Si asnjëherë më parë, libri vjen i shoqëruar me një CD e regjistruar me poezi të recituara nga vetë shkrimtari
Dritëro Agolli vazhdon të shkruajë vargje dashurie. Vitet nuk e kanë penguar të hedhë në letër, gjithçka që i vjen nga zemra. Ka vetëm pak ditë që ka dalë nga shtypi libri i tij më i ri me poezi “I përndjekuri i dashurisë”. Libri është një përmbledhje e poezive më të bukura të dashurisë të shkruara që nga viti 1960 e në vijim nga shkrimtari Dritëro Agolli.
Ky libër erdhi jo vetëm si mungesë e një përmbledhjeje të tillë, por si një dëshmi se poeti ka shkruar më shumë poezi dashurie se cilido tjetër poet bashkëkohor shqiptar. Libri u botua si një dhuratë e fëmijëve dhe bashkëshortes për 82-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, 82 vite të kaluara mes poezisë, prozës, gazetarisë e mbi të gjitha mes dashurisë së pamasë të familjes dhe të të gjithë lexuesve të tij besnikë.
Në poezitë e dashurisë së Dritëro Agolli gjen të ndërthurura: përmasat e emocionit; dashurinë e pafat që përjeton drama dhimbjesh; zbërthimin e gjendjes shpirtërore; përplasje emocionesh në momente të kundërta; gjuhën e ironisë në përshkrimin emocionues të dashurisë e mbi të gjitha, ndërthurjen e dhembshurisë dhe himnizimit të figurës së femrës, si qenia më hyjnore në këtë botë. Janë mbi 50 vjet poezi dashurie, të cilat tregojnë dhimbjen, gëzimin, emocionin e shkrimtarit Dritëro Agolli.
Të gjitha këto të përmbledhura, si asnjëherë më parë në një botim të vetëm, ku cilido e gjen veten mes rreshtave të poezive. Si asnjëherë më parë, libri “I përndjekuri i dashurisë” vjen i shoqëruar me një CD në të cilën janë të regjistruara poezi të recituara nga vetë shkrimtari Dritëro Agolli.