Rron, ore rron, vepra e Dushanit dhe e Miladinit


Image result for eshref ymeri

Prof.dr. Eshref Ymeri


Dekreti i Presidentit Nishani për dekorimin e 67 pjesëtarëve të Ballit Kombëtar, të vrarë 73 vjet më parë, viktima të krimit komunist, të kryer me urdhër të Mehmet Shehut, paçka se ata ishin zënë robër, ka turbulluar keq mjedisin e përçarë shqiptar. Disa organe shtypi që i bëjnë fresk përherë majtizmit, madje kanë shkruar e komentuar se Presidenti Nishani, dekorimin e tyre me medaljen “Martir i demokracisë”, na e paska bërë “fshehurazi”, në Divjakë. Unë mendoj se Presidenti Nishani ka vepruar shumë drejt që dekretin e vet për dekorimin e atyre viktimave të pafajshme, e ka shpallur në një mënyrë simbolike, pikërisht në një zonë jo të fshehtë të Lushnjës, atje ku qe kryer ai krim i rëndë, në Divjakë, e cila është pjesë e territorit të Republikës së Shqipërisë. Sepse Presidenti dekorimet nuk i bën vetëm në selinë e Presidencës dhe në Pallatin e Brigadave. Por nuk është këtu problemi. Problemi është gjetkë dhe të bën të përsiatësh thellë.

Si është e mundur që përfaqësuesit e majtizmit shqiptar, me në krye Kryeministrin Rama, të reagojnë me një kuturi të tillë kundër Presidentit të Republikës për dekorimin e viktimave të luftës civile, të cilën komunistët shqiptarë e shpërthyen me aq egërsi të paparë fill pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes?

Vallë a nuk qe e mjaftueshme koha prej më shumë se një çerek shekulli që ka kaluar pas ndërrimit të sistemit në fillim të viteve ’90, që majtizmi shqiptar të bënte një “dush të mirë politik” për rivlerësimin e periudhës gati gjysmëshekullore të sundimit të diktaturës enveriste, më të egrës në mbarë kontinentin tonë, një diktaturë që u shkaktoi një tragjedi mjaft të rëndë atyre që mendonin ndryshe dhe zhyti në një varfëri proverbiale mbarë popullin shqiptar?

Reagimi i majtizmit shqiptar kundër dekretit të Presidentit, dëshmon fare qartë se ky majtizëm nuk ka lëvizur as edhe një milimetër nga themelet e përçarjes ndërshqiptare që hodhi Dushani dhe Miladini më 08 nëntor 1941, përçarje kjo, të cilën Enver Hoxha e seliti me një kujdes të jashtëzakonshëm në vitet e luftës dhe që pas luftës e konkretizoi me vepra kriminale gjatë zhvillimit të luftës së klasave.

Majtizmi shqiptar, që ka në krye tani Kryeministrin Rama, i cili sot përfaqëson simbolin e përçarjes ndërshqiptare, fill pas vitit 1990, duhej ta kishte hedhur vështrimin prapa dhe të kishte gjykuar me shumë gjakftohtësi: menjëherë pas përfundimit të luftës, Shqipëria numëronte një popullsi prej 917 mijë banorësh. Si duhej vepruar me këtë popullsi të paktë në numër, në radhët e së cilës gjatë luftës viheshin re tre formacione politike - Legaliteti, Balli Kombëtar dhe Partia Komuniste? A nuk ishte e udhës t’i bëhej thirrje asaj popullsie që të mbylleshin plagët e luftës, të shpallej një pajtim i përgjithshëm dhe t’i hyhej punës për rimëkëmbjen e vendit, pavarësisht nga ngjyrimet politike, duke respektuar pronën e gjithsecilit? A nuk do të ishte kjo rruga më e goditur për shëndoshjen e mjedisit ndërshqiptar, duke respektuar thellë kujtimin e të rënëve në luftë, pavarësisht nga përkatësitë politike?

Po të kishte vepruar kështu Enver Hoxha, me siguri që punët do të kishin shkuar mbroth në Shqipëri dhe në radhët e mbarë popullit do të kishte mbizotëruar harmonia, mirëkuptimi, paqja dhe vëllazërimi, çka do të ndikonte drejtpërsëdrejti edhe në rritjen e nivelit të jetesës së tij.

Por Enver Hoxha nuk veproi kështu. Ai, si një argat i bindur i shovinizmit serbomadh, në vend që të mbante një qëndrim prej burrë shteti kur Miladin Popoviçi ia përplasi në fytyrë me neveri dokumentin e Marrëveshjes së Mukjes, u soll si një qen i rrahur para tij. Domosdo, Enver Hoxha nuk mund të sillej ndryshe, se ai ishte përzgjedhur me kujdes nga Beogradi, se në figurën e tij shovinizmi serbomadh kishte zbuluar njeriun pa shtyllë kurrizore, një burrë-plastelinë që nuk kishte besim në forcat krijuese të popullit shqiptar dhe Shqipërinë donte ta kthente në një republikë të shtatë të Jugosllavisë. Prandaj, në përputhje me orientimet e Beogradit, Enver Hoxha i hodhi shqiptarët kundër shqiptarëve, duke shfarosur lulen e inteligjencies dhe të nacionalizmit shqiptar.

Ja një shembull tragjik, me të cilin dëshmohet se si shqiptari vriste shqiptarin, me urdhër të Enver Hoxhës, në përputhje me orientimet e agait të tij beogradas, shovinizmit serbomadh.

Atë Daniel Gjeçaj ka shkruar:

“Kallxon nji zojë, e cila aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!”. Simbas rrëfimit të grues, ambasadori, diplomat i vjetër pan-serbian, i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet, - vazhdoi ai, - si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e themel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!

Këto fjalë i kishin rá në vesh Pater Gjonit shi prej të shoqit të zojës përkthyese. Megjithatë ai vazhdonte të çonte meshë, të punonte në shkollë e të pritëte martirizmin…” (Atë Daniel Gjeçaj. “At Gjon Shllaku, Martir i Fesë dhe i Atdheut”. Citohet sipas librit të tetë autorëve, me titull: “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 - 1990”. Shtypshkronja “Atë Gjergj Fishta”. Tiranë 1993, f. 36).

Këtë fragment ma pati dërguar para do kohësh nga Australia publicisti i njohur Fritz Radovani, për çka i jam shumë mirënjohës.

Për pushkatimin e Patër Anton Harapit, Enver Hoxha i mburrej diplomatit jugosllav, përfaqësuesit të shovinizmit serbomadh, armikut tonë shekullor, prej të cilit merrte porosi edhe për pushkatimin e Atë Gjon Shllakut. Medet! Ja deri në ç’derexhe e kishte katandisur veten Enver Hoxha para titizmit jugosllav! Vrau Patër Anton Harapin, njërin nga përfaqësuesit e shquar të klerit katolik dhe të nacionalizmit shqiptar, i cili kishte shoqëruar si përkthyes Ismail Qemalin gjatë bisedimeve të tij në Vjenë në prag të shpalljes së Pavarësisë.

Me pasojat e atyre orientimeve që vinin nga Beogradi, majtistët shqiptarë le të njihen në internet në esenë e ish-të burgosurit politik që në moshën 15-vjeçare, zotërisë Reshat Kripa, me titull “Gjenocidi komunist në Shqipëri”.

Luftën e egër të klasave, Enver Hoxha e shoqëroi me tjetërsimin e pronës private. Ai, vetë i pari, dha shembullin personal se si duhet t’i grabitet shqiptarit prona që ka vënë me djersën e ballit: ende pa hyrë qeveria e përkohshme në Tiranë në ditët e fundit të nëntorit të vitit 1944, kur ndodhej përkohësisht në Berat, Enver Hoxha urdhëroi një togë partizanësh që të shkonin në Tiranë dhe t’i dëbonin me dhunë pronarët e ligjshëm të vilave, ku do të strehohej udhëheqja kryesore e partisë komuniste, e ashtuquajtura më pas Byro Politike, e cila u mbyll në Bllokun famëkeq, e rrethuar nga bajonetat e Gardës së Republikës, deri në ndërrimin e sistemit. Kjo e vërtetë tragjike del në pah fare mirë në dokumentarin e gazetarit të mirënjohur Ferdinand Dervishi, të cilin e pati transmetuar para do kohësh kanali televiziv “abc news”.

Lufta e egër e klasave, e shoqëruar me zhdukjen tërësore të pronës private, deri në fshatin më të thellë, i dha pasojat e veta të lemerishme që la pas Enver Hoxha në vitet ’80, vite këto, të cilat Ramiz Alia, si besnik i vendosur i veprës së tij, i përmbylli me varjen në Kukës të poetit Havzi Nela dhe me vrasjet në kufi në vitin 1990, kur disa dhjetra të rinj donin të shpëtonin një sahat e më parë nga ferri komunist.

Ja, ky ishte rezultati i farës së përçarjes ndërshqiptare që mbollën Dushani dhe Miladini më 08 nëntor 1941 dhe që Enver Hoxha u përkujdes me një zell të jashtëzakonshëm për rritjen dhe lulëzimin e saj. Edhe sot e kësaj dite, ajo farë e mallkuar vazhdon të jetë edhe shumë më e rrezikshme sesa grami (krisja) për kulturat bujqësore. Prandaj majtizmi shqiptar, nëse është i shqetësuar sadopak për fatet e popullit shqiptar në veçanti dhe të mbarë kombit shqiptar në tërësi, le të mundohet të gjejë forca brenda vetes dhe ta çrrënjosë nga trualli ynë farën e mallkuar të përçarjës, veprën e Dushanit dhe të Miladinit, që shovinizmi serbomadh i pati dërguar në Tiranë për arritjen e tre objektivave themelore, të cilat dr. Kastriot Dervishi i ka analizuar fare bukur në esenë me titull “Flagranca e marrëdhënieve shqiptaro?jugosllave në vitet 1944-1948” (Gazeta “55”. 27 shkurt 2003).

Majtizmi shqiptar le ta ndërmarrë një hap të tillë, se uniteti është jetik për fatet e mbarë kombit shqiptar. Se ballistët, legalistët, ish-komunistët, majtistët dhe demokratët, janë të gjithë vëllezër shqiptarë, bij të një kombi. Se përçarja është varrmihëse për të ardhmen tonë, e cila, po nuk u ndal, ka rrezik të çojë në shuarjen tonë të shkallëshkallshme me kalimin e shekujve.

Cilat ishin ato objektiva të shovinizmit serbomadh, për të cilat bën fjalë dr. Kastriot Dervishi?

a. themelimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë, si agjenturë e shovinizmit serbomadh;

b. futja e vendit tonë në luftë civile, me pasoja të rënda luftën e klasave pas nëntorit të vitit 1944;

a. largimi nga pushteti i elementit nacionalist dhe shfarosja e tij pas luftës.

Në faqen e internetit “Agjenci e lajmeve Zhurnal” të datës 27 tetor 2016, lexova reagimin e Presidentit të Republikës ndaj akuzave të majtizmit shqiptar për dekorimin e atyre 67 viktimave.

Presidenti Nishani u ka dhënë një përgjigje mjaft bindëse të gjithë atyre që e kanë sulmuar në një mënyrë të pahijshme. Përgjigjja e tij është mjaft e argumentuar dhe mbështetet mbi fakte të pakundërshtueshme. Përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, që gjatë viteve të luftës, kishin një tjetër këndvështrim për zhvillimin e vendit, me orientim nga demokracitë perëndimore. Rrjedha e ngjarjeve vërtetoi në praktikë se kauza komuniste ishte e dështuar që në zanafillë të saj, ashtu siç edhe dështoi faktikisht në fillim të viteve ’90 në mbarë Evropën Lindore. Pra, edhe Shqipëria u kthye te kauza e nacionalistëve shqiptarë, te kauza e ballistëve dhe e legalistëve, të cilët ishin kundër ideologjisë bolshevike, për zhvillimin demokratik të vendit, ku të respektoheshin të drejtat e indivitit, liria e shtypit, fjala e lirë, prona private dhe vota e gjithsecilit.

Majtizmi shqiptar le të mundohet të gjejë forca brenda vetes për t’u emancipuar politikisht, për t’i trajtuar legalistët dhe ballistët si vëllezër shqiptarë, për t’i nderuar të rënët e tyre gjatë luftës dhe të pushkatuarit pas luftës. Sepse kauza e tyre, siç e vërtetoi koha, ishte një kauzë e drejtë, ndërsa kauza e komunistëve shqiptarë ishte e dështuar. Në të kundërt, nëse do të vazhdojë të mbajë ndaj legalistëve dhe ballistëve po atë qëndrim armiqësor që mbajti Enver Hoxha ndaj tyre gjatë dhe pas luftës, atëherë duhet pranuar me plot gojën se majtizmi shqiptar thjesht maskohet me një mbulojë socialiste, por që, në të vërtetë, përfaqëson në vetvete një neokomunizëm të kulluar në kushtet e ekonomisë së tregut.

Indiana, Indianapolis

28 tetor 2016

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)