2016-10-08

Piktura prehistorike e Spilesë së Trenit


shpella-e-trenit

 nga Oliver Topciu


-Zëra sirenash që japin alarmin-

Pasi ke lënë kryqëzimin e Grykës së Ujkut dhe ke marë rrugën majtas për në Rakickë e Shyec,buzëliqenit të Prespës së Vogël,në të majtë,mbi një faqe shkëmbi masiv që lartësohet madhështor mbi liqen,gjendet piktura prehistorike e Trenit.Kemi shkruar më parë për Trenin,kalanë e Trajanit e murin e Mokut,por është vendi të theksojmë me ç`rast,se piktura e Trenit është me vlera të jashtzakonshme historike e kulturore ; ajo është unikale në llojin e vet, jo vetëm në Shqipëri,por edhe në Ballkan e më gjerë.

Piktura prehistorike Spilesë,krahas Shpellës së Trenit,kalasë së Trajanit me murin e Mokut,tumulën mbrojtëse të Vendtrokut,fortifikimin e Gradishtës së Shyecit dhe varret tumulare të Gradishtës,janë elementët kryesorë të ansamblit historiko-arkeologjik të Trenit.

Shkëmbi mbi të cilin është vizatuar piktura ngrihet vertikalisht lart, si për të kapur qiellin dhe për të qënë sa më afër diellit,I cili,edhe dielli megjithatë,nuk ka mundur të ndriçojë,të zbardhë e të shpjegojë përfundimisht enigmën shekullore që lidhet me këtë pikturë të lashtë.Gati si një obelisk natyror, në një vend mbizotërues,të rahur përjetësisht nga erërat,me shikimin e ngrirë,të fiksuar nuk dihet qyshkur e për ku,ky shkëmb e sidomos pikturat e gdhendura mbi faqen e rudhur të tij,janë të mbushura plot e përplot me mistere të shumta që askush nuk ka mundur t`I shpjegojë në mënyrë të plotë,bindëse e shteruese.

Nuk dihet ende me siguri(dhe kjo se debatet në nivele arkeologësh e historianësh të shquar vazhdojnë) se kur dhe nga kush janë gdhendur pikturat emblematike mbi shkëmb.Cili është piktori a piktorët anonimë,me çfarë teknike pikturore janë punuar dhe mbi të gjitha,cila është përmbajtja e tyre,simbolika e tyre,mesazhi I tyre?Pse pikërisht atje,në faqen shkëmbore të atij shkëmbi madhështor piktori anonim ka shkuar ,është ndalur dhe ka shkruar fragmente ,copëza nga historia e tij,nga jeta e tij? Për të qënë sa më afër Dia-aut,perëndisë së Diellit dhe qiellit-Diah-ut,Uranit,që I rinin mbi kokë dhe perëndisë Tokë-Dhemetrës,Demetrës,Nënëtokës,-perëndive fuqiplote tek të cilat ai besonte dhe I adhuronte ditën dhe natën? (shih shkrimin “Devolli dhe perënditë pellazgo-ilire“).Apo ai,piktori anonim ,larg syve të bashkëkohësve të tij,fshehur fisit a tribusë së tij ka dashur që gdhendjet mbi gur t`ja falë,t`ja kushtojë,t`ja dhurojë ,t`ja blatojë atyre, perëndive ,pkërisht në vendin aq të lartë ,aq të lartësuar,aq mbizotërues ku vetëm ato,perënditë mund ta gjenin?Apo ai,piktori anonim ishte I sigurt,I bindur dhe plotësisht I ndërgjegjshëm se pikërisht atje,në atë vend të lartësuar mund të ruheshin të konservuara më së miri,si në një “hipotekë“ të gurtë shënimet e tij,kujtimet e tij,mesazhet e tij? Sado të pyesim a të hamendësojmë enigma e pikturës së shkëmbit të Trenit mbetet e pazgjidhur përfundimisht,misteri I saj mbetet ende I pazbuluar në mënyrë të plotë e përfundimtare edhe në ditët tona.

Me studimin e pikturës së Trenit,ashtu si edhe me monumentet e tjera historike përqark, nuk janë marë shumë studjues.Studimet më të plota rreth kësaj picture I ka kryer arkeologu dhe prehistoriani shqiptar,Muzafer Korkuti ,përfundimet e të cilave gjenden në librin e tij,“Arti Shkëmbor në Shqipëri“(Tiranë,2007).Ndër studjuesit e huaj më së shumti është marë me këtë problem,historiani britanik Nicholas Hammond.Edhe pse që të dy studjuesit e përmendur janë emra mjaft të njohur e plot autoritet në fushën e arkeologjisë dhe historisë,mendimet e tyre,pothuajse për të gjitha pyetjet që lidhen me pikturën e Trenit,nuk përputhen dhe ,në shumicën e rasteve,janë diametralisht të kundërta.Prandaj në rrjeshtat që pasojnë do të përmendim qëndrimet e tyre rreth pikturës së Spilesë së Trenit.

Pak fjalë mbi historinë e zbulimit të pikturës së Trenit

Ashtu siç tregon arkeologu M.Korkuti,piktura e shpellës së Trenit u zbulua gjatë një ekspedite arkeologe e cila po bënte gërmime sistematike në zonën për rreth.Një ditë,një banor I zonës I tregoi trupës se ai kishte parë në shkëmbin e Spilesë disa “shkrime që nuk lexoheshin“.

Dhe arkeologët pasi ngjitën të përpjetën nga bregu I liqenit qëndruan përpara faqes lindore të shkëmbit duke kërkuar për ndonjë gjurmë të bërë nga dora e njeriut.Duke kërkuar me këmbëngulje e durim për të gjitha imtësitë,në anën perëndimore arkeologët dalluan në fillim një kalorës të vizatuar me bojë të bardhë,pranë tij një kalorës tjetër,kurse para tyre tre qen që vraponin bashkë me kalorësit duke ndjekur një dre.Sipër tyre,mbas një të çare natyrale të shkëmbit dalluan një kalorës tjetër dhe një qen që ec gjithashtu përpara tij.Ky zbulim ,shoqëruar edhe me argumentat përkatës u publikua për herë të parë në vitin 1969 në revistën “Studime Historike 2“(shih M.Korkuti,Piktura e Trenit,f.127-131).
Një legjendë e përjetësuar mbi shkëmbenj

Shkëmbi I Spilesë apo Shpella e Shkruar quhet nga banorët e fshatrave per rreth edhe Shkëmbi I Nuses.Afër këtij shkëmbi,përballë dhe në krah,si kolona vigane,ngrihen edhe disa shkëmbenj të tjerë.Banorët e atjeshëm këtij vendi I thonë “de nusja“ sepse,sipas legjendës,pikërisht atje,tek ky vend ka ngrirë një çift të porsamartuarish ditën e dasmës dhe dy shkëmbenjtë që qëndrojnë përballë njëri tjetrit janë nusja e dhëndëri ndërsa shkëmbenjtë e tjerë fare afër,janë shpura, krushqit gjithashtu të ngrirë,që kanë pësuar të njëjtin fat.Për arsyen e ngrirjes së tyre legjenda thotë se ndoshta era e të ftohtit e acartë të dimrit që I zuri rrugës ditën e dasmës,apo ndoshta ndonjë mëkat I kryer nga vetë çifti I të porsamartuarëve bënë që ata,të gjithë bashkë, të ngrijnë atje duke lënë të përjetësuar emrin e tyre në toponimin “shkëmbi nuses“.Dhe kushdo që shkon dhe e viziton atë shpellë nuk ka se sit ë mos bjerë dakord me legjendën në fjalë,sepse vërtet,të gjithë ata shkëmbenj stoikë,të heshtur,misteriozë e krenarë si ata,u ngjajnë aq shumë statujave të ngurosura njerëzore.

Përmbajtja e piktures së Trenit

Piktura e Trenit parqet një skenë gjuetie të vizatuar në siluetë dhe formohet nga tri pjesë.Në pjesën qendrore janë vendosur tre kalorës të armatosur me heshta dhe tre qen që ndjekin një dre.Sipër tyre,në një largësi 60 cm,është figura e një kalorësi tjetër dhe e një qeni .Në krah të djathtë të grupit qëndror,rreth 4-5 m larg dhe poshte tyre,ruhen në gjendje jot ë mirë,figurat e dy kafshëve,ndoshta e një dreri dhe një qeni.Figurat janë paraqitur në siluetë,janë dhënë në një plan dhe në përgjithësi janë vendosur në raport të drejtë me njëra tjetrën.Ato lëvizin në një drejtim diagonal,nga e majta në të djathtë.Arsyeja është e qartë:gjahtarët me kuaj dhe qentë e tyre ndjekin gjahun.Secila figurë merr pjesë në kompozim në mënyrë të natyrshmë dhe është e pajisur me lëvizjet e saj individuale.Kështu kalorësi që ndodhet më afër drerit është I hipur në kalë I cili ecën me revan;në njërën dorë mban një heshtë të gjatë të drejtuar nga dreri,kurse në dorën tjetër mban kapistallin.Vendosja e figurave në tre grupe,që janë në fakt tri skena gjuetie,është e kushtëzuar,me sa duket, nga sipërfaqja e shkëmbit.Ato janë vizatuar më bojë të bardhë,me përbërje kryesore gëlqere që mbush gjithë figurat dhe formon një farë relieve të hollë mbi sipërfaqen e shkëmbit.Artisti anonim në këtë rast ka gërvishtur më parë mbi shkëmb për të formuar secilën figurinë,pastaj I ka mbushur vijat e gërvishtura me gëlqere(shkumës).Me kalimin e kohës gëlqerja ka marë ngjyrë krem dhe nën influencën e faktorëve atmosferikë është forcuar shumë dhe është bërë një me faqen e shkëmbit.

Nga pikpamja ideore piktura e Trenit paraqet një skenë nga jeta,një fakt konkret për gjuetinë kolektive me kuaj,gjë që përcakton një fazë të caktuar të shoqërisë ilire.

Piktura e Trenit si piktura e parë prehistorike në Shqipëri

Gjithnjë sipas profesor Korkutit,piktura e Spilesë është e para pikturë prehistorike që është zbuluar në vendin tonë.Jo vetëm kaq,por për gjininë e vet ajo është unike në tërë gadishullin ballkanik.
Mënyra origjinale e paraqitjes së kësaj skene gjuetie dhe fakti se piktura të bëra me një teknikë të tillë nuk gjenden në trashëgiminë artistike të popujve fqinjë,të trakëve në lindje apo të helenëve në jug,dëshmon më së miri se këtu kemi të bëjmë me një krijim të një banori vendas dhe pikërisht me një lartësi të kulturës së Trenit,e cila,siç ka dalë në dritë nga zbulimet arkeologjike,është një kulturë thjesht ilire.Është pikërisht ky fakt që I jep asaj një vlerë të veçantë,mbasi ajo përfaqëson sot për sot një nga krijimet më të bukura të artit të hershëm ilir.

Përsa I takon kohës së krijimit të saj ,profesor Korkuti është mbështetur në radhë të parë në zbulimet arkeologjike të bëra në vendbanimin e Trenit,që është vendbanimi më I afërt që mund të lidhet me të.Ky vendbanim gjatë periudhës së parë të hekurit,shek.XII-VII p.e.r,ka patur një periudhë zhvillimi të madh e në veçanti një lulëzim të poçerisë së pikturuar.Në sferën e këtij lulëzimi të përgjithshëm që ndodhi në periudhën e parë të hekurit duhet përcaktuar edhe koha e lindjes së pikturës së Trenit.
Nicholas Hammondi për pikturën e Trenit

Ashtu siç përmendëm,konkluzionet e M.Korkutit mbi pikturën e Trenit nuk kanë mbetur pa u kundërshtuar nga historiani anglez,N.Hammond.Ky,që në vitin 1974 ka shkruar se figurinat e pikturës së Trenit janë kalorës mesjetarë dhe I takojnë periudhës së Kryqëzatës së parë.Ai mendon se së paku dy prej figurinave dallojnë shumë nga njëra tjetra.Sipas tij,n ë figurën që duket mbi të tjerat,kali është I pajisur me frerë të cilat duken që arrijnë deri tek fillimi I shalës dhe këmba e kalorësit që duket poshtë stomakut të kalit, duhet të jetë mbështetur mbi yzengji.Në dorën e djathtë të ngritur lart kalorësi duket që mban një fajkua.Po të shikojmë kalorësit më poshtë vërejmë se secili ka një ushtë të gjatë dhe ushta e kalorësit më të parë ka një pjesë metalike në krye.

Të dy qentë e gjuetisë kanë bisht të përdredhur lart dhe veshë të prerë dhe brirët e drerëve janë të theksuar qartë.Analiza në detaje e figurinave,qëndrimi I kalorësve dhe efekti I mbushjes me gëlqere I bëjnë ato të ndryshme nga ato prehistorike.Por ndryshimi më I madh midis dy prej figurave shihet në mënyrën e qëndrimit të kalorësve:tek figura më sipër pozicioni I kalorësit dhe mënyra e mbajtjes së këmbës poshtë stomakut të kalit,shpjegohet vetëm nëse kalorësi qëndron mbi yzengji.Ndërsa në figurën tjetër,kalorësi qëndron përpara duke u mbajtur fort tek kali me gjunjë dhe duart I ka të lira pasi ai nuk ka as shalë dhe as frerë të cilat u shpikën në Mesjetë.

Piktura e Trenit,një gravurë mesjetare e kryqtarëve?!… Pra sipas Hammond-it,mënyra e qëndrimit drejt mbi kalë si dhe këmba poshtë stomakut të kalit nënkupton qartë se ky kalorës qëndron mbi yzengji.Prandaj sipas tij,ai është një kalorës mesjetar dhe po kjo gjë mund të jetë e vërtetë edhe për drerët.

Konkluzioni përfundimtar që nxjer N.Hammond për pikturat e Trenit etj.,është se ka edhe një periudhë të katërt të artit shkëmbor që është periudha e mesjetës së vonë kur këto piktura janë krijuar.Por si mund ta shpjegojmë prezencën e një artisti frank në një zonë kaq të humbur (në atë kohë) të Ballkanit? Këto piktura janë bërë lart në shkëmbenjtë e një zone në verilindje të vendit të quajtur Gryka e Ujkut.Kjo lartësi është një vend ideal për një vendroje nga ku mund të vrojtohet çdo lëvizje të ushtrive që I afrohen kësaj gryke,qoftë nga krahu I liqenit të Prespës së Vogël,qoftë nga krahu I luginës së Devolli…Por a ishte Gryka e Ujkut në atë kohë një vendkalim I rëndësishëm?Rajoni për rreth Grykës së Ujkut ka mjaft fortifikime të periudhave të ndryshme si dhe vite më parë diku afër u zbuluan një çift tumash (këto lloj tumash vendoseshin zakonisht pranë rrugëkalimeve kryesore);të gjitha këto provojnë se Gryka e Ujkut ka qënë zona më e mbrojtur në një rrugë me rëndësi shumë të madhe strategjike.Gjithashtu në perëndim të liqenit të Prespës janë dy fusha pjellore,njëra në veri të Strugës në rrugën e famshme antike Via Egnatia,ndërsa tjetra zgjatet nga jugu I Pogradecit deri në Korçë.Pranë rajonit në fjalë,shumë afër Korçës,kanë kaluar historikisht një sërë rrugësh:në jugperëndim –via Leskovik për në Konicë apo Përmet;në veri,via Shën Naum për në Ohër;në verilindje-via e Grykës së Cangonjit dhe në lindje të liqenit të Prespës;në lindje –via e Grykës së Cangonjit dhe Grykës së Ujkut dhe në jug të liqenit të Prespës për në Follorinë;në jugperëndim-via e Grykës së Cangonjit,via e Grykës së Ujkut,lugina e Devollit për në Kostur.E cila ushtri nuk do të donte të mbijetonte me prodhimet e begata vendase te këtij rajoni?Cili gjeneral vallë nuk do të lakmonte një marshim triumfator në njërën prej këtyre rrugëve për të pushtuar vise të pafundme në një kohë rekord dhe me humbje minimale?

Sipas hamendjes së Hammondit piktura e Trenit mund të datohet edhe diku rreth vitit 1108 kur në rajonin për të cilin bëhet fjalë kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme historike.Duke ju referuar edhe njëherë “Historia e Adriatikut“(libër me bashkëautorë),A.Ducellier flet midis të tjerave edhe për Traktatin e Deabolisit:“Sigurisht Bohemondi,djali I Guiskartit dhe princ I Antiokias ,në përsëritje të ekspeditës së të atit kundër Dyrrahionit(Durrësit),u shpartallua dhe u detyrua të nënshkruante më 1108 me Aleks Komnenin Traktatin e deabolisit,në kufirin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë,çka e nëri atë dhe principatën e vet vasal të Bizantit“(f.171).Dhe ka mundësi që vetë perandori bizantin Aleks Komneni si fitues ,të ketë ngritur pikërisht në këtë vend një kamp perandorak ku ka festuar për fitoren e arritur.Dhe mund të ketë pasur me vete perandori edhe një fajkua gjuetie dhe bashkë me shpurrën e tij ka shkuar edhe për gjah në një zonë të pasur me kafshë të egra,kryesisht drerë.Mundet pra,një skenë të tillë gjuetie të ketë pasqyruar piktori anonim në faqen shkëmbore të shpellës së Trenit.

Fusha e Korçës dhe gjithë rajoni për rreth kishte një rëndësi primare edhe për fushatat ushtarake normane më 1082-1083 si edhe për kryqtarët në vitet 1096-1097.Gjithashtu,ushtria bizantine përdorte më shumë via Egnatian dhe prej këtej arrinte lehtësisht Follorinën,e shumë qytete e rajone të tjera të rëndësishme në atë kohë ku të çonte ajo rrugë bashkë me të gjitha degëzimet e saj.Ushtarët e ushtrive normane dhe ato kryqtare mund të shikonin lëvizjet e ushtrive bizantine prej Grykës së Ujkut,pikërisht nga pozicioni strategjik I shkëmbit të Spilesë gjatë këtyre fushatave…Mundet pra,që njëri prej ushtarëve normanë apo kryqtarë të jetë gjithashtu piktori anonim I pikturës së Trenit…
Deri ku ka të drejtë N.Hammondi?…

Edhe pse Nicholas Hammondi është një nga historianët më të njohur e më me autoritet të Ballkanit,disa prej pohimeve të tij rreth pikturës së Trenit janë më shumë hamendësime që duhen provuar me studime të mëtejshme.Indiferenca,shurdhëria dhe memecëria e autoriteteve të njohura të arkeologjisë dhe historisë shqiptare ka bërë që debati shkencor rreth pikturës së Trenit të mbetet në nivelin e shumë viteve të shkuara.

Edhe pse jo ekspert I fushës përkatëse,duke lexuar pothuajse të gjithë literaturën që flet rreth pikturës së Trenit dhe duke shkuar disa herë tek shkëmbi I Spilesë,Shpella e Shkruar apo shkëmbi I Nuses(kështu më pëlqen ta quaj edhe unë),natyrshëm e papushim më lindin një sërë pyetjesh.A është fajkua a shqiponjë gjuetie sendi që mban në dorën e djathtë njëri prej kalorësve,ai më I rëndësishmi,ndoshta Aleks Komneni, sipas Hammondit? Pse duhej personi më I rëndësishëm,ai që mban fajkoin në dorën e djathtë,të shkonte në gjueti me fajkua a shqiponjë kur gjuetia për drerë nuk bëhej me këta shpendë të stërvitur për gjuetinë e kafshëve të vogla?Nga dallohet nëse është fajkua,shqiponjë apo diçka tjetër?Si mund të provohet që njëra nga ushtat dhe jot ë dyja që mbajnë dy kalorësit e tjerë,ka majë metalike dhe tjetra jo? Si mund të kuptohet fakti I dhënë nga Hammondi se kalorësi I figurës së sipërme I ka mbështetur këmbët mbi yzengji dhe kali ka frerë dhe dy të tjerët jo? Edhe pyetje të tjera mund të lindin pambarim dhe dilemat të shtohen pa rreshtur dhe vetëm studime të tjera,konpetente dhe bashkëkohore duke shfrytëzuar metodat moderne të gjurmimit dhe diagnostikimit të veprave të artit antik, mund t`I japin fund mëdyshjeve,mund të bëjnë datimin e saktë të pikturave të Trenit,mund të gjejnë emrin e piktorit anonim,mund të emërtojnë edhe gjuetarët që ky piktor ka skalitur mbi faqen shkëmbore të Shpellës së Nuses.

Disa përgjigje,përkundër Hammondit edhe mund të japim.Qëndrimi I ndryshëm mbi kalë I kalorësit me fajkua krahasuar me dy kalorësit e tjerë shpjegohet se këta të fundit,duke pasur ushtat në njërën dorë,kanë marë një qëndrim gati për të qëlluar drerin atje afër.Mbajtja e këmbëve të shtërnguar fort pas barkut të kalit I krijon mundësi gjahtarit për të qënë më I lirë me duart,sidomos me dorën që mban ushtën duke I dhënë mundësi për të qëlluar më me forcë dhe në shenjë prenë e tij.Nuk është e vërtetë as ajo që thotë Hammondi lidhur me periudhën e përdorimit të frerëve dhe yzengjive që lidhen vetëm me mesjetën.Në disa enciklopedi përshkruhen lloje të ndryshme frerësh që gjenden në disa pllaka balte që I përkasin shek.15 të para Krishtit.Ndërsa Xenofoni përshkruan një lloj freri në shek VI p.e.r. shumë më të sofistikuar se sa edhe ndonjë lloj freri I ditëve tona.Gjithashtu në shumë skulptura të datuara dymijë vjet p.e.r. janë gjetur kuaj me frerë dhe yzengji. Edhe fajkoi a shqiponja që përshkruan Hammondi,si shpendë gjuetia,janë më të lashtë se mesjeta.Është dokumentuar se egjiptianët e lashtë,dhe kjo nga vizatimet e zbuluara,I zbusnin dhe I përdornin për gjueti fajkoin a shqiponjën shumë kohë më parë se europianët.Edhe më pas,gjithsesi para mesjetës,kemi shqiponjën perandorake si emblemë të perandorit dhe legjioneve romake,në përbërje të të cilëve shkonin dhe bënin shërbimin ushtarak edhe shumë ilirë.

Është e vërtetë,ashtu siç përmend Hammondi,që dy kolona të Kryqëzatës së parë kanë kaluar njëra nga Bari e Durrësi-në krah të liqenit të Ohrit dhe tjetra,nga Taranto Palasa për t`u shfaqur përsëri në Ohër,por është e çuditshme dhe pak e besueshme që kryqtarët frëngë e gjermanë,plot ëndrra e delire fetare, të hyjnë në shpellën e Trenit e të vizatojnë skena krejt primitive gjuetie.Gjithashtu dihet se simbolet e krishterimit janë qingji,peshku etj.,ndërkohë që skena e gjuetisë që paraqitet në pikturën e Trenit,është krejt pagane dhe si e tillë,e dënuar nga kasha katolike.

Zëra sirenash që japin alarmin

E ç`mund të shkruaj tjetër për shkëmbin e Spilesë,Shpellën e Shkruar apo Shkëmbin e Nuses?…
Në një nga vizitat më të fundit që bëra tek Shkëmbi I Nuses vitin e kaluar (20 tetor 2011) për të riparë për të disatën herë pikturën e Trenit,ajo pothuajse nuk dukej …Mosha,vitet e gjata apo koha e çmendur e kishte fshehur pikturën unike shekullore?Duar makabre,si pjesë të një trupi pa gjak e ndërgjegje njerëzore,të shtyra nga një mendje e prapë e djallëzore ,kishin gërvishtur e pastaj lyer me bojë të bardhë a gëlqere disa prej figurinave të pikturës së Shkëmbit të Nuses…I shokuar,me duart e mbështetura mbi tëmthat e mia,me kokën drejt qiellit dhe fytyrën nga liqeni i pafajshëm, fillova t`u lutem perëndive të lashta pellazgo-ilre,ju luta,I thirra me gjithë fuqinë e zërit,ulërita…Por as ato nuk dukeshin gjëkundi…Ku është vallë Dia-u,perëndia e Diellit?!Po Dia-hu ,perëndia e qiellit ku është?! As Dhemetra,perëndia e tokës nuk përgjigjet! Mos vallë dhe ato,që të gjitha,janë zemëruar me ne, njerëzit dhe janë larguar përgjithmonë?!Ju luta gjatë, shumë gjatë perëndive pellazgo-ilire për Shkëmbin e Nuses dhe pikturën e Trenit të lashtë… Dhe…ika!Veshët vazhdojnë të më buçasin nga zërat e sirenave që japin alarmin…

Oliver Topçiu

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...