varrin e kësaj vajze si dhe shpresa që të përmirësonte gjendjen e vet ekonomike, e bënë poetin të nisej më 1875 për në Brazil. Po edhe këtu Serembja u zhgënjye shpejt, sepse pa korrupsionin e thellë të oborrit, jetën e degjeneruar të aristokracisë braziliane. Pa kaluar as një vit ai u kthye në Itali, duke pasur si pasuri të vetme një trastë dorëshkrimesh. Gjatë këtij udhëtimi të vështirë thuhet se poetit i humbi pjesa më e madhe e këtyre dorëshkrimeve.
Në fshat, i rënë nga shëndeti dhe nga gjendja shpirtërore, Serembja nisi përsëri jatën e varfër të mëparshme.
Zhgënjimi në jetën shoqërore dhe në jetën personale u bënë shkak që Serembja të kalonte në këtë periudhë një krizë misticizmi, e cila ndikoi për keq në krijimtarinë e vet. Po interesi i tij për lëvizjen kombëtare në Shqipëri ishte gjithnjë i gjallë dhe në këtë lëvizje ai përqëndroi të gjitha shpresat e mbetura. Pikërisht në këtë kohë, më 1883, Serembja botoi librin “Poezi italisht dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja”. Megjithëse vjershat italisht kishin të meta nga ana e formës dhe niveli i përkthimit në italisht të krijimeve shqip nuk qe i kënaqshëm, libri ngjalli entuziazëm në rrethet letrare të kohës. Duke mos mundur të duronte gjatë atmosferën mbytëse që sundonte në Italinë e Jugut edhe pas zhdukjes së tiranisë së Burbonëve, poeti u nis sërish për në Brazil dhe për në Amerikën e Jugut. Aty e mbyll krijimtarinë e tij letrare me dy poezi, që dëshmojnë se ai nuk e humbi kurrë shpresën te lëvizja kombëtare shqiptare. Natyrën e tij të ndjeshme e mposhtën fatkeqësitë e jetës. Më 1901 ai e mbylli jetën në San-Paolo të Brazilit, në një gjendje çmendurie.



ELEGJI


Po i vetem jam … Edhe ecij
Rruge me rruge pa gjetur
Pushin, duke kujtuar
Mallin qe shkoj e vate,
Ky eshte sheshi e kjo shtepiza
Qe gezoheshin nje here
Pse kishin me te bukuren
Luleze te kopshtit tone.
Si oshtinte ahere qielli
me muzike e tringellima
Te shokeve te mi qe me
Nuk jane , te dermuar nga jeta !
Gjithcka mori fund dhe koha
Humbi krejt te hici.
Kush me kujton me mua? Dhe sot
Kush me degjon mua te zine ?
Andej, qe pertej perrenjve,
Me vjen si nje vajtim i holle,
Shume i embel, i mjeruar,
Qe ne qetesine e madhe
Te kesaj nate te thelle
Me hidherin me perserit
Gjithe lotet qe derdha.
Eshte vajtim , eshte harmoni :
E sjell , e shpie ajri
E ne atmosfere na humbet.
O vasheze, me ata sy
Dhe te kalter dhe te thelle
Keshtu si qielli i mire !
Thuame tani ku je
Ti qe nga une largoje
Rete e dendura qe ngriheshin
Dhe mua te zine rrethonin ?
Ku prehe ne kete kohe
Te qete e plote meri ?
Dhe pse ju nuk ndriconi
O mure, qe mua te bukuren
Me fshihni dhe vetem hena
Brenga mund te shtjere nje sy ?
O vasheze !Oh te mund
Te behesha ajo drite
Qe te vesh cdo mengjes
Kur ti shtratin e le
Me gaz dhe lumturi
Aqsa neve na duket
Sikur eshte duke lindur dielli
Nga deti Jon i gjere !
Oh, po te puthja ato buzemerxhane,
Dhe ata sy si yje ne ate balle
Te embel posi rrezja
E qiellit te zbukuruar,
Ku mbijne e rriten
te gjitha shpresat tona !
S’do kisha gajle ahere
Po te me dilte perpara qefini
I vdekjes qe me ngrin ;
Se ahere une do ta shihja
Pa helm e pa meri,
Bile me gaz ne buze,
Jeten qe po me zhdukej,
Keshtu sic shihet dielli
Qe bukur perendon
Dhe skuq qiell e dhe,
Dhe i pergjigjen dritaret
Me shkreptime gjate e gjere.




FYTYRA E SAJ




Si vajza ime e bukur s’ka asnje
e prere,e holle si kumbull drejt me rri
Kur ecen shkon si zog e mbase me
zerin e saj ngre plote harmoni.

I ndan floket ne mes e rrethas ve
gershetin qe i shkelqen krejt ne te zi
i feks ballin qe rreze ze
si gryka e detit ne agim-ne e ri.

Te zeze e tere mend e mall te thelle
syte e saja shkelqejne mese hene
ne mes faqes i qesh hunda e holle.

Ka buzet si merxhan eshte faqe holle
doren dhe zverkun si alabaster vene
Edhe kur qesh sikur te ngre ne qiell.



KENGETARI DHE BILBILI


Jam i vetëm në mesnatë
…si bilbili i pafatë
Që me zënë e tij i thotë
…sa mjerime ndjen dhe lotë
Trëndafiles dal nga gjembi
…q’e ka zëmërën si shkëmbi
Fërshëllimet që këndoj
…i rrëmbeu mali e përroj
Edhe un’, këngtar i mjerë
…vajtoj fshehtas heraherë
E këndoj e qaj si dua
…e me lotët bëj një krua
Vashë, syt’ m’i përvëlove:
…unë të desha, ti më zbove
Je si një tufan që shkrep
…që rrëmben e rreh e shqep
Flaka jote më rrëmbeu
…kurm e shpirt më dogji e preu
Shkove e zjarri që më le
…më bën hi, më fut në dhe
Ahet që mjerimi i sjell
…ngrijnë e larg era i shtjell.


VASHES SE LARGET



Fati ynë është shumë i fort
Se na jep helme dhe mort

Posi hënës, posi diellit
Që kërkohen kot prej qjellit

Se i shkreti fat i zbon
Edhe kurrë s’i bashkon

Edhe i ligu mire e di
Që është drita dashuri

E kur fatin tim kujtoj
Derdh un’ lot e psherëtoj

Plag’ e rëndë s’hiqet dot
Që më bëre ti qëmot;

Qenë ilaçe e qenë bare
Që s’më vlejtën mua fare

Nuk pushon ky helm i fort
Që na jep përdita mort.


VRULL



Zogj të bukur këndojnë me hare,
po zemra do t’më plase mua në gji.
I helmuar e shkoj jetën te ky dhe,
mërzitem në katund, në vetmi.

Hapet përpara meje deti i shkëlqyer,
që zgjon në trutë e mi mendime shumë,
e shqetësimi zemrën time çjerr,
aq sa vetëm pushoj kur bie në gjumë.

Arbëri matanë detit na kujton,
se ne të huaj jemi te ky dhe.
Sa motë shkuan! E zemra nuk harron,
që nga turku mbetem pa mëmëdhe…

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...